Kulturë
Ilir Muharremi: Drejt pakuptimeve!
E diele, 06.10.2013, 06:02 PM
Drejt pakuptimeve!
Këtu në mesin e shumë ngjyrave, mbi të cilat ngrihet arti, sepse qëndron mbi çdo gjë, është i pakuptim brenda mundësive të kuptimit, brenda jetës së kënaqësisë, e cila, nëse vdes, vdes edhe njeriu
Nga Dr. Ilir Muharremi
Nuk e di, jo veç
unë, por të gjithë se kah duhet të shkojmë. Filloj çdo ditë të hulumtoj
ekzistencën, përpiqem ta dëgjoj, në formë mistike ajo tingëllon, asnjë kuptim
nuk shfaqet përpara. Në pasqyrë, shoh veten, por jo si është, ashtu si dua unë.
Kjo si imazh konstatimi të shpërfaqjes. Çfarë ndodh me lindjen, me hijen, dhe
rrugën? Mirë është se tash ndodhem, tash lëviz, marr frymë, shoh ngjyra,
rrokullis mendime, por këto mendime, nga erdhën, derisa për formën e di
prejardhjen, edhe pse e di nuk ka ndonjë kuptim të mëshirshëm, të përjetësisë.
Interesi i
ekzistimit
Mendimet,
burojnë nga logjika, imagjinata, egoja, e gjykuara dhe e pagjykuara, konflikt
për t'u përballur, lojë, por edhe kjo lojë duhet të jetë, komedi e
ekzagjerimit, nënshtrim i kohës dhe momentit. Nuk më kujtohet tash e tërë
fëmijëria, pafajësia ime, aty nga fillova, pas qarjes, pas zhgënjimit, përtej
pyetjeve, përgjigjeve që kërkojnë t'i hulumtoj, të humbura, të përziera brenda
së vërtetës nga e cila lind çdo gjë. Kjo çdo gjë prapë duhet të vdesë, duke mos
ditur pse ishte, kryesorja ishte, jam i lumtur me këtë, vetëm sepse isha dhe
ende jam. Nesër zgjohem, vazhdoj sikurse çdo ditë tjetër, prapë kthehem, i
dorëzohem ëndrrave, që të mund ta shoh dritën sërish. A nuk është kjo lojë
serioze? Lojë që kërkon vëmendje për ta ditur kuptimin të cilin askush nuk do
ta dijë. Do të dergjem në vetmi si një vetmitar që asnjëherë nuk e njohu
zemrën, por vetëm e dëgjoj. Marr frymë si çdo gjallesë pa interes, ndoshta në
interes të ekzistimit, por arsyetohet kjo ngaqë jam, sepse sikur të mos isha,
ku do të isha më mirë që jam në mes larmisë, luftës, pushtimit, virtytit,
ndërgjegjes dhe vrasjes.
Liria është
egoiste
Këtu gjithçka
lind, vazhdon drejt pikëpyetjes. I përballur me veten, i gjykuar me të, ndoshta
pa arsye, kjo lodhje, kjo mjegull ateron mbi atë që nuk e njoh. Rruga mbetet
rrugë takimesh ku kërkojmë ndihmë, dashuri, komedi për t'u lehtësuar, por asnjë
liri, sepse liria është egoiste, ajo e do vetminë e cila vjen e servuar brenda
egoizmit. Nuk jam i lumtur me këtë, por pse duhet ta kërkoj lumturinë për të
qenë? Mjafton të vazhdoj kështu, çdo ditë të plakem, të shoh të njëjtën dritë,
të marr frymë njëjtë, t'i kryej nevojat e njëjta. Vetëm për të vazhduar pas një
përjetësie së cilës nuk ia njoh as titrat, as ngjyrat, e së paku përvojën. Unë
nuk jetoj, por çdo ditë vdes diçka tek unë. Diçka, që është në shërbim timin,
nën origjinën e gjenetikës, pa kërkesën ekzakte timen, kjo kërkesë sikur të
ishte edhe më herët cilën rrugë do ta zgjidhja? Lehtësisht duhet të qëndroj, me
vetëdije ta pres vdekjen, momentet e fundit t'i lavdëroj, t'i komentoj ashtu si
vërtet janë pa trillime, nëse do të kthehem, do të përpiqem të jem sa më i
saktë, por kjo saktësi prapë është egoiste, s'ka saktësi globale, egoizmi është
edhe mbi vdekjen. Kjo është e vërtetë. Egoizmi forcohet me veten, pastaj në
formë artistike është pushtues. Qëndroj i nënshtruar ndaj momentit, i cili
është i zgjatur, që shpik çdo ditë ngjyra të reja, krijon nga e pavërteta të
vërtetën, por edhe e pavërteta është farefis në të vërtetën, sepse mendohet,
por nëse nuk realizohet nuk kemi aftësi për ta realizuar. Nuk është fajtore. Ku
ecën unë, pse vrapoj, sikur të mos të doja nuk do isha këtu ku jam. Në fakt,
asgjë nuk ka. Vetëm një moment ekzistimi që arsyetohet mbi frymëmarrjen, që
mban të gjitha organet e mashtruara. Le të mashtrohen, sepse ne vetë e krijuam
mashtrimin, vetëm për të vazhduar, ndihemi më të lehtësuar kur frymëmarrja
është më e mirë.
Frymëmarrja dhe
logjika nuk përshtaten mirë
Pa frymëmarrje
jemi të përjetshëm, frymëmarrja dhe logjika nuk përshtaten mirë, sepse logjika
korrigjon çdo parregullsi të saj. Në vepra mund të gjejmë vetëm atë derisa
frymëmarrja ekziston. Asnjë zot të vërtetë, asnjë shpirt të vërtetë, vetëm një
materie të dukshme duke u ndihmuar nga shkenca. Korrigjohemi përmes veprave të
cilat kanë një mori kritikash dhe mund t'ju heqësh shumë rreshta. Piktorët
ngjajnë me veten. Letrarët të distancuar, të mbështjellë, por prapë rreth
vetes. Shkencëtarët nga vetja për të tjerët, sikurse të gjitha që i përmenda.
Në fakt, asnjë përgjigje logjike e saktë për një rrugë të dukshme, të vizatuar,
të projektuar përjetësisht, që përshtatet për të gjithë. Kundërshtime, luftë
fjalësh, estetikë, ndjenjë, vetëm kënaqësi momentale për shpresën e gjatë. Nuk
mjafton kjo. Me plot bindje e them. Nuk mjafton ky art i të kënaqurit, sepse
kënaqësia është shumë e shkurtër, por e gjatë në të kujtuarit. Le të jetojmë
mbi kujtime, mbi instinktin, a është kjo e kuptimtë. A ka kuptim absurdi? Me
siguri se jo. Por, është i lozur, i krijuar për të kundërshtuar, momentalisht
kontradiktor, i pamundur kështu ngrihet dhe proteston. Frymëmarrja përcakton
çdo mendim, lëvizje, frikë, pretendim dhe shuarje. Frymëmarrja shpik dhe vret
absurdin, frymëmarrja lëviz dhe zhduk njeriun. Logjika kërkon kuptimin e
ekzistimit të cilin nuk do ta dijë, sepse sikur ta dijë nuk do të jetojë kështu
si jeton, prandaj është enigmë. Këtu në mesin e shumë ngjyrave, mbi të cilat
ngrihet arti, sepse qëndron mbi çdo gjë, është i pakuptim brenda mundësive të
kuptimit, brenda jetës së kënaqësisë, e cila nëse vdes, vdes edhe njeriu.
Përgjigjja mbi pyetjen kah do të shkoj nuk ekziston. Ajo ekziston, por jo
brenda mundësive të kësaj jete reale, e quaj reale, sepse e jetoj, por sikur të
mos ta jetoja nuk do ishte reale, jeta do ishte sikurse vdekja e pakuptimtë, pa
përgjigje, enigmë. Tërë bota drejt panjohurive, bëhen të njohura kur i takojmë,
kur i nënshtrohen pyetjeve.