E premte, 26.04.2024, 11:25 AM (GMT+1)

Mendime

Përparim Hysi: Mosni, burra!

E hene, 30.09.2013, 06:10 PM


Mosni, burra!

"O te pusi i thellë, o  RRapo !"...  Popullore

Nga Përparim Hysi

Qe mbasdite vere, kur si dhëntë që kërkojnë hije për të mërzyer, edhe ne, ca burra të ngeshëm aso kohe, po "mërzenim" në hije të  ullinjëve. Pjesa  më e madhe qenë pensionistë që nuk kishin si ta  "vrisnin" kohën ndryshe veç se të shtroheshin shesh nën hijen e zezë të ullinjëve dhe grupe-grupe kushedi seç bluanin nën mokrrat e tyre të kujtesës. Unë nuk qeshë në pension, por me pushimet e verës dhe kohën e kisha me pashë. Fshati ynë, Mbrostar- Ura në rrethin e Fierit, atë kohë ( flas për vitet para nëntëdhjetës, shtrihej i gjithi poshtë xhadesë kryesore ( Fier-Lushnje dhe anasjelltas) dhe, mbi xhade, qe masivi i kodrave plot me ullinj që ,si me "urdhër të peshkut" e hëngrën të gjithë atë vresht që kish bërë emër në gjithë Shqipërinë. Them , "aso kohe", se sot "harro mushkë valarenë se Ali Pashan e prenë". Sot tek ato kodrat ku pushonim dikur, ëhë, mezalla s'e pushon dot. Sot ka  Zot hauri dhe kodrat janë mbushur me vila made in Europë. Aty, në rrëzë të kodrës ku rrnim ne,  për t'u dhënë me saktësi limerin tonë, dukeshim sikur kishim zënë vend në një tribunë dhe sytë t'i  kishim nga "platea". Platea qenë gjithë ato shtëpitë e fshatit aq ngjitur me njëra-tjetrën, sa çdo njërin prej komshinjëve mund ta kapje kollaj nga floku, po të zgjasje duarët. Se fshat socialist, or tunjatjeta, thoshte  me shpoti, xha Myrtja.  Fshat që ta mat kokën me pe,- vazhdonte,- se duhet buka,që thuaj ti.  E, pa atë shpotinë e rëndë të  xha Myrtes, duke qenë në "tribunë" e kishim fare të kollajtë, në se një i panjohur bujtte në fshat.

Rrinim  me sytë nga "platea", kur sikur dikush,befas, ta kish shpuar me bodec, fiu kërceu nga vendi,xha Myrtja. Ne po sy e veshë.

- Për këtë trokë dheu,- u betua,- që ai është.

"Që ai është",qe një burrë i moshës së tretë që sa zbriti nga makina. Zbret nga makina, mu nën këmbët tona dhe, tek do varej poshtë nga pallatet, ( se fshati ynë ka gjashtë pallate), xha Myrtja, pa pyetur për habinë tonë, u dha këmbëve dhe e zuri mysafirin.

Tani ata nuk qenë as dhjetë metra larg nesh dhe, tek do takoheshin, dëgjojmë:

- Po mirëse erdhe, o RRapo trimi!  Tjetri qëndroi, e shikoi nga koka  tek këmbët, sikur "kush do jetë" dhe, kur  xha Myrtja e zbrazi "parrullën tjetër" që,siç e dëgjuam ne, qe "Mosni, burra!",atëherë, siç duket, nuk mbantte më ujë pilafi, dhe të dy humbën në krahët e njëri-tjetrit. Them humbën, po, në të vërtetë, ai që humbi ishte ky, Xha Myrtja.

Mysafiri rrëmbente mbi shokun goxha. Qe veshur qytetëshe, me një kostum kafe, me një këmishë të bardhë dhe,sado që qe verë, dhe kollaren e kish po kafe. I moshuar po sa  xha Myrtja, por i gjatë, aty nga një e shtatëdhjetë e pesë. Se metron nuk i vura. E sa për xha Myrten, ky qe nën mesataren e  burrave të zakonshëm dhe, tek e shihja që trapiste nëpër fshat, me atë shtatin e shkurtër, me qylafin e bardhë,por me qift mbi të (si antenë), me mustaqet e bardha, të zverdhura nga tymi i duhanit (xha Myrtja qe nga ata që e "hante" dhe nuk e pinte duhanin), shpesh më sillte  si të gjallë, Heroin e Luftës së Vlorës, Selam Musan. Kur ia thosha këtë xha  Myrtes, ma priste duke qeshur.

-Ngjajmë, or, ngjajmë se jemi nga një anë. Ai nga Salaria dhe unë nga Buzi. Nga soji i Tafil  Buzit, o dhaskal. Epo sëra sërës do t'i ngjajë,- i vinte kapak shakasë sime.

*   *   *

Takimi zgjati paksa dhe miqtë u ripërqafuan. Mysafiri vazhdoi rrugën e shkurtër drejt pallateve, kurse xha Myrtja zuri  vënd midis nesh. Midis nesh, po nuk na durohej sa të fillonte e të na tregonte se ç'fshihej pas atyre "kodeve", të fshehta për ne, por të kuptueshme për ta.

Xha Myrtja nuk hyn në ata burra që fjalën duhet t'ua nxjerrësh me grep. Përkundrazi.

Të lë me gojëhapur kur tregon. Shkurt: është gojëtar i lindur. Duke ia ditur këtë huq, unë mezi prisja që të na tregonte. Por, sidoqoftë, porfesioni më mundi: në vend ta lija që të rrëfehej, e bombardova me pyetje:

-Ore,xha Myrte, po ç'qe ajo"Mirëse erdhe RRapo trimi!" dhe, pastaj, "Mosni ,burra!".

- Aha, dhaskal, të keqen Pepja tyja, pyetjet ruaj për ata "fiçorrat" që ke në shkollë, pa kur të dëgjosh fjalën time, do shohësh.

Tani për të gjithë ( për mua ca më shumë) sikur çdo gjë kish "vdekur" dhe u bëmë sy e veshë pas fjalës së tij.

Hë,- filloi ai,- ka qenë kohë e atij merhumit. Merhum xha Myrtja quante Mbretin Zog që kish vdekur ato kohë. Kohën e merhumit që thoni ju, pazari në Fier bëhej ditën e martë. Që ka qenë e martë e mbaj mend si buka që  ha, por vitin,aha.  Humbi e ra në pus. Ra  si kova në pus dhe nuk ka çengel që e nxjerrë. Epo ka mbi pesëdhjetë vjet e ca. E martë. Ditë pazari. Ca venë, ca ikin.  Ca shesin, ca blejnë. Më të shumtët bëjnë sehir. Se ku tjetër, u keqen Myrtja  ju, bën sehir veresie veçse në pazar. Pazari bëhej dhe zanatçinjtë ngritur ato dyqanet ja,ashtu, një këtu e një atje. Sipas zanatit: terzinj, mballomaxhinj,samarxhinj, teneqexhinj. Plot, or plot. Epo kasaba, hesapi. Ne, fshatarët, zbrisnim në pazar dhe trastat plot apo bosh do t'i shkarkonim në fillim tek ustallarët. Ustallarë quanim zanatçinjtë. Pra,ishim myshterintjtë e tyre. Secili e kish  ndonjë kur "zbarkonte" nga fshati në qytet. Ky, Rrapoja,që  sot po vjen mik, njimendi rri në  Tiranë, por më atë kohë, kur tregoj unë,qe mballomaxhi. Unë po myshteri i tij, or tunjatjeta. Të vogël e kish dyqanin, po punë plot ama. Punonte dhe mbante me bukë familjen. Epo me thikë e mbante. Priste lëkurë,e qepte për shtatë qejfe dhe të bëje një palë opinga qosele tek RRapoja, dukeshe sikur po shkoje dhëndër. Epo dorë e mirë e ustait, i hap emër. I zbardh ballin. Ndaj dhe thoshin:-  Tek RRapoja dhe rashë e vdiqa.

Rashë e vdiqa, or tunjatjeta, por kjo botë ka dhe jangllëçër. Pra,siç ka njerëz të mirë, ka dhe ngatërrestarë që ia bëjnë sherrit me sy dhe të thonë: nëm atë që nuk ma ke. Epo,bagla, janë që thoni ju. Baglat, edhe kur i hedh në ujë, dalin mbi të. As ujë nuk i mban. E, ç'ta njac (zgjas). Ditëpazri po. Po dhe e martë po. E martë. Po kot nuk thonë që e marta ka një sahat të lig. Kështu ndodhi dhe mahere. Seç di blija aty përballë dyqanit të këtij, Rrapos, që patë, kur dëgjojmë ulërima. Berihaj i madh. U shkulti pazari, i madh dhe i vogël,pas ulërimës, kur ç'të shoh?! Shoh "ustanë" tim që mes katër-pesë burrash bërtiste:- Mosni, burra! Mosni burra! Ata qarkas,si zhgabonja për t'iu hedhur mbi kokë. Po për këtë trokë dheu ,në ju gavnjej, ma vërtiste thikën si në ata filmat me Skënderbenë ( se vetëm atë kam parë,xha Myrtja) e të m'i bën kapicë aty para dyqanit. Qenë pesë. Katër i la shakull. I pesti në spital. Miza kuajësh njerëzia. U thyeti pazari,që thuaj ti, ik të ikim.  Pa ustai zuri e mori arratinë. Mori arratinë por kjo punë nuk mbeti me  kaq. Tak dhe iu ngrit kënga. Këngë ore për trimin.Se i zunë frymën. Dhe gjetën ç'kërkuan. Kënga lindi dhe u përhap sa nuk kish dasëm e aheng që mos këndohej.  Xha Myrtja qe këngëtar i madh dhe,aty për aty, ia tha:

" O tek pusi i thellë, o RRapo

Një zë tjetër ia priti," i thellë,ore i thellë... dhe, sakaq, tribuna u kthye në një sallë koncerti të vërtetë. Dhe tek kënga vazhdonte, secili prej nesh, donte si e si të vinte e  ta takonte atë RRapo trimin që bujtte aso kohe tek bashkëfshatri ynë, Murat Gjata.

Unë, më tepër nga të gjithë, u mahnita. Dhe kisha arsye. Në Libofshë, kur qeshë mësues, e kisha  dëgjuar këtë këngë që i këndohej për këtë RRapon. Por, kur një grup popullor, do ta sillte këngën në një festival lokal (unë shoqëroja grupin në qytet) një t'u ngritur një nga komiteti i partisë e thotë:

-Mos dëgjohet më kjo këngë.Se ky RRapo "trimi" sos se ka qenë komunist dhe  t'i këndojmë. Na duhen këngë për partinë ne. U përcoll dhe shkresë në gjithë vatrat e kulturës dhe, ashtu siç vrau RRapoja ata "ngatërrestarët", ashtu e vranë këtë këngë për RRapon. Kënga  humbi pa nam e nishan. Xha Myrtja e ringjalli dhe unë e mbajta të gjallë në kujtesë. Por kujtesa e një mësuesi të vjetër si puna ime, i  ngjet atij pusit të thellë që ,sa vjen e shter. Shteri sa asnjë rresht nuk mbaja mend. RReshtat e këngës nuk i mbaja,por kisha të gjallë RRapon që bujtte tek Xha Muarti dhe të mirin, xha Myrte.

Të gjithë kanë vdekur, por më dilte gjumi shpesh dhe më ravijëzohej,pazari, pusi i thellë, xha RRapoja,xha Myrtja dhe më tej hiç. Kujtesa ime ka "vdekur", por s'ka vdekur kujtesa popullore,e përjetuar në  këngë. Iu drejtova drejtorit të muzeumit të Fierit, mikut tim, Nuri Plakut, që hulumtoi dhe gjeti (aq,sa jo të gjithë) këngën. Këngën,që, në vija të trasha, tregon se kush qenë ata që "i ranë në qafë" dhe se,si, për t'u mbrojtur,i vrau.

Kënga i cilëson mirë se kush qenë, por unë, për të ruajtur etikën, po i përmbledh me epitetin "ngatrrestarë". E,sa për  ata, që e dinë njësoj si unë ngjarjen, në thënçin se pse nuk i cilsoj me të njëjtin atribut që u vë populli, ju them: - Nuk janë 5 vetë që i vënë vulën një komuniteti. Për mirë dhe, sidomos, për keq. Ca më shumë kur 5 vetë kërkonin "doganë" pa paguar "vërgji". Qytetarëve autoktonë fierakë ju them: ngatërrestarët nuk qenë fierakë,den babaden, por të ardhur: jambanxhinj. Dhe, në fund të fundit, unë tregim po bëj dhe jo histori. Si në një film egjiptian me titull: "Zbukuroj, po nuk gënjej...". Po si mund të gënjej, kur kënga rron si  një dëshmi autentike që, mjegulla e kohës, nuk  e zhbëri.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora