Mendime
Faton Abdullahu: Komunitet i ri mysliman?
E diele, 29.09.2013, 04:41 PM
A po krijohet një komb i ri shqiptar, apo një komunitet i ri mysliman?
Shkruan: Faton
Abdullahu
Xhamia duhet ta
ketë kupolën të bardhë, e cila duhet të simbolizojë plisin shqiptar, dhe ezani
duhet të thirret vetëm në gjuhën shqipe. Në xhami duhet të shkruhen citate nga
Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në muret dhe hapësirat e xhamive duhet të vendosen,
apo të gdhenden portretet dhe skulpturat e intelektualëve dhe patriotëve
shqiptarë, dhe të gjitha xhamitë duhet të emërtohen me emra shqip. Në ytbe
duhet të valojë flamuri kuqezi të cilën hoxha duhet ta puthë para se të fillojë
të thotë çfarëdo fjale. Ky do të jetë vetëm fillimi i ndryshimeve të mëdha.
Mandej mund të
vazhdohet edhe me interpretime të reja të Kuranit dhe haditheve, si dhe
përshtatjen dhe shtrirjen e organizuar të të gjithë këtyre rirreshtimeve në
krejt tokat shqiptare. Po të ndodhë kështu: a do të mbeteshin dhe a do të
pranoheshin edhe më tutje si myslimanë të gjithë ata që i bëjnë dhe fillojnë
t’i zbatojnë këto kërkesa dhe të gjithë ata që i përkrahin dhe i vazhdojnë këto
ndryshime? Përgjigjen në këtë pyetje e gjejmë nëse mundohemi t’i përgjigjemi
pyetjes që del nga konstatimi i filozofit të njohur gjerman E. Gelner, i cili
thotë: “Dy persona i përkasin të njëjtit komb (e njëjta vlen edhe për fe) nëse
dhe vetëm nëse ata të dy e pranojnë njëri-tjetrin se i përkasin të njëjtit komb
(fe)”. Krejt e kuptueshme se të gjithë këta me këto kërkesa të reja për të bërë
plotësime e ndryshime të tilla në fenë islame te shqiptarët, nuk do të
konsiderohen e as nuk do të pranohen si myslimanë nga shumica e myslimanëve të
botës. Në rastin tjetër, ky do të ishte themelim i një sekti të ri, nga jo të
paktë që janë në botën islame, fenomen i pranishëm edhe te fetë e tjera
monoteiste. Të tilla kërkesa rreth fesë islame së paku deri më sot nuk ka në
Kosovë. Por një hyrje të tillë në këtë ese e bëra për ta kuptuar më mirë atë që
do ta analizoj më poshtë. Në të vërtetë ka diçka tjetër në Kosovë, konkrete dhe
reale. Ka kërkesa, refuzime, sulme e shpjegime të reja rreth kombit shqiptar,
përkatësisht vlerave, ngjarjeve, figurave, trashëgimisë dhe aspiratës kombëtare
shqiptare. Le ta shpjegojmë edhe këtë, por më gjerësisht.
Në disa qarqe,
nga disa hoxhallarë, nga disa intelektualë, nga ndonjë deputet a parti
politike, në disa rrethe e në disa xhami, në disa portale e në rrjete sociale,
shtrohen pyetje, jepen konstatime e bëhen kërkesa edhe të kësaj natyre, si:
Prania osmane në tokat shqiptare nuk ishte pushtim, por bashkësundim me
shqiptarët vendas dhe periudhë lulëzimi për shqiptarët, konvertimi i
shqiptarëve në myslimanë është bërë me vullnet të lirë e pa kurrfarë dhune apo
shtrëngimi; Skënderbeu nuk është hero i shqiptarëve përkundrazi, në të vërtetë,
ai është vetëm hero i shqiptarëve krishterë, lufta e tij ishte e gabueshme
sepse ai vrau me dorën dhe ushtrinë e tij myslimanë; se sulltanët e Perandorisë
Osmane, sidomos ata që erdhën në tokat shqiptare, duhet trajtuar si heronj të
shqiptarëve dhe shpëtimtarë sepse kanë shpërndarë fenë islame në viset
shqiptare; duhet të ndryshohet flamuri i shqiptarëve sepse fillet i ka te fiset
krishtere, (apo së paku në të duhet të shkruhet me shkronja arabe “Allahu
ekber”); se shkronjat latine nuk janë adekuate ato që duhet t’i ketë shqipja;
se e drejta zakonore shqiptare është sajesë dekadente e kulturës malore të
fiseve gjysmë të egra shqiptare; se mosmbulimi i femrës shqiptare është dekadencë;
se Nënë Tereza e ka vendin në xhehenem; se nuk duhet të festohet Viti i Ri
sepse është haram dhe shumë të tjera të kësaj natyre.
Krejt kësaj i
shtohen edhe vërejtjet deri në refuzim të mënyrës së të jetuarit, të punuarit
dhe të të vepruarit, si dhe koncepteve politike e kulturore liberal-demokratike
të botës perëndimore. Këto konstatime, pyetje, por edhe kërkesa, në përpjekje
për t’u përpunuar intelektualisht dhe politikisht, po prekin apo më saktë
kontestojnë dhe sulmojnë shtyllat kruciale mbi të cilat është krijuar dhe mbi
të cilat qëndron kombi shqiptar, që nga themelimi i tij. Për nga përmasa dhe
intensiteti e gjithë kjo është risi. Kjo bëhet nga njerëzit që flasin shqip dhe
që i thonë vetes myslimanë, por edhe shqiptarë, sado që këtë identitetin e dytë
nuk e kanë të trashëguar shumë, as që e shquajnë theksueshëm. Kjo përcillet
edhe me disa karakteristika tjera tipike për ideologjitë e ndryshme. Këta
qytetarë përpiqen që edhe vizuelisht të dallohen, me veshmbathje, me mjekra, me
stil jete e të tjera të kësaj natyre. Por tani një pyetje kruciale: a po mbesin
edhe më tej këta qytetarë, ky grup njerëzish me këto kërkesa dhe qëllime ende
shqiptarë? Nëse prapë e thërrasim filozofin Gelner për ndihmë, na del se dilema
gjithsesi ka lindur dhe ka tregues të cilët shpejt mund të kthehen në fakte e
realitete të reja dhe të na japin të drejtë të konstatojmë se në Kosovë, por
edhe në disa pjesë të tjera të hapësirës shqiptare, nga kombi shqiptar po
shkëputet dhe po lind një etni e re, një komunitet i ri, me karakteristika të
reja, i cili tash për tash mund të quhet komuniteti mysliman apo mund të quhet
ashtu sikundër mund të preferojnë ata, por zor se mund të mbesin edhe më
shqiptarë, si shumica tjetër shqiptare në Ballkan. Me fe islame të ridefinuar e
të riinterpretuar, shpesh në kundërshtim jo të vogël me atë të trashëguar e të
aplikuar nga shqiptarët, me mohimin pothuajse total të vlerave e parimeve
nacionale shqiptare, traditës, trashëgimisë, historisë e kulturës, por edhe me
kontestim dhe refuzim të aspiratës politike e kulturore euro-perëndimore, goxha
jomiqësor ndaj islamit jo-syni, të cilin gjithnjë e më shumë kanë rinisur ta
kritikojnë ashpër për devijime, pa as më të voglën përpjekje për afrim e
bashkim kombëtar të shqiptarëve, pa kokëçarje se me konceptet e tyre
përjashtojnë krishterët shqiptarë nga kombi shqiptar, të përqendruar më shumë
në Kosovë dhe më theksueshëm në Rrafshin e Kosovës, por me gjuhë të parë gjuhën
shqipe, me veshje dhe paraqitje të panjohur për rrethanat dhe traditën
shqiptare, këta qytetarë po i vënë fillet e një etnie të re ndër ne, e cila
ndoshta mund të konsolidohet më qartë dhe më fort në të ardhmen, ndoshta jo,
gjë që do të varet prej shumë faktorëve.
Thënë ndryshe
këta, duke u munduar të ndryshojnë te të gjithë shqiptarët, pothuajse çdo gjë
shqiptare, por duke mos qenë të njëjtë si asnjë komunitet tjetër, po
tjetërsohen nga shqiptarët, duke u bërë diçka tjetër, ende jo krejt qartë çka,
por gjithsesi se nuk po mbesin shqiptar. Çka i determinoi këto kërkesa të reja
politike e kulturore në Kosovë, pse këto po bëhen tash dhe pse me këtë
intensitet, kush po i strukturon e dizajnon dhe prej cilave shtresa vijnë ata
qytetarë që i konceptojnë dhe i përshtatin për rrethanat shqiptare dhe prej nga
rekrutohen ata të cilët i pranojnë ato? Konsideroj, së pari, se ato po bëhen në
këtë fillimshekull në Kosovë sepse janë përgjigje, në variantin kosovar,
rirreshtimeve kulturore e politike shumë të gjëra që po ndodhin në botën
arabo-islame. Kjo është një frymë e re në botë, një rilindje ideologjike që për
bazë përpiqet të marrë një fe, islamin, e për mbrojtje botën arabo-islame, për
të cilën konsideroj se është e diskriminuar dhe e defaktorizuar sidomos në
krahasim me shtrirjen dhe numrin që ka. Shqiptarët të njohur me identitet jo të
qëndrueshëm, jo vetëm një herë në historinë e tyre kanë përqafuar më shpejt, më
shumë, dhe më gjatë, se të tjerët ide dhe ideologji të shpërndara nëpër Evropë
e botë. Komunizmi ishte shembull tipik. A nuk ishin jo pak shqiptarë që e
përqafuan këtë ideologji, duke e bërë edhe mënyrë jetese e formë pushteti e
sistemi politik, a nuk ishin disa nga ata të cilët në emër të kësaj ideologjie
vdisnin stepave të Spanjës? A nuk po shkojnë edhe sot të rinj shqiptarë për një
ideal e ideologji tjetër për të luftuar dhe vdekur në Siri?
Konsideroj, së
dyti, gjithashtu se ato po bëhen në këtë fillimshekull në Kosovë për shkak se
nacionalizmi shqiptar, forca kryesore shtytëse e konsoliduese e luftës së
fundit te shqiptarët, (dhe në krejt shekullin e kaluar) ka përmbushur një
mision të vet, krijimin e shtetit të Kosovës, me ç’rast është relaksuar dhe
është bërë fleksibil, prandaj edhe më pak agresiv e efikas kundër ndikimeve e
importeve të huaja kulturore e politike. Për më shumë, ky nacionalizëm, i cili
në rrethana normale do të vepronte ashpër në rast se do të cenoheshin vlerat
shqiptare, sikundër po cenohen sot, ka humbur jo pak nga morali për ta bërë
këtë ashtu si duhet, sepse pushtetarëve, të cilët si përfaqësues së saj erdhën
në pushtet, degraduan veten dhe konceptet për të cilat luftuan. Ndërkohë që
gjendja e rëndë ekonomike, jostabiliteti juridiko-politik, korrupsioni dhe
hajnia tash sa kohë në Kosovë bëhen pandalshëm ushqyes të majmë të ideologjive
të reja, gjë që e bën Kosovën tokë shumë pjellore për farën e kësaj apo çfarëdo
ideologjie tjetër. Por kjo nuk është e tëra.
Së treti, konsideroj se përveç këtyre faktorëve, është edhe një tjetër element shumë i rëndësishëm, i cili ndikon që te shqiptarët myslimanë, kjo ide dhe kjo ideologji apo ky projekt dhe ky koncept kulturor, fetar e politik të gjejë vend për shtrirje. Për aq sa është luftuar shqiptarizmi, apo për qa sa është diskriminuar dhe është sulmuar çdo gjë shqiptare në shekullin e fundit dhe në fillim të këtij shekulli, dhe për aq sa është dobësuar identiteti shqiptar, për aq te një pjesë e qytetarëve, te disa familje tona, kanë gjetur vend të përshtatshëm për të zënë farë e shtrirje identitetet e tjera fetare, kulturore e të tjera, joshqiptare. Të qëndruarit dhe të mbeturit si shqiptarë ka qenë posaçërisht e vështirë në njëqind vjetët e fundit për shumëkënd, prandaj jo pak në Kosovë, nëse nuk janë konvertuar në diçka tjetër, mosshquarja e identitetit shqiptar për ta ka qenë vazhdimisht premisë e mbijetesës dhe bërje lak dhunës e diskriminimit. Mu te këto shtresa njerëzish dhe te këto familje me identitet të zbehur shqiptar, është bërë më e lehtë mbjellja e farës së re sot, për një identitet të ri, sikundër është ai që unë po e quaj këtu identitet i komunitetit të ri mysliman. Tek këto shtresa shumë lehtë po kontestohet çdo gjë shqiptare, sepse shumë punë ka kryer vite më parë komunizmi jugosllav dhe pandalshëm shteti serb, sidomos represioni dhe diskriminimi i organizuar shtetëror e kulturor i këtij shteti. Për më shumë edhe në rrethanat aktuale në Kosovë, krejt kjo merr mbëltim dhe shtrirje më të kollajshme te këto shtresa, sepse shqiptarizmi sot është vlerë e pambrojtur me ligj, bile ai as që njihet me kushtetutë. Ai në Kosovë vazhdon të jetë vetëm vlerë gjysmëklandestine, e cila as nuk ushqehet, as përpunohet e për të cilën as nuk investohet. A po lind pra një komunitet i ri mysliman në Kosovë? Po, ai po krijohet pa pikë dyshimi. A do të konsolidohet ky proces për t’u theksuar dukshëm dhe bindshëm për t’u bërë edhe kategori kushtetuese si komunitet i ri, mbetet të shihet. Do të ishte më mirë që kjo të mos ndodhë dhe kjo të mbetet vetëm një ideologji si të tjerat dhe të davaritet ngadalë pa pasoja ashtu si erdhi. Por shteti i Kosovës është i brishtë dhe jo sa duhet shqiptarë për të qenë i fortë dhe efikas për ta parandaluar gjithë këtë me elegancë. Nëse lind ky komunitet, shqiptarët nuk do të mund të bëjnë shumë, veçse ta pranojnë këtë komunitet të ri ashtu si edhe atë ashkali, egjiptas, goran, torbesh dhe ta trajtojnë atë në mënyrën më demokratike të mundshme, por duke u munduar të mbajnë ekuilibrin, të brishtë, por jetik në Kosovë, për të siguruar që shqiptarizmi dhe aspirata euro-perëndimore të gërshetohen suksesshëm dhe përmbajtësisht.
Autori është ligjerues dhe dekan i Fakultetit Juridik në Kolegjin “Riinvest” dhe autor i librit “Dimensionet e identitetit qytetërues, feja - kultura - politika”