E shtune, 27.04.2024, 05:04 AM (GMT+1)

Mendime

Blerina Rogova: E vrasin prapë Aliun

E enjte, 25.07.2013, 07:17 PM


E vrasin prapë Aliun

Nga Blerina Rogova - Gaxha

Pushtetet tinzare dhe popujt "hipokritë" që vrasin bijtë e tyre, mund ta vrasin edhe poetin Ali Podrimja, veçse në këtë rast, ndjesë pastë, vrasja ka filluar akoma pa iu tretur eshtrat. Kush s’po të kujton o Ali! Shkruaju një epitaf që t'i presësh kur të vijnë! Mos harro t'iu shkruash "tokë me nda nuk kam, ju në të s'amës".

Pushtetet tinzare dhe popujt hipokritë, jo rrallë i kanë vrarë bijtë më të mëdhenj të tyre. Para sa kohësh Kuvendi i Kosovës nuk u ngrit në këmbë në nderim të emrit të Bekim Fehmiut, me arsyetim se ai jetën e karrierën e tij e paska shpenzuar në Beograd. Ata e vranë për së vdekuri artistin e madh. Disa vite më vonë pushteti tinzar dhe populli hipokrit e harruan poetin më të madh që ka pasur Kosova ndonjëherë. Në njëvjetorin e Ali Podrimjes, nuk deshën ta kujtojnë se ai kishte jetuar dhe për Kosovën kishte shkruar njëherë. Po të ishte gjallë sot, do të shkruante edhe njëherë "Tokë për të ndarë nuk kam, hasmi në të samës"! Hasmi i tij i sotëm mund të ishte "pushteti tinzar dhe populli hipokrit".

Të jetë një njeri i verbër është fakt fizik. Të jetë i tërë një shtet i verbër, është fakt i një anomalie ose zgjedhjeje më vetëdëshirë, ngujimi në një botë terri të plotë, po fenomeni mund të jetë edhe fare i thjeshtë, siç u ndodh shpesh shqiptarëve. A mundet që fenomeni i verbërisë të merret si fenomen i shtetit të kosovarëve. Apo të gjithë këtu jemi “duke vështruar errësirën që shohin të verbërit”, siç do të shkruante gjeniu i letrave në anglishten e tij të vjetër “Looking on darkness which the blind do see”.

Kemi parë me qindra ceremoni e me qindra manifestime të përkujtimit të lindjeve e të vdekjeve të plotë dëshmorëve, të mëdhenj e të vegjël, të rëndësishëm e të parëndësishëm. Kemi parë me dhjetra dokumentarë mbi luftën e tyre reale e ‘imagjinare’. Kemi parë me dhjetra libra kushtuar atyre, me dhjetra poezi, me dhjetra flamuj, e me dhjetra tufa lulesh që u vunë mbi varre.

Por çfarë ndodh kur shteti i harron krijuesit e vet? Nuk është për t’u çuditur e nuk është as ndonjë punë e madhe. Mund edhe të quhej krejt e zakonshme.

Në dyqind vjetorin e lindjes së Verdit e të Wagnerit, Italia e Gjermania, që mburren me gjenitë e tyre krijues, mbi të cilët u krijua traditë jo vetëm në kombet që u përkisnin, këto shtete organizuan me dhjetëra a qindra aktivitete në përkujtim të lindjes së gjenive të kulturës së tyre. E gjithë bota i kujtoi, e i kujtoi edhe Kosova, me festivale e koncerte për nder të tyre.

I përmasave tjera, por përfaqësues i kulturës e artit të vendit të vet, qe poeti i ndjerë Ali Podrimja. Ajo që ndodhi javën e shkuar e që sigurisht, se pak kujt i ka rënë në mend, ishte përvjetori i vdekjes së tij. Emrin në datën e vdekjes nuk ia kujtoi kush. Institucionet kulturoe e harruan ose bën kinse e harruan. Akademia e Shkencave, së cilës i përkiste dhe vetë i ndjeri, Ministria e Kulturës, Lidhja e shkrimtarëve, Klubet e shkrimtarëve, qyteti ku qe lindur, të gjithë mbyllën një sy e bën sikur nuk e panë datën në kalendar. Madje as ata…….. që vdekja e shkrimtarit i bëri analistë e kritikë, studiuesë e lexuesë “të mirëfilltë” të punës së tij, por në rrjetet sociale. Në gjithë këtë shpërfillje, ironia më e madhe qe pjesëmarrja e ‘shefit’ të komunës së Gjakovës dhe përcjellësve të tij në ceremoninë që iu bë poetit në vendin e vdekjes, Lodeve të Francës. Rasti i Podrimes mund të jetë i freskët e të të duket e çuditshme që kush të mos e kujton në përvjetorin e parë të vdekjes. Dhe fajin, secili ia hodhi tjetrit.

Pa një sy e pa një vesh kanë kaluar edhe të gjitha datat e përvjetorëve të krijuese kosovarë, qofshin ata shkrimtarë, këngëtarë e aktorë me namë dikur. Edhe nëse ky do të ishte ‘guri’ i Azem Shkrelit, ‘dielli’ i Din Mehmetit, ‘tafë kusuri’ i Agim Qenës apo ‘kaqurrelja’ e Muharrem Qenës deri te ‘lumi’ i poezisë shqipe.

Thuhet shpesh se ajo që është e humbur e merr fund, jo gjithmonë ka me çfarë të zëvendësohet. Por harrimi i krijuesve nga institucionet kulturore, është më shumë se sa i trishtueshëm. Të vdekurit nuk do të çoheshin nga varri për të vrarë tiraninë e tiranin. As për të nxjerrë ndonjë fjalë për veprën. Kur diçka merr fund, duhet të mendojmë se diçka tjetër do të fillojë. E kemi bërë zanat tashmë, të harrojmë, pa marrë parasysh se çfarë është humbur.

Pushtetet tinzare dhe popujt "hipokrit"që vrasin bijtë e tyre, mund ta vrasin edhe poetin e madh Ali Podrimen, sado që është herët që ai ta ketë fatin e Lekë Dukagjinit, Skenderbeut ose Nënë Terezës. Por në rastin e këtij të fundit, ndjesë pastë, vrasja ka filluar akoma pa iu tretur eshtrat. Këta s’po të kujtojnë o Ali! Shkruaju një epitaf që t'i presësh kur të vinë! Mos harro t'iu shkruash "tokë me nda nuk kam, ju në të s'amës".

 

Zëri



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora