E marte, 30.04.2024, 01:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Vilson Culaj: Nëpër shtigjet e qiellit

E merkure, 03.07.2013, 07:54 PM


VILSON CULAJ

 

NËPËR SHTIGJET E QIELLIT

 

 

GJERGJIT 600

 

(Kushtuar Gj. Kastriotit)

 

Koha është dryni

Dhe çelësi për në parajsë,

Në të cilën lindet një njeri

E zhbëhet një komb

 

Lum ne që të patëm!

 

 

TË KEMI HARRUAR, O NIKË!

 

(Ipeshkvit të Kosovës, Nikë Prela)

 

Në ikësh ti, o Nikë, dhe ne në të harrojmë

Zonjëmadhja kohë s’do të të harrojë

Zonjëmoçmja që ua njeh moshën shtegtimeve

 

Nëse ikën, o Nikë, Jerusalemit të amshuar

Na jep një copë kohë

Qe ta njohim madhështinë tënde, Nikë!

 

Të kemi harruar,

Ne bijtë e Adamit, bijtë e dheut

Bijtë e Evës, bijtë e gjethit të mbuluar

Ne që dikur kemi thënë:

Krishti nuk është Zot

E një dhimbje dhëmbi

Na bën të ulërijmë

Të përmbysur tek jemi diku

 

Të kemi harruar, o Nikë!

Se kishe lindur nga shkëmbi

Kur malet ishin të dendura

E det e oqean të trazuar

 

Të trazuar e të kaltër,

Por me shpirtra paganë

 

Nikë, gjurmët ku na mbeten!

Ah, Nikë i Niketë Dardanit

I Jan Kukuzelit, i Leonik Tomeut,

Nikë i Marinit, i Gjonit e Frankut

Pëlhurë e panjollë e atdheut

Imzot, në Kosovë ka mbërri liria!

Po harresa është fejuar me shpirtin e lig

Nikë, a ke gurë për mur apo urë...!

 

 

VARRI I FISHTËS

 

Përtej ligjit të humnerave

Mik të zuri koha

Kjo zonjë e moçme

Që u njeh moshën shtegtimeve

Përtej ligjit të kohës

As varri s’të mbajti brenda

Se ashti yt shqiptar

Ishte halë në sy për kopilin

E bimbashit të Gjirokastrës

Në rrugët e errësirës

Kishte edhe Shqipëria Neron

Ti edhe në varr neon

S’dua të vajtoj,

Por dua t’i lutem qiellit:

Ruana Zot nga barbarët

Që rrjedhin nga soji e gjaku im

 

 

SHTEGU YNË QIELLOR

 

(Kushtuar Nënë Terezës)

 

Sa herë shoh fytyrën tënde

Marr pjesë në ditëlindjen e Krishtit

 

Sa herë kujtoj vuajtjet e tua

Marr pjesë në kryqëzimin e Krishtit

 

Sa herë meditoj për shtegun tënd dritë jete

Ndjej ringjalljen tënde dhe të Krishtit tonë të harruar

 

Unë mysafiri i ditëlindjes së Krishtit

 

 

ELEGJI PËR KOHËN

 

(Kushtuar mikut tim, Gjon Keka)

 

M’ka dhanë me pi ujin e idhnimit

Ma shumë se gjinin e nan’s

Ma ka shue andrrën m’u ulë n’ sofër t’ Zotit

Ma ka vjedhë dëshirën si me dorë t djallit

Ma ka përmbysun botën para unit e mallit tim

M’ka ba mem vajtue edhe i rritun e i burrnuem

Por anmiqtë e mi kurr s’i kam gzue

M’i ka dehun udhtë e mia

Saqë edhe buzqeshjen e kam pas me grat

M’ka qit me dyshue se a ka Zot n’kët botë

Kur i kam numrue yjet e lotët e mi n’ vetmi

Edhe vashave si zana jua kam thye zemrën

Se zemra jeme ka kenë e thyeme dhe e lndueme

M’ka ba me udhtue etun e uritun

Nëpër rrugtë e botës me ni pare n’xhep

Po hapin tem kurr s’e kam ndalue

M’ka fye e poshtnue para anmikut tem e t’ tij

E çdo gja ju ka dok burrni

Ka çue edhe dorën n’armë kundra meje

Veç se ka kenë hana e plotë

Edhe buzën e mendjen ka dashtë me m’i djeg me mashë

Veç se e kam lavdue Krishtin e jo sëmundjen e tij

Nuk e ka ditun kurr se biri i tij e ka dashtë

N’heshtje, n’dhimbje malli e i zhytun n’lot e n’vetmi

Deri sa kanë fillue me ju sosun ditët e jetës

Kemi nda zemrën, e ma vonë edhe muret e shpisë

E largësinë tonë e kemi ushqye me maje t’kokës

E kam dashtë ma shumë lotin sesa vorrin e tij

 

Po ikjen s’mund ta ndalonte koha

Dhuratë t’shpirtit e kam marrë dhimbjen

Kjo dhimbje që kurrë mos raftë mbi kokën e djalit tem...!

 

(Përpunuar në variantin gegë nga Marin Kelmendi)

 

 

VIT I PËRMALLSHËM

 

(Kushtuar Shefqet Dushit, i vrarë në Kralan)

 

Shefqet, miku im!

Kur populli yt të lëshon në varr

Kujto ëndrrën e një vashe

Thyer mu në agimin e jetës

Shtrëngatë e mall ka shpirti

Kur dheu të bie në fytyrë

Ah, mos e pastë askush për fat të keq shekullin

Kur qielli i një populli rri lidhur në zinxhirë

Kosova e liria tani kanë lëshuar shtat

Kur ti je bërë banor i qiellit

Dhe i zemrave tona

Pyes dremitjen e zemrës së nënës:

Pse ky shekull prapë mori në thua?

Pse jeta e re prapë rrjedh në të njëjtin shtrat

Me të njëjtin shtat?

Pse ca jetojnë në ëndrra

Ca në harresë e dëshira

Veç një ëndërr ka vjedhur koha

Dhe një nënë loton,

Një nënë i ankohet Zotit...

 

 

RRËFIM QIELLI

 

(Kushtuar Azem Shkrelit)

 

Kam me ta nua kamën mi dorë

Nëse ngjallesh edhe ni herë në Kosovë!

 

Shko e shëtit yjeve

Atje ku e kishe vendin ende pa lindë!

Të vranë me armë shpirti

Para se në Kosovë me ardhë liria

Jo se e deshtën lirinë e saj

Por lirinë tane,

Të shytur në Iliri

Askush me ty nuk lindi vëlla binjak

E askush nuk vdiq 15 minuta pa lindur

Kurrë kumonë Rugove s’ra për ty

As nana kurrë s’të bleu kitarë vajtimi

 

Ti ke pa sy Eve e rrënim Babiloni

Në penë e mendje të artë, e jo në flokë Samsoni

 

Varri tu plak, poet, na hine në gjak

Nga rrânjë të gurta na rritesh në konak

 

Shko, miko, ligjëro para Zotit

Për Iliri, për Dardani,

Për troje pa harta, pa kufi!

Lundro në yje, ku s’ka lart’si!

Gjumit të shekullit klithi siç di ti:

Shqiptaria, pa mua po feston 100 vjet pavar’si!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora