E premte, 26.04.2024, 08:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Kroi i Dautit

E marte, 14.05.2013, 08:45 PM


KROI I DAUTIT

Bamirësitë e njeriut janë vepra të dala nga gjërësia e shpirtit të tyre, ngase, njerëzit e veshur me petkun e humanizmit dhe njerëzorës, na shuajnë urinë dhe etjen, për të vazhduar me frymarrjet tona nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme...

Nga Remzi Limani

Javë më parë, në majë të Gërmisë, Dauti e kishte zbuluar një rrjedhë vije të hollë uji, diku e fshehur nën rrasa guri të mbuluar me gjethe dhe degë të shkëputura nga lisat e mplakur. Kjo rrjedhe uji, asnjëherë më parë e vërejtur nga kalimtarët e rastit, të cilët ecnin dhe bënin vrapin e ngadalshëm nëpër shtigjet e ngushta, dhiareve brenda xhepave të malit, për Dautin ishte një zbulim epokal, ngase, ai e zbuloi ujin e nartë dhe të cemt, i cili do të shuaj etjen e kalimtarëve të rastit dhe të zogjve të malit, të cilët, nga fluturimet dhe cicërimat e pandërprera, kohë pas kohe do lëshohen nga qielli për të shuar etjen e këngës në kroin e Dautit. Po ashtu, edhe Dauti, si të tjerët por, me një mision paksa ndryshe, në kuptimin e ruajtjes së ambientit dhe sensibilizimin e vlerave natyrore me gjithë mrekullitë e virgjëra. Ai, gati se për çdo ditë kalon nëpër shtigjet e gjata që të çonin në majën e Gërmisë, ku, nga perspektiva e zogut shiheshin shumë fshatra dhe kryeqendra e Dardanisë. Deri atje ku ngjitej Dauti, pak kush se ia dilte të hipte dhe të pushtonte pikën e majës, e cila puthej me kaltërsinë e qiellit mbi Dardaninë e lashtë. Pra, si adhurues i denjë i natyrës, Dauti mori përsipër ta nxirrte ujin e kroit të harruar prej kohësh dhe ta sillte në shuplakë dore.

Një ditë, ai vendosi që të pajiset me disa vegla pune dhe të nisej për në majë të Gërmisë. Me vete kishte marrë një sharrë dore e futur në këllëf, enkas për ustallarët profesional, të cilët e lidhnin në brez, që nga larg dukej porsi një gjashtare e gjatë. Krahas sharrës, kishte marrë edhe një çekan, një xhep gozhda dhe disa fije teli të hollë. I ngarkuar me alete të punës, pa asnjë mjet transporti, burri i dheut, u nis nga Ulpiana për të arritur në pikën e majës, ku ditë më parë e kishte zbuluar vijen e hollë të ujit, të cilin do ta shndërronte në krua jete.

Pas shumë frymëmarrjeve të theksuara dhe pa pikë uji për të cilin filloi të ndiente nevojë, Dauti ngjiti në majë mali dhe u zhgarkua nga pajisjet e ustallarëve. Nga lodhja e arsyeshme, së pari, u kumbis për një lisi dhe, ende pa e kthyer frymën e fundit, nxori dhe ndezi një duhan – sikurse me tymra duhani donta ta festonte pushtimin e majës me gjithë ngarkesën e pajisjeve të sjella me vete.

Moti kishte filluar të ndryshonte. Edhe ato pak rreze drite, që depërtonin nëpër gjethet e lisave, dalngadalë filluan të fikën nga mërrolat që e vishnin qiellin mbi majoke. Pa humbur kohë, bishtin e cigarës, Dauti e fiku nën këmë dhe filloi ta pastronte lugun e kroit, që saktësisht ta kuptonte rrjedhen e ujit prej nga vinte. Puna ecte për së mbari dhe me shpejtësi arriti ta gjente aortën kryesore të ujit dhe ta kanalizonte drejt sipërfaqes së tokës. Tashmë, qielli ishte veshur me ngjyrën e murrme dhe papandehur filluan vetëtimat e shoqëruara me bubullima, të cilat shkyheshin mbi majoke dhe krijonin një zahalli të frikshme. Pas pak, filloi shiu i rrept  i shoqëruar me krrokama korbash të friksuar, të cilët nga lemeria e krijuar fshiheshin nëpër ngushticat e xhepave të malit. Edhe në këso kushte, mes vetëtimave, zhgarkimeve të bubullimave dhe krrokamave të korbave, Dauti, vazhdonte ta përpunonte lugun e kroit. Pasi u sigurua se tashmë uji rridhe i vazhdueshëm, ai mblodhi disa degë të thyara dhe nga to filloi ta thyrte një lloj trine për mbulimin e gropës së ujit, që më pastaj, në ditët në vijim të angazhohej edhe më tej rreth infrastrukturës së rrjedhës së kroit.

Punë amaneti...

Në fillim të përkqësimit të motit, kur qielli u vesh me të murrmën dhe lëshoi mërrolat kërcënuese, kur vetëtimat shkuheshin kudo rreth tij, ai nxori celularin dhe thirri të vëllanë, Myrten, sa për ta njoftuar se ai gjindej diku tek një krua në majë të Gërmisë – diku afër antenave të telefonisë mobile. Këtë e bëri, ngase nuk i dihet njeriut... Shpeshherë njeriu vendos të bëjë një vepër bamirësie, pa e ditur, se përfundimi i bamirësisë së tij mund të jetë fryma e tij e fundit...

Dhe, në fund të kësaj të vërtete humane, të gjithë ata, që rastisin të pijnë ujë tek kroi në majë të Gërmisë, duhet ta dinë se kanë pi ujë në kroin e Dautit.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora