E diele, 28.04.2024, 07:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Vullnet Mato: Vjollca Pasku - ''Fizarmonika e ndjenjave''

E diele, 12.05.2013, 02:55 PM


DOLI NGA SHTYPI PËRMBLEDHJA POETIKE E POETESHËS

VJOLLCA TIKU PASKU BOTUAR NGA SHTËPIA BOTUESE “VLLAMASI”,

DHE RADAKTUAR NGA SHKRIMTARI VULLNET MATO.

Ky libër i pritur me interes nga lexuesit, për vlerat e publikuara artistike të poezive

të kësaj autorie, u vu në qarkullim në libraritë kryesore të Tiranës dhe në ato të qytetit të Fierit.

NJË ZË FEMËROR QË TË DRITHËRON

ME FIZARMONIKËN E NDJENJAVE

Zëri femëror i poetes se talentuar Vjollca Tiku Pasku, ka ardhur vitet e fundit në poezinë shqipe, si një pëshpërimë e ngrohtë ndjesish, për dashurinë dhe njeriun e bukur, duke stigmatizuar njëkohësisht edhe negacionet e shpeshta të jetës sonë shoqërore. Me fëshfërimat e barit dhe aromat e luleve të Myzeqesë, ajo sjell në vargjet e saj, tingujt e rinj të një gruaje dhe një nëne të ndjeshme, me të cilat prek telat e hollë të shpirtrave tanë, duke na befasuar me drithërimat e saj.

“Kërkova bojën e lëngëzuar të shpirtit,

të shkruaj me penën e ndjenjës, pak fjalë...”

Në të gjithë librin e saj, ku mbisundon dashuria, ndjenjat kompozohen në fizarmonikën e shpirtit dhe këndohet me tingujt e natyrës. Vjollca Tiku herë qan me lotët e janarit e herë qesh me buzëqeshjen e pranverës. Ajo hyn nga palmat e qerpikëve, në dritaren e syve, për të lëshuar dritë në dy gjethet e kuqe të zemrës së çdo lexuesi. Ku të përkëdhel me flladin e ëmbël dhe të ndez me zjarr flakërues, duke krijuar çaste të hyjnizuar:

“Dridhma, flakë, zjarr, ku digjet një top dielli

që hidhet e pritet i ndezur.

Dashuria ime është dritë-frymëmarrja e syve ,

agu-zgjimi në çdo ditë,

trëndafil ngjyrë purpur, puthje,

prekje e mirazhit shpirtëror, Aurorë e agimeve njerëzore...”

Pas emigrimit për shumë vjet me radhë, autorja sjell në vargjet e saj edhe vuajtjet e dhimbshme të mërgimtarëve, punën e vështirë, lotët e hidhur të mallit për atdheun, ku pluskon fëshfërima e erës së kthimit:

“Zemra ime ndizet si temjani,

tymi së cilës u end nëpër botë,

s’gjeta asnjë vend të ngrohtë,

përveçse në vendlindjen time.”

Një nga ndjenjat më esenciale të saj, është dashuria për nënën, të cilën e gjejmë në poezitë e pothuaj të gjithë poeteve. Por te Vjollca Tiku, ajo buron nga brendia e veçantë e thellësisë së ndjenjave të saj:

“Një shami rrezesh palosur në xhepin e zemrës.

O Nënë e ëmbël që vështron me sytë e engjëllit...

Dua të marr pak nga e kuqja e një burbuqe,

për të çelur buzëqeshjen tënde.

Në këtë botim të parë poetik, dallohet qartë femra që flet me dhimbjen e një nëne. Është zëri i saj tingëllues gjer në pëshpërimë, herë si një ledhatim dashurie, herë si brengë, herë si një thirrje drejt tokës dhe qiellit për të ndihur fëmijët e mjerë:

“Nga një botë e tërë fëmijësh pa fëmijëri,

kumbon lutja në gjer në pafundësi:

Bëjeni, o njerëz, këtë botë më të mirë,

që të jetojmë fëmijërinë tonë të dëlirë…!

Krijimi poetik është një proces i magjishëm që ngjizet njëkohësisht me dy përbërës: nevoja për të thënë ngacmimin e brendshëm dhe mënyra si mund ta shprehësh artistikisht. Me penën e frymëzimit në dorë, ajo sheh në telat ajrorë, fushat e notave, çelësin e solit diell, ndjell muzën, sjell tingujt, vargjet, dhe refrenin e melodisë së poezisë. Dëshira e saj është vetëm të shkruaj. Pra, metafora e ngjeshur dhe e gjetur bukur në elementet atmosferik e tokësor, është materiali virtual me të cilin ajo ndërton të gjitha poezitë e saj.

“Fry o erë!

T’i shkul nga trupi, çdo pendë të frymëzimit, në ditët e mia!…

Kur sytë t’më mbyllen e goja t’më lidhet me shami toke.

thellë në tokë, mbështjellë me qefin të lastartë,

në rrënjë të tij, bari të më përkëdhel, e fërfërijë,

faleminderit nga zemra e gjelbërt,

që dikur shkrove për mua me dashuri!...”

Në mbyllje të pak rreshtave, që mundëson kreu i këtij libri, mund te them se Vjollca Tiku Pasku vjen në poezi, me një elegancë, të sigurt femërore, e veshur me një tis magjie transparente, gati qiellore, i cili natyrshëm i jep asaj statusin e PRINCESHËS së poezisë myzeqare. Shpirti i madh dhe i bukur i kësaj poeteshe, shpalos në të gjithë materialin e shkruar poetik, një botë plot ngjyra, të vrojtuar me syrin e saj të mprehtë e origjinal dhe të ndjere me regëtimat e shqetësuara të zemrës.

Vullnet Mato - shkrimtar, redaktor i librit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora