E shtune, 15.05.2021, 10:05 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Borxhi i pashlyer

E premte, 10.05.2013, 09:30 PM


Borxhi i pashlyer

Përsiatje rreth poezisë “Borxh ajrit” të F.Terziut

Nga Timo Mërkuri.

1-Leximi i poezisë “Borxh ajrit” të F.Terziut të botuar në datën 21.04.2013, kushtuar poetit Ali Podrimja, më  gjeti në rileximin për të disatën herë të vëllimit poetik “Lum Lumi”.  Do ta kisha kaluar në heshtje edhe këtë poezi, të cilës, si shumë të tjera, as  koment nuk i bëra në portalin e botuar, sikur vëmëndja të mos më rikthehej te vargu…Qënka e thënë të iki borxhli…, varg  i cili më tendosi trupin e tensionoi nervat, si nën një fshikullimë kamzhiku. Dhe jo më kot. Arsyeja është se poetët kanë një raport specifik   mardhënieje me Atdheun dhe popullin e tyre , krahasuar psh,  me mardhëniet debi-kredi që kanë  biznesmenët apo me mardhëniet hierarqike që kanë ushtarakët dhe politikanët. Biznesmenët e kanë Atdheun e tyre, aty ku është fitimi më i madh dhe mardhëniet me të i shohin thjeshtë  si mardhënie interesi (Atdheu i bankierëve është  Banka, për mos të thënë se është vetëm llogaria e quajtur “Fitime”), ushtarakët Atdheun e kanë  te lavdia e fitoreve nëpër sheshbeteja ( këto prova bërthamore në Korenë e Veriut i nxitin gjeneralët pleq e të matufepsur të Phenianit, ëndra më e madhe e të cilëve është një “sulm mbi imperializmin amerikan”), politikanët e kanë Atdheun te parlamenti, kryeministria apo ministria, vëndi prej nga japin urdhërat dhe ku presin … lavdinë.

2-Vetëm poetët e kanë Atdheun në zemër dhe  e ritin me dashurinë e tyre.

3-Dhe ndjehen borxhli përjetësisht ndaj Atdheut, që nuk i dhanë më shumë dashuri e vargje, që nuk ja shëruan plagët e ‘13 …Poetët e duan Atdheun pikërisht sepse i japin dashuri dhe shpresojnë që, pikërisht  tek Atdheu, të riten e lulëzojnë dashuritë e tyre. Ashtu si fshatari e do tokën që të ritet gruri e misri në të. Vetëm se poetët nuk dalin me drapër në dorë, të korrin dashuritë e tyre kur riten e piqen. Ja lënë Atdheut, si pjesë  organike, lindur e rritur prej tij . Dhe ndjehen borxhlinj që nuk i dhanë më shumë…

4-Por unë, ndërsa e lexova këtë poezi të F.Terziut gjatë rileximit të vëllimit “Lum Lumi”, nuk di pse më shkrepi në mëndje pyetja …Po Ali Podrimes, kur do t’ja  shlyejmë borxhin vallë?

-Pyetja është e pa konceptuar qartë, e pa konturuar drejt. Madje unë do të  thoshja se në ndërgjegjen time, kjo pyetje u ngrit si një shtjellë ajri, që ngrihet duke marë me vete drejt lartësive, copra letrash e gjethesh, gjetur në rrugë, duke ecur me përdredhje, s’dihet për ku. Pak a shumë, si një mini-tornado, pa formë e pa përmasa të matëshme . Ecja dhe ritja e saj, varet nga shkalla e njohjes së jetës dhe veprës së Ali Podrimes, ashtu si edhe rritja e shtjellave të ajrit, por dhe e tornados, varet nga  rryma e ngrohtë e ajrit që vjen në teritorin e lindjes dhe rrugën e ecjes së saj. Sa më shumë ta njohësh veprën e poetit dhe jetën e tij, sa më nga afër të kesh njohur poetin, aqë më e vrullëshme është rritja dhe ecja e kësaj pyetje-shtjellë-ajri. Vërtet që, në këtë rritje dhe ecje,  nuk ka dëme materiale, por assesi nuk ikën pa lënë gjurmë, pa thyer disa korniza dritaresh apo  pa shkallmuar disa gardhe, gjerdhe  e porta në hapësirën shpirtërore.

5-Unë nuk do ta shtroj as pyetjet se;- A ka patur Ali Podrimja borxhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë dhe a i ka shlyer ato. Unë vërtet nuk do ta bëj këtë pyetje, ndonëse  në kujtesën time vezulloi vargu lapidar i Xh.Spahiut….Gurin e varrit do ta shes/ e borxhet do ti laj…si një kredo e çdo poeti në raport me Atdheun, Kombin dhe familjen e tij. Sepse, në këtë konteks, poeti Ali Podrimja e ka njohur borxhin e tij dhe ka punuar gjithë jetën për ta shlyer atë. Dhe ka punuar si ai. Pa patur të dytë. Do mjaftonte vetëm vargu…Miq, Kosova asht gjaku im që nuk falet…për t’ju ngritur në këmbë poetit edhe në shëtitjen e zakonëshme qytetare  në bulevard. E në rast se do recitonim vargun famoz …Ju s’keni plumba sa jemi ne…, në “Marshin e UÇK”, pritja me duartrokitje do ishte më e pakta që do  ti rezervonim, duke dëshmuar kështu se, jo poeti, por Atdheu… edhe ne… jemi  tashmë borxhli ndaj tij.

6-Sepse Ali Podrimes i jemi  borxh, jo vetëm Kosova e Shqipëria por edhe ne, shokët e miqtë e tij krijues.

Jo aqë për atë mrekulli poetike që ai shkroi, por në radhë të parë për kushtet në të cilat punoi dhe në mënyrën se si e  shkroi.

7- “Kam dëshiruar ta “shpirtëroj” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin”… rilexova te “Lum Lumi” dhe u drodha i tëri. Dhe kuptova se arsyeja pse me dridheshin duart, sa herë mirja të lexoja këtë libër, ishte se mirja në duar jo një libër, por një shpirt. Një shpirt që përpëlitej pranë  një krevati, ku po lëngonte  i biri…Ti po vdes me kryet në jastëk/ Turp, vogëlushi im/ Ke mundur të ngjeshësh armët e Asimit/ e të shkosh në Bejrut/ të vdesësh për Palestinën.

8-Të duket se nuk po lexon poezi, të duket se po dëgjon një bashkëbisedim babë e bir, ku, mbi ftohtësinë e  qortimeve     atit, dashuria  e prindit lëshon valë  të ngrohta dhimshurie. Ashtu si dielli lëshon valë drite e ngrohtësie mbi tokën e  mbuluar nga dëbora.  Valë që gjithsesi stimulojnë jetën.

…“Lum Lumi” është  vërtet një bashkëbisedim i poetit me të birin. Bashkëbisedim, ku fjalët dhe vargjet u ngjajnë trungjeve  në pyllin e ëndrave dhe dëshirave, prerë nga sëpata e vdekjes Veçse këto trungje nuk janë hedhur dhe lënë dosido shpateve. Me to janë ndërtuar shtëpizat e vogëla të poezive, tek të cilat  hyn me ndroje fillimisht, por më pas  dëshiron të qëndrosh sa më gjatë apo  të rikthehesh  sa më shpesh. Sepse brenda tyre, ndjen një ngrohtësi njerëzore. Aty, dhe era që fryn nëpër hapësirat mes trungjeve, të duket se fryn si një melodi, e cila gjithsesi të bën të lotosh në heshtje….Ike/ nga dëshira/ me jetue/Por/të gjallët/si lë ende të qetë/Trimat nuk vajtohen/Dritë paç në mbretërinë tënde/të humbur…(o bir!)

9-Poetit i rëndonte pesha e dhimbjes e të birit dhe popullit të tij ( e pra, ai ishte një ndër qindramijra prindër të lënduar) dhe nga shpirti i tij, nën trysninë e dhimbjes, buruan vargje poetike të diamantëta, për nga vlera. …Unë mbyllem në dhimbje?E klith në ëndër?Dëgjon vogëlush?

...Ka qënë e madhe pesha e dhimbjes mbi shpirtin e poetit që prodhoi këto mrekulli poetike,. …Unë nuk qaj/shi bie vogëlushi im/shkundet plepi I shtëpisë/….Unë nuk luaj vendit/muret lëvizin sendet vogëlushi im/vjeshtë e keqe mori/…Re e zezë shtëpinë tonë mbështoll

…Po miq, ka qënë vërtet e madhe pesha e dhimbjes mbi shpirtin e poetit, pesha e të cilës   krijoi këto poezi, ashtu si pesha e madhe e tokës, krijon diamantët.

Nga udhëtimi i tmershëm/Ktheve i ditë syzgurdulluar/ Në poezinë e babit hyre pa trokitur/Je më i sigurtë aty Lumi/Për besë nuk të gjen/Një e zezë…

10-Mbi tavolinë/fletë e bardhë.Aty do shkruar/Lum Podrimja vdiq më 29 shtator 1982/ Por unë nuk mund ta nënshkruaj vdekjen tënde…

Sepse vërtet, cili prind do ta nënshkruante  vdekjen e të birit? Në vënd të këtij nënshkrimi, poeti mori dhimbjen e tij dhe gdhëndi në të portretin e jetës. Ishte një punë titanësh, më e vështirë se të gdhëndje në male portrete presidentësh. Dhe vështirësia qëndronte në faktin se, ky mal dhimbjeje e kishte zënë poetin ndënë vehte. Ja kishte mpirë duar e këmbë, shqisa e ndjenja. E megjithatë ai vijonte  çdo moment të gdhendtte jetën. Rokullishte shkëmbinj të panevojshëm kujtimesh të djeshme e shpresash të kota, të cilat gjithsesi i binin mbi trup e shpirt, gdhëndtte e latonte  shkëmbinjt e stralltë të fjalës dhe… …Mbi plagën timë çel ëndra… dhe rritet poezia. Faleminderit Lumi/Desh më turpëroi/Hija e vdekjes.

11-Lotët nuk i fshehu dot  poeti, pa ç’ka se të birit i thoshte që…binte shi.

Por ato lot nuk riguan të vetëm, mbi një tokë të tharë nga vapa, për tu përpirë menjëherë prej saj. Lotët e prindit u bashkuan me lotët e kombit të tij dhe më tejë, me lotë kombesh në vuajtje a robëri, duke u shndruar në një det plot tallaze. Mbi këtë det lotësh u çfaq Ali Podrimja. Dhe ashtu si Krishti që,  për tu hequr frikën dishepujve të tmeruar nga furtuna dhe dallgët, zbriti nga varka  dhe eci mbi det, duke fashitur tallazet, ashtu dhe Ali Podrimja eci mbi këtë det lotësh, pash më pash, duke mbajtur lart, jo ungjillin, por Lum Lumin. Dhe ku kalonte ai, tallazet fashiteshin, sepse ai ishte shndruar ndërkohë në një profet, jo vetëm poetik. Pas tij, eci nën një shteg të sigurtë një armatë poetësh shqiptarë. Sepse tallazet i kishte fashitur Ali Podrimja, sepse malin e dhimbjes (edhe kur të zë ndënë vete), e kishte gdhendur në  monument të jetës së pari Ali Podrimja.

12-Prandaj poetëve të kalibrit të Ali Podrimes, ndonëse ata vetë ikin me ndjenjën e një borxhi, qoftë edhe  ndaj ajrit , ndjenjë kjo e destinuar vetëm për shpirtërat e mëdhenj e fisnikë, në fakt është Atdheu dhe Kombi që ka mbetur borxh tek ata. Ky është fati i viganëve. Atdheu dhe Kombi do mburen gjithmon me atë, sepse Ai e dha çdo gjë për Atdheun dhe Kombin, madje e dha  bukur. Biles edhe ulërimën e dhimbjes së tij, ai e dha  në formën e një simfonie jete. Ai u ngrit mbi malin e dhimbjes që e kishte zënë ndënë vete dhe u shndrua vetë në një nga dy majat më të larta të poezisë moderne shqiptare, bashkë me Fatos Arapin. E kush tjetër ka dhënë sa e si ai.

Tani e ka rradhën Atdheu dhe Kombi ti “shlyejë borxhin” Ali Podrimes, atë borxh, që ai, në fakt as që e ka menduar ndonjëherë dhe që nuk do pranonte ta njihte.

13-As unë nuk ja kam shlyer borxhin Ali Podrimes. Nuk ja shleva dot në takimin tonë të parë në Tetovë, në 2007, as në Sarandë, në 2012. Dhe nuk pretendoj se me këtë shkrim shlyej qoftë edhe një pjesë të vogël të  këtij borxhi.

Me këtë shkrim, unë vetëm sa deklaroj që e njoh borxhin tim ndaj Ali Podrimes.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora