Kulturë
Flora Durmishi: Intervitsë me Dr. Qibrije Demiri-Frangu
E merkure, 08.05.2013, 06:58 PM
Mrekullia e fiksionit
"Në kohën tonë, kur gjendja e
letërsisë për të rritur është
përkeqësuar, librat e mirë të
letërsisë për fëmijët janë
shpresë e vetme, streha e vetme."
Intervitsë me profesoreshën universitre,
poeten, publicisten dr. Qibrije Demiri-Frangu
Profesoreshë, dua vlerësimin tuaj
për krijimtarinë letrare për fëmijë të periudhës se para luftës dhe për
gjendjen e saj të sotme në Kosovë?
Pyetje me vend, pyetje me vend pikërisht pse edhe arti “përjetoi” luftën
dhe po i jeton pasojat e saj.
Letërsia Shqipe, e në veçanti Letërsia
për Fëmijë, është e vërshuar nga botimet me dhe pa kriter. Si studiuese e
letërsisë si e shihni këtë trend?A ka sot kritikë objektive, këtu e në të
gjitha hapësirat shqiptare?
Jetojmë në një kohë të një krize
ku kultura, përkatësisht letërsia, shfaqet me vlera të përulta, në këtë
kontekst duhet shikuar edhe kritikën letrare, e cila s’është gjë tjetër veç
vrojtim, shqyrtim dhe pasqyrim estetik i imponuar nga prodhimi letrar; i
nivelit dhe vlerave që sjellë libri e
shpeshherë edhe nën nivelin e librit. Bindja se kritiku është lexuesi më
ideal i librit, është bartur edhe në kohën tonë, por shtrohet çështja është
kështu apo jo. Nuk besoj se sot mund të flitet për një idealizëm në kontekst të
asaj që e thamë, ndërsa është shumë e qartë që në jetën tonë letrare sot
thuajse libri nuk shënon ndonjë ngjarje kulturore, ndaj nuk mund të presim që
si i tillë të përcillet me një kritikë të mirëfilltë. Përmbysjet e mëdha
ideologjike që si pasojë sollën edhe rrënimin e sistemit të vlerave çfarë i
kishim deri vonë, bën që të krijohet një atmosferë konvertive, e cila në esencë
ndërtohet me metodat dhe skemat e njohura, që nuk kanë si të mos reflektojnë në
plan të parë bartjen e një logjike të tejkaluar. Praktika e përdorimit të
veprave letrare për qëllime extraletrare vazhdon të jetë mbizotëruese edhe sot.
Edhe sot janë të hapura tendencat që mendimi kritik të udhëheqë çështjet e
shijeve dhe të gjykimit. Nuk mund të thuhet se nuk kanë funksionuar dikur në
Kosovë dhe së voni edhe në Shqipëri modalitetet e ndryshme të kritikës, por
gjithashtu nuk mund të thuhet se kemi ndërtuar një nivel kualitativ të të
menduarit kritik, e sidomos kritika që merret me letërsinë për fëmijë.
Në këtë kohë të krijimit të vlerave të përulta s’kemi si të mos ndeshim
botimin e veprave pa kriter, mbase edhe pa një procedurë të zakonshme. Kjo ka
bërë që edhe informacioni për të të jetë i tillë. Ndoshta krizën e mendimit kritik
për librin duhet kërkuar në mungesën e përkujdesjes institucionale dhe në
logjikën e ndërtimit të tregut të librit. Nëse libri
tash ka kuptimin e një malli të zakonshëm që
Gazetat dhe revistat që merren me çështje të letërsisë nuk ofrojnë
ndonjë mendim kritik për të qenë. Kryesisht ndeshim mbresa për librin ose
shpjegime për përmbajtjen e tij, autorë të të cilave janë kryesisht të
ashtuquajturit kolegë të + krijuesit, të
autorit të librit.
Pozitës së kritikës letrare sot vërtet i është dashur një debat
profesional, jo se ky debat do t’i bëhej terapi, por mbase së paku do të
identifikonte këtë fenomen si një çështje të nëpërkëmbur, të diletantizuar deri
në masën e mosekzistencës së saj reale. Kjo është sepse në këto vitet e fundit
materiali dhe prodhimet letrare janë bërë një mall që krijon stoqe që pakush i
eksploaton dhe fare pak kush merret denjësisht me to dhe vlerësimin e tyre.
Por, botimet individuale, shpesh edhe ato pak libra që financohen nga institucionet, të shpeshtën
janë krijime që nuk kalojnë nëpër
redaktorë e ndonjëherë botohen edhe me
gabime gjuhësore. Këta libra, ç’ është më e keqja shpërndahen edhe nëpër
shkolla përmes lidhjeve me drejtorë shkollash dhe në këtë mënyrë shpesh
kontaktet e para fëmijët i bëjnë me këtë kategori librash, më pas për t ‘mos
lexuar më kurrë. Thënë drejtën, pavarësisht interesimit vështirë është edhe ta
përcjellësh këtë lloj botimi, ngase edhe distribuimi bëhet në mënyrë të egër.
Pastaj nuk ka as kritikë që e përcjellë këtë botim.
Jeni përfshirë në disa antologji
poetike. A jeni e kënaqur me përzgjedhjen e bërë nga përpiluesi? A ju kanë
konsultuar për përzgjedhjen e poezisë…?
Zakonisht antologjitë janë zgjedhje e përpiluesve, të shpeshtën kam qenë
e kënaqur me përzgjedhjen e bërë, kam qenë e kënaqur edhe me konkurrencën
brenda antologjive. ( Antologjia e poeteshave të Kosovës Kafshimi i mollës,
Renesansa, Prishtinë,1996; antologjia e shkrimtareve Take të
larta,Sfinga ,2000 përpiluar nga A.Podrimja;Në antologjinë për fëmijë të
O.Grillos Xhaketa e kuqezi,2002; Në antologjinë e poezisë moderne shqipe
në gjuhën gjermane të përpiluar nga F.Laholli
(Anthologie der modernen albanischen Lyrik ; prezantimi në
përzgjedhjen e mendimit kritik
shqiptar Letërsia jashtë kopshteve tanë,
Ars,Tiranë, 2004 tj.) e tj.
Kritika ju ka vlerësuar sigurisht por,
a mund ta kujtoni fjalinë më të bukur qe
kanë thënë për ju dhe poezinë tuaj?
Jam e kënaqur me përcjelljen e krijimtarisë sime nga kritika. Mund të them se ka pasur mjaft shkrime, por shkrimi
i prof.Agim Devës dhe vlerësimi A.
Bishqemit më mbeten më të besueshmit dhe më stimuluesit për punën time.
Studiuesi R. Musliu, duke folur për
poezinë time për fëmijë, thotë: ...kjo poezi është plot e përplot metafora
funksionale, lirizëm të motivuar, ndjenja e mendime që s’pretendojnë të shndërrohen në formula didaktike.(R.
Musliu, Eskurs në letërsinë për fëmijë, fq.139)
Ç'autorë kanë ndikuar në formimin tuaj?
Që nga përrallat e gjyshes e deri te Cohelo e Roëling e Harry
Potterit. Është thuajse një jetë e tërë lexim. Njeriu nuk lexon për të
emituar dikë në të shkruar, unë nuk ndjek ndonjë model për ta përvetësuar,
kultura e leximit shkrihet e bëhet një kulturë e veçantë shkrimi dhe do të
duhej krijuar një model origjinal, natyrisht .Edhe rastësia e profesionit më ka
bërë që të udhëtoj me fjalën e bukur-
nga Gilgameshi e deri te Kadare . Jam e lumtur për këtë dhe leximin e marrë si
një proces të vazhdueshëm. Libri im i parë që kam lexuar është libri ilustrativ
Llampa e Alajdinit, dhuratë për sukses në kl. e parë fillore, e më pas
kjo llampë sikur më ka bërë dritë vazhdimisht ’i gjej librat e tjerë. Fiksioni
është një mrekulli që të
impresionon në çdo kohë. Më mirë se në
vepra askund nuk konservohen ndjenjat dhe mendimet, ndaj edhe shkruaj krahas leximit.
Kur rishikoni krijimtarinë tuaj, cili
është libri që e keni më për zemër dhe pse?
Secili është i mirë- më duket, për kohën kur është shkruar. Në secilin
ndjej veten time dhe pjesë nga esenca ime. Në realitet i shoh shkarjet e
librave të parë e të fundit, por poezia është prodhim i çasteve, momenteve të
caktuara, kur : o është dashur të shkruhen
o s ‘ka bërë ndryshe. Ç’e do, janë ato momente kryeneqe. Jo rastësisht
të vije të shkruash, është një moment që të zgjon, që të atakon diku në brendi
dhe ti reagon, në këtë rast me poezi.
Vitet e fundit keni botuar një libër
studimor dhe një libër me poezi. Cilat kane qene
sfidat (letrare, psikologjike, logjistike) për sjelljen e
këtyre librave në jetë?
Libri Letërsia për fëmijë- gjeneza, fenomene, autorë, është një
libër që më ka marrë mjaft kohë. Në realitet si profesoreshë që mbaj këtë lëndë
krahas tjerave, më duhej të bëja diçka për studentët e mi, që këtë lloj
literatura e kanë mjaft të mangët. Ata autorë i kisha edhe për zemër, me veprat
e tyre isha rritur, por kur i shikon me syrin e vlerësimit kritik, ata bëhen
tjerë. Ndër sfidat kryesore ishte grumbullimi i botimeve, i kritikës së
shkapërderdhur nëpër revista e libra të ndryshëm dhe natyrisht botimi është një
problem tjetër-edhe financionar. Por jam e kënaqur që kam sfiduar veten. Mendoj
t’i rikthehem dhe ta plotësoj edhe me autorë të tjerë të cilët mendoj se kanë
shënuar së paku diçka në këtë letërsi.
Profesoreshë, krijimtaria juaj është
përkthyer. Kush e ka bërë këtë?
Pas përkthimit të disa poezive në gjuhë të rajonit, libri Kur bie shi mbi det, u përkthye në suedisht
nga krijuesi ynë Lum Haxhiu (Hajdin Abazi) në bashkëpunim me krijuesen e njohur
suedeze Karin Lenz, e cila ka bërë edhe një parathënie për librin. Parathënia
thënë drejtën më pat motivuar shumë për punën time, ajo heton shumë gjëra që
nuk i kanë vërejtur kritikët tanë. Ky përkthim ishte gjë e mirë edhe për arsyen
se libra të autorëve shqiptarë në suedishte numërohen në gishtërinj. Një shtëpi
botuese gjermane ma kërkoi librin, por duke menduar se është e përkthyer në
gjermanisht. Meqë s ‘kisha mundësi t’ia dërgojë të përkthyer, mbet jashtë
botimit për fëmijët gjermanë.
Kam vërejtur se nuk ka një program dhe
strategji nga institucionet shtetërore për të nxjerrë letërsinë që krijohet në
Kosovë edhe jashtë kufijve te saj, përveç ndonjë iniciative private. Si e komentoni ju këtë?
Për këtë punë duhen shumë mekanizma institucionalë, të cilët mungojnë.
Te ne mungojnë edhe përkthyesit. Mundësitë e kontakteve me përkthyes të huaj
janë minimale. Disa autorë tanë që përkthehen, janë meritë e menaxhimit
individual dhe e interesave të
përkthyesve, flitet që shumë nga këto
pak përkthime të autorëve tanë, janë bërë me pagesa nga vet krijuesit ose me
shkëmbime të ndryshme interesash.
Lexoni autoret femra dhe cilat ju do
t’i veçonit?
Tani ato nuk janë pak dhe kanë
dëshmuara vlera edhe si të
përkthyera. Çmoj pa masë poezinë e Luljeta Leshanakut e Mimoza Ahmetit, prozën e
Elvira Donesit e Hida Halimit. Edhe
Naime Beqiraj e Ilire Zajmi kanë bërë udhë të mirë e suksesshëm po ecin. Letërsia e huaj ka shumë
emra edhe nobeliste dhe kjo të inkurajon.Natyrisht si grua nuk mund ketu pa
permendur S.Beauvoir, M.Yourcenar, V.Vulf apo edhe A. Kristin.
Cila është përshtypja juaj, sa lexohen
librat e autorëve të rinj e veçmas letërsia e autorëve femra?
Thënë drejtën unë provoj ta përcjell letërsinë e të rinjve, në një mënyrë
ata edhe janë shumica ish studentë të mi, ndaj nuk e kam vështirë këtë. Kohëve
të fundit janë 4-5 emra që janë dëshmuar që në fillim me poezi, prozë e edhe
kritikë. Nga krijueset femra, janë dy tre emra, por që kanë nisur e duhet
pritur dëshmime.
Çfarë po bën dhe ku është intelektuali
i vërtetë?
Intelektuali po heshtë, ndoshta po vrojton e ndoshta edhe po vuan apo po
lufton për ekzistencë, e disa po e jetojnë komoditetin e servilizmit. Dhe të
gjitha këto nga margjina e jetës shoqërore. Në këtë mënyrë askujt s’ mund
i thuhet intelektual, derisa nuk janë aktiv e kritik ndaj trendeve të
akuluturimit. Sikur i ka kapluar një vetëkënaqësi e pajustifikueshme, sepse
intelektuali në çdo rrethanë i vëren hapësirat boshe të një shoqërie -e nuk ka shoqëri pa gropa të tilla boshe, e
lere shoqëria jonë që po kalon fazën e tranzicionit. Sa për krijuesit, mendoj
se gjendjen e sotme të letërsisë duhet marrë si një sfidë, ndaj duhet reaguar
doemos në mënyrë permanente përmes veprimeve letrare.
Si e mbushni kohën dhe me cka?
Eh! Do të doja që ajo të jetë ding e mbushur me të mira. Ashtu edhe
provoj. Njeriu e realizon veten ashtu si është i ndërtuar, në bazë të
koncepteve dhe prioriteteve të veta. Vazhdimisht, në rrethana tona primare
mbetet familja sepse vet jeta jonë është thuajse e konservuar brenda saj. Pak
merret shoqëria me qytetarin dhe pak ka kushte që të realizohemi diku, pos
vendit të punës dhe familjes. Koha ime është një mozaik i bukur: familja,
studentët, miqtë dhe librat. Pak udhëtime, pak fluturime. Natyrisht nuk e
harroj praktikimin e asaj pak prirjeje krijuese që kam edhepse motivimi krijues është shumë kompleks
dhe jo i përhershëm. Duke u nisur edhe nga fakti se stimulimi krijues vjen nga
leximi i vazhdueshëm, natyrisht një kohë të madhe ma merr leximi.
Me çka apo si do ta përmbyllim këtë
intervistë ?
Me dëshira të mira për fatin e artit, për jetën tonë kulturore, për
shpirtin tonë krijues!
Dr.Qibrije
Demiri-Frangu u lind, në vitin 1957, në fshatin Sazli të Ferizajt.
Shkollimin
fillor dhe gjimnazin i kreu në Ferizaj, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë
dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Më
1986 magjistroi në shkencat filologjike me temën, Gruaja në prozën e Jakov
Xoxës, ndërsa në vitin 2006 doktoroi
me
temën, Proza e Rilindjes Kombëtare. Në vitin 1986, u pranua asistente, ndërsa
më
vonë
ligjëruese në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Një kohë ishte ligjëruese e
angazhuar, kurse nga maji i vitit 2003 është ligjëruese e rregullt në lëndën
Letërsi Shqipe I, në Degën e Gjuhës Shqipe dhe në lëndën Qytetërimi Shqiptar
dhe Letërsi për Fëmijë dhe të Rinj, në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit
të Filologjisë.
Ka
botuar këto vepra: “Buzëqeshja s’është larg”(1981),“Flurudhë”(1985) “Ta shoh
botën si gotën”(1987), “Gjithësia si qershia”(1989),“Këmbët e erës”(1995),
“Prekja e vdekjes”(2000),
“Nar det regnar over havet” (“Kur bie shi mbi det”)“ADRS”, Malme(2002) “Shpirti i luleve”(2007), “Tallje e bukur” dhe një libër studimor me titull “Letërsia për Fëmijë, Gjeneza, Fenomene e Autorë” . Si krijuese është prezantuar në Antologjinë e Poezisë Shqipe për Fëmijë të Odhise Grillos “Xhaketa Kuq e Zi”, në Antolpgjinë e Poeteshave të Kosovës “Kafshimi I Mollës”, poashtu në Antologjinë e shkrimtareve shqiptare të përpiluar nga Ali Podrimja me titull “Take te Larta” si dhe në Antologjinë e Poezisë Shqipe, të përpiluar, nga Ferdinand Laholli, në gjuhën gjermane, etj.
Flora Durmishi, Radio Kosova, 2012