Kulturë
Resmi Osmani: Kënga e Minushit
E hene, 06.05.2013, 06:33 PM
KËNGA E MINUSHIT
Kujtimit të Fatos Mero Rrapajt, mbledhës i folklorit çam.
Esse nga Resmi Osmani
Në të ritë e mi,
kur shkoja për vizitë te një i afërm,
rastiste që ai mbrëmanet pinte një gotë raki, me pak gjizë dhe ca thelpinj
hudhre. Aq i lejonte ekonomia.
Ndryshe nga natyra
e tij, serioze dhe e heshtur, ndodhte që bëhej i përmalluar dhe i hipte dëshira
për të kënduar. Thërriste të shoqen dhe i thoshte të këndonin tok Minushin. Ajo
nuk ja prishte. Këndonin qetë, zëulët varg pas vargu, deri në fund. Kur e
mbaronin, ndjeheshin të mallëngjyer.
E pyeta për këngën dhe ai më tha gjithë sa dinte.
Shumë vite më vonë, kur më lindi interesi për letërsinë dhe folklorin çam, që
më shërbeu për të shkruar katër tregime, që
i përfshivava në vëllimin edhe “Yjet vdesin” mu kujtua edhe kënga e
Minushit, por ime shoqe, më tha se boll tregime të dhimbshme me fund tragjik
kisha shkruar dhe se jeta, ka edhe ngjarje të gëzuara. E dëgjova. Në vend të
atij tregimi që s’u shkrua, po hartoj këtë ese për këngën e Minushit, e cila,
në Çamëri dhe jugë të vendit, por edhe në Greqinë e Veriut, bashkë me këngët
dhe vallet e tjera ”Çamiko” është shumë popullore, këndohet dhe melodia e saj
kërcehet në dasma.
Përmbajtja; fare shkurt : në
kafen e një qyteti të vogël të Çamërisë, ishin ulur dhe po pinin tre persona:
Minush Agai, Birbili dhe Resuli, kuptohet edhe këta agallarë. Resuli, në pije e
sipër, i lavdëron bukurinë e gruas Minush agait, i thotë se e ka parë në krua
tek po mbushte ujë. I kishte dhënë shaminë e xhepit dhe ajo ja pastroi, i
kishte thënë dy-tri fjalë ajo ja pranoi! Minush aga, që qe i pirë, vajti në
shtëpi, mori thikën dhe theri gruan e tij!
Vendi dhe
koha e ngjarjes, nuk dihet me siguiri, por mund të jetë Parga,
Gumenica, nuk përjashtohet edhe Delvina, që aso kohe bënte pjesë në vilajetin e
Janinës, qytete me shumicë shqiptare e myslimane por edhe pakica shqiptare
ortodokse, kjo e fundit duhet mbajtur parasysh ngaqë, në kafenetë e myslymanëve
nuk praktikoheshin pijet alkoolike. Sa i takon kohës, duhet të pranohet gjysma
e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kohën e sundimit turk, shpjegime për
këtë do të japim më pas kur të trajtojmë
personazhet e ngjarjes.
Personazhet; janë nga paria e
qytetit, ata thirren agallarë, nga shtresa e kamur, e fisme, me ofiqe dhe
prona. Minush agai, burri i gruas së bukur, duhet të ketë qënë i rënë nga
vakti, e them këtë se në shtëpitë e agallarëve punët i bënin kopilet, ndërsa
gruaja e Minushit, kishte shkuar vetë në krua për të mbushur ujë. Birbili,
është bashkqytetar i tij shqiptar, kjo kuptohet nga emri. I treti, Rersuli mund
të ketë qenë kajmekami turk i vendit.
Janë dy arsye që të bëjnë ta mendosh: së pari një shqiptar, për hir të kodit
zakonor dhe moralit, nuk do t’ia lejonte vetes atë lloj ngacmimi dhe fyerje, se
te shqiptarët kjo fyerje lahej me gjak; së dyti, personi në fjalë, duhet të ndjehej
i sigurtë, i mbrojtur nga ofiqi dhe pushteti që i jepte ky ofiq dhe që ia
lejonte pushtllëqet. Të tre kanë qënë burra në moshë të pjekur. Zonja e
Minushit,equajmë kështu se emëri i saj nuk përmendet, here quhet grua,here
zonjë por edhe nuse, pa tjetër që ka qenë e hijshme dhe e bukur, që tërhiqte
vëmendjen e të tjerëve, por e pafajshme dhe e ndershme. Ajo në tekstin e këngës quhet grua, por edhe
zonjë. Edhe ajo ka qënë në moshë të pjekur e me bukuri të arrirë, për këtë
dëshmon e thëna në këngë se ajo kishte
disa fëmijë.
Intriga; para se të
rrëfejmë sesi thuret rrjeta e merimangës dhe si derdhet helmi i intrigës në
kupën e xhelozisë, dua të bëj disa përqasje, që janë jo vetëm
shqiptaro-ballkanike por edhe mesdhetare. Një është shtysa intriguese: Nakari, cmira, zilia,
dashakeqësia e kajmekamit në dëm të shokut të tij të pijes,Minush Agait.
Kushedi se për ç’arsye, ose thjesht nga ligësia dhe vese të tjera të karakterit
turkoshak që lakmonte gjënë e tjetrit dhe, pamundësia për ta bërë të vetën atë.
Mjeti i realizimit të intrigës është fjala, ngaqë fjala vret njësoj si plumbi,
e thënë ndryshe, gjuha nuk ka eshtra, por eshtra thyen. Fjala thuhet, kur avujt e alkolit kishin turbulluar
gjykimin, dhe për ta bërë të besueshme të thënën, sillet si dëshmi vendi i ndodhjes së
takimit, kroi, një vend i vërtetë e i
besueshëm dhe shamia, si shenjë
materiale intime, ndofta një mashtrim, por që shfaqet si një e vërtetë
intriguese e pranimit dhe pëlqimit të saj(zonjës së Minushit) për bandillin që
i vardisej. Burimi i ujit(kroi), është një element thjesht shqiptar. Te burimi
e takon Milosao Rinën në poemën e De Radës. Ne kroi takohen e shihen vashazt me
trimat e këngëve lirike dashurore çame. Shamia na kujton përngjasimin me
Otellon e Shekspirit, ngjarjet e të cilit ndodhin në një ishull mesdhetar. Por
“Desdemonës”çame, nuk i vjedhin shaminë, por gjoja i japin një shami xhepi të
zotrisë sqimqtar, për t’a larë në ujin e kroit, e shoqëruar kjo gjoja edhe me disa fjalë, kuptohet që ato
ishin dashurore, bukurilavdëruese dhe që gjasme asaj i pëlqyen! Është ky binom shami-fjalë, në sfondin intim të
kroit, ku të dy askush s’i pa, askush s’i dëgjoi, që e zemërojnë tmerrësisht, i
grryejnë zemrën dhe i errësojnë arsyen “Otellos” çam që e bëjnë të besojë në
tradhëtinë dhe fajësinë e të shoqes dhe nderin e përdhosur prej saj. Arsye e
mjaftueshme e nderit të dhunuar, për një burrë sedërqar, që në pamundësi të
ndëshkimit të kajmekamit pretendues, e prijnë
atë drejt krimit, për të vrarë zonjën e tij, që është vetë pafajësia.
Krimi, krimi në famile
është i vjetër sa njerëzimi. Le të kujtojmë Kainin,djalin e Adamit, që vrau
vëllanë Abelin, apo perënditë e panteonit olimpik që etërit vrasin bijtë dhe
bijtë etërit, kanë ndodhur qëmoti dhe ndodhin sot e kësaj dite, mjafton të
dëgjohet kronika e zezë në lajmet. “Minush
aga qe i pirë vajti në shtëpi/Mori thikën dhe e theri,o gruan e tij.” Fjala
qe i pirë, mund të merret edhe si fajësim por edhe si justifikim. Dehja është
njeri shkak,por nxitja për krimin ishte fyerja intriguese që i lavdroi bukurinë
e së shoqes dhe flirti, gjoja me Resul Agën, pohuar nga vetë ky.
Bëhet natyrshëm pyetja: pse pikërisht rasti i
Minushit u përjetësua nga poeti popullor në këngë, e cila ka të paktën nja
njëqind e ca vjet që i qëndron kohës?
Besoj, se për qytetin e vogël e të qetë, ku të gjithë e njihnin njeri-tjetrin,
kur ndodhi krimi, ishte tronditje e
llahtarshme, rrënqethëse e papritur dhe e pangjarë më parë, ishte siç thonë
çamët, një thiamë. Na lejohet t’a mendojmë, se
zonja e Minushit, përveçse e bukur, e hirshme dhe e nurshme,(një bukuri
çame), ka qenë e respektuar dhe e nderuar nga bashkqytetarët e saj, si zonjë e
virtytshme, me sjellje shembullore, e
pëlqyer, e shkuar dhe e gjindshme. Mbarimi i saj tragjik ka qenë i papritur, i
papërligjur, i pa motivuar, pafajësia e saj ka qenë e pranuar nga të gjithë. La
pas fëmijët jetimë që do të rriteshin pa nënë. Vetë ngjarja, nga mënyra si
ndodhi, është një thirrje për të mos i besuar intrigat dhe se pija e tepërt, e
marros dhe e shpie burrin deri në krim .
Ky është mesazhi i këngës.
Teksti i këngës; kënga e Minushit,me
rrjedhjen e kohës dhe nga ata që e kanë kënduar, ka disa motërzime, besoj të
rrjedhura nga variant i parë, ai çam.
Pendesa; në pjesën e fundit
është pendesa. Minush aga, të nesërmen, kur i del rakia, dhe ndërgjegjësohet se
ç’hata ka bërë, dhe kur nusen e tij e kanë varrosur të tjerët, ndjehet
thellësisht fajtor dhe i penduar dhe vete
te varri. Ja fjalët që i thotë së shoqes: ”Çohu grua, çohu vishu, se
un bëra faj/ Çohu vishu e stolisu, dil
në shoqëri/ të të shohin gjithë bota dhe unë i mjeri”, në një motërzim
tjetër është edhe vargu:”Çou moj grua, çou moj zonjë, se kemi fëmijë!” Minush
aga i penduar kërkon të panatyrshmen, që zonja e tij, si në baladat, të ngrihet
nga varri dhe të kthehet në jetë! Por tashmë është vonë. Pendesa është e
padobishme. Të vdekurit nuk
ringjallen. Ajo mbetet nën dhe, por
thuret dhe këndohet kënga, që e bën të paharrueshme.
Teksti i plotë i këngës jepet në fund të kësaj
eseje.
Kënga; ka karakter
elegjik, këndohet nga një solist. Është e thjeshtë, me shtrirje horizontale,
gati të njëtrajtshme nga vargu në varg, me ulje ngritje në çdo fjalë, por që
kanë të njëjtënritmikë e lartësi tingëllore.Nuk ka refren, por çdo varg
përsëritet dy herë dhe fjalët shqiptohen qart e të theksuara, për të dhënë përjetimin
ideo-emocional, ato janë po aq të rëndësishme sa edhe melodia. Në orkestër
mbizotëron klarineta, e cila nxjer tinguj drithërues e rrënqerhës për të vënë
më mirë në dukje ngjarjen tragjike, që i
kushtohet kënga. Llauta dhe dajrja
mbajnë ritmin, por pa zbehur zërin e solistit. Në ditët tona, vihet re prirja
për t’i dhënë ritëm më të shpejtë, por kjo nuk i shton vlerat dhe nuk i shkon
përshtat toneve elegjike,përkundrazi.
Melodia e Minushit, në jug të vendit dhe aty ku
jetojnë bashkësitë çame, kërcehet në dasma si valle, por edhe si valle e
kënduar. Edhe vallja është e thjeshtë, tre hapa para, dy në vend, tre prapa,dy
në vend e përsëri përpara. Në valle, melodia është diçka me ritëm më të
shpejtuar.
KËNGA E MINUSHIT
Zgjo Minushin,zgjo Birbilin,zgjo Resul aga!
Ishin mbledhur dhe po pinin në një kafene.
-Të bukur grua(nuse) që paske, bre Minush aga!
-Ku e njeh, ku e ke parë që ma mollois?
-E paçë një ditë në krua që po mbushte ujë,
I dhashë shamin e dorës,ajo ma pastroi,
I Thashë nja dy-tri fjalë,ajo mi pranoi!
Minush aga qe i pirë,vajti në shtëpi
Mori thikën dhe e theri, o gruan e tij!
Të nesërmen që i del rakia vajti te varri:
Çohu grua, çohu vishu se kemi fëmijë,
Çohu grua dil nga varri se un bëra faj,
Çohu vishu e stolisu,dil në shoqëri,
Të të shohin gjithë bota dhe unë i mjeri!