Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Poezi e pjekur me Diell Kosove
E diele, 05.05.2013, 04:42 PM
Poezi e pjekur me Diell Kosove
Ende më shastiset kujtimi, për ferrin që binte në këtë qytet/ e hapeshin portat e vdekjes/ çerberët merrnin përkrahu/ ëngjëjt me sytë e urtë qielli/ e lotët e nënave të shkreta/ u shndritnin rrugët për në parajsë/... Nga poezia "Kujtim i shastisur".
Nga Kozeta Zylo
Sot mund të marrësh dhe të japësh dhurata të
ndryshme nga miq dhe shokë, por një dhuratë që ka librin brenda ka dhe pjalmin
shpirtëror. Pastaj është në shijen e
lexuesit apo të kritikës se si e përzgjedh dhe e shijon librin. Eshtë
interesant se ndonjëherë vetë librat kanë tituj me shkronja të flakta dhe ti si
lexues digjesh brenda vargut të poezisë dhe autori bëhet frymë në "Oaze
palmash të djegura", titull simbolik i librit shkruar nga poeti prej
Prishtine z. Sadik Krasniqi.
Si gjithë të larguarit fizikisht nga Mëmëdheu që
mendjen dhe zemrën e kanë lënë atje, ashtu dhe Krasniqi me metaforën e ikanakut
poet, e ka hapur librin me Lutjen e zemëruar, "Ikjes sime" si: Ikjes
sime mos i hidh dhe varri/ që hija e mbetur të mos ketë erë vdekjeje/ në një
çast bëhu drite ylli/ Pena poetike
lëviz në gishtrinj prej fryme dhe jep amanetin e burrit: Se unë nuk kam ikur, une jam atje
përjetësisht në tokën time... Ndërsa ati i tij, endet me shpirt në parajsë, nga
ku e përshëndet me krahët prej mjegulle, ku pallton s'ia merr era do të
shkruajë biri poet për babain e tij të shtrenjtë. Dhimbja e çdo të ikuri nga ajo tokë është e
çarë, e çarë gjaku që nuk mpikset kurrë, ndaj Krasniqit nga etja që ka i çel
një plasë në sy që të shikoj qiellin e Kosovës...
Ç'nur të bukur merr metafora në këto poezi kaq të
ndjera dhe drithëruese për lexuesin!
Poetët janë të ndjeshëm, ose ndoshta e shprehin më shumë me vargun
poetik. Duke lexuar ndalem tek poezia
homazh për mërgimtarin Bashkim Ismaili i cili fatkeqësisht është ndarë nga jeta. Sa dhimbje të tilla mbajmë mbi shpinë, ato
dublohen kur je larg, larg...nëntë male kaptuar... Poezia mbushet me lot burri dhe jep momentin
e fundit të mërgimtarit, të ndjerit Ismaili i cili lutet të jap shpirt në
Kosovë tek nëna e tij, i cili ndjen se:
"do ja mbyllë sytë ajo, me pëllëmbë
ëngjëlli"...
Ndërsa poezia "Kurbetçarët" me theksin
dialektor jep lëvizjen e mërgimtarëve si dallandyshet që shkojnë me pranverë në
sy, nga oaza me palma të djegura, por vajtimi i tyre i ikjes larg i kthen në
qyqe, sepse s'gjejnë askënd çfarë lanë dikur... Askush nuk mund të krijojë aq
bukur sa poeti që ka përjetuar çdo gjë në vendlindjen e tij, këtë kam ndjerë
tek kapitulli "Perde loti", saqë pakuptuar më dukej sikur drita e
shikimit më errej ngase përballë kishja poezitë të veshura me perden e zezë të
pushtimit dhe ja si shkruan poeti: ç'm'u kujtua nata e gjatë pesë shekuj mbi
Kosovë/ me këtë hënë të zezë si hiri i ferrit... Ai mes imagjinatës dhe
reales jep fushën e zezë të dikurshme të Kosoves me krahasime aq të goditura si
fijet e barit me shigjeta me helm... Megjithatë poeti paralajmëron se duhet të
jemi të kujdesshëm edhe pse s'ka më fusha të vdekura me agime të pafrymta,
poeti duket si një dre me sy ëngjëlli, por gjahu i zi mezi pret t' i ngulë
dhëmbët në trupin e brishtë...
Ndërsa në kapitullin me poezi "Kujtim i
shastisur" poeti e ngjall vargun me metafora të mbarsura në stuhi dhe në
memorjen e çdokujt duhet të jenë martirët e Lirisë që ende nuk ju janë gjetur
eshtrat pas luftës së Kosovës. Krasniqi
kujton se: Ata nuk duan të mbeten jashtë Atdheut/ vetëm në baladat me kumt
të zi/ vetë e lava e vetë e kjava/
Por eshtrat e tyre flasin, kanë shpirt, ata kthehen si lule gjaku në
vendlindjen e tyre. Duke lexuar këto
poezi që kanë dhimbje të padurueshme kockash autori të kujton qysh në lashtësi
poemën e Pitagorës në të cilën shkruhet:
“Ndero zotat, ndero të vdekurit, ndero prindërit!”. Këtë frymë tejet njerëzore gjen në të gjitha
poezitë shkruar nga poeti prej Kosove Sadik Krasniqi. Autorit duket sikur i ka mbirë në sy dhimbja,
sa dhe pulëbardhat e Tivarit bien të mekura kudo, nga era e patharë e gjakut,
ato meken dhe bien plasur mbi valë apo shkëmbinj me vela. Ato i ka dhënë figurativisht si plisat e
shqiptarëve të vrarë.
Autori më tej kujton Kodrën e kafkave, një vend që
quhet Goli Otok ku vriteshin dhe persekutoheshin shqiptarët e dënuar
politikë. Ai e ka veshur ishullin me
këmishën e vdekjes djegur dhe përvëluar nga plumbat... Si lexuese herë herë të çon në një botë të
frikshme, në një botë kafkash, ku korbat e zeza enden kufomash dhe ju nxjerrin
sytë të vdekurve... ndërsa bota me
ngjyrë të ndryshkur hesht përballë krimit, por pena e poetit s'hesht aspak, ajo
vë gishtin mbi plagë dhe shëron paksa me metafora malli dritëzuar nga loti i
burrit... Poetit i shastiset në sy kujtimi i zi si bar i hidhur, për ferrin që
endej dikur në këtë qytet. Ai pa nga
afër portat e vdekjes, bebet që i vriste shkjau në bark të nënës, tmerret
pafund të qytetit të tij. Janë vargje që
këdo që i lexon e zënë drithmat, dhe prushi bëhet i zi s'mund t'i ngrohë nëse
krimet nuk dënohen, ndryshe ato paraqesin rrezikshmërinë e përsëritjes...
Me vargje pikëlluese ka dhënë gjëmën e ikjes,
ndarjen dhe pritjen e të dashuruareve, por shpesh ndodh që vashat të thinjen
nga pritja.
Ato e kanë prerë gërshetin e thinjur shkruan poeti
dhe e kanë bërë fjongo të bardhë për jetën e zezë të pabashkuar... Antitezat e përdorura mjeshtërisht e bëjnë dhe më
poetike poezinë e shkruar në këtë libër.
Një poezi interesante është ajo kushtuar bashkëshortes së tij, Burbuqes,
që si lulja e bukur me ngjyrë Vjollce, i çelte në shpirt sythi i dashurisë,
edhe pse poeti nuk e ka gëzuar çdo ditë, ngase në kopshtin e tyre ka pasur
shpeshhere brymë...erë lufte... Megjithatë dashuria i ka bërë si dy
mbretër, i ka bërë të puthen në shi si të marrë, herë duke qeshur, herë duke
qarë...
Një hymn poetik janë dhe poezitë për Nënën. Si lexuese merr një ndjesi të veçantë
gati-gati hyjnore kur biri poet i thur vargje aq të ëmbla dhe të ndjera nënës
së tij të dashur dhe ja si i këndon: Në
mokrën e gjakut/ bluaj grurin e beftë/ u fryj gishtrinjve të përmjellur/ në
qiell fytyrën e nënës shoh/ Në dritaren
me xham të thyer/ gjej një kore të harruar buke si dora e nënës/ e marr në dorë
e puth si ikonën e shenjtë/ e në krah më prek përmallshëm rrembi i ftoit që ajo
ëmbëltoi/... Duke përfunduar, poeti Krasniqi të kujton
shkrimtarin nobelist në vitin 2002 me origjinë hebre Imre Kertész i cili thotë se: "I believe in writing, nothing else; just writing".
Kështu pena në dorën e poetit Krasniqi të ben të kuptosh se ai beson në atë çfarë shkruan, ngase ato janë vetëm përjetimet e tij aq të vërteta dhe plot dhimbje. Autori Krasniqi nëpërmjet librit "Oaze palmash të djegura" është dëshmitar për atë çka kaloi Kosova martire. Ai i ka përjetuar ato me tmerre, ndaj rrëfimet e tij me art poetik jane të domosdoshme. Kujtesa e tij nuk mërgoi bashkë me të ikurit, ajo e ka folenë atje, atje ku u ndërtua qëkur lindi njerëzimi në shtëpinë e Nënë Lokes Kosovë... Poezia e Krasniqit është e ardhur mirë, është një poezi e pjekur me Diell Kosove.