E enjte, 01.05.2025, 03:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Refleksione

E shtune, 04.05.2013, 04:50 PM


Refleksione

 

Nga Kostaq Duka

 

 

Kalendari

 

Mbi kokën e saj të thinjur

kanceri ka ngritur kosën e vdekjes.

Për ditët që i kanë mbetur

ajo ka tjetër kalendar.

 

E megjithatë

sytë i mban tërë kohën në ekran

me botën flet, qesh e qan.

 

Pyetjes rutinë të mjekut: A je mirë?

I’u përgjigj: Jo keq,

por botë e tërë është turbullirë

mos ndoshta edhe ajo po ndryshon kalendar?!

 

 

Mes vetes

 

Përmbytje,

zjarre,

tërmete.

Edhe pse jemi pjesë e natyrës

me egërsitë e saj na duhet të luftojmë….

 

Kur këtë luftë

e shohim të pashmangëshme

si mund mes vetes

te tjera luftra të krijojmë?!

 

 

Ëndrra e ligë

 

Qyteti i erës-Chicago

24 orë nën pushtimin e egër te ujit.

Humbën trajtat autostradat,

sheshet, trotuaret.

Uji u bë zot në katet e para të shtëpive.

Në ekranet televizive kryetemë: zbutja e egërsisë së nënës-natyrë.

 

Së fundi

uji i bindur mori rrjedhë në kanalet masivë

Shtëpitë ndjenë lehtësimin e mushkërive.

Jeta rifilloi normalisht

Edhe pse sytë ishin të lodhur

Si nga një ëndërr tmerrësisht e ligë.

 

 

Kërkesa e parë

 

Kur Chicagos

Arteriet iu mbushën me ujë,

nëpër ëndrra flokethinjura shekullore

takohej me fëmininë.

 

Kur dita hapi dritaret

Receptorin ngriti:

Nuse mos harro!

Sot është dita të më çosh në sallonin e bukurisë!

 

 

Rozë

 

Disku i hënës u bë rozë.

Në xhiron e mbrëmjes

xhaketat njerëzit i varën në degët e pemëve

ku lëvizte lëngu i pranverës.

 

Disku i hënës u bë rozë.

Të nesërmen

buzëqeshën pafajësisht

lulet e porsambjella.

 

 

Parku

 

Këtë park

me blerimin e të cilit shkëmbej shikime

nga mëngjesi në mbrëmje

ca zyrtarë duan ta kthejnë në treg të madh.

 

Duan

Por synimit të egër banorët përreth i vunë gardh.

 

Ditë me ditë

shkel rrugicave të tij

si për të lënë të fundmet gjurmë

ose të parat

në rilindje të pranverës

pas një dimri të mbrapshtë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx