E enjte, 01.05.2025, 11:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Kosova - Djep i shqiptarizmës

E enjte, 02.05.2013, 05:59 PM


KOSOVA – DJEP I SHQIPTARIZMËS E FIRMAMENTI I PËRGJAKUR I SHQIPTARËVE NDËR SHEKUJ

Nga Xhemail Peci

Ecën kalvarit të përgjakur të historisë populli me moshën e plisave të dheut.  Shi gjaku mbi Tokën dhe Kombin e Kastriotit. Ajkuna e Omerit vaj e kujë, britmat me klithma dhe lebeti. Psherëtima lulevirgjëra krahërorëve me qëndisma nëntorësh. Zë i Kombit në vesh të Zotit. Përgjakur lulekuqet Fushës së Kosovës. Orgjitë e egra me ikonat mesjetare. Barbarët e Ballkanit. Hijenat dhe vampirët e fundit në tokat tona të lara me gjak.. Foshnjet ua therrin e lehonave u kallin tmerrin. I rjepin për së gjalli e sytë e fëmijëve përpara nënave ua nxjerrin. Lot dhe vaj Kosova. Gjamë me gjak Kosova. E nëpër shekujt bajonetat mbi djepa, përmbi vjazat që s’í lanë të bëheshin kurrë nuse, përmbi nuset që s’i lanë të bëheshin kurrë nëna. Kosova në Shtratin e Prokursit. Plojë Gjaku Kosova. Kosova – Poema Epike e Përgjakur e Shqipërisë. Jerina – Mbretëresha e Luleve: la në gjak Kosova. Në zjarr e në hekur, në lak e në gjak, rrethuar me gjarpërinj, me nëperka, hijena dhe sprija. Në Një Cep të Ilirisë së Moçme, Kosova e Mitrush Kutelëve. Kosova kreu i shqiponjës e gjakun rrëke ndër shekujt. Rrethuar me topa dhe me tanke Kosova, me krrokama korbash rrethuar Kosova. Shkëndijë e Diellit Ndaj Manushaqes – Kosova. E rrufetë e lëshojnë një za prej qielli siç lëshojnë za dhe plisat e përgjakur e bucat e buta të dheut Iliro-Dardan, përshkue me rreze të Diellit: britë e trupit jatagana. Thurë gërshetë me tirq galana, epika e gjallë e Fatime Sokolit. I thërret vëllai vëllaut e mali malit, e koha e shprushë kujtesën vargjeve të Hil Mosit: Ah Shqypni mos thuej mbarova,/ se djemtë tu ende janë gjallë,/ n’kambë asht çue e rreptë Kosova,/ e ban luftën o more ballë për ballë…Dardanët dhe dushanët. Nata serbe. Dita Dardane. I thërret Korabi Sharrit e Drini i Bardhë i thërret Drinit të Zi. Ora e Kombit rri me gjak të ngrirë. Jo, nuk është Gjergji. As Hija e Tij tek e priste Vojsava-Një Zonjë Bujare ulur mbi një polthronë veneciane, në një nga perlat e oratorisë së Fan Nolit, nuk është. Është gjysma e kombit mbështetur kokën në Gjirin e Shenjtë të Shqipërisë Mëmë. Lotët çurg e gjaku lum. I prêt Shqipëria siç prêt Vatra dhe Besa e Shekujve. Besa e Shenjtë e Konstantinit të Vogël dhënë së Motrës. E Baba Tomori këndon në vaj Këngën e Mëmëdheut, Këngën e të gjitha Këngëve, në flakë, në gjak, në strall, në zjarr. Këndon bashkë me Andon Zako Çajupin: Shqiptar, mos rri, po duku, shqiptar! Ekzod biblik. Populli i lashtë sa Gjuha e Gjakut. Sa Gjuha e Gjon Buzukut. Sa Gjuha e Konstantin Nelko Kristoforidhit, e Naum Panajot Bredhit-Veqilharxhit. Se me Gjuhën e Gjakut të Gjergjit gjithmonë po folur ka Shqipëria, Kokën tek Flamuri e Ballët tek Liria. Sepse jemi palca e kombeve të Ballkanit, Thimi Mitkua ì shkruante Visar Dodanit. E Jeronim De Radës i shkruante Elena Gjika: “Të mos vdesim pa e parë të valojë i Lirë mbi Kështjellë të Rozafatit, Flamuri i Shenjtë i Skëndërbeut”. NGREJU. Zëron Kushtrimi i Petro Nini Luarasit: Shqiponja e Gjuhës Shqipe hapë flatrat qiellit të përgjakur me vetëtima dhe rrufe: “NGREJU. Dhe rrëfeju ç’është gjak i Shqipërisë/ me armikun tend mbërtheju/dhe rrëfeja gjithësisë./Arbëri moj shpatë e zhveshur,/që kur të njeh historia,/ dufekun e mbanë mbi supe,/ në gjak të mbiu liria.

Me lot gjaku shtrëngon dhembjet Shqipëria. Duart dhe pëllëmbët e duarve shtrëngon. Nëpër shekuj e larë me gjak. Në zjarr dhe në hekur, në stuhi e në tufane, në shqota e në suferina, nëpër shekuj përgjakur. Fusatanella e Ilirisë Shqipëri. Bie shi në pëllëmbët e duarve tua. Jo. Nuk është shi! Janë lotët e Kombit, e Shtrenjta Ti, e Shenjta Ti, e Urta, e Mira, Nënlokja, Trimja, Zemërbardha, Kosovarja Ti Shqipëri. Bie shi. Gjak dhe shi. Shi i qielli tënd Shqipëri. Kosova – Koka Kryengritëse e dheut tënd Shqipëri. Kosova – firmamenti i përgjakur i shqiptarëve ndër shekuj. Kosova - poema e përgjakur e kujtimeve të hakërruara brezave dhe gjeneratave. Kosova – Poema Epike e Shqipërisë. Zemërthirrjet e Kombit - Kosova. Kosova - qielli i përgjakur shqiptar, qielli me shkaba.

Zonjë e syve tu Kosova.

Bilbil i vendeve të mia more Naim Shqipëria: Lum kush të rronjë të ta shohë Zonjë…

Mbi Prishtinë bie shi. Kosova shi gjaku. Kujë. Dhembje. Lebeti. Ankth dhe Shpresë. Ofshamat e gjakut dhe thirrjet e shpirtit. Dridhjet e zemrës në lemeri prej krimeve makabër, dhe malli i syve që përvëlon si zjarr. A s’qe prapë krrokama e korbave të Karpateve: Rrezikzi kush lind shqiptar!? E Orakulli ì Dodonës në Kala të Rozafatit falë një profeci. Një dorë i kërkon Argjiros dhe tjetrën ì kërkon prapë Vojsavës. Rozafa i mëkon sërish me qumësht të bijtë e Shqipërisë. I tundë Djepat. E Diell i mëngjesit mbi Malin e Taraboshit i hapë prap sytë. E Baba Tomorri Mal i Uruar, shqiptarëve u kërkon sërishmi Ballët si Diell. Mençurinë Një me Trimërinë. Valët e Adriatikut përplasen mbi gjunjtë e Shqipërisë si në gjunjtë e vet Rozafës. Dritë-hijet bien mbi Shqipëri. Tragjedia e Kosovës dhe Tragjeditë e Otrantos! E Shqipëria ecën këmbëzbathur, këmbëpërgjakur. Vala-valës, gjuhët e detit dallgëshumë sulen për të satën herë mbi kurmin e saj të cfilitur, të rrahur nga luftërat dhe nga egërsia e shekujve, nga shqotat dhe nga suferinat, nga gjama dhe nga gjaku, nga cohët e gjelbërta të kancelarive të ambasadorëve të thinjur asambleve të padrejtësive.

Bajonetat serbe në kapilarët e gjakut tënd bien me egërsi, e tutje tëhu, syve tu të bukur me ëndrra lirie e me zemër Ilirie: Ngulen. Sulen poreve tua, qelizave tua prej kombi, thikat prekun ashtin, e laku e shtrëngon kurmin, fytin. Netët e neronëve dhe netët me shi. Ditët me gjak dhe Dielli me gjak, e Gjaku me Diell. Ditët dhe netët. Ardhacakët e Stepave të Uralit me etjen e ulkonjës, pinë gjakun e shqiptarëve e sytë, si korbat vet, duan t’ia nxjerrin Shqipëri shqiponjës…

Nuk është vetëm Vjeshtë e Tretë e Vitit 1912. Kalorësit e Lirisë në Shtigje Vlore e palcës së Ilirisë: Trualli i shqipes djep vullkani. Kolonat e kosovarëve ecin dhe rendin. Pikon gjak e pikon shi. Në këtë fundshekull prapë një kalvar i ri. Sërish Parzmore e Evropës. Parzmore e Gjergjit kundër aziatikut e Korbave të Karpateve. Parzmore. Mos me i lëshue trojet pa gjak e gjurmë gjaku në ecjet me këmbë të zbathura, grirë nga thikat, grirë nga bajonetat, grirë nga uria, nga të ftohtit, nga tmerri. Ngrirë krushqit e lirisë, truallit të përgjakur të Ilirisë, Dheut të Arbërit Nuse Malesh.

E Toka si gjakun, Lotët t’i pi. Ylberët e qiellit tënd, gjak dhe shi Shqipëri. E në bebëzat e syve, lentat e ylberëve me rrezet diellore. Në kalvarin e gjatë të historisë së Ballkanit, përgjakur farë dhe palcë e Ilirisë e trupi i dardanit sfidë nëpër shekujt se kurrë s’iu shtrua barbarit, një thirje për Zë Perëndie e qëndresë të shqiptarit. Ecin kosovarët, në truallin e shqipes djep vullkani, ecin dhe rendin kosovarët, farë nga fara e hithrave, farë nga fare e plumbave, farë nga fara e shqipeve. Ecin dhe rendin kosovarët, në truallin e shqipes me palcë baroti, e gryka e pushkëve të Shaban Polluzhës e të Adem Jasharëve, si Rrufe prej Zotit…

Dhe u thanë të bijve ta pinin gjakun e babait dhe të atit i thanë ta pinte gjakun e të bijve. E me thika dhe bajoneta çanë barkun e grave lehona, si gjenerali grek Napoleon Zerva gratë çame, e me zinxhirët e tankeve këputën në dysh kurmet e shqiptarit, dhe kafkat i çanë e i varën në degët e pemëve – sa herë që të vinin pranverat të dukeshin “trofetë” e luftës së tyre…

I thërret Korabi Sharrit e Drini i Bardhë i thërret me Za Gjaku Drinit të Zi. Është Zemërthirrja e Shqiponjës së Gjuhës Shqipe, Petro Nini Luarasit: “Edhe njqind herë po të bihemi, të njëqind e njëtën herë duhet prapë të ngritemi”. Është Zëthirrja e Luigj Gurakuqit: “Ndër kundërshtime s’duhet me u ligështue, mjer ai që s’mundet me qëndrue”. Është Kënga e Hil Mosit: “E në qoftë mendon kush se për ne ma gja nuk mbet,/ vjen prapë pranvera e shqiptarët n’mal i qet”.

E sonte, shpirtrat e të rënve i mbështjellin retë e tua me shi, se toka u la prapë me gjak. Kokat tek ti e kurmet tek i shenjti prag. Sonte na merr në prehrin tënd, sonte na merr në gji, se toka u la prap me gjak. Kokat tek ti e kurmet tek i shenjti prag. Sonte na merr në prehërin tënd, sonte na merr në gji, siç merr fëmijën nëna, se nesër, nesër vallë cila Perëndi na ndien në mos TI: SHQIPËRI…



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx