E enjte, 01.05.2025, 11:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Gjakim epiko-lirik

E hene, 29.04.2013, 09:11 PM


GJAKIM EPIKO-LIRIK

 

Nga Libri me Ese: “E Shkruar me Shpirt të Shqipërisë”

 

Nga Xhemail Peci

 

Imazh a prelud?

Këngë mjellme!

Ëngjuj apo hije?

Dëftim a vërtetësi?

Gjakim apo imagjinatë?

 

Në ligjërimin shqip e në këngëtimet e gjakut, nga thëllimet e shekujve me netë vetëtimash e me vite nëntorësh, përflakur dhe përgjakur fletëve të meshareve me gjakun e shqiptarëve, zërat e zemrave flasin dhe përflasin me zërat e gjakut.

 

Është Poeti i Madh i Shqipërisë, Jeronim De Rada, mendja e ndritur dhe shpirti i bardhë i Shqipërisë së rilindur, shfaqur në qiellin e atdheut me sy shkabash. Sy shqiponjash në fytyrën e tij të përndritur e me shpirtin e përgjëruar Shqipërisë Mëmë. Ai shfaqet si një vegim i madh i Motit të Madh, në një kohë kur prej vitesh dhe motesh sikur kanë heshtur muzat në letrat shqipe.

 

Kanë heshtur apo i kanë vrarë?!...

 

Naimi i Frashëllinjve thërret: O Lamartin, kërkoj hiret nga ti!

 

Shkodrani i mençur e shqiptari i madh, Poeti ì Pushkëve të Bardha Pashko Vasa, do ta shquajë edhe më prirjen e muzave, dhuntinë e rrallë të natyrës së Shqipërisë, në hymnizimin e së cilës çdo shqiptar është poet. Më shumë se kaq ai do të lëshonte kushtrimin sipas të cilit: “Urdhërat e ndërgjegjës kombëtare duhet të na vijnë për krerë dhe të na gjejnë për ushtarë”.

 

Jeronim De Rada do t’i dërgojë Lamartinit poemën “Këngë të Milosaos – bir i sundimtarit të Shkodrës”, në kohën kur siç shkruante De Rada “Lamartini ishte në kulmin e karrierës së tij të shkëlqyer dhe të adhuruar”, dhe i cili kishte ardhur për shërim në banjat e Iskias në Itali.

 

Poeti francez do t’i përgjigjej poetit shqiptar:

 

“Jam i lumtur për këtë dëshmi vëllazërie poetike dhe politike mes jush dhe meje. Poezia ka ardhur prej brigjeve tuaja dhe atje duhet të kthehet. Unë s’kam të tjera merita përpos se kam parandjerë dhe se kam shprehur dëshirat e para për lirinë dhe për ringjalljen e Shqipërisë. Ju më shpërblyet për së tepërmi. Më vjen keq për shkakun që nuk mund t’ju shoh dhe ju lutem të pranoni falemnderimet e mia dhe përgëzimet e mia”.

 

Jeronim De Rada, kjo figurë e ndritur e Dheut të Arbërit, hidhte vështrimet kah deti…

 

Arbëria matanë detit na kujton…Është zëri i zemrës së poetit tjetër, Zef Serembe.

 

Sa shumë e ka goditur furtuna e fatit të pafat, poetin e madh e këngëtarin e rrembave të hollë të dashurisë, dhe jo më pak: Atdheun e tij të dashur dhe të shtrenjtë.

 

Sheh Shqipërinë e përgjakur, asht e lëkurë, cfilitur e rraskapitur në netët vrastare.

 

Artin e kishin bërë krim dhe krimin art!

 

Ashtu siç do të thoshte shkrimtari francez Ajnri Bel Stendal: “Kush është i sinqertë këtu, ka mbaruar”!

Shqipëria në zemër ndiente dhembje. Në shpirt therrje.

E një lpe, një mjergull e hollë ngritet mbi ballë të atdheut:

Dy Tomorë ballet si dielli.

O moj E Bukura Arbëri, shikojmë nga larg, mendojmë për ty…

Moj manushqe me duart petale !

O e Peomave të Naimit del nga gjokset e del nga zemrat: TI SHQIPËRI…

Aurora çohet mbi Shqipëri.

Toka e rimave të gjakut.

Pikon gjak e pikon shi.

Si simfonia e trishtë e Ludvig Van Bethovenit.

Rigon gjak e rigon shi.

E ashtu si hija e Virgjilit, edhe hija e De Radës, nuk i ndalë rrezet e Diellit.

Në Republikën e Letrave Shqipe ndjehet një za i thekshëm malli me tone tragjike:

 

 

 

Dëshmitare, ty të thërras,

o e tepruemja duresë shqiptare,

ti që vuen pa za,

e bren pa ndie, e kjan pa ankim,

e therr pa vra…

 

 

Nuk është Ajkuna e Omerit në Këngët e Kreshnikëve a në Bjeshkët e Nemuna:

 

Nuk mundem me besue se i asht tha trungu e trishkujt kanë mbetë të njomë. Prandaj ju zana t’Rumis, të Vermoshit, të Sharrit e të Tomorrit me ëngjuj të bjeshkës, me shtojzovalle të hijeve, me motra të fushës, të detit e të lumenjve e me thoperka të shpellave, fluturoni këtu rreth meje e në mbani në mend gja për Shqypni t’uej, m’i thoni në vesh nji mbas nji…

 

Një nga zërat e zemrës së Shqipërisë: Ndre Zadeja.

Firmamenti i përgjakur i shqiptarëve ndër shekuj: Shqipëria, Kosova, Çamëria.

Ëndrra dhe Kënga.

Zërat e zemrave dhe sfidat e përgjakura mbi këngët me zana dhe shtojzovalle.

O e Poemave të Naimit: O malet e Shqipërisë, e O e Poemës së Pashko Vasës: O moj Shqypni!

O e vargjeve të Fan Nolit: O Flamur gjak, o Flamur shkabë, e zëri i zemrës së Gjergj Fishtës:

 

Deri sa t’muj me ligjërue,

e der sa gjallë me frym un jam,

kurrë Shqypni s’kam me t’harrue,

edhe n’vorr me t’përmend kam.

 

Nuk është aluzion.

 

Jo!

 

Është imagjinata në përcëllim të realitetit, të vërtetësisë së rrjedhës së ngjarjeve.

 

Ashtu siç takon Dante Aligeri Virgjilin në Komedinë e tij Hyjnore, në sheti dhe në shoqëri me te, ashtu edhe Milosao takon Plakun Balë, e bëjnë sheti në Parnasin shqiptar.

 

Shohin dhe njohin Shpirtrat e Shqipërisë:

 

Jeronim De Rada e Gavril Dara i Riu, Zef Serembe e Françisk Anton Santori, Nik Peta e Pal Golemi, Serafina Topia e Bozdar Stresi, Vida Arianiti e Bija e Lalës, Më të Bukurës në Strigari e Zef Serembes e Vashë Nazemadhe e me të Ecur të Këndshëm e Naim Frashërit, Bardha e Temalit e Vaso Pashë Shkodranit, Evgjenia e Andon Zako Çajupit e Vizitat e Zonjës Ana X. në Kullën e Lasgush Poradecit, Jerina a Mbretëresha e Luleve e Gjergj Fishtës e Vita e Lumit të Vdekur të Jakov Xoxës, Tanusha e Sokol Halilit dhe zanat e shtojzovallet e Ciklit të Kreshnikëve e të Visareve të Kombit…

 

De Rada pagëzon e Milosao këndon.

 

Ashtu siç ka kënduar dhe ashtu siç ka përjetësuar Dante Beiçen e tij, ashtu si Françesko Petrarka Laurën e tij, ashtu si Naim Frashëri Manushaqen e tij të dashur, ashtu si Luigj Gurakuqi Zogëzen Kryezezë, ashtu siç pagëzojnë më në fund arbëreshët një foshnje që sapo lind : duke e kthyer kah dielli, kah Arbëria matanë detit…

 

Pagëzon siç pagëzon Fan Noli: PËRLINDJA SHPIRTIN DHE FUQINË !

Pagëzimi si metaforë.

Një Këngë e Re. Një Ditë e Re. Një Shpresë e Re.

Edha pasi që ia kishin vrarë zanat dhe shtojzovallet në Republikën e Letrave Shqipe.

Milosao kërkonte një mjellmë, e gjente një ëngjull.

Ashtu si në mitologjinë shqiptare ëndja ia thoshte ta quajnte zanë.

Shpirti ia do dhe ia thotë ta quajë shtojzovalle.

Ashtu si në vjershërinë fishtjane.

Si Tanusha e Rapsodit të Dukagjinit: Shtegu i ballit si shtegu i malit…

Siç e thotë dhe vetë Fishta: “Prandaj, mund të jetë ndoshta, se Laura e Petrakës është një Venus mbru n’shkume të detit, por sigurisht se Tanusha e raposdit të Dukagjinit asht e bardha ajo Athenaja, shpërthye e armatisne prej rrashtit të Zeusit Rrufeflakërues :

Syni i saj si syni i zanës,

balli i saj si balli i hanës,

shtati i saj si hala n’bjeshkë”.

Një Këngë e Re që mëton të përkon mes realitetit dhe imagjinatës si një rastësi.

Përgjakur dhe përflakur fletëve të meshareve me gjakun e shqiptarëve.

Zëra dhe Zemra.

Zef Serembe-parathënia e këngëtarit finok, Lasgush Poradecit.

 

Parathëniet e përgjakura në sfidat e mëdha të kohëve të egra, mizore: Vinçenc Prendushi e At Anton Arapi, Ndre Zadeja e Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli e Lame Kodra, Petro Marko e Bilall Xhaferi…

 

Duke vrarë mendjen e Shqipërisë pandehnin se e vrisnin ashtu dhe zemrën e Shqipërisë!

 

E në Republikën e Letrave Shqipe, heshtur e pastaj zëshëm, shumë zëshëm çante vitet dhe kohërat në memorjen e kombit, Zemërthirrja e Fan Stelian Nolit:

 

PËRLINDJA SHPIRTIN DHE FUQINË !...

 

E ashtu si Hija e Virgjilit, as Hija e De Radës nuk ì ndalë rrezet e Diellit.

De Rada.

 

Një Zë nga Zërat e Shpirtit të Shqipërisë.

 

Shtojzovallja Shqipëri.

 

Ajo që e shkroi Viktor Ygo, Një Zemër Nën Një Gur:

 

“Shpirti i lartë dhe i dlirë, i paarritshëm nga pasionet dhe emocionet vulgare, që çohet mbi retë dhe terret e kësaj bote, mbi marrëzitë dhe gënjeshtrat, mëritë, kotësitë dhe mjerimet, banon në kaltërsinë e qiellit dhe nuk ndien më gjë tjetër veçse tronditjet e thella dhe të nëndheshme të fatit, ashtu siç ndiejnë dhe majat e maleve tërmetet”.

 

Imazh a prelud?

Këngë Mjellme!

Ëngjuj apo Hije?

Dëftim apo realitet?

Gjakim apo Imagjinatë?

 

“Trashëgimia e pelerinatave të gjakut” siç e shkroi Lasgushi, apo frymëzim i ri i shekullit të ri:

 

Zemrat Shqipëri!



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx