Kulturë
Qazim Shehu: Syri tjetër
E hene, 29.04.2013, 08:00 PM
SYRI
TJETËR
Redaktori
i vetëquajtur si eksperti i kritikës po punonte në kompjutër duke hedhur
ngathtësisht gishtat e zverdhura nga nikotina. Ai përgatiste numrin e ri të revistës
letrare”Pegasi Vegimtar”,të cilën ,që në nisje, e kishte pagëzuar po vetë,pas
një debati të ashpër me shumë letrarë të cilët kishin sjellë variantet e
tyre.Botuesi një burrë i shkurtër buçkaman,sojli nga paraqitja dhe i
përqëndruar siç rrinte gjithnjë,po rrinte në këmbë pas shpinës së
tij.Ngathtësia e gishtave të redaktorit i cingëriste nervat.Botuesi i tha se
duhej ta ndërpriste punën e nisur dhe të shihte një material të
rëndësishëm.Ishte një shkrim për Fishtën dhe redaktori filloi së pari të vinte
presjet.Nuk kishte emër autori.Ndjente se po lodhej.Ai mbështeti supet mbi
shpinoren e karrikes dhe po vështronte i përqëndruar kompjuterin.
-Hë,si të
duket,pyeti botuesi,
-Lere,
njerëzit janë çmendur,shkruajnë si t`u vijë për mbarë dhe kujtojnë se kanë
kapur majat,por arti, siç ka thënë Gorki,
është një rrugë e shtruar me xhama ku duhet të ecësh këmbëzbathur…Ky
shkrim ka gabime gjuhësore të tmerrshme dhe s`thotë gjë.Shiko si thotë:Fishta
ky yll i nacionalizmit paraqet luftën e malësorit shqiptar për liri…Fishta
është frymëzues i nacionalizmit shqiptar, po ky apelacion përdoret më tepër në
poezitë e dashurisë.Vazhdojmë më poshtë se paska xhevahire.Artikullshkruesi
thotë:Ndonëse Fishta ka thënë se s`jam më shqiptar,ai mbetet shqiptari më i
madh.Ky kalemxhi mjeran nuk e di se Fishta këto fjalë i vë në gojën e një
pseudopatrioti tek vjersha Memoforzis.Guxim i madh është të krahasosh Fishtën
me Njegoshin, poetin malazes,sidomos kur nuk di asgjë rreth të dyve.Njoh shumë
prej tyre ,të cilët kapin një shkrimtar të traditës dhe mundohen tu mbushin
mendjen lexuesve se ai është shkrimtari më i madh,se nuk kanë këllqe të
argumentojnë,pse ai duhet të jetë më i madhi.-
-Mirë,shihe
edhe një herë ,tha botuesi ,i cili ishte skuqur, po redaktori nuk e shihte.
-Kush e
ka shkruar?-pyeti redaktori.
-Ta zëmë
,veri emrin tim,bëri lojë botuesi.
-Ju…Pra,
juve ua ka shkruar dikush dhe doni të vini emrin tuaj?
-Jo, e
kam shkruar vetë , dhe kur shkruaj unë ,shkruaj, vetëm se nuk kam kohë,se më
duhet të merrem me fatura ,transferta, ndryshe nga dalin honoraret për ty.
Botuesi doli jashtë për të folur në telefon me një botues tjetër i cili
drejtonte një shtypshkronjë me një emër dashnoreje.Pas pak ai u kthye.Fjalën e
mori redaktori.
-E pashë
shkrimin,tha ai,dhe pas rregullimit që i bëra, fitoi një strukturë dhe
arkitekturë solide,ju shkruani shumë bukur kur thoni se Fishta ashtu si Anteu i
mbajti këmët në trollin e vet.Po kështu saktësisht ju thoni se koha artistike
dhe koha reale tek Fishta shkrihen në një.
-Më parë
koha reale,pastaj koha artistike, mërmëriti botuesi i cili ndoshta s`ishte i
sigurtë për këtë.
-Po, keni
të drejtë, vazhdojmë:Ju keni të drejtë kur thoni se floririn sado ta hedhësh në
baltë ai prapë flori mbetet.S`e ka thënë kush këtë.Si qëmtues i hollë ju
zhbironi përmes vargjeve psikologjinë trimërore, tradicionalisht epike, të
malësorit tonë .Po kështu, kur thoni se Fishta me fjalën e tij ngrohu çdo
grimcë të dheut arbëror,ju gjeneroni ide të reja ,të cilat nuk u shkojnë në
mendje as profesorëve të currufjepsur të Akademisë…
Botuesi po shikonte me vëmendje, i kthyer pak anash, se redaktori njërin sy e mbante jashtë tastierës së kompjuterit.Ai për herë të parë vuri re se redaktori ishte vëngërosh,dhe ndonëse u ngroh nga fjalët lavdëruese, ndjeu dhe kuptoi tek ky njeri se e keqja qëndronte më thellë…