E enjte, 01.05.2025, 07:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Ali M. Lajçi - ''Këmisha e diellit''

E marte, 30.04.2013, 07:45 PM


(Rilexime me shkas – këndvështrime)

POET ME PRIRJE POETIKE TË THADRUAR

/Ali M. Lajçi, Këmisha e diellit, poezi, Vatra, Prishtinë, 2007, 89 faqe tekst libror./

NGA PROF. SKËNDER R. HOXHA

Pas përmbledhjes me poezi për të rritur “Mashtrimet e shevarit” (1996) dhe dy të tjerave me poezi për fëmijë: “Dhelpra flet me bisht” (2000) dhe  Pranvera ma fali një vetull (2006­), poeti Ali M. Lajçi në vitin 2007 para lexuesve vjen me përmbledhjen poetike për të rritur “Këmisha e diellit”, që, njëherit, është libri i katërt i këtij autori.

Njëri nga ata krijues për të cilët kam përshtypjen se nuk nguten në shkrime e në botime është edhe Ali M. Lajçi. Them kështu duke u nisur nga fakti se këtë poet e kemi lexuar nëpër faqe gazetash e revistash që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar dhe se shkrimet e Aliut, në poezi e në prozë, kanë reflektuar rrezatime të një krijuesi të talentuar që premtonte penë të lindur serioze, veçmas në të shkruarit e poezisë për të rritur dhe poezisë për fëmijë.

Gjatë këtyre decenieve, rreth katra sosh, poeti rugovas veçsa shkoi duke e përsosur artin e të shkruarit, artin e vargëzimit, varg i cili për shumëçka dallon nga vargu i krijuesve letrarë të brezit të tij.

Se Ali M. Lajçi kohë pas kohe artikuloi prirjet e tij poetike dhe thadroi vargun e tij, bile do të thoja edhe se është në rrugë të mirë të krijimit të sistemit të tij poetik, na bëhet krah edhe përmbledhja e tij me poezi “Këmisha e diellit” që e kemi në shqyrtim.

Libri në fjalë ka si prelud poezinë “Qershi e tim et”, ndërsa lënda poetike është strukturuar në katër qerthuj: Mëkatet më frikësojnë, Pse nuk plaket metafora, Me lirikë në kraharor, Lutje për katarzë.

1. Fosilet që dëshmojnë

Qe në poezitë e para të kësaj përmbledhjeje vërehen fshehtësitë e figuracionit, ku idetë dhe intuita poetike ngacmojnë frymëzimin për të gjetur fosilet që dëshmojnë për lashtësinë e popullit të tij, në truallin e tij: “Mihësit në oborrin tim të trashëguar/ Gjetën një fosil historie, si trofe”/, (f.11.) . Aftësia imagjinative lëshohet në vëzhgime të thella dhe bëhen një me intuitën. Janë këto komponente, përkatësisht forma estetike që vijëzojnë brendinë e fenomeneve. Ato fenomene mëtojnë rrugëtimin e gjatë nëpër kohë dhe “Udhëkryqeve të mëdha Shtegtarët e molisur/ Pushojnë mes peizazhe nate e drunjve me hënë”, (f. 13), ndërsa për këtë: “Loti i Albanikës rrjedh ndër borzilokun e kullave”, (Po aty.).

Poeti mëton që përmes vargut të komunikojë me lashtësinë dhe me të tashmen, me vendin, me njerëzit dhe historinë e tyre, me gjeografinë e tyre, me fenomenet e dukuritë e çuditshme e të shëmtuara, e këto të fundit edhe i stigmatizon: “Në hartë gjakun skicuar/ Ndër mote të brymta” (f. 29) dhe se: “Evropa kruan flokun e thinjur” (f. 31).

Krimet që ndodhën në historinë e vonshme dhe në atë më të re në popullin e tij, autori i poetizon kronologjikisht në shtatë këngët e vjershës me titull “Tivari” (f. 52 – 59.), duke bërë lidhjen analogjike të Masakrës  së Tivarit me atë të Dubravës. Kësisoji, poeti bën përpjekjet që t’i artikulojë frymëzimet, prokupimet, thellësinë e mendimit të tij, për tematikat e caktuara.

Ajo thellësi e mendimit, ajo logjikë e vrojtimit poetik të Lajçit, është referncë për njeriun e kësaj toke, për njeriun e vuajtjeve dhe sakrificës, për popullin e tij që gjatë historisë ishte pre e gjenocideve, si dhe në zgripe të shfarosjes, ku me gjakun e tyre u skuq edhe deti dhe u lanë edhe kodrat e Tivarit: “Kodrat e Tivarit i bënë bojëgjake/ Në det notonin dosjet e krimit/ (…) Dhe plisat e bardhë boshatisur/ Not mbi ujin e detit në Tivar  (vj. “Tivari”, f. 56 - 57.).

Ndonjë poezi në këtë përmbledhje, për shtresën e lexuesve të painformuar, duken të pakuptueshme, që të mos themi edhe hermetike, mbase për shkak të brendisë së figurshme që përdor poeti?.Ato, kam idenë se vetëm pjesërisht mund të komunikojnë me lexuesin!?

2. Figura dhe interteksti

Megjithatë, poezitë e Ali M. Lajçit duhet të lexohen e të kuptohen si poezi që i flasin njeriut, ndaj edhe janë tërheqëse dhe kanë përkime poetiko - retorike të modernitetit, sepse kjo poezi është një ligjërim me figura, i frymëzuar mbi njeriun dhe jetën. Simbolika në to është e theksuar dhe vargut i jep kolorite estetike. Figurat e kësaj poezie janë figura që mund të nxisin asociacione përmes nocioneve të ndryshme që është një nga modelet e poezisë moderne: “Gjurmë ecejake shteruan shpirtin nëpër shkrola e vargje/ (…) Dhe lutje për qiellin pa re e do  shpendi bari e gjethi/ (f. 46).

Farefisnia e poetit me gjakun e të parëve, heronj, ngreh lart emocionin e figurës dhe e bën atë figurë artistike: “Zë i Ali Ibrës nga dheu jehoi n’çdo kodër!” (f. 35); “Gjak në rrjedhë t’plagëve të Mic Sokolit/, apo: Gjak prej dejve t’gjakut Skënderbeut/ U nisën andej kah teatri Galtina ku luhej” (f. 49).…  Ndërkaq, në intertekstin poetik nuk hetohet indiferenca e poetit me dukurinë, por, aty reflektohet bashkëjetimi me ato subjekte a objekte, fenomene a dukuri për të cilat vargëzon: “Rrëfime për lashtësinë/ Mësova në shfletimin e faqeve të historisë (f. 85), si dhe ardhja e ditëve të mira: “Erdhi  një shpend tjetër/ Dhe ia filloi këngës/ (…) Ai erdhi si shiu i kërkuar/ Për t’u ndalur breshëri/ Në kopshtin e mbushur pikëllim” (f. 86).

Guri ka përmasa të shpeshta në përdorim poetik, është simbol i durimit dhe i qëndresës, Lajçi e përdor për t’i dhënë vargut fuqinë poetike dhe semantike: “ Si të zemrës gurit” (f.15); “E mbërritë goditjen, huq mos u shkoftë guri”; “E gjurmët e thella i lag djersa për rrënjën e gurit”(f. 22); “Gurët e zverdhur të varreve strallojnë krenarie” (f. 24), etj.

3. Meditimi kreativ

Me këtë poezi Ali M. Lajçi  sikur bën një lloj observimi për të kaluarën, e herë – herë edhe një dialog të tij me njeriun e këtij nënqielli. Në dialogim autori përpiqet të jepë dramacitetin e brendësisë së frymëzimit: “Sa shumë paske qenë gjak i trupit tim/ (…) Çfarë qenka me ty rrjedhën nga një plagë/ (…) Tradhtia e fatit o kjo plagë në t’kulluar” (f. 51). Ndonjë poezi kryesisht është e ndërtuar mbi simbolin, figurën , paradoksin: “Era po i ndërron sa herë ato kahe/ E then degën e qershisë që tundet”(f.76), raste kur poezia krijon edhe atmosfera për gjykim, pikëçuditje, dënoncim, ku në esencë shpërfaqet edhe glorifikimi poetik i sakrificës, qëndresës. Glorifikohet qëndresa e krenaria e njeriut të kësaj toke. Dendësia e mendimit, përsiatjet, evokimet, në këtë poezi transponohen  në formë të meditimeve kreative.

Aliu nuk është prej atyre poetëve që shkruajnë shumë dhe shpejt. Ai nuk ngutet, është kujdestar i zellshëm i vargut të vet dhe me përkushtim e laton çdo fjalë të tij.

Mund të thuhet se poezia e Lajçit është e kursyer nga trajta të retorikës e deri diku edhe nga ato të narracionit, për të qenë kjo poezi e deskripsionit stilistik të imazheve.

Në njëfarë mase kjo poezi mëton të pasqyrojë edhe një unitet tematik e kohor, duke ruajtur në shtjellën e saj nivel të pëlqyeshëm stilistik dhe estetik.

Poeti ka përdorur mjete poetike që njohim nga poezia e tij e mëparshme, si: vargu i gjatë, figuracioni, abstraksioni, etj., por me një prirje të thadruar poetike, ndaj kjo përmbledhje kujtoj se shënon një fazë më të pjekur dhe më të avancuar në krijimtarinë poetike të autorit Lajçi.



(Vota: 34 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx