Kulturë
Agim Mato: Udhëtim në pyjet e këngëve çame
E diele, 05.05.2013, 04:39 PM
UDHËTIM
NË PYJET E KËNGËVE ÇAME
Ese nga Agim
MATO
Gjatë
gjithë ekzistencës populli ka ngritur malet e pasurive të veta shpirtërore.
Këngët janë si katet e pyjeve që i veshin këto male. Secili kat ka dëndësinë e
tij të këngëve. Shikoni majën çame të rrahur nga erërat e mëdha të kohrave.
(Shqipëria është e mbushur me maja të tilla). Atje ka drurë që u kanë rezistuar
shakullimave, këngët e moçme për bëmat e Pirros dhe Skënderbeut , legjendat dhe
baladat e fuqishme që zenë vend nderi në fondin e artë të poezisë sonë
popullore. Dëndësia në këtë lartësi nuk është e madhe sepse përjetësia kërkon
hapsirë. Pyjet e dendura fillojnë poshtë majës. Ahishtat, pishnajat përzihen me
mjegullat. Këto nuk janë mjegulla po tymi i luftrave epike dhe historike. Në
këto pyje baresin heronjtë kombëtarë dhe krahinorë. Pastaj vijnë pyjet e dëndura të mbushura me firarët e
maleve, me pyjet e brengave dhe të nizamëve. Një tis i hollë i argjentë i
mbulon këngët e dashurisë dhe të dasmave. Ato janë në një pllajë tërë diell ku
ka kroje dhe lëndina. Po ndodh që edhe
lulet e këtyre lëndinave t’i spërkatë gjaku. Më poshtë, në ultësirat e ditëve
tona kanë mbirë këngët e një malli të çuditshëm për varret e të parëve, për
shtëpitë gërmadha, të shoqëruara të gjitha me ofshama që drithërojnë atmosferën
e sa e sa festivaleve. Një pyllnajë që rritet përditë. Pyjet dhe këngët kanë
jetën e vet. Siç ka drurë qindravjeçarë
ka edhe këngë qindravjeçare. Siç ka pyje që degradohen dhe në vend të tyre
mbijnë të rinj, ka edhe këngë që vdesin dhe vendin e tyre e zënë të ra. Eqerem
Çabej thotë: “Poezia popullore është një organizëm i gjallë ... Ajo bën jetën e
saj organike, shkon pas frymës së kohës dhe ndërron bashkë me të. “Më poshtë: ”
Këngë të moçme zhduken, të vjetra krijohen, shpesh herë këto përzihen dhe
shkrihen me njera tjetrën “. ( E.Çabej “Për gjenezën e literaturës shqipe”)
Kushdo që
dëshiron të udhëtojë nëpër hapësirat e pamata të folklorit të Çamërisë, duhet
të marrë për udhërrëfyes Fatos Mero Rrapajn dhe duhet të ketë me vete biblën e
tij voluminoze: “Këngë popullore nga Çamëria” Garant për këtë bëhet Ismail
Kadare, që e ka shoqëruar këtë bibël me një përcjellje, ku e quan: “Një
enciklopedi poetike, të plotë e të gjerë”.
Interesimi
i menjëhershëm që ngjalli në opinion dhe hutimi i Institutit të Folklorit, i
kushtohet si lëndës së re, gati të panjohur, ashtu dhe vlerave të mëdha
artistike që mbart kjo trashëgimi e paçmuar popullore. Mendja të shkon
menjëherë tek “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, babait të folkloristikës sonë,
që gjeti tek Fatosi një nga pasuesit më të zellshëm të këtyre dekadave të fundit. Do të duhej shumë vend
për të folur për peripecitë mbi 40 vjeçare të këtij mbledhësi të apasionuar,
për endjet plot durim, vullnet e këmbëngulje në të gjitha trevat ku janë shpërndarë sot
mbartësit çamë të shpërngulur nga dherat
e tyre. Kjo e bën edhe më domethënëse misionin e tij të madh për të shpëtuar
këto vlera nga rreziku i humbjes shkallë shkallë në kushtet e një shpërndarjeje
të tillë heterogjene. Gjithashtu, gjithshka që jeton e konservuar në kujtesën e
të moshuarve bën një firasje të pallogaritshme
gjatë kalimit në brezin tjetër. Momenti që gjeti folkloristi ynë i
zellshëm për këtë qe vendimtar.
Përmbledhja,
është vetëm një pjesë e arkivit të hartuesit të saj. Hojet e këtij arkivi janë
të mbushura me qindra mijëra vargje, faqe proze e materiale gjuhësore,
historike e etnografike, të qëmtuar me kujdesin prej shkencëtari në të gjithë
territorin e Shqipërisë. Nga pasuria autentike, nga larmia e shumëanshme
tematike e gjinore, libri në fjalë është deri më sot thesari më i plotë i artit
oral çam.Të mos harrojmë se edhe Mitkoja, edhe Spiro Dineja, me ndërgjegje ose
pa ndërgjegje kanë futur në materialet e mbledhura prej tyre këngë popullore
çame. Edhe ato nuk janë pak, po me dhjetra.
Si hyri
kënga çame në “Bletën shqiptare” dhe në “Valët e detit“? Shumë thjeshtë. Në
parathënien e librit të tij Spiro Dineja thotë: “ ... atë kohë, ndodheshin edhe
shumë shqipëtarë në Egjypt, ngado të shkoje do të piqje shqipëtarë. Karakollët
e Kajros qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nuk reshtnin ... prandaj
gjeta kohë të mbledh nga të dy anët (dialektet)”. Çamët nuk mungonin kursesi
këtu, qoftë si nizamë, qoftë si kurtbellinj. Ky fenomen në folkloristikën tonë mendojmë se ka një rëndësi të posaçme
studimore për motërzimet ndërkrahinore. Mbartësit e këtyre krahinave jetonin
vite të tëra sëbashku në shërbimin ushtarak osman. Shpirti shqiptar, muza
shqiptare, aty, në vetminë e shkretëtirave, duket se vinte në provë përjetësinë
dhe madhështinë e vet. Këngët e krahinave
të ndryshme ushqenin njera tjetrën, merrnin dhe jepnin. E kundërta
ndodhte me këngët e reja që krijoheshin aty, ato të brengave, të nizamllëkut,
kurbetit, etj. Me kthimin në atdhe ato fillonin një jetë të veçuar krahinore,
gjersa shndërroheshin në motërzime të motiveve bazë. Këto motërzime janë si
barometra që matin presionet e lëvizjeve të gjera shoqërore, halleve dhe
brengave që përfshinin krahina të tëra. Në rastin konkret motërzimet çame,
flasin për atë se sa të lidhura kanë qenë këto treva me fatet e kombit në të
gjitha etapat e historisë sonë.
Tani le
të hipim përsëri në majën e këtij mali imagjinar të populluar me pyjet e
këngëve çame, tek këngët dhe legjendat për Pirron dhe Skënderbeun. Sa të vjetra
janë? Vargjet e bardha dhjetërrokëshe të hedhin larg dhe kjo të ngazëllen. Mendo
se këto janë ngritur mbi trungjet e lashta, kur kjo metrikë praktikohej në
eposet. Elementët bizantinë janë të dukshme. Po ashtu edhe ato zakonore vendase
që mbijetojnë edhe sot. Fjala e vjetër
“ipè” për shiponjë haset dëndur tek këto këngë. Epirin (nga epeiros- gr.vjetër)
çamët e quajnë tek këto këngë Iperi dhe veten iperotë.( Vetëm më vonë fillon të
vihet në përdorim fjala çamërjot). Ç’lidhje mund të ketë për këngëtarin e
dikurshëm rrënja “ipè” (shqipe) me Iperì (Shqipëri)? Të jetë vetëm rastësi apo një kalk analog i
periudhave kur nis formimi i kombit, duke i ndërruar kuptimin termit antik të
imponuar nga jashtë? Epiteti ”Burri” që i bashkëngjitet emrit të Pirros, sipas
dëshmive, dikur zëvendësonte në Çamëri e gjetkë vet emrin e tij. Thuhej Burri
dhe nënkuptohej Pirroja. A nuk është një fakt ky se kujtimi i tij ka mbijetuar
në kujtesën e popullit? Po kujtesa më e mirë është kënga dhe legjenda.
Sigurisht, kur ndodh që figura e tij merr ngjyrim të theksuar historik, kënga
ka huajtur nga historiografia. Kjo është në dëm të vjetërsisë sepse është një
shtresëzim i mëvonshëm. Gjithashtu edhe gjuha është e mbartësve të mëvonshëm të
saj, një fatkeqësi kjo e kushtëzuar nga koha kur janë mbledhur. Një gjë është e
sigurt, që këto legjenda nuk janë më pak
të vjetra se ato të Urës së Nartës dhe të Dhoqinës, me të cilat kanë ngjashmëri
stilistikore apo metrike. Tek kënga “Krujë trime n’atë vetull mali” flitet edhe
për jehonën e fitoreve të Skënderbeut në Iperì:
Iperiotët
valle kanë hjedhur
dhe çdo
natë zjarre kanë dhezur
Tek
Barleti do të gjesh të përshkruar gëzimin popullor pas fitoreve, që shndërrohej
në një festë të vërtetë. Ai merret
shpesh me këtë fakt në veprën e tij të njohur për Skënderbeun. Kënga në fjalë
dëshmon vërtetësinë e Barletit dhe, për analogji, hershmërinë e vet.
Mbi tërë
hapsirën e motiveve të këtij libri ngrihen lart dy ndjenja dhe veti sublime të
shqiptarit: atdhedashuria dhe shpirti liridashës. Shpesh të dyja këto ndjenja
nënkutojnë njera tjetrën dhe shndërrohen në një lejmotiv :
U shkrinë
për liri,
për
flamurin kuq e zi
Pasqyrimi
në këngë i luftrave dhe i luftëtarëve të panumërt të kësaj treve është bërë në
kompleksitet me kontraditat, planet, diplomacinë dinake dhe intrigat e
diplomacive, pa lënë mënjanë as qëllimet dhe pikësynimet e hapura apo të
fshehta politike dhe ekonomike të tyre.
Që në
Prevez’ e Janinë,
shqiptarët
luftë po bijnë,
Kordha
jonë vringëllet,
me të dia
anët pret,
s’pjesim
krale e sulltanë,
se kemi
hall për vatanë,
edhe pa
buk’do të rrojmë,
me të
shtatë do lëftojmë,
vendin
tonë s’e lëshojmë.
Tema për
mbrojtjen e trojeve nga intervencioni i huaj është shumë e përhapur në këngën
çame. Më 1807 trupa të Napoleon Bonapartit pushtojnë Prevezën. Kapedani Hasan
Çapari me pesëqind vullnetarë u sul për çlirimin e qytetit:
Napolonit
s’ju përule,
galëtë(francezët)
të gjallë i zure.
Një
shekull më vonë, më 1911, po në bregdetin çam, përpiqet të zbarkojë edhe
Entelia (Italia), po çamët, edhe pse pa “topa e xhepane“ qëndrojnë si trima dhe
s’lejojnë kënd t’i bëjë “Urë” dhe “raje”. Duke thënë “Urë” këngëtari popullor
kishte parasysh rëndësinë e pozitës së trojeve të veta për brendësinë e
gadishullit ballkanik. Shqiptari gjithmonë mbrojtjen e tij e ka vënë edhe në
funksion të mbrojtjes së popujve fqinj. Tek kënga në fjalë, rapsodi, duke parë
pamundësinë për të ndjekur armikun në det, i drejtohet me sfidën e tij:
Del
steresë moj dhe ti,
ta shohç
shqipon si për si
Në shumë
këngë bëhet fjalë për mbrojtjen nga luftëtarët çamë të Volës, Petrovicës,
Njihuarit, Filipjadhës, përleshjen trup me trup në Gribovë, për qëndresën
heroike shqiptare në Bezhan të Janinës, Mali i Bezhanit indetifikohet me vet
mbrojtësit:
O Bezhan,
i zi Bezhan,
gjashtë
muaj n’istikam,
i pakart
i pa duhan,
buk’ edhe
fai s’të dhanë,
po lufton
në këmbë e mban.
Një mal që
për muaj me radhë nuk ka kartë për të
dredhur një cigare!
Dhe fakti
që s’ka duhan duket më i rëndë se fakti që nuk ka bukë, (zë vendin e dytë në
radhitje ) sepse dhimbja shpirtërore për fatin e atdheut e kapërxen çdo dhimbje tjetër. Mali këmbëngul të rrezistojë
ashtu siç rrezistojnë malet. Një epos i vërtetë qëndrese ky!
Vargu i
heronjëve popullorë është i gjatë. Marko Boçari, Ali Farmaqi, Bubulina, Zejnel
Hasa, Maksut Veliu, Tahir Meta, Sabri Preveza, Spiro Çakëlla, Alush Taka,
Muharrem Rushiti, të ndjekur këta nga firarët e maleve apo kaçakët si Lul
Manka, Met Shoti, Zeqo Kipa, Mehmet Hyseni, Lul Çapari, pa përmendur
bilbilenjtë labë apo Shemo Gjirokastritin
për të cilët muza çame s’u kursye edhe për faktin se trualli i saj ishte
shpesh teatri i veprimeve të tyre. E marrë në rendin kronologjik, kënga çame
derdh një galeri të tërë personazhes që nga Ali Pashë Tepelena e këtej. Vet
Aliu portretizohet edhe me ngjyrimin legjendar edhe historik, pa fshehur të
vërtetën mbi figurën komplekse të tij. Tek “Hanko kur bëre Alinë” ngjyrimi
është legjendar:
Vallë ti,
moj, i dhe sisë,
që të
dolli yll me dritë?
Apo mos
ta kanë rritë
tij ato
zërat e malit
edhe ujët
e spitharit?
Në këngën
tjetër “Medet për Vezir Alinë” sundon qortimi i hidhur i vënë në gojën e Marko
Boçarit:
Medet për
Vezir Alinë
që
s’dëgjoi Boçarinë
të
mblidhej me Bushatllinë
për të
bërë Shqipërinë.
Marko
Boçari i tha:
-Dëgjomë,
Ali pasha,
po s’u
bëmë me ata,
Shqipëri
për ne nuk ka,
do
grihemi lakëra ,
do
këndojë quqeja”.
Ky është
ndoshta një nga motivet më të hershëm, që bën fjalë për domosdoshmërinë e
uniteit kombëtar, për të cilën s’mund ta ndërmernin vezirët dhe baballarët po
puna e madhe e rilindësve tanë. Ky unitet shtrohet me forcë sidomos në këngët e
periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, periudhë në të cilën Çamëria njohu
shumë veprimtarë. Ata e zgjidhën drejt çështjen e bashkimit të kombit dhe
njësisë së territoreve që viheshin në rrezik. Në dobi të këtij bashkimi ose më
mirë nën presionin direkt të këtij ideali ishte lufta për prishjen e hasmërive
dhe pajtimin e gjaqeve që ndërmerrnin atdhetarë si Ibrahim Parga, nën parrullën
“Çdo hasm ta bëjmë vëlla”, apo Lul Repani që ka parasysh ndarjet fetare “S’e
vret vëllai vëllanë,/ gjithë jemi shqiptarë”.
Në këngët
që i bëjnë jehonë luftës së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve kundër të
njëjtit armik ndjehet respekti i veçantë për popullin fqi. Vet Marko Boçari, i
brumosur si luftëtar pranë Aliut u bë një nga heronjtë më legjendarë të
revolucionit grek, një nga internacionalistët më të mëdhenj që e konsideronte
luftën e popullit fqi si luftën e popullit të vet:
Ngreu, o
Marko trimëria,
të dërgon
kartë Greqia
- Eja, o
Marko Shqipëria,
se na zu
frymën Turqia.
Katër
vargje sa për një monument. Historia shkroi faqe të lavdishme për këtë
“Çamërjot”, figura e tij frymëzoi shumë shkrimtarë e piktorë gjenialë të
shekullit të kaluar në Europë. Tufa e këngëve çame për të janë lulet e
vendlindjes së tij, të identitetit të tij, ato që s’vyshken kurrë në panteonin
e popujve. Dhe Markoja nuk është i vetëm, por njëri nga ajo plejadë heronjsh si Xhavella,
Bubulina, etj. Një nga shembujt më domethënës të një qëndrimi të gjerë dhe gati
deri në një konceptim ideal të fqinjësisë është kënga “Ballkize, moj kapedane”.
Ballkizja dhe motra tjetër Gjulia janë bija të patriotit Musa Demi. Të dyja
partizane. Ballkizja në repartet e Elasit grek dhe Gjylja në një nga brigadat
tona partizane. Dy motra në dy ushtri kundër të njëjtit armik. Lidhjen e
Ballkizes me partizanët grekë rapsodi e ngre si një vëllazërim popujsh:
Bashkë me
fqinjët tanë,
lidhur si
vëllau me vllanë,
grekër
dhe shqiptarë,
për të
lëftuar dushmanë.
Rapsodi
është i ndërgjegjshëm dhe i zhveshur nga
çdo paragjykim kur bën konkluzionin e aktit të saj:
E dhe
jetën për lirinë,
për
miqësinë me fqinjë,
zbukurove
historinë.
Në këngët
për shpërnguljen me forcë të çamërve nga trojet e tyre në asnjë rast nuk ngatërrohet
populli grek me masakrat e gjeneralit fashist Napoleon Zerva. Do thënë që ky
është kapitulli më i dhimbshëm në poemën popullore çame. Ai zë fill më herët,
qëkurse bëheshin përpjekje dhe shpërnguleshin për në Turqi po me forcë masa të
tëra nën pretekstin se ishin turq. Ngatërrimi i fesë me kombin në kurriz të
fatit të popullit tonë është i njohur.
Në një këngë thuhet:
Çish të
ikim nga shtëpia?
Çish t’i
lëm gjushrit në varre,
me kurmet
pa tretur fare?
Çdo
koment do ta varfëronte efektin tronditës të këtyre vargjeve. Tani mendoni një
anije të mbushur me familje çame që lundron përmes Egjeut drejt Turqisë së
panjohur, e largët për ta. Sipër tyre fluturojnë zogj, që kënga mund t’i pyesë
sipas traditës për atdheun që ngeli pas. Mirëpo kraharori i zogjve është tepër
i brishtë për të mbajtur peshën e madhe të dhimbjes dhe mallit të tyre. Anieja
e zgjat distancën nga atdheu, kur ja, zënë e duken avionët në qiell. Këta po,
vendos t’i pyesë muza e plagosur:
Uluni, o
ju ballona
t’u pjesë
për shtëpitë tona
dhe
përgjigja :
Na habere
nuku kemi,
se ka ato
vende s’jemi
Shpresë e
kotë. Asnjë nuk i qëllonte të ulej në atdheun e tyre të mjeruar. Ja një
motërzim tjetër:
Shkon
ballona në heva,
pijet
motra për vëlla.
-Ne kah
ato vende s’jemi,
ka vëllai
yt habere s’kemi.
Zdrigju
ti ballon mbërdhe,
- Do zdrigjem në Pllatare,
të pi një
filxhan kahave.
Tabloja
tjetër, po aq e dhimbshme, e ndjekjes drejt kufirit shtetëror shqiptar me
djepet në krahë dhe me tymin e ullinjve të tyre të djegur në mushkri, është
regjistruar me të gjitha pejzat e muzës popullore:
Çamët
duke ikur
e duke
luftuar
ngarkuar
me plaçka
dhe
foshnjat në duar,
hedhin
sitë prapa:
shtëpitë
përvëluar,
ka gjulet
e topit
ullinjtë
të copëtuar.
Çamëri e
shkretë
shumë u
përvëlove
çdo pëllëmbë
tokë,
me gjak e
mbëlove.
Në shumë
këngë, rapsodi çam, si të ishte ndonjë studiues sociolog, burimin e fatkeqësisë
e gjen tek fashizmi, që është stimuluesi më i egër i nacionalizmit:
Si
kulshedrat në Greqi
u vendos
fashizmi i zi.
Këto
kulçedra ju sulën në radhë të parë Çamërisë, popullsisë së saj fatkeqe:
E pa
dinjaja me si,
ç’bë
Zerva në Çamëri.
mbilli
njerzit në shtëpi,
i therri
si bagëti.
Dhe
grave që ishin me barrë,
me thikë
në bark u ranë,
ua
nxorrën jenët gjallë,
dhe ata
me thikë i vranë
Mirëpo
poetin popullor nuk e lë të qetë ndërgjegja për gjithshka ndodhi në të
kaluarën. Ai bën bilancin e historisë së tij dhe për këtë do të jetë sa më
objektiv, të jetë “shahist” tek e vërteta. Ai e nis gjykimin ng argumenti i
kundërt:
Çamëri, o
zëmëra ime,
...a mos
vall pate gabime?
Përgjigja
vjen menjëherë, pa pikë hezitimi:
-As
gabime, as të metë,
dëshmon
historia vet.
Duke bërë
një eskursion në pyjet e këngëve popullore çame të mbushen mushkritë me ozonin
e tyre të pastër dhe aromën e veçantë. Hapësira ndjesore e tyre është e
pakufishme, e përmasave universale. Ky libër, që mbushet me rrëkera gati të
padukshme ritualesh, lodra fëmijësh, nina nana, këngë argëtimi e dashurie, rite
e valle dasmash, vaje, këngë humoristike
e satirike, për të kaluar pastaj tek legjendat e baladat, tek këngët për
ngjarje të njohura e të panjohura historike, për heronj të mëdhenj kombëtarë,
për luftëtarë e martirë, tërë kjo plotëri tematike e gjinore, shpalos vizionin
e gjerë të Çamërisë në të gjithë ekzistencën mijravjeçare të saj. Në këto këngë
janë regjistruar si në një sizmiograf të
ndjeshëm që nga tërmetet e mëdha, siç janë vithisjet e perandorive, e gjer tek
dridhjet e jelekëve të vajzave të shkaktuara nga vështrimet e djemve. Duke
ndjerë në to temperamentin dhe konstitucionin shpirtëror të popullsisë çame,
pozitën nevralgjike dhe hobetë e kohërave që u vërvitën parreshtur mbi fatin e
saj, nuk do të duket aspak i habitshëm gjithë ky vitalitet dhe kjo begati
poetike. Në thelb, tërë struktura e poezisë çame është e pandashme me poezinë
popullore në përgjithësi, kurse në vaçanti ajo ka marrëdhënie e pleksje me
këngën labe. Plasticitetit të prerë e të fuqishëm lab, që edhe kënga çame e ka
në thelb, ajo i jep fytyrën e vet e tone më të buta e më lirike, siç është vet
realiteti i Çamërisë. Afërsia gjeografike, dendësia e komunikimit në të
kaluarën e kanë kushtëzuar këtë ngjashmëri. rapsodi lab dhe ai çam, kur kanë
kënduar për të njëjtët heronj dhe për të njëjtat ngjarje, duket sikur planin
botëkuptimor janë marrë vesh me njeri tjetrin për qëndrimet dhe vlerësimet që
kanë bërë. Kjo flet për atë ndjeshmëri të lartë dhe kthjelltësi para çdo
situate, sado e ngatërruar qoftë.
Kënga
çame duket se e nxjerr tërë dufin që ka njeriu brenda. Ajo nuk mban rezerva për
hir të ndonjë etikete apo kanuni të vjershërimit. I vetmi kanun për të është që
të mos i ndahet të vërtetës. Ajo shënon vetëm ato hollësi që i duhen
përjetësisë. Sensi i kursimit në vargje nuk e cënon tërësinë e ngjarjes dhe të
fenomenit që ka marrë përsipër të na rrëfejë. Dhe rrëfimi është sa i
shtruar aq dhe energjik, sa i besueshëm,
aq dhe realist. Kalimi nga elementet realiste në ato legjendare bëhet me një
lehtësi të çuditshme. Lul Çapari është person historik, që ka jetuar, por njëkohësisht
ai mbështillet shpesh me një mjegull legjendarizmi. Kjo nuk ia humb vërtetësinë
figurës por plazmon në të gjithë përfytyrimin që ka populli për jetën e
kaçakëve të mbushur me të papritura:
Lul Agai
ja hipi atit,
çajti
malet e Morfatit,
Lul Agai
ja hipi divit,
çajti
malet e Marglliçit.
ose:
Lul Agai
hipën shkallatë,
xhelati
trohis pallatë.
Në këto
këngë rrëfimi poetik kalon pa u ndjerë nga tonet epike në ato lirike dhe
anasjelltas:
Foli një
zë kaha malit.
Të ikij
Lul Çapari,
Luli mori
një të rëpjetë,
ju mbush
sharkëza me vesë.
Aftësia
për të hedhur tablo përgjithësuese nuk i ka munguar kurrë folklorit. Kënga
çame, duke anuar nga një sens më lirik, i ka më për zemër këto tablo të
mbushura me elemente të natyrës dhe të jetës fshatarake. Natyra mendojmë se ka
gjetur vend në këngët çame dhe ajo ka shtuar sensibilitetin dhe e ka bërë më të
afërt. Ajo është një sfond që paralajmëron, është atmosferë, si tek vargjet e
mëposhtme:
Ne ulliri
në sohor,
frin një
erë e bin një borë,
shkon një
trim vetullahollë,
me
martinizën në dorë
Kjo dhe
shumë të tjera të kujtojnë këngët popullore arbëreshe dhe është e kuptueshme
se, nga brigjet çame, kanë ikur masa të tëra arbëreshësh për në Itali. Forca
përgjithësuese e tablosë nuk mbështetet në elemente të mëdha në vetvete,
përkundrazi, detajet më të zakonshme, nëpërmjet një shkallëzimi poetik, arrjnë
të japin në më pak se dhjetë vargje atë që do të duheshin faqe të tëra. Ja një
shembull:
Kur dola
në Mal të Zi,
klaj,
moj, klaj për Çamëri,
pashë
gratë nën ulli,
pashë
nuset pa stoli,
burrat
shkuan eksori ( internim) .
Kafshët
mbenë pa bari,
lehte
qëni në shtëpi,
bukë nuk
i hidh njeri.
E thënë
me një frymë, e vizatuar me një përpikmëri të habitshme, ajo ka brenda edhe
shkretimin, edhe gjëmën, edhe dhimbjen gjer në një lloj shurdhimi të jetës. Por
pas gjithë këtyre vjnë dy vargje:
gratë me
dhën e me dhi,
gratë
venë në mulli”.
Pra, nuk
ka marrë fund çdo gjë, jeta vazhdon në sajë të stoicizmit të gruas.
Lirika
çame është e ndezur, me një imagjinatë dhe forcë abstraguese të madhe, që të
krijon gjendje emocionale dhe situata shpirtërore të vërteta. Vajza për
rapsodin e kësaj treve është “Nerënxë”, “ Thëllënxë”, është “ Thellukë (lundër)
e bukurisë”, “Trëndafil në bokërrimë”. Ajo nuk ta bën të lehtë fitoren që do të
arrish, ajo është “ xhinde”, është
Ngjala që
llomis në det,
ta zësh
me dorë të shket
Le pastaj
po t’i vardiset ndonjë i moshuar, si do ta qesëndisë:
more
plaku faqezi,
mor të
zëntë gjarpëri,
u s’kam
mbeturë për ti,
se jam
vajzë farfuri.
Kur bie
vet brënda ndjenjës së bukur të dashurisë, asaj i “digjet jeleku” nga “ zjarret
e gjirit”. Ajo është besnike, tërë finesë, ajo duket sikur ta fshinë shtëpinë
me një dorë trëndelinë”, kaq bukur është të jetosh me të. Djali vizatohet me
temperament, i gatshëm të bëjë çdo sakrificë për të vluarën e tij. Ai i
dorëzohet tërësisht ndjenjës. Kaq e fortë është kjo sa që në ndonjë këngë duket
sikur sundon përçatja e tij, alogjizmi po në të vërtetë është ndjenja e fuqishme
që depërton në shtresa të tilla të fantazisë, që e afron atë me ëndrrën:
Këndova
sa u ça shkëmbi,
ndjeu e
bukura e u drodh vendi.
Ndjeu e
bukura përbrenda,
hapi
penxheret e ergjënda.
Fluturova
e hira brënda.
më vu
bukë e djathë e hëngra.
Më shtroi
stromën, rashë e fjeta,
kur u
ngreç ati s’e gjeta.
Dhe më
poshtë:
Zura
udhën e stratoit,
poqa
Lejmonin në udhë,
- O
lejmon, a i zi lejmon,
mo më pe
të bukurën?
Këtu
drejt më shkoi prëmë,
ku ta
dija ta kesh zënë.
Kollauz
t’u kesh bënë,
në dorë
ta kesh dhënë.
Vizioni
poetik është i befasishëm të shumë krijime. Kënga “Abedin Madanë e vranë” nis
me një uverturë:
Gjem’i zi
e kali i bardhë,
hingëllit
nëpër pazarë,
kërkon
Abedin Madanë
Kjo
tablo, me ankthin e rrufeshëm që të përpin, nuk të shqitet nga kujtesa, ashtu
si skenat shekspiriane. Intuita gjeniale e popullit i ka brenda vetes tërë
ligjësitë e artit për të na dhënë pasazhe të tilla të papërsëritshme. Ja dy
vargje energjike që paralajmërojnë dramë, me të cilat fillon një këngë tjetër :
Ditën që
zuri bora,
mora
shallin edhe dolla.
Aftësia e
popullit për ta koncentruar esencën e motivit në dy a tre vargje, bën që ato
grumbullojnë në vetvete energji të mëdha poetike ashtu si bërthama e një atomi.
Një motre i vrasin të vëllanë për hiçgjë dhe ajo ngjesh armët, merr hakun dhe i
drejtohet të vdekurit:
...po të
bij shok me vëllanë,
tok ta
pini duhanë!
Energjia
këtu gjeneron nëpërmjet nëntekstit si një reaksion zinxhir. Ja dhe dy vargje të
tjera:
Na dhanë
rrobat e ngushta,
jemi djem
na zë angusa.
Këtu nuk
është vetëm shqetësimi për rrobat e ngushta të nizamëve por për njëmijë halle
që burojnë prej kësaj, për personalitetin dhe lirinë e humbur, për rregullat e
rënda të jetës ushtarake osmane. Kjo angusë, kjo zënie fryme është pastaj për
tërë atdheun, djemtë e të cilit i çonin “ Në Jemen si qetë”.
Në asnjë
këngë nuk mund të gjesh qoftë edhe një mjet poetik që të vihet si stoli apo
qëllim më vete. Vjershëtori anonim nuk kërkon t’i imponohet kujt. Tek kjo
përmbledhje nuk gjen as formulimet e standartizuara të bukurisë në femrën në
përgjithësi që gjetkë e has. Kur thotë për vajzën se është vetullnakatosur,
këngëtari vizaton më shumë gjendjen e saj të trazuar. Epitetet buzëlule,
ballëdiell, ballësulote, armëpishë, e shumë të tjera, para se të shprehin kategorinë
e së bukurës, shprehin një veti, një anë të karakterit. Pasuria e leksikut çam
me fjalët e rralla e plot tingëllim ndihet në të gjitha këngët. Le të shënojmë
këtu disa fjalëformime me ngjyrim poetik si leshbozhure, dhëmbëqelqe, lumare,
vajrëkimë, dhënëbukëpakëza (njerka), dhënëbukëshumëza (nëna), parahënë,
rrungalë, mespurtekergjenda, bythpuloshi (gishti i vogël, thikënëngunëza (e
pabesa) etj. Apo nuanca kuptimore si buka e lumit, që nënkupton grykëderdhjen
me llum të tij. Ndoshta më shumë se për çdo fushë tjetër populli e ka ngritur
furrën e fjalëve të reja për të ushqyer poezinë e tij.
Nuk mund
të mos përmend këtu disa thërmia të papërsëritëshme të këtij folklori, për të
dhënë sadopak diçka nga madhështia e tij:
Ç’u
mplaksh e këmba më mbet,
djalërinë
kush ma jep?
Ta blej
një milë e dyzetë,
dhe vetëm
për një sebep,
për
Mirushen që s’më flet
po shkon
si pampor në det.
***
Këta
ujt’e rrëzave
si misht
e thëllëzave,
këta
ujt’e maleve,
si
djathët e staneve,
gjumë i
ëmbël i Pargës,
portokallja
e Nartës.
***
U dolla,
dielli leu,
dolli
nepërka nga dheu.
Besëqenia
më gënjeu.
Gënje moj
qëne, gënje,
në të
zënça me hile
në vathë
të bletëve...
***
shkon
furtuna ndënë koshtë,
me qelq
farfuri në dorë
e potis
vasilikonë.
Shkon
furtuna dikue klarë,
çish
kërkon? Kërkon beharë,
kërkon
prill, e kërkon majë
djalënë
për veten e saj.
***
Kur të
bën pruf-pruf fustani,
si në det
kur shkon tufani;
kur të
bën pruf-pruf shamia,
si në det
kur shkon gjemia.
***
Sulltani
hordhitë i pruri,
digju ti,
Janinë nuri!
***
Këto
kusuret tona,
s’kanë të
sosur akoma,
lëshojnë
gjethe të njoma.
Shkoni,
moj të liga, shkoni,
shkoni
mbi mua, kaptoni,
se jam i
mësuar, i gjori.
***
Ne ulliri
në sohor,
frin një
erë e bin një borë,
shkon një
trim vetullahollë
me
martinëzën në dorë.
***
Fati im i
gremisur,
vallë
ç’ditë është nisur.
A mos e
ka zënë gjumi,
apo e ka
marrë lumi;
a mos e
ka zënë ledhi,
a vallë
mos i dhëmb mezi.
...Qysh i vogël kam bredhur në lëndinat e këngëve çame. Mblidhja farat e fjalëve të rralla, toponimet, vargjet brilante që i ruaja si petalet e luleve, dengje lirikash të shkurtëra me të cilat mbushja blloqet, fjalët e urta. Këto ishin arkivi im i parë sëbashku më këngët popullore arbëreshe që i ktheja me durim në shqipen e sotme dhe habitesha se sa ngjanin me ato të krahinës sime. Pastaj u fut brënda meje De Rada dhe Mitrush Kuteli. me hambarin e pashoq të leksikut të tij, me të cilin krijoja fjalorin tim. Dhe çuditërisht, gjithmonë, kënga popullore çame, ajo arbëreshe, poezia e De Radës dhe shqipja e përkryer e Kutelit, përziheshin për të mbrujtur kulaçin e vërtetë të poetikës që ëndërroja të kisha.
Shkruar 1986. Hyn në shtyp në revistën “Nëntori” dhe hequr nga shtypi me porosi të KQ të PPSH.