Kulturë
Elida Buçpapaj: ''Tirania e Tranzicionit''
E diele, 05.05.2013, 02:46 PM
PASTHËNIA
E LIBRIT 'TIRANIA E TRANZICIONIT'
LIBRI IM
MORI SHKAS E FORMË SI REAGIM NDAJ CENSURËS SË TIRANËS
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Libri im
me publicistikë „Tirania e Tranzicionit“ që përmbledh disa nga shkrimet dhe
essetë e shkruara dy vitet e fundit mori shkas e formë si reagim ndaj censurës
së Tiranës. Të njëjtin format ka edhe «Traumat e tranzicionit - Ditari i një
gazetareje» që është gati e pret dritën e botimit.
Sado
absurde të duket, është e vërtetë. Shtypi dhe TV e shumta në Shqipëri janë nën
kontroll të politikës dhe oligarkëve që prodhoi ky tranzicion gati
çerekshekullor.
Kolegët e
mi në Tiranë e dinë se kjo që pohoj nuk është fiksion. Një koleg i mirënjohur
lajmëronte në Facebook se shtypi i lirë ka vdekur. Por nuk mjafton lamenti.
Në 1997
Pjetër Arbnori hyri në grevë urie për të kundërshtuar një ligj të miratuar nga
Kuvendi i atëhershëm për mediat vizive. Asokohe u ndryshua ligji dhe u aprovua
"Amendamenti Arbnori". Ndërsa sot gazetarët në Shqipëri shohin me
indiferencë të plotë përçudnimin e fjalës së lirë, kulturës, monumenteve të saj
të cilat po shfarosen për çdo ditë përpara syve tanë dhe shqiptarët rrezikojnë
të mbeten pa identitet kulturor.
Shikoni
se si kujdeset shteti austriak apo Vatikani për relikat e historisë e kulturës
shqiptare. Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të kishte patur fund tragjik
po të kish mbetur në mëshirën e tranzicionit shqiptar. Edhe Mesharin e Gjon
Buzukut do ta përpinte fataliteti i tranzicionit me pjellën e saj makabre,
indiferencën, ndërsa po humbasim për çdo ditë një e nga një shenjat
identifikuese të qënies sonë kombëtare. Ne qëndrojmë indiferentë kur rrënohet
shtëpia e Fishtës. Ne kthejmë kokën në anën tjetër për të mos parë gërmadhat e
shtëpisë së Mjedës. Ne mbyllim sytë kur poetëve të Rilindjes ua shkallmojnë
varret. Ne mbyllim sytë e veshët kur Onufrin e rrjepin barbarët, ndërsa në
Shqipëri lulëzon kultura tallava. Ne heshtim kur fjalën e lirë e bunkerizojnë
dallkaukët dhe sharllatanët që barkëthatë i gjeti tranzicioni dhe barkthatë po
i le, paçka se si profiterë kanë përfituar miliona. Por nuk ngopen kurrë.
Konformizmi
dhe frika nën pushtim apo nën diktaturë ishte i justifikuar. Në demokraci jo.
Pjetër Arbnori pas 30 vitesh burgosje, në vitin e mbrapshtë 1997rrezikoi jetën
për një ideal të madh, ndërsa sot, kur Shqipëria është vend anëtar i NATO-s,
gazetaria konformuese dhe dezinformuese ka marrë mision trushplarës dhe
friksues përmes presionit psikologjik që ushtron pasqyrimi i krimit në kronikat
e zeza. Duke ofruar atë që duan ata, si ta duan dhe çfarë të duan. Politika dhe
oligarkët. Violinë të parë kanë gazetarët, që i përdorin si çinovnikë të tyre.
Viktima është opinioni publik.
Merreni
me mend, botuesit e Tiranës ia venë në dispozicion faqet e gazetave të tyre
Nexhmije Hoxhës dhe ish-eksponentëve të diktaturës, ndërsa përdorin gërshërët
dhe e gijotinojnë lirinë e shprehjes.
Opinionet
dhe essetë e këtij libri janë të shkruara me nxitim, në përgjigje të ngjarjeve
të ditës dhe të botuara në shtypin shqiptar në Perëndim, disa syresh edhe në
Tiranë deri sa e mori fjalën censura.
Kam
menduar gjithnjë se kapitalizmi në Shqipëri do të kujtohej për shtypin e lirë,
por kapitalizmi në Shqipëri vazhdon të mbetet parak larg konkurencës së lirë
dhe Shqipëria i ngjan një realiteti orwellian, ku Vëllai i Madh është diktatura
e krijuar prej nepotizmit, tarafit, klanit, korrupsionit, politikës pa
integritet, të cilës i intereson që pushteti i katërt të jetë refleks i fytyrës
së tyre të shëmtuar.
Ka ardhur
koha e lëvizjes së elitave, sepse u bënë 22 vjet që Perëndimi është pjesë e
jetës të shqiptarëve, me dashje apo pa dashje, me zor e me hatër. Shqiptarët
nuk meritojnë që t’i lejfenizojë tranzicioni i politikave të korruptuara, në
kohën kur revolucioni teknologjik i ka thyer të gjitha barrierat e kufijve.
Shqiptarëve
u duhet shtypi i lirë, sot më tepër se kurrë. Shkrimet e këtij libri janë
antikonformiste dhe respektojnë të vërtetën, jo të vërtetën absolute, sepse ajo
është pronë e absolutizmit, por të vërtetën si e mendoj unë.
Që
demokracia dhe shteti ligjor të mos mbetet një iluzion në Shqipëri, të mos
përçundohet e kthehet në një minierë ari për një grusht njerëzish dhe një
realitet i frikshëm për shumicën. Shumica e shqiptarëve e duan Shqipërinë si
Europa, jo si slogan por realitet. Andaj të gjithë duhet t’i shërbejmë kësaj
ëndrre të bukur.
Jam për
dialogun, për konstruktivitetin, për tolerancën, për bashkëpunimin, për heqjen
dorë nga lufta e shqiptarëve kundër shqiptarëve, një reminishencë e luftës së
klasave. Dua që shqiptarët të dalin nga ky mediokritet kolkozesh, ku populli
është i detyruar që të duartrokasë liderin. Sepse në demokraci populli zgjedh
dhe vendos vetë fatin e tij. Boll kemi duartrokitur e brohoritur në diktaturë.
Dhe prandaj na duhet që të kemi në krah në jetën tonë të përditëshme një shtyp
të lirë e demokratik.
Me
shkrimet e këtij libri nuk e di sa ia kam arritur qëllimit, por të paktën, jam
e sinqertë, pa maska dhe larg hipokrizisë puthadore të opinionistëve të
Tiranës.
Me këtë rast, falenderoj redaktorin e librit Akademik Mark Krasniqi, për nderin që më bëri, i cili na ka mbështetur pa ngurrimin më të vogël gjatë dhjetë viteve kur kontribuonim tek „Bota Sot“. Shpreh mirënjohjen time të thellë për Jusuf Buxhovin, autorin e veprës monumentale « Kosova » si dhe dijetarin Dr.Përparim Kabon që, gjetën kohë dhe shkruan parathëniet e këtij libri, çka e vlerësoj si një përkrahje shumë të madhe e të rëndësishme. Një falënderim të veçantë shkon për botuesin e Onufrit, Bujar Hudhrin, që e bëri këtë libër të shohë dritën e botimit.