Kulturë
Vangjush Saro: Koncert me urdhër nga lart
E shtune, 04.05.2013, 04:59 PM
Vangjush Saro
Koncert me urdhër nga lart
Tregim humoristik
Do të vijë udhëheqja. Është me
rëndësi. Koncerti duhet të ketë ndonjë recitim për demokracinë. Nëse ka këngë
për udhëheqësin, të vihet në fund të programit...Për lule kini menduar?
Drejtori i Qendrës Kulturore,
Adem Lalëzi, mbyll celularin dhe psherëtin. “T’ëmën! Asgjë nuk ndryshoi. Shumë
pak.” Ai ngrihet të flasë me vartësit e tij. Në pritje për t’u takuar me ata,
rri mbështetur te dritarja dhe shikon qytetin, zhytur në një heshtje të
frikshme. “Natyra e rendit të shkuar, ishte
e tillë që kërkonte pak bujë, njëlloj euforie…- se si i duket që po mediton
këso - Por ja, vlonte nganjëherë. Festivali i këngës për fëmijë. Takimi i
estradave amatore të ndërmarrjeve. Anketa muzikore e rrethit. Në të rrallë,
hapej edhe ndonjë ekspozitë pikture.”
Adem Lalëzi nuk di nga t’ia
nisë. Së paku e shkuara s’po i kërkon më gjë...Sidoqoftë, atëherë, atje gjithnjë
do të gjendej një arsye për të dhënë ndonjë koncert ekstra. Kohë e pa kohë,
sidomos kur qytetin e vizitonin njerëz me pushtet nga Tirana. Shumë vite më
parë, në një të tillë koncert, të porositur brenda ditës, grupi i amatorëve të
Pallatit të Kulturës për pak sa nuk kishte humbur nderin e tij. Ai atëherë
ishte fëmijë, madje kishte qenë edhe pak protagonist...
?
Në mëngjes, ishte shkundur i
gjithë qyteti, për shkak se vinte për vizitë një njeri i rëndësishëm i
Udhëheqjes. Krerët e rrethit kishin kërkuar midis të tjerave një koncert. A
thua ishte fjala për të gatuar një byrek. Regjisori dhe dirigjenti ishin hedhur
përpjetë. Nuk bëhet! Bëhet!, thoshin ca të tjerë. Çoç më të rëndësishëm. Mbas
përpjekjesh të papërfytyrueshme dhe që nuk mund të përshkruhen me fjalë, ata
raportuan...se koncerti mund të jepej nga ora 7.00
Ishte e hënë dhe, me sa dukej,
të gjithë gjendeshin pak zaif atë ditë. Por ai koncert që në fillim shkoi keq.
Një djalë që recitonte poemën “Partia ime”, përveçse dukej i pasigurt, nuk
donte t’ia dinte fare për partinë. Domethënë për udhëheqjen që rrinte te
llozha: I deleguari nga lart. Sekretari i Parë. Sekretari i Dytë. Kryetari i
Komitetit Ekzekutiv. Një dyshe e ardhur nga një rreth tjetër për përvojë dhe që
ishte parë e arsyeshme të thirrej edhe ajo në koncert...
Recituesi e filloi me mjaft
dramaticitet, ç’ishte e vërteta: Partia ime, ne jemi lidhur së toku/ Unë
shoh fytyrën e tokës atje...
Nga kuintat, grupi që
dirigjonte koncertin, i bënë shenja të ngrinte pak zërin dhe t’i drejtohej sallës.
Recituesi ia nisi edhe njëherë
nga e para. Partia ime, ne jemi lidhur së toku…
Grupi dirigjues ishte i madh:
Një instruktor i Komitetit të Partisë, Drejtori i Pallatit të Kulturës,
regjisori, një punonjës nga Komiteti Egzekutiv që as vetë s’e dinte ç’kërkonte
në atë mes...“Atje atje, thoshin me shenja grupi i dirigjuesve, drejtoju
udhëheqjes. Udhëheqjes.”
Dhe recituesi i shkretë ngriti
dorën në drejtim të asaj çikë pjace ku rrinin udhëheqja, nja dhjetë stola më
vete, në një si ndarje, së cilës herë i thoshin llozhë e herë thjesht “te
udhëheqja”. Unë shoh fytyrën e tokës atje...Djali recitonte dhe tregonte
me gisht pikën më të lartë të atij vendi, ku qe drunjosur e s’lëvizte as
qepallat i deleguari nga qendra. Po lidhja jonë s’është delikate...Po e
bënte kaq shpesh këtë gjest, saqë u duk sikur po iu thoshte atyre: “Nënat! Ku
t’i kini...” Anise fjalët ishin ndryshe: Partia ime, ti udhën na ndriçon/
ndër shtigjet që ne vetë i kemi hapur...
-Ule, more, atë dorë! Ule more
atë dorë, të ulçin atje...- bërtiste dhe bënte shenja drejtori.
Por recituesi vazhdonte të
njëjtën trajektore: “Nënat! Atje ku t’i kini...” Një kohë, sikur edhe u
ngatërrua pak. Shikonte sallën. Shikonte kuintat dhe grupin dirigjues. Por
ne më të fortë jemi me Partinë...Recituesi po nguronte. Në shtigjet që
ne vetë i kemi hapur…
-T’u hapshin trutë! - e shante
që këtej kuintave drejtori, i cili mallkonte keq fare.
Recituesi e la për një hop
vjershën, bëri nja dy hapa për atje ku qëndronte grupi i dirigjuesve dhe pyeti
kuturu:
-E harrova unë…Të hidhem në
strofën tjetër?
-Të hedhshin në gropë! - i
gërthiti drejtori - Kthehu në skenë, o budalla, se na more në qafë.
-Po të hidhem në strofën
tjetër?
-Hidhu hidhu! - ia dha viston
ai instruktori i Komitetit të Partisë, që dukej natyrë goxha masovike.
Recituesi u kthye dhe palli si
edhe herën e parë. Por besën ne e kemi dhënë/ se luftën dhe gëzimin tok i
kemi...
Nuk u muar vesh se si e
përfundoi ai poemëzezën dhe se si prezantuesja e koncertit, një gjimnaziste e
bukur, lançoi këngën në vijim; një gjë me diell. Mirëpo në vend që të thoshte
këndon kompleksi, ajo thirri emrin e këngëtares që e kishte radhën më pas.
Kënga e kësaj së shkretës titullohej “Flladi që flladit”. Doli ajo me vrap sa
dëgjoi emrin. Dirigjenti sapo i kishte dhënë orkestrës shenjën për të filluar
ajo kënga me diell e kompleksit. Kur doli kjo këngëtarja e flladit, kompleksi
ia kishte nisur punës: Dielli ynë ndrit përherë/ lumturia jonë je...
Këngëtarja po rrinte atje te
mikrofoni si hu.
-Hajde, moj, këtej! - ia bënte
regjisori.
-Po le të këndojë mo, le të
këndojë. - thoshte ai instruktori masovik.
-Epo, ajo më thirri emrin…-
fliste dhe bënte shenja edhe e shkreta vajzë - Të kthehem unë?…
-Të kthefshin përmbys! - e
shau drejtori që ishte bërë xhind fare.
-Jo jo, mos u kthe! -
instruktori ishte me të vërtetë i paparë. Ai po përpiqej të komunikonte edhe me
dirigjentin, në mënyrë që ky ta sillte atë të flladit në këngën tjetër
ashtu, pak me kujdes.
Dirigjenti dha të kuptohej se
do ta bënte lojën. Dhe jepte e merrte me duar e me këmbë, sa këngëtares,
orkestrës. Askush nuk e mori vesh se si vajza e kapi në ajër sinjalin dhe
filloi vërtet të këndonte. Por ndërsa përpiqej të fillonte këngën me fllad,
kompleksi ia therrte lart: Dielli ynë e verbon/ çdo armik që sot guxon…Këngëtarja
dorën te mikrofoni dhe gati të fillonte këngën
e saj. As që i shkonte mendja se duhej të shkrihej me kompleksin.
-Po s’kam këtë, s’kam këtë. -
tha pas një copë herë me fytyrë nga kuintat - Cilën kam unë?
-Cilën të të pëtin! - i
thoshte drejtori që këtej.
Dirigjenti i kërkoi orkestrës
pak më shumë gjallëri dhe ndërkaq, sërish u kthye nga këngëtarja, që më së
fundi të hynte në temë.
-Këndo refrenin. - i fliste
regjisori - Refrenin! Bashkohu me të tjerat.
-Po mirë, a jam soliste unë? -
thoshte e shkreta vajzë, sa me shenja me gjysma fjalësh.
-Këndo, moj laraskë, se të
shtira me këpucë! - i briti drejtori; këtë herë s’paskej gati ndonjë mallkim.
-Është mo është, le të
këndojë, - thoshte instruktori pelivan - Hë se bukur po shkon.
Salla nuk po merrte vesh se
ç’po ndodhte. Ca shikonin nga skena, ca të tjerë te kuintat. Një fotograf që po
përpiqej të fiksonte çaste nga shfaqja, shtyu pa dashur me këmbë një vazo me
lule. Por sikur të mos mjaftonte kjo, zuri edhe ai të grindej me ata që ishin
përreth:
-Po s’e pashë ore, s’e pashë.
Erdhi pastruesja të mblidhte
dherat e lulet. Po njerëzia i thoshin të qërrohej andej se tërhiqte vëmendjen e
artistëve. “Unë bëj detyrën. Le ta shikojë udhëheqja...”, thoshte pastruesja
sikur të ishte në radhën e qumështit. Dikush e tërhoqi nga paraskena. Më në
fund ishte zmbrapsur gjithashtu edhe ajo këngëtarja pa fat. Hyri sakaq në skenë
gjimnazistja e bukur që prezantonte koncertin; ende e emocionuar nga gafa e
fundit, ajo filloi të çngatëronte fletët. Ngrinte kokën të prezantonte dhe...Dhe
tani…Nuk i dilte numri i duhur, siç dukej. Hm, dhe tani...
Regjisori që andej:
-Kënga e fëmijëve. Fëmijët.
Fëmijët.
Një masovike e hutuar, e
trembur, ngaqë dëgjoi fjalën fëmijët, kujtoi se duhej të niste në llozhë, te
udhëheqja, buqetat me lule; këto i mbanin një vajzë dhe një djalë që rrinin
prej një ore në këmbë. Shpejt, shpejt! Te llozha! Pothuaj i shtyu fëmijët
masovikja e lebetitur. “Po ata do këndojnë.” - i tha njëri nga fëmijët. Adem
Lalëzi. “Ecë, ecë! S’do më mësosh ti Demi, mua...” Dolën fëmijët e shkretë edhe
zdruq zdruq nëpër shkallët anësore të sallës, që të mos binin në sy. Në
ndërkohën që ata udhëtonin qoshes e qoshes drejt udhëheqjes, në skenë dolën një
grup fëmijësh që do të këndonin. Dirigjenti i dha shënjën orkestrës.
-Lumturia pa kufiii…-
ia dhanë sakaq fëmijët, se kështu fillonte kënga e tyre, me një si britmë.
Në këto momente, drejtori
kishte nxjerrë fare pak kokën nga perdja për të hetuar lidhur me reagimin e
udhëheqjes. Kur pa dhuruesit e luleve në krye të detyrës, sa nuk i ra pika.
Nxori dorën dhe po bënte shenja, domethënë: Kthehuni Kthehuni! Dhuruesit e
luleve vazhdonin të ecnin rëshkitazi e me kurriz, për të mos rënë në sy.
Masovikja e hutuar iu printe udhën.
- Hajde, moj, këtu. Nxirri nga
dera e mesit! - Vazhdonte edhe drejtori
me të vetën.
Dikush nga salla i tërhoqi
vëmendjen masovikes, duke i treguar eprorin që po këputej së bëri gjeste.
-Lumturia pa kufiii! -
gërthitën prapë fëmijët në skenë - Sot
të lumtur jemi/ festë sot ne kemi…
Masovikja u kthye për një çast
nga skena. Mirë që vazhdonin të sokëllinin ata kalamajtë për lumturi e për
festë dhe orkestra po e bënte tym këngën…
-Mbrapç! Kthehuni! - iu foli
ajo dhuruesve të luleve. Dhe ashtu siç kishte porositur drejtori, në të vërtetë
asaj i shkoi vetë mendja për këtë, i nxori fëmijët nga dyert e mesit. Atje e
priste pikërisht drejtori.
-Ku shkon moj, të shkoftë
thika…
-Ata më thanë.
-Kush ata, moj?
-Regjisori. Ai po thërriste:
Fëmijët, fëmijët!
Drejtori tundi kokën gjithë
tërbim dhe vrapoi sërish në krye të detyrës. Instruktori i bëri shenjë të qetësohej.
Tashmë koncerti ishte në duar të sigurta. Fëmijët e kishin marrë shtruar. Festa
jonë gëzim hare/ Sa i bukur je atdhe…
Pati edhe disa numra të tjerë që shkuan disi më mirë dhe pastaj lulet. Këtë herë, në kohën e duhur. I deleguari nga qendra i mbajti ato një copë herë në duar, ndërsa salla duartrokiste, doemos edhe skena, ku tani grup i dirigjuesve e kishte më të lehtë detyrën. Njeriu i udhëheqjes përshëndeti rëndë-rëndë dhe e theu qafën sakaq. Të tjerët i shkuan prapa. Salla filloi të boshatisej ca nga ca...
?
-Neve na kërkohet një koncert.
- tha gjithë mundim Adem Lalëzi - Është fushatë. Nuk kemi nga mbajmë...E
qullosim dot për nja dy ditë?
Vartësit ulën kokën. Ata edhe më parë i mbanin turinjtë varur. Gjithsesi, u ngushëllua Adem Lalëzi, dikur ta kërkonin brenda ditës...O kasolle, ku na mblodhe!