E premte, 02.05.2025, 04:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Izet Abdyli: Nehat Jahiu - ''Kënga e Zogjve''

E diele, 05.05.2013, 12:06 PM


RIKTHIM  I  VARGUT  NAIMIAN

Mbresa nga leximi i librit të Nehat Jahiut  ,,Kënga e Zogjve”   2013

Nga Izet Abdyli

Nehat Jahiu një nga poetet më të dashur për fëmijë në fillim të pranverës  na dhuroi librin më të ri me  titull  ,,Kënga e Zogjve” . Si lexues i parë i dorëshkrimit, pata kënaqësinë që një pjesë të mbresave dhe përshtypjeve ti shpalos para jush lexues të dashur pa pretenduar se kam thënë të gjitha ato që meritojnë të thuhen për këtë libër. Ky libër ngjason me një buqetë lulesh, ku nuk dinë cilën ta zgjedhësh të parën apo të shijosh aromën e saj. Vjershat e poetit Nehat Jahiu  na vijnë si një puhi e lehtë që miklon shpirtin e vogëlushëve, te cilët përmes këtyre vargjeve shijojnë të bukurën, natyrën, livadhet, fluturat, zogjtë, bilbilat, jehun e këngës se bujkut në arë. Dashuria për atdheun,  tokën e vendlindjes është aq e madhe sa që vargjet e tij në vjershën ,,Ngado që të shkojë” na vijnë si një testament i bukur:

 

Dheun e tokës tënde nuk do të harroj

Zemrën askujt nuk ia jap – ty ta dhuroj,

Në zemër do të mbaj, me vete do të marr

Edhe kur të vete tek i imi – varr.

 

Liria, kjo ndjenjë universale, por edhe sintagmë shumë e ëmbël për poetin shpërfaqët me një dashuri të veçantë. Ëmbëlsia dhe dashuria e saj është ngjizur në zemra dhe autori na jep kuptimin e saj në dhjetëra variacione-vargjesh. Por ëmbëlsia na vjen edhe në vjershat tjera me erë trëndafilave , lulet në të bukurën pranverë,shumëngjyrëshin ylber ,, dielli rrezet e veta së larti të fal, hëna të puth në ballë” ,, Kur fëmijët të gëzuar kapen në valle.... Por mbi të gjitha kënga e zogjve është ajo që i jep kuptim jetës dhe poeti e ka pasqyruar atë me ngjyrat më të bukura, me ëmbëlsinë dhe bukurinë e saj,e ka mekur  me dashurinë  e tij. Nga çdo varg nga çdo rimë kemi një mesazh një porosi. Poeti përmes vargut të tij vazhdimisht është në kërkim të pranverës, të bukurës , njerëzores, ndjenjave fisnike e bujare që karakterizuan traditën e popullit tonë. Ka në vargjet e tij nganjëherë edhe pak pikëllim, pak lëndim e mundim, pak shqetësim e dhe pak zhgënjim, edhe pak revoltë, por megjithatë ai mbetet konsistent në vargun e tij i cili herë flet me metafora e herë me alegori që i japin sharmë dhe bukuri vargut të tij. Megjithatë ai përherë është në kërkim të një vargu të ri, që ngjallë shpresën për të ardhmen, pavarësisht se jetohet ne një kohë të pakohë, sikur të poezia ,,Edhe sot”

 

Edhe sot kur futem në një shekull të ri

S’ mund të gjej në poezinë time qetësi,

Kur shoh lot që nga sytë pikojnë,

Kur fëmijët përqafimin prindëror kërkojnë...

 

Përmes vjershave  poeti na jep peizazhe të natyrës dhe tabllo të mrekullueshme nga jeta baritore e fshatit. Me ara e livadhe, me kostarë e barinjtë, me flutura që flatrojnë, e qengja që blegërojnë, e bilibila që këndojnë, kemi  një rikthim të vargut naimian. Poeti është mishëruar me këto ambiente dhe çdo çast, çdo moment eksploron ato, duke treguar fuqinë poetike  se përmasa e fenomeneve dhe dukurive të ndryshme mund të shpaloset në qindra mënyra.

Nostalgjia dhe  kujtimet për fëmijërinë mbesin përherë të pashlyera në kujtesën e poetit , andaj ai shpeshherë i rikthehet saj duke shpalosur momente të lumtura , përmes poezisë ,,Na ikën ato ditë”

 

Na ikën o mik ato ditë si flladi i mëngjesit,

Si valët që lundrojnë në mes të detit,

Ikën e u tretën diku thellë në zemrat tona,

Kjo ishte fëmijëria – e dashura, e brishta, e jona...

 

Poeti përmes vargut dialogon  edhe me malet, krojet, hijet e lisave, erën e luleve, ylberin,  dhe është i gatshëm deri në sakrificën sublime vetëm që vargjeve të tija të iu jep shpirt dhe jetë. Madje  nganjëherë  krahasimi merr edhe  përmasa mitike duke ngjallur shpresën e ngritjes nga shtrati si trimi  Gjergj Elez Alia. Pena e poetit regjistron pothuaj çdo ditë ngjarje qofshin ato të lumtura apo edhe pjesë të hidhura të një realiteti, por gjithmonë të stolisura me figura të bukura poetike. Dashuria për fëmijët është një ndjenjë që nxitë në vazhdimësi emocionin e të shkruarit duke qëndruar si një ushtar kujdestar që regjistron çdo detaj nga bota e tyre e pasur. Organizimi bukur i strukturës së rimës i japin harmoni dhe melodicitet vargut.

Edhe cikli përmbyllës ,,Sot Ditëlindjen ka pranvera” na vjen si një qilim i shtruar me lule ku ndjehet aroma e luleve, drita e diellit ,drithërima e poetit, buzëqeshja e fëmijëve, hijeshia e çdo vargu, ndjehet  harmonia dhe melodia e zërave që mbajnë iso për dashurinë ndaj nënës që krahasohet me dritën e hënës, këndohet  edhe ndonjë ninullë që përkund fëmijën duke i dëshiruar rritë të mbarë. Ndeshim në këtë përmbledhje edhe pyetje të natyrshme për dukuri e vese të ndryshme që zgjojnë kureshtjen e vogëlushëve , si te poezia ,,Pse”

 

Pse të vyshken lulet,

Lulet plot aromë?

Pa to kopshtet tona

Kush i zbukuron?

 

Por mbi të gjitha në shumicën e vargjeve dominon shpresa, ndaj  dhe  ndjenja e optimizmit rrezaton si një shkëlqim farfuritës në këtë buqetë lulesh-poezi, duke i dhënë kuptim jetës e cila ka vlerën e saj vetëm atëherë kur frymon së bashku me lirinë. Në përmbyllje të këtyre mbresave nga leximi i këtij libri, lirisht mund të themi se në vargun e librave-margaritarë për fëmijë ky libër i poetit Nehat Jahiu duhet të zë një vend meritor.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx