| E diele, 05.05.2013, 12:06 PM |
RIKTHIM I
VARGUT NAIMIAN
Mbresa nga leximi i librit të Nehat Jahiut ,,Kënga e Zogjve” 2013
Nga Izet Abdyli
Nehat
Jahiu një nga poetet më të dashur për fëmijë në fillim të pranverës na dhuroi librin më të ri me titull
,,Kënga e Zogjve” . Si lexues i parë i dorëshkrimit, pata kënaqësinë që
një pjesë të mbresave dhe përshtypjeve ti shpalos para jush lexues të dashur pa
pretenduar se kam thënë të gjitha ato që meritojnë të thuhen për këtë libër. Ky
libër ngjason me një buqetë lulesh, ku nuk dinë cilën ta zgjedhësh të parën apo
të shijosh aromën e saj. Vjershat e poetit Nehat Jahiu na vijnë si një puhi e lehtë që miklon
shpirtin e vogëlushëve, te cilët përmes këtyre vargjeve shijojnë të bukurën,
natyrën, livadhet, fluturat, zogjtë, bilbilat, jehun e këngës se bujkut në arë.
Dashuria për atdheun, tokën e
vendlindjes është aq e madhe sa që vargjet e tij në vjershën ,,Ngado që të
shkojë” na vijnë si një testament i bukur:
Dheun e
tokës tënde nuk do të harroj
Zemrën
askujt nuk ia jap – ty ta dhuroj,
Në zemër
do të mbaj, me vete do të marr
Edhe kur
të vete tek i imi – varr.
Liria,
kjo ndjenjë universale, por edhe sintagmë shumë e ëmbël për poetin shpërfaqët
me një dashuri të veçantë. Ëmbëlsia dhe dashuria e saj është ngjizur në zemra
dhe autori na jep kuptimin e saj në dhjetëra variacione-vargjesh. Por ëmbëlsia
na vjen edhe në vjershat tjera me erë trëndafilave , lulet në të bukurën
pranverë,shumëngjyrëshin ylber ,, dielli rrezet e veta së larti të fal, hëna të
puth në ballë” ,, Kur fëmijët të gëzuar kapen në valle.... Por mbi të gjitha
kënga e zogjve është ajo që i jep kuptim jetës dhe poeti e ka pasqyruar atë me
ngjyrat më të bukura, me ëmbëlsinë dhe bukurinë e saj,e ka mekur me dashurinë
e tij. Nga çdo varg nga çdo rimë kemi një mesazh një porosi. Poeti
përmes vargut të tij vazhdimisht është në kërkim të pranverës, të bukurës ,
njerëzores, ndjenjave fisnike e bujare që karakterizuan traditën e popullit
tonë. Ka në vargjet e tij nganjëherë edhe pak pikëllim, pak lëndim e mundim,
pak shqetësim e dhe pak zhgënjim, edhe pak revoltë, por megjithatë ai mbetet
konsistent në vargun e tij i cili herë flet me metafora e herë me alegori që i
japin sharmë dhe bukuri vargut të tij. Megjithatë ai përherë është në kërkim të
një vargu të ri, që ngjallë shpresën për të ardhmen, pavarësisht se jetohet ne
një kohë të pakohë, sikur të poezia ,,Edhe sot”
Edhe sot
kur futem në një shekull të ri
S’ mund
të gjej në poezinë time qetësi,
Kur shoh
lot që nga sytë pikojnë,
Kur
fëmijët përqafimin prindëror kërkojnë...
Përmes
vjershave poeti na jep peizazhe të
natyrës dhe tabllo të mrekullueshme nga jeta baritore e fshatit. Me ara e
livadhe, me kostarë e barinjtë, me flutura që flatrojnë, e qengja që
blegërojnë, e bilibila që këndojnë, kemi
një rikthim të vargut naimian. Poeti është mishëruar me këto ambiente
dhe çdo çast, çdo moment eksploron ato, duke treguar fuqinë poetike se përmasa e fenomeneve dhe dukurive të
ndryshme mund të shpaloset në qindra mënyra.
Nostalgjia
dhe kujtimet për fëmijërinë mbesin
përherë të pashlyera në kujtesën e poetit , andaj ai shpeshherë i rikthehet saj
duke shpalosur momente të lumtura , përmes poezisë ,,Na ikën ato ditë”
Na ikën o
mik ato ditë si flladi i mëngjesit,
Si valët
që lundrojnë në mes të detit,
Ikën e u
tretën diku thellë në zemrat tona,
Kjo ishte
fëmijëria – e dashura, e brishta, e jona...
Poeti
përmes vargut dialogon edhe me malet,
krojet, hijet e lisave, erën e luleve, ylberin,
dhe është i gatshëm deri në sakrificën sublime vetëm që vargjeve të tija
të iu jep shpirt dhe jetë. Madje
nganjëherë krahasimi merr
edhe përmasa mitike duke ngjallur
shpresën e ngritjes nga shtrati si trimi
Gjergj Elez Alia. Pena e poetit regjistron pothuaj çdo ditë ngjarje
qofshin ato të lumtura apo edhe pjesë të hidhura të një realiteti, por
gjithmonë të stolisura me figura të bukura poetike. Dashuria për fëmijët është
një ndjenjë që nxitë në vazhdimësi emocionin e të shkruarit duke qëndruar si
një ushtar kujdestar që regjistron çdo detaj nga bota e tyre e pasur.
Organizimi bukur i strukturës së rimës i japin harmoni dhe melodicitet vargut.
Edhe
cikli përmbyllës ,,Sot Ditëlindjen ka pranvera” na vjen si një qilim i shtruar
me lule ku ndjehet aroma e luleve, drita e diellit ,drithërima e poetit,
buzëqeshja e fëmijëve, hijeshia e çdo vargu, ndjehet harmonia dhe melodia e zërave që mbajnë iso
për dashurinë ndaj nënës që krahasohet me dritën e hënës, këndohet edhe ndonjë ninullë që përkund fëmijën duke i
dëshiruar rritë të mbarë. Ndeshim në këtë përmbledhje edhe pyetje të natyrshme
për dukuri e vese të ndryshme që zgjojnë kureshtjen e vogëlushëve , si te
poezia ,,Pse”
Pse të
vyshken lulet,
Lulet
plot aromë?
Pa to
kopshtet tona
Kush i
zbukuron?
Por mbi të gjitha në shumicën e vargjeve dominon shpresa, ndaj dhe ndjenja e optimizmit rrezaton si një shkëlqim farfuritës në këtë buqetë lulesh-poezi, duke i dhënë kuptim jetës e cila ka vlerën e saj vetëm atëherë kur frymon së bashku me lirinë. Në përmbyllje të këtyre mbresave nga leximi i këtij libri, lirisht mund të themi se në vargun e librave-margaritarë për fëmijë ky libër i poetit Nehat Jahiu duhet të zë një vend meritor.