E enjte, 01.05.2025, 02:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpëtim Kastrati: Kuqo

E diele, 05.05.2013, 04:55 PM


K U Q O

Tregim nga Shpëtim Kastrati

Nga që binte një shi i madh me rrebesh, u futa në një zgavër të madhe për tu ruajtur sa të shfrynte dufi i rrëmbyeshëm i tij. Për fatin tim të mirë dhe të keq aty gjeta Kuqon, kalin e koperativës që kishte mbetur pa zot dhe sillej vërdall kodrave të fshatit, i cili me aq mend sa kish, kishte zgjedhur edhe ai zgavrën për tu ruajtur nga shiu.

U gëzova për shoqërinë e tij, sepse kisha një dashuri të veçantë për kuajt. Kur isha fëmijë i vogël çdo verë shkoja tek daja, në një fshat më të thellë. Ata kishin një kal, Dogun, me të cilin unë kaloja pothuajse gjithë ditën, dhe që atherë më mbeti dashuria për kuajt.

U afrova mendadalë që të mos më trembej dhe e ledhatoja e fërkoja nga qafa dhe jelet që i ngriheshin  xhufkë si një degë pishe e njomë. Ai nga kënaqësia  nderte kokën nën sqetullën time dhe turfullonte. Por kur e vura re me kujdes, ç’të shihja, të çara e të çjerra nga nofullat, nëpër bark e deri tek vithet. Disa edhe ishin maisur e i rridhnin gjak. Më shkoj mendja që këtë e kishin bërë fëmijët  e fshatit, që pas shkollës e merrnin e luanin me të. E kishin fshikulluar ligshëm nga kënaqësia për të vrapuar, deri sa e kishin katandisur në një gërdallë, dhe pothuajse të gjakosur në të gjithë trupin.

Kuqo ishte një kal jo më shumë se tre vjeç, deri përpara pak kohësh atë e mbrehte në karrocë xha Pandi, së bashku me një kal tjetër që kishte ngordhur, dhe fill mbas një muaji vdiq edhe vet ai. Kështu u shkretua karroca e tij që bënte ndonjë punë në koperativë dhe Kuqo kishte mbetur pa zot e përkujdesje, e nuk kujtohej kush për të.

Më erdhi keq e nuk mund ta lija ashtu në atë gjendje. Kisha një strehë tek shtëpija që mund ta strehoja, ndaj hoqa rripin e pantallonave, ia shkova në qafë e fill e në shtëpi. Mu deshën dy a tre orë që ta laja e kashaisja me ujë të ngrohtë, për të cilën më ndihmoi edhe gjyshja, e cila përgatiti edhe disa pomada që e mjekuam. Për disa ditë ato u përthanë, dhe nga që e ushqeja mirë dhe e kashaisja përditë filluan ti shkëlqenin qimet e t’i ndrisnin sytë. Por ç’duhet  të bëja me të tani, ai nuk ishte kali im, ishte i koperativës? Ta lëshoja përsëri, më vinte keq, se fëmijët e fshatit prap do ta keqtrajtonin. Bisedova me stallierin, xha Rizain, i cili përkujdesej për qetë e fshatit gjatë natës. E di, më tha, që ka ngelur azat, por unë i shkreti, nuk e ndjek dot për natë që ta fusë në stallë. Dikush duhet të kujdeset për të ditën, më kupton apo jo?

Mbasi u mendova gjatë, i shkova kryetarit të koperativës.

-           Hë, ç’hall të ka zënë, - ma priti ai duke tymosur një cigare sapo

hyra në zyrë, - mos do të marrësh arratinë edhe ti nga fshati, si ca djem të tjerë për në qytet?

-           Jo, jo, nuk kam ardhur për këtë.

-           Të kemi djalë të mirë, pavarsisht nga xanxa që ka familja jote,(në

fshat na njihnin si kulak, ngaqë të parët e mi kishin pasur disa nga tokat e fshatit e nuk kishin pranuar koperativën, derisa gjyshin tim e futën në burg për sabotim e vdiq atje) por të dish t’ia shlyesh Partisë, - vazhdoi ai.

I prisja këto fjalë, por pa hezituar i tregova për punën e kalit.

Ai i priti mirë gjithë sa i tregova, por çuditërisht psherëtiu, e tha:

-           Punë të mirë ke bërë, por ç’farë ke menduar për kalin?

-           Nuk e di, por ai e do një zot.

-           Po ja, të lëmë ty zot, ç’do të bësh me të?

E kisha menduar edhe këtë, por ngaqë ai më kërkoi zot vet, dhe nuk

para e hante fjalën, mora zemër e i thashë:

-           Ne jemi qendër për disa fshatra, mund ta përdorim kalin për të

shpërndarë postën dhe urdhërat e kryesisë së koperativës.

-           Ëëëë, mirë të ka shkuar mendja, - e më pa drejt e në sy.

Megjithëse posta dhe urdhërat  e koperativës konsideroheshin

sekrete, ato deri më tani shkonin dorë më dorë, kush të gjendej, për në fshatrat e tjerë. Por nëse isha unë i përshtatshëm për këtë punë, një bir kulaku, një zot e di si do ta mendonin, pavarsisht se posta  binte dorë më dorë? Dëshirë kisha të punoja me Kuqon, por po të binte në një dorë të mirë edhe me një tjetër, do të isha i kënaqur.

-           Mos ndihesh keq atje në brigadë, ku je? - më pyeti duke më

vërejtur me vëmendje, ai.

-           Jo, aspak, me shokët edhe unë! Por ju mund të gjeni edhe ndonjë

tjetër për këtë punë, mjafton që dikush të kujdeset për kalin.

-           Po, mirë e ke, - u duk sikur i shpëtoi, - por kali do të zonë.

-           Mbasi u mendua pak, shtoi: - mirë, mirë, shko se do ta shohim

këtë punë.

-           Po me kalin, ç’duhet të bëjë?

-           Mbaje njëher në shtëpi, se do ta zgjidhim shpejt.

Nuk vonoi dhe një ditë, brigadieri më lajmëroi që të paraqitesha në

kryesinë e koperativës. Atje më priti veterineri i fshatit, që ishte dhe moshatari im, me të cilin ishim edhe shokë. Ai më spiegoi se kishte ngulur këmbë( mbasi ishte anëtar i kryesisë së koperativës) që me kalin të punoja unë, që dija të kujdesesha për të, dhe ashtu ishte vendosur. Por më parë ai do ta vizitonte që të plotësonte një kartelë shëndetsore dhe më dha një letër që të shkoja diku në një fshat tjetër, që ta mbathja me patkonjë dhe të merrja një shalë për të.

Kështu kisha filluar punën e re që më merrte gjithë ditën, por për Kuqon kujdesesha çdo ditë. E ushqeja mirë, e kashaisja me kujdes, kisha filluar ta stëvitja edhe me lojra e veprime për ta bërë më të shkathët, por edhe të më kuptonte e ta kuptoja. Natën e lija në stallë tek xha Rizai, edhe ai kujdesej dhe ishte i kënaqur që Kuqo e kishte marrë veten.  I donte kafshët  dhe kujdesej për to sa të mundej. Por Kuqo nuk para të bënte mik kollaj. Kur donte ta shalonte, ai i bënte naze, sepse Kuqon e përdorte ndonjëher natën edhe mjeku i fshatit ,kur e thërrisnin nga ndonjë fshat tjetër për ndonjë urgjencë.

-           E ke bërë vetëm për vete, - më thoshte ndonjëher me shaka. – Por

prapë gjene mirë, se ia kanë zilinë këta të mëdhenjtë e fshatit dhe ta marrin, dëgjo xha Rizain ti.

-           E po, me tapi nuk e kam, le ta marrin në daçin.

-           Erdhi një ditë agronomi, Baçi, ai turifyçka, e provoi, por Kuqo ama,

desh e hodhi, ja aty tek ai ledhi. Qënka i sertë, më tha. Ma la në dorë dhe iku, nuk u pa më këtu.

-           E po, kafshë është, ka huqet e tij, duhet  t’ia dish.

-           Edhe ai doktori e ka me siklet, e marrin për dore kur shkon me të.

Ndërsa ty të ndjen që atje tej, kur vjen në mëngjes, hidhet e përdridhet që të shkëputet nga litari deri sa vjen ti.

-           Më ka dhe e kam shok tani, por edhe tagjinë e kujdesin nuk ia

kursej.

-           Sevap e ke, dëgjo xha Rizain, ti.

Dhe vërtet, nga që pija duhan, kollitesha ndonjëher. Sidomos në

mëngjes dhe kur lodhesha ndopak, nuk më ndahej ajo e shkreta. Ndaj dhe Kuqua, sa ndiente kollën time nga larg, përpëlitej e hazdisej të shkëputej nga litari, deri sa të shkoja unë e ta liroja.

Shkoi gati një vit që punoja kështu, ata të kryesisë nuk ishin të zhgënjyer me mua, sepse punën e bëja mirë dhe gjendesha edhe për çdo punë tjetër kur isha i lirë. Ndërsa Kuqon e mbaja “si kal beu”, thoshin fshatarët e mi. Por kishte ndonjë që edhe thumbonte, “ Eh ja, bej ishte, bej ngeli!” kur më shihnin kaluar me Kuqon. Këto romuze bëja sikur nuk i dëgjoja, dhe vazhdoja punën me zell, ngaqë Kuqua më ishte bërë një shok i pandarë. Por edhe ai nuk besoj se do ta kishte të lehtë po të ndahej prej meje, këtë ma thoshin edhe disa bashkfshatarë dashamirës.

Si zakonisht  për çdo vit, në fshat erdhi thirrja për të shkuar në zbor, (shërbim ushtarak i detyruar 25 ditor për çdo vit) midis disa bashkfshatarëve isha dhe unë. Më erdhi keq për Kuqon që do ta ndaja për disa ditë, por nuk dyshoja që xha Rizai do të kujdesej për të.

Të nesërmen u paraqitëm në repartin ushtarak ku do të kryenim shërbimin. Mbasi na veshën ushtarak dhe armatosën, na rreshtuan dhe komandanti i repartit na komunikoi se do të qëndronim në shërbim 21 ditë, ngaqë do të bëhej një stërvitje e madhe. Por ajo që më gëzoi ishte se komandanti kërkoi që, të gjithë ata që punonin me kuaj, të ktheheshin të merrnin kuajt, dhe të nesërmen të paraqiteshin në repart me gjithë ta, ngaqë nevojiteshin për stërvitjen.

Ishim bërë gati dhjetë kalorës në shërbim të repartit të nesërmen, Kuqo dallonte nga të gjithë kuajt, ndaj komandanti më dha detyrë të posaçme; që me Kuqon të ngjisnim një top luftarak në kodrën më të lartë. E dija që Kuqo si “i zgjedhur” nuk do të më linte në baltë. Besoja në fuqinë e tij, sprova nuk do të ishte e lehtë, por të dy bashkë do ta dyfishonim besimin e njeri - tjetrit.

Jo me pak mundim, të dy, por dhe me ndihmën e disa rezervistëve e ngjitëm topin deri në majë. Zotësia dhe pamja e një kali të veçantë nuk ngeli pa rënë në sy, për Kuqon. Kur aty në atë kodër ishte vendosur edhe shtabi qëndror i stërvitjes. Një aficer, barkalec, me sa dukej i madh në detyrë (sepse nuk kishin grada atherë oficerët e çdo rangu), ngaqë hiqej me të madh e hijerëndë, u afrua dhe po e shikonte me zili, si qeni kockën në duart e të zotit.

-           Ç’punë bënë me këtë kal? – më pyeti.

-           Çoj dhe marr postën nëpër fshatra, - i thashë si i trembur, ngaqë e

ndjeva zilinë e tij.

-           E paske mbajtur mirë, - më tha, duke më rrahur shpatullat dhe u

largua.

Mbas pak erdhi komandanti i repartit dhe më pyeti:

-           Është i regjistruar ky kal?

-           Po, në koperativë, si të mos jet!

-           Për ushtrinë, po të pyes?

-           Pse, bëjnë ushtri edhe kuajt?! – pyeta i habitur.

-           Nuk po të them, që do të bëjë ushtri, por duhet të jet i regjistruar

për ushtrinë, kështu janë rregullat, - ma priti ai gjithë inat.

-           Nuk e di, ata në koperativë, mbase…

-           Mirë, mirë, - ma preu ai,dhe mbasi shkruajti një copë letër, ma dha

dhe urdhëroi: - ditën e fundit të shërbimit, shko paraqitu në këtë adresë, të regjistrohet kali, pastaj kthehu në fshat.

-           Si urdhëron! – iu përgjigja menjëher dhe zemra ma bëri “krrak”.

“Ma morën” thash me vete, dhe tani isha unë, ai që e shihja me zili

atë. Por edhe ndërroja mendje, “janë rregulla” thosha, do ta regjistrojnë dhe kur tu duhet, na thërrasin.

Ditët e zborit mezi po shtyheshin, më tepër nga meraku se mos ma merrnin Kuqon, aq sa nuk e ndaja edhe natën. Mundohesha ta mbaja si fshehur që të mos binte në sy të ndonjë “djallushi” tjetër, por e kot, shpesh komandanti më urdhëronte të kryeja punë me të, dhe doja s’doja, ishim nëpër këmbët e tyre. Edhe të tjerë oficerë e kapnin për freri dhe e shihnin me zili. Kjo më nervozonte, por nuk guxoja t’i kundërshtoja, vetëm Kuqo që nuk kishte ndonjë blanë në biografi, kur bezdisej, ngrihej me dy këmbët e para lart dhe u shkëputej. Kjo më jepte kënaqësi, ngaqë Kuqo u kallte frikën dhe i shpallte të padëshirueshëm.

Ditën e fundit të zborit, u paraqita së bashku me Kuqon, në zyrën e autorizuar nga komandanti. Menjëher dy oficerë, dukeshin të rinjë në moshë, ndoshta edhe në detyrë ngaqë nuk ishin shumë të kapërdisur e hijerëndë si ai barkaleci, dolën dhe po e shihnin Kuqon me vëmendje. Seç thanë me zë të ulët me njeri – tjetrin dhe më thirrën:

-           Eja ti!

I ndoqa pas deri tek zyra, njëri hapi një regjistër dhe pyeti:

-           Si quhet kali?

-           Kuqo! – i thash unë me zë të dridhur.

Ai më hodhi një vështrim të shpejtë përbuzëz dhe pyeti përsëri:

-           Sa vjeç është?

-           Më duket se tre, - ia ktheva unë, tani i friksuar.

Ai nuk i ngriti më sytë veçse shkruante në regjistër, ndërsa unë befas

dhe pa vetdije pyeta:

-           Do ta merrni?!

Ai e ktheu regjistrin mbarë nga unë ku shënoi me gisht ,e tha gjithë

inat:

-           Firmos këtu, e mos i fut hundët  për gjëra që nuk të përkasin ty.

-           Si urdhëron! – thashë unë nëpër dhëmbë duke firmosur.

Oficeri tjetër, seç kishte një vegël në dorë, e duke dalë më thirri:

-           Hajde mbaje kalin.

-           Ai i shënoi një numër në qafë, duket me të nxehtë, sepse u ndie

era e përzhitjes e Kuqo u drodh nga dhembja.

-           Shko në fshat tani, - tha ai me mospërfillje e u ngjit në zyrë.

Mbas dy – tre ditësh që isha kthyer në fshat, xha Rizai më thotë që

Kuqo nuk ishte më ai i pari:

-           Ç’i ka ndodhur, mos e ke lodhur andej? – më pyeti një ditë gjithë

merak.

-           Si të them! – i thashë duke psherëtirë.

-           Mos e ke shembur gjëkundi? – pyeti përsëri i shqetësuar.

-           Jo, jo, ndoshta u lodh ca, por…

-           Por… ç ‘farë?! – pyeti i habitur.

-           Më duket se e bënë komunist, - i thashë seriozisht.

-           Si?! – thirri ai i habitur dhe ia krisi të qeshurit.

(Edhe xha Rizai ishte me biografi të keqe, ndaj nuk ruheshim nga

njeri – tjetri, por shpesh bisedonim për regjimin që po kalbej e po i vinte fundi.)

-           Ja shikoje, - i thashë, dhe i tregova numrat që i bëri oficeri në qafë.

-           Vërtet! – tha ai dhe u afrua të shikonte dhe ia krisi përsëri të

qeshurit .

-           Ja, nuk gënjej.

-           Po, vërtet e paskan bërë! - tha i habitur.

-           Po tani?! – pyeti gojëhapur.

-           Nuk e di?! – ngrita supet.

-           Ndaj… - heshti ai, dhe shtoi, - ndjen diçka kafsha e gjorë!

Kur e kisha shtuar përkujdesjen për të, dhe mundohesha ta argëtoja

me lojra që i kishte bërë edhe më parë, befas erdhi një makinë ushtarake dhe e morën.

E mori ushtria, më tha veterineri, nuk do ta kthejnë më. Më vjen keq, se ti e mbaje mirë, por kur u duhet atyre, ata janë më të rëndësishëm, të shohim se mos gjejmë ndonjë kal tjetër.

“Ah, barkaleci!” thashë me vete,”ai ma mori”.

Mua më kthyen në brigadë ku kisha qënë më parë dhe një kal tjetër nuk  erdhi kurrë. Por ndarjen me Kuqon nuk e kisha të lehtë. Shpesh më bëhej hingëllima e tij, troku i tij, sytë e tij sikur më vështronin të përvuajtur e të përvëluar nga malli. Ndonjëher e përfytyroja që e fshikullonin duke tërhequr topa luftarak nëpër kodra. Ai nuk u bindej dhe ata e fshikullonin pa mëshirë, duke më ngjallur vijat e gjakosura nëpër trup si ditën e parë që e gjeta. E duke shkuar koha po mësohesha ndoshta pa të, por nuk e harroja, shpesh e bëja bisedë me bashkëfshatarët. Edhe ata e kujtonin me mallëngjim, por sikush ngrinte supet, “u duhej atyre” thoshin.

Por nuk ishte e thënë që me Kuqon të ndahesha kollaj. Me një shokun tim që kisha kaluar mirë, kur kryenim shërbimin e detyrushëm ushtarak, ruaja korrospodencë me letra, ngaqë ndodheshim larg njeri – tjetrit. Me letrën e fundit ai më njoftonte se i kishte vdekur nëna. Kështu sapo mora lajmin, të nesërmen u nisa për ngushëllim tek ai.

Deri në Tiranë shkova me tren. Pastaj, meqënse ai jetonte në periferi, u nisa në këmbë, për të bërë ndoshta edhe një orë rrugë deri në shtëpinë e tij. Ishte verë dhe dielli përvëlonte. Nga rruga isha djersitur sa këmisha mbrapa kurrizit më ishte ngjitur në mish. Ngaqë doja të shkoja sa më parë dhe të kthehesha po atë ditë, nuk po pushoja rrugës. Pak nga djersitja dhe pak nga lodhja fillova të kollitesha ndonjëher. Edhe rruga ishte pak e përpjetë dhe më mundonte.

Kur shquajta shtëpitë e para të fshatit, e nxitova pak hapin, por kolla po më bëhej më e shpeshtë. Isha duke shkuar nëpër  një luginë të vogël, ku nga ana e sipërme ngrihej një gardh me tel me gjemba, ndërsa nga ana tjetër shkonte një përrua i vogël. Kur papritur ndjej një hingëllimë të fortë kali dhe trokthin e tij që vinte nga ana ku ishte gardhi me telin me gjemba. Por ç’të shoh?! Sikur të kishte zbritur nga qielli, mu çfaq Kuqo, i cili u hodh mbi gardhin si vetëtimë e drejt e në rrugën që vazhdoja unë. U soll dy – tre herë me vërtik rreth meje, e qëndroi ballpërball. Turfulloi njëherë, u afrua dhe e ngjeshi kokën nën sqetullën time. Mu rrënqeth mishi, e fillova ta përqafoi, t’i shkundja veshët, jelet. Pastaj po e shikoja në gjithë trupin se mos kishte të fshikura a dregëza, siç e kisha menduar në fshat. Por papritur u gjenda i rrethuar nga katër – pesë ushtarë që më kishin drejtuar armët. Njëri u afrua dhe më lidhi duart mbrapa me litar. Kuqo nuk më ndahej, e kishte hedhur qafën mbi supin tim e shfrynte e hingëllinte. Një ushtar tjetër, i kapi frerin dhe e tërhoqi me forcë deri sa e shqiti prej meje, dhe nëpërmjet një shtegu hyri brenda gardhit me telin me gjemba.

Unë sa isha i befasuar, ashtu erdha në vete dhe i pyeta ushtarët se çfarë kisha bërë që më kishin lidhur. “Ta tregojmë ne”, më tha njëri prej tyre, “ec pëpara.” Pas pak, e pash veten në një repart ushtarak, ku menjëher më futën në një dhomë, nën ruajtjen e dy ushtarëve me armët e ngrehura drejt meje dhe të një oficeri që po komunikonte me dikë për të më marrë.

Pas kësaj nuk mbaj mend asgjë, vetëm kur jam përmendur në birucat e hetuesisë. Aty hetuesi më komunikoi akuzën; Tentativë me dashje për vrasje të një oficeri madhor, tentativë për sabotim dhe vjedhje me dashje të mjeteve dhe pasurisë ushtarake, shkelje me dashje e betimit ushtarak, etj. Me të gjitha këto akuza, sipas prokurorisë ushtarake, duhet të dënohesha deri në 22 vjetë burg.

Mbas tetë muajsh hetuesi më nxorën në gjyqin ushtarak. Megjithëse unë u spiegova, me fakte, që ndodhesha krejt rastësisht atë ditë në atë rrugë, duke u treguar letrën e shokut tim, të cilën edhe ai e dëshmonte. Duke u treguar shkakun, që Kuqo më kishte ndjer nga kolla, ndaj dhe e kishte rrëzuar oficerin që kishte thyer këmbën dhe dorën e djathtë. Që gjithçka ishte e rastësishme dhe aspak me qëllim, dhe unë nuk kisha pasur asnjë lloj informacioni se ku ndodhej Kuqo, dhe nuk kisha nga ta dija kur ndodhesha kaq shumë larg. Por gjykata ushtarakevendosi; 12 vjetë burg pa të drejtë apelimi. Të cilat i vuajta, sepse kisha dashur dhe më donte një kafshë fisnike si Kuqo.

Dhe që atë ditë nuk e pash më, kalin tim të dashur, por nuk e harrova kurrë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx