Kulturë
Xhemail Peci: Zemërbardhë i zemërbardhëve
E hene, 06.05.2013, 05:00 PM
Nga Trilogjia Letrare:
“RAMIZ KELMENDI – SOKOL HALILI I LETRAVE SHQIPE”
ZEMËRBARDHË PREJ ZEMËRBARDHËVE
E
ZEMËRBARDHË I ZEMËRBARDHËVE
Nga Xhemail Peci
Perëndia dhe Natyra kanë bërë garë: se cila do ta bënte Ramiz Kelmendin sa më Zemërbardhë, dhe cila do t’ia bënte Penën e Tij: Porsi Vala e Drinit t’Bardhë. Zemërbardhë edhe kur ka Vepruar e edhe kur e ka Parafytyruar Shqipërinë të Bashkuar e të Përparuar - nën Firmamentin e Tij “Hija e Lirisë” (që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare), Zemërbardhë edhe kur e shkruan Letërisnë, Zemërbardhë edhe kur flet për Dashurinë, Zemërbardhë edhe kur Ligjëron, Zemërbardhë edhe kur e Kujton Përmallshëm të Kaluarën, Zemërbardhë edhe kur Gjakon për të Bukurën dhe të Madhërishmen, Zemërbardhë edhe kur ka Pajtuar dhe kur Thërret për Pajtim dhe për Bashkim, Zemërbadhë edhe kur Thërret për Një Vëllazëri Gjithëshqiptare, Zemërbardhë edhe kur Këshillon por edhe kur Kritikon, Zemërbardhë edhe kur ka Edukuar, Edukon e edhe kur ka Zgjuar e Zgjon Ndërgjegjen, Zemërbardhë edhe tek romani Ahmet Koshutani, Zemërbardhë edhe kur e ka shkruar Shtatë Persona Ndjekin Autorin, Zemërbardhë edhe kur i ka hartuar Librat e Leximit, Zemërbardhë edhe kur i ka hapur Fejtonet për Rilindasit dhe Letërkëmbimet e Tyre, Zemërbardhë edhe kur e ka pohuar se Dantes nuk ka kush t’i shkruajë, Zemërbardhë edhe kur ka Thirrur dhe Thërret për Heshtjen e Armëve, Zemërbardhë edhe kur ka shkruar Letra prej Ulqini, Zemërbardhë edhe kur ka shkruar Shtegtimet e Mia, Zemërbardhë edhe kur ka Rrëfyer e edhe kur ka Përkthyer, Zemërbardhë edhe kur ka Falenderuar e Zemërbardhë edhe kur ka Lëruar gjinitë e ndryshme letrare, Zemërbardhë edhe kur e ka hapur e edhe kur e ka Pagëzuar si një Ogur të Bardhë Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica”, Zemërbardhë edhe kur ka Nderuar Marie Shllakun e edhe kur ka Shkruar për Bashkëluftëtarët e Saj, Zemërbardhë edhe kur e ka Shpalosur dhe e Shpalosë në Vijëmësi Prirjen e Tij Letrare – Dhuntinë e Tij Artistike, Zemërbardhë edhe kur e Çmon Vlerën dhe e Fshikullon Antivlerën, Zemërbardhë edhe kur e ngre Lart dhe kur e Vlerëson aq Drejt Artin - kur e Mbron dhe kur e Motivon, Zemërbardhë edhe kur e Nderojmë e edhe kur na Nderon, Zemërbardhë edhe kur ka shkruar Suzanën e edhe sa herë që e ka Kujtuar dhe e Kujton Ulqinaken, Zemërbardhë edhe kur Flet e edhe kur Thërret për të Mirën e Përbashkët, Zemërbardhë edhe kur ngre Ura, Zemërbardhë edhe kur Kujton me aq Pietet (si rrallëkush) me Penën e Tij të Mprehtë – Të Gjithë Ata që Padrejtësisht e që Egërsisht u Anatemuan, u Harruan, e Tragjikisht ende po Harrohen: Zemërbardhë edhe kur Flet Hapur e Zemërbardhë edhe kur e përdorë me aq Mjeshtri e me një Dhunti sa të Lindur po aq edhe Habitëse: Ironinë, Sarkazmën e Satirën; Zemërbardhë edhe kur Flet aq Bukur, aq Ëmbël, aq Hijshëm, aq Rrjedhshëm, aq Projshëm, me aq Takt dhe me aq Delikatesë, Zemërbadhë me Buzëqeshjen e Tij aq Filozofike, Zemërbardhë kur ecë me aq Modesti – si Lasgushi, dhe po aq Zemërbardhë – në veshjen si Mitrushi, Zemërbardhë edhe kur flet për katër Qytetet e Tij më Të Dashura: Ulqinin (e Cafo Beg Ulqinit si Klithje për Hartën e Copëtuar dhe për Ulqinaken - Dashurinë e Paharruar), Gjakovën (Malësia e së cilës gjatë historisë u bë Çerdhe e Atdhetarëve Shqiptarë, e ku Haxhi Zeka e mësoi artin luftarak që prej moshës trembëdhjetë vjeçare), Tetovën (për të cilën Eruditi í Kombit Mithat Frashëri – alias Lumo Skëndo e parashihte se pas Prishtinës, do të jetë vendi ku Përfundimisht do të zgjidhet Nyja e Çështjes Shqiptare: “Do të vijë koha që politikat ndërkombëtare do ta verifikojnë dhe do ta ndreqin veten në Kosovë. Qendër e tyre do të jetë Prishtina, fjalën e fundit do ta thotë Tetova”), dhe Shkodrën (e Bekuara e Zotit dhe Dashnorja e Shekujve – siç e quante Migjeni, e për të cilën Knjaz Nikolla í Malit të Zi, duke iu përgjigjur të birit Danillo në pyetjen se për se nuk e merrnin edhe Shkodrën meqë u kishte ardhur zogu në dorë, i kishte thënë: “Po ta marrim Shkodrën, pas dhjetë vitesh do të na marri Shkodra ne dhe nuk do të ketë më Mal të Zi. Shkodra është gropë e madhe e të gllabëron”): Zemërbardhë edhe kur shkruan shumë e kur flet pak, Zemërbadhë edhe kur flet pak e na thotë shumë, Zemërbardhë edhe kur me modesti nuk na i pranon të gjitha epitetet të cilat aq të dëshiruara nga ne për t’ia falur a dhuruar – janë po aq edhe të merituara për Te; Zemërbardhë edhe kur bën Thirrje për Pajtimin e dy kolosëve të Letrave Shqipe - Ismail Kadaresë e Rexhep Qosjes, Zemërbardhë prej Zemërbardhëve e Zemërbadhë i Zemërbardhëve: RAMZI KELMENDI
SOKOL HALILI, LASGUSH PORADECI, RAMIZ KELMENDI
Është thënë me të drejtë nga shkrimtari Zija Çela se Ramiz Kelemndi e ka formuar stlin e vet ramizqe, por pa mohuar faktin se në stlin e tij ka diçka edhe nga stili i prozës së Mitrush Kutelit, nga stili leterar i Ernest Koliqit, e veçmas në udhëpërshkrimet dhe në skicat e shkurta, stili i Ramiz Kelmendit shëmbëllen deri-diku edhe me stilin e Mithat Frashërit, madje edhe vet titujt e veprave e dëshmojnë një prirje të tillë të theksuar letrare-artistike: Mitrush Kuteli – Sulm e lot, Mithat Frashëri - Hi dhe shpuzë, Stavro Th. Frashëri – Lule e Gjemba, skica poetike, Ramiz Kelmendi – Vija e vrragë…
Ramiz Kelmendi është quajtur me të drejtë Gazetari Emblemë i Kosovës, Ikona e gazetarisë kosovare, Doajeni i saj, Figurë Emblematike që ka besuar se fjala e tij mund të zgjojë ndërgjegje (siç është shprehur me vend njëri nga bashkëkohanikët e tij, Rexhep Qosja). Ndërkaq, vet thënia e Ramiz Kelmendit se ka shkruar në atë mënyrë që shkrimet t’u pëlqenin femrave, na e ka shpalosur delikatesën e stilit të tij. Një e thënë e tillë nuk ka se si të mos na e kujtoj poetin lirik Lasgush Poradeci se “kush shkruan poezi e ka shpirtin e shenjtëruar”, e në mënyrë të veçantë thënien e poetit romantik anglez se mënyra se si ecin shqiptarët është vërtet teatrale – ndoshta janë raca më e bukur në botë, si dhe pohimin e Pashko Vasës se shqiptari është poet. Ramiz Kelmendi në dashurinë e tij është poet, do me thënë ka një ndjeshmëri tejet të theksuar në të cilën e bukura dhe e madhërishmja, jo vetëm se adhurohen dhe dashurohen denjësisht, me afsh dhe me pasion, por edhe hyjnizohen, lartësohen dhe madhërohen. Por e vërteta është se në përmasat monumentale të një gjakimi të tillë dhe të një frymëzimi të tillë, Ramiz Kelmendi është vetë Kreshniku Sokol Halili që dashuron me gjithë qenien e vet Mona Lizën e tij – Tanushën. Në këtë pikë, e veçanta bëhet e përgjithshme. Ai, ashtu si dhe Lasgushi, e kanë thënë në mënyrë aq kreshnike: Po. Kam Dashuruar Dashurinë! Janë Bjeshkët e Rugovës, ku Rapsodi i Dukagjinit mund ta ketë parë shpesh Tanushën dhe flaka e pashuar e dashurisë ideale ia ka mbërthyer zemrën, ia ka kapluar shpirtin, ndaj dhe pjesa tjetër i ka mbetur Lahutës a Penës për ta bërë Dashurinë – Të Përjetshme. Ndaj dhe pohimi se Ramiz Kelmendi “e ka pasur udhërrëfyes gjatë gjithë jetës Faik Konicën”, përkon me të vërtetën tjetër se, ashtu si Faik Konica, edhe Ramiz Kelmendi e ka pasur një shije krejt të veçantë, për të bukurën, të madhërishmen, për tokësoren dhe qielloren; një shije sa idolatrike po aq edhe estetike, ndaj edhe që të dyve nuk u ka munguar përmasa e një dashurie monumentale, e shkrirë në forma të ndryshme, në kohë dhe në vende të ndryshme, edhe nëpërmjet letërsisë. Ramiz Kelmendi është shprehur shpesh me një finsikëri të rrallë sa herë që ka folur për dashurinë si për një nga ndjenjat më subtile, madje ai ka folur aq denjësisht dhe aq sinqerisht, sa nuk e teproj të them se më kujton pa dashje Gëten e Madh-Zeusin e Vajmarit dhe thënien e tij të njohur se: Vatër e ngrohtë dhe grua e mirë, janë ar dhe xhevahir! Në Ligjërimin dhe në Mallëngjimin për Dashurinë, Ramiz Kelmendi e ka shpalosur vetë Dashurinë për Jetën dhe Kuptimësinë e saj. Madje ai ka folur dhe flet me kompetencë për botën që e njeh aq mirë, për pasionin dhe për emocionin që ngjallë në pafajsinë e vet një nga ndjenjat më subtile që i ka dhënë dhe i jep kuptim jetës, por edhe vetë artit.
Kuadri i Lirikës së Dashurisë, qe ri-hapur në mënyrë të veçantë në përmasat e veta monumentale me hyrjen e ballit të Tanushës në sfondin monumental të Epikës Kreshnike. Eposi i Kreshnikëve nuk është epi grek e as e mermerta e Pantheonit të mitologjisë greke.
Poeti í Kombit, Gjergj Fishta e ka zbërthyer aq bukur Mitin e Tanushës: “E unë Tanushën vet e kam pa,/gjë ma t’bukur s’shef njeriu nën ket diell!/Vetulla e saj ndrejt, si fiskaja,/shtegu i ballit si shtegu i malit,/ kur merr hana me prendue;/Syni i sajë si kokrra e qershisë;/E ka qerpikun si krahu í dallëndyshes,/fytyra e sajë, si kuqet molla n’degë;/Hunda drejt si kalemi i Tushes,/goja e vogël si lulja që shpërthen;/Dhambët e bardhë, si gurzit e lumit,/fill mbas shiut kur po i shndrit dielli,/qafa e sajë si qafa e pllumbit,/shtati i sajë si shtat qetine,/misht e dorës porsi rremi i shemshirit…Ku e ka Petrarka – mbreti i vjershës së bukuris e të dashtnis nji përshkrim të hijeshisë së grues më të bukur se ky?...Rapsodi i maleve tona…ky Titan i ri – me fuqi të fjalës së vet rrmyese, të pushtetshme, përkulë madhninë e natyrës nën lëmaje të harkut të lahutës së vajtueshme…sa me të vojtë mendja, se je tue ndigjue kund ndonji thermi të “Titanomakis” s’Esiodit. Pos të damit të Hektorit prej Andromaket, përshkrue prej Homerit n’Iliadë, nuk më bjen ndër mend, se kam lexue kund ndonji përshkrim ma të frymëzuem…Shembëlltyrë ma fisnike e homerike s’e ka letaratyrën në botë!...Prandaj mund të jetë, ndoshta, se “Laura” e Paetrakës asht nji “Venus”, mbrue n’shkumbë të detit; por sigurisht se “Tanusha” e Rapsodit të Dukagjinit asht e bardha ajo “Athenaja”, shpërthye e armatisme prej rrashtet të Zeusit rrufeflakërues’…
Lasgushi do shprehej: “Bukuri! Tmerrësisht e dashur, llaftari! Tmerrësisht e bukur!...Ajo më bëri të ngjëroj ambrozinë e perëndishme dhe të pi nektarin e perëndishëm, kështu do shkruante Lasgush Poradeci më 16 korrik 1978, në Poradec - në “Vizitat e Zonjushës Ana në kullën time”. Rrallëkush e ka shprehur përmasën e pafundshme të dhembjes së dashurisë, të mallit e të asfiksisë shpirtërore si Lasgushi i Madh, i cili për të përshkruar një gjendje të tillë, sa të veçantë po aq edhe prekëse, i ka theksuar fjalët që Ana ia drejtonte Atij, tek e shihte tek vuante – sa Pafajësisht po aq edhe Pafundësisht: “Gajret! bëj gajretin e Dedë Gjo Lulit, burrave që bënin vdekjen “si me le” …Pra, gjendja shpirtërore e Poetit është në një pozicion të ngjashëm me ate të Heroit. Ballë për ballë: Dedë Gjo Luli e Lasgush Poradeci! Dedë Gjo Luli, ky Vigan í Kombit e Lasgush Poradeci – Këngëtari Finok i rrembave të hollë të dashurisë, Dedë Gjo Luli i cili në Lahutën e Malcis së Gergj Fishtës i ngjet Anteut Mitologjik, duke mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit shekullorë, Lasgushi - ky Zog i Qiejve. I pari është i rrethuar nga flakët e luftës të shovenistëve grabitqarë që në lukuninë e tyre i turren mishrave të Shqipërisë Martire. Në një gjendje të tillë, e me forca të pabarabrta, Dedë Gjo Luli nuk jepej, siç e ka thënë shpesh populli me gjuhën e tij: Gajret, ai bënte gajret, bënte durim. Nëpërmjet fjalëve të Anës, Lasgushi – ky Mjeshtër i Madh i Gjuhës Zonjë, e përshkruan gjendjen e tij të rëndë shpirtërore. Poeti që u kishte thënë shkrimtarëve dhe poetëve të Kosovës me aq përmallim: Unë e di se Kosova ka poetë, po a ka Azem Galica? – tani përballej me situatën ku vetes ia kërkonte Durimin, do me thënë Qëndresën e Dedë Gjo Lulit. S’do mend se AI e deshti Kosovën aq shumë, se AI e Nderoi aq shumë Kosovën – sa herë që foli e shkroi për te. Ai, sipas kujtimeve të Petraq Kolevicës, e ka dashur Kosovën duke u shprehur me aq pietet se Kosova ka bërë luftë Skënderbejane, se të thuash për kosovarët se janë kreshnikë, është pak…Është Lasgushi AI që i kërkonte rrënjët e tërësisë tokësore tek buron Drini i Bardhë, në Radafc të Pejës, e që në rrugëtimin e tij - i bie mes për mes Shqipërisë: Tërë fisi, tërë jeta/ra, u dergj, e zuri gjumi,/ zotëroi në katër anët errësira./Po tashti: Duke nisur udhëtimin/ mes për mes në Shqipëri/ Drini Plak dhe i Përmallshëm që buron prej Shën Naumi…
Nuk ka dyshim se në pyetjen fisnike që ua kishte bërë vizitorëve nga Kosova, Lasgush Poradeci e parandiente se Kosova nga krateri i saj i vullknait do të nxirrte prapë Azem Galica. Ndaj edhe Meri Lalaj në kujtimet e saj për Lasgushin “Lasgushi në Poradec”, e ripohon ate që e ka theksuar edhe Petraq Kolevica në bashkëbisedmin e tij me Lasgushin:
“Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë, në mos u bashkofshim me Kosovën!”
Jo rrallë, Poetët e Mirëfilltë i Parandjejnë Zhvillimet Historike…Gajretin e trimave të Dedë Gjo Lulit, të burrave që e bënin vdekjen si me le. Në një vargëzim të tillë, në një Klithje të tillë Shpirtërore, vështirë se mund të thuhet më bukur dhe më saktë: DHEMBJA PËR DASHURINË E PAFAJSHME. Ndoshta vetëm Vajtimi i Ajkunës për Omerin tek Eposi i Kreshnikëve, ndonëse në një rrafsh krejtësisht tjetër – por që prapë për subjekt e ka dhembjen (Lum për ty, o i Madhi Zot,/ Drita a dalë e dritë s’po ban,/ ka le dielli e nuk po nxe,/ Mujit shkiet ia vrasin Djalin n’Lugje t’Verdha,/ T’u shkimtë drita ty, o mori hanë,/ qi s’ma çove at natë nji fjalë,/ n’Lugje t’Verdha shpejt me dalë,/ bashkë me hi në nji vorr me djalë./ Kanë shkepë hyjzit nëpër qielli,/ pyesin diellin: A e ke pa?/ Nuk po m’len nji ah me pa./ E Orët e Bjeshkës nga dh|embja s’munden ta ndjejnë…) mund të krahasohet me përmasat e tilla të Botës Lasgushiane. Pyesin diellin: A e ke pa?...Përveç se në romanin e Tomas Manit “Dr. Faustus”, ku për një gjendje përafërsisht të tillë në të cilën ka sa tronditje shpirtërore po aq edhe pikëllim e dhímbje, Tomas Mani ka përdorur shprehjen e famshme “në dhembjen time do të zbukurohej gjarpri”, nuk di të kalm lexuar diku një përshkrim më të goditur të përmasave të dhímbjes për dashurinë e pafajshme, dhímbje që doemos i tejkalon përmasat për të cilat Fishta shprehej se s’ka asgjë më të dhímbshme se ndarja e Hektorit prej Andromakës…
Duke klithur në Dhímbjen e vet për Dashurinë e Pafajshme, Lasgushi na kujton në mënyrë indirekte eseun Arti Poetik të eseistit Rozhe Kajoa, në të cilin Kajoa u bënte Apologjinë poetëve: “Mu siç rri shpirti egjiptian para Osirisit, duke i numëruar mëkatet të cilat nuk i ka bërë, për të vërtetuar se meriton lumturinë e përjetshme, ashtu edhe poeti çfajësohet para njëfarë gjyqi ideal”.
Lasgushi kishte të drejtë kur thoshte se zogjtë janë lule të qiellit, ndaj duke kujtuar vitet e studimeve të tij (sipas autorit Tomi Mato në librin e tij “Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”) ai sillte ndërmend se si ia kishin kushtuar një nga këngët më të bukura të muzikës së lehtë “Munjines sqepverdhë”: ‘Evropë ajo!...Edhe Shtrausi i madh është frymëzuar nga zogjtë dhe u ka kushtuar një simfoni të mrekullueshme. Evropë! Ne jetojmë në orient”. E duke qenë vetë poet, Lasgushi thoshte se poetët e bëjnë kombin, se ata lindin të tillë dhe se nuk bëhen, prandaj edhe i lartësonte edhe poetët si qenie qielli, thënie e cila na e sjellë ndërmend pohimin e njohur se Muzika është Poezia e Zotit dhe se Muzika është: Thellim i Qiellit…
E Ismail Kadare e zbërthen Mitin e Zanës në një qasje tjetër: “Në prozën mitologjike shqiptare tregohet për një malësor të ri, të cilit çdo natë nisi t’i vinte në kullë një zanë. Kjo nuse e bënte ate të lumtur, me kusht që ai të mos fliste për të, ndryshe do ta humbiste gojën. Por malësori nuk e përballoi dot tundimin dhe e këmbeu një çast çlirimi, d.m.th. rrëfimin për zanën, me memecllëkun e përjetshëm” (Ftesë në Studio)…
Lasgush Poradeci, pa dyshim se është Këngëtari më i Hollë Lirik i Rrembave të Dashurisë. Lirizmi i tij ashtu si í pararendësit të tij të madh Zef Seremebes, por në mënyrën më të veçantë ashtu si edhe Lirizmí i De Radës shpalosin një shpirt sa të ndieshëm, po aq edhe delikat. Lasgushi, në rrëfimet që ia ka shpalosur Petraq Kolevicës, ka bërë të ditur se sa ishte student në Vjenë, rrinte pa ngrënë – vetëm e vetëm që të kursente ca para për të blerë rrobe të bukura, në mënyrë që vajza e cila e mësonte gjuhën shqipe nga ai, të mos thoshte se ja, Lasgushi s’paska rrobe të hijshme. Ironia e fatit deshti, që në Atdheun e tij, për 25 vite – Ai kishte vetëm një palë rrobe! Ai që për 14 vite shkroi e latoi, gdhendi e stilizoi vetëm 14 poezi. Ai – Mjeshtri i Rrallë i Poezisë Shqipe. Ismail Kadareja ka shkruar me aq mirënjohje kur ka thënë se Lasgush Poradeci ishte njeriu më modest që kishte ecur ndonjëherë rrugëve të Tiranës.
Lasgushi qe dashuruar pas një holandezeje bjonde dhe e ndoqi ate me aeroplan nga Aeroporti i Rinasit e deri në Bukuresht, Dashuri që e shndërroi pastaj në Vallen e Yjeve. E pararendësi í tij, poeti arbëresh Zef Serembe e kishte pirë deri në fund kupën e helmit të jetës së tij (siç ka shkruar me të drejtë Rexhep Qosja në “Dialogje me Shkrimtarët”). Serembe kishte vajtur pas të dashurës së tij, deri në Argjendinë dhe në Brazil, sa shëndetin e tij e pat shembur dhembja për dashurinë, apo siç do ta thoshte vet, ai kishte rënë viktimë e poshtërsive të kohës. Një dashuri e madhe shpesh ka qenë edhe një dashuri tragjike, dhe se një shpirt delikat, shpesh i pakuptuar apo edhe i injoruar, di të projektojë përmasast e pafundshme të një dashurie ideale a platonike, si fjala vjen: Dante, Petrarka, Presherni a Serembe.
Pafajsinë dhe Dlirësinë, Madhështinë dhe Bukurinë e një Dashurie e cila shpesh sa e Pafajshme mund të interpretohet edhe si e Pafalshme - për Lasgushin dhe madje jo vetëm për te, e ka mbrojtur askush më mirë se sa studiuesi Dr. Ardian Kyçyku:
“Lasgushi ishte një qenie poetike e shajnitur nga fshehtësitë e vetëqenies. Poeti flet me gojën e hyjnores dhe anasjelltas…Muzgu i Poradecit është muzgu i përhershëm, i falur nga Zoti…Poradeci kthehet. E di se kthehet në një far ferri, por atij nuk i shkon për shtati parajsa e huaj…Mërgimi – ndëshkim me prejardhje hyjnore. Për Lasgushin ky është ndoshta bekimi më i madh i jetës së tij…Ai e shmangu tiraninë e identitetit të përkohshëm duke u mirëkuptuar përzemërsisht me njeriun që mbarti drejt shqipes zjarrin drithërues të ilirishtes. Vetmi kozmike në të cilën vetëm Zoti ia di shqipen…Vetmia e Poradecit është një tjetër përmasë e heshtjes së tij, një përmasë e hyjnores brenda tij…Sa herë heshtë duhet kuptuar se po kuvendon me Zotin, me gjuhën që vetëm ata dy e dinë…Lasgushi është kalorësi më i hijshëm i dashurisë…Lasgushi dashuron fatalisht dhe Perëndishëm. Lasgushi dashuron fatalisht dhe jashtë çdo parashikimi…Për herë të parë heshtë falas, gadi i shndërruar në shpirt…Smira endet në kërkim të një rivali si Lasgush Poradeci. Lasgushi ishte nga raca e atyre që lindin vetëm një herë, në një gjuhë të vetme. Do të harrohet edhe ai njëherë, por vetëm në u harroftë gjuha shqipe”.
Një Hymn të tillë për Dashurinë e Pafajshme dhe për vetë Lasgush Poradecin, vështirë të gjendet diku tjetër në Letrat Shqipe. Vështirë se mund të ketë ndonjë mbishkrim më të bukur për një Muze: kushtuar Poetit Lasgush Poradeci.
Duke e kujtuar takimin me Lasgush Poradecin, Myzafer Xhaxhiu e ka dhënë ate me mjaft emocione: “E kam admiruar si perëndi kur e takova me 1938 kur erdha nga gjimnazi i Gjirokastrës në ate të Tiranës, dhe një mik më takoi me Lasgush Poradecin, m’u duk sikur takova perëndinë. Për mua ai ishte Gëtja, Bajroni, ishte një nga poetët më të mëdhenj universalë, ishte poezia vetë”.
Një poet tjetër aq i talentuar e që rrënjën e fjalës shqipe e kërkonte në gurrën e traditës së Kukësit e të Lumës, poeti atdhetar Agim Spahiu, do ta kujtonte me aq pietet Lasgush Poradecin:
“Në prill të ’72 takova njeriun që më dha kodin e qëndresës…Nuk e mbaj mend nëse e pashë më parë krahun e njeriut që rrinte ulur në një karrigë në mes të zyrës, përballë sheshit, mbështetur në një bastun kafe me lara; a dëgjova zërin e mirësisë: Afrohu, afrohu…, veç mbaj mend mirë se më panë dy sy të butë, të butë…(As edhe një herë në jetën time s’kam parë më sy të atillë…) Ajo dorë, ai krah i zgjatur, ata dy sy të butë po vinin nga larg, po dilnin nga zemra e përrallës, e mirësisë, e dashurisë njerëzore vetëm për mua atë çast të mrekullueshëm e të papërsëritshëm. U afrova. Gjerë atë çast kisha ndjerë vetëm butësimin e syve. Kur u afrova (O Zot) u rrënqetha nga fytyra e prerë prej qindra të thelluarash, që lidheshin e grindeshin, bashkoheshin e përhidheshin me njëra tjetrën në ballë, në faqe, në mollëza, rreth syve, në krejt fytyrën e tij të dhimbshme. Cili duhet ta ndihmonte tjetrin vallë: unë atë apo ai mua? Pa m’i ndarë sytë me një dritë të veçantë besimi, mençurie e shprese, ma lëshoi dorën e lodhur mbi shpatulla e më foli ngadalë, me një zë të brendshëm, përralllor, nga thellësia, nga largësitë dhe afër, fort afër…U ngrit me mundim e pa ia hedhur sytë shefit, pa e përshëndetur, doli nga zyra qetë-qetë, duke trokitur ritmikisht në pllaka, me bastunin e bukur, si të godiste pa pra, të keqen në kokë. Mbeta si i mpirë. Kur hapa gojën të pyes për emrin e njeriut, shefi vari një buzëqeshje të idhët në cep të buzës e tha: Lasgush Poradeci. Jo, klitha, u çmpiva si me dorë e dola me vrap korridorit, shkallëve, në rrugë, po s’arrita ta shoh as atë ditë, as kurrë më…Kurrë më nuk e pashë poetin e madh, por drita e syve të tij të butë më ndriçoi udhën e vështirë të artit…Dhe sa herë shoh Drinin, prek pavdekësinë, udhëtimin e përjetshëm të poetit nëpër Shqipëri: Duke nisur udhëtimin mes për mes për Shqipëri/Drini plak e i përmallshëm po buron nga Shëndnaumi’.
Kundruall këtyre thënieve kaq lapidare, me kaq kulturë, me kaq shije, me kaq pietet, dhe me kaq respekt, do të doja t’ia shtoja si nja parafrazim për Lasgushin, mendimin briliant të njërit prej eseistëve më të shquar të letërsisë shqipe - Moikom Zeqo-s, në shkrimin e tij “Kavafis – apokalipsi intelektual i ironies”:
“Te paradhoma e pavdekësisë së Homerit ka trokitur një nga poetët e fundit të mëdhenj të Europës – Konstantin Kavafi – më saktë, që nga fari zemërprometeik i Aleksandrisë, po me proverbat poetike të gjuhës së magjishme greke të ishujve yllësi detare e Mesdheut…Përpara poetit perandor Kavafi mbretërit e shkëlqyer të Bizantit janë një shpurë ceremoniale e varfër…Njeriu që vdes pa lexuar Kavafin është si një gjeografi që nuk di asgjë për një kontinent përrallor përpara syve…Sepse Kavafi duhet zbuluar papushim – ai është i thellë si Atlantida që gadi e çmend Platonin hyjnor…”
Ja që kishte të drejtë Gëte kur thoshte se dashuritë e pafajshme e gëzojnë hyjninë dhe nuk e fyejnë. Dashuria – ashtu si edhe poezia, është e përjetshme, sepse siç e ka thënë Dante Aligeri: “vetëm Dashuria i mëson njerëzit për të parë tek veprat krijuesin e tyre: Zotin” (prandaj ai e krijoi kryeveprën e tij: Beatriçen, prandaj Petraka e krijoi Laurën, prandaj Franc Presherni e krijoi Julia Primicovën, pranadj Leonrado da Vinçi e krijoi Mona Lizën, prandaj Jeronim de Rada e krijoi Vida Arianitin, Rinën e Serafina Topinë…duke mëtuar për të fisnikëruar shpirtërat njerëzor, pikërisht nëpërmjet dhuntisë së fjalës së shkruar a të penelatave si Da Vinçi). Unë nuk vizatoj njeriu, por njerëzimin – ka thënë piktori i madh Ibrahim Kodra. Njeriu është lulja më e bukur në natyrë, dhe se dashuria e zbulon gjeniun njerëzor të idealit të bukurisë, pranadj edhe të bukurit e smadhon shpirtin e mendja e shikon ate që i nevojitet shpirtit dhe trupit, shkruante De Rada duke mbrojtur parimet e tij të njohura estetike për të bukurën dhe të madhërishmen, dy parimeve të cilave AI u falej aq shumë në artin e tij letrar, duke theksuar se: “Vjershat janë bijat e fatit tim”. E Denis Didëro shkruante se: “Mbrëmja kuvendon me shiun. Bukuria bredhë në shetitore, kurse dashuria nuk i përfillë këshillat e kujdesit”. Ndërkaq, përderisa Volteri i shkruante të dashurës së tij: “Emri juaj është një pasaportë e famës dhe se një shpirt që e di çmimin e joshjeve hyjnore s’ka se ç’të jetë tjetër përveç, se një lozonjare që rrëmben një zemër” - thirrte nga thellësitë e shpirtit të tij: “O Zot, a duhet të vdes që të arsyetohem?” Pyetje kjo të cilës Dante i qe përgjigjur: “Faji s’është vepër por dëshirë”, ndërkaq Vktor Ygoi shkruante se: “Të mos mëkatosh fare, kjo është ëndërr e engjëjve. Të lidhësh me mend infinitin e lartë (Zotin) me infitin e ulët (shpirtin), kjo quhet: Lutje, e Rozhe Kajoa qe përgjigjur se “poetët shfajësohen gjithënjë përpara një gjyqi ideal”, kurse liriku shqiptar Lasgush Poradeci do ta thoshte edhe më bukur: “Poetët kur shkruajnë poezi një perëndi e veçantë ju qëndron pranë dhe ata ndryshojnë dhe shkruajnë siç i mëson ajo. Kur kjo perëndi largohet, ata bëhen prapë njerëz si ne, si ti, si ai tjetri…Poezia është mbret, por kur është pa rimë, është si mbret pa kurorë…Artisti i madh nuk ka smirë…Poezia duhet të ngjallë të njëjtat emocione si lexuesit të sotëm, ashtu edhe atij që do të vijë pas një mijë vjetëve. Poezia është hyjnore prandaj kur shkruan poezi, duhet të keshë shpirtin e shnejtëruar…Poeti ka të drejtë për çdo gjë. Atij i lejohet çdo gjë. Poetët e bëjnë kombin, ndaj edhe është thënë me të drejtë, se “poeti është shpirt në shpirtin e kombit të tij”, është pa dyshim ana më e ndieshme e ndjenjave të kombit. Sharl Bodleri qe shprehur se poezia është shpirt. Ajo nuk është shërbëtorja jonë. Ajo është hyjnesha e jonë. Kurse Filip Sidni në eseun e tij të famshëm “Apologji për Poezinë”, sa poezinë po aq í ka mbrojtur dhe poetët dhe ndjeshmërinë e tyre: “Luleve u vjen era e mirë më shumë në vjershat e poetëve sesa në kopshtet e tyre. Bota e poetit është një botë e përsosur ku të gjithë lumenjtë janë të këndshëm, të gjithë drurët japin pemë e të gjithë miqtë janë besnikë”. Allen Gizenberg, në shkrimin e tij “Poezia, dhuna dhe delet e trembura”, i bënte një Apologji Moderne Artit Poetik: “Poezia është shënim mbi venerimet individuale në shpirtin e fshhetë të individit, e meqenëse të gjithë individët e bëjnë Njeriun në sytë e Krijuesit, atëherë ajo është edhe shënim mbi venerimet në shpiritin e Botës. Bota ka shpirt”, kurse në një shkrim tjetër, ai do shprehej: “Një fjalë rreth politikanëve: Poezia ime është një Ekstazë Engjëllore. Dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me tmerret e marra materialiste se kush mbi kë duhet të qëllojë. Misteret e imagjinatës individuale – transkonceptuale dhe jo-verbale, mendoj në Frymën Absolute – nuk i shiten kësaj vetëdije, nuk janë të dobishme për këtë botë, pos që mund ta detyrojnë për ta mbyllur grackën e vet dhe të dëgjojnë muzikën e sferave. Kush e mohon muzikën e sferave e mohon edhe poezinë, e mohon njeriun dhe pështynë në Blakeun, Shellyn, Krishtin dhe Budën. Në ndërkohë dëfreni. Universi është një lule e re. Amerikën do ta zbulojnë. Kush dëshiron luftë kunndër trëndafilave, do ta gjejë. Fati është rrenacak i madh, ndërsa Krijuesi gazmor vallëzon mbi trupin e vet atje në Amshim…”
Tutje-tëhu, Shehrezadja thoshte se të folurit në prozë është fjalë, të folurit dhe të shkruarit në vargje është margaritar, kurse François de Mallarbe shkruante se: “Proza është si udhëtimi, ndërsa poezia është si vallëzimi”.
Dr. Ardian Kyçyku e ka thënë në mënyrë sa finsike po aq edhe të madhërishme, Të Vërtetën për Lasgushin, prandaj nuk ka se si të mos ma kujtoj Fjalimin e Famshëm të Viktor Ygoit për Onore de Balzakun:
“E pashë në profil. I ngjante pernadorit, duke gdhirë 19 gusht 1850, midis vdekjes dhe pavdekësisë. Zi kombëtare është pikëllimi për vdekjen e një gjeniu. Jetë e mbushur më shumë me vepra se me ditë. Ky poet…Tani vështrimet nuk i drejtojmë më nga sundimtarët, por nga mendimtarët. Tani s’e arrinë dot as rivaliteti, as urrejtja tani e tutje. Do të shkëlqejë në mes të yllësive të atdheut tonë, sepse vdekja është barazia më e lartë si dhe liria më e lartë. Kjo s’është terr por është dritë. Kjo s’është hiçi por përjetësia. Nuk është fundi por fillimi. Varret si ky janë pronë e pavdekësisë.”
Viktor Ygo ishte i fundit që kishte prekur me dorën e tij ballin e gjeniut krijues, të atij Gjeniu i cili Francën e veshte me retë e famës. Gjeniu i Letrave, i cili nuk kishte para as për të blerë pulla postale, e megjithatë e kishte mbajtur zotimin dhe gjakimin e tij krijues: Bota e njeh Francën përmes Kullës së Ajfelit, Zonjës me Kamaliet dhe përmes Napoleonit. Bota do ta njeh Francën edhe përmes Balzakut. Po të ndodhë ndonjë katastrofë për Francën dhe pos hpëtuan veprat e Balzakut, s’ka ndodhur asgjë. Rrezik është po të ndodhë e kundërta, do shprehej Barnes, kurse Zhorxh Mor thoshte se Franca nuk mund të shkatërrohet sepse ka pasur Balzakun, dhe si e tillë ajo kurdoherë do t’í shpëtojë rrezikut dhe katastrofës.
E fjalimi í Ygoit (i cili u citua kur u varros Aleksander Dyma: “Unë do t’ia kthej vizitën Dymasit në varrin e tij”, kishte thënë Viktor Hygo kur Aleksandër Dymas e kishte vizituar gjatë kohës kur ky kishte qenë azilant në Angli) është një dëshmi e rrallë e bujarisë dhe e moskursimit të fjalëve ndaj atyre që i meritojnë ato siç duhet. Jo gjithmonë ndodhë që në letërsinë botërore apo edhe në ate shqipe, të mos u hahet haku (siç do thoshte Fishta) atyre që e meritojnë Nderimin dhe Respektin e Lartësuar, aq më shumë kur dihet, siç thoshte Mitrush Kuteli në Testamentin e tij shkruar të shoqes Efterpisë: “Terreni í letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije. Dhe se kur nuk u bën hije, do të thotë se nuk je i zoti për letërsi”.
Një analogji e tillë nderimi për Balzakun, është vërejtur edhe tek Nderimi që pendat e mëdha ia kanë bërë De Radës, për të cilin Mikel Markianoi shprehej se “De Rada është i pari këngëtar i shpirtit të gruas në literatureën shqiptare” (krijues i poemave të papërsërishme si: Milosao, Imotoe, Parayllja, Vantisana, Nasta, Agata e Pravatës, Diana, Serafina Topia, Anmaria Kominiate, Adina, Videlaida). Frederik Mistral do të shprehej: “Nëse gjuhët e mëdha zyrtare u japin më shumë lexues shkrimtarëve të tyre, gjuhët natyrale nxjerrin në shesh fshehtësinë e poezisë së vërtetë. Të jeni, pra, i lumtur që u zgjodhët për të hartuar psalmet e Shqipërisë suaj të dashur”. Lamartini (të cilit Naim Frashëri i drejtohej: “O Lamartin, kërkoj hiret nga ti), i shkruante De Radës se: “poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe atje duhet të kthehet”, duke e qujatur shpirtin shqiptar poetik, ashtu siç do të shkruante më vonë Miss. Edith Durham se shqiptari është gjithmonë shqiptar, ai është një artist, kurse Zef Skiroi pa dyshim e ka përmbledhur në mënyrë poetike rrugëtimin e fundit të Poetit të Madh: “Udhëtimi i tij i fundit ndriçonte me një episod të denjë për legjendat më të bukura të etërve të shenjtë. Sepse me nderet që i bënë njerëzit kufomës së tij u bashkuan, si me vullnet hyjnor, ato të natyrës. Pranë varrezave, në çastin e lamtumirës së fundit të farefisve e miqve, nga një bajame e lulëzuar aty afër, u ngrit, e rrëmbyer nga era një re petalesh të bardha, që ra, duke e zbardhur të gjithë qivurin e të mjerit De Radë. Toka bujare e lindjes, duke pritur në gji trupin pa jetë, përshëndeste birin e vet të madh me buzëqeshjen e pranverës që po vinte dhe shumë veta në episodin tokësor deshën të shihnin shenjën e përqafimit qiellor të Zotit me shpirtin tepër fetar të Poetit”...
“Dhe, një ditë, më i mërzitur se kurrë, Ramiz Kelmendi pa i treguar askujt do të dali për të ecur i vetmuar. Në vetmi mund të fliste për veten e për të tjerët. Në vetmi mbase mund të komunikonte mbase edhe me shpirtëra të vdekur. Në ecje e sipër rruga e shpuri në varreza. Nuk e dinte nëse rastësisht u gjend para varrit të babait apo qëllimisht ishte nisur për të komunikuar me prindin që tani bënte gjumin e amshuar. U ndal. U gjunjëzua. I rodhën dy pika loti. Ledhatoi barin mbi varrin dhe ndjeu sikur para tij iu paraqit vetë babai. “Ah, babë! Sa do të dëshiroja që të ishe í gjallë e të shihje suksesin e birit tënd. Babë, unë jam Ramizi që dikur merakoseshe për fatin tim e tani shiko se ku kam arritur. Jo vetëm që e kam kryer fakultetin por edhe e kam krijuar fakultetin tim”. U ngrit dhe sikur fytyrës ndjeu një perkëdhelje të lehtë. Ishte perkëdhelja e dorës së shpirtit të babait apo ndoshta vetëm një perkëdhlje e erës së lehtë, që përshkoi fusha e bjeshkë, këtë Ramiz Kelmendi kurrë nuk do ta dinte. U nis në drejtim të qytetit, më i lehtësuar dhe më i gëzuar, ngase kishte përshtypjen se fjalët e tij i kishte dëgjuar prindi që aq shumë kishte dëshiruar që fëmíjët të kryejnë studimet’, do shkruante me pietet Reshat Sahitaj.
Zëri í Gjakut gjithmonë flet ngapak, i shkruante Elena Gjika Jeronim De Radës.
VETMI KOZMIKE NË TË CILËN VETËM ZOTI IA DI SHQIPEN…
Lasgushi e ndjenë vetminë dhe dhembjen e heshtjes në po ato përmasa në të cilat e ndjente dhe e shprehte dhe Gëte: Mërzi – Nënë Muzash! Por, siç e ka thënë prapë Gëte: Perëndia nuk m’i morri të gjitha. Të paktën, edhe Lasgushit ia kishte falur një rreze shprese, ndaj AI duke e identifikuar Dashurinë me Atdheun - Shqipen e Tij me Shqipërinë e Tij, do të shkruante:
“Zonjës
Shqipe Lasgush Poradeci, Durrës. Tiranë, më 16 Nëntor 1939, ora 10,
Shqipja ime e dashur,
Jam i lumtur që po e shkruaj letrën e parë me emrin Shqipe, të dëshëruar prej meje dhe të pranuar me aq gëzim dhe kryelartësi prej teje vetë. Më je lutur kaq herë të të shkruaj me këtë emër, nuk të shkrojta gjerë më sot sepse nuk e dinja mirë në e pranon nga gjithë fuqia e shpirtit t’ënd. Lutjet e tua të përsëritura më dhanë arësye të t’a përmbushë dëshirën më në fund sot. Ky është emri yt i vërtetë tashti e paskëtaj, do t’a mbash me mall dhe me durim, është simboli i pavdekur i atdhedashurisë s’onë, bashkimi më një i shpirtrave t’ona kështu të përvëluara.
Shqipe! T’a dish sa gëzim, sa ngushëllim më falë ky emri yt i ri! Si më ra mua ndërmend! Pse e prite ti me aq dashuri? Desha të çmall një mallin t’im të brendshmë, t’a kem Shqipërinë gjithnji të gjallë dhe të bukur dhe si nuse e re që është, t’a kem përpara syve të gjallë në veten t’ënde, prandaj më ra nërmënt ashtu. Ti e prite ashtu si mendove gjith si mua, je gjith vetëm Shqipëri, trup i pastër prej vashe shqiptare dhe shpirt fisnik shqiptar, je kështu drita jonë e të dyve në dashurinë e të shentit Atdhe.
Mbaje tashi këtë kurorë me mburrjen t’ënde të dashur, është themeli i bashkimit t’onë kombëtar, kulmi më i lartë i dhembjes dhe i gazit dhe i ëndrrës s’onë së përzemërt atdhesore…”
Tek e ka dhënë Portretin e Lasgush Poradecit si për njeriun í cili “e përjetonte për së gjalli vdekjen”, Nasho Jorgaqi në shkrimin e tij “Lasgush Poradeci – Kujtimet që zbërthejnë poetin”, í ka dhënë aq të gjalla momentet prekëse me te:
“E përjetonte shpirtërisht e filozfikisht, me një qetësi të admirueshme. Kalonte nga jeta në vdekje dhe nga vdekja në jetë. Po një çast m’u duk vetja si në përrallë. Kisha përpara një njeri legjendë. Fytyra e saj ishte fytyra e tij, e rrudhur, e drobitur dhe e empakur, por në të njëjtën kohë te ajo qenie e çuditshme, kish diçka nga përjetësia…Poeti e ndiente forcën e pushtetit të tij dhe s’e kish për gjë që, si pa të keq, të thoshte se ai ishte Zeus. Bile, shtonte se këtë gjë nuk mund ta kuptonin njerëzit e zakonshëm. Duhet të ishe i përgaditur për të kuptuar një poet si ai…Lasgushi është poet dhe poeti nuk jep llogari. Ai qëndron përmbi të gjithë. Është zë që vjen nga lart dhe drejton shpirtërat e njerëzve…Ligjërimi i Lasgushit të kujton ligjërimin e malësorëve të vjetër që flasin sikur vazhdojnë një bisedë të lënë përgjysmë ose shqiptojnë fraza bisedash të kaluara….Dëgjo, - më tha më pas, - profesorët mund të kërkojnë shumë gjëra, por poetët kurrë nuk i tregojnë të gjitha. Pusi i jetës së tyre është në pusin e poezisë…Kështu fjala e gatuar me dritë perëndie lindi te Lasgushi ato vjersha që i këndonin sot e gjithë ditën kombit shqiptar”. Me emocione të veçanta është dhënë edhe takimi i Lasgush Poradecit me poetët nga Kosova: “Domethënë qenkish poetë? Të gjithë, ë? Dhe nga Kosova? Nga Shqipëria e jashtme, ë? Se e brendshmja është kjo që gjendemi ne, kurse e jashtmja është ajo që mbeti jashtë kufijve të 13-ës…Sepse ta dini ju, - vazhdoi poeti duke e ngritur zërin, - një kritik më kritikoi njëherë, se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë. Bobo, ç’më dëgjua veshët. Sepse në vjershën “Poradeci! kam shkruar vargjet: “duke nisur udhëtimin mes përmes për Shqipëri, Drini plak e i përmallshëm po mburon prej Shëndnaumi…” More, i paditur, t’í thuash. Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i përmallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu?... Më vjen mirë që Kosova ka sot poetë. Një herë e një kohë kishte vetëm trima, që mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, gjeneral Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi…Kur suleshin ata mbi armiqtë ndizej qielli dhe toka. Po Azem Galica? Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufeja, kur serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, por edhe luftonte në tokën e tij dhe për tokën e tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’ia merrnin Arbaninë e vogël!”. Hajde, hajde Azem Galica. Kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behar í 1921, kur shkoja për herë të parë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastaj me tren mes përmes Kosovës. Atij treni kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i madh ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisabardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhën dhe në vagonin tonë. Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je e thashë gjithë mburrje se jam shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjithë kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën e ikën si era. Kapet era ë? Po për Lasgushin kjo mbeti një erë skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kish vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e universitetit, me një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju kosovarët, trima përmbi trima…Tani shoh që jeni dhe poetë e profesorë, po Azema jeni ndopak?
Miqtë sa u ngazëlluan nga këto fjalë, aq u vunë edhe në pozitë të vështirë. Nuk shikonin njëri-tjetrin në sy. Poeti thoshte me zë të lartë gjëra që ata i kishin për zemër, por për kushtet në të cilat gjendeshin s’i shprehnin dot qoftë edhe në nji bisedë. Poeti u ngrit në këmbë dhe u zgjati dorën me një përzemërsi që s’ishte e zakontë për të. Asnjëherë s’e kisha parë të bisedonte aq gjatë me njerëz të porsanjohur. Por në këtë rast ishte në mes Kosova.
Dhe Kosova, vite më vonë, i dha gëzime e ndere, që në Shqipëri ia jepnin me kursim dhe me një protokoll zyrtar. Atje iu botua veprat e plota, u bënë studime të zgjeruara, vlerësime nga më të lartat, tepër entuziaste. Bile edhe e ftuan. Ai e priti gjithë qejf, bleu edhe një kapelë republike dhe ishte gati të nisej, por demonstratat e 81-shit bënë që vizita të anulohej. Megjathatë, Kosova e bëri poeti në pleqëri të thellë të përjetonte lavdinë e klasikut të gjallë përpara se të ndodhte në Shqipëri”.
Në përmbyllje të shkrimit, Nasho Jorgaqi e jep anën emocionale të Lasgushit – në raport me Nafijen, gruan e tij: “Të gjithë të vërtetat e njeriut dhe për njeriu janë thënë që në lashtësi. Ta dish nga unë këtë. Më pas vetëm janë përsëritur. Mendja e njeriut është bërë më e zgjuar, shpirti ka mbetur po ai, me plot të mira e të këqija. O zot i madh, si ka mbetur po ai!...Zëri i Lasgushit më duket sikur vinte nga larg, një zë plot fshehtësi, sugjestionues, që dashur e pa dashur rrezatonte mistiken e shpirtit të tij aq të trazuar…Ah, murga Nafije, - psherëtiu Lasgushi, duke lidhur duart mbi gjoks, - iku në gjumë. Ra të flejë dhe s’u ngrit më. Nuk e besoja se kishte vdekur. Vetëm kur i pashë që po e kllisnin në dhe, s’e mbaja veten dhe u thirra varrtarëve: “Qëndroni”. Dhe më kapi një e qarë që vetëm unë e di. Të gjithë u çuditën teksa e panë Lasgushin ashtu të qante me duar në kokë. Gjithë ky burrë qante si grua. Qaja, qaja, të gjorën Nafije, shoqen e jetës time, që po ikte e po më linte përgjithmonë. As unë s’e kisha ditur se kisha pasur aq dhembshuri! Po njeriu është pus…Të nesërmen, kur ishim vetëm Leksi (Aleks Buda, një nga miqtë e tij –N.J.) më pyeti: “Ç’pate dje ashtu? Unë të dija të fortë”. Kurse unë ia ktheva: “Edhe unë kështu kujtoja. Po ja që tjetër është shpirti, tjetër është huqi. E doja të gjorën! E di që hoqi nga huqet e mia, por shpirti e donte ss s’bëhet”. Kështu i thashë Leksit, i helmuar e i vrerosur, - dhe si heshti shtoi gjithë mllef: - Asnjë, që vjen në këtë botë, s’i shpëton asaj shtrige…”
Ramiz Kelmendi ka një Shpirt Poeti, që sa delikat po aq është edhe I Paepur në Gjakimin e Tij. Ai e ka thënë vet me një rast përpara një audience televizive se është shumë emotiv, dhe se shumëçka tek ai kalon kah zemra më fort se kah truri. Edhe Ramizi është Kalorës i Letrave dhe Arteve, por edhe Kalorës i Hijshëm i Dashurisë, por Dashuria e tij, sa ideale është po aq edhe tokësore, është realiste më shumë se platonike, ndaj duke parafrazuar Kyçykun, smira – por edhe xhelozia endet në kërkim të një rivali si Ramiz Kelmendi.
Në Letërsi ai është Prozator, në Dashuri ai është: Poet.
Ramiz Kelmendi prandaj, sa sinqerisht po aq edhe me finsikëri, sa denjësisht po aq edhe me hijeshi e me madhështi e ka thënë pjesën ndoshta më të vështirë dhe më delikate që mund të ketë vet arti letrar: të shkruash në një mënyrë të bukur dhe artistike sa shkrimet t’u pëlqejnë femrave! Vallë, a ka shije më delikate se e femrave, prandaj rrjedhimisht edhe a mund të ketë mision më delikat? Ndoshta vetëm çmontimi i minave mund të jetë më i vështirë…
Ramiz Kelmendi e ka hequr zhigun e vet për të bukurën dhe për të madhërishmen, sa herë që është shprehur për te, ashtu siç ishte shprehur fjala vjen, edhe Ernest Koliqi tek ia kërkonte Gjuhës Shqipe një privilegj aq të veçantë (në vjershën me po të njëjtin titull): ‘thjeshtin e ambël t’ande/ me ndjell dashtnin e vashave qí t’flasin/ falja poetve t’tu’…
ULQINAKJA
“Është shumë e vërtetë se dashuria, lindja dhe lidhja ime me letërsinë e ka zanafillën pikërisht siç thatë – jo në NDONJË gocë, po te – NJË GOCË. Madje edhe ajo – ulqinake. Ndaj edhe më í pari tregim në jetën time u frymëzua nga ajo dhe mban titullin ‘Barka e peshkatarit’. Isha student asokohe dhe një – djalë í dashuruar”.
Ramiz Kelmendi
“Ai edhe dashurinë e parë ëndërrore, edhe librin e parë e kish pasur për një ulqinake dhe Ulqinin! Ankohej se Ulqini e kish harruar! Bukuroshja, - e bukur edhe sot, - ish aty në Sheshin e Skllevërve”.
Xhevahir Spahiu: Udhëtimet e mia me poezinë
E them prapë me modesti se Ramiz Kelmendi në Letërsi është një Prozator i Shquar, dhe se në Dashuri është një: Poet. Ai është Kalorës i Letrave dhe i Arteve, por edhe Kalorës i Hijshëm i Dashurisë, prandaj në Butësinë, në Bardhësinë, në Ëmbëlsinë, në Magjinë, në Bukurinë, në Fjollësinë, në Madhështinë, në Yllësinë dhe në Shenjtërinë e Fjalës Shqipe, me të cilën Ramiz Kelmendi ka folur dhe flet për Ulqinaken, por edhe për të Bukurën dhe të Madhërishmen si kategori estetike, prirem të them është më se e qartë se Ulqinakja ka hyrë edhe si Metaforë, madje që prej këngëve popullore lirike e deri tek Ligjërimi me Fjollësinë Poetike – e cila i falet si kurorë dafinash sipri, Ajo ka mbetur e tillë.
Në Republikën e Letrave Shqipe është e vështirë të gjeshë dike që me aq pasion dhe me një memorie aq të kthjellët (sa ma kujton pikërisht ate që është thënë për Athanas Paskalin – gjyshin e Odhise Paskalit, se mendja e tij ishte terezi e floririt) e ka përkujtuar dhe e përkujton Dashurinë e tij për Ulqinaken si Ramiz Kelmendi. Asnjë prej shkrimtarëve dhe asnjë prej poetëve të gjallë të letërsisë shqipe nuk ka folur dhe nuk ka ligjëruar aq hijshëm dhe me aq pasion, me aq dashuri dhe me po aq pafajësi si Ramiz Kelmendi për Ulqinaken. Ai ma kujton Verterin e Gëtes í cili donte me mendje, me zemër, me shpirt, me pasion dhe me zjarr. Prandaj, në qoftë se Viktor Eftimiu kishte marrë nga Boboshtica e Korçës një grusht dhe – pra një copë atdhe, e cila do t’i kujtonte shumëçka (dhe do të ishte pikërisht dashuria ndaj këtij dheu dhe ndaj bashkatdhetarëve të vet, ajo që do ta shtyente të bnte çmos e ta lironte nga burgu Aleksandër Moisiun); në qoftë se Pablo Nerudës nuk ia shuanin mallin as fotogrfaitë, as letrat, as kujtimet dhe madje as lajmet televizive, por vetëm inçizimi i “gurgullimave të ujit, vetëm jehona e dallgëve të detit, fërshfërima e gjetheve, zërat e fëmijëve të vegjël dhe pikat e shiut që binin mbi çatitë e shtëpive”, e të cilat ia kishte dërguar një mik i veti, duke e bërë poetin të qante me lotët e shpirtit dhe të dhembjes sepse “viset e vendlindjes i kishin ardhur nëpërmjet gjuhës së shpirtit të rrënjëve të tij” (Enver Kushi: Nëpër viset e lirikës shqiptare), Ramiz Kelmendit do ia shuajnë mallin vetëm “gurgullimat” e zërit të Ulqinakes, pikat e shiut dhe jehona e dallgëve të detit poshtë Kalasë së Ulqinit. E madje është thënë se edhe shkrimtari i madh spanjoll Miguel de Servantes Saavadera, ka qenë i dashuruar në një ulqinake, prandaj edhe njëri prej personazheve kryesore të Don Kishotit quhet Dulqineja, ndonëse nuk është e sigurtë se nga cila përvojë Servantesi e ka pohuar thënien e tij të njohur, se: mes po-së dhe jo-së së një femre nuk guxoj ta fusë madje as edhe majën e gjilpërës…
Duke e përkujtuar Ulqinaken, duke folur me aq mallëngjim por edhe me aq pasion, me aq shije dhe me aq delikatesë, por mbi të gjitha me aq sinqeritet dhe fisnikëri, Ramiz Kelmendi ma kujton Hymnin që Knut Hamsun ia ka thurur Dashurisë në romanin e tij të njohur “Viktoria”:
“Ajo është puhi ledhatare rënë përmbi trëndafilat, shkëndi elektrike ecur nëpër gjak, muzikë e flakëve të ferrit ngjitur, dhe zemrat e më të moshuarve prekur dhe lojtur. Ajo është luleshqerra që shtrinë krahët e saj, në hapësirat e pafundme kur bie nata; Hije që fshehet nga era dhe që vdes nga prekja. Ajo është e fortë dhe e pamposhtur si Hidra, Ajo deri në vdekje digjet në flakë të pashuar, Ajo mund ta mbytë dhe ta lartësoj njeriun mundet, dhe vulën e druajtjes prapë mund t’ia lerë, Ajo sot më do mua e nesër ty e natën që vjen Ate, Ajo është nata verore me qiellin flakëruar yjesh – përzier me aromë toke, Ajo është Fjala e Parë që tha Zoti, Mendim í Parë që ia hodhi Hijen para Syve, kur Tha: U Bëftë Dritë! U shfaqë AJO – DASHURIA. Dhe çdo gjë që krijoi ishte e bukur sa s’donte ta përtërinte prapë. AJO i priu botës dhe u bë burim í saj. Veç se të gjitha rrugët që ka AJO, me lule dhe me gjak janë të shtruara: Me Lule dhe Me Gjak’…
Duke folur ashtu aq hijshëm, aq bukur dhe aq ëmbël, Ramiz Kelmendi – ndonëse në një distancë kohore prej gjashtë dekadash, sikur e ka para syve Ulqinaken – Dashurinë e Rinisë së Tij. Duke folur me aq respekt, me aq ëmbëlsi dhe me aq bardhësi zemre, AI në të vërtetë na dëshmon se sa e madhe dhe sa e sinqertë, sa fisnike dhe sa e veçantë ka qenë: Ajo. Ai flet, sa Përmallshëm po aq edhe Pafajshëm, sa në mënyrë të Mallëngjyeshme po aq edhe në mënyrë Ngashëryese. Ulqini, përveç se është shpalosur ashtu siç e ka pohuar vetë me aq krenari: “Ulqini -Vendlindja Ime Letrare…m’u duk qytet – ëndërr, qytet përrallor. Ky qytet yni i bukur dhe një dashuri rinore, skofiare, tërësisht platonike, me një ulqinake sa të këndshme po aq edhe të mençur (unë asokohe isha 23 vjeç) më krijuan këtë vendlindje të re…E kam prandaj për nder të më quajnë (edhe) ulqinak. Se vetëm Ulqini, kjo perlë e bregdetit shqiptar, më çeli përkrah gazetarisë – rrugën e letrave shqiptare. Më bëri edhe letrar”, Ulqini pra është bërë edhe Frymëzimi i Përhershëm. Një pohim ky si më lart ma përkujton ate të shkrimtarit Oktavio Paz: “Kam qenë mjaft í ri, pothuajse në moshën djaloshare, kur e kam lexuar për herë të parë Eliotin dhe ai m’i ka hapur dyert e poezisë moderne”.
Nuk ka dyshim se janë të rralla, jashtëzakonisht të rralla ato femra që kanë aq fat sa hyjnë në botën krijuese të një shkrimtari, e që edhe përkundër faktit se një dashuri e tillë mbetet platonike, kujtohen sikur të ishin parë dje, sikur të ishin admiruar dje, sikur të ishin dëshiruar dje dhe jo pas gjashtë dekadash: Ulqinake sa e këndshme po aq edhe e mençur. Pra nuk është vetëm e këndshmja, skofiarja dhe bukuria, por edhe mençuria ajo që ia ka rrëmbyer zemrën Sokol Halilit - Malësorit të Dukagjinit.
E di një personazh krejtësisht të veçantë në letërsinë shqipe: Vita e Lumit të Vdekur të Jakov Xoxës, do të thoshte dikur Rexhep Qosja.
Vita e Aradit…
Ajo – Ulqinakja
E Lumja Ajo!
Përveç se Dashuria e Madhe në Rivierën Shqiptare, ndonëse platonike, është gjithashtu përmasa e një simbolike të cilën Mjeshtri i Penës ka ditur ta shtrijë dhe ta shkrijë në kuptimësinë gjeografike të hartës etnike të Atdheut, duke shkruar me tone satirike një nga veprat e tij aq domethënëse e me titull: Letra prej Ulqini…
Një copë e shkëputur padrejtësisht, sa mizorisht po aq edhe egërsisht nga harta e Atdheut, Ulqini i Tribunit Popullor e i Atdhetarit Zemërzjarrtë – Cafo Beg Ulqinit, po hynte prapë në kapilarët e vijave të kufirit, qoftë edhe figurativisht duke hyrë në qenien e njërit prej krijuesve më të shquar të prozës dhe publicistikës shqiptare. Ulqinakët nuk janë quajtur kot „Trimat e Detit“ dhe se Flota e Ulqinit ka qenë nga më të njohurat e rajonit, prandaj edhe është thënë me të drejtë se: „Ulqinakët kanë vënë themelet e detarisë shqiptare“. Likaceni ka qenë njëri prej Kapidanëve trima, i cili gjatë kohës së Perandorisë Osmane, kishte vajtur në Korinth të Greqisë, e kishte kapur të gjallë Piratin grek Harallampo të cilin e lidhur për direkut/trarit të anijes, dhe se e kishte sjellur të gjallë në Ulqin. Gjiri i Valdanozit, Fusha e Shtojit (ku janë vrarë pabesisht atdhetarët zemrzjarrtë Çerçiz Topulli e Muço Çulli), ullinjtë e shumtë frutorë të Valdanozit si „njëri prej limanëve më ekzotikë të Atdriatikut“, janë vetëm disa pjesë të historisë së këtij qyteti kaq të bukur shqiptar, histori këto të cilat pa dyshim se edhe e kanë frymëzuar Ramiz Kelmendin.
Ndërsa Balada për Xhemilen e Bukur të Ulqinit, e krijuar nga populli, pa dyshim një nga më të bukurat dhe më të prekshmet, e ka për subjekt një grua „të re si vera“ e të bukur si vetë emri í saj. Ajo donte një fukara por e martuan me dhunë me një gjemxhi. Sidoqoftë, fati e deshti që ajo të mbetej e ngujuar brenda e të priste si Penelopa Uliksin, sepse burri i saj si një kapiten anijeje ikte larg në dete tjera! Kapiteni e kishte paguar fqiun e vet, Mulla Hanin që të përkujdesej për gruan e tij! Dhe e paguante me lira, por Xhemilja e Bukur e Ulqinit, zemrën e kishte si furrë dhe sidoqoftë lutej t’i kthehej ai palo burrë që e kishte lënë në vetmi. Mulla Hani e mbante ate si zogëzën në kafaz, mbyllur derën me shul ulliri, e penxhereja shtrënguar me paramak, kurse brenda si Zolejka e Bukur ngrryste ditët Xhemilja e Bukur e Ulqinit me zemrën që i pikonte gjak. Një ditë prej ditësh, Mulla Hani i shfaqi dashuri…E sakaq gruas së vet pastaj i tha, të vente të këndonte mevlyde e hatma, byryntizë e të lante xhenaze, se nata do veshte të bukurën Xhemile! Mulla Hani i çoi kusherirën Xhemiles së Bukur të Ulqinit, e i tha se e kërkonte burri në Valdanoz! Pse m’ka zanë burri maraz, /që m’kërkon në Valdanoz? – pyeste ajo e habitur: Kur u nisa andej kah Medra,/ seç filloi t’më dridhej zemra,/ kur kaluam kah ullishta,/ seç filloi t’më dridhej këmisha./ Lugut t’Bokës ia vuri gurin,/n’qafë ia vuri e e shtyu kah deti,/ ish një kurthë e s’qe për burrin/linte gruan kapiteni edhe donte: Detin?!’
Një Bukuri Tragjike, e cila më kujton vargun e Bajronit, ndonëse në një rrafsh më tjetër: Në këngë dhe në vaj u drodhën fustanellat. Xhemilja mjerisht nuk e ka fatin e Penelopës, që Uliksi t’i kthehet nga Itaka, por populli në imagjinatën e tij ku ruan thesare e shpalosë visare të rralla, e shprehu dhembjen për të bukurën dhe për fatin tragjik të Xhemiles së Bukur të Ulqinit, ashtu siç e shprehu në imagjinatën e tij parabolën për Orfeun në raport me Euridikën, të cilën ky i fundit e bënte për vete me tingujt e lirës së tij të famshme: Në një krijim të ngjashëm imagjinate, Arshik Ekremit i binin bilbilat në krah e zërat e tyre në vrimat e fyellit - sa me melodinë e zërave, dhjetë pullat e jelekut të së dashurës së tij: binin vetë.
Është thënë me të drejtë se femra e ka frymëzuar për të krijuar, pohim ky të cilin Ramiz Kelmendi e ka pranuar duke sqaruar: „Edhe sot, kur, më 21 dhjetor, shkel në ditën e parë të tetëdhjetave, kam ende mall, lakmi dhe nostalgji për të mirën e më të dashurën krijesë të botës njerëzore – Femrën (me “F” të madhe!)…Kurrë gjatë gati tetëdhjetë vjetëve të mia, femra jonë shqiptare, edhe këtu e edhe matanë ‘gardhit’, nuk ka qenë: më e bukur, më e arsimuar, më e mirë, më e veshur bukur, më e qytetëruar, sa s’ia gjen më shoqen, as ngat bile, jo veç “në rajon”. Ajo sa ia ka kaluar edhe bukurosheve greke. E thashë edhe në një TV se na është zbukuruar raca shqiptare…“
Nuk do mend se Ramiz Kelmendi, i meriton epitetet të cilat Gjergj Komnino ia ka falur Jeronim De Radës: O Shijues Bukurie; O Shembull i së Mirës, duke i mbetur Mirënjohës deri në Përjetësi: “Ti ke ditur të shfaqësh mallë, mallin që të pat qëlluar; Ti s’u theve, Ti s’u tunde, po qëndrove përgjithmonë…Pra në dritën e mendimit të kulluar që Ti pate, /Frymëzo shpirtrat e njoma pas të shenjtës gjurmës s’ate!”
Gjakimi dhe nostalgjia “për më të mirën e më të dashurën krijesë”, nuk ka se si të mos na e kujtoj Gjakimin e Serembes për “Më të Bukurës në Strigari”, e gjithsesi edhe për Ulqinaken. Me kaq admirim për Femrën, në letërsinë botërore ka pasur zotësinë të fliste vetëm Gëteja – gati në një moshë të njëjtë, i cili e ka thënë aq bukur se femra është kurora e krijimit. Dhe nuk ka se si thuhet më bukur. Ramiz Kelmendi prandaj ma kujton edhe thënien e njohur të Çehovit, se mejkësia është gruaja dhe se letërsia është dashnorja. Krijues i cili me të drejtë e ka për Dishepull: Faik Konicën, e të cilin e ka Admiruar dhe e Admiron, e ka Lartësuar dhe e ka Nderuar si rrallëkush, s’do mend se edhe është ndikuar nga Princi i Gjuhës Shqipe, i cili na ka lënë në kujtesë thënien e tij proverbiale: Unë jam Shqipëri, unë jam Dashuri, dhe se: “E flokë, e vetulla, e t’ndritshmit sy pasqyrë, / e mendjes s’hollë, e qafë, e gushë, e gji,/ e buzët lakmuese, puthjesh prej natyre,/ i tanë trupi i saj, pisket: Dashtni, Dashtni!”
Ramiz Kelmendi e ka thënë po aq bukur dhe po aq madhërishëm: “Nuk e shpjegoj as vetë, besomë. Por, që ma do zemra të jetë kështu, ma do. Nuk e di, jo, e kam seriozisht: a më ka ardhur ky “çelës” (- í suksesit) me gjene, që as í di dhe as í njoh, a e kam - nga gazetaria dhe letërsia që më hynë në gjak, nuk e di, nuk e di! Siç nuk e di, a do vdes më shumë si gazetar, a edhe letrar?”…
Sokol Halili do ta thyente heshtjen me një klithmë prej kreshniku: E unë Tanushën e kam pa. E Ramiz Kelmendi, do ta kujtoj dhe përkujtoj aq shpesh dhe aq mallëngjyeshëm ‘Tanushën’ e tij, për të cilën tek flet ashtu me aq admirim, me aq pasion, me aq dashuri, me aq mallëngjim, me aq hijeshi dhe po aq me bujari dhe bardhësi zemre, sikur e ka ate përpara syve, sikur i fanitet edhe pas kaq vitesh fytyra e saj, sikur era ia ledhaton flokët ashtu si dikur gishtërinjtë e trëndafiltë të agimeve antike tek heksametrat e Homerit – ledhatonin ballin e Helenës a edhe siluetën e Afërditës.
Prozatori
i shquar, sikur na e thotë njëlloj si vetë Sokol Halili: E unë Ulqinaken, e kam
dashtë…Zanushë Fisnike, siç do të shprehej Erenst Koliqi, e të cilës i këndoi
aq thekshëm:
U praroftë
dora që të përkundën në djep,
o lule
gjaku illyr,
Zanushë
fisnike.
Lumnoftë
përherë e njomë goja,
qí t’a
ndjell gjumin me za t’argjendtë!
…O hyll
bukurije illyre.
Është thënë pra me të drejtë për Franc Kafkën (shkrimtari i cili shkroi me aq admirim për Aleksander Moisiun, e njeriu i cili e la amanet t’i digjej vepra - ashtu si Virgjili dikur, por fatbardhësisht ajo nuk u dogj) se “Kafka ishte Praga dhe Praga ishte Kafka”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ramiz Kelmendin, se Ulqini është Letërsia dhe se Letërsia është Ulqini, është pra Dashuria vetë, dhe se ashtu si për Franc Kafkën, edhe për Ramiz Kelmendin mund të thuhet se çdo gjë që nuk është letërsi - shpesh e mërzitë…
Duke e përkujtuar thënien e Naimit Frashërit për Durrësin si “kërthizë e mëmëdheut”, Dr. Ëngjëll Sedaj ka thënë me vend se për poetin dhe shkrimtarin durrësak Moikom Zeqo, “Durrësi është Qyteti Feniks”, ndërkaq poeti Agim Spahiu shkruante: “Midis dy Drinash, midis dy malesh…Në Prizren kam pjesën e shpirtit tim”.
I tillë është Ulqini për Ramiz Kelmendin – Qyteti Feniks (ashtu si Shkodra për dramturgun Fadil Kraja – i cili për dallim nga Migjeni që e quante Shkodrën dashnorja e shekujve, Shkodra atij i ngjet me një zog feniks); ku ai e ka përherë pjesën e shpirtit të tij, prandaj nuk është thënë kot: Pranë detit, pranë mbretit; Shqipëria është deti dhe se pa det nuk ka Shqipëri. – ka shkruar Fatos Arapi. Fatos Arapi dhe Hajro Ulqinaku janë dy miqtë e shkrimtarit Ramiz Kelmendi, të cilët jo rrallë do të frymëzohen nga bukuria dhe madhështia e detit shqiptar, ashtu siç do të frymëzohej fjala vjen edhe piktori Kolë Idromeno (1860-1937) në vitin 1897 duke pikturuar “Pamje nga Ulqini”.
Duke shkruar për takimet letrare në Ulqin, miku i shkrimtarit Ramiz Kelmendi, poeti Xhevahir Spahiu do të kujtonte:
“Ulqini! Deti, i kaltër dhe i pafund sa të ha syri, me kodrat me kurrora pishash e ullinj, valëzimi i qytetit, ku madhëron Kalaja hijerëndë e Balshajve (1360-1421), me gjoksin e hapur përballë erërave…Nuk di se përse ky qytet i moçëm, herë më duket si Sarandë e her si Berat. Në fillimgusht qyteti turistik i kalonte të 120 mijë banorët. Në sheshin e Kalasë, dy – tri metra larg nesh, ku sipas gojëdhënave dikur mbahesin në qeli, luanë, skllevër, Servantesi apo Sabata Zevi i ebrejve i mesit të viteve 1600, ishim mbledhur ne, “anëtarët e artit”, siç do të qesëndisej Lasgushi. “Kalimerja Poetike”, - kështu quhej veprimtaria që përjetonte vitin e saj të dhjetë. Ishte në nderin tim që organizatorët, - të organizosh diçka me vlerë në këto kohë të shkoqura, të pëlcet buza, - kishin menduar bashkërisht që mbrëmjen aktuale për poezinë të ma kushtonin mua.
Takimi nisi “herët”, aty nga ora 10 e natës! Qyteti turistik i kishte shtrirë kufjtë e ditës. Më erdhën në atë mbrëmje vonë, veç dashamirëve të poezisë, - të paktë, por gjithsesi besnikë, - edhe miqtë e mi të hershëm: Ramiz Kelmendi, Ali Podrimja, Basri Çapriqi, të cilët pushimet e verës zakonisht i kalojnë në Ulqin, veç të parit, që rikthehej mbas 40 vjetësh në një mbrëmje autoriale si prozator i shquar. Ai edhe dashurinë e parë ëndërrore, edhe librin e parë e kish pasur për një ulqinake dhe Ulqinin! Ankohej se Ulqini e kish harruar! Bukuroshja, edhe sot, - ish aty në Sheshin e Skllevërve!’
Ulqinin ia dha Kongresi i Berlinit Malit të Zi, dhe kjo u mundësua nga flota angleze. Knjazi í Cetinës, dy vajzat e të cilit kishin shkuar nuse në oborrin e Carit të Rusisë e të Viktor Emanuelit e kishte ëndërr Grykën e Kotorrit, Ulqinin por edhe Shkodrën. Ulqini – Florini. Gjithsesi një dashuri e tillë kaq e veçantë për Ulqinin, ma kujton dashurinë e Ago Agajt për Kosovën, i cili meqë e donte aq shumë Kosovën, do të mbiquhej: Kosovari nga Vlora. Të gjithë jemi ngapak Uliksër të trojeve tona të përdhunuara – do shkruante poeti Visar Zhiti. Në shkrimin e tij “Fuqia e Shenjtë e Fjalës së Shkruar”, Zhiti duke shkruar për Panairin e Librit në Ulqin në vitin 2001, tek i ka shprehur mbresat nga qyteti bregdetar, do të kujtonte me mallëngjim poeti Kotorrin ku kishte mbretërinë e saj Teuta, qelinë e Servantesit në Kalanë e Ulqinit, ku e pat zënë rob një shqiptar me emrin Arnaut Imami: “Kur Spanja kërkonte ta blinte Servantesin e saj, meqenëse ai qe i plagosur, me krahun të thyer në betejën e Lepantos, sipas rregullave të Mesjetës, shuma e parave duhej përgjysmuar si për një sakat…Siç duket ky fat e ndjek gjithmonë shkrimtarin, gjysëmçmimi i sakatit…”
Uliksër të trojeve tona të përdhunuara: Mitrovica – Koka e Prerë e Shqiponjës e zemër e këputur në dysh, Janina – ka qenë dikur kërthizë e Toskërisë e një nga më të mëdhatë e qyteteve të Shqipërisë, shkruante Sami Frashëri në “Dheshkronja”, Himara, e cila e kishte filluar mësimin e gjuhës shqipe nëpër shkolla që në shekullin e 16-të: “Himara në breg të detit, shtatë fshatra me radhë…Të penës e të dyfekut, ama trima kapedanë’! Kurse Hobhausi shkruante se “Tivari është qyteti më verior bregdetar í Shqipërisë, porti í Shkodrës dhe depo e luginës së Drinit, ndërsa Ulqini kishte 6000 detarë, si port detar i Shkodrës…Banorët e këtyre dy qyteteve – shqiptarët, janë të vetmit të cilët kanë njohuri nga drejtimi i anijeve dhe me dëshirë dalin në det”. Kulla e Balshajve në Kalanë e Ulqinit, na kujton faktin se forcat ushtarake të udhëhequra nga Balshajt (Principata e Balshajve me Shkodrën si qendër) para afro 632 vjetësh e kishin çliruar Kosovën nga pushtuesit serbë…
Poetët dhe shkrimtarët e mirëfilltë shqiptarë kanë të veçantat e tyre, kodin e veçantë në zemrat e tyre, ku i mbajnë dashuritë dhe reliket e tyre. Fjala vjen, Naim Zoto e ka thënë me të drejtë se Poezia, Skrapari dhe Kosova janë tri dashuritë e mëdha të poetit Xhevahir Spahiu.
Në poezinë e tij kushtuar kosovares e me titullin “Kosovarja”, ai e ka shpalosur gjithë qenien e saj përballë grilave të pushtuesve: “Në hyrje të shekullit njëzetë,/ Nxorën në bankë të akuzës,/ Një malësore të thjeshtë./Ajo, pas hekurave të burgut kishte pyetur;/-Përse?/Ata í thanë:/-Sepse./Ajo në gjyq:/-Përse?/Ata:/-Një herë ke thënë se./ Sy të habitur/ Në sallën e tymtë/- Përse?/ Ua them unë/ Tha ajo më në fund/ Dhe zbuloi veshjen e varfër të saj/ Sikur të zbulonte një thesar:/ Jeleku í kuq,/ Xhubleta e zezë!/-Ja, për këto më dënoni,/ Ju të një toke tjetër!/ Në sallë u shpalos/ Trupi í saj./ Një flamur kuq e zi/ Dhe zemra në flamur,/ Si shqiponjë lëvizi’ (Kosovarja, vëllimi poetik “Zgjimi í thellësive”)…
Ernest Koliqi ka shkruar për Ndre Mjedën se: “ishte nji poet i thellë ndër ndiesina dhe i përsosun në trajtë qi çeli nji krue të ri lirizmi në letërsin t’onë” í cili “kënaqej tue e shtie në punë at hollësi e atë madhështi në gjuhën e rrebtë ilire për të gjue me shigjetat e vargut flamujt e Helenve dhe shqipet e Romës qi motit íu kërcnojshin atdheut”. O dëshmitar i shekujve t’panjehun. Ky është vargu që nënvizon Koliqi nga poezia e Mjedës, pra Taraboshi ia ka thekë shpirtin Mjedës. Kurse për Luigj Gurakuqin, Koliqi shprehej se “zana ia pat dhurue në djep frymzimin poetik”, ndaj edhe stilin e tij, ku “fjalët kanë shkëlqimin e xhevahireve, vargjet nji kumbim muzikuer depërtues e tërhjekës” që ia ka falur Zana arbnore, e krahason me gurgullimën e Kronit të Kastaljes.
Taraboshi, Kaçaniku, Tomorri etj., kur i shikoj, m’a thekin shpirtin me mall e kreni pse në to ndiej pranin e nji fryme qi u a dhuroi kalvari shekulluer i popullit t’onë. Alpet, Andet, Kilimanxhari, Himalaja me pamje madhshtore do t’mi mbushnin syt me mrekulli, por zemrën sigurisht qi nuk do t’ma trondisnin. Pra, dashunija për bashkëbanuese e ban të kuptueshëm përfitimin (konceptin) e atdheut – do të shkruante Ernest Koliqi.
Edhe pse i mërguar padrejtësisht nga atdheu, Ernest Koliqi do të kujtonte me mallëngjim kohën në Shqipëri: “Sa e tërhjekëshme Tirana me Malin e Dajtit qi ndrron ngjyrime tash e par, tue u rrethue ndër muzgje të mëngjesit e të mbramjes me avuj vjollzorë ku shfletohen fletza të zbehta drandofillesh ajorore. Me Odhise Paskalin e Anton Logorecin bajshim shetina të gjata, bisedoshim për letërsi e u verviteshim në shestime punimesh tue i projektue në nji ardhmëni plot dritë shpresash. Mjerisht të gjitha ato shpresa u shkimen tragjikisht…”
E edhe Ramzi Kelmendit nuk ka dyshim se Ulqini ia thekë shpirtin, ashtu siç nuk ka dyshim se Pena e Bardhë e Ramiz Klemendit është si vetë Vala e Drinit të Bardhë, ndaj edhe Ulqinakja është Dhimbja për Dashurinë Platonike, të Pafajshme sa dhe të Paharruar, gjithsesi është pra vetë Gjakimi Mendor dhe Shpirtëror për të Bukurën dhe të Madhërishmen, për Skofiaren dhe të Përmallshmen, është Letërsia vetë, përkatësisht është ajo që e ka thënë Gëte përmes romanit të tij Vujatjet e Verterit të Ri: “Format më të mrekullueshme të universit të pafund e mbërthyen dhe e frymëzuan shpirtin tim”…Ndaj, edhe Miguel Servantes de Saavadera, e edhe Ramiz Kelmendi kanë qenë njëlloj të bekuar, sepse Dashuria ndaj Ulqinakeve, e them pa të keq, i ka bërë që të dy: Prozatorë të Shquar, ndërsa Fjollësia e Fjalëve me të cilën ata e kanë shpalosur edhe Ndiesinë e Tyre Poetike, gjithësesi na i kujton: Poetët e Talentuar.
RAMIZ KELMENDI DHE SIBILA E ULQINIT:
ULQINAKJA - MË E DASHURA SIBILË
Është thënë me të drejtë se kur Sibila e Kumes e ka takuar Eneun, ajo í ka pasur 700 vjet e í kishin mbetur për të jetuar edhe 300 të tjera. Ajo í bënte profecitë e saj nëpërmjet gjethes së palmes dhe se e shoqëronte Eneun në botën e nëndheshme.
Palmat nuk í kanë munguar as Ulqinakes kur e ka takuar në rininë e tij Eneun e saj, í cili do ta përmend edhe pas 60 vjetëve. E në letrat shqipe, dr. Engjëll Sedaj e ka thënë me vend se Sibila e Delfit - Hasnjanja ishte më e Bukura Sibilë e cila përfaqësonte vendlindjen e Pjetër Bogdanit. Ajo – sipas vrojtimit të Profesor Sedaj-t, mbante një libër në dorë ku shkruante shqip: “Këndonj Bir’ e madh mbë/Qiellt të Lumit Atë”.
Sipas Pjetër Bogdanit, Sbilat ishin vashëza të ndershme dhe të hijshme, nga vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, që “jetonin sipas ligjeve të natyrës, e disa prej tyre njihnin sqarimin e fshehtësive të të mishëruarit”. Ato madhëronin shpirtërat e tyre, e këngët i këndonin në gjethet e palmave. Ato ishin “të shenjta dhe të shëlbuara”, prandaj siç e pohon Dr. Sedaj, Mikeleanxhelo Buanaroti në Kapelën Sikstine i kishte paraqitur të pesë sibilat të shoqëruara me shtatë profetët biblikë.
Për
Mielanxhelon Delfika ishte Sibila më e Bukur ndaj edhe shfaqet si e tillë tek
Kapela Sikstine, për Pjetër Bogdanin Delfika është vetë Hasjanja, kurse
Pashtriku “është është vetë Olimpi”. Pjetër Bogdani do ta sillte Hasjanjen në
Gurin e Hasit, sepse : “Sibila Libika personifikon shkodranen, Kumea –
prizrenianen, Frigia – shkupianen, Triburtina – lezhianen, Samia – zadrimoren,
Eretrea – kosovaren dhe Delfika – hasianen…Sibila Delfika, apo hasianja e
Bogdanit është figure qendrore, femër me bukuri të ngjashme me madonat e
Rafaelit. Dhe, përderisa sibilat e tjera përreth figurës qendrore janë të
paraqitura si porterte gati miniaturale, hasianja qëndron si kariatidë
monumentale, me një dollamë të gjerë deri në fund të këmbëve. Dollama e saj
është e qëndisur me ornament spiral, që të përkujton spiralen e rrjedhshme, aq të
shpeshtë dhe të preferuar në aplikacionet ilire” (Mustafa Ferizi: Ikonografia
në Veprën e Bogdanit). Ulqinakja prandaj është më e Dashura Sibilë e cila e
përfaqëson Vendlindjen Letrare të Ramiz Kelmendit. Ajo është si Jerina e
Fishtës – Mbretëresha e Luleve, të cilës Poeti i Madh i thuri vargjet e holla
lirike: Kush e ka ballin si hana?/ Kush e ka synin si dielli?/ Kush e ka shtatin si
zana?/ Kush e ka gazin si prilli?’. Fishta e jepte portretin e saj me „dorën si
gjeth prej lilit“, si „shtat-rrituna me mjaltë“, që í kishte „n’ballë dy
diella“, vashë „e bardhë si drita“, me „fytyrën shtrue n’gjethe
t’drandofillit“, ndaj thoshte Fishta: „mija e mija fluturash t’bardha,/dynden
plym kah qielli mbi/fron t’sajë“. Ajo doemos është e Bukur’ e Dheut, të cilës i
ka kënduar Asdreni në poezinë e tij me po të njëjtin titull:
Mburim e krua bukurije!
‘Saj i unjet madhëria e mbretit,
Kur del, le gjurmë prej shkëndije;
E bardhë posi shkumba e detit,
Ndë pamjet një verbim magjije!
Del soje drita e vërtetë,
Fytyra e saj shkëlqen si korë,
Si rreze ndritë që prur gjith jetë;
Sikur mban
qiellin, yjt’ me dorë:
E Bukura ësht e Dheut vetë!
Të gjith’ í falin shpirt e zemër
Se
shembëll, shoqe s’ka në botë,
Ndër Lulet
Lule ësht me emër;
Kushdo q’e
sheh s’kuxon të thotë:
Se nuk’
ësht ëngjëll, por është femër!
Një Ulqinake, sa e këndshme po aq edhe e mençur.
Ky është portreti i saj të cilin me pak fjalë na e jep Ramiz Kelmendi. Pa dyshim se ajo është një nga ato për të cilat thuhet se emri iu rrëfye ëngjëjve, se drita e syrit është më e bukur se drita e diellit, se ëngjëjt nuk iu ndanë në vetminë e saj dhe se e mbuluan me fletët e tyre, se buzët janë perdet e gjuhës, se veshi është si fener që i çon fjalët në zemër, se syri është si porta ku rrijnë gjërat që shkojnë drejt e në zemër, se bartë dy diej mbi supe, se butësia është një këmbë mbarësie, se me një dashuri aq skofiare sikur e lajmërojnë edhe mirësinë ëngjëllore, se të tillës edhe Zoti vetë ia zbret një ëngjëll në zemër ndaj edhe frymëzimi për te është një ëngjëll që rri përherë në anën e djathtë të zemrës, prej ku dalin fjalët e këngës popullore: Edhe gurët e sokakut, për ty, për ty, po këndojnë; përmbi degë, përmbi degë të qerpikut tënd, do të ulem të pushoj…
Për një të tillë Dante Aligeri ka shkruar: “O gjaku im, o hir í Zotit,/dikue me aq mbushullim,/ Kujt si ty i qe hapur/dy herë portat e qiellit; Ajo Dritë, Ai Shpirt,/ përpara saj – Qielli shkonte/ duke fshehur yjet…E Ekuinoksi pranveror pasi piu nga valët e lumit të Euneosë, kah Betariçja u kthye”, kurse Françesko Petrarka e pat hyjnizuar Laurën në këto përmasa: “Në fytyrën e Laurës shkëlqen rrezja e bukurisë hyjnore. Zëri dhe shkëlqimi í syve të saj nuk ka sgjë të vdekshme. Në ballin e saj edhe vdekja është e bukur…Dielli e shoi Hënën, ajo e shoi Diellin”. Ndërsa Volteri një të tillë do ta përjetësonte në thënien e njohur: “Kur ia dhanë shpirtin dhe gjeninë e tyre perënditë, për vete ruajtën vetëm pavdekësitë”.
Ulqinakja.
Ky emër ma kujton thënien e Gaston Bachelard në “La Poetique de l’espace”: Fjalët janë gëzhoja të mbushura me zëra. Në brendësi të këtyre miniaturave prej një fjale të vetme, sa shumë tingëllima mund të ketë…
Ulqinakja.
Ky emër ma kujton thënien e njohur të Françisk Anton Santorit se emri i bukur është si kurmi.
Ulqinakja.
Ky emër ma kujton thënien e Librit të Shenjtë se Lëngata e 49-të është ta shfaqësh dashurinë pa e pasur në zemër, dhe se dashuria ashtu si edhe shpresa është vetë gëzimi i zemrës për mëshirën e zotit; ma kujton thënien e njohur të Gëtes se një dashuri e pafajshme, qoftë platonike apo edhe reale, e gëzon dhe nuk e lëndon Perëndinë.
Ulqinakja:
Cilës ndër vashat plot zili/ ia ke kushtuar këngën ti?/ Ç’sy bukur, me të frymëzuar,/ t’u fal a shpërbleu plot zjarr,/këndimin tënd aq mundimtar-?/ Ndër vargje, ç’yll ke adhuruar?’ (Pushkini, Eugen Onegin, Kreu I, LV).
Ulqinakja.
Sirena e Ulqinit. Sipas gojëdhënës: “Për çdo mëngjes tubohen sirenat e detit dhe i këndojnë urata Ulqinit”, Ulqinit ku të rrëmben bardhësia e Bunës e bukuria e perlave të Gjirit të Valdanosit me ullinjtë e shumtë (ulliri si simbol i paqes, dhe paqja si bekim hynor, paqja aq shumë e gjakuar nga breza të tërë shqiptarësh që ranë fli për liri).
Ulqinakja.
Sibila dhe Sirena e Ulqinit. Platoni në një nga veprat e tj kishte përmendur Fyellin Hyjnor, dhe do të kalonin më shumë se 2000 vjet e njëri prej kompozitorëve më të famshëm Frederk Shopeni (ky Poet i Pianos) do të krijonte njërën prej kryeveprave të tij muzikore duke e titulluar Fyelli magjik. Pjetër Bogdani do të shprehej për Sibilën e tij, Hasjanen: „Veshur me Diell, mbathur me Hënë“. Sibila e Pjetër Bogdanit do të shfaqej prapë në botën e kulturës shqiptare tek Ulqinakja – Sibila e Përjetshme e Ramiz Kelmendit…I ndieshëm për bukurinë, dhuratë e mrekullueshme që Perëndija na dhuroi ne të vdekëshmve, siç do të shprehej Ernest Koliqi.
Përse shkruaj unë, pyeste Ludvig Van Bethoveni, dhe jepete përgjigjen: „Ajo që kam në zemër duhet shpërthyer. Ja, pikërisht për këte shkruaj unë. Dhe shkruante, sepse: ‚Dy shqisa e sshkatërrojnë një gjeni“.
Por ka pasur raste kur Sibila nuk ia ka dhënë
shkrimtarit ate që e ka pritur e as ate që e ka ëndërruar. Zhorzh Sand do të
shkruante në Kujtimet e veta: „Kush është ai, dhe prej nga erdhi?...Disa
e quajnë Promethe, disa e quajnë Satan, e unë të paktën e quajë me dëshirë të
flaktë. Unë Sibila, Sibila e pangushëlluar, unë shpirti i shekujve që rrjedhin
e bluajnë, unë lyrë e thyer, instrument i heshtur, tingujt e të cilëve nuk i
këputë por në gjoksin e Sibilës fshihet harmonia qiellore…Ti nuk më je
lajmëruar një mijë vjet…të kërkoj kot. Një mijë vjet në pyetjen time dëgjoj
vetëm një përgjigje, dëgjoj se zërat e dëshirave të pafuqishme çjerren në këtë
tokë të mallkuar…Një mijë vjet kam thirrur pa fund, pa pushuar: Drejtësi,
drejtësi! Dhe përherë përgjigje e njëjtë: Vuajtje! Vuajtje! Sibilë e pafat,
Pitijë e heshtur, thyeje ballin tënd në shtyllat e shpellës sate, përzieje
gjakun tënd, që mbushet me shkumbën e ftohtë të detit…Unë thërras Drejtësi, ti
përgjigjesh: Vuajtje! Vallë, a nuk është kështu?!“
Ulqinakja:
Në Republikën e Letrave Shqipe, ndoshta vetëm Lasgush Poradeci ka folur me aq guxim, me aq pasion dhe me admirim për Yllin e Zemrës së Tij të cilën gjatë gjithë jetës e ndiqte në Vallen e Yjeve.
Duke e kujtuar Lasgushin tek “Ftesë në Studio”, Ismail Kadare ka shkruar: “Më fliste shpesh për të fejuarën e tij të parë, “një piktore që ishte leshverdhë sa qe e fejuara ime dhe pastaj u bë e zeshkët kur u ndamë”. Dihej nga të gjithë se ndjekjen që í bëri asaj (vajzës holandeze) me aeroplan nga aeroporti i vogël provincial i Korçës në ate në Tiranë, nga ky i fundit në ate të Romës e pastaj të Budapestit, të Kopenhagenit, ai e shndërroi në poezinë e tij në një ndjekje yjesh, që nuk e arrijnë dot kurrë njëri-tjetrin”.
Një episod i tillë nuk ka se si të mos na e kujtojë thënien e Gaetano Pikonit se: “Romantizmi s’í ka dhënë fund vdekjes së vet, e as që do të pranojë kurrë të vdes plotësisht sepse ka shumë poetë që ndiejnë dënesje dhe klithje në fyt”. Poezia e Lasgushit në veçanti na e sjellë ndërmend thënien e Kolrixhit se poezia është muzikë, është formë, dhe se muzika – siç thoshte Shekspiri është buka e dashurisë, apo siç e thoshte Tomas Mani: muzika nuk flet asgjë, por thot çdo gjë. Ndaj edhe pyetja e Krist Malokit se: “A është poet Lasgush Poradeci?”, merr për përgjigje thënien e Ernest Vurtius-it se një fije paqartësie i shtie lezet çdo poezie; apo siç e thoshte vetë Lasgush Poradeci: “Poeti përgjigjet për çdo gjë, poetit í lejohet çdo gjë”, edhe forma por edhe muzika.
Ndërkaq në
letërsinë botërore, Gëte e bëri të pavdekshme figurën e Sharlotës, dhe se
simbolika e dashurisë për te lidhej me Zogun e Sharlotës: “Një kanarinë
fluturoi nga pasqyra dhe vajti dhe iu ul mbi sup. Një shok i ri – tha ajo, duke
e joshur zogun me dorë. E mbajë për fëmijë! Hë, shikojeni sa i lezetçëm që
është. Kur i japë ndonjë thërmi buke, rreh krahët dhe zë e çukitë kaq bukur,
kaq hijshëm. Edhe më puthë gjithashtu. Ja vështroni! Dhe i zgjati kanarinës
gojën dhe ajo ia çukiti aq me lezet sikur ta ndjente tërë lumturinë që i jepej
atë çast të shijonte. Duhet t’ju puthë edhe ju – tha dhe e afroi zogun te goja
ime. Sqepi í tij í vogël kaloi nga buzët e saj tek buzët e mia dhe të prekurit
çukitës të tij qe si një fllad paraljmërues, si një parandjenjë e gëzimit dehës
të dashurisë” (Vuajtjet e Djaloshit Verter), gjë që do ta thoshte edhe
në vargje:
Kështu të
dashuroj çdo djalë,
çdo vajzë
do ta duan po kështu!
Pse
ndjenja më e shenjtë, më e valë,
mbaron kaq
keq në dhe kallkan këtu?
Ti qan e
dashuron, njeri i shtrenjtë,
nga turpi shpëto kujtimin e tij!
Shih, shenjë po të bën nga varri i shkretë,
merr zemër e mos bëj si mua ti!
Urlike fon Levecov shkruante në Kujtimet e saj: “Ishte ai – Karl Augusti, duka í Vajmarit që u tha prindërve të mi dhe mua, se unë mund të martohem me Gëten; në krye e morëm për shaka dhe thamë se Gëteja me siguri nuk mendonte një gjë të tillë, por duka tha se ishte e vërtetë dhe kaq herë më përshkroi se unë do të isha në Oborr dhe në Vajmar dama kryesore”. E me 27 tetor të vitit 1823, Ekermani shkruante: “Kur ai dëgjoi në rrugicën e kopshtit zërin e saj, hoqi shpejt kapelën e iu afrua me vrap. Ai s’la ditë pa ndenjur pranë saj dhe kaloi ditë të lumtura; kështu që ndarja qe për Gëten shumë e rëndë e në këtë gjendje shpirtërore të pushtuar nga pasioni, ai bëri një poezi shumë të bukur, të cilën e shihte si një gjë të shenjtë dhe e mbante të fshehtë. I kishte shkruar vargjet me dorë, me shkronja latine, në letër të hollë me kapak prej lëkure të kuqe, lidhur me një kordon të mëndafshtë, dhe dukej sikur këtë dorëshkrim e mbante si diçka shumë të vyer se të tjerat…Tek kthehej nga Marienbadi ai shkruante Elegji për te, shkruante herë në karrocë e herë në ndalesat, për të bijën e Amali fon Levecovit – Ulrikën”.
Gjithsesi,
në jetën me vija e vrragë, me lule dhe me gjemba, me gjethe dhe me lule, me
vesë e me lot, me shpresa dhe zhgënjime, me trëndafila dhe gjemba, me zjarr dhe
me akull, me gjakim dhe me heshtje, me sfida dhe ndeshtrasha, me hi dhe me
spuzë, siç do të thoshte At Anton Harapi – në jetën “valë mbi vale”, apo siç do
të shprehej Ramiz Kelmendi: në jetën “me letra e gjethe, me kokrra kripe” -
shfaqet një rreze drite, një rreze shprese, një ëndërr e bardhë në universin
letrar, e cila në konstelacionin e kohës mbetet si një ngushëllim a edhe si një
frymëzim që e mbushë kotësinë e jetës, që e mund zbrastësinë e saj, e që ofron
pak – sadopak paqe në këtë botë të trazuar, veçmas atëherë kur sipas Ernest
Koliqit “jeta ofron shumë e na jep pak”, dhe se ajo, Ajo – E Këndshmja dhe E
Mençura, Skofiarja dhe E Adhuruara, Ajo – Eurudika e Orfeut, Beatriçe Portinari
e Dante Aligerit, Laura – Laureta de Noves e Françesko Petrakës (í cili me të
drejtë është quajtur Presidenti i Republikës Universale Letrare), Xhema Donati
e Xhovani Bokaçios, Mona Liza Xhakonda e Leonardo Da Vinçit, Shenjtëresha duke
Lexuar e Viktor Karpaçit, Julia Primicova e France Preshernit, Li Salome e
Rainer Maria Rilkes, Viktoria e Knut Hmasun-it, Zonja Pompadur e Fransua Mari
Arue Volterit, Zhozefinë Rozë Mari e Napoleon Bonapartës, Kristinë Vulpius a
Sharlota von Shtajn me Urlika von Levecov e Maria Simanovska të Johan Volghang
Gëtes, Evelina Hanskaja e Onore De Balzakut, e Edgar Alan Po-së “vajzës s’hollë
dhe rëzorë q’í thonë ëngjëjt Leonorë”, Emilia Vivanti e Pers Bis Shellit, Helen
Terry e Xhorxh Bernard Shout, Madalena Maliki e Jeronim De Radës, Vasha
Nazemadhe e Me të Ecur të Këndshëm e Naim Frashërit, Më E Bukura në Strigari e
Zef Serembes, Evgjenia e Andon Zako Çajupit, Ndino-ja e Thimi Mitoks, Zogëza
Kryezezë – Luiza e Luigj Gurakuqit, Vida Pëllumbeshë e Ali Asllanit, Holandezja
Bjondinë a Ana X. në Kullën e Lasgush Poradecit; Erveheja, Zulejka, Dalila,
Lejla, Shimena, Shehrezadja, Kleopatra, Helena, Manushaqja, Tanusha e Sokol
Halilit, Margarita tek Kronikë në Gur e Ismail Kadaresë, a edhe vet
Ulqinakja, është vet Përshënd-Etja që Dante Aligeri me fuqinë e vargut që sa
prej zemrës del edhe prej gjakut - ia ka bërë lexuesit të fjalës artistike në
pjesën e Purgatorit të Komedisë Hyjnore:
Lexues, të
kisha pak më hapësi,
do t’í
këndoja sadopak të qartit
a t’amblit
ujë, që kurrë s’të ngopë t’ue pi.
E
megjithatë, pamundësinë reale ia bën të mundshme imagjinata poetike:
I hapi
krahët ajo bukuri
e mbasi
kokën time e përqafoi,
m’zhyti e
më la aq sa m’u desh me pi.
Nuk është
prandaj e rastësishme pse të tri kantikat e Komedisë Hyjnore, mbyllen me emrin
stella, do me thënë yll, sepse për Danten, por edhe për Qiellin të cilin AI e
ri-konfiguori vetëm për te, e tillë ishte Beiçja.
Nuk është
një frymëzim dosido ai í Servantesit:
S’them dot
se fajin ma ke ti, moj Fillë;
Nga mjalta
jote s’del një helm í tillë,
Dhe kurrë s’them se vjen nga Perëndia.
Atëherë vdes, kështu e zgjidh problemin,
Se ndryshe s’kam se si t’ia gjej mehlemin,
Lëngatës që s’í dihet katandia.
O yll në ndriçim, kij mëshirë,
Dil prap’ e ndrit-më, se të pres,
Në perëndofsh një her’ e mirë
Ahere dije se po vdes.
As frymëzim í lartësuar í Xhon Kitsit në vjershën „Kur u largova nga shokët herët në mëngjes“, nuk ishte një ëndje sa për të shkruar:
Ma jep penën e artë, më nuk mund të pres,
Të shtrihem mbi lule, atje tek është pylli,
Ma jep një letër më t’bardhë se ylli –
Ose derën e ëngjëllit që herët në mëngjes,
T’í bie harfës së argjendtë mes qiejve në mes.
Nuk është e rastësishme pse Shelli në poezinë e tjj kushtuar italianes Emilia Vivanti, të titulluar ‘Episihiodn’ (Shpirt i Shpirtit) shkruante: „Në qoftë se na ndajnë ditët, fuqitë e natës do t’na bashkojnë./ në qoftë se na ndanë ëndrra, ëndrrat do t’na bashkojnë,/dhe do të takohemi në të, e vdekja do t’na bashkojë përsëri,/ se kur dhe si, për ne nuk është aq me rëndësi“. Se femra nuk mund të jetë armike e shpirtit, qoftë kur e refuzon apo qoftë kur e pranon dashurinë, sepse gratë janë mjeshtër në trazimin e gjakut – siç shkruante Pol Valeri, e dëshmojnë deri-diku edhe frymëzimet të cilat e shtynë fjala vjen Bajronin të shkruante në Kainin e tij („Bukuria e veprës është e tillë, që bota s’ka për të pare më tjetër si kjo“) : „Kur ti këndon mbë të qetë vihet puhia/E trolli driza e bari rri ndienj/E zogu amshor pushon te lajthia“.
Se poezia nuk është një thes me lule, por një perëndi e pavdekshme të cilës i besojnë poetët, siç thoshte Pol Eliar, e dëshmojnë edhe vargjet e Jaroslav Sajferit në vjershën „Këngë për Viktorkën“:
Vezufi me
squfurin e lules së vet
Le të na
varros’ në llavën e tij
Kur edhe
një mijë të kalojnë vjet
Koha ime
tëndes t’í shprehë mirësi
Le të na
varros’ në llavën e tij
Vezufi me squfurin e lules së vet.
Veshur me Diell, mbathur me Hënë. Ky është nga kryevargjet e Pjetër Bogdanit, tek “Çeta e Profetëve”. “Me kezë ullinjsh me vel të bardhë, hyjnore,/një vajzë u shfaq, mantel të gjelbëruar./e petk ngjyrë flake ar vezulluar” (Dante, Purgatori, XXX, 31-33)… “Sa herë bie nata gjethet përkulen në vashën e bukur Elikonë./ Me muejt t’prigjojnë në qetsin’e natës/ nji varg që s’mund ta shkruaj” (Faik Konica). Faik Konica, i cili në vjershën e tij “Fitova moj zemër” shprehte mallëngjim e dhembje bashkë:
Fitova,
fitova, fitova, fitova moj zemër
Ah, mos
derdh më lot, ah, mos derdh më lot
Nga zgjedha e dashurisë shpëtova sot
I flaktë í
verbër gjer sot unë í gjori
E desha djallushen, lumi ment më mori
Remës marësisht i shkoj tani koha
Zjarri i dashurisë m’u shua, shpëtova
Kur buz’ e saj qeshte, zemra më ndizej,
Vështronja, mpshertinja, nga malli dot s’flisnja,
Tani ësht’ í thyer zinxhiri mërzitëshmi,
Që më mbante lidhur posi skllav të frikshm
I flakët i verbër gjer sot unë i gjori
E malli dhe dhembja është pikërisht vargu aq i goditur nga Faik Konica:
NJI VARG QË S’MUND TA SHKRUAJ, kurse mjeshtri tjetër i fjalës shqipe Ernest Koliqi, do ta thoshte edhe më bukur përmasën e një dhembje të tillë: „At natë unë prej Dashnije/mësova se si diset...“
Ulqinakja. Tingëllima e një emri të tillë nuk ka se si të mos na e kujtoj dyvargëshin e një këngë lirike të kënduar me aq përkushtim nga Nefarete Laze, për Shkodrën:
„Kush zotëron zemrën e një shkodraneje/ai gjithë botën e ka në dorë…“
Apo siç shkruante Naim Frashëri, AI që Shpirt kish Shqipërinë, AI që për Shpirt kish Dashurinë:
Ylli i fatit mbi ty qeshur ka, moj lule,
Hiri i
Zotit po të rritë ty me pekule,
S’janë sy,
moj, po dy yje janë ata dy,
Është Hënë, s’është ball’ ai mbi ty.
Ulqinakja, apo edhe vetë Gjakimi që kishte Lazër Shantoja: “Për nji puthje të vetme”:
Këndo,
poet’: - porse nji tingull lyre
a mundet
kurrë me shpreh’ kaq bukuri?
t’tan’
jazminat e lilat t’vetat ngjyre
i a falen asaj, t’tan lulet n’Shqipëni.
…
t’vallzimeve
kur duel, veç adhurime
korri
gjithkund, e bota e shtangun thotë:
“t’bukur si kte s’kem pa kurr vashë ilire!”
Është thënë me të drejtë se Beatriçja e simbolizon dijen hyjnore, ndërsa Hasnjanja e Pjetër Bogdanit – është Më e Bukura Sibilë, Jerina e Gergj Fishtës – Mbretëresha e Luleve, Elikona – është e Faik Konicës, Vasha Ilire e Lazër Shantos, Zanusha Ilire (a Matelda Hyjnore te Kroi i Bardhanjoreve si Margarita e Faustit te Ksenijat e Buta) – e Ernest Koliqit, Ulqinakja – Më e Dashura Sibilë dhe Sibila e Ulqinit: E Ramiz Kelmendit… e simbolizojnë bukurinë dhe hijeshinë, e mishërojnë dhe e përjetësojnë dashurinë njerëzore, sa të Pafajshme po aq edhe të Përmallshme, sepse siç ka shkurar Gëte në Vuajtjet e Verterit të Ri: “imagjinata është një dhuratë hyjnore”, ashtu siç është dhe shpirti krijues “pasqyrë e hyjnisë së pafund”, prandaj duke i ushqyer veprat e tyre, ashtu siç thoshte Gëte: “Këtë vepër – Verterin, unë e kam ushqyer njëlloj si pelikani me gjakun e zemrës sime”, poetët, shkrimtarët, artistët - të cilët janë ata që sipas Frojdit dijnë shumë gjëra mes qiellit dhe tokës, i falen me gjithë fuqinë e mendjes së tyre, me gjithë dhuntinë e tyre krijuese, me gjithë intelektin e tyre, me gjithë pasionin dhe zjarrin krijues, asaj që e ka thënë aq bukur dhe po aq madhërishëm Zeusi i Vejmarit – Athinës Gjermane, Gëte: “Përjetësia arrihet përmes artit, sepse natyra është pyetje e arti është përgjigje.”
Në një Gjakim të tillë të Përhershëm e të Përjetshëm, ku pa dyshim Frymëzimi - forma më e lartë e Dhuntisë të cilën Perëndia ua ka falur vdektarëve, është si “buzët mbi të cilat vijnë rrotull ca shpirtëra qiellorë”( gjitmonë: Gëte), është vetë Arti, është vetë Beatriçja dhe Mona Liza vetë, është vet? Vepra a Kryevepra Letrare: “Shpirti i saj kaq i pastër, kaq i bukur…Një qiell i bukur më bënte të thoshja: Shpirti í saj është më i pastërt, më i ktjellët… Ndaj njeriu nuk duhet ta zhgënjejë perëndinë që adhuron” (Gëte: Vuajtjet e Verterit të Ri).
Nuk ka qenë krejt e rastësishme pse Hajnrih Hajne qante mbi Don Kishotin, pse Tolstoi qante mbi ana Kareninën, pse Ramiz Kelmendi në lulishtet e Prishtinës qante mbi “Të mjerët” e Viktor Hygoit, pse Turgenievi thoshte se vetëm arti mund ta shpëtojë botën, pse Hegeli e quante Artin “Mbretëri e Lirisë”, pse Teodor Drajzeri e quante Artin: “majlti í grumbulluar i shpirtit njerëzor”…
Ramiz Kelmendi është krijuesi i cili ka guxuar për të trajtuar edhe temat tabu, apo siç e thotë vet, për të shkelur në “fushat me mina”. Ai është krijuesi, í cili ka pasur kurajon por edhe kërshërinë për të shtruar pyetjen: “Vallë: vetëm shkruan, apo edhe dashuruan Migjeni, Lasgush Poradeci, Luigj Gurakuqi, Mitrush Kuteli, Faik Konica, Mustafa Greblleshi, Jeronim De Rada, Nexhat Hakiu, Pashko Vasa, Mirko Gashi, Çajupi, Kadareja, Serembe, Naimi, Noli etj.?!” Por, ai është edhe krijuesi í cili ka pasur erudicionin për t’iu përgjigjur një pyetjet të tillë: “Jeronim De Rada, bie fjala, e bëri të famshme Rinën e tij në më të parën vepër të letërsisë sonë artistike, në poemën “Këngët e Milosaos”. Tashmë nuk ngrihet asnjë dyshim se për të realizuar këtë personazh ai u frymëzua nga dashuria e tij e parë me një vajzë të fshatit të lindjes, në Makji afër Shën Mitër Koronës, që ka ekzistuar vërtet, po ashtu, jo pak poezi të Serembes e të Çajupit, të Pashko Vasës e të Luigj Gurakuqit, të Naimit e të Migjenit, të Lasgushit e të shumë të tjerëve mund të shpjegohen shumë mirë po të dimë burimin e mirëfilltë të frymëzimit nga jeta e tyre reale me gjininë e bukur”.
Arti prandaj, Arti i Mirëfilltë, është Mesazhi Më i Shenjtë i Paqes në mes të Qiellit dhe Tokës, ndaj edhe Aleanca në mes të Frymëzimit dhe Krijimit/Shkrimit, sa Njerëzore - është po aq edhe: Hyjnore.
I përmasave të tilla është edhe Bekimi që Armët të Heshtin e Librat të Flasin, e që Penën e Ramiz Kelmendit e ka bërë: porsi Vala e Drinit të Bardhë. Dhe se në një Bekim të tillë, bien si një Shenjtëri Shekujsh, palët e shpalosura të Shamive të Bardha të Lokemadheve të Rugovës, pa dyshim: MERMERI MË MONUMENTAL QË PERËNDIA KA FALUR MBI KOKAT E TYRE…