Kulturë
Ymer Halimi: Porosia
E marte, 07.05.2013, 07:58 PM
POROSIA
(Nga ditari i një epoke, 29 prill 1998)
Shkruan: Ymer Halimi
Dje ishim
në Likoc me N. Zariqin, dërguam ca gjëra ushqimore edhe barna. E pashë edhe
komandant Mujë Krasniqi, që kishte një gjendje, siç thuhet, “dukej si i vdekur”
por frymonte. Takova, në ambulancë, më larg spitalit, edhe kirurgun e UÇK-së,
dr. Fadil Bekën...
Krimet nuk përfliten çdo ditë, por
nuk harrohen kurrë!
Lëkundjet
politike në Kosovë, në mes të shqiptarëve dhe serbëve, kanë arritur shkallë
maksimale, që prej pushtimit të Kosovës në vitin 1912 e deri sot. Akuzat dhe
mohimet përherë janë si koncepte të kundërta, por akuzat serbe për shqiptarët
janë sajim i qëllimshëm. Serbët janë të zhgënjyer që nuk arritën t’i realizojnë
qëllimet politike mbi shqiptarët, pastrimin e territorit sipas porosive të
paraardhësve të tyre, të Garashaninit, Çubriloviqit, Ivo Andriqit, apo më saktë
platformës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe idesë së Kishës
Ortodokse Serbe.
Kjo
megjithatë u shkoi përdore shumë, pas viteve 1878, kur Evropa bënte sehir
përballë një krimi shtetëror serb mbi një popullatë duarthatë shqiptare, të
pazonjë, të papërgatitur për të mbrojtur veten dhe territoret e saj etnike! Sot
shteti serb, përkundër një periudhe të një klime paksa relaksuese të
marrëdhënieve mes këtyre dy popujve, që ishte për një kohë të shkurtër, ka
shfaqur një urrejtje të papërmbajtur, sa na quajnë “shiftar”, “turq”, “arnaut”
dhe assesi me emrin e vërtetë “Albanci”. Kjo urrejtje disi mohon etninë dhe
autoktoninë tonë në këtë vend.
Sa më
shumë kohë që po kalon, veprimet brenda kombeve po bëhen më koherente dhe nuk
po lënë hapësirë për fqinjësi e lëre për bashkëjetesë. Kjo trysni serbe mbi
shqiptarët ka shkallë të padurueshme. Shqiptarët, apriori, akuzohen për
dhunime, shkatërrim varrezash, ngacmime fqinjësh e po çfarë jo! Madje, edhe për
gjëra banale, kur as mundësia teorike nuk qëndron që shqiptarët të ishin aty,
dhe prapë ata akuzohen. Edhe afinitetin homoseksual të Martinoviqit, (i cili
ishte vetëlënduar me shishe në rektum, edhe mjekoligjorët serbë e vërtetuan
vetëlëndimin) politikanët serbë e servuan mbi shqiptarët.
Po ashtu,
ai personalisht nuk akuzoi askënd.
Serbët për devijant seksual botuan libër me qindra faqesh, serbisht e anglisht,
duke drejtuar gishtin drejt shqiptarëve. Në një rast krejt të thjeshtë, një
udhëheqës kosovar, nga Lidhja e Rinisë së Kosovës, për rastin e dhunimeve tha:
“Dy herë ka më shumë dhunime në Beograd brenda një dite se në Kosovë brenda një
viti”. Statistika ishte e saktë. Dhunimet, edhe një i vetëm nuk arsyetohet, por
krahasimi ia vlente. Kjo serbët i vuri ne siklet. Në politikë veprimet nuk i
përgjigjen edhe momentit, por ato do reflektojnë tek pas një kohe për veprime
shtesë. Prandaj siç thuhet: për të kuptuar atë që mund të ndodhë është e
nevojshme arsyeja. Është intuita që rrëfen konfrontimin e pashmangshëm mes
serbëve dhe shqiptarëve. Shqiptarët e duan lirinë, e serbët pastrim etnik.
Megjithatë, propaganda serbe po na dërgon te ky konfrontim i tmerrshëm. Evropa
ua lejoi serbëve pastrimin etnik në Bosnje, e pse jo në Kosove!? Kjo vetëm
mbetet të shihet.
Por, për
gjithë civilizimin evropian, Kosova është diçka e veçantë: shqiptarët në
Kosovë, edhe pse ishin dhe janë në shumicë, janë viktimë e pakicës serbe.
Serbët e Kosovës janë të privilegjuar në çdo rrafsh jete, më shumë se çdo racë
tjetër në Evropë. Kjo kështu ka filluar që prej kohës së kolonizimit, që shteti
serb e bëri në Kosovë e viset shqiptare në përgjithësi. Serbët shqiptarëve ua
merrnin tokat, shtëpitë, bagëtitë dhe dhunshëm i dëbonin për Turqi. Serbët, pa
pasur asnjë përgjegjësi para ligjit, i vrisnin shqiptarët dhe i trajtonin e i
trajtojnë si racë inferiore në sferën e tyre të jetës dhe assesi si të
barabartë, dhe Evropa ishte në mbështetje të tyre.
Thuhet se
në gjyqësi lirohen edhe kriminelet, kur ata dinë t’i mbrojnë “argumentet” e
veta, apo i sajojnë argumentet mbrojtëse; po ashtu thuhet se dënohen edhe të
pafajshmit kur nuk kanë zotësi t’i vejnë argumente duke menduar se drejtësia
vetvetiu kuptohet. Ndoshta nga kjo, disi, mund të kuptohet sjellja e Evropës,
meqë ishin me kaq indiferencë ndaj shqiptareve?
Saktë,
serbët, përkundër të gjithave, enorme që kanë në Kosovë, ndjehen të pasigurt më
shumë se kudo tjetër. Krejt natyrshëm, se bënë bëjnë krime sistematike mbi
shqiptarët, herë më shumë e herë më pak. Kjo ka pashë psikologjike, aq më parë
kur po shohin se shqiptarët po zgjohen. Është e kuptueshme, krimet nuk
përfliten çdo ditë, por nuk harrohen kurrë. Edhe pse shqiptarët këto nuk i
sistemuan e nuk i sistemojnë në mënyrën e duhur, në arkiva të tyre,
megjithatë brenda familjeve i rrëfejnë,
po si raca izraelite e shpërndarë nëpër botë, që e kujtojnë vuajtjen izraelite
me mija vite dhe e përcjellin porosinë te brezat që: uratën e bukës, uratën e
gjumit, uratën për Zotin, kudo që janë, ta bëjnë me gjuhë e shpirt izraelit.
Edhe shqiptarët i shpjegojnë rrënjët e tyre me dhjetëra e dhjetëra breza qe
jetuan në këtë vend. Para të gjithëve e përcjellin kujtimin për vuajtjet dhe
ëndrrën e bashkimit kombëtar, prej së Evropa na copëtojë.
Megjithatë
shqiptarëve, disi, u mungoi shpirti unik, ai “Zoti i tyre”. Në kisha, në
xhamia, predikimet për Zotin i kishin në serbisht, bullgarisht, greqisht,
arabisht apo turqisht, dhe shumë shqiptarë u serbizuan, bullgarizuan, greqizuan
po edhe u turqizuan. Përfytyrimin për botën bënë duke i derdhur energjitë në
kulturën e të gjithë fqinjëve, dhe fqinjët i konsiderojnë disi si pjesë e tyre,
se derdhën gjakun për ta bërë Greqinë, Bullgarinë, Serbinë. Por fqinjët ua
kthyen me armiqësinë më të egër të mundshme.
Por sot,
çdo gjë është krejt ndryshe. Që nga koha e lindjes së shtetit shqiptar,
shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze e ruanin dhe e ruajnë në shpirtin e tyre
ëndrrën më të lakmuar, atë që Evropa ua mohoi dhe mohon: që të jetojmë bashkë
si të gjitha kombet. E kërkojnë lirinë, dhe brezave u lanë porosi të mos e
harrojnë vuajtjen dhe qëllimin.
Qëllimin
e shtetit serb, unë e mësova si fëmijë nga fjalët e axhallarëve të mi (1956).
Jo pak herë e pat dëgjuar duke thënë: “Këta qyfarë nuk po na rrahin për pushkë...! Kanë qëllim
tjetër, duan që të na heqin nga kjo tokë, kërkojnë të na përcjellin për Turqi”.
Dikush nga ata që maltretonin asokohe, bajagi për armët, i kishin dhënë një
porosi axhës Dakë: “Merrni vesikat e ikni se këtu vështirë se jetohet”. Në atë
kohë, axhës Smajl, kushëririt tonë të parë, ia kishin sjellë “vesikat” për t’i
shpërngulur për Turqi. Dhe, shkaku i vesikave atë e kishin lënë paksa më qetë.
Si shembull. Por, u vendos që vesikat të digjen se ne nuk jemi turq. “Këtu do
të mbesim” - u tha. Dhe kështu ndodhi. Vesikave u iku koha, thoshte axha
Avdullah, se ne tash kemi armën më të fortë, e kemi shkollën e fëmijëve tanë.
Ai e pohonte: “Në këtë të keqe të këtij socializmi, shkollën që na e lejuan u
bë mirë”, se në Jugosllavinë e kralit po u gjet libri shqip bëhej tmerri.
Megjithatë,
pata rastin që nga axha im, Azemi ta mësoj edhe këtë: “Mashkullin e gjakut tënd
nuk ke të drejtë për asgjë ta vrasësh, ama për asgjë, por kur ai behet krah me
shkaun (serbin) po, edhe vëlla po ta kesh”. Do të thotë se tradhtia e kombit
është më e rëndë se çdo tradhti tjetër që njeriu mund ta bëjë. E besoj, nuk
është pak ta ngulitësh në kokë këtë porosi si fëmijë tetëvjeçar.
Mjekësia jonë në shërbim të Luftës
Çlirimtare
Dje ishim
në Likoc me N. Zariqin, dërguam ca gjëra ushqimore edhe barna. E pashë
komandant Mujë Krasniqi, që kishte një gjendje të rendë, dhe siç thuhet “dukej
si i vdekur, por frymonte”. Ishte i plagosur nga dora shqiptare e shërbimit
serb. Takova, në ambulancë, jashtë spital, edhe kirurgun e UÇK-ës, dr. Fadil
Bekën. Më sqaroi gjendjen që e kishte Muja, pas operacionit ditë më parë.
Fadili e tha hapur: Duhet sa më parë për ta bërë operacion, se gjendja po i
përkeqësohet. Ishte kërkesa që të jetë një kirurg i rryer i abdomenit dhe
propozoi: prof. dr. Besim Elezin, nga Tirana, ose prof. dr. Riza Binishin. Më
porositi që të angazhohem. Më t’u kthyer në Prishtinë kontaktova me dr. Shpëtim
Robajn. Ai tha: Diçka në operacion sa duket nuk shkoi në mënyrën e duhur. Dhe
gjithsesi duhet pasur një ekip mjekësh me eksperiencë. Shpëtimit i tregova propozimin e dr.Fadilit. Tha: “Po të
bëhej ajo do të ishte mirë, por mundësisht disi ta bëjmë pa e lënduar ekipin e
parë të operacionit”.
Si
zakonisht, u konsultuam me Kryetarin e Kryqit te Kuq të Kosovës, prof.
I.Dedushajn. Informacionin e gjendjes i dhashë drejtpërsëdrejti edhe dekanit të
FM-së, Hashim Maloku. Në mbrëmje kontaktuam edhe me rektorin, Z. Kelmendin.
Mbeti që nesër para orës tetë të takohemi ne kafenenë “Top Kapi” në “Bregun e
Diellit” qe ishte aty pranë Fakultetit të Mjekësisë. Dhe ishin thirrur ca
profesorë eminentë të mjekësisë, po edhe profesor R. Binishi. Edhe udhëheqja e
Fakultetit. Aty ishte edhe Rektori, Z. Kelmendi. Në atë kafene mbretëronte një
gjendjeje mosbesimi në vetveten tonë. Si t’ia dalim!? Por, ishte edhe një
detyrim. Ishte një çasti i veçantë i secilit nga ne. Mbretëronte gjysmë
heshtjeje, po si ndriçimi i kafenesë që ishte i paktë. Zërat që llafosnin ishin gjysmëzërash. Është
një kohë e fillimit të vështirë, i pa parashikuar! Udhëtimi për në Drenicë
jepte një shkallë pasigurie të madhe. Duhet kaluar nëpër postblloqe të
policisë, ku edhe maltretonin. Dhe po u kuptua nga pushteti serb, se dikush ka
operuar ne Drenicë “terrorist”, siç thonë ata, atëherë cilat janë
pasojat?! Tmerri vet. Në anën tjetër,
askush askujt nuk mund t’i japë një urdhër për të shkuar, përveç një sugjerim.
Për një çast u ndalën llafet. Propozova: “Kushdo që shkon në Likoc, qëllimshëm
adresova, po edhe profesor Riza, do të shkojë me gruan time, Dritën, dhe vajzën
e vogël, Ilirianën. Edhe ato do të vijnë me ju për Drenicë, se kur të kalohet
nëpër postblloqet e policisë serbe, do të duket si një udhëtim miqësor”. Ky u
duk një mendim i habitshëm! U vendos. Pa
humbur kohë, Shaban Hoxha shkoi e mori Dritën edhe Ilirianën, u pajisën me
gjithë ato që duhej të merrnin me vete, së bashku me anasteziologun dr.
Shpëtimin e profesor Binishin për të shkuar për në Likoc. Ishte një rast i
detyrimit moral. Ishte një rast që na thërriste, ishte një rast që më e lehtë
dukej vuajtja personale sesa mos kryerja e porosisë. Të pranishmit u treguan
tepër të përgjegjshëm. Ishte një rast që duhej kap; çasti i duhur i historisë.
Por në mua kumbonte porosia “është nder
me të ra hise me luftua për atdhe”. Porosi dhe detyrim.
Më pas,
derisa shkuam në zyrat e Kryqit të Kuq të Kosovës, profesor I. Dedushajt i
rrëfeva këtë porosi e detyrim: “Është nder me të ra hise me luftua për atdhe”.
Kur familja jonë pesëdhjetanëtarëshe ishte e shpërbërë, në konakun tonë
shekullor, baba im ishte i vetmi nga brezi i axhallarëve që ende jetonte. Në
një çast, derisa ne të dy e shikonim në TV, se si votohej për ndërrimet
kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, asokohe, nën trysninë e politikës së
Serbisë, ku aty shihej edhe lavdia edhe tradhtia akademike, ende pa përfunduar
mirë duarngritja, baba m’u drejtua me një ton urdhërues: “Bir, është nder me të
ra hise me luftue për atdhe, se shkojnë
breza e breza e kjo nuk u takon. Lum atij brezi që i takon. Lufta është e
vështirë, o biri im, por pasha të madhin Zot, sot pa e kap pushkën me luftue,
po u ba kjo, me ty përkrah biro! Ju nuk e dini çka është shkau (serbi), ju nuk
e dini çka është liria! Mos u mashtroni
bir për asgjë, se serbët janë ata që na e kanë thithë gjakun me pamuk”. U
ngritë në këmbë dhe doli në oborr. Ndoshta edhe me lot në sy, por për këta lot
nuk jam edhe aq i sigurt? Megjithatë mosha ia lejonte. Si ta kuptosh një votim
të tillë, veç si abuzim i të ardhmes me kombin tonë.
Por,
porosinë më të shpejtë e shkrova me ngjyrë të kaltër, jo në fletë të pastër e
as fletë fletoreje, por mbi shkronjat e librit te Kadaresë “Prilli i thyer”, që
e kisha më afër, se u frikësova mos po m’i ik gjë kësaj shprehjeje. Ndoshta e
kërkonte hakmarrjen për shokët që iu kishin vrarë pranë këmbëve të tij në
Tivar; ndoshta i kujtoheshin torturat kur
shtëpinë ua kishin e rrethuar xhandarmëria dhe ushtria, në një muzg nate
në vjeshtë të 1924, e ai si shtatëvjeçar e kishte pa babën e vete si vdiste i
rrethuar nga armiqtë e tij. Ndoshta i kujtohej rasti kur familjarisht, i gjithë
katundi, i kishin kaluar në pyll net të tëra në dimër plot acar; apo e kujtoi
kur farefisin tonë, siç thoshte, “mixhën Man e bacën Ramadan”, ua kishin
mbyllur derën dhe i kishin djegur për së gjalli, ndoshta e ëndërronte lirinë në
dimensionin e saj, ndoshta e kërkonte lavdin e historisë, apo hakmarrjen.
Çfarëdo që të ketë menduar, kjo: “Është nder me të ra hise me luftue për
atdhe”, është moto, që asnjëherë nuk bën të harrohet. Por, kjo luftë, siç
kërkonte ai, nuk bëhet vetëm më armë, bëhet në çdo kohë. Me prof. I. Dedushajn
derisa e përshkuam rrugën e “Dubrovniku”, llafosem shumë gjëra nga e kaluara,
por mua mendja më thërret tek udhëtimi i ekipit për Likoc. Ndoshta edhe pa
arsye. Por, dita ishte plotë diell.
Sot, kur
koncipoj për publikim këtë shkrim të hershëm, pyes: kush ka të drejtë të shkelë
mbi vuajtjen e këtij populli me kaq lehtësi, duke shpërdoruar shtet e pushtet?!