Kulturë
Resmi Osmani: Yllbardha
E enjte, 09.05.2013, 07:35 PM
Resmi Osmani
Baladë
YLLBARDHA
Nganjëherë, fati I kuajve
është më tragjik
Se I kalorësve.
Mazrek, Çamëri, maj 1943
E prisje me padurim
lindjen e saj. Kur erdhi ajo ditë dhe orë iu gjende pranë. Por në çastin që ajo doli në dritë,e ëma u shua dhe
su ngrit më. I pikëlluar për vdekjen e nënës, u përkule mbi të voglën e sapolindur.
Ishte një mëze e bukur, me ngjyrë të
kuqërremtë. Në ballë kishte një njollë të bardhë, si yll. Në çast vendose ta
quaje Yllbardhë. Ajo mbeti pa nënë. Jetimen e rrite si të ishte një nga fëmijë e tu. Kujdesin për të s’ia besove
askujt. I jepje për të pirë qumësht dele, e llastoje, e ledhatoje dhe e mbaje me pekule. Ajo ishte
nga racë arabe e fisnikëruar. E shihje
dhe i gëzoheshe, sesi u rrit dhe hodhi
shtat shpejt. U bë një pelë e bukur. Me thundra të vogla, por të forta, këmbë
të gjata, eshatake e muskuloze, gjoksin të gjerë e të fuqishëm , vithet të rrumbullta, barku i mbledhur, qafa e gjatë
dhe e harkuar, jelet të dendura, të derdhura teposhtë, të gjata me ngjyrë të kafejtë . Koka e hijshme ,
sytë të bukur me një dritë të butë si të kadifenjtë, e të mençur, veshët të
vegjël e të mprehtë , ai ylli i bardhë në ballin e gjerë ishte vetë bukuria .
Lëkura elastike ishte e mbuluar me qime të shkurtra e të holla me ngjyrë të
kuqërremtë të ndritur. U lidhët ngusht. Midis kafshëve të oborrit,ajo ishte mbretëresha.
Kur e kashaisje dhe i fërkoje vithet e i ledhatoje qafën, ajo fërgëllonte nga
kënaqësia. Sapo ndjente zërin tënd apo
gjurmët në kalldrëmin e oborrit, hingëllinte dhe se zinte vendi nga padurimi. Ishte një thirrje që të të kishte pranë
vetes.Të dy bashkëbisedonit. I flisje
dhe i thoshje në vesh ngadalë e si duke pëshpëritur, fjalë
mikluese e të dhimbsura. E quaje “ E bukura ime, e mira dhe e mënçura”.
Edhe ajo të përgjigjej instiktivisht me
mënyrat e saj, me shikimin e dritësuar e të përmalluar, me gjuhën e trupit, me
lëvizjet nazike dhe turfullimin, që ishte gjuha e saj e fshehtë për të shprehur
afëri, kënaqësi e mirënjohje.
Kur erdhi koha për ta
shaluar, bleve në Janinë pajime të shtrenjta, shalën frerin me yzengjitë, me
lëkurë nga më e mira. U kujdese si për pajën e një vajze, që do të nisej nuse. Pajtove një seiz [1]nga
Preveza dhe të dy e mësuat të pranonte që të shalohej dhe të kalëronte me trok
të hijshëm. U stërvit që t’u përgjigjej thirrjeve me vërshëllimë. Kur i
vërshëlleje, kudo që të ishe, ajo të vinte pranë.Nuk pranonte që t’i hipte
askënd tjetër, veç teje. Ulej në gjunjët e pare, që ti ti hipje me lehtësi. Kush e provoi që ti hipte e pa veten të flakur tutje në
pluhur. Ecte me trok të lehtë,nazike sikur luante dhe hidhte valle me çape të
lehtë, me kokën lart dhe shikim përpara. Shkoje me të, për punë e miqësi në
Gumenicë,Paramithi, Prevezë e Janinë. Kush e pa e nuk u mrekullua! Pasunarët
dhe qejflinjtë e kuajve,të dhanë çmime të larta që t’ua shisje, por u the se nuk e jepje edhe po ta peshonin me
flori. Për ty ajo nuk ishte thjesht një pelë,një kafshë e aq, por si një pjesëtar
i familjes, si një nga fëmijët , që ti e kishe rritur qyshkur ishte sa një
grusht.
* *
*
Dhe pranvera erdhi
përsëri, por në fytyra nuk kishte gëzim.
Ishte viti i katërt i luftës. Vendi ishte pushtuar.Në Çamëri ishte ulur shesh
ushtria italiane.Një postkomandë ishte vendosur edhe në Mazrek, në Mëhallë,te
puset e Dobrës. Maji ishte në të dalë.Pranvera në luftë, në vend të luleve
çelte makthe dhe ëndrra të frikshme, kënga e zogjve mbytej nga krismat, puhiza
pranverore në vend të aromës së luleve sillte erën e athët të barutit. Gëzimit ia zinte vendin frika e pasiguria për
jetën, ditët gdhiheshin e
ngryseshin të zymta e të trishtuara, në pritje të të papriturave e të
panjohurave. Dielli lindte mes mjegullës dhe perëndimi skuqte si plagë.
Ishte pasdite.Dëgjove të
trokitura në portë. Hodhe setrën krahëve dhe dole në oborr. Trokitjet nuk
rreshtnin, ishin të forta, të thata, si krisma pushke, në to dallohej padurimi
dhe zemrimi i atij që trokiste. E hape portën dhe u gjende para skuadrës së
ushtarëve, që u printe oficeri i tyre
dhe i shoqëronte Pilo Loli nga Kartereza,
që u shërbente si përkthyes. I përshëndete me habi.
-Qoftë për mirë kjo ardhje
Pilo! Ç’nevojë u pruri?
-Nuk është për mire, -të
tha Pilua si i zënë në faj-Komanda italiane po mbledh për nevojat e luftës
kafshët e barrës,kuajt dhe mushkat.
-Nuk u mjaftojnë ato që
kanë sjellë nga vendi i tyre, po do të grabitin tonat?
-Ashtu duket. U duhen hem
tonat, hem të tyret.
-Ti e solle të keqen te
porta ime? Unë nuk e di të ta kem bërë ndonjëherë borxh!
-Mos më bëj mua me faj.
Kanë bërë një listë të plotë. Ka plot të tjerë që e dinë për pelën tënde, - u
shfajësua Pilua.-Kjo e imja është angari, ngaqë di pak gjuhën e tyre.
Oficeri Italian,që
ushtarët e tij e thërrisnin “Tenente”[2], e humbi durimin, nuk kishte kohë për të humbur
dhe bëri përpara. Pas i shkonin ushtarët e armatosur me pushkë të
shkurtra. Qëndruan në mes të oborrit,nën
hijen e ullirit të madh. U dole
përballë. Tenentja, vinte shtathedhur, zeshkan, me mustaqe spic. Në cepat e
buzëve kishte një ngërdheshje dhe në sy një dritë të keqe të verdhëreme,fodulle
e përçmuese. Hunda krrute dhe këmisha e zezë e bënin të dukej si korb i zi. Edhe fjalët që nxori, kur foli me Pilon, duke të treguar ty me gjisht, tu dukën si
krokamë korbi.
-Urdhëron që të nxjerësh
menjëherë pelën me gjithë takëmet- tha Pilua - Shpejt se nuk kanë kohë për të
humbur.
Yllbardha në haur, që
dëgjoi zërat në oborr, turfulloi dhe hingëlliu e shqetësuar. T’u drodh trupi dhe zemra të rrahu fort.
-Nuk e jap me dorë time.
Hyni dhe merreni- u the.
Pilua me dy ushtarë,hapën
derën e haurit,zgjidhën kapistrën dhe e nxorën pelën jashtë. Tenentja Italian, kur e pa, u habit nga bukuri e saj, buzët i
shkuan vesh më vesh dhe bërtiti:
-Dio mio, che bella,
bellisima![3]
Iu afrua që t’i ledhatonte
qafën, por pela u zbraps e trembur, hingëlliu dhe ngriti kas këmbët e para.
Njeri nga ushtarët i shtrëngoi fort kapistrën dhe dy të tjerët i vunë frerin
dhe shalën.
-Bukuroshja qenka
kryeneçe, por s’ka gjë do ta zbutim-vërejti tenente
I dëshpëruar dhe i
shtangur, pa mundur të bëje asgjë, mundoheshe ta mbaje veten duke e ndrydhur
përbrenda zemërimin. E shihje Yllbardhën
me ankth,skur po të të merrnin njerin nga fëmijët e tu.
Tenentja ,pasi plotësoi
një dëftesë, ku vërtetohej sekuestrimi, nderoi ushtarakisht, mori frerin dhe u
nis për të dalë, por Yllbardha nuk po i bindej. Nga forca e tërheqjes zvarriste
këmbët, por njeri nga ushtarët e gjuajti me kërbaç në vithe. Ajo hingëlliu nga
dhimbja dhe gjuajti me shkelma, por ushtari e goditi sërish.
-Mos,mor qen, që t’u
thaftë dora, - bërtite- Ajo s’është goditur kurrë që kur ka lindur. - Dhe iu
turre ti merrje kërbaçin, por tenentja
vuri dorën në revolver dhe të dha një të sharë në gjuhën e tij.
Duke e tërhequr me zor,
ushtarët,oficeri dhe Pilua dolën nga porta dhe filluan të zbresin tatëpjetë yrtyt
të ullinjve, që dilte në një rrugë këmbësore. I ndoqe me shikim të mjegulluar.
Në atë kohë ja behën kushërinjtë dhe gjitonët: Mameçi, Qamili, Mehmeti dhe
Sakua. Dolën edhe gratë e fëmijët duke qarë, por u bërtite dhe u the të shkonin brenda.
Kur ishin larguar nja
njëqind hapa nga shtëpia, tenentja qëndroi. Kishte bërë një gjah të shkëlqyer
atje ku s’ja priste mendja, një pelë e bukur e racës së pastër arabe. Askujt
s’kishte për t’ia dhënë do ta mbante vetë dhe do të kalëronte për tu dëfryer.
Ushtarët e mbajtën dhe ai i hipi pelës,shtrëngoi fort gjunjët pas barkut të saj
dhe e nxiti të vraponte me thembrat e këpucëve. Pela, hovi nga vendi, ngriti
këmbët e para thuajse vertikalisht, shkundi fort trupin dhe tenentja u gjend i
flakur si cingël me një dhimbje të fortë në kyçin e këmbës. Pela hingëlliu
frikshëm dhe me një trok të rrufeshëm mori rrugën e kthimit për në shtëpi.
Dëgjuat trokun e patkonjve
dhe pastaj Yllbardha, duke turfulluar
qëndroi para teje, t’u ngjit pas trupi.Nga goja i rridhnin jargë,në sy kishte
frikë e llahtar:
Të qortonte,dukej sikur të
thoshte: ”Pse më braktise!”
Kërkonte ndihmë. ”Më
shpëto nga rrëmbyesit”, dukej sikur të drejtohej ty.
U shtange pa ditur si të
silleshe. Vetiu, me duart që të dridheshin e ledhatove, i rrahe lehtë me
shuplakë vithet, por ajo nuk po qetësohej dhe me këmbët e para çukërmonte
truallin.
Sërish ja behën
rrëmbyesit,këtë herë të ndërkryer e kërcënues. Tenente, që ecte duke çaluar
ishte bërë bishë. Pilua kishte humbur fjalët si të kishte rënë vetë nga pela.
-Ajo nuk është mësuar që t’i
hipë tjetër kush, veç meje për kalërim.
E keni të kotë. Më mirë të biem në ujdi , – u the .
-Cila do të ishte ujdia? -
Pyeti tenente.
-Do tu paguaj vlerën e
plotë të pelës, që me ato para të bleni një kalë shumë të mirë. Hapni gojën,
kërkoni sa të doni dhe do t’u përgjigjem,
por pelën mos ma merrni.
Pilua përktheu.
Tenente u skërmit tërë
mllef:
-Mos na pandeh gjë
xhambazë kuajsh zotria? Imperua s’ka nevojë për paret e këtij fshatari fodull.
Jemi fuqia fituese,që bën ligjin dhe ai duhet të bindet pa fjalë! Pela më
pëlqen, se është kryeneçe,si një femër e bukur dhe krenare dhe dua ta
nënshtroj që të më bindet, ashtu si i
takon të sillet me një oficer të ushtrisë glorioze[4]. Merreni,
- u dha urdhër ushtarëve.
Ata e morën, duke e
tërhequr zvarrë dhe u larguan. Ju mbetët në oborr të hidhëruar, të shtangur nga
e keqja e të pafjalë. Ishte kohë lufte, ligjin e bënte më i forti. Nuk ishe nga
ata që dorëzohen lehtë. Kur ata humbën pas kthesës së rrugës, i dërgove
thirrjen tënde: një vërshëllimë të mprehtë e të gjatë. Nuk kaluan veç pak caste,
kur u dëgjua troku i patkonjve dhe
hingëllima drithëruese. Yllbardha u
kishte shpëtuar sërish nga duart rrëmbyesve. Ushtarët e ndiqnin nga prapa si
lukuni qensh. Në fund erdhi tenentja. Yllbardha i priti me hingëllima dhe
shkelma pa i lënë që t’i vinin dorë sërish. Oficeri italian e kishte humbur
qetësinë, fytyra i nxinte më shumë nga këmisha, sytë e egërsuar dhe ngërdheshja
e ligë e fytyrës ndillnin kob.
-Allora, commedia finita![5]- tha pa
iu drejtuar askujt, pastaj i tha Pilos që ta shqipëronte:
-Jemi në luftë dhe lufta
ka ligjet e saj të hekurta, për njerëzit dhe kafshët. Mosbindja, tallja,
poshtërimi i eprorëve dhe rebelimi dënohen me vdekje.- tha dhe vrik nxori
revolverin dhe mori shenjë në ballin e Yllbardhës.
-Mos e bëj! Mos e bëj mor
qen i tërbuar! - klithe - Më mirë më vra mua.
Dhe iu hodhe ti kapje
armën, por ushtarët t’i vunë bajonetat në gjoks. Tenentja e zbrazi armën me
gjakftohtësi. E goditi në ballë aty tek fillonte ylli i bardhë. Pela fuqiprerë
e pajetë u plandos sa u trand vendi, dhe në çast u mbyt në gjak. Për të shuar
zemrimin dhe urrejtjen, tenente e gjuajti disa herë edhe në gjoks, aty ku duhet
të ishte zemra. Gjaku, që rridhte me
gulçe lagu gurët e kalldrëmit.
Nganjëherë, fati kuajve
është më tragjik se ai i kalorësve.
Gjitonët, që dëgjuan krismat ja behën në çast që të
shihnin se ç’kishte ngjarë. Italianët e panë veten të rrethuar nga
grumbulli i zemëruar, por ushtarët
zbrazën armët në ajër,hapën udhën dhe u larguan, duke i mbajtur armët gati për zjarr.
Vrapove të ngjisje
shkallët dhe të merrje pushkën, por Mameçi i qetë dhe i mençur ta preu udhën
dhe të qortoi:
-Mblidh mendjen. Hajde në
vete. E di që malli është i ngjitur me shpirtin, ca më shumë që atë pelë e ke rritur që kur ishte sa një grusht. Malli
sado me vlerë, nuk e bën njeriun,njeriu e bën prapë mallin! Nuk u shua bota për një pelë!
-Më lerë Mameç, ta vras
katilin, se më thau shpirtin, - i the e pastaj u afrove te Yllbardha, që ishte mbytur
në gjakun e saj. E preke te plagët me majat e gjishtave, si të kishe frikë mos
e lëndoje. Ishte ende e ngrohtë. Nuk i mbajte dot lotët. Thonë që burrat
s’qajnë, por dhimbja jote ishte ndryshe, tronditëse, shpirt e zemër
dërrmuese,si të kishin vrarë një pjesë të qenies sate.
* * *
Dielli ishte ndaj të
perënduar. Qielli skuqte si plagë e përgjakur. Jashtë avllisë së gurtë të
shtëpisë, në yrtin e ullinjve, pranë trungut shekullor të ullirit të madh,
kushërinjtë dhe komshitë hapën “varrin”. Ishe ulur dhe si I përhumbur tymosje
cigare pas cigare. Nuk të bënin duart për asgjë. Yllbardhën e mbështollën me
savan dhe e zbritën me kujdes, si të ishte një i vdekur, pastaj e mbuluan. Punonin në heshtje. Të dukej
sikur peshën e tokës së shkrifët e të lagët e mbaje mbi shpinë. Kur
u ngrit pirgu i dheut, gjete një gur të rëndë e të madh dhe e vure në atë vend, ku duhet të ishte koka.
Fryu një puhizë e lehtë
dhe nga ulliri madhështor u shkundën mijëra lule të vogla të bardha, që e
mbuluan pirgun e dheut, si të ishin mijëra kurora lulesh.
Kushërinjtë,miqtë dhe shokët, që kishin ardhur të përqafuan dhe të ngushëlluan duke të thënë : ”Vetë shëndoshë”,”Miqtë shëndoshë” ua ktheje , pastaj i ftove të pinin kafen e mortit, se për ty ishte vërtet mort,si të të kishin vrarë njerin nga pjesëtarët e familjes.