E diele, 28.04.2024, 06:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Në fytyrën e një gjethi (5)

E hene, 13.05.2013, 07:49 PM


Sabit Rrustemi

 

 

NATA E FUNDIT NË LLOFCË

 

(Ishte 4 prill, 1999)

 

I fikëm llambat

e i ndezëm sytë

 

Nata veshur prej reshë

s'na la t'ia shohim

fytyrën e prerë hënës

 

Një fluturake

si murmurimë e largët ëndrre

endej mbi shpresat tona

 

A do ta këput lakun

kometë e shkëputur me bisht drite

kurtheve të një prite

 

Nuk po këndohet mirë

 

Na erdhën skaj dere

me krisma në Magjere

 

Flakë s'pamë prej kodrës

sall tym

dhe një erëshkrumb

 

me emër të Zotit

nesër po lëvizim

 

Nata e fundit në Llofcë

bie vonë

e ikën herët

 

Pas shpirtit të ëmbël

 

(4 prill, 2012)

 

 

PESË PRILL...

 

Bishat e çartura

u lëshuan tatëpjetë kodrës

me ulërimë

 

Mbi grumbuj të dëbuarish

braktisur shtëpish

 

Te Rupinat

Me agime lulesh

mëngjesi kish gdhirë

Asnjë pëllëmbë hapësire

nuk ish e lirë

 

...

Të dehur e të etur për gjak

gjuanin pa cak

më pesë prill në Karadak

 

Grumbuj dashurish të përzëna

strehë kërkonin

nën fleta jeshile lulesh të bardha

 

Zverdhur fytyrash

nuk i nxinte shtegu

as përroi

 

Një fëmijë

mbi supet e një prindi

këndonte e thërriste

"A vritet pafajësia"

 

Në anën tjetër të kodrës

nëpër gjakun e Pesë Martirëve

nisur ish liria

 

(5 prill, 2012)

 

 

DHEMBJA E PAVARROSUR MBETI

 

Diell i ftohtë përbiron retë

grykës së një mëngjesi

për t'i larë lotët

në Pogragjë

 

Dhe lumi prej dhembjes shtang

një pikë ujë për sytë tanë

nuk i mbeti

 

Shtratit kullojnë plagë

 

Lajmi i mirë

ka mërguar gjetkë

dhe ajo këngë

 

Tetë varre të reja

hapen e mbulohen

më gjashtë prill, 1999

 

Po dhembja

e pavarrosur mbeti

 

(6 prill, 2012)

 

 

NJË DITË E NGJASHME ME TË TJERAT

(7 prilli 1999, në Pogragjë)

 

Mëngjesi zbardh e zverdh

fytyrat tona

si lule vjeshte

 

Të papriturat

në cepin e çdo rruge

kanë zënë pritë

 

Ankthet nuk dëbohen

me një lëkundje

a prishje gjumi

 

Tërë natën

si fëmijë dënesë lumi

 

E mali

pipirek në këmbë

zgjat veshët mbi re

 

Dita e rëndë plumb

nata veshur rrobash

kotet syve të ënjtur

 

Vetëm shpresa s'jepet

buzëqesh e pret e përlotur

 

(7 prill 2012, Zhegër)

 

 

KOSHARJA

 

E lartë është

e paarritshme

për ata që s'kanë frymë

e zemër e sy

 

Po u nise drejt saj

mos pyet ç'ditë është

ç'mot bën

 

Vetëm ec

 

Një shekull agimesh

në atë rrasë zogu

hapat tanë ka pritur

 

Për ta prekur

për ta puthur

me afsh dashurie

...

Maja e saj

nuk matet me nivelin e detit

sall me thellësinë e shpirtit

 

Pika më e lartë e saj

është atdhedashuria

 

Lum kush e shijon

...

Po e preke atë maje

më tej mos shko

 

Shtrydhe veten

deri në pikën e mbramë të gjakut

thellësive depërto

si lëng lirie

 

Për t'u rilindur

syve të së ardhmes

nëpër lule përjetësie

 

(9 prill, 2012)

 

 

NË SHQETËSIMIN TËND

(Mikut tim virtual, Nijazi Jahja Mripës, që jeton e shkruan vargje në veri)

Di se fjala ka humbur kuptimin

si ajo urë që ta mohon kalimin

dhe fjalë të radhës nis andej

ku pritja digjet zjarrit nëpër dej

 

Në shqetësimin tënd ma lë një vend

të të them lëshoje s'e kam ndërmend

tokë e jonë është i Boletinit gjak

Sa herë nga ajo kullë na erdhi për pak

 

Jo që nuk e di ta them dhe një herë

lojërat që luhen s'ishin as do të jenë fer

po nuk jemi mësuar të luajmë me hile

se si na shfaqet gjithë nga një skile

 

Durimit prapë i falem si të mirit mik

edhe kur syri pritash nuk bën vrik

do të ikë dhe kjo mjegull pa tonën ndjesë

se si nga dëshira ushqej këtë shpresë

 

(10 prill, 2012)

 

 

KRISTAL I PËRJETSHËM

(Mitrovicës)

 

Jam aty

brenda secilës ditë

edhe kur syve më hedhin hi

Po dhe brenda natës rri

kur më gostitin me të shtëna

e shpërthime

në timen shtëpi

 

Aty jam

me krejt plagët që kam

as një lum si Ibri

nuk m'i lanë

zjarr i dhimbjes s'm'i thanë

 

Aty jam

këndej e andej urës

më i gjatë se brigjet

më i thellë

se horizonti i nëntë

 

Ku pikon imja rrënjë

 

Tjetër vend s'kam

as kërkoj

 

Aty jam

aty më gjeni

 

Edhe kur vetëm hyj

hyj kujtimesh

të mbetem

 

Kristal i përjetshëm

dardan

 

Aty ju pres

 

(12 prill, 2012)

 

 

O, KJO ANË E DRINIT...

 

O, kjo anë e Drinit

me pak gurë e barë

mbeti breg më vete

dhembje e patharë

 

Nëpër stinë e mote

ç'm'i ndërrohet ngjyra

bregun mal me rrudha

nuk i qeshë fytyra

 

Sa dita mbi të derdhet

sa nata sipër e qan

po atë dhimbtë të fshehur

një lum dot s'ia lanë

 

O kjo anë e Drinit

brengë e pashëruar

bri ujit që ikën

mbet duke ëndërruar

 

(18 prill, 2012)

 

 

AI ËSHTË LIRIA VETË

 

(Heroit të popullit, Sali Çekaj)

 

 

Nuk e shoh rrasën

as Zogun

 

Vetëm një sypatrembur shoh

një flatër zogu

në tijën dorë

 

Me gjak zemre

nënshkruan lirinë

 

Sa e vogël ajo Koshare

para tij

 

Sa e thellë

sa e paskajë dita

që lind e lirë

në Dardaninë e lashtë -

Kosovën tonë

 

Ai nuk është sall hero

ai është vetë liria

 

(19 prill, 2012)

 

 

MËZI

 

Ka harruar kur e nxora prej baltës

një shtrat kashte kur i ndreqa

e mora në krah

e ngroha

si e tij nëna

 

Ka harruar sa herë

tek gjini i saj e mbajta

Për të thithur tambël

sa buzëve i rridhte curril

 

U rrit më në fund

shtat hodhi

dhe bishtin mbi shpinë

 

S'është fija

për ta zënë më

 

Veç tu e këqyr meta

tu e kënaq syrin prej larg

 

Atë mëz që u bë i madh

 

(21 prill, 2012)



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora