Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Kaltërsirat e një arti
E hene, 18.03.2013, 08:07 PM
Kaltërsirat e një arti
Poezia e Fatos Arapit në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”
Nga Timo Mërkuri
…vijim i shkrimit “Dallgë ndjenjash në oqeanin poetik” të dates 11.02.2013.
4-Kemi shumë kaltërsira…
…që me duar dashurish/duhet ti afrojmë pranë vetes/
Sa herë që lexoj poezinë e Fatos Arapit, më duket se eci brigjeve të Jonit…
a-Dhe brigjeve të Jonit të rrethon kaltërsia nga çdo anë…U krodha në ujrat e Jonit/ në ngjyrat dhe dritat e tij/…dhe ndjej/neper shpirtin tim/si rryma të kaltëra gëzimi/shkojnë dritat dhe ngjyrat e Jonit…
Këtë kaltërsi jo vetëm që e shikon, por ajo që ka vlerë është se e jeton dhe bëhesh pjesë e saj…E mbusha gojën me erërat e Jonit/ndiej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit/…dhe jam i tëri/ grimca drite e ngjyrash ( të Jonit)
Kjo është arsyeja që këtu edhe …vargjet erdhën me ritme të kaltëra. Përpara, një det i kaltër, ku vrapojnë kope të çuditëshme, të panumurta kuajsh të bardhë, mbi krye një qiell i kaltër, ku yjet si zilet e shkollës/tingëllojnë mbi fëmininë time, në kokë, mendime plot kaltërsi, nëpër të cilat, emocionet fluturojnë si pulëbardha.
b-Dhe një dashuri e madhe, sa deti, e kaltër si deti, që reh me dallgë ndjenjash brigjet e brinjta të kraharorit, duke na bërë të bukur….
Kur vija te ty….mbaja në buzë trëndafila të bardhë/këputur mes valëve të detit të gjerë…
-Njeriu i brigjeve joniane, nuk është kurrë i vetmuar. Madje, as atëherë kur fizikisht është i vetëm. …Shpesh herë kam qënë në Vlorë dhe nuk e ndjeja veten të vetmuar. Më shoqëronte ndoshta, magjia e detit…do të shkruante poeti Ali Podrimja në parathënien e përmbledhjes poetike të Fatos Arapit “Eklipsi i ëndrës”, duke dëshmuar pavetëdijshëm një karakteristikë të njeriut dhe viseve joniane.
Kjo mungesë vetmie është për vetë faktin se deti, me gjërësinë dhe kaltërsinë e tij, të hap e të ndrin hapësrën e shikimit dhe të fluturimit të mendimeve dhe ndjenjave . Dhe në mos syri, mendimi do ta gjejë një shok udhe, një bashkëudhëtar bashkëbisedues, me të cilin mund të ecësh lirshëm. Dhe bashkëudhëtari e bashkëbiseduesi më i këndshëm është dashuria..
Njeriu i brigjeve joniane është përherë i dashuruar…Sonte jam një puthje e ngrohtë/ëndrash/që dashurohen… Ecën brigjeve …i bindur se atje… është ajo që prêt/ajo njerëzorja, e duruara, e dhimshura/mbështetur te muri/i çdo dite të nesërme/Është ajo, dashuria… e cila ta zmadhon botën tejë horizonteve dhe ta mbush jetën plot me optimizëm…Kapërceva ty e kapërceva veten/dhe përtej vetes kapërceva jetën/dhe përtej jetës kapërceva vdekjen/ i hapa krahët të pushtoj ty vetëm…Ti do t’më dashurosh patjetër… sepse…Edhe sonte në kurrizin e rruzullit/do gjejmë një copë vend/ku të ulet dashuria jonë/…dhe diçka të gëzueshme/ për ti thënë njeri-tjetrit do gjejmë edhe sonte…
Madje kufijtë e dashurisë i ka tejë kufijve të jetës…Ata që kanë vdekur/dhe dashurojnë akoma/ty dhe mua le të më kujotojnë…
c-Por ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se Joni, jo vetëm që të largon vetminë, por ta mbush botën shpirtërore me muzikën e valëve të tij. Mos u habitni po qe se brigjeve të Jonit do hasni ndonjë udhëtar, që ecën shpenguar, duke fishkëllyer apo logatur vetmëvete melodi. Dhe shpesh kjo melodi, e shoqëruar apo jo me fjalë, është gati fantazmogorike …Llogaraja si mund të kalohet pa ty/Të pengohesh nëpër folera yjesh/të zgjosh e të trëmbësh zogjtë qiellorë/që fluturojnë e fshihen fundeve të detit… Në pamje të parë të duket se është kthyer çdo gjë përmbys, por jo. Janë relievet joniane të para nga qielli dhe nga deti, të pasqyruara këto te njeri tjetri. …Dhe mbi të gjitha…Një dhimbje bardhësie të kaltër/njerëzore gjer në përjetësi….
Ky fenomen nuk ndodh vetëm brigjeve …baritore të bregdetit. Edhe në mes të bulevardit kryesor të qytetit të Sarandës mund të shohësh qytetarë që shëtisin vetëm, në orët e ditës apo të mbrëmjes, dhe në atë shëtitje, ata nuk ndjehen aspak të vetmuar. Mund të të kalojë shoku i fëminisë pranë dhe mos të të përshëndesë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, nuk të ka vënë re, sepse ishte në shoqëri dhe bashkëbisedim me …detin. Këtë ndoshta mund ta quajmë edhe “vetmi e shoqëruar” sepse kemi të bëjmë me një vetmi fizike si numër njerëzish, por me një shoqërim psikologjik në mendime të një bote të tërë, siç është deti. Ky “shoqërim” të krijon një ambient komod të të jetuarit me mendimet e tua, por ajo që ka rëndësi, është fakti se të ofron vetëm …mendime të …kaltëra. Kjo ndoshta është edhe një nga arsyet që poetët jonianë flasin shumë për dashurinë dhe pak, ose aspak, për “trimërinë”, urrejtjen nuk e ngrenë lapidar, por e mbulojnë me baticat e dashurisë, ashtu si deti mbulon shkëmbinjtë me ujët e tij.
ç-Por Joni ka edhe më. Nuk të lë të ikësh vetëm. Kudo që të shkosh, muzika e valëve të tij të vjen nga pas. Dhe tani,kudo që jam/ashtu fantastik e i madhërishëm/më ndjek pas deti…
Dëgjojeni muzikën
joniane te një poezi…larg Jonit…Në kaq pak Tiranë…
Në kaq pak Tiranë/si mund të mbetesh kujtim/si mund të kthehesh në mall/Dhimbja e natës/natën e zgjon/si mund të bëhesh tragjedi./Në kaq pak Tiranë…
Më falni, gjëmonte deti apo rrënkonit edhe ju me mua?
d-Ndoshta gabohem,
por poezitë e Fatos Arapit më ngjajnë
si vala që vjen pas valës, si dallga që rend pas dallgës. Herë me
zhaurrimë të ëmbël ninulle e herë me tërsëllimë të frikëshme
tramudane. Mund të jenë të ndryshme temat, të cilat në brendësi plotësojnë
konturet e një poezie moderne, si përrenjë dhe shkrepat konturojnë relievet e
një
Në qoftë se folëm më sipër për kaltërsinë e …vargjeve, le të shohim ritmikën e vargut të Fatos Arapit, psh te poezia…Si të harova ty…
A i ke parë ti mbledhësit e ullinjve?/Ashtu unë mblodha qetësira netësh/ditë të verdha vjeshte,një emër shqiptar/Margarita Tutulani ndër gjëmime vjetësh/…/nën një gjurmë njeriu, një kothere bukë/nën të paska mbirë një mendim i bukru/ja dhe fjala paqe,si kordhele e bardhë/mbi flokë fëmijësh…
Le ta shohim edhe
te poezia…Mos më urre…
Dikur si dy urra në vatër/për shoshoqin ishim/të vetmuar shuheshim/të bashkuar digjeshim…
ose…Ti do vish e dashur, si s’do vish/kur e di se unë ty të pres/duke ndjer’ frymarjen e vetë mbrëmjes/duke ndjer’ frymarjen e vet pritjes/duke ndjer’ frymarjen e vetmisë/Ti do vish e dashur, si s’do vish/kur e di që unë po të mundja/rreth vetvetes rruzullin do vërtitja/…/të rrjedhë koha shpejt/ e ti të vish.
Asnjëherë në letërsinë shqipe nuk ishte parë një ritmikë e tillë poetike, e brendëshme, si rahje e një zemre të dashuruar, në takimin e parë. Larg shqiponjave që fluturojnë lart dhe pa baltë Devolli nën këpucë.
Vargje larg rimave tradicionale, që çuditërisht u përqafuan masivisht nga lexuesi, duke u thithur menjëherë prej tij, siç thithet shiu prej tokës në stinë thatësire.
Një poezi moderne, e cila me thjeshtësinë e saj të të shprehurit, u bë pjesë e basemit të kulturës sonë letrare, duke ndikuar fuqishëm në rritjen e nivelit të saj artistik.
Madje dhe kritika e tejëpolitizuar heshti, e befasuar apo e mrekulluar para kësaj magjie poetike.
Nuk e kuptoi dot,
që vargjet kishin dalur jashtë kornizave të “artit proletar” apo s’dinte ku t’i
gjente “cenet” këtij margaritari.
Unë këtë nuk e di, por Fatos Arapi, ndonëse është poeti më pak i kritikuar zyrtarisht, është gjithashtu poeti më pak i vlerësuar zyrtarisht.
Studimet dhe artikujt kritikë për poezinë e tij janë shumë të pakët, po ti krahasojmë me shkrimet për poezinë e Kadaresë dhe Agollit, dy emrat me të cilët ai “rivalizonte” denjësisht.
Ndoshta u
mendua ta rrethonin me heshtje, por si
mund të rrethohet me heshtje deti?
Çdo valë e tij është djep i një kënge e çdo dallgë e tij është bijë tramudane.
I kemi të freskëta kujtimet e jehonës të librave poetikë, apo të poezive të veçanta të Fatos Arapit, kur botoheshin. Në rast se për poetë të tjerë “të mëdhenj” organizoheshin konferenca, ku oratorët nxitonin të shpallnin suksesin, triumfin, fitoren e ideve, mësimeve etj etj, librat e Fatos Arapit i çfletonim në heshtje mbrëmjeve, duke përjetuar përmbysjen e madhe të ngrehinave teorike të tejëpropoganduara dhe të imponuara në vetëdijen tonë. Ishte si të përjetoje brenda një pallati “pesë(vjeçarësh)katësh” pasojat e një tërmeti shkatërues. Rrëzoheshin dritare e ballkone, ku jeshilonin lulet artificiale apo valviteshin flamuj fitoresh. Thyheshin kollonat si shtylla kurizore nën një ulërimë therëse të heshtjes sonë. Tavanet rrëzoheshin mbi biblotekat (e prodhuara enkas) me libra të udhëheqësit, duke hyrë pluhuri midis fletëve, si dheu mes dhëmbëve të kufomës së tretur.
Dhe mes këtyre gërmadhave, shikonim se diku larg, dielli ndriçonte ndryshe.
Më ngrohtë, më njerëzor.
Dhe një lule e njomë, e re, pothuaj e panjohur, por dhe e shumëpritur, po rritej në shpirtin tonë.