E marte, 23.04.2024, 10:01 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Tek guri që ndez sevdanë

E shtune, 20.10.2012, 11:33 AM


Tek guri që ndez sevdanë

Përsiatje  për librin “Këmbana e dashurisë” e Kristo Çipës    ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”

Nga Timo Mërkuri

1-Kur para  disa kohësh botova shkrimin “Në Himarë, ku dhe Zoti vjen i ftuar” theksova faktin se poezitë e Kristo Çipës , nuk të shijojnë kur i lexon. As i ulur në tavolinë të punës dhe as i shtrirë në divan. Sepse këto… vetëm mund të këndohen nga një grup iso-polifonik., nuk e dija se Kristo Çipa po pregatiste një libër të ri. Këtë e mora vesh atë ditë, kur bashkë me poetët Agim Mato dhe Andrea Zarballa i shkuam për ngushëllim në shtëpinë e tij në Himarë, për ikjen e  të jatit, Andrea Çipa nga kjo jetë. Me qënë se me Andrea Çipën, veç miqësisë që kishte patur im atë me të, si  bashkëfshatarë moshatarë edhe unë krijova një miqësi, në kohën që përshëndeti botimin e   librit tim të parë të serisë folklorike me përmbledhje këngë, bejte e vaje pilurjote “Gjerdan  këputur”, në vitin 2005.

Përshëndetja e tij, ardhur me një letër nga Piluri në Sarandë më emocionoi  dhe  unë, në librin e dytë të serisë folklorike “Te lisat në shënkollë”, në vend të parathënies botova  përgjigjen  time drejtuar këtij plaku të ditur dhe ftesën që i bëja për të ndihmuar dhe ai në mbledhjen e folklorit. Ndihmesa e tij nuk vonoi dhe mund të them se libri i tretë i kësaj serie  “…Iso more djem” është gati 80% kontribut i këtij plaku të mirë, në përcjelljen  drejt amëshimit të të cilit nuk  asistova dot, por po e laja një pjesë të këtij borxhi te kjo vizitë ngushëlluese që bëja bashkë me miqtë e mi  tek i biri.

Këto elementë të miqësisë  simë me të jatin po i tregoja Kristo Çipës  atë ditë, tregim i cili hapi dritaren e folklorit në atë odë, ku biseda nisi me ritualin e zakonshëm të ngushëllimit por nuk qëndroi vetëm aty. Fjalë pas fjale ( në traditën pilurjote nuk pranohet heshtja në mort dhe ca më pak në ngushëllim), Kristua na njohu me poezinë “Rrojmë në shpirtin e lirisë” duke na kërkuar mendimin tonë .. Tre poetë ne dhe Kristua katër s’mund të kishim temë më të dashur për të ndezur zjarrin e debatit. Madje debati nisi që te strofa e parë, te vargjet…Buzëqeshur midis lotit/Vinte shekull i stuhive/Natën po gremiste kombi/Hiqte mjegullën prej syve… për tu ndezur më pas te strofaDhe nga zoti vjen profeti/Plaku me flamur në gji/Brenda kombit më të vjetër/Shpalli shtetin më të ri.

Dhe mos mendoni se u ndërpre debati te vargjet…Ismail Qemal Liria/Fat i kombit që s’u shua/Ka njëqint vjet historia/Që mëndjen ta kërkon hua.

Debati aty filloi të konturohej mbi portretin e poezisë së Kristo Çipës, ku shpirti i gjërë lirik me vlera të ralla estetike noton lirshëm në detin e atdhedashurisë.

Pikërisht në këtë moment, Kristua na sqaron se poezia që po debatonim, realisht  ishte teksti i këngës që grupi i tij pregatiste me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Kjo nuk ndryshoi gjë në debatin tonë, veç faktit se ne u frenuam që ti kërkonim  një interpretim muzikor të disa vargjeve, nisur nga arsyeja e vizitës. Por të tre ne e njohim këngën popullore himarjote, pilurjote dhe atë të grupit të Kristo Çipës dhe nuk e kishim të vështirë të  dallonim detin  e këngës dhe dallgët e tij edhe në këtë lexim të thjeshtë në shtëpinë e autorit. Madje kam patur rast, tani von, ta dëgjoj të të kënduar këtë këngë dhe jam i gëzuar që melodia nuk është larg përfytyrimit tim të asaj dite.

 

Por më ka ngelur në mëndje një pyetje e Andreas atë ditë, në se ka poezi të Kristos që të mos këndohet, pyetje të cilës nuk ju përgjig askush  sepse biseda vijoi më thellë, në veçoritë e këngës folklorike të bregdetit, evolimi i saj në kohë nga Neço Muko, Dhimitër Varfi, Lefter Çipa për të mbritur te Kristo Çipa dhe zvëndësimi ose “cungimi”i fabulës së teksti me ide.

2-Këto mu kujtuan  sot ndërsa lexoja librin e Kristo Çipës “Këmbana e dashurisë” dhe duke ju përgjigjur edhe pyetjes së Andreas të asaj dite vizite në shtëpinë e autorit, mund të përgjigjem pa ekuivok se asnjë poezi e Kristo Çipës nuk është e pakëndueshmë, jo vetëm nga  grupet iso-polifonike por edhe nga muzika moderne.

Madje jo vetëm poezitë e tij lirike por edhe poezitë vaj si psh poezia “Ati im”, të cilat në vetvete janë ligjërime. Duhet ta  ketë këtë tekst një vajtore pilurjote që ta bëjë të dridhet guri kur të ligjërojë: Ti punove për të gjallët/Të përjetëshmit i nderove/Në Parajsë, kur ngjite shkallët/Patjetër si numërove.

Madje, strofën e fundit me vargjet…Mos na e ndaj syrin e shpirtit/Nga ajo botë atje ku s’vdesin/Ne këtu,si nxënësit Krishtin/Të rishfaqesh prapë të presimnuk di pse mu krijua bindja se vetë Kristua e ka vajtuar  (ligjëruar) atë ditë të përcjelljes së të jatit në varrezat e Shën Kollit në Pilur dhe më pas e ka hedhur në letër, si tekst.

Por le të shohim muzikën e brendëshme të një poezie lirike, psh  poezisë “Nga hëna do marim hua”. Lexojeni bashkë me mua, miqtë e mi: Mike do na dalë nata/Të shtrojmë flokët e gjata/Të puthim buzët e mjalta/Të ndukim gjiret e larta…obobobooo

Na fakt more miq, unë dhe ju u ngatëruam pak, se kjo “obobobooo” nuk është fare në tekst të poezisë, por na doli ne si klithmë shpirti, kur përjetuam vargjet që porsa lexuam. Dhe në rast se tekstin e mësipërm e kënduam ( a e vutë re që ne këndonim dhe nuk lexonim) duke tundur supet, te refreni s’na mbetet gjë tjetër veçse të hedhim duart në supe të shoshoqit, të përulemi në gjunjë si te vallja e djemve  pilurjotë dhe të hidhemi lart, sikur duam të zëmë hënën me dorë, kur të këndojmë: Në mos daltë, mike çthua/Nga hëna do marim hua. .. dhe pasi të lëshojmë dhe një “obobobo” si një klithmë kënaqsie pas një trumfi, të shohim çapkënçe hënën, si një vajzë hireplotë.

Por me që vajzat tona janë ku e ku më të bukura se hëna, le të kthehemi te poezia këngë “Ktheu prapë te zjarri”. Si i vendit që jam, do ja mar unë (do ta lexoj) dhe ju shoqëromëni sa të mundni: Natë e ëmbëlsuar….(ohooo)…O miq s’më zë gjumi..(hajde deee) Fryn kjo erë,vjen trazuar/Mëndjen larg ma shpuri….(iso djema) ..Ç’të kujtoj më parë/Hajde djalëri /Dilte hëna për të parë/Na kishte zili.  Obo bo bo. (Pas  këtij të kënduari, kofidencialisht po jua them se, po s’re në dashuri në Himarë apo me Himarën, kot që ron në këtë botë. Nuk thotë kot poeti Kristo Çipa:  Himarë o lulja Himarë/O guri që ndez sevdanë).Por le të vazhdojmë  të këndojmë:

Ç’thoshe me atë gojë/Zemra ty ta thosh/Hën e yje perëndojnë/Mos më tradhëtosh.

……Dil dhe më kujto/Si lulja beharin/Thuaj një herë “Po”/Mos më digj të gjallin

Tani që dhe ju more miq mësuat të këndoni  këngët tona, le t’ja marim dhe këngës “Shpirtin me buzë ma pive”.  Unë do ja mar, ti do ja kthesh,…iso more miq: …Si era që shket mbi brigje/Pa hapur porta dhe shtigje/Erdhe në zemër më zbrite/Si verë e vjetër godite/Zan e zallit zagorite/ Shpirtin me buzë ma pive/Si lisin në brinjë më shtrive/Ri e lutem perëndive/Ja më ngjall ja bëmë zgjidhje.

Eh more Kristo Çipa, dëgjomë një qortim miku :- Herë tjetër që do botosh libra me poezi të tilla, librat shoqëroi dhe me nga një shishe raki, se nuk shijohen dhe as këndohen këto poezi në të thatë.

Ja, duam të këndojmë këngën “Jemi lis, nuk jemi hije”  me vargjet brilante…Në Prizeren foli Abdyli/Foli me gjuhën e kombit/ Shqipërisë po i vjen ylli/ Natën le ta marë Stambolli … , më thuaj, të bëj rixha, këndohet kjo këngë me zë të ngjirur dhe me fyt të thatë, pa u lagur me raki? Domosdo që jo, pranon ti. E po kur s’e këndon dot ti, që je  i zoti i punës, si ta këndoj unë dhe lexuesi që porsa e morëm librin në dorë.

Prandaj të them  që domosdo duhet ta shoqërosh librin me një bodile raki.

Po shiko mirë që të jetë raki piluri, nga rrushi i Vanovës, ndryshe s’ndizet gjaku dhe s’të shijon këngë-poezia.

Atëherë të shohësh ti si do ta ndezim këngën e “Rugjinës” që të vargjet e fillimit:

...Nata shkoi sikur s’qe/U gdhi dita si e ve/Syri i jetës më nuk sheh/Se ra qielli mbi ne…

Sepse ne jemi nga ata që…Detin e kaloj me këmbë/Malet i bluaj me duar…

3-Unë nuk e di në se, me sa shkrova më sipër, ju përgjigja pyetjes të poetit Andrea Zarballa, bërë në shtëpinë pilurjote në Himarë, atë ditë që shkuam për ngushëllim, por një gjë e di mirë dhe jua deklaroj me kompetencë: Poezitë e Kristo Çipës e kanë melodinë brenda tyre, nëpër vargje,  ashtu siç ka deti dallgët. Pjesë të tyre, të pandashme. Duhet të  fryjë pak erë që të lëvizin valët, duhet të kalojnë rymat e brendëshme detare që të formohen dallgët. Duhet të mblidhet Kristo Çipa me grupin e tij që të ngrihet një këngë mbi një poezi e cila lind  bashkë me melodinë.

Ky nuk është process i panjohur në bregdet. Kështu ka lindur, në një ambient dasme kënga e famëshme “Kush është lule vilajeti”.Kështu ka lindur kënga “Moj Katina nina nina”. Kështu lindi edhe kënga famoze e Neço Mukos “O moj korçare sa e bukur je”. Në moment lindi teksti dhe melodia.

4-Por ajo që dua të kumtoj pranë jush,  është fakti se, pavarësisht sa më sipër, Kristo Çipa nuk është  një rapsod që ngre tekste këngësh popullore për tu kënduar nëpër festivale apo festa e gëzime, nga ai vetë apo të tjerë. Një konkluzion i tillë,  gabimisht mund të nxiret kur dëgjon këngët e grupit të tij dhe mëson se autori i tekstit është ai vetë. Shto këtu faktin që ai është dhe pjestar aktiv i grupit, herë në rolin e marrësit, herë në rolin e kthyesit apo të mbajtësit të isos, ky konkluzion duket se është i plotë në të gjitha anët e tij.

Por  unë ju them se ky konkluzion nuk është gjë tjetër, veçse një “mirazh” në shkretëtirën e mosnjohjes së  laboratorit krijues të këngës popullore, në tërësi dhe të asaj bregdetase, në veçanti.

a-Në bregdet, të gjithë banorët, burra e gra  këndojnë këngë iso-polifonike, pavarësisht nga niveli artistik i  të kënduarit. Madje duhet të themi, se  një vesh i zakonshëm (me këtë shprehje nënkuptojmë  qytetarë jo me origjinë nga bregdeti), nuk e dallon dot disnivelin cilësor të të kënduarit të dy  himarjotëve, në një kohë që për banorët e kësaj treve, mjafton që zëri i një këngëtari  të ketë një dridhje të thjeshtë, të pakapëshme nga veshi, por që nuk i shpëton dot bregdetasit, pra mjafton kjo dridhje që ai të “skualifikohet” si këngëtar apo pjestar i një grupi.

b-Në bregdet jo vetëm që këndojnë të gjithë banorët, por nëpër festa janë stërvitur dhe në “betejat” folklorike duke “goditur “ njeri tjetrin me bejte. Bejtet në vetvete janë krijime poetike me të cilat autorët ngacmojnë njeri tjetrin në një festë apo gëzim, me qëllim që të shtohet harmonia apo humori,  për tu mbrojtur nga një ngacmim i mëparshëm, për të ironizuar një gjest,fjalë apo veprim të dikujt, detyrimisht i pranishëm. Këto bejte këndohen dhe rrallë recitohen.

c-Kjo ka shërbyer si shkollë, që të ritet numëri i rapsodëve, autorë këngësh popullore.Diferencimin e bënte koha, si për tekstin ashtu dhe për melodinë( më pak për këtë të dytën, sepse bejtet këndoheshin rëndom me  të njëjtën melodi). Kështu shpjegohet fakti që, (sipas Leftër Çipës) vetëm fshati Pilur të kishte mbi 80 rapsodë të njohur me krijime fine, të cilat i kanë rezistuar  periudhës kohore  mbi një shekull e ca.

ç-Evolumi i këngës  iso-polifonike, dalja në skenë, në kohë të ndryshme e shkollave apo varianteve, “avazeve” himarjote të Neço Mukos, Dhimitër Varfit, Lefter Çipës dhe së fundi  e Kristo Çipës, kërkonte që melodia të kishte domosdoshmërisht një tekst të nivelit të lartë artistik, që ti rezistonte kohës. Kështu shpjegohet  fakti që këtë mision e morën në dorë poetët  dhe  rapsodët e ndryshëm u tërhoqën në skalionin e dytë, duke u vënë në rolin e këshilltarit të poetëve. Kështu ndodhi në grupin e Pilurit, ku autori i pothuaj të gjitha teksteve ishte Lefter Çipa i talentuar. Kështu ndodhi që në Himarë, tekstet e këngëve i krijon poeti Kristo Çipa. Ose më saktë, poezitë e tij  bëhen tekste këngësh.

Ashtu, natyrshëm, siç bëhet vajza grua.

5-Po pse janë kaqë lehtësisht të këndueshme këto  poezi,do më pyesni ju.

Po unë do tju thoshja që, jo vetëm  poezitë e krijueve bregdetas, në tërësi dhe të Kristo Çipës në veçanti janë të këndueshmë, por edhe të folurit e banorëve bregdetas është i këndueshëm, është melodioz.  Është më se e zakonëshme në krahinën e Himarës  që të takosh një  grua plakë në rugë, e cila, pyetjes tënde xhentile si je e si ja  kalon,  ti japë përgjigje me një bejte të kënduar. Kjo ndodh se vetë e folura e gëzueshme e Himarës, e ka brenda vetes melodinë, ashtu siç ka deti valët apo dallgët. E si të mos ndrijnë valët kur buzëqesh deti?  E si të mos gjëmojnë dallgët kur zemërohet deti?

Kristo Çipa e ka shpirtin si një det me këngë, prandaj dhe poezitë  e tij nuk janë gjë tjetër veçse dallgë e valë të atij deti.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora