E premte, 02.05.2025, 08:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Aktualiteti i një romani

E marte, 16.10.2012, 07:04 PM


R e c e n s i o n:

AKTUALITETI I NJË ROMANI

( Herolinda Zenuni:” Realiteti im”, roman 2012, botoi SHB.Litografia- Gjakovë)

Nga Tahir Bezhani

Pas romanit “Ëndrra ime”, botuar me 2010, këto dite, H. Zenuni, publikut artdashës iu paraqit me romanin e dytë, ”Realiteti im”, me redaktor z. Prend Buzhala dhe recensentin Mentor Thaçi.

Romani i sapo botuar “Realiteti im” i autores H.Zenuni, trajton një  temë të  gjerë të spektrit  shoqëror, të jetës së pasluftës në hapësirën kosovare.

Me këtë rast, autorja H.Zenuni vëzhguese e thellë e ngjarjeve madhore të një periudhe historike të një shoqërie në tranzicion, duke u marrë me gjërat nga më të imtat e deri në rastet delikate të zhvillimit shoqërorë në Kosovë, tregon afinitetin personal në luftë ndaj dukurive negative kur ato shtrihen ne shoqëri.

Kjo prozatore e re,  përdorë një elegancë në mënyrën e të shkruarit, ka stil karakteristik dhe të bën kurioz gjatë leximit,  nga se,  gjërat e shtruara i sjell me një pjekuri  stilistike dhe ngjeshtë me logjiken e kapshme te zhvillimit të ngjarjeve që tronditin shtresën e gjerë popullore në Kosovës e më gjerë.

Mënyra se si ajo shkruan, të kujton disa shkrimtarë të spikatur , si Fatos Kongoli,  B.Zllami etj, të cilët, me veprat e tyre,  sollën risi e  realitet të jetës në Shqipëri,  pas diktaturës, duke u rrekur me tërë problematiken shoqërore te kohës së tranzicionit e deri me sot.

Të njëjtën punë, me guxim e talent të rrallë, prej një prozatore të respektuar, spikat filozofinë e artit letrar duke u rrekur me tema aktuale të kohës, duke vënë në pah anët pozitive e negative të ecurive gjithëpërfshirëse në shtetin më të ri të botës,  në periudhën e pasluftës.

Mund të themi lirisht se është e vetmja prozatore(krijuese) që me një pjekuri e harmoni stilistike, lëvron temat e tilla në shoqërinë kosovare.

Nuk trajton vetëm një aspekt,  si dukuri negative me të cilën ndeshet i ringjalluri shpirtëror, por janë një mori dukurish negative që përcjellin këtë shoqëri kohe bukur të gjatë. Autorja, gjen guxim dhe trajton të gjitha çështjet negative qe janë bërë pjesë e pa ndashme e jetës sonë si:

Padrejtësia, varfëria, korrupsioni, krimi, tradhtia,

urrejtja, xhelozia e shumë të këqija tjera...

Autorja H.Zenuni,  falë talentit të saj dhe begatisë imagjinative,  zbërthen  dukuritë pozitive e negative në romanin e saj, duke e ringjallur (shpirtërisht) si figurë të heshtjes, ushtarin e vrarë në luftë për lirinë e atdheut.

Kjo mënyrë e mundshme dhe e njohur në letërsi, si legjendë, si mit, e ngrit  lart artistikisht,  i jep vlerë romanit “Realiteti im”.

Pra, gjatë leximit, të mban pezull zhvillimi i ngjarjes e herë herë, të krijohet huti se vërtetë është fjala për një personazh të gjallë që vepron,  apo për të vdekurin që vetëm përgjon.....

Që në fillim të romanit,  hasim në moment  çudie të ringjalljes së të vdekurit (ushtarit - dëshmor), kur vëren veten në botën e të gjallëve, si dhuratë nga Zoti, me porosi se “kjo dhuratë nuk është diçka që shihet por shijohet”, nga se ai shef çdo kënd e çdo gjë, ndërsa atë nuk e vëren askush.

Falë imagjinatës së pasur të autores, natyrshëm, së pari i ringjalluri, do të shikojë familjen e tij, fëmijët që i kishte lënë të vegjël dhe përjetimi i tij,  që tani i shef të rritur dhe të shëndetshëm në lirinë e Kosovës.

Pas këtij akti, lëvizjet bëhen në shtrirje të përgjithshme shoqërore. Kalimi nëpër ente shkollore është kontakti i dytë ku i ringjalluri shpirtëror, ndien kënaqësi kur shef djem e vajza duke shkuar në shkolla të lirë, pa pengesë nga forcat serbe;ndërsa fillon menjëherë mos kënaqësia kur shef një grup prej pesë djemve duke u rrahur,  e në moment, theren  me thikë dy  nxënës dhe vdesin , gjersa i treti plagoset rëndë.

Ky është momenti i zhgënjimit i të ringjallurit për situatën dhe gjendjen në Kosovë.

Nga ky zhgënjim fillojnë pëshpëritjet “ se unë me shokë,  nuk kemi dhënë jetën që të vritemi mes veti, ne na ka vrarë mjaft armiku , ne kemi luftuar me serb,  që të jemi të lumtur e të lirë...”

Pra, autorja, gjen një mënyrë specifike për ta prekur një dukuri në shoqërinë tonë e cila që nga pas lufta e deri me sot, asesi te flaket nga  entet shkollore e jashtëshkollore kudo në Kosovë. Ajo që e ngarkon shoqërinë moralisht është zhgënjimi i të ringjallurit(ushtarit-dëshmor i lirisë) i cili u flijua për liri, ligj, rend e shtet te mirëfilltë .

Herolinda Zenuni, ne romanin e saj më të ri,  “Realiteti im”, fillim e mbarim, trajton të njëjtën temë duke e prekur në thellësi, si çështje fundametale shoqërore,  duke apeluar zëshëm në ndërrimin e vetëdijes e ndërgjegjes personale e shoqërore,  me te vetmin qëllim që gjërat të ecin mirë njëherë e për gjithmonë në Kosovën e lirë për të cilën

u derdh aq shume gjak.

E brengosur për dukuritë negative, përmes personazhit(figurë shpirtërore), i cili është i zhgënjyer për dhënien e jetës, shkruan:”...ne nuk luftuam për këto të kqia, luftuam për një jetë të lirë, të qetë e të begatshme për të gjithë njerëzit e Kosovës. Nuk brengosem që na kanë harruar ne dëshmorëve. Më tepër më dhëmb që shoh se ky popull ka harruar historinë e vet, ka harruar atë që ka ndodhur...”

Vërtetë kësaj porosie,  nxjerrë nga shpirti i autores,  nuk ka se çfarë t’i shtohet !.....

Redaktori i librit, zoti Buzhala, vijon ta quajë edhe këtë roman të tipit eudemonologjik, duke vlerësuar mjaft lart e me shume  karakteristika të veçanta,  “të gjallimit me etikë të fortë jetësore dhe fije që pasurojnë karakterin e njeriut. Me një fjalë, tërë kërkesa ka të bëjë me Rilindjen Morale të shoqërisë sonë nga i cili varet edhe çlirimi i njeriut nga prangat e injorancës.”

Duke u pajtuar me thënien e z.Buzhala, shpreh mendimin personal se romani “Realiteti im” ka lind si produkt i kësaj pjese të historisë sonë të pasluftës, kontradiktave shoqërore të thella,  për shkaqe  burokratike në palcën elitare.

Por, romani përfundon  me fjalët e te ringjallurit shpirtëror, ashtu sikur edhe fillon, me shpresën për idealin për të cilin kanë dhënë jetën, duke u shprehur : “....por ëndrrën vazhdoj ta ëndërroj, dhe së fundi...pushoj së ndjeri, por gjithmonë duke ndjerë shpresë....!”

Krejt në fund, të gjithë ato që thashë për këtë roman, na  mban shpresa se H.Zenuni,  ka marrë rrugën e pakthyeshme të një prozatore të lakmueshme dhe me padurim presim që të na gëzojë me romane të reja edhe më të mira se këto dyja.

TAHIR BEZHANI

GJAKOVE,  TETOR 2012



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx