Kulturë
Marjan Sebaj-Sopi: Cogito, ergo sum!
E shtune, 13.10.2012, 08:19 AM
"COGITO,
ERGO SUM!"
(Mendoj, prandaj ekzistoj!)
“Zoti më kishte që në fillim të udhëve të veta, që në fillim, para se të krijonte ndonjë gjë”. (Fjalët e urta, 8, 22)
Nga Marjan Sebaj-Sopi
Pushuam
nga loja. Për udhëtimin tim, unë huazova 300 DM, nga një profesor i imi që t’i
kisha për rrugë, apo siç themi, të më gjindeshin pranë. Mendoja, ia kthej pasi të fitoj nga puna ime
sezonale. Tani, të gjithë ishim të përgatitur e të gatshëm. Të nesërmen morëm
rrugën, e u nisëm nga qyteti im i studimeve. Meqë ishim të ftuar nga një prift,
shkuam për ta vizituar atë në famullinë e tij dhe më pas të vazhdonim. Ishte ky
një mik i dashur i yni dhe dëshiroi t’na ofronte mirësinë dhe bujarinë e tij me
një pushim të shkurtër, t’na mundësonte shijimi e bukurive të natyrës, të
Krijuesit të gjithëpushtetshëm, ato bukuri mahnistëse që gjendeshin për rreth
famullisë së tij, ujëvara të mrekullueshme dhe një bukuri të rrallë
natyrore.Kaluam për mrekulli tek ai. Ishte ky një pushim i këndshëm dy ditor
dhe sikur një parapërgatitje për gjërat që do të pasojnë, një pushim nga “loja”
e pafilluar ende, nga “loja” shumë më e vështirë dhe më e mundimshme se gjitha
të tjerat gjatë jetës sime.
Njeriu, ka nevojë të takohet me miq e
dashamirë, njerëzit dëshirojnë të të gëzojnë, ta ndihmojnë dhe ka të tillë që
gjithnjë jetojnë për ta lumturuar tjetrin, për t’i ofruar njeriut kënaqësi dhe
lumturi në jetë, për t’i ndihmuar njeriut. Rruga, udhëtimi i filluar vazhdoj.
Mua, çdo sekondë më dukej se ishte i gjatë, ngase mezi prisja të arrija në
cakun e dëshiruar, në vendin e punës sezonale. Kështu që të lumtur u nisëm për
në shtetin dhe vendlindjen e bashkudhëtarëve të mijë të mirë, për kah qyteti i
lashtë i kulturës europiane, apo mund ta quajmë edhe kryeqendra e kulturës së
lashtë, në qytetin ku ende ruhen të arriturat e kulturës evropiane gjatë
shekujve, ku ende me fanatizëm e krenari në Muzeun e famshëm Perandorak ruhen
të konzervuara Helmeta (Përkrenarja, në të cilën gjendet mbishkrimi: * IN * PE
* RA * TO * RE * BT *, që do të thotë: Jezus Nazarenas * Principi Emathie *
Regi Albaniae * Terrori Osmanorum * Regi Epirotarum * Benedictat Te (Jezusi
Nazarenas e Bekon Skënderbeun, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i
Osmanëve, Mbret i Epirit) dhe Shpata e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit.
Miqtë dhe bashkudhëtarët
e mijë, ma mundësuan, me kënaqësi për t’i parë këto gjëra të shenjta, për t’i
vizituar e shijuar ato për disa momente. Dhe ishte kjo një ndjenë e pa
përshkruar, të gjendesha para këtyre gjërave, që flasin për të kaluarën tonë të
përgjakshme, por edhe të lavdishme, për historinë tonë shekullore, për të
arriturat e peripecitë, por edhe vuajtjet e mundimet nëpër të cilat
kaluam. Përkrenarja, e cila qëndroi në
një kokë të urtë, na bëri si popull të mëdhenj e të famshëm në mesjetë e gjer
në ditët e sotme; Shpatë ishte ajo që çau sa e sa “shkëmbinj”, “kodra e male”, thera e pengesa tjera
historike që kishim, dhe na trasoi rrugën kah e mira. Shpata me të cilën Heroi
ynë kombëtar dhe fetar e kishte luftuar të keqen. Para gjërave të heronjve të
popullit, para gjësendeve të njerëzve të cilët sakrifikuan gjithçka dhe dhanë
jetën për të mirën e kombit, mendja lundron dhe
fluturon nëpër shekuj, nëpër histori, nëpër ngjarje të ndryshme, por,
ndihesh edhe krenar, më i fuqishëm, më i freskët dhe i mbushur plotë energji
për beteja në jetë, për beteja sikur të ishin ato të Heroit tonë.
Në pyetjen se përse këto
gjësende të heroit tonë gjinden këtu e jo në shtetin tonë, menjëherë i dhashë
përgjigjen vetes: sepse ky njeri bëri shumë për mbarë Europën, për ruajtjen e
kulturës dhe identitetit tonë fetar e kombëtar, por edhe për identitetin fetar
të mbarë Europës. Atëherë, vetëm përfundova: uh, sa njerëz të mëdhenj pati dhe
ka populli ynë! A mos ishte kjo vizitë e imja para këtyre gjësendeve të shenjta
të Heroit tonë, edhe një frymëzim dhe dhënie e forcës dhe fuqisë për mua, që të
trimërohem, të mburrem, të krenohem e mbushem plotë heroizëm e energji trupore
e shpirtërore, para betejave të ardhshme, që do t’më presin në jetë?! Qëndrova
një kohë të gjatë para këtyre relikteve të shenjta për mua, duke medituar, duke
menduar shumë e gjatë. Ishte edhe kjo
një ditë e lumtur. Një ditë e bekuar dhe shumë e madhe, kur ndjeva veten edhe
më të fortë, ku u frymëzova më shumë. Më
dukej, sikur u mbusha plotë energji, forcë e fuqi për betejat eventuale të
ardhshme, beteja të cilat kishte edhe Heroi ynë kombëtar.
Udhëtimi, një mijë e disa
qindra kilometra deri në këtë qendër europiane, ishte i mrekullueshëm. Të
gjithë në automobil (katër persona dhe unë), ishim tejet të lumtur gjatë
udhëtimit, tejet të hareshëm e të disponuar dhe mund të them aspak të lodhur.
Sikur të kisha pushuar para gjërave që më presin (unë, duke menduar para
fillimit të punës sezonale dy mujore), e që kisha përzgjedh vet ta bëja këtë
vit, për ta ndihmuar veten time, meqë kisha objektiva të shumta, si dhe për
t’iu lehtësuar edhe prindërve të mijë shkollimin tim. Pasi kishte një javë që
kam dalur nga shtëpia e lindjes, që kur u përshëndeta nga prindërit, vëllezërit
e motra ime e dashur, vendosa dhe iu shkrova një kartolinë nga kjo qendër e
kulturës, nga ky qytet i bukur dhe shumë i lashtë. Këtë e bëra, siç e kisha
gjithnjë zakon, sa për t’iu lajmëruar se isha dhe kaloja shumë mirë deri më
tani. Iu përcolla kartolinën (e cila do udhëtojë disa ditë deri të arrijë në
duar të familjarëve të mi) me postë, dhe në te shkrova; „Babë dhe Nanë e
dashur, përshëndetje! Unë jam shumë mirë me shëndet dhe kaloj shumë mirë.
Shpresoj dhe besoj por edhe lus Zotin që të jeni edhe ju të gjithë mirë! Ju
përshëndes përzemërsisht dhe ju dua të gjithëve shumë. Përshëndetje të veçantë
për motrën time të dashur! Kushdo të pyet për mua e përshëndetni dhe i bëni
shumë të fala nga ana ime! Mos u merakosni e mos u mërzitni për mua, shihemi
shpejt! Ditën e mirë e dëgjohemi! „
(Wien, 27.07.1987)
Pasi iu lajmërova familjes sime nëpërmes
kartolinës, e cila mbante datën e 27.07 dhe pas një dite të bukur, vendosa të
nisem me tren nga kjo qendër për të vazhduar rrugën deri në vendin ku isha
nisur, mirëpo miqtë e mijë shprehën vullnetin, dëshirën dhe gatishmërinë e
mirësinë e tyre, të më gjinden edhe më tej, që të më ndihmojnë e të më bëjnë
edhe një të mirë që të mos harxhohem.
Ata vendosën të më
ofronin edhe më afër qytetit, të cilin e kisha marrë në sy. Më thanë, do t’ia
bëjmë një vizitë bijës sonë, që e kishin të martuar e që jetonte në shtetin
fqinjë të tyre, edhe pse të gjithë këta ishin një kombë më parë. Ky ishte një
qytet i madh multinacional, i këtij shteti, në të cilin kishin ardhur
shqiptarët gjatë viteve të gjashtëdhjeta. Pra, miqtë, dëshironin ta vizitonin bijën e tyre, e cila
ishte e martuar e jetonte me familje aty. Nga aty, unë e kisha shumë afër. Me mbetën diku afër
“Talitha kum!” = “Unë po të them: çohu!”
Në shtetin ku dëshiroja të shkoja, nuk kisha
qenë kurrë më parë. Andaj ishte për mua një përvojë e re. Ai ishte shteti më i
madh në Europë, kështu që doemos mendoja se më nevojitej ndihma. Gjuhën e këtij shteti, po ashtu nuk e njihja
mirë dhe me vete thosha: sa mirë që më gjinden dhe sa mirë që më afrojnë më
afër vendit ku dëshiroj të shkoj. Pushuam mirë këtë mbrëmje. Bëra një gjumë
shumë të qetë dhe u zgjuam të gjithë. Por, këtë ditë, unë ndihsha pakë i
padisponuar, i trazuar në shpirt dhe zemër, sikur nuk kisha dëshirë të
nisëm. Ndihesha i ligështuar, më dukej
sikur i kisha këmbët e këputura, edhe pse gjer atë moment mezi prisja të
vazhdoja rrugën për aty ku isha nisur. Këtë ditë, nuk më shkohej, mendoja të pres të nesërmen,
mos të udhëtoj sot, sepse edhe moti ishte i trazuar, i errët, sikur në vaj i tmerrshëm,
me shi e erë, gjithkah errësirë e turbullirë, gjithkah mjegullinë dhe
paqartësi. Mendoja, të pushoj edhe një ditë tek miqtë?
Mirëpo, diçka me nxiste, me tërhiqte, më
thoshte dikush, duhesh të nisësh tani, të vazhdosh rrugën, këtë rrugë të cilën
ta kam caktuar unë që nga lindja?! Dhe gjithçka ishte mirë. Ne u përgatitëm dhe
të lumtur u nisëm për udhëtim. Vazhduam rrugën, e cili me këta miq, mund të
zgjaste edhe diku rreth dy tre orë vozitje me automobil. U nismë në mesditë dhe
udhëtonim, unë dhe tre bashkudhëtarë, me të cilët ishim që disa ditë së bashku.
Këta miq, patën dëshirë të qëndronim së bashku më shumë. Por, meqë doja të
punoja, edhe ata ishin dakord. Sa kam hyrë në automobil, ishte diçka e
çuditshme. Unë, menjëherë ndihesha shumë lodhur, i përgjumur sa nuk e kuptoja
këtë punë assesi. Nuk mbaja mend që gjatë ndonjë udhëtimi në jetën time të
deriatëhershme (me tren, autobus, automobil…) të kisha bërë gjumë, edhe pse
udhëtimi ka mundur të zgjas me orë e orë të tëra, me ditë e net.
Gjatë udhëtimeve, unë nuk flija, sepse,
gjithnjë kisha dëshirë të shikoj, të njoh vende të ndryshme, të shijoj bukuritë
e natyrës, fshatra e qytete, pra të vëzhgoja. Por, vërtet nuk mund të kuptoj
atë ditë sapo hyra në auto, nuk kaluam as gjysmë ore vozitje dhe ndihesha tepër i lodhur, molisur dhe
rraskapitur. S’mund t’i hapja sytë, sado më bën “muhabet“, përkundër
komunikimit të miqve me mua. Më thanë disa herë, ç’ke, pse nuk flet? Iu tregova
se jam tepër i lodhur për gjumë, se këmbët mu kanë këput, siç thotë populli, më
kishte humbë dëshira për të biseduar, për të qeshur, për të shijuar bukuritë e
këtij shteti me natyrë të mrekullueshme alpiniste!
U drejtuam qytetit të lindjes të të madhit
“fëmijë i mrekullueshëm”, qytetit të lindjes së gjeniut të muzikës, Wolfgang
Amadeus Mozart-it, njeriut e gjeniut që i dha shumë kulturës botërore, mirëpo
që jetoi shumë shkurtër dhe një jetë të çuditshme, të parehatshme, një jetë
gjithnjë në kërkim, i trazuar. Përkundër këtyre, ai kontribuoi e dhuroi shumë
civilizimit, por që fatkeqësisht vdiq në moshë shumë të re. Që nga ajo ditë, tani e qindra vite, atij nuk
i dihet ende vendi as varri. Ja, kështu mendoja shkojnë e kalojnë ditët e
njerëzve të mëdhenj. Japin shumë, nuk marrin asgjë, mundohen shumë, e mundi nuk
iu shpaguhet, jetojnë për të tjerët, e të tjerët sot nuk ia dinë varrin ku ka.
Ne, i ofroheshim qytetit ku do të shkoja, por
unë nuk arrija të përballoj gjumin. Gruaja e mikut tim (që voziste), e ulur në
karrige mbrapa me mua, disa herë më thirri të zgjohem, edhe të luaj letra, gjë
që fillova, por kot se rishtas më koti
gjumi. Asgjë nuk kuptoj, pse isha aq i lodhur, i përgjumshëm. Ajo, dëshironte
të më mbaj zgjuar, pse? Vetëm e vetëm të rri zgjuar e mos të flejë! Pse e bëri
këtë nuk e di?! A mos kishte ndoshta ndonjë parandjenjë të keqe?! Më thërret,
me emër zgjohu, rri me ne! Por, unë as kokën s’mund ta ngrija lartë, isha tepër i lodhur! Disa here më koti gjumi
për gjatë dy orë vozitjeje. Dhe tani kur ishim shumë afër qytetit të Mozartit,
kur as vet nuk isha i vetëdijshëm se si erdhëm deri këtu, sepse të shumtën e
kohës unë isha në gjumë, apo here në gjumë e herë zgjuar, por i tëri sikur në
mjegull.
Dhe sikur në ëndërr brenda një sekonde, apo as një sekondi, mu duk se diçka ndodhi. Unë isha në gjumë të thellë, dhe e gjitha ndodhi sikur në një ëndërr të shkurtër, por, NDJEVA NJË KRISMË, NJË BRITMË. Më kujtohet, MË KAPI DIKUSH PËR KRAHU, DUKE MË BËRTITË ME ZË TË LARTË, DUKE QARË E PANDËRPRE DUKE THËNË; “ZGJOHU, ZGJOHU!”. Kjo nuk zgjati shumë. BRITMË, ZHURMË, ZË, VAJË. Nuk më kujtohet asgjë, vetëm se diç ndodhi, sikur në një ëndërr të shkurtër dhe të padëshiruar, të keqe, të tmerrshme, ku gjithçka kishte mbuluar një mjegull shumë e dendur, errësirë. Pastaj, u plandos dhimbja e pikëllimi, ku gjithçka dukej se kishte mbaruar, kishte marrë fund. Dhe momenti i fundit i vetëdijes sime (atëherë kur dikush më kishte nxjerr jashtë automjetit), ishte sa më doli gjumi një sekond dhe hetova se jam i shtrirë në një livadh, prej ku tentova të ngritëm “ndoshta edhe në këmbë”, së paku më duket se ngrita kokën, por jo MENJËHERË RASHË NË GJUMË, “VAZHDOVA GJUMIN E THELLË”. Pastaj, nuk më kujtohet asgjë. Çka ndodhi?! Vallë, mos arrita në vendin që ma kishte caktuar tjetër kush?! “Talitha kum!” Zgjohu, zgjohu !!! (Meditim i nxjerrë nga Libri; „Jeta ka kuptim!“(Rrëfime, përjetime, meditime..), Marjan Sebaj-Sopi, Drita-Prishtinë 2012)