E enjte, 01.05.2025, 09:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Liria në shitje

E diele, 07.10.2012, 05:54 PM


Daniel Gazulli

1) LIRIA NË SHITJE

Liria asht vu në shitje
se ajo vajza e brishtë,
që kur zbret nga fshati i saj malor
gjithë hir e pastërti,
bahet gjellë e përditëshme
e bosëve dhe pusht/et/arëve.
Liria asht vu në shitje,
si rrobat e vjetra që shesin në një qoshe pallati.
Liria – mirazh që na mori sytë,
e që nuk zgjati as sa vesa e mëngjesit.

Atyne që andërruen fluturim të lirë në qiellin e kaltër,
kujtesa tragjike e të  së shkuemes
u sjell frikën e së nesërmes pa diell.
Nën rrezet e hanës veç murrizi rritet.
Neverì u sjell
liria të shajnë me fjalë të përdala,
por jo të kurojnë veshkat,
liria të falen në pesë vakte,
por jo të mund të blejnë një tufë lule
t’ia çojnë Gjergjit te varri.
Më kot i drejtohen Zotit për ndihmë;
galaktikat zgjanohen përditë
e Ai ma tej ikën,
ikën larg e ma larg prej këtij llumi erë-mesjetë,
që s’e shkarkojnë dot gjithë gjirizet e kohës.

Liria asht vu në shitje.
Zgjohuni, njerëz!

2) KUJTIMIT TË NN.

Ferishte ende,
sa herë ngela i mahnitun në botën e gërmave:
në to ishte n’atë kohë gjithësia ime e misterëshme.
Po ishte edhe brumbulli, kur n’oborr dilja,
e bletët përmbi lule, e lulet përmbi gjethe;
gjithçka e mahnitshme e unë i lumtun me to dehesha.
Isha ende në bukurinë e virgjër të ma të thjeshtës.

Po vitet iknin, e shtati rritej.
Dhe ja tek kthehem sonambul sot
në rrënojat e një dashunie të vjetër,
kur hollonim hijet në perëndimin që përflakej,
ndërsa plazmoja andërra të arta
si kurmi i saj i ndezun,
e symbyllë ndjeja ma fort
magjinë e prekjes.

Ecnim zanë përdorë
pa dijtë se, ja, dhe një hap
ishim larg nga humner’ e shpresës –
shëtitjes shtigjeve të pyllit,
erë musht e myshk i gjelbër,
fundi i kish ardhë,
e kaltëra foshnjore e vështrimit të saj,
u ba gri si dhimbja,
gri si dhimbja, që mbjellë na s’e kishim,
po ish kohë ndamjesh për të lumtunit
e lumtuni xhelatësh.

Taraboshi uli kryet,
Uji ngjyrëuthull i Liqenit thante bimët,
ndërsa ditët, pa mëshirë, gdhendnin dhimbjen
me një daltë të thyeme.
Me shpërfillje cinike, fjalë të vnerta na thanë:
Ju s’mund të jeni
prind të mirë për fëmijtë e së nesërmës,
ju nuk keni të drejt me perëndimin të holloni hijet.

Sonambul u ktheva
në rrënojat e dashunisë së vjetër.
Dikur këtu harbonte një drandofill.
Tashti ai asht tha.
Po drandofill, të paktën, ishte ....
Drandofill, erëshumë, që dehte jeten.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx