E premte, 02.05.2025, 12:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Bukuritë e Kosovës

E shtune, 06.10.2012, 08:31 AM


BUKURITË E KOSOVËS

Moj Kosovë, moj tokë arbërore –
Plot me bukuri përrallore !
T’ ka falë Zoti, bukuri  –
Fusha, male e  pasuri  !

Po të pyes ,  biri i Stagovës  –
A ke qenë në Grykë t’ Rugovës ?
Po nuk shkove n’ Grykë t’ Rugovës –
Nuk ia di vlerat Kosovës !

Po të pyes , mor’ djalë i Bacit –
A ke qenë në  Grykë t’ Radacit ?
Me ia pa  burimin  Drinit –
Shpirtit t’ gjallë të  Dukagjinit !

Po të pyes, mor’  burrë i logut –
A ke qenë n’ Burim t’ Istogut ?
Kush s’ pi  ujë n’ këto  Gurra t’ Bardha –
S’ di  ç’ është molla, s’ di  ç’ është dardha !

Po të pyes , or miku i shtrenjtë –
A  ke  qenë te  Ura e Shenjtë ?
N’ themel t’ Urës flijimtare  –  
Është murosë Nusja Shqiptare !

Po të pyes , bija e  Minushës –
A ke qenë n’ ujëvarë t’ Mirushës ?
Po  s’e dite  ku është Mirusha –
Nuk njeh male, nuk njeh fusha !

Po të pyes  Albanë , moj hallë –
A ke qenë ndo i’ herë n’ Prevallë ?
Po s’e dite  ku është Prevalla –
Nuk shijon bukuri t’ rralla !

Po të pyes , mori  Dilicë  –
A ke qenë në Brezovicë ?
Bukuritë e Brezovicës –
Janë si lulet e boronicës !

Po të pyes , zonja Nedime –
A ke qenë ndo ‘i herë n’ Gadime ?
Kush s’e sheh këtë Shpellë t’ Mermerit –
Dhuntisë s’ Zotit , s’i  falet nderit !
Po të pyes , nipi i Asdrenit –
A ke qenë n’ Kala t’ Prizrenit ?
Po s’ ia pa Kalanë - Prizrenit ,
Nuk ia njeh bukuritë vendit !

Po të pyes , more çuni i axhës –
A ke qenë n’ Kala t’ Pograxhës ?
Me i pa gurtë e sakrificës –
N’ mes Moravës e Llapushnicës ?

Po të pyes , moj bija e Zanës –
A ke qenë n’ Kala t’ Artanës ?
N’ gurë të  Kalasë legjendare –
Është murosë Buka Shqiptare !

Po të pyes , more Elmaz –
A ke qenë ndo ‘i  herë n’ Prekaz ?
Po s’e  pa  Kullën e Jasharëve –
S’ di ç’ është Meka e Shqiptarëve !

Po të pyes ,  mixha Rezak –
A ke qenë ndo ‘i  herë n’ Reçak ?
Po s’i bëre vizitë Reçakut –
Nuk ia di vlerën e gjakut !

Po të pyes, more axha Isë –
A ke qenë në Landovicë ?
Po s’e  pa ,ti,  Landovicën –
Nuk do t’ dish për sakrificën !

Po të pyes ,  moj   Myzejen   –
A e ke  qenë në  Lybeten ?
Përmbi Sharr , n’ tokë t’ Kastriotit  –
Piramidë –  dhuratë prej   Zotit .

Gjilan, më 02.10.2012. Demir KRASNIQI



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx