E hene, 29.04.2024, 02:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Ymer Halimi: Patriotizmi i kushtëzuar

E enjte, 18.10.2012, 07:58 PM


Ymer Halimi

PATRIOTIZMI I KUSHTËZUAR

/Ditari i një epoke/

Edhe sot kronikë e zezë (me 14. II. 1998), milicia e shtetit serb, në vendin e punës, të trafoja e Ferronikelit,  e masakroi një punëtor të Elektrokosovës, Abdullahun e familjes së njohur Nikaj! Thanë pushtetarët se ishte pjesëtar i grupeve “terroriste”. Asgjë më shumë. Po ç’donte terroristi me  vendin e punës, kur terroristët duan të jenë të lirë me kohë e veprim?! Është e qartë se në ditën e kobshme djali i Nikajve ishte i paarmatosur, e me të ishte  edhe një shok pune. Nuk bëri rezistencë kur forcat e sigurisë shtetërore serbe i erdhën për ta “vizituar”. E kishte drojën e një “vizite” të tillë dhe këtë e kishte shprehur, por nuk kishte besuar se pasojat për të do të ishin kaq fatale. Shokun e tij e rrahën dhe ia vunë një thes në kokë, dhe e mbyllen në tualet, ndërsa djalit të Nikajve, “terroristit”, sigurimsat  e shtetit të Serbisë, ia bënë gjykimin aty për aty. Gjykatës, prokurorë e ekzekutorë ishin bashkë. Ia prenë veshët, pse me ta kishte dëgjuar, i thyen gjymtyrët se me to kishte vepruar, i prenë organet gjenitale  se kishte shtuar racën e vet, i nxorën syrin se e kishte parë këtë botë dhe, së fundi, i kishin ngulur një thikë në kraharor, për t’i thënë: Ti më nuk ekziston, se ke lindur gabimisht në “tokën serbe”. Ku ta dimë se cila ishte radhe e këtyre veprimeve, por është e sigurt se ai që i mori jetën ishte veprimi i fundit.  Për këtë vrasje askush nuk u hetua.  Nuk  u kërkua fajtori, se “i vdekuri ishte vetë faji”. Kështu gjykohet gjithherë kur drejtësia e shtetit është ngjizur në krimin. Atëherë  krimi është më i pazbulueshmi. Kjo është një recetë shekullore serbe, të cilën e kanë mësuar nga paraardhësit e tyre. Atyre, historikisht, nuk u janë dashur të gjallë robërit e luftës. Ata i kanë ekzekutuar. Kjo është diç e njohur, për ata që njohin historinë.  Ky është shteti të cilit dikur Europa ia la në ‘përkujdesje’ shqiptarët, për shkak se ata nuk ishin të papërgatitur, për ta bërë shtetin, ose pse, nuk paskan qenë të krishterë!?  Me këto veprime, me këto masakra, më monstruoze të mundshme, të bëra mbi individin nga shteti serb, për të satën herë na dërgoi porosinë e qartë se: unë jam poseduesi  juaj dhe  keni kujdes, të gjithëve kjo ju pret nesër po që se nuk jeni të dëgjueshëm. Ishte vërejtje për mos joshje në lirinë e përmasës perëndimore. Është mësuar ky shtet të na jepte liri, aq sa i teket aparatit shtetëror serb. Por kësaj radhe po frikësohet nga zgjimi i ynë, nga kohët që po vijnë, prandaj po e do atë zgjedhjen e viteve 1876-1878, kohën e pastrimeve territoriale, ose  1912-1913, kohën e luftërave ballkanike, kur u sollën me  ne si ujqërit e uritur në kope dhe pjesa e madhe e Evropës bënte sehir kinse se Serbia është duke i çliruar tokat e dikurshme historike.  Mbyllte sytë para krimeve te tmerrshme, Evropa e ëndrrës së Erazmit.

Kjo vrasje kaq mizore u përfol jo vetëm në konaçe të kësaj ane, por edhe në tërë hapësirën shqiptare në Jugosllavi. Përfytyrimi i kësaj vdekjeje, për befasi, filloi të ngjallte ndjenjën e vetëbesimit; erdhi një fazë shpirtërore, një kohë për flijim. Shkalla e pasigurisë, po edhe qëllimi i përbashkët i racës, fillon ta homogjenizojë racën në sjellje, e të ndjehet e njëjtë, e të bëhet më e bashkuar. Por, pas këtyre vrasjeve, porosia serbe për frikën po zbehet. Vdekja e këtillë, nga qenia shqiptare u pranua si fakt: s’kemi ku ikim më!

Prandaj, m’u kujtua kur një njeri i fisit që vinte në familjen tonë, Bislimi, kur e dëgjoja si i ri që rrëfente për kampet e shfarosjes naziste, në të cilin kishte qenë edhe ai vetë. Polakët – thoshte - i radhisnin për t’i çuar në shfarosje, por ata të gjithë njëzëri nisnin e këndonin himnin e kombit të tyre. Gjëmonte i gjithë kampi nga ai zë. Ai zë ikte lart në qiell. Ai himen i kënduar na trondiste të gjithëve, se e dinim që ishte një ditë e vdekjes masive. Ecnin në marrsh dhe e fundit fjalë e tyre në jetë ishte: rroftë Polonia! Atyre nazistët ua morën lirinë fizike, por krenarinë dhe guximin kurrë. Ata e dinin se  të këtillë po e bënin lavdinë e kombit Polak.

Dhe përballë kësaj m’u kujtua edhe rasti kur 215 intelektualë të Kosovës e shkruan një apel kundërshtues për ndryshimet e amendamenteve kushtetuese, kur Serbia e suprimonte Autonominë e Kosovës. Ky apel na mbushi plot qëndresë, plotë patriotitizëm, u ndjemë mirë të gjithë, por kur pushteti i kohës, dikujt nga ata intelektualë i kërkoi pak llogari, e pastaj të gjithë, kushtimisht, filluan radhazi në tv të thonë: nuk dimë çfarë kemi nënshkruar. O Zot e këmbyën  kauzën e kombit për një rahati vyrtuale! Dukej se patriotizmi i tyre ishte i kushtëzuar, që vlen përkohësisht, për aq kohë sa atyre nuk u prishej mirëqenja dhe këta intelektualë me sjelljen e fundi e hapën derën që edhe Kuvendi i autonomisë të mohonte vetën, e kuvendarët të thonë përballë popullit: nuk kemi ditur çfarë po votonim. Mjerisht, u mungoi qëndrimi i atyre qe e këndimit të himnit Polak.

E gjithë ajo që  bëri “keq” djali i Nikajve, më e besueshme, në mos krejt e saktë, ishte se në kohën kur ai ishte në punë, dikush ia përdori telefonin në vendin e punës për të llafosur “jo përshtatshëm”, por jo të këtë bërë diç më shumë se kaq. Ose ishte fakti se ai  njihte dikë nga djemtë të gueriles - UÇK-ës. Vetëm për kaq, shteti organizoi një vrasje kaq të tmerrshme! Po çfarë synon ky shtet me këto vrasje e në këtë mënyre ?!

Për këtë vrasje nuk u protestua para asnjë institucioni shtetëror, por Abdullahut iu bë varrimi në praninë e shumë njerzëve. Shkuam në ngushëllim familjare. Ngushëllim që flet se ja, jemi unikë. Por diçka po ndiejmë në qenien tonë, por po e maskojmë: Ndoshta nuk do të ndodhë  lufta. Ky unitet, sikur do ta shmangë atë, sikur do t’i thotë Serbisë: ki kujdes ja sa jemi! Jemi shumë! Por, ajo po egërsohet aq më shumë. Thjesht po bëjmë edhe një patriotizëm nën veprimin e forcës shtypëse serbe, por ku ta dimë si do të shfaqet ky patriotizëm te shthurja në veprime të reja, atëherë kur mund të kalojë përgjegjësia te çdo njeri nga ne, veç e veç. Por unë si i ri, në konakun e Dakë Kozhicës, e kam mësuar se pse e këndonin himnin polakët.  Ata  duronin torturat e të gjithë formave, por as me vdekje nuk e pranonin përçmimin e shpirtit të lirisë.  E dinin, vdekjes njerëzit nuk duhet frikësuar, aq më parë kur i vihen themelet e lirisë.  Ata nuk kishin pranuar patriotizëm të kushtëzuar, ishin te bindur se kauza polake do te ngadhënjejë e kombi Polak do përkulet para dhëmbjës së tyre që kap përjetësinë!

Në çastin e vdekjes, djalëria jonë, ndoshta,  ka përfytyruar qiellin plotë Diell!

****

Kur sot ikën decenie nga vuajtjet dhe egzodet tona biblike, e pas shekujsh jetë në robëri, shihemi jo edhe te përgjegjshëm me punën tonë për të sotmën e të ardhmën tonë, se kemi politikë grindavecesh, ku për vlera madhore u mungon vullneti, dhe së instinkti i politikanit dhe intelektualit më shumë e parapëlqen atë që dëmton: nepotizmin, zhvatjen në  pasurinë e përbashkët, heshtjen para krimit, që lirinë universal e ndërron për monedhën, të ardhmën e hedhe nën të djeshmen,  e  pranon antivlerën për vlerë, mosdijen për dije, rrinë ne shërbim te mediokritetit, dhe përherë i shtrijnë duartë me plotë mjerim për ndihmë nga të huajtë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora