| E enjte, 18.10.2012, 07:58 PM |
Ymer
Halimi
PATRIOTIZMI I KUSHTËZUAR
/Ditari i një epoke/
Edhe sot
kronikë e zezë (me 14. II. 1998), milicia e shtetit serb, në vendin e punës, të
trafoja e Ferronikelit, e masakroi një punëtor
të Elektrokosovës, Abdullahun e familjes së njohur Nikaj! Thanë pushtetarët se
ishte pjesëtar i grupeve “terroriste”. Asgjë më shumë. Po ç’donte terroristi
me vendin e punës, kur terroristët duan
të jenë të lirë me kohë e veprim?! Është e qartë se në ditën e kobshme djali i
Nikajve ishte i paarmatosur, e me të ishte
edhe një shok pune. Nuk bëri rezistencë kur forcat e sigurisë shtetërore
serbe i erdhën për ta “vizituar”. E kishte drojën e një “vizite” të tillë dhe këtë
e kishte shprehur, por nuk kishte besuar se pasojat për të do të ishin kaq
fatale. Shokun e tij e rrahën dhe ia vunë një thes në kokë, dhe e mbyllen në tualet,
ndërsa djalit të Nikajve, “terroristit”, sigurimsat e shtetit të Serbisë, ia bënë gjykimin aty për
aty. Gjykatës, prokurorë e ekzekutorë ishin bashkë. Ia prenë veshët, pse me ta
kishte dëgjuar, i thyen gjymtyrët se me to kishte vepruar, i prenë organet
gjenitale se kishte shtuar racën e vet,
i nxorën syrin se e kishte parë këtë botë dhe, së fundi, i kishin ngulur një thikë
në kraharor, për t’i thënë: Ti më nuk ekziston, se ke lindur gabimisht në “tokën
serbe”. Ku ta dimë se cila ishte radhe e këtyre veprimeve, por është e sigurt
se ai që i mori jetën ishte veprimi i fundit.
Për këtë vrasje askush nuk u hetua.
Nuk u kërkua fajtori, se “i
vdekuri ishte vetë faji”. Kështu gjykohet gjithherë kur drejtësia e shtetit është
ngjizur në krimin. Atëherë krimi është më
i pazbulueshmi. Kjo është një recetë shekullore serbe, të cilën e kanë mësuar
nga paraardhësit e tyre. Atyre, historikisht, nuk u janë dashur të gjallë robërit
e luftës. Ata i kanë ekzekutuar. Kjo është diç e njohur, për ata që njohin
historinë. Ky është shteti të cilit
dikur Europa ia la në ‘përkujdesje’ shqiptarët, për shkak se ata nuk ishin të papërgatitur,
për ta bërë shtetin, ose pse, nuk paskan qenë të krishterë!? Me këto veprime, me këto masakra, më monstruoze
të mundshme, të bëra mbi individin nga shteti serb, për të satën herë na dërgoi
porosinë e qartë se: unë jam poseduesi
juaj dhe keni kujdes, të gjithëve
kjo ju pret nesër po që se nuk jeni të dëgjueshëm. Ishte vërejtje për mos
joshje në lirinë e përmasës perëndimore. Është mësuar ky shtet të na jepte liri,
aq sa i teket aparatit shtetëror serb. Por kësaj radhe po frikësohet nga zgjimi
i ynë, nga kohët që po vijnë, prandaj po e do atë zgjedhjen e viteve 1876-1878,
kohën e pastrimeve territoriale, ose 1912-1913,
kohën e luftërave ballkanike, kur u sollën me
ne si ujqërit e uritur në kope dhe pjesa e madhe e Evropës bënte sehir
kinse se Serbia është duke i çliruar tokat e dikurshme historike. Mbyllte sytë para krimeve te tmerrshme,
Evropa e ëndrrës së Erazmit.
Kjo
vrasje kaq mizore u përfol jo vetëm në konaçe të kësaj ane, por edhe në tërë hapësirën
shqiptare në Jugosllavi. Përfytyrimi i kësaj vdekjeje, për befasi, filloi të ngjallte
ndjenjën e vetëbesimit; erdhi një fazë shpirtërore, një kohë për flijim. Shkalla
e pasigurisë, po edhe qëllimi i përbashkët i racës, fillon ta homogjenizojë racën
në sjellje, e të ndjehet e njëjtë, e të bëhet më e bashkuar. Por, pas këtyre
vrasjeve, porosia serbe për frikën po zbehet. Vdekja e këtillë, nga qenia
shqiptare u pranua si fakt: s’kemi ku ikim më!
Prandaj,
m’u kujtua kur një njeri i fisit që vinte në familjen tonë, Bislimi, kur e dëgjoja
si i ri që rrëfente për kampet e shfarosjes naziste, në të cilin kishte qenë edhe
ai vetë. Polakët – thoshte - i radhisnin për t’i çuar në shfarosje, por ata të gjithë
njëzëri nisnin e këndonin himnin e kombit të tyre. Gjëmonte i gjithë kampi nga
ai zë. Ai zë ikte lart në qiell. Ai himen i kënduar na trondiste të gjithëve,
se e dinim që ishte një ditë e vdekjes masive. Ecnin në marrsh dhe e fundit
fjalë e tyre në jetë ishte: rroftë Polonia! Atyre nazistët ua morën lirinë fizike,
por krenarinë dhe guximin kurrë. Ata e dinin se
të këtillë po e bënin lavdinë e kombit Polak.
Dhe përballë
kësaj m’u kujtua edhe rasti kur 215 intelektualë të Kosovës e shkruan një apel
kundërshtues për ndryshimet e amendamenteve kushtetuese, kur Serbia e
suprimonte Autonominë e Kosovës. Ky apel na mbushi plot qëndresë, plotë patriotitizëm,
u ndjemë mirë të gjithë, por kur pushteti i kohës, dikujt nga ata intelektualë i
kërkoi pak llogari, e pastaj të gjithë, kushtimisht, filluan radhazi në tv të thonë:
nuk dimë çfarë kemi nënshkruar. O Zot e këmbyën
kauzën e kombit për një rahati vyrtuale! Dukej se patriotizmi i tyre
ishte i kushtëzuar, që vlen përkohësisht, për aq kohë sa atyre nuk u prishej
mirëqenja dhe këta intelektualë me sjelljen e fundi e hapën derën që edhe
Kuvendi i autonomisë të mohonte vetën, e kuvendarët të thonë përballë popullit:
nuk kemi ditur çfarë po votonim. Mjerisht, u mungoi qëndrimi i atyre qe e këndimit
të himnit Polak.
E gjithë ajo
që bëri “keq” djali i Nikajve, më e
besueshme, në mos krejt e saktë, ishte se në kohën kur ai ishte në punë, dikush
ia përdori telefonin në vendin e punës për të llafosur “jo përshtatshëm”, por
jo të këtë bërë diç më shumë se kaq. Ose ishte fakti se ai njihte dikë nga djemtë të gueriles - UÇK-ës. Vetëm
për kaq, shteti organizoi një vrasje kaq të tmerrshme! Po çfarë synon ky shtet
me këto vrasje e në këtë mënyre ?!
Për këtë vrasje
nuk u protestua para asnjë institucioni shtetëror, por Abdullahut iu bë varrimi
në praninë e shumë njerzëve. Shkuam në ngushëllim familjare. Ngushëllim që flet
se ja, jemi unikë. Por diçka po ndiejmë në qenien tonë, por po e maskojmë: Ndoshta
nuk do të ndodhë lufta. Ky unitet, sikur
do ta shmangë atë, sikur do t’i thotë Serbisë: ki kujdes ja sa jemi! Jemi shumë!
Por, ajo po egërsohet aq më shumë. Thjesht po bëjmë edhe një patriotizëm nën
veprimin e forcës shtypëse serbe, por ku ta dimë si do të shfaqet ky patriotizëm
te shthurja në veprime të reja, atëherë kur mund të kalojë përgjegjësia te çdo
njeri nga ne, veç e veç. Por unë si i ri, në konakun e Dakë Kozhicës, e kam mësuar
se pse e këndonin himnin polakët. Ata duronin torturat e të gjithë formave, por as
me vdekje nuk e pranonin përçmimin e shpirtit të lirisë. E dinin, vdekjes njerëzit nuk duhet frikësuar,
aq më parë kur i vihen themelet e lirisë.
Ata nuk kishin pranuar patriotizëm të kushtëzuar, ishin te bindur se
kauza polake do te ngadhënjejë e kombi Polak do përkulet para dhëmbjës së tyre
që kap përjetësinë!
Në çastin
e vdekjes, djalëria jonë, ndoshta, ka përfytyruar
qiellin plotë Diell!
****
Kur
sot ikën decenie nga vuajtjet dhe egzodet tona biblike, e pas shekujsh jetë në robëri,
shihemi jo edhe te përgjegjshëm me punën tonë për të sotmën e të ardhmën tonë,
se kemi politikë grindavecesh, ku për vlera madhore u mungon vullneti, dhe së instinkti
i politikanit dhe intelektualit më shumë e parapëlqen atë që dëmton: nepotizmin,
zhvatjen në pasurinë e përbashkët,
heshtjen para krimit, që lirinë universal e ndërron për monedhën, të ardhmën e
hedhe nën të djeshmen, e pranon antivlerën për vlerë, mosdijen për
dije, rrinë ne shërbim te mediokritetit, dhe përherë i shtrijnë duartë me plotë
mjerim për ndihmë nga të huajtë.