E enjte, 01.05.2025, 07:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Ngritja vertikale poetike

E merkure, 17.10.2012, 07:19 PM


NGRITJA VERTIKALE POETIKE – SYNIM I PIKËTAKIMIT TË VLERAVE

Arqile V. Gjata: “KUR THINJET DETI”, poezi të zgjedhura, botoi Botimet ADA – Tiranë, 2012

Nga Xheladin MJEKU

Arqile V. Gjata (1942), poet dhe shkrimtar vlonjat, që jeton dhe krijon jashtë vendlindjes, duke ndier peshën e rëndë të dheut të huaj në mërgim, provokohet nga tema e ngjarje të ndryshme që e prekin unin e tij krijues për të sjellur pak mall vendlindjeje në ambientet e tij ku jeton e vepron. Në librat poetik “Kur trazohet jeta” (2005), “Kurorë me ngjyra” (2006), “Gratë e poetëve” (2009) dhe “Jeta më vjen si poezi” (2010), spikat tema e dashurisë për atdheun, për të kaluarën e tij dhe për dëshirat e pafund të  arritjeve të reja dhe kthimit në folen e vendlindjes, aty ku frymon pjesa tjetër e njerëzve të tij.

Përzgjedhja e poezive ndër të realizuarat nga opusi krijues i autorit në librin  me titull “Kur thinjet deti” paraqet pasqyrën e krijimtarisë së tij disavjeçare, duke përmbushur kështu një detyrë ndaj lexuesit, i cili në çdo kohë mëton të ketë ajkën e krijimtarisë, për të njohur më për së afërmi me gjithë atë që sjell krijimtaria e tij shumëvjeçare. Me kurreshtjen prej lexuesi po shfletoj një për një gjithë ciklet poetike të librit, që konsiderohen si përfaqësim i librave të botuar gjatë periudhës së deritashme krijuese të Arqile V. Gajtës.

Poezi me aromën e vendlindjes

Nga krijimtaria letrare e Arqile V. Gjatës nuk kisha lexuar ndonjë libër më parë, derisa takova një version elektronik të librit me poezi “Gratë e poetëve”, meqë autori vepron jashtë atdheut e libri tashmë ka një rrugë tepër të vështirë ta arrijë lexuesin e dëshiruar, përveç rrugës elektronike që të shumtën e herave na bën të takohemi e të këmbejmë përvojat dhe të shijojmë vlerat e ndërsjella, apo të gjejmë miq e bashkëveprimtarë, që na gëzojnë shumë këto gjetje të reja,  gjithandej kah frymon jeta e komunitetit krijues. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur tashmë librin duhet ta distribuoj vetë autori dhe falë takimeve të shpeshta kohëve të fundit, nëpër aktivitete kulturore dhe letrare në të gjitha trojet etnike, pa ndonjë pengesë zyrtare na mundësojnë kontaktet e këtilla, që rezultojnë me njohje vëllazërore e miqësore.

Libri me poezi të zgjedhura “Kur thinjet deti” vjen në radhët e  mundësive të shqyrtimeve letrare, pas një kënaqësie leximi dhe mbresave që më bënë kurreshtar t’i qasem një analize të shkurtër, për të prekur disa nga shumë vlerat dhe çasjet e autorit. Më mban shpresa se i kam rënë pikës, për faktin se këtu takoj një prezantim të përgjithshëm të krijimtarisë së tij. Poashtu, edhe një arsye tjetër që  e përforcon qëndrimin tim për ta analizuar këtë poezi është trajtimi i shumë temave dhe ngjarjeve të jetuara, duke i ngritur në vlerat e pakontestueshme artistike me imagjinatën e tij krijuese dhe mbi fondin e pasur të leksikut letraro-artistik, që ia ngrisin vlerën në përmasën e dëshiruar.

Vargjet që burojnë nga nostalgjia për vendlindjen dhe mungesa e pakompensuar për shijimin e freskisë së detit pothuajse gjatë gjithë krijimtarisë së Arqile Gjatës, vijnë si katalizator të frymëzimeve dhe shtytje e rrugëtimit të tij poetik shtigjeve të pafund të temave të nduarnduarshme nga atdheu, mërgimi, emocionet nga  ngjarje të ndryshme dhe shumëçka që takojmë këtu. Pa iu qasur trajtimit të çdo cikli a poezie, do të veçoja ndonjërën, si: “Tek ajri janë gjithë gërmat e shpirtit”,  Përfytyrime nëpër vargje”,  Unë endacaku”, “Në vendin tim”, Rreth e rrotull globit”, “Kur mbusha 2000 vjet”, “Pisha Flamur”, “Rrezarta”, etj. për të pasqyruar rrugëtimin poetik në gjithë materjen që prezanton libri, pa veçuar cikle të saj, që në fakt vijnë të prezantuara pjesë nga secila përmbledhje e botuar më parë.

“Deti i trazuar bridhte

dallgëshumë,

në breg ai dëgjonte frymëmarrjen e rëndë

të peshqve,

që flenë deri në agim kur mblidhen rrjetat

e pulëbardhat bien mbi valë.

(“Me sy nga vendlindja”, fq. 76)

Arqile V. Gjata, për asnjë çast nuk lë pa prekur edhe tema tjera, që për synim ka paraqitjen e ndryshimeve historiko-politike dhe përkushtime personalitetesh të dëshmuara, që takojmë në poezitë: ”Nata e bardhë”, “Fjalët e pemëve”, “Heroina”, etj. Në prizmin e vargut të tij gjejmë edhe poezitë për më të dashurit e jetës, për familjen, që me pietet u kushton vargje plotë mall: “Në kopshtin e dashurisë sonë”, “Familja në ëndërrime”, “Për babanë”, “Nëna”,  Siborës”, “Elegji për time motër”, e ndonjë tjetër, për të mos anashkaluar edhe dhimbjen që shkakton jeta në mërgim, (“Në konakun e emigrimit”, “Ku shkoni, o të plakur?”, etj). Të rëndësisë së veçantë janë edhe një numër i konsideruar i poezive që për shtjellim kanë pikërisht jetën dhe ballafaqimet e poetit si veprimtar krijues, me pafundësinë e dhimbjes, përpëlitjeve, brengave, gëzimeve e shpresave që  e përcjellin në kohë, që i mësojmë duke lexuar poezitë: ”Sa e dhimbsur poezia…!“, “Poetike”, “Librat” “Poetët”, “Poetë të harlisur”,  gjithnjë duke kujtuar edhe librin tashmë të njohur “Gratë e poetëve”.

Mbresat nga leximi i poezisë së Arqile Gjatës kanë një rëndësi të llojit të saj, sidomos kur kihet parasysh komunikimi poetik, si te poezia: “Gratë e poetëve”, ku interpretimi i ngjarjes ka kuptimin universal të shprehjes, që për faktin se ky komunitet kulturor, pothuajse në të shumtën është realiteti që preket këtu.

“Vijnë gratë e poetëve

palë – palë,

mbushur shpirtin me këngë.

Këto gra me luk të ndryshuar,

ditë e natë përtypin ëndrra

për burrat e trullosur nga frymëzimet.”

(“Gratë e poetëve”, fq. 93)

Kaltërsi poetike!

Kaltërsi poetike! Pse kjo kaltërsi në vargun e Arqile V. Gjatës? Sepse në kaltërsinë e vargut të tij takojmë qiellin e qiltër të atdheut, takojmë kaltërsinë e detit dhe kaltërsinë e jetës, si ngjyrim i pastër dhe dashamirës i rritës dhe zhvillimeve të dheut ku u rrit dhe u krijua uni i tij prej poeti e intelektuali meritor dhe të dashur për miq e njerëz të vendlindjes së tij.

Bubullima e detit, apo vargjet e poetit janë ato që bëjnë këtë efekt, që pa asnjë fije dyshimi të rrëmbejnë deri në pikën e fundit të tyre, duke pretenduar që ta shtrojnë rrugën me mirësinë dhe prurjet poetike që përjetohen në këtë përzgjedhje. Deti si metaforë dhe si temë shpreh fuqinë  e mendimit dhe dashurisë së pafund të autorit, prandaj thinjat që paraqiten si element lashtësie, transmetojnë edhe mesazhin e lidhjes së fuqishme me truallin dhe identitetin. “Kur thinjet deti”, rinon poeti, do të thosha me këtë rast, sepse çdo varg, çdo thënje a shprehje përmes vargut vjen plotë ngjyrë kaltroshe dhe aromë deti të pastër e plotë rreze shprese për jetë e dashuri. Një liri të këtillë për jetë e takojmë të shprehur mjeshtrisht edhe te:

“Pulëbardhat,

përjetësisht e shijojnë lirinë,

pa pasaporta e viza lundrojnë brigjeve

në thellësi të zbrazëtive, shkëlqimtare

dëgjojnë këngët e kohëve…

stampuar në hartat e vjetra detare.”

“Pulëbardhat”, fq.80)

Freskia e vargut dhe aroma e detit vijnë edhe përmes poezive: “Këngët e detit të përjetshme mbeten”, “Vendi im kërkëllin vajtueshëm”, “Në stinën e verës”, “Varri i peshkatarit”, etj.  Poeti edhe më tutje  ndien mallin e tij të pashuar, meqë edhe  pas shumë vitesh poezia e tij  i mbetet “Pa titull”, ku: “Kur ika nga Vlora,/ e kyça detin në gjoksin tim,/ të mos i dëgjoheshin jashtë meje rënkimet”. Ai përfundimisht shpreh atë ndiesi malli në strofën tjetër: Kur më merr malli për të,/ shtrydh gjoksin t’ia dëgjoj/ këngët e fëmijërisë.” (fq. 99).

Përmbushja e mesazhit të synuar

Përmbledhja poetike “Kur thinjet deti”, pas një leximi të vëmendshëm më la mbresa shprehja e mendimeve, thurja e vargut dhe komunikimi përmes tij me receptorin, gjithnjë duke konsideruar se autori ka në vëmendjen e tij ngritjen e mendimit dhe shprehjen poetike në shkallën e komunikimit me lexuesin, duke ruajtur frymën autoktone të trajtimit të vargut dhe motivimin e frymëzimit plotë  mall e nostalgji për vendlindjen, detin, kohën e ikur të fëmijërisë, bukuritë e buzëmbrëmjeve dhe gëzimet e agimeve të ditëve në kohën e moshës së jetuar në Vlorën e tij plotë jetë e aromë deti.

Kompleksiteti i shtjellimit të ngjarjeve, shtruarja e problemeve në rrafshin poetik me elemente artistike të pasura, me një pasuri leksikore dhe ndërtim estetik e bëjnë të këndshëm leximin që transmetohet tek receptorët e kësaj poezie. Metafora për jetën, detin, atdheun, etj. përmbush vizionin meditativo-poetik gjatë gjithë krijimtarisë së Gjatës.

Në kontekstin e vlerësimit të krijimtarisë poetike të Arqile V. Gjatës, kur kemi parasysh se këtu e takojmë të përfaqësuar me të gjitha përmbledhjet e deritashme të tij, konsiderojmë se kjo frymë poetike e përqon mesazhin e synuar tek lexuesi me frymën e dashurisë për atdheun dhe vlerat e padiskutueshme që përkojnë me realitet e krijuara poetke të kohës që po jetojmë.

Ngritja e shpejtë vertikale poetike vjen si synim i pikëtakimeve të vlerave të arritura poetike të Arqile V. Gjatës, gjithnjë duke aluduar në përkushtimin që kjo ngritje të prek majat e vlerave në lirikat e tij.

Pas përfundimit të shijimit të këtij nektari poetik,  ndien nevojën e rikthimit nga e para, me synimin për të lënë gjurmë nga mbresat e fituara, gjithmonë me një dozë ndruajtjeje se janë anashkaluar shumë vlera a ngjarjeve, që mund të kenë mbetur jashtë optikës së këtij vështrimi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx