Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Kur vjen batica…
E shtune, 26.01.2013, 11:03 AM
Kur vjen batica…
Përsiatje për poezinë “Deti” dhe disa cikle të botuara së fundi të A .Matos
Nga Timo Mërkuri
1-Ka ca kohë, që poeti Agim Mato hedh nëpër
portalet e internetit, dallgë poetike që të mrekullojnë.Thua se vjen një baticë
poetike, e vonuar disa vite, që vetvetiu në shpirt të shkakton gjithashtu, një
baticë ndjenjash e kujtimesh. Që të mrekullon, jo aqë nga tema “vetëm” Joniane,
se sa nga shpirti Jonian, plot drithërimë, që ato mbartin dhe që natyrshëm ja
përcjellin lexuesit. Dhe në rast se
lexuesi është banor i viseve bregdetare,
ose së paku e njeh detin dhe magjinë e tij, trasmetimi i ndjenjës dhe mendimit
poetik është në shkallën më të lartë. Madje, deri aty, sa që edhe më
indiferentin ndaj letërsisë, e bëjnë të ndalet e të meditojë mbi këto poezi.
Ashtu siç meditojmë edhe ne mbasditeve apo mbrëmjeve (shpesh herë edhe pas
mesnate) në bulevardin e qytetit të Sarandës. Apo më saktë, siç bashkëbisedojmë
me detin, në intimitet. Ashtu si besimtarët e gjunjëzuar në kishë, bisedojnë me
…Krishtin, apo rrëfehen para tij.
2-Sepse deti ka qënë vërtet “shënjti” para të cilit
rrëfeheshim ne. Vetëm ai i dinte të fshehtat e rinisë sonë. Nën muzikën e
valëve të tij, ne pëshpërisnim vetmevete deklaratat serioze-komike të dashurive të para, deklarata që shpesh…vetëm
deti i dëgjonte, se nuk patëm guximin ti deklamonim në gjithë gjërësinë e tyre
kur erdhi momenti. Madje, nuk mbajmë mënd
fare se çfarë bëlbëzuam atë çast
turbullire, por deti nuk qeshi me ne.
Në breg të detit ishin vendtakimet tona dhe
valët na shihnin me admirim dhe me
zhaurimën e tyre, bënin të mos
dëgjoheshin larg marrëzitë e premtimeve tona djaloshare, plot ngjyra ylberi.
Por ylberë që nuk preknin në tokë gjëkundi. Deti i mori e nuk na i ktheu më këto ylberë premtimesh
(fjalësh), s’di pse, a për të mos na vënë në siklet, a për tu hapur rrugë
premtimeve të tjera.
Në breg të detit kemi shfryrë zemërimin tonë në
refuzimet apo braktisjet e para, te valët e tij kemi dënesur dëshpërimin tonë
prej adoloshenti. Dhe në rast se ndonjëri ka menduar të vrasë veten për ndonjë
dashuri të pashpresë, sigurisht që te
valët e detit ka menduar ta bëjë dhe
këtë akt. Por fakti që, absolutisht të gjithë adoloshentët e qytetit e dinin
shkëlqyeshëm notin, e bënin këtë
mendim të avullonte si ujët e një
pellgu në mes të verës.
3- Por gjithsesi, ajo që është e rëndësishme është
fakti i shënjtërimit të detit, i barazimit të detit me zotat, me shënjtët. Për këtë Agimi nuk ka
faj dhe unë lutem që lexuesi të mos e
marë si një figurë letrare. Mereni ashtu siç është, një realitet, sepse për ne
banorët e brigjeve joniane, Joni është vërtet një bashkëbisedues i duruar dhe
dëgjues durimmadh i rrëfimeve tona, duke qënë edhe një fshehës i mëkateve
tona..Joni ishte sofra jonë e jetës dhe porta e botës..Joni për ne është vërtet
i shënjtë, jo aqë për faktin e egzistencës së legjendës antike të qënies së selisë së Poseidonit në thellësitë e
ujrave të tij, midis Sarandës dhe Korfuzit.. Jo vetëm për udhëtimet e shën
Kozmait nëpër të.
Agimi, duke pohuar këtë fakt, s’bën gjë tjetër
veçse pohon një realitet, por të shprehur aqë artistikisht.
…Ishe altari ku rrëfehesha. Flisja e flisja mes
mërmërimës së/dallgëve/me një zë që të mos kuptohej nga të tjerët…rrëfehet
me sinqeritet poeti, tashmë para lexuesit, pasi është rrëfyer para detit, duke
i treguar mëkatet e bëra dhe ëndrat mëkatare, me zë të ulët, si në kishë.
…kur ngriheshin tallazet e tua, e ngrija dhe unë
zërin, derisa/ bërtisja mbi shkëmbijtë nga frika se mos nuk më dëgjoje… a
thua se kemi të bëjmë në rrëfimtore me ndonjë prift plak , që s’dëgjon mirë nga
veshët.
4-Ne e duam detin, madje dhe jemi edhe xhelozë për të.
…Nëpër dimëra kontrolloja tërë gjirin për të
mbledhur oktapodët/që flakje enkas, bashkë me leshtërikët dhe patavrat….
Këto kontrolle të brigjeve më kujtuan fëmininë
time. Isha mësuar ta shihja gjithmon të kaltër detin, dhe ashtu të kaltërt e të
pastër, deri në tejdukshmëri, e quaja detin timin.
U tmerova një mëngjez dimri, kur pashë se prurjet e lumit Bistrica e kishin shndruar ngjyrën e tij në të kaftë, dhe deti
dukej gati si një baltovinë. Unë, asokohe
fëmijë, pa shkuar në klasën e parë, nuk dija gjë për prurjet e turbullta
të lumit kur del nga shtrati (kur e trashe zullumin, thotë poeti) ndaj
fillova të dënes, se më paskishin vjedhur detin tim të bukur e të pastër dhe ma
paskëshin zvëndësuar me një palo det pisanjoz, si jevgjit e lagjes sime.(gjiri
u skuq nga balta që tretej…) Ndaj fillova ta qëlloj me gurrë, që të
largohej ky det pisanjoz e të kthehej deti im i bukur. E qëlloja me inat dhe me
frikë, ashtu siç qëlloja qenin e
komshies, që të largohej nga porta e pallatit, ku do kaloja unë për të hyrë në shtëpi.
Unë
dënesja…dua detin tim…dhe vëd ne gurë.
Një dallgë u përplas në shkëmb dhe më mbuloi me
stërkala…dhe,…more Agim, atje paskëshe qënë ti dhe më ke parë, ndajë shkrove
vargjet…Më mbuloje atëherë me shkumë/dhe lëpija kripën tënde/sëbashku me
lotët…
Kështu shkova në shtëpi, me flokë, faqe e rroba plot njelmësi kripe nga lotët dhe
stërkalat dhe u struka në prehërin e nënës sime, me rënkimin …më vodhën detin.
Babai tundi kokën, nëna më përkëdhëli flokët ndërsa
e qeshura e gjyshes u përplas te dy dhëmbët e parmë të nofullës së saj të
poshtëme, si një dallgë që përplaset në shkëmbinj dhe mbriti te unë si
stërkala.
Të nesërmen, pashë që deti im i kristaltë kishte
ardhur përsëri në brigjet e mia dhe asgjëkundi s’dukej ai palo det i pistë. Me
siguri, mendova, babai im ka vajtur, i ka zënë hajdutët nga veshi, u ka dhënë
një dy shpulla të mira dhe pasi ua ka marë detin tim, ma pruri mua përsëri. Unë
ju gëzova detit dhe harova ta falnderoja babanë. Tani u kujtova more Agim, te
kjo poezi.
5-…Isha mësuar me shijen e tyre, isha mësuar me
hidhërimet/të cilat më dukej se kurrë
nuk do të më ndaheshin… thotë poeti dhe një rrudhë mu thellua në
ballë.
Jo aqë për kujtimet mbi jetën e poetit, se sa për
kujtimet e përgjithëshme që më solli ky varg, duke filluar që nga ëndrat tona
kur shihnim dritat e Korfuzit përballë(Oqeanikët me dritat shumëkatëshe
kalonin përballë/dhe nuk e ceknin tokën time, pëlhurat e velirave atje larg/I
shtynte një erë tjetër/që mushkëritë e mia se kishin provuar), gjer te
pamja makabre e zvaritjes përmbi valë të trupave të bashkëmoshatarëve tanë të
vrarë në tentativë për aratisje, lidhur pas një motoskafi ushtarak, për të
terorizuar popullin, nga diktatura në ikje.
Por dëshira dhe ëndra për aratisje kurrë nuk do
fashitej, qoftë edhe nëpër fantazitë më të çmëndura, për ishuj lundrues
(kujtoni qilimat fluturues), madje,ah sikur të shkëputej gjithë toka ku qe
ndërtuar qyteti, me gjithë limanin, me gjithë shkollën dhe domosdo, bashkë me
shkollën edhe oborin e saj, mbuluar me pluhur qymyri të zi.
A thua u bë realitet një ëndër si kjo,vallë?
…Një herë kur e trashe zullumin, pashë të vinte
drejt meje/një copë e madhe toke me gjithë pemët,si një ishull lundrues.
Për ditë të tëra hypja në këtë ishull si një
Robinson Kruzo i vogël…
Në disa komente që ju bënë këtyre vargjeve në portalet e internetit, ka
dhe shprehje dashamirëse, të llojit…më pëlqeu shumë…Sidomos Robinson Kruzoja
dhe tretja e dherave…
E pra, mua më mbuloi dhimbja te këto vargje, sepse
tejë metaforës, pashë gjëra shumë të dhimbëshme, që unë e deti i dimë, që unë i
di dhe deti i fsheh në thellësinë e tij.
Dhe poeti i
rrëfen, sigurisht….
6-Por gjithsesi ishte bukur të jetoje në brigjet e
Jonit…Në verë zhytesha në lëndinat e fund-Jonit dhe humbisja në/barin e
gjelbër të poseidonas/i gudulisur nga valsi i lehtë i tyre/si valsi i grunjave
në fusha…Pranë meje notonin peshq të ngathët e të verbër të thellësive( me
siguri ju nuk e dini që deti ka edhe
peshq të verbër), të pamësuar me dritën, të rënë sa herë në rjeta dhe të
gjuajtur/ me shqelma nga peshkatarët, sërish në ujë.(epo as për tu skuqur
nuk vlejnë këta pesh të vërbër,ndaj peshkatarët i flakin përsëri në det). Po
ne, që kemi kaluar një jetë të vërbuar nga një dritë e rremë ideollogjie, kush
na donte vallë?
…Isha si i verbuar edhe unë nga një pluhur i
dëndur drite…pohon poeti dhe nuk sqaron gjë.A mos vërtiteshim si peshq të
verbër në “rrjetat” urbane të metropoleve europiane, ato ditë të ikjeve, të
fillimviteve ’90? Prandaj ndoshta na flaknin nëpër kampe e stadiume dhe ne
s’dinim e s’kuptonim pse? Kjo, ka ndodhur më von. Tjetër dritë e verboi poetin,
që …si një brerore e padukëshme shpresash/që ngjitej nga thellësia e labirintheve
të tua (detit).
…Shaluar mbi një kal deti bridhja në hapësirat e
çuditëshme të /ëndrave dhe ndjeja të më filtrohej trishtimi/ dhe të më avitej
POEZIA….
Ne u rritëm me detin, ndaj u bëmë të bukur si deti,
ndaj jemi shpirtmëdhenj si deti.
Ne nuk kemi frikë, ashtu siç nuk ka frikë deti…
…Frikë nuk pata më se mos më dëgjonin të tjerët…
dëshmon poeti ritjen e tij, ashtu siç rritet një dallgë në mes të detit. Madje
u ritëm dhe flasim për të na dëgjuar të tjerët, sepse kemi vërtet diçka të
veçantë për të thënë.
Kemi për t’ju folur për Artin Jonian.
7-Në një kohë që folklori dhe letërsia e
shkruar kanë malin si një pikë referimi,
orientimi dhe mbështetjeje, madje deri aty, sa edhe kur nuk përmëndin malin,
hieja e tij zgjatet … …mbi vargje, bota artistike e Artit Jonian ka detin si hapësirën mbi të cilën fluturon
si pulëbardhë, lundron si anie, noton apo
jeton si bregdetas apo detar.
-Nqse mali, fizikisht të kufizon hapësirën e shikimit, edhe për shkak të
relievit, deti përkundrazi, ta zgjeron këtë hapësirë shikimi, të mpreh bebëzat
për të parë më larg, duke të forcuar në këtë mënyrë shikimin. (Rallë ndodh që
detarët të vuajnë nga miopia).
Dhe kjo hapësirë e pamatë, nuk vonon të bëhet pjesë hapësinore e jetës,
e botës shpirtërore të banorit të brigjeve dhe për pasojë, e ndjenjave dhe e
shijeve të tij, duke e ritur njeriun jonian dhe botën e tij, duke e bërë më të
bukur atë. U rita sa shtatë dete- shkruan poeti Leftër Çipa në një nga
poezitë e tij.
-Deti të mba në kontakt me botën e përparuar
europiane(oqeanikët me drita shumëkatëshe kalonin përballë), duke u bërë
porta e botës për ne. Nga kjo portë kanë hyrë në jetën dhe kulturën tonë arti i
fqinjëve dhe i atyre që kishin hyrë te fqinjët. Kontaktet fizike, shkëmbimet
ekonomike dhe kulturore kanë shërbyer edhe në pasurimin dhe modernizimin e
mjeteve dhe formave të shprehjes artistike. Në Artin Jonian mungojnë “klithmat e britmat” zemërake e inatçore. Në
Artin Jonian flitet vetëm me zemër, me shpirt,
me pëshpërimë, që mos ta dëgjojnë të tjerrët- thotë A.Mato. Ashtu
siç flitet për dashurinë dhe në çaste dashurie.
-Ne, banorët e brigjeve joniane, kemi marë e kemi
dhënë kulturë me fqinjët, duke afruar
botët shpirtërore të kombeve, duke ngritur dhe pasuruar formën e të shprehurit,
zgjeruar mënyrën e të konceptuarit dhe
zbukuruar mënyrën e të jetuarit..
Kjo është arsyeja që në Artin Jonian, mungon çfardolloj ndjenje nacionalizmi të sëmurë,
urrejtjeje arkaike, ndërsa përkundrazi i
jep hapësirë e zhvillim modern
patriotizmit, në kuptimin e zhvillimit, përparimit dhe uropianizimit të
atdheut.
-Përkundër statizmit të malit, që imponon edhe një
statizëm në jetë e për pasojë dhe në art, deti është diçka e gjallë, në lëvizje të përherëshme, jo vetëm me batica-zbatica, por
edhe me rrymat detare dhe dallgët e valët. Me botën bimore dhe
ihtiologjinë e tij, gjithnjë në lëvizje
e zhvillim. Kjo reflektohet sa në
një mënyrë jetese active, po aqë edhe në një art të gjallë, në zhvillim
të përditshëm.
-Bregdeti jonian është edhe një interland i
legjendave dhe i një qytetërimi antik, që nga zotat e tokës e të detit, zotat e
nëntokës e sirenat e detit, ullinjtë e
qiparizat, kallamat e fyejt, shpellat e dokumentuara si vendbanime të njerëzve
të epokave të herëshme, emrat e
vendbanimeve me kuptimet domethënëse të tyre etj. etj, të cilat, jo vetëm që
janë pjesë organike e formimit tone
kulturor, duke e zgjeruar dhe pasuruar atë, por vijojnë të jenë pjesë e jetës
sonë të përditëshme artistike, me ritet e tyre ( të modernizuara , kristianizuara apo europianizuara) apo me shprehitë e trasmentuara nëpër breza.
-Mënyra dhe forma e shprehjeve si dhe figuracioni
në Artin Jonian është i ndryshëm nga
trevat e tjera të vendit, duke qënë plot ngjyra e reflekse ngjyrash, të botës
mbi apo nën ujore, duke qënë gjithmon një formë shprehjeje e gjallë,
në lëvizje, si dhe vetë deti. Shumë lehtë, kur lexon një poezi joniane
të fanepsen në vetëdije dallget e valët, stërkalat e pulëbardhat, notarët apo
polumbarët.
-Kjo është arsyeja që nëpër vargjet poetike të
Artit Jonian gjen aqë shumë muzikë. Po të lexosh me vemëndje poezitë e Artit
Jonian, nëpër zanoret e fjalëve mund të
dallosh lehtësisht notat e një muzike të lehtë, simfonike apo të një ligjërimi.
Ashtu si në një lodër valësh a dallgësh mund të
dëgjosh një këngë sirenash.
-Në Artin
Jonian ka vetëm ngrohtësi. Ngrohtësi në
fjalë e vargje, në ndjenja e në ngjyra,
në mendime e në ngjyra. Aty s’ka “dimër”
dhe “ nuk bie dëborë”. Madje dhe zemërimi nuk rrokulliset si “ortek dëbore” por
“përplaset si një dallgë” dhe,ajo që ka rëndësi… copëzohet në stërkala.
8-Diku kam lexuar se…për të kuptuar poetin, duhet
të njohësh vendlindjen dhe fëmininë e tij. Kjo poezi, është vendlindja dhe
fëminia e poetit, është biografia dhe
gjeografia e vendritjes së tij.E shprehur shkurt, e gdhendur mjeshtërisht në
vargje.
Pak a shumë edhe unë në fëmini, kisha lexuar e
dëgjuar për bukurinë e dëborës,kur bie
dhe mbulon mallet e fushat, pemët e shtëpitë. Por unë këtë bukuri e kisha nga
fantasia e leximeve. Më duhej të jetoja disa vjet në malësitë e Kukësit, të kaloja
disa dimra, me borë dhe akull, për ta njohur këtë bukuri që të magjeps, por
edhe që të vret.
Por ne që jemi rritur në brigjet e Jonit, këtë
poezi hymn apo simfoni për detin, e shohim si një …rrëfim fëmije, nxjerrë nga
shpirti i tij. Ja lotët e poetit dhe stërkalat, shihe dhe ndjeje dhimbjen e
tij, jo vetëm te vetmia robisoniane.Zgjate dorën nëpër vargje dhe do ndjesh
peshqit që të shkasin mes gishtave.Ecë me fundo nëpër funddeti. përmbi lëndinat
e gjelbëra detare, ngrij kokën lart e do dallosh një dritë. Atëherë do ndjesh
se …po rritesh. Atëherë do kuptosh se po bëhesh më i bukur, jo thjeshtë
fizikisht.
Kjo ndjenjë ritet te kjo poezi dhe të vjen si një dallgë e ëmbël,plot stërkala dhe
pulëbardha arti përmbi to.
Epo…ky është Arti Jonian.
Jo thjeshtë vargje në portal, por dallgë ndjenjash
përmbi vargje.
Vazhdo Agim, me dallgën tjetër.
Se s’vjen batica
vetëm me një dallgë.