Kulturë
Resmi Osmani: Koha e çudirave (Novelë)
E shtune, 26.01.2013, 10:57 AM
KOHA E ÇUDIRAVE
Novelë
Nga Resmi Osmani
1
Qyteti i
vogël gjendej në luginë,përmes i shkonte rruga ,më tej rridhte lumi.Në të dy
anët lartoheshin kodrat dhe pas tyre malet e pyllëzuar. Pas mbylljes së
kantiereve të sharrave dhe minierës,njerëzia mbetën pa punë.Djemtë e rinj
kuturisnin dhe shkonin në shtetin fqinj. Pasi fitonin ca para,i kapte fshesa
dhe ktheheshin në qytet. Luanin në
lojërat e fatit dhe zdërhalleshin me zuskat dhe kur u mbaroheshin
paratë,merrnin një trastë me plaçka dhe duke kaluar mal më mal e shteg më
shteg, hidheshin sërish andej nga i kishin zbuar.Në qytet u shtuan zyrat
noteriale dhe të avokatisë, ngaqë kishte shumë gjyqe për pronat, furrat e
bukës, bar-kafetë, lokalet me lojërat e fatit, bilardot, floktoret dhe
parukeritë, ndërsa në këmbësoret lulëzonte tregtia e farave të lulediellit,
kungullit , çimçakizeve, kokoshkave dhe
gështenjave të pjekura në mangalle me prush. U shtua dhe një agjenci funerale
me emrin “Parajsa”. Të gjithë, të ngeshëm,
brenin fara, përtypeshin dhe ceflat i pështynin ku të mundnin, aq sa
pastrueset e komunales nuk arrinin t’i fshinin. Pas hapjes së depove të armëve
që u dogjën mijëra fishekë gjuanin qiellin si ta kishin inatin me zotin. Tymi i
barotit qe aq i shumtë, sa një mjegull e
dendur mbushi luginën dhe era nuk arrinte ta shtynte. Njerëzisë i lotonin sytë
dhe nuk u ndahej kolla. Krismat e prishën përgjumjen, ndërsa shkrehja e
fishekëve gjurmëlënës e bënte natën ditë . Vlera e armëve ra shumë. Një
“Kallashnikov” këmbehej me dy pula të pjekura apo me një palë pantallona
xhinse. Pasi armët u dolën qejfit, qyteti ra në plogështi. Ditën treste
ushqimet dhe miellin e grabitur nga depot e rezervave të shtetit, ndërsa natën,
për shkak të mungesës së dritave, flinte në gjumë letargik. Klloçiste vezët e
kotësisë dhe mërzisë nga ku çelnin zogj të ngordhur e pa pupla.
E vetmja
ngjarje e ditës ishte kalimi i autobusëve të linjës, që i shoqëronin ca
djelmosha mjekroshë e të armatosur. Pasagjerët qëndronin sa për të ngrënë
shpejt e shpejt ndonjë pilaf me qofte dhe pastaj nga restoranti i vogël buzë
lumit, lajmet dhe thashethemet rridhnin si uji dhe mernin dhenë në gjithë
qytetin.
2
Nuk ishte
e thënë që përgjumja, plogështia dhe moskokëçarja të vazhdonin gjatë. Në dukje
nuk qe ndonjë çudi, por nga mënyra si rrodhën ngjarjet, ajo u kthye në çudi. Në
qytet u shfaq një i huaj. Pamja dhe dukja e tij u veshën me mister. Askush nuk
e njihte, askush nuk e kishte parë të zbriste nga autobusët e linjës, ndoshta
ngaqë të djeshmen dita ishte me llohë e mjegull. U faneps si të kishte rënë nga
qielli. Ai u pa të dilte nga shtëpia e vejushes bukuroshe Kristina, që i kishte dhënë një dhomë me qera. Vinte
shtatlartë, fytyrën ia mbulonte mjekra e gjatë, korb e zezë, që e bënte fytyrën
t’i dukej pak e zbehtë, flokët e gjata, të krehura me kujdes, i kishte të
lidhura me fjongo si bisht kali, në qafë një zinxhir I trashë floriri dhe në
vesh, një vath me gur diamanti. I veshur me xhakavento dhe pantallona të
ngushta xhins, në brez kishte të ngjeshur një rrip lëkure të stolisur me pafka
dhe një togëz të madhe. Çizmet e tij ishin model i paparë, të kafejta , me majë të zgjatur, qëndizma tegelësh të verdhë dhe në thembra,
me mamuze metalike kalorësish. Në të ecur i jepte rëndësi vetes dhe linte
pas amzën e një parfumi të fortë.
Njerëzia mbanin këmbët dhe e shihnin me habi.
Mjekërziu,
se kështu do ta quante gjithë qyteti, hyrjen e parë e bëri te kafja më luksoze,
ku porositi veç kafes edhe një pije të fortë. Kur pagoi, la t’i dukej në
portofol shuku i madh i kartmonedhave. Nuk foli me asnjeri. Kafen e shoqëroi me
një puro të trashë, që e tymoste me shije të madhe. Edhe pse e shihnin me
kërshëri, askush nuk i foli një fjalë, por edhe ai s’i foli askujt. Kur hyri në
bilardo, përshëndeti me kokë, u afrua te tavolina e lojtarëve dhe nisi të
sodiste lojën. Kur loja mbaroi, ai tha:
-
Zëri
vinte si i çjerrë, i lodhur, por edhe disi mospërfillës.
Kokoroshët
e qytetit, që ishin të ngeshëm dhe që e mbanin stekën gjithë ditën në dorë për të
shtyrë kohën ,e pranuan sfidën. I pari u afrua Bakja i Ishes.
-Me sa
duar?
-Me tre,
por unë nuk luaj xhaba, tha Mjekërziu duke nxjerë tri kartmonedha njëmijëlekshe dhe i vuri në cep të tryezës.
Bakja
zgurdulloi sytë dhe nisi të kruajë xhepat.
-Nuk më ndodhen
aq lekë, tha ai .
-Sa ke?
-Njëmijë.
-Mirë.Janë
pak. Luajmë me aq.
Bënë
provën e spondit. Gurët i çau Mjekërziu. Lyeu me shkumës majën e stekës, shtriu
dorën e stolisur me unaza të arta, tereziti stekën e pastaj u dëgjua krisma e
thatë e goditjes. Bilat u hapërdanë si të hallakatura, duke u përplasur me
njera -tjetrën. Në gropa ranë bilat e
para. pastaj, lojtari pa e lëshuar stekën nga dora, mori radhazi numrat e
mëdhenj.Bënte karambole të hatashëm!
Kur i
erdhi radha Bakes, që i dridheshin duart nga emocioni, mezi mori tri bila. Në
dorën e dytë, dinaku Mjekërziu, bëri ca goditje të pasakta. Bakja mori zemër
dhe e fitoi atë dorë. Dora e tretë ishte katastrofë. Të pranishmit që po
ndiqnin lojën, si të ishin në një shfaqie,
duartrokitën.
Të nxitur
nga sedra,të gjithë birbot e zuzarët, që e mbanin veten për mjeshtra, hynë në
garë kush e kush ta mundte i pari të huajin. Ai nganjëherë linte ndonjerin që
të fitonte, për të nxitur të tjerët, por në fund, djelmoshat të dëshpëruar e të
mërzitur, dolën nga bilardua me xhepa të boshatisur.
Djali që
shërbente te restauranti ” Manjifik” tha se i huaji kishte ngrënë një drekë të
pasur, si të ishte mbret , me verë të shtrenjtë, e kishte mbyllur me kafe dhe
konjak”Napoleon” dhe se atij i kishte lënë një bakshish të mirë. Nga ajo tryezë
kishin fituar aq sa ishte gjithë xhirua në ditët e tjera!
Lojtarët
e tryezës së gjelber, në kazino, u gjetën para befasisë. I huaji kishte fat të
çuditshëm, bënte bllofe dhe fitonte me lehtësi. Ndërsa kundërshtarët dridheshin
nga ethet e kumarit, atij s’i luante asnjë muskul në fytyrë.Ai u hidhte një
shikim përbuzës mes tymit të puros dhe hidhte letrën e radhës që
ishte fituesja.
Kaluan
ditë. I huaji s’kishte niet të largohej nga qyteti. Ai mbeti në qendër të
vemendjes dhe u bë strumbullari i thashethemeve. Thoshin se ai kishte zgjatur
mjekrën dhe flokët pas një zhgënjimi në dashuri. Kishte dashur marrëzisht “Mis
pranvera
Vejusha,
bukuroshja Kristina, kur fliste me të rejat dhe nuset për Mjekërziun,
perëndonte sytë tërë lezet dhe disi enigmatike,
seç u tha ca fjalë që atyre u pikuan në shpirt dhe u ngritën mendjen.
Vashat shkurtuan fundet për të lënë t’u dukeshin këmbët e bukura, zgjeruan
dekoltetë që të rrëfenin hiret dhe
mundoheshin, që me sjellje nazike, si ca kotele të llastuara dhe me gjuhën e
ojnat e trupit, t’i binin në sy të huajit. Nuk kishin mjekra, por ama kishin
flokë dhe flokët i lanë tu zgjateshin
dhe i lidhën”Bishtkali”.
Pasi i ardhuri u zbrazi xhepat njerëzisë në
bilardo ,lojërat e fatit dhe kazinotë
rekrutoi ushtarët e tij. Në disa pjesë të qytetit u dukën ca djem që luanin me tre letra bixhozi lojën “fiton
-s’fiton” Vendi i pëlqyer ishin stacioni i autobusëve dhe tregu. Ata mblidhnin
“Kullesat” e lekëve që kishin tepruar. “Kjo fiton ,kjo s’fiton” dhe letrat
lëvizeshin me shpejtësi marramendëse duke u zbuluar e mbuluar dhe vendoseshin
bri njera tjetrës. Rreth tyre kishte grumbuj njerëzish. Si fillim, afrohej një
person( I porositur prej tyre) dhe vendoste një kartmonedhë njëmijë lekëshe. Ai
fitonte dhe një monedhë tjetër. Të pranishmit shqyenin sytë dhe fillonin t’u
hanin duart. Gracka ishte ngritur me marifet. Ata nuk mund ti shmangeshin
ngasjes për të fituar ca para qyl. Djemtë ftonin klientët të provonin fatin.
Nuk ishin të pakët ata që kuturisnin, kush e provonte delte buzëfshirë.
Habiteshin sesi kishte ndodhur, ku kishin gabuar dhe largoheshin të zhgënjyer.
Djemtë,në përfundim të ditës,shkonin te padroni dhe i jepnin pjesën e fitimit.
Festa nuk
zgjati shumë. Pakënaqësia e parë erdhi nga berberët dhe parukieret. Pragun e
tyre s’e kalonte askush, veç ndonjë plaku të sosur. Për të shtyrë ditën brenin
fara, mbllaçitnin çimçakiz dhe mprehnin brisqet dhe gërshërët. Parukieret
mbetën pa klientelë. Moda “Bisht kali” nuk kishte nevojë për krëhër e gërshërë.
Stina e dasmave,për të zbukuruar nuset, ishte ende larg. Ata që kishin humbur
lekët në kumar dhe lojërat e bilardos,e ndjenë veten si peshku pa ujë dhe u
hipi zemërimi e inati. Lekët në qarkullim u pakësuan shumë. Nga një punonjës i
bankës u mor vesh se Mjekërziu kishte hapur një llogari rrjedhëse dhe depozita
i shtohej nga dita në ditë. Në lokalet e lojrave të fatit shkonin vetëm ca
pabuksa. Në të dy diskot e qytetit pjesëmarrja thuajse u katandis në hiç. Të
rinjtë, që u vardiseshin vajzave, kur e panë se ato s’ua shtinin më sytë, i
kapi xhelozia.
* *
*
Të
trokiturat në derë ishin të parreshtura, por Samantës së përgjumur I dukeshin
si të largëta, si në një ëndërr. Kur u zgjua plotësisht, kuptoi se ishte dera e
shtëpisë,që ajo veç bravës,për siguri i kishte vënë edhe shulin. Pa orën. Ishte
mesnatë. Veshi rroben e shtëpisë, ngjeshi brezin dhe u afrua.
-
-Ashtu
është një punë. Do bujtij tek ne sonte.
-Nuk ka
emër ky,ë? - Dhe ajo zuri me trup derën që të mos i linte të hynin brenda.
- Hapu të
hyjmë.Mos u çudit. E quajnë Mjekërzi. Mjekërzi Mjekërziu. Kështu thotë se e
quajnë, askush nuk ja di emrin e vërtetë. Është kalimthi në qytetin tonë.
Bakja
dukej i zgërlaqur e i shkalafitur, i merreshin këmbët si të ishte i dehur dhe fjalët mezi i dilnin.
Ishte bërë për tu mishëruar. Përndryshe, miku dukej në formë dhe i sigurtë. E
shihte të zonjën e shtëpisë me ca sy të paturpshëm, aty ku fillonte e ndara e
gjokseve të bëshëm, sa ajo u ndje ligsht dhe i mbuloi.
Deshi t’i
pyeste nëse kishin ngrënë, por s’ishte koha dhe po të donin, nuk
-
U bë
heshtje. Ajo priti më kot një përgjigje.
-Si e ke
hallin, mos të kanë ikur fjalët dhe je vuvosur?!- Gati ju hakërrye të shoqit, e
sigurtë se ai kishte punuar ndonjë rreng.
-Më mirë
ta thotë zotria, - tha ai zëshuar dhe e pa Mjekërziun me lutje që ta nxirte nga
ai siklet.
Prapë
pllakosi heshtja, një heshtje shtypse, e rëndë si plumb.
Miku e pa
që ishte e kotë ta zgjaste dhe kaloi drejt e te thelpi i çështjes:
-Zonjë,-
tha ai me zërin prej basi, - ne sapo vijmë nga kazinoja, pasi përfunduam një
lojë bixhozi. Bakes iu mbaruan lekët, por i zënë nga ethet e kumarit, nuk u
tërhoq nga loja. Vuri peng shtëpinë, unë për kundravlerë, vura tridhjet mijë
dollarë. Më ranë katër asa dhe e fitova lojën. Prapë Bakja nuk u tërhoq. La
peng gruan, me një fjalë, ty! I thashë të mos e bënte, se ti nuk je plaçkë, as
pronë private, por i verbuar nga ethet e lojës dhe me besim se do t’I kthehej
fati, nuk më dëgjoi. Sërish bëra një flosh dhe e fitova atë dorë.
Mjekërziu
heshti që të shihte efektin e lajmit të kobshëm. Asaj i kishte ikur gjaku nga
fytyra, u zbardh si gëlqere e u zverdh
si meit. Sytë i lëshonin një dritë të keqe të verdhë, goja iu shtrembërua
pastaj e zuri gulçi dhe një kollë e
keqe.
-Ti je
grua e zgjuar dhe e kupton, që nga ky
çast, shtëpia dhe e zonja e saj janë prona ime, - i tha, si të mos bëhesh fjalë
për të,- Qëllove me fat, se nuk keni fëmijë dhe unë jam beqar! Se ç’burrw jam,
ke për ta parë!
- Kurrën
e kurrës! Ta di që të vdes. - Ajo filloi të shkulte flokët t’i binte kokës dhe të sillej rrotull si e
marrë.
-Bake,
Bake faqeziu, ndyrësirë, more burrë muti
edhe këtë ma bëre ? Folë! Më
thuaj që nuk është e vërtetë!
Kishte aq
mllef, zemërim, neveri, maraz në shpirtin që po i sfilitej, sa nuk mundi të
fliste më tej.
-E bëra
që u bëfsha lëmsh e më ngrëntë një mortje!-tha Bakja.
Zëri
dukej sikur dilte nga fundi i një pusi të thellë.
Samantës
i hipi tërbimi. Sytë i shkëndijonin, nga goja i dilte shkumë, u turr si ulkonjë:
-Bij
bushtrash, kriminelë të pashpirt, horra të papërgjegjshëm, përjashta! shpejt
përjashta, mos t’u shoh me sy. Shkoni gjetkë e bëni ato poshtërsitë tuaja prej
kumarxhinjsh dhe shisni nënat tuaja. Pandehët se gjetët një grua dhe mund të
bëni ç’të doni me të? Jo mor zuzarë e lapërdharë , ju rren mendja! Dhe filloi
t’i shtynte me sa forcë që kishte, për t’i nxjerrë përjashta.
Bakja nuk
e kundërshtoi, por vuri duart në kokë për tu mbrojtur, se mos ajo e qëllonte.
Kur arritën te veranda, ajo i dha një të shtyrë të fortë, atë s’e mbajtën
këmbët dhe u rrokullis rrokapjekthi duke bërë kollotumba nëpër shkallë deri te
kalldrëmi i rrugicës së obnorrit. Lëshoi një klithje të mprehtë dhe nisi të
rënkojë dhimbshëm.
Samanta u
kthye Brenda. Mjekërziu e priste qetësisht, si të mos kishte ndodhur gjë.
-
Nuk
kishte forcë ta nxirte përjashta dhe i
erdhi keq që s’kishte një telefon të lajmëronte policinë,por i shkoi ndër mend
se policia ishte kot fare. Gjiton s’kishin afër.Si t’ia bënte? Asaj nuk kishte
se kush ti dilte për zot.
-Qetësohu,-
i tha ai- Unë jam në shtëpinë time. Rrezikova me tridhjet mijë dollarë,fati qe
me mua. Po të kishte fituar Bakja, ju me aqë para, mund të shkonit të rronit në
çdo shtet të Europës, fjala vjen në Zvicër apo Montekarlo, ku ka kazino të
hatashme dhe ti, do të ishe një zonjë e
madhe. Këtë çast e tepërta këtu je ti, por nejse, edhe ti je pjesë e shtëpisë
dhe dua që të rrish me mua. Nuk e dija që ishe kaq e bukur dhe seksi! Ke për të
parë që do t’ia kalojmë mirë. Pastaj shkoi te dera. E kyçi.
Çelësin e hoqi nga brava dhe e futi në xhep.
Samanta e
ndjeu veten si të zënë në kurth, si të mbyllur në kafaz, fillikate me këtë të
panjohur, të hurit e të litarit. Si një flakë e beftë, mendjen ia ndriçoi një
mendim: hyri në kuzhinë dhe rrëmbeu me vrull sëpatën, që çanin drutë. Kur doli prej andej, Mjekërziut i shtiu
frikën pamja e saj e egërsuar, me sy të çakërritur, si të përgjakur dhe nga
gjithë ai vrull që kishte marrë dhe për çdo rast, u tërhoq prapa tryezës së
madhe të bukës.
-Atë
tjetrin e vrava, por do të vras dhe ty. Do të
të vras. Do të të vras si një qen. Do t’a çaj si kungull atë kokë
dreqi, ku rrinë gjithë prapësitë e
botës!
E kishte
rrokur bishtin e sëpatës vrastare me të dy dyart dhe e kishte ngritur gati për
ta goditu, por nuk e arrinte dot. I ndodhur kundruall saj, u ndje në rrezik.
Mjekërziut i shkoi në mendje se në këtë qytet druvarësh, nuk dinin të vrisnin
me tjetër gjë, por me sëpatë, sikur njeriu të ishte një dru pylli! Ç’barbari!
-Zonjë,
mos u ngut. Prit të merremi vesh. Për të vdekur është e lehtë, për të jetuar
dhe gëzuar jetën,është e zorshme.
Asaj i
bëri përshtypje mënyra sesi ai fliste. Edhe nën kërcënimin e jetës, mbetej
kavalier!
-Samanta.
Kjo është vrasësja jote!
-Sa emër
i bukur i një gruaje po kaq të bukur! Ky emër nuk i shkon një vrasëseje, është
emër ëngjëlli. Ëngjëjt nuk vrasin . Edhe gratë e bukura nuk vrasin, ato janë
lindur për dashuri!
Samanta u
step. Ishte e dyta herë që ai e quante grua shumë të bukur.
Duke
thënë këto, ai lëvizi me kujdes, doli në cep të tryezës dhe iu afrua
me hapa të vegjël duke e parë drejt e në sy. Ajo dukej e hutuar,
vështrimi i itj i thellë drejt e në sy, sikur e hipnotizoi. Ai zgjati dorën
ngadalë dhe kapi bishtin e sëpatës.
-Ma jep
mua, s’është për ty. Ato duar delikate janë bërë për të ledhatuar dhe jo për të
lënduar.
Për çudi,
pa bëzajtur ajo i hoqi duart. Mjekërziu,
hapi dritaren dhe e flaku sëpatën në oborr. Kur ra u dëgjua tingulli i saj
metalik. Kishte goditur një gur.
Samanta u
ul në divan. E kapi një krizë histerie dhe nisi të qajë me dënesa, lotët i
shkonin çurk, burimi i tyre s’kish të shterrur. Mjekërziu dinak, këtë çast
kishte pritur. Shkoi në frigoriferin e vogël dhe i solli një gotë ujë të
ftohtë. Ajo e piu dhe u duk sikur po qetësohej. Ai, me majat e gishtave nisi
t’i fshijë lotët: rreth syve, në faqet e zbehta dhe në gushë. Ajo pati një
ndijesi përkëdhelije, gishtat e tij ishin të lehtë, të ngrohtë dhe delikatë si
gjishta fëmije. Pastaj ai i mori dorën në të vetën dhe nisi t’ia fërkojë,
lehtë,butë, ëmbël, pastaj u erdhi radha supeve, duart e tij ishin si duar
magjistari, sillnin prehje dhe çlirim nga ankthi. Ajo ngriti kokën dhe e pa. Ai
e ndjeu instiktivisht atë turbullim dhe pështjellim ndjenjash të saj dhe e kapi
fluturim atë buzëqeshjen e sapodukshme në çipat e buzëve. Aroma e veçantë e
lëkurës dhe e trupit të gruas e trallisi. E rroku lehtë nga beli me të majtën dhe me dorën tjetër afroi kokën
e saj dhe e puthi në buzët e mishta e paksa të hapura: ngadalë, lehtë,
butësisht dhe plot ëmbëlsi. Ajo bëri sikur do ta shtynte, por nuk e
kundërshtoi, fërgëlloi së thelli nga shpirti i trazuar dhe ndjeu një zjarrmi që
së brendshmi po i pushtonte rropullitë dhe gjithë qënien. Mjekërziu e dinte se
fjalët ishin të tepërta, të padobishme. Vlente vetëm veprimi. E mori para
duarve, si të ishte një kukull dhe e shtriu në krevatin e dhomës së gjumit,
pastaj ngadalë e me kujdes e zveshi. Trupi i saj lakuriq, me bardhësi verbuese dhe forma të
përsosura e mrekulloi. Ajo mbylli sytë, por nuk bëri përpjekje të mbulohej.
Priste të ndodhte mrekullia. Edhe ai u zvesh dhe u shtri bri saj…….
Pas atij
kapërthimi të vrullshëm e të egër,ata po preheshin. Samanta ndjente në supin e
saj lakuriq peshën e kokës së tij dhe frymëmarrjen e ngrohtë që i fshikte
faqen. Ajo e pushtoi, në supe ai ndjeu gërvishjen e thonjve , ndërsa sytë e saj
ishin lutës.
-Prapë-
tha ajo, dua prapë - dhe iu turr vrullshëm dhe si e babëzitur, me rënkime dhe
ofshama e mbuloi me të puthura.
Në derë u
ndjenë të trokitura.
-Dikush
po troket, -tha ai.
-Është
Bakja,- tha ajo,- Le të agullijë si qen i rrahur, të hiqet zvarrë dhe të
grryejë me thonj pragun e derës, ka shumë për të paguar, po ti mos u tërhiq,
mos e ndërpre, vazhdoje, të lutem, o Zot është kaq bukur!
Bakja,
arriti ta shkallmonte derën dhe hyri Brenda. Ata nuk ishin në holl, as në
kuzhinë. U drejtua për në dhomën e gjumit. Çalonte se kishte ndrydhur kyçin e
këmbës së majtë,shpatulla e djathtë ishte si e vdekur ngaqë I kishte dalë nga
vendi, ndjente një dhimbje therëse e të padurueshme në brinjë. Me siguri brinja
ishte thyer. Duke çaluar,më shumë duke u zvarrisur sesa duke ecur,hyri në
dhomën e gjumit. I pa të çveshur, të shtrirë e të kapërthyer në shtratin e tij
bashkëshortor. Goja iu tha, me ajërin e dhomës iu duk sikur në mushkëri thithi një helm që i mpiu mendjen
dhe trupin e i shpeshtoi të rrahurat e zemrës, që dukej sikur do t’i dilte nga
gjoksi.
Ata, të
hutuar, erdhën në vete, u stepën dhe të turpëruar nga lakuriqësia e tyre, u
mbuluan me çarçaf.
-Bushtër,lavire,rrospie,putanë,
shkërdhatë e përdalë, - nuk po gjente më fjalë të tjera të ndyra e fyese, - Si guxove në shtratin tim! Ai u turr
t’i godiste, por se mbanin as këmbët dhe krahun e djathtë se ngrinte dot. Ishte
e kotë. Tashmë ishte një i gjymtuar. I la të shtrirë në krevat dhe shkoi në
holl dhe u ul në kolltukun tek. Vuri kokën në dorë dhe u shkreh në lot të
hidhur. Aty e gjetën Samanta dhe mjekërziu. E shoqja i pruri një gotë ujë. Ai
ia shtyu dorën, gota, që ra në shesh u thye dhe ujët u derdh.
-Shporru!
Si guxon! Si ma bëre këtë?
-Kërkoje
fajin tek vetja – i tha ajo- ti më shite, aq ishte. Tashmë i përkas tjetër kujt
dhe ai është në të drejtën e tij, ndërsa ti, nuk ke asnjë të drejtë mbi mua.
More vesh? Ma ke nxirë jetën. Më ke shkatrruar.
Pale, sot e mora vesh se edhe si burrë, ke qënë kot fare!
Kjo nuk
durohej. Cinike dhe hakmarrëse, e kishte fyer në ndjenjën e tij si burrë, dilte
se asnjë herë se kishte kënaqur në shtrat dhe ajo kishte mbetur e dëshiruar!
Gënjente, me siguri gënjente për ta poshtëruar! Ndjeu një therje në shpirt dhe
se desh më veten. Pa me urrejtje Mjekërziun, që rrinte e sodiste këtë dramë
familjare, që e kishte shkaktur vetë me veset dhe mendjelehtësinë e tij.
Mjekërziu ishte një mallkim. Ai duhej vrarë,por tani s’ishte i zoti ta bënte.
-Dëgjomëni
të dy,- u tha ai, Harrojeni këtë që ndodhi. Ti, zonja Samanta u tregove shumë e
dashur me mua dhe më dhurove çaste vërtet të lumtura. Je grua me klas. Për
hatrin dhe hiret e tua, unë heq dorë nga e drejta ime e fituar. Zere se nuk ka
ndodhur, quajeni një ëndërr të keqe. Por
kam një kërkesë: Askush nuk duhet ta
dijë këtë që ndodhi këtë natë këtu. Është në të mirën tuaj. Çoje Baken në
spital. Ai u rrëzua nga shkallët se ishte i dehur . Bashkë, as jemi parë e as
jemi njohur! Jetoni siç keni jetuar. Mirë?
Zbriti
shkallët shpejt dhe doli në rrugë. Bënte freskët. Në majëmalet kishte nisur të
binte drita,ndërsa lugina ishte zhytur në një mjegull qumështore . Çatitë e
shtëpive dhe pemët e larta anës lumit,dukeshin sikur vozisnin të shtyra nga
era. Nxitoi i zhytur në mjegullën e dendur, kishte kohë të merrte një sy gjumë,
në shtratin e ngrohtë të vejushes së bukur Kristina, që me siguri e priste e
merakosur.
Nëpër
qytet u përhapën fjalë, por askush nuk dinte gjë të saktë se ç’farë kishte
ndodhur. Bakja doli nga spitali duke çaluar dhe u mbyll brenda, ndërsa Samanta,
e bukur dhe e respektuar, shkonte rregullisht në shkollë, ku e prisnin nxënësit
e saj.
* *
*
Ishte
koha,bile kishte kaluar,që kësaj meseleje t’i jepej fund. Por si?
Me nismën
e Banushit të Beqollarëve, pronarit të sallonit “Krehëri i artë”, për të mbrojtur interesat u krijua sindikata
e “Berberëve dhe parukiereve”. E keqja kërcënuese e kishte emrin Mjekërzi. Një
grup të rinjsh me në krye Sotirin, të birin e dhjakut të Shënkollit, që u ishin
boshatisur xhepat, thanë që ta zinin në ndonjë qoshe dhe ti jepnin një dru sa
t’a bënin të vdekur, dhe t’ia merrnin me dhunë gjithë paratë që u kishte
zgrepur, por, puna u ngatërrua kur erdhi puna e ndarjes së parave. Banushi e
kundërshtoi këtë propozim.
- Dhuna
është shenjë egërsie dhe barbarie- tha
ai- Duhet gjetur një mënyrë më e civilizuar.
-Cila
qenka?
-Ta
hedhim në gjyq e ta kalbim në burg. Mund të gjenden plot akuza për ta paditur.
-
Banushi u
mendua.
-I themi
prokurorit që pas padisë, ta mbajë me arrest shtëpie. E kemi tonin dhe do ta
bëjë, ca më shumë ngaqë ai s’e sheh dot me sy atë plehrën që kur i është
vardisur së bijës!
Sindikata,
me ndihmën e zyrës avokatore ”Simoni dhe Bijtë”, bëri aktpadinë: “Rrënim direkt
dhe indirekt të ekonomisë së berberëve dhe parukiereve”. Gjykata vendosi si
masë paraprake moslargimin e Mjekërziut nga qyteti dhe që të mos vazhdonte të
bënte më zullume, e vuri në arrest shtëpie deri në një vendim të ri.
Data dhe
ora e gjykimit, që pritej me kërshëri, u bë e ditur me afishe, por edhe nga
Dullë Tellalli, që me daulle në qafë i
ra lart e poshtë qytetit, rrugicë më rrugicë për të shpallur me zë të lartë, aq
sa u ngjirr këtë ngjarje të pazakontë.
Të gjithë
prisnin me padurim dhe donin të dinin sesi ndihej Mjekërziu nga kjo mynxyrë që
i kanosej. Vejusha, Kristina, që dilte për të psonisur harxhet e ditës dhe
porositë e tij, u tha grarisë dhe kureshtarëve se atij nuk ia bënte syri bef,
ishte në formë të hatashme, me humor shpotitës, tallej me policët që e
mbikqyrnin dhe se kjo ngjarje po e zbaviste ca si shumë .
* *
*
Gjyqi u
bë në sallën e vogël të gjykatës. Për të zënë një vend u bë sherr, por pastaj
vunë një qendër zëri dhe njerëzia u dystuan në shesh për të dëgjuar këtë gjyq
të paparë. Trupi gjykues,me toga të zeza, me gajtanë dhe xhufka të verdha,
hijerëndë, i vetëdijshëm për rëndësinë e detyrës dhe fuqisë që i jepte ligji,
zuri vend. I padituri dhe avokati i tij ishin në një tryezë në të majtë,
përfaqësuesit e padisë dhe dëshmitarët në rreshtin e parë. Gjykatësi çeli
seancën dhe e ftoi të pandehurin të ngrihej në këmbë për pyetjet rutinë.
-Emri
juaj, i pandehur?
-Mjekërzi.
-Mos nuk
e dëgjova mirë?
-E dëgjuat
shumë mirë.
-Mbiemri?
-Mjekërziu.
-Atësia?
-Askushi.
-Mëmësia?
-Askushe.
-Zonjush
Lidia, shkruani se i pandehuri deklaron se është doç, iu drejtua gjykatësi sekretares së seancës.
-
-Vendlindja
dhe datëlindja?
-Kasollja
e Shero Lames,data nuk dihet. Muaji maj,viti 1952.
-Arsimi?
-Universiteti
i Rrogozhinës. Shenja e horoskopit “Demi”.Shtatlartësia
-Vendbanimi?
-Midis
tokës dhe qiellit. Përkohësisht në këtë qytet të shpifur e të përgjumur.
-Prej nga
keni ardhur?
-Nga
Kashta e Kumtrit.
-Zonjushe
Lidia, shkruani se i pandehuri deklaron se është Alien!
-Profesioni?
-Gjuetar.
-Arma që
përdorni, me leje apo pa leje?
-Mënçuria.
Dhuratë e natyrës ,që nuk kërkon leje.
-Çfarë
gjuani?
-Xhepat e
burrave dhe zemrat e grave!
Salla
gumzhiu, u dëgjuan të shara dhe hungërima. Ishin gati ta shqyenin, por policët e
pranishëm vunë rregull.
- Qetësi,
se përndryshe do ta pezulloj séancen,- tha gjykatsi dhe trokiti
Pas
paraqitjes së aktpadisë “Rrënim direkt dhe indirekt të ekonomisë së berberëve
dhe parukiereve”, që u shoqërua me llogari të imtësishme të fitimit të munguar,
ngaqë të rinjtë e të rejat, burrat dhe gratë rritën mjekrat dhe flokët, duke
lënë pa punë këtë veprimtari të ekonomisë së qytetit. U paraqitën dhe shumat e
të hollave të fituara në kumar dhe lojrat e fatit, që vërtetoheshin nga
dëshmitarët dhe llogaria bankare. Mjekërziu u kishte hequr kafshatën e bukës
nga goja qindra familjeve! Ishte bërë shkak, që të përhapej epidemia e kumarit
dhe e veseve të tjera.
U erdhi
radha dëshmitarëve. E para dëshmoi Maria, gruaja e dhjakut të kishës së
Shënkollit. E thatë si shkarpë, e zbehtë dhe e rrudhur, me ca sy të frikur, ajo
si me gjysmëzëri dëshmoi se ishte e para
që e kishte parë të quajturin Mjekërzi, ditën e parë që kishte ardhur në qytet.
-Më
kujtohet mire. Ishte mëngjesi i ditës së martë, dita e trembëdhjetë e muait.
Ishin pa
numër dëshmitarët e tjerë që folën e folën, sesi ai i kishte hipnotizuar me
magji dhe u kishte boshatisur xhepat si pakuptuar. Të përfshirë nga ethet e
kumarit kishin lënë peng shtëpitë, kurse një person, që nuk po ia përmendim
emrin, për respekt ndaj së shoqes, që është zonjë e nderuar, pas shtëpisë, kishte dashur të linte peng gruan! Kur ajo e
mori vesh, e rrëzoi nga shkallët dhe ditëziu ka
thyer dy brinjë, prandaj edhe nuk ka ardhur të dëshmojë. Emri su
përmend, por ata e dinin për cilin bëhej fjalë.
Kur u duk
se dëshmitë kishin mbaruar, para trupit gjykues, u paraqit një burrac i
shpifur, me sy si rruaza e tërë gjallëri.
-Asllan
Shahiti, - u paraqit ai, -I shoqërisë civile, nga “Shoqata e Dëshmitarëve të
Pavarur”.
Kryetari
bëri të habiturin dhe vështroi kolegët.
-Besoj,-
vazhdoi burraci- duhet të keni dijeni për shoqatën tonë të pavarur e jo fitimprurëse.
Salla
gumzhiu. Gratë kukuriseshin mbyturazi.
-Zoti
Shahiti, të më falni për kërshërinë. Mbiemri është I familjes, apo e përdorni
për nevoja shërbimi? –pyeti kryetari dhe buzëqeshi hidhur.
-Familjar,
zoti kryetar, posi, e kemi trashëgim qyshkur nga koha e Baba Qemos. Denbabaden,
brez pas brezi, nga kohë që s’mbahen mend, kemi qënë dëshmitarë, por u desh
koha e bekuar e demokracisë, që ne të njihemi ligjërisht dhe ta shfaqim këtë
talent familjar, për të ndihmuar të dobëtit që të fitojnë të fortët!
-Dëshmitari
Shahiti, presim dponimet tuaja.
-Zoti
kryetar, zotrinj gjykatës, të respektuar të pranishëm. Ne jemi thelluar për
rastin që gjykohet, në dukurinë e mjekërmbajtjes, dobitë dhe dëmet. Në dosjet
tona, gjenden fakte të shumta që rrëfejnë se mbajtja e mjekrës, ka krijuar
probleme, melodrama dhe tragjedi të rënda. Mjekra e kuqe, i dha mbiemrin të
famshmit Barbarosa; mënyra sesi e krihte
dhe e mbante mjekrën kajzeri Vilhelm, krijoi modën e mjekrës alla Vilhelm. Por
ajo që lidhet me historinë tone i takon mustaqeve të Çelos. I përmenduri Çelo,
hyri në histori jo për bëmat e tij, por për mustaqet! Një degë mustaqeje e
kishte të zezë e një të verdhë! Kur asqerët e taborrit të tij, u kallzuan për
këtë një taborri tjetër, ata nuk i besuan dhe plasi katrahura. U zunë e u grinë
me palla , jataganë e syngji sa gjaku vajti në gju të kalit! E pse? Për
mustaqet e Çelos! Në Enciklopedinë Britanike, sheiku saudit Said Kalifa al
Mansur…
-Mjaft,zotri,
mjaft,bjeri shkurt! Sipas akuzës që dëgjove, është fajtor Mjekërziu?
-Zoti
kryetar, ne nuk biem në këto leqe e gracka që ngre gjykata, jo mor zotri,jo! Ne
paraqesim fakte, vetëm fakte. Përfundimet nxirrini ju. Për ne ky leshi I fytyrës,
mjekra, ka krijuar dhe krijon pështjellime shoqërore.
-Kaq?-
Pyeti kryetari ironik.
-Jo. Ky
gjyq I nderuar, duhet të ketë durim të na dëgjojë e pastaj të vendosë. Agjentët tanë kanë qëmtuar nga opinionet
dhe thashethemet, disa tregues me të vërtet interesantë. Bëhet pyetja: Përse
mjekërziu rriti mjekrën? Hë? Ia keni bërë vetes këtë pyetje!?
Ra
heshtje.
Asllan
Shahiti u krekos, nxorri përpara gjoksin e ngushtë, vuri duart në bel, i dha
kokës prapa dhe pa pritur përgjigje , zbrazi bataren e fjalëve:
-Sipas të
dhënave, të mbledhura nga agjentët tanë në terren, pikërisht këtu në qytetin
tuaj, na rezulton se ai është viktimë e dashurisë, kësaj ndjenje të bukur,
madhështore por edhe fatkeqe e sfilitëse, që çan gurin e dërrmon burrin!
Personin që po gjykoni, dashuria e pafat për miss pranvera 1995 e zhyti në
dëshpërim të thellë dhe ai, për tu ngushëlluar, nuk u dha as pas pijes as
pas drogës, por thjesht, zgjati mjekrën.
Ka edhe më: I vetëquajturi Mjekërziu, gjithnjë sipas skedimeve të agjentëve të
sipërthënë, gatitesh për të marrë pjesë në “Konkursin Ndërkombëtar të
Mjekërgjatëve” në Lokarno të Zvicrës. Ky
gjest sa vetiak është edhe
patriotik e kombëtar dhe duhet përshëndetur.
Kryetari
deshi ta ndërpriste, por Shahiti kundërshtoi me forcë:
-Zoti
kryetar, e nderuar juri, publik i respektuar! Ligji themelor “Për të Drejtat
dhe Liritë”, Karta e Helsinkit, Kopenhagenit dhe e OKB-së, më lejojnë pa asnjë
pengesë, që të parashtroj këtu pikpamjet e shoqatës që përfaqësoj. Desha të ve
në dukje këtu, fakte që nuk u paraqitën: se i
vetëquajturi Mjekërzi, ka nxjerrë rregullisht tre here në ditë shetitje
mjekrën e tij në bulevard, e ka çuar atë për të vallëzuar në disko, e ka ekspozuar në vitrina dhe
sfilata, etj. Janë këto veprime, që kanë
nxitur dhe përhapur, ashtu si virusi i gripit, epideminë e mjekërmbajtjes dhe
çuan gati në rrënim berberët dhe parukieret, duke krijuar kësisoj probleme të
mprehta sociale. Ai e ktheu mjekrën e vet
gati në një kult. Në objekt fizik dhe juridik!
Pas kësaj
ligjërate, ai heshti dhe mori një pamje si të përvuajtur, sikur bashkë me
fjalët ta kishte braktisur edhe fryma.
-Unë
ngulmoj për një përgjigje nga ana e zotrisë Shahiti: Eshtë apo jo fajtor
personi që po gjykojmë?
Burraci u
rigjallërua.
-E
nderuar juri. Ne hodhëm në peshoren e drejtësisë fakte, opinione thënëse e
kundërthënëse. E mira dhe e keqja, ëngjëlli dhe djalli, siç ka thënë një
filozof, janë brenda shpirtit te i gjalli. U takon juve mbi bazën e shkronjës
dhe frymës së ligjit që t’i ndani. Të
gjeni të mirën te e keqja dhe të keqen te e mira, pafajsinë te fajtori dhe
fajësinë te i pafajshmi! Ju faleminderit,- dhe ai u ul në vendin e vet me
madhështinë e një mbreti.
Pas
gjithë këtij lumi akuzash e opininesh, pasi u këshillua me avokatin e tij, i
erdhi radha Mjekërziut që të mbrohej. Të
pranishmit pane, se ai ishte çuditërisht i qetë. Ndër të tjera , ai tha:
-Pyetjes
dhe akuzës për fajësi, po i përgjigjem: Aspak të nderuar zotërinj të trupit
gjykues. Ju s’më ngjallni pikë respekti, por as frikë, se jeni duke shkelur me
të dy këmbët dhe të dy duart në mënyrë flagrante dhe arrogante të drejtat dhe
liritë e njeriut. Si papagallë, përsërisni përmenç ca broçkulla të kodit penal,
që s’bindin as fëmijët. Si e kuptoni ju demokracinë? Sesi i mbaj flokët dhe
mjekrën kjo është thjesht çështje private , çështje gustoje, pjesë e lirisë sime. Ç’ju kruhet
juve me to? Por nuk u ve faj, jeni tepër të paditur që ta kuptoni kaq gjë. Nëse
të tjerët këtë e pëlqejnë dhe e imitojnë, kjo është e drejtë e tyre për të
përqafuar të renë. Përsa u takon bizneseve të mia, dua t’u bëj të ditur një të
vërtetë të njohur që së lashti: Bota është e guximtarëve dhe fitimtarëve. Unë
jam njeri veprues dhe i lirë në atë që bëj dhe nuk rri të kalbem nga
plogështia, siç kalben banorët e ketij qyteti të humbur provincial. Unë e
mbërthej jetën për fyti dhe s’e lë të më mbërthejë ajo mua. E drejtoj siç dua
dhe nuk e lë të më drejtojë ajo. Lufta ime bëhet sheshit. Nuk fshihem nëpër
vrima dhe skuta. Më së shumti fitoj, por
edhe humbas, por gjithmonë me kundërshtarë që dëshirojnë dhe guxojnë të
ndeshen. Që ata humbin dhe u boshatisen xhepat, nuk është problemi im. Është në saje të guximit, aftësisë dhe
shkathtësisë sime, por edhe fatit dhe rastit të tyre të keq. Ja sheshi, ja
mejdani. Ja Mjekërzi kapedani. Guxoni dhe urdhëroni. Pa gënjeshtra, pa hile, pa
mashtrime, pa dhunë, butësisht, me buzëqeshje, urtë e butë. Thoni që fitimet e
mia janë të paligjshme. Gaboheni zotrinj. Kam luajtur me paratë e mia në
bilardo, në kazino, në lojëra fati, kurdoherë
në lokale të liçensuara. Kam ngrënë e pirë në restaurant dhe zonjës
Kristina i kam paguar me bujari këstet e qerasë dhe i kam plotësuar dëshirat që
ka shprehur. Gjithsa përmenda, jetojnë
me këto biznese dhe i paguajnë taksat bashkisë.
U duk se
fjala e lodhi, piu me etje disa gllënjka uji, pastaj vijoi:
-Më
akuzoni si mashtrues grash! Ja tek janë zonjat e nderuara. Ka kush ankesë
për mua? Cilën kam shtënë në ngasje,
cilën kam mashtruar?
Vajzat
dhe gratë mërmërinë, por pastaj ra heshtja.
Ankese nuk kishte.
-E, pra
siç e shihni, nuk ka ankesa. Por është e vërtetë se ato që më kanë njohur në
lidhje intime më kanë dashur, fort bile. Dhe përse duhet ta duan femrat një
mashkull ? Ju duhet ta dini zoti gjykatës se jeni vetë burrë. Ca më shumë duhet
ta dijë zonjusha sekretare!
Njerëzia
u kukurisën, ndersa zonjat, gjasme të
turpëruara ulën kryet. Zonjusha Lidia u bë paparune në fytyrë. “Mbylljani gojën
këtij lapërdhari”, iu lut gjykatësit.
-Mjaft!-klithi
gjykatësi-Po cënoni moralin publik dhe po fyeni zonjat e nderuara! A e di se
ç’të bëj për këtë?
-?
-Meqënse
nuk e di po, ta them: Ti fus të dy këmbët në një këpucë, të shkul dhëmballën e
shëndoshë me darë kuajsh!
-Faleminderit,
z.gjykatës. Universitetit të Rrogozhinës, ku jam diplomuar, do t’i propozoj që
në fakultetin juridik të përfshijë edhe lëndët speciale për këpucar dhe
dentist. Por le të kthehemi te çështja. Fitimet e mia,- vijoi ai, - janë të
tatueshme e fare të pastra, më të pastra se ato të zotrinjve me imunitet. Më
ndjeni, por gjuhën nuk e kam aq të shkathët sa duart dhe nuk jam i zoti në
llafollogji , por gjithsa thashë janë të vërteta, të sinqerta, të qarta si
drita. Si fund pazar, kërkoj pafajsinë dhe një dëmshpërblim dhjetë milionë lekë për dëmtim të imazhit tim
publik. Kaq kisha.
Avokati
mbrojtës, që e quajti klientin e tij njeri të kohës dhe modern, viktimë
virtuale e një zhgani injorantësh, hodhi poshtë akuzën qesharake dhe kërkoi
menjëherë pafajsinë.
Pastaj i
erdhi radha prokurorit të mbante pretencën. I fryrë, duke i dhënë shumë rëndësi
vetes, me zë basi dhe të folur të ngadaltë, në zbatim të parimit të tij ”Gjeje
fajin edhe atje ku nuk është”, e mbështeti fjalën e tij në nenet 126, 234. 63 dhe 405 të kodit
penal. Para sallës, ai foli me frymëzim
dhe dituri të thellë për mjekrën:
- Ky lesh
i fytyrës që quhet mjekër, që nga mjekra e Adamit, gjatë mijëvjeçarëve e deri
sot ka qënë objekt kulti, nderimi por edhe i krijimit të problemeve. Shumë prej
tyre i solli këtu zoti Shahiti. Do të përmend ndonjë që ai nuk e tha. Mjekra ka
qënë dhe është edhe objekt religjoz. Myslymanët betohen për mjekrën e
Pejgamberit ,kurse komunistët për mjekrën e Marksit. Të gjithë klerikët mbajnë
mjekër. Për mjekrën janë krijuar të shara nga më të çuditshmet, si fjala vjen
të dhj…. mjekrën. Mjekra është trajtuar edhe në folklor, fjala vjen kënga : “More
prift ,mjekër shtupë, as ma jep atë çupë”! Në rastin që po gjykohet, -përfundoi
ai,- mjekra është përdorur si mjet
qëllimkeq, pikënisje e mashtrimit publik, rrënimit ekonomik, përvetësimit të
pasurisë të të tjerëve, ngashnjimit të seksit të dobët dhe përhapjes së
shembullit të keq te të rinjtë.
Për
arsyet e mësipërme, e shpalli fajtor të pandehurin dhe kërkoi dënim me dy vjet burg dhe një
gjobë prej një milion lekë.
Kryetari
bëri edhe një pyetje të fundit:
-I
pandehur,e keni ushtruar këtë zeje në qytet tjetër,ë?
-Jo. Nuk
pata mundësi. Ka nja tre muaj që kam ardhur nga emigracioni. Ky ishte stacioni
i parë.
-Në cilin
vend keni qënë?
-Më mirë
më pyesni në cilin nuk kam qënë!
Pas
marrjes së zarfit, kjo përgjigje iu desh kryetarit për, të vërtetuar se i
pandehuri nuk ishte përsëritës.
Trupi
gjykues u tërhoq të merrte vendimin. U vonuan shumë, sa të pranishmit në pritje
humbën durimin dhe shpeshtuan brejtjen e farave të kumgullit dhe lulediellit.
Trupi gjykues nuk e kishte të lehtë. Krehën kodin penal, kërkuan dënimet, por
akuza për mashtrim apo përvetësim nuk vërtetohej, nuk kishte asnjë rast që ai
të ishte grindur, të kishte prishur qetsinë publike, nuk kishte armëmbajtje pa
leje. Në kërkesën e tij për dënim prokurori ja kish futur kot, si gjithmonë. Më
në fund zgjidhja u gjet.
-Çohuni
në këmbë! Trupi gjykues do të japë vendimin-njoftoi ftuesi i gjyqit.
Kryetari
i trupit gjykues, pasi bëri një shëtitje në nenet e shumta të Kodit Penal për padinë e palës ”Sindikata e Berberëve dhe
Parukiereve” kundër qytetarit të pandehur Mjekërzi Mjekërziu , dha vendimin:
-Qytetarit
Mjekërzi Mjekërziu, si dënim për trazirat psiqike dhe shqetsimet e krijuara,
t’i rruhet mjekra dhe t’i qethen flokët publikisht, të dëbohet nga qyteti dhe
t’i ndalohet për një afat pesëvjeçar rikthimi. Vendimi është i formës së prerë
dhe i paapelueshëm!
Pastaj,
si për ta vulosur vendimin, goditi me çekiçin e drunjtë pllakën dhe e
deklaroi seancën të mbyllur.
Zbatimi i
vendimit u bë të nesërmen në fushën sportive të lojrave me dorë, që ishte buzë
lumit. U ngrit një podium dhe mbi të Banushi, beriberi, kryetari i sindikatës,
vendosi fronin dhe pajisjet e tij, ndër to edhe një tabaka që gjindja të hidhte
ndonjë lek si darovë. Për berihaj dhe gallatë, u shkulën i madh e i vogël. Për
sehir kishte sosur edhe qeni i Lipe Kallajxhiut, që e shoqëronte korin me të
lehura. Me këtë rast, nga qyteti fqinj erdhi edhe një korrespondent dhe
kameraman për ta filmuar këtë ngjarje,
që do të bënte lajmin e ditës.
U gjet
edhe një orkestrinë popullore. Klarinetisti Belul Gërneta, do luante pjesën
“Berberi që rruan mbret’në”, ndërsa lamashët e qytetit kishin marrë legena
teneqeje, gjyma, kazanë e sahanë bakri dhe kishin formuar një orkestër më vete.
Mjekërziun
e prunë të shoqëruar dhe e ulën në fron. Banushi i hodhi mbi supe dhe përpara
çarçafët e bardhë. Ushtoi gërneta dhe orkestra nisi këngën aq të njohur”Berberi
që rruan Mbretin”, në krah tjetër ushtonte zallahia e legenëve dhe gjymave,
tringëllima e sahanëve që mbanin ritmin dhe kënga e repistit Reiz, që
përsëriste refrenin ”Berberi,berberi,berberi”. Jehona e zallahisë kthehej nga
shpati i kodrave dhe përhapej në tërë luginën.
Nën
ritmin e muzikës, një grup të rinjsh nisën një valle rrethore, duke e vënë në
mes berberin dhe “Mbretin”, ndërsa kameramani nuk linte t’i shpëtonte asnjë
detaj.
Banushi
nuk ngutej. E shihte sesi e ndiqnin qindra sy, por për të përmbushur hakmarrjen
e tij, donte të shijonte prerjen e çdo qimeje të mjekrës dhe çdo fije të
flokut. Kur i erdhi radha rruarjes së mjekrës, viktima ngriti dorën dhe vikati:
-Ndal mor
xhahil! Ke marrë urdhër të më rruash apo të më rjepish lëkurën?
Banushi
qëllimisht nuk ia zbuti mirë mjekrën me shkumë, që t’i dhimbte, por pas
protestës ia zbuti mirë e mirë me ujë të ngrohtë e me shkumë. Kur mbaroi, e
disinfektoi me livando, e pudrosi, i shkundi qimet me furçë, hoqi dhe shkundi
çarçafët dhe më tepër për forcë zakoni professional i tha:
-Meshëndet!-
megjithëse donte t’I thoshte plaç!
Mjekërziu
pa mjekër, ngjante fare kot, si gjel i shpupluar, i shfytyruar dhe koka i
kishte dalë si kungull. Në fytyrën lakuriqe spikasnin vetullat e trasha e të
zeza dhe dy sytë e zinj, që xixëllonin nga mllefi.
Dy policë
e shoqëruan deri te stacioni i autobusëve. Prapa i ndiqte turma e sehirxhinjve
që hidhte romuze, si të ndiqte një qen të tërbuar. E hipën në të parin autobus
që kaloi dhe e përcollën deri në qytetin fqinj.
* *
*
Mjekërziu
i pamjekër e i paflokë, iku që t’i rriste ato dhe të fillonte sërish gjuetinë.
Qyteti ra në qetësi e plogështi, me ëndrra të mërzitshme, vejusha Kristina u
trishtua për vetminë e saj, zuskat qanë me ngashërim, berberët dhe parukieret
iu kthyen punës dhe lumi që kishte vërshuar u kthye në shtratin e tij.
Si çdo
çudi, edhe kjo,ditën e katërt u harrua.
3
Nuk qe e
thënë, që qyteti të mbetej në qetësi për shumë kohë, të brente pa gajle farat e
lulediellit dhe të mbllaçiste çimçakiz. Një ngjarje tjetër tërhoqi vëmendjen e
të gjithëve, por kësaj here nuk ishte ndonjë i huaj, por një banor i respektuar
i atij qyteti: Safet Beqollari, ish drejtor I kantierit të sharrave, babai i
Banushit dhe i një familje të madhe, me
pesë djem, me nuse nipër e mbesa.
Safeti,
që kishte shkelur në të shtatëdhjetat, kishte kohë që kishte rënë në dëshpërim.
I mësuar të komandonte, tani s’e dëgjonin as fëmijët e tij. E ndjente veten pa
pushtet e pa fuqi. Katër djem ishin hedhur për të punuar në Greqi. Në shtëpi
kishte mbetur i madhi, por edhe ai si pemë pa kokrra. Nuset harbonin
frelëshuara dhe grindeshin. Ishin kail t’i jepnin flokët në dorë njera-tjetrës.
Shtëpia dhe prokopia kishin marrë tatëpjetën. Pak lekë. Varfëri e madhe.
Vuajtje e madhe.Mërzi e madhe. Eshtrat ia brente si qen reumatizma. Pas vdekjes
së të shoqes, të shkretës Merjeme, i kishte rënë atij barra për të ushqyer atë
familje të madhe. Djemtë nga kurbeti herë dërgonin ndonjë lek e herë jo.Banushi
me atë briskun e berberit mezi ushqente të tijët. E kishte kapluar mërzia dhe
atij i dukej se rronte kot, fare kot. Ditët gdhiheshin e ngryseshin njësoj, të
zymta e të mërzitshme, pa gëzim, pa një lajm të mirë, zi e më zi. Këtë ja
thoshte kujtdo që takohej:
-Ǒkemi Safet?
-Ç’të
kemi,ja gjallë, rroj kot,fare kot. Sa i
rëndoj tokës.
-Mos u
mërzit.Ka edhe më keq! Ruaj mentë e kokës. Lutu të lesh fëmijët prapa, që zoti
të mos të të lëndojë.
- Fjalë
goje. Si të mos mërzitem? Ndaj kësaj jete, vdekjen bjere tëhu. Pse jetë është
kjo? Më ka vënë midis dy mokrave dhe më bluan përditë. E shkreta grua, Merjemja
rahmet pastë, shpëtoi që u shua. Hallet dhe andrallat mi la mua. Edhe ajo nuk
duronte të jetonte kot! Zoti e dëgjoi dhe e mori!
Një natë,
teksa flinte, ende pa e zënë mirë gjumi, iu shfaq si nëpër mjegull një hije që
mori trajtë e formë njeriu. Ishte i lehtë, qëndronte pezull, në shpatulla
kishte dy krahë si të pëllumbit. Iu ul në anë të shtratit dhe i tha: “Mos u
tremb! Jam Xhibrili, ëngjëlli i Zotit që merr shpirtrat. Ti do të vdesësh. Zoti
do të dërgojë te të afërmit e tu që kanë ikur”.
Dhe pastaj iku, siç kishte
ardhur, i pështjellë në mjegullën e bardhë. Safeti, ujë në djersë e me të
gulçuar u zgjua. U ngrit dhe piu ujë, por nuk e mblodhi dot veten. Sado u
përpoq të flinte, sa e pikaste gjumi, shihte të njëjtën ëndërr.
Të
nesërmen, pasi piu kafen, thirri të birin
e madh, Banushin.
-Dëgjo
mor bir.
-Më thuaj
baba.
-Unë do
të vdes.
Banushi,
që u zu papandehur, u çudit nga pamja e tij. Fytyra I kishte ngrirë si maskë
dhe sytë të kallkanosur e me një ndriçim
të ftohtë akull, i ishin ngulur zbrazëtirës.
-Baba, ti
nuk je mirë. Njeriu nuk vdes se do vetë, vdes kur i vjen koha apo shkaku, por
nuk dihet as radha, as mosha as koha se kur. Je sëmurë nga streset, duhet të
shkosh te mjeku.
-Stresi i
leshit! Mbrëmë m’u shfaq ëngjëlli i Zotit, Xhibrili, disa herë dhe më tha se
unë jam shënjuar për të vdekur.
-Ti nuk
je as besimtar baba, si i beson një ëndrre? Leri tani këto dhe hajde zbresim
poshtë në qytet, të të jap një të rruar taze, të pish një kafe të fortë dhe
shko bëj një dorë letra me shokët.
-Ik,ti,ik
bir, se unë do mbodhisem ca. T’I thashë këto që të mos u vijë e papritur e të
gjendeni të papërgatitur. Dërgoju fjalë edhe vëllezërve në Greqi. Kurt ë shuhem,lajmëroni
fisin,miqësinë dhe shoqërinë që të më përcjellin. Dua të mi bëni të gjitha
nderet dhe të më përcillni siç më takon: Varrimin, të shtatat, të dyzetat, të
mos lini njeri pa kafe, pa raki , apo pa
ulur në drekën e mortit. Varrin do të ma bëni pranë nënës, të shkretës
Merjeme.- Zëri i dilte i shuar,i zvargur,si më të qarë, si të përcillte
xhenazen e tij. - Nuk dua mbi varr fjalime hipokrite: Vdis pa të të dua! Shahin
efendiu të më përcjellë me fjalën e shenjtë të Zotit! Bir i babës, bëjini këto
dhe do t’u le uratën, bekimin tim që të keni mbrothësi në jetë.
Kur iku i
biri, ai thirri nuset, nipërit dhe mbesat dhe u tha të njëjtat fjalë. Nipërit
dhe mbesat u tronditën, më të vegjlit edhe qanë. Nuseve nuk u pëlqeu hiç çereja
e vjerrit dhe thanë me vete se babaziu kishte shkalluar. Zot na ruaj nga mendtë
e kokës! Edhe kjo na duhej!
Kur
zbriti në qytet, mori udhën drejt xhamisë. Ishte e premte dhe besimtarët sapo
kishin falur vaktin. Hoxha, Shahin Efendiu, që nuk e kishte në radhën e
besimtarëve, u çudit nga vizita e tij e papritur.
-Zotri
Safet, mirë se të pruri Zoti në vakt të shënjtë të Xhumasë. Qoftë për mirë!
-Mirë se
të gjeta, Shahin efendi! Kam ardhur të më shkoqitësh një ëndërr të çuditshme që
kam parë mbrëmë. Nuk është ëndërr dosido nga ato që shohim rëndom.
-Pa ta
dëgjojmë!
-Në
gjumë, m’u shfaq Xhibrili si ëngjëll me krahë pëllumbi dhe më tha : ”Ti do të
vdesish dhe do të shkosh pranë të afërmve të tu që kanë ikur.”
-Ishe në
gjumë apo zgjuar?
-Nuk e
kuptova, por ishte si një përhumbje.
Shahin
efendiu u mendua, ndërkohë numëronte kokrrat e qelibarta të tespijeve dhe pas
një heshtjeje mistike, i tha:
-Kjo që
jetojmë, është bota e rreme dhe ne jemi mysafirë kalimtarë. Nga dheu jemi
ngjizur e te dheu do të kthehemi. E përjetshme është bota e përtejme. Vdekjen e
kemi borxh. Por ty që të është shfaqur Xhibrili, të janë hapur portat e
xhenetit. I lumi ti. Edhe Pejgamberit, që paqja e Zotit qoftë me të, Xhibrili i
zbriti Kuranin e madhërishëm. Që të kesh paqe në shpirt, falu dhe lutu, me
mëndjen te Zoti i tërëfuqishëm, mirëbërës
dhe mëshirues. U bëftë vullnrti i Tij!
Kur iku
nga Xhamia, Safetin këmbët e shpunë vetiu në varreza. Rojes, kur e pa, iu duk
se iu faneps një fantazmë. Ai shkoi te varri i së shoqes, i pastroi barërat, i
fshiu fotografinë dhe i foli i
mallëngjyer, me zë të ulët e të ngashëryer,
i tha që ta priste, se së shpejti
ai do të vinte aty pranë saj.Kur e mblodhi veten, i tha rojes së varrezës se e donte vendin e
varrit pranë së shoqes, të ndjerës Merjeme.
-Po ta le
amanet për së gjalli- dhe i zgjati një kartmonedhë me prerje të madhe.
-Ishalla
paç e dhënç përherë e për të mira. Ty t’u shtoftë ymri e qofsh jetëgjatë,
zotëri Safet, po vëndi yt aty do të jetë.
Kaluan
ditë, kaluan javë e muaj, por vdekja nuk po vinte. Në shtëpi mbyllej në dhomën
e tij dhe nuk donte që t’i fliste njeri. Kur rastiste që e pyesnin për gjësendi
ai u përgjigjej: ”Mua mos më vini në hesap,zermëni të vdekur”
Shahin
efendiu, u tha besimtarëve se Safet Beqollarin e kishte shënjuar vdekja. Ai
dukej se e kishte të shkruar në ballë, por ajo nuk do të ishte një vdekje
dosido, por e shenjtëruar, se e kishte paralajmëruar ëngjëlli i Zotit. Ky pohim
mori dhenë dhe kur Safeti delte në qytet, gjithmonë i vetmuar, askush nuk i
afrohej, askush nuk i fliste, e shihnin si të ishte një fantazmë, kishin për të
një nderim mistik, si për një njeri, që gëzonte
për së gjalli dashurinë dhe mëshirën e Zotit.
Safeti
priste vdekjen, por ajo nuk po dukej. Vdisnin të tjerë, që nuk e dëshironin.
Atëherë ai i dha karar t’i jepte vetë fund jetës. Për të vdekur se për të
vdekur! “Rroj kot,-mendonte ai,-mua më janë sosur ditët. Ç’bëri një më shumë
apo një më pak. Po iki me plot pengje, por nuk kam as moshë, as takat të ndreq
prapësitë e kësaj jete në këtë kohë të çmendur e të çuditëshme!” Pakësoi
ushqimin, nuk i hahej. U dobësua, sytë si të pajetë i hynë thellë në zgavra.
Nga ato, që i ndodheshin, hoqi mënjanë
aq shpenzime sa duheshin për varrimin, që të mos u bëhej barrë djemve. Shkoi te
noteri dhe bëri ndarjen e pasurisë: Shtëpinë dhe truallin e oborrit. Nuk deshi
që djemtë të haheshin si qentë për ndarjen e saj. Pas kësaj, u qetësua dhe
priste ëngjëllin e vdekjes, që të vinte
e t’i merrte shpirtin. Ai po vonohej.
Përditë
vdisnin njerëz. Shihte në televizor kronikat e zeza me lloj e lloj vrasjesh, e
vdekjesh që nuk t’i merrte mendja : me sëpatë, me vetëvarje, me armë, me helm,
shtypje nga makina, nga treni, mbytje në det ,liqene e lumenj, helmime nga
pickimi i gjarprit dhe merimangës së zezë. Hedhje nga kati i pestë apo nga
lartësia e vinçit. Shkaqet ishin nga më të ndryshmet: sherre për pronat,
xhelozi dhe tradhti bashkëshortore, për borxhe dhe grabitje, mërzi nga jeta e
padurueshme, apo ngaqë u kishte ikur fiqiri! Kishte ardhur koha të zgjidhte,
një vdekje të menjëhershme, pa vuajtje, pa mundim. Kështu i gjallë,si i vdekur
e i pakallur, po bëhej gazi I botës. Por si? Kë të pyeste? U kujtua. Ata kishin
një mik shtëpie, që kishte punuar në policinë kriminale. Ishte pensionist. Me
siguri ai do t’i jepte një mendim.
Miku, kur
e dëgjoi, megjithëse kërkesa iu duk e çuditshme, i tha se po t’i hiqte
shpenzimet e udhës, do shkonte në Tiranë dhe ta gjente në arkiva atë që i
kërkohej: ”Manualin e vrasjeve dhe të vetëvrasjeve”. Safeti pranoi dhe i dha
shpenzimet e rrugës. Priti me padurim sa ai të kthehej. Miku i dërgoj lajm se e
priste te biblioteka e qytetit. Atje nuk shkonte më njeri për të lexuar dhe
ishte fare qetë. Ashtu e bënë.
-Pa na
thuaj, çfarë gjete?
-Janë të
shumta dhe të ndryshme mënyrat sesi njeriu mund t’ia marrë shpirtin vetes. Kam
të regjistruara këtu në bllok mbi njëqind mënyra: Të lyhesh me benzinë dhe t’i
japësh flakën vetes; të varesh me litar në trarin e shtëpise apo në degën e një
peme; të shtrihesh mbi shinat e hekurudhës dhe të shkojë treni përsipër; me
plumb në gojë apo në ballë me revolver, apo kallash;duke u hedhur nga ura në
lumë; të vetëmbytesh në det apo liqen, duke gëlltitur thëngjij të ndezur; duke
kapërdirë xhama të shtypur apo gozhdë të vogla; helmim me fostoksinë apo
arsenik dhe bar miu, që gjenden me shumicë në farmacitë bujqësore; duke u
hedhur nga shkëmbi në greminë; me hedhje që nga ballkoni i katit të pestë; të
ngrish natën përjashta nga bora e akulli, apo të të shqyejnë ujqërit e uritur
në pyll; me thikë drejt e në zemër; të rrish prapa mushkës xanxare dhe të
marësh një shkelm në kokë, si Rexha; të presësh me sëpatë një ah apo lis dhe të
rrish ndën të, që të të shtypë, kur rrëzohet; të hidhesh nga aeroplani dhe të
mos hapësh parashutën(por kjo s’është për ty); të shtrihesh në vaskën e banjës
me ujë të ngrohtë,të presësh damarët dhe ta lesh gjakun të rrjedhë,është vdekje
e ngadaltë dhe pa dhimbje; në dhomë të mbyllur nga mangalli I qymyrit apo
bombola e gazit,vdekje e rehatshme……Ka plot të tjera, por mençuria është të
zgjedhësh vdekje të menjëhershme dhe të sigurtë, se shumë nga këto mënyra mund
të të lënë edhe sakat e pastaj të mbetesh në jatak pafundësisht!
-Mjaft se
na çudite,-i tha Safeti,- të mbaja për të mençur,por paske qenë fare
fyçkë,tuhaf dhe i lajthitur. E shoh që më paskan vajtur dëm pagesa dhe harxhet
e rrugës,- tha dhe u ngrit e iku i zhgënjyer dhe i zemëruar. Tjetër gjë priste.
Në kërkim
të mënyrës së vdekjes, që ende nuk po e gjente, ai vijoi të shetiste i vetmuar
dhe bariste i menduar anës lumit, por edhe
nëpër qytet, si t’i përkiste një bote tjetër. I hollë e i gjatë, me
borsalinën e zezë rrasur deri te veshët, pamje zbehtë, ai tërhiqte vëmendjen e
atyre, që e njihnin. Ata nuk kuptonin nëse para tyre ishte i gjalli apo
fantazma e tij. Që të siguroheshin e përshëndesnin: “Ç’kemi Safet?” Dhe merrnin
të njëjtën përgjigje: “Ç’të kemi, ja,rroj kot. Pres të më marrë vdekja!”
Banushi që e ndjente veten në zor të madh
e që po bëheshin gazi i botës, që babaj të mos bënte ndonjë të pabërë, i vuri prapa një nga djemtë e tij, që
i rrinte gjyshit prapa si hije.
* *
*
Mëngjesin
e të premtes, kalimtarët ndalnin këmbët te shpalljet në shtyllat e elektrikut
dhe te tabela e lajmërimeve të agjensisë funerale “Parajsa”, që bënin të ditur nga familja Beqollari
“Vdekjen e fort të dashurit, babait tonë Safet Beqollari, vjeç shtatëdhjetë.
Varrimi bëhet duke u nisur nga shtëpia në ora 17.oo.”
Më në
fund! Por si kishte vdekur? Fare papritur, duke ngrënë bukë me fiq e djathë, pa
nxjerrë zë. E gjetën përmbys mbi tryezë. Hëngri bukë e fiq dhe vdiq! Kështu e
dha lajmin edhe televizioni lokal dhe ato qendrore. Shahin Efendiu, që do të
përcillte të ndjerin për në banesën e fundit, u tha të pranishmve se ai kishte
patur një vdekje të lumnueshme, pasi fiku ishte pema e dashur nga zoti. Në
Kuranin e Shenjtë, në surenë “El Tinë”, Zoti betohej: “Pasha fikun, ullirin dhe
kuajt e shpejtë të Arabisë!” Ai kishte dhënë shpirt pa vuajtje, ditën e shenjtë
të Xhumasë. Me siguri shpirti i tij do të prehej në Xhenet.
4
Pas
stinës së të korrurave, i erdhi radha stinës elektorale dhe partitë politike u
turrën në fushatën e vjeljes së votave. Qyteti e hodhi tej plogështinë dhe u
gjallërua papritur. Nga kryeqyteti vërshuan drejtuesit e partive, të shoqatave
dhe agjitatorët me makina të reja, të bukura e të stolisura me stemat e
partive. Kafet dhe restaurantet u mbushën cit dhe leku po rridhte lumë.
Ballinat e ndërtesave dhe dyqaneve u mbushën me flamurë, me të gjithë ngjyrat e
ylberit: Blu,rozë,të kuq,të gjelbër,të verdhë, me shpallje e pllakate. Më vonë
u afishuan listat e zgjedhësve, ku mes të gjallëve ishin dhe ca të vdekur, ndër
ta edhe i ndjeri Safet Beqollari, që thirrej për të votuar nga bota tjetër.
Kishte shumë të regjistruar nga dy herë, numri I votuesve ishte më i madh se ai
i banorëve, por punë e madhe!
Banush
Beqollari vendosi t’i hynte politikës. Me briskun e berberit nuk jetohej. Nga
sa shihte ai, lopa e politikës, kishte qumësht për këdo, që dinte ta milte. Ai
u caktua kryetar rajonal i partisë “Shpresa e Shqipërisë”, që drejtohej nga i
riu i talentuar e me ambicje politike Bujar Toçi, që ishte pasuruar shumë nga
tregtia e “Miellit” dhe tani, pas pasurisë, synonte politikën, emrin dhe famën.
Për ta ndihmuar Banushin, erdhi nga qendra profesori i mirnjohur Asllan Bregu,
që i shkruante fjalimet. Drejtuesit lokalë të partive, i ranë shkurt takimeve
në qytet: Do të organizonin një takim elektoral të përbashkët , ku kandidatët
për deputetë të secilës forcë politike,
si në një garë, do të paraqisnin programin dhe platformën e tyre. Pas
ballafaqimit elektorati do të dëgjonte, do të pyeste dhe pastaj, sipas
pëlqimeve dhe bindjeve, le të vendoste me vullnet të lirë për kë do të
votonte.Kurse militantët do të brohorisnin e thërrisnin sa të ngjirreshin. U
tha, u bë!
Kandidatët
për deputetë, erdhen një ditë para dhe nga rrugë të ndryshme: I partisë së
“Kaltër”zbriti nga qielli. Helikopteri i vogël zukati si brumbull dhe u ul me
rrapëllimë në fushën e sportit, duke ngrituir një shtjellë të madhe pluhuri. E
pritën me brohoritje dhe lule. I partisë së “Gjelbër” kishte udhëtuar me mushkë nëpër malësi dhe zbriti i lodhur e i
dërrmuar. I “Krenarisë Kombëtare” udhëtoi me një furgon-frigorifer të mbushur
me pula të therura, dhuratë për përkrahësit e partisë. Kandidati I “Shpresës”
mbrriti me një makinë “Lançia” fringo të re, që xixëllonte. I partisë “Rozë” me
një autobus electoral, të nisur e stolisur me flamurë e banderola.
Pasi u
takuan me mbështetësit dhe hëngrën darkat e pasura, u kthyen për të bujtur në
hotel “Rex”. Ata, duke zbatuar parimin “Kundërshtarë, por vëllezër” bënë biseda
të këndshme. Hotelxhiu, tha se nata kishte kaluar fort e qetë. Aty ndaj të
gdhirë, njeri nga shoqëruesit, kishte zbritur poshtë dhe kishte marrë gjithë
akullin, që gjendej në frigorifer.
Drejtuesit
e seksioneve lokale të partive, që erdhën për t’u uruar mëngjesin
personaliteteve, u rehatuan në kolltuqet e hollit dhe rrufitën me nge kafet, që u shijuan shumë. I pari
zbriti shkallët Bujar Toçi, shend e verë, shpotitës e i shëndoshë si kokrra e mollës. Kandidatët
që zbritën pas tij, kishin në fytyrë e rreth syve ca blana mavi e bërdunglla, ndërsa kandidati i partisë së “Kaltër” kishte
fashuar dorën. Tha se kur ishte ngritur natën, se banja ishte në kat të parë,
ishte rrëzuar në shkallë, se ishte terr, nga që ishin prerë dritat, por kishin fjetur mire.
* *
*
Mitingu
do të mbahej jashtë, në natyrë, te çesma e “Dervish Rexhepit”, që hidhte ujë
nga tre sylinjarë, nën hijen e rrapit të madh, ku cicëronin qindra zogj, në
sheshin e blertë, që nxinte qindra njerëz. U vendos një tryezë e gjatë, e
mbuluar me beze, sipas ngjyrave të flamurëve të partive pjesëmarrëse. Dukej
sikur mbi të kishte rënë ylberi. Gjindja ishte ndarë tufa-tufa, sipas pëlqimeve dhe përkatësive
partiake. Militantët brohorisnin. Entusiazëm i madh, pritej gallatë, sehir
dhe një shfaqje, që qyteti kishte kohë
pa e parë. Gazetarët e gazetave të varura e të pavarura, gëlonin gjithandej të dalldisur, kamerat e
televizioneve s’pushonin së xhiruari këto pamje, që do t’i bëheshin të njohura
gjithë vendit. Për radhën se kush do të fliste, u hodh short. Të parit i qeshi
fati kandidatit të partisë së “Kaltër”. Kur ai u ngrit, përkrahësit shpërthyen
në duartrokitje dhe thirrje të forta, aq sa zogjtë u ngritën fluturim nga
kurora e rrapit dhe jehona u përcoll në luginë. Kandidati, politikan i regjur,
buzëqeshi, i përshëndeti me dorën e lidhur dhe priti që ata të qetësoheshin.
-Zonja
dhe zotrinj! Miq e dashamirë, qytetarë të nderuar! Jam shumë i prekur nga
pritja juaj, jashtëzakonisht i prekur nga besimi që keni treguar dhe tregoni
për forcën time politike, luftëtaren për demokracinë e vërtetë, që është partia
e qytetarit dhe për qytetarin. Votoni programin tonë, votoni për personin tim
pasi unë u premtoj, me fjalë nderi, por dhe ju siguroj se do t’i ndryshojmë
pamjen këtij vendi. Ashtu de! Ku e lamë? Ah po,te ndryshimet e mëdha. Ujë dhe drita,njëzet e katër orë në njëzet e
katër, dymbëdhjetë muaj në dymbëdhjetë!
Punë, mirëqënie, liri e demokraci për të tërë. Ashtu de. Hë,ku e lamë? Ah po,
te rrugët. Do ti shtrojmë e zgjerojmë, të varfërit do ti thonë def varfërisë .
Partia ime do vendosë rregull, rend e qetësi, do t’u pritet rruga banditizmit
dhe aventurierëve të kallëpit Mjekërziu. Fund grabitjeve dhe akteve të
dhunshme! Ashtu de.Ku e lamë, po te armët. Ne do t’i mbledhim armët, popullata
do ti dorzojë ato vullnetarisht, në mos ligji dhe vetëm ligji do të jetë I
pamëshirshëm.
Kur
folësi ishte duke thënë ato fjalë, dikush nga turma shkrehu një breshëri
automatiku, që ushtoi si rrufe në të kthjellët. Kandidati, me një shkathtësi të
çuditshme, hyri dhe u fsheh nën tryezë. Plasën të qeshurat dhe të
thirrurat: “Hya,hya”.U bë tollovi e
madhe,qeshnin me lot. Bujar Toçi e ndihmoi të delte nga nëntryeza. Ishte dyllë
i verdhë dhe dridhej.
-Mbaje
veten o trim. Këta i shkrehin armët për qejf e berihaj.
Një
përkrahës i partisë ” Shpresa e Shqipërisë” i tha Bujarit:
-Pa
shikoje, o Bujar se mos zotria është lagur, që t’i sjellim një palë ndrresa të
reja!
Folësi që
ende s’e kishte mbledhur veten, e konsideroi
atë një atentat komunist dhe kështu do t’ia raportonte edhe qendrës dhe
medias.
-E di se
kam ardhur në një miting elektoral- tha ai-Dhe jo në një poligon qitje. Nuk kam
sepse të vazhdoj më tej. Elektorati im e mori mesazhin!
Drejtuesi
i takimit i ftoi të bënin pyetje dhe diskutime për kandidatin e “Kaltër”.
-Me
leje?- tha duke u ngritur një tjetër, ishte Cufe Zavalli.
Me hapa
të ngadalta, duke zvarritur opingat e llastikta, çapiti drejt tryezës. Qëndroi ballas, pastaj mori një shishe ujë dhe e
rrëkëlleu ngadalë të gjithën.
-Të bëftë
mirë o Cufe! Tashti thuaje ç’farë ke për të thënë.
-Kaq.Thashë
ta provoja një herë këtë ujin e fabrikës, se nuk kasha pirë ndonjë herë.
-Si t’u
duk?
-I mirë,
po si me gjemba,të cimbiste gjuhën.-tha Cufja dhe shkoi u ul në vendin e tij.
Pas Cufes
u ngrit Lake Llullaja, çakër qejf dhe gjysmë i dehur.
-E kam
një pyetje, për atë bilbilin që ligjëroi. Sa për ujin, ne kemi me tepricë e të
mos qederoset. A ka mundësi, që bashkë me tubat e ujit të shtojë dhe një tub
tjetër, ku të rrjedhë rakija ballkazani, siç del nga llullaja, njëzet e katër
orë? Të ketë edhe një tub nga ku të rrjedhë qumështi për kalamanët! Po e bëri
këtë, hallall. Ka votën time dhe gjithë
pijetarëve të qytetit dhe krahinës. Sa për dritën, s’na prish punë se gota e
gjen buzën edhe në terr.
Plasën të
qeshurat. Kandidati mbeti në mëdyshje,po bëhej qesharak. E mblodhi veten dhe me
pamje të zëmëruar, iu drejtua turmës:
-Besoj që
zotria nuk u përfaqëson juve. Bashkë me rakinë ka pirë dhe mendjen. Ne s’kemi
të tepërt që t’i japim atij.
Përgjigja
erdhi flakë për flakë:
-Ta
gëzosh për jetë e mot,se me atë mendjen tënde unë s’vete dot as në hale. Më
mjafton e më tepron kjo që kam!
U ngrit
Sotiri. Kishte dhe ai një pyetje, që e mundonte prej kohësh. Priti sa ra
qetësia dhe pyeti:
-Dua të
di qëndrimin personal, por edhe të partisë së tij për ato bizbiqet dhe
dylberët.
I pyeturi
ngrit supat. Nuk kishte kuptuar përse bëhej fjalë.
-Bizbiqet-qartësoi
Sotiri- Janë ca çupa që nuk u pëlqen “rrushi”, por “petulla”. Dylberët thonë që
janë ata që shkojnë mashkull me mashkull, i quajnë edhe bytharë…Thonë që Evropi
u del krah dhe i do shumë, se gjoja kjo
bën pjesë te të drejtat dhe liritë e njeriut!
-E
kuptova. E ke fjalën për lezbiket dhe homoseksualët. Ky problem ende tek ne nuk
është shtruar për zgjidhje, pret. Pse, ju keni ndonjë problem këtu, në qytetin
tuaj?
-Kështu
sheshit, nuk kemi, se nuk guxojnë nga që ne do tu turrim qentë, por ku mund ta
dish! Thonë që në Tiranë kanë dalë sheshit.
I erdhi
radha partisë së “Krenarisë Kombëtare”. Ai kishte vënë në kokë një qylaf të
bardhë me një shqiponjë dykrenare. Sapo u bë gati të fliste, u dëgjua një këngë
këndezi, pastaj kakarisje e pulave dhe përsëri këndezi. Ishin hatërmbeturit, që
nga pulat e sjella nuk u ra në pjesë, sepse ato i morën vetëm simpatizantët e
asaj partie. Me gjithë ndërhyrjet, qetësia nuk u vendos, megjithatë, folësi
kokëfortë,i inatosur dhe i hakërryer, pasi lëshoi një lumë të sharash për
komunistët, lexoi ato që kishte të shkruara.
Edhe për
të pati një pyetje.
-Ç’farë
ndryshimi dhe ngjashmërie kishte midis dhelprave dhe partisë së “Krenarisë
Kombëtare? Pse i pëlqenin aq shumë pulat?
Në vend
të përgjigjes, ai mori një të sharë.
Kur po
fliste kandidati i partisë së gjelbër, për energjinë e bardhë,ngrohjen
globale,shkretëtizimin e vendit, mbrojtjen e pyjeve, të kafshëve dhe shpendëve
që po shfaroseshin, se nga erdhi një lukuni qensh, që ndiqnin një bushtër. Kur
dëgjuan zallahinë e gjindjes ata filluan të lehnin me të madhe e tërsëllimë. U
ngrit Bujar Toçi dhe u tha partizanëve të vet:
-Zbojini
këta dreq qen! Boll kemi këta zagarë këtu në tryezë, të cilët kanë një orë që
po lehin!
Të tjerët
protestuan, por Bujari tregoi grushtet dhe dhëmbët. Ata çuditërisht u tulatën.
Kujtuan goditjet që kishin marrë gjat natës.
Sfidanti
i parties”Rozë”,ndër të tjera tha: “Nga kaosi ne do të nxjerrim rregullin,nga
errësira dritën, nga varfëria pasurinë, nga padrejtësia drejtësinë, nga
papunësia punësimin, nga padituria diturinë….” Militantët që perkrahnin atë
parti ishin aq të shumtë , sa thirrjet me “Urra” dhe “Fitore,fitore” ishin aq
të forta, sa zëri i folësit nuk dëgjohej. Atëhere ai tha:”Volks popoli,volks
dei ” dhe u ul i lumturuar.
Më në
fund i erdhi radha e shumëpritur, kryetarit të “Shpresës së Shqipërisë”.
-Më
njihni mua?-pyeti ai.
Përgjigja
qe një” Pooo” e zgjatur dhe e fuqishme.
-Unë jam
biri juaj. Jam rritur në këta pyje dhe male. Që trembëdhjetë vjeç jam ndeshur
me ujkun dhe ariun,por asnjëherë nuk kam thënë se e kam shitur lëkurën e ariut
pa e vrarë atë. I shihni këta biçimër, që janë krah meje? Këta e shesin lëkurën
e ariut para se ta vrasin! S’janë gjë
tjetër veçse ca zagarë të vegjël, që lehin avazin, që u kanë mësuar sa herë padronët u hedhin ndonjë kockë. Janë
ca shkërdhata pa nder e burrëri. I shikoni si janë handakosur? Mbrëmë natën u rrahën e u grinë , sa mezi
arrita t’i ndaja. E si mund tu besoni këtyre me gjithë ato dëngla-mënglat për
liritë të drejtat,pronën, diellin,shiun, erën
e pordhi kali në derë të hanit? U gënjejnë, gënjejnë si derri. Ata nuk
përgjigjen për ato që thonë, se s’janë askushi! Unë nuk jam si ata. Jam kryetar
partie dhe bir i këtij vendi. Dëgjoni tani se çfarë do t’u them: Këto
ditë,bleva kantierin e sharrave dhe do ta ve në punë. Këtu,poshtë,në qytet do
të ngre depot e vjetërimit të drurit dhe fabrikën e mobiljeve. Do prodhoj për
nevojat e vendit dhe eksport. Kam gati një kontratë me një firmë angleze. Do
punësoj as më shumë e as më pak, por dyqind punëtorë. Do punësoheni e do ti
thoni def varfërisë. Ky jam unë, Bujar
Toçi,kryetar I partisë “Shpresa e Shqipërisë”, që sjell shpresë të vërtete për
qytetin tim. Votoni për mua, votoni partinë time se ajo është partia juaj.
Pati
brohoritje e duartrokitje të stuhishme. Bujar Toçin e ngritën, e hodhën dhe e pritën me hopa-hopa. Pas kësaj
mitingu u mbyll, por fushata do të vazhdonte deri në ditën e zgjedhjeve.
Partive të tjera u erdhën përforcime nga Tirana, agjitatorë të kualifikuar dhe
shumë material propogandistik. Ndërkohë ndodhi e pangjara: Shtabit elektoral të
“Partisë së kaltër”’ i zuri pritë një bandë me maska. U morën makinat dhe u
shkrehën një batare plumbash mbi kokë. I urdhëruan, që po ta donin kokën, të
zhdukeshin një orë e më parë andej nga kishin ardhur. Pas denoncimit, panë
ç’panë, u kthyen në Tiranë dhe Bujar Toçi mbeti
thuajse pa rivalë, sepse ata të partisë “Rozë” i kishte aleatë.
Bujar
Toçi, që e ndihmonte Banush Beqollari, ua hodhi të gjithëve. Dy javë para
zgjedhjeve, në qytet u vunë afishe me lajmërime për t’u punësuar në kantierin e
sharrave dhe ndërtimin e fabrikës së mobiljeve. Në një fushëtirë në të dalë të
qytetit, buldozerët filluan të dystonin sheshin e ndërtimit. U ngrit një barake
si fillim kantieri dhe topografët nisën piketimin e kontureve të veprës së re.
Ata që u
regjistruan morën një paradhënie. Ky po,që ishte kandidat për të qenë.
Zgjedhjet,
u zhvilluan të qeta. Pati në mbrëmje ca kuti të thyera, shkëmbime grushtesh e
të sharash, ca zarfe që ua dhanë nën tryezë komisionerëve, por këto ishin gjëra
pa rëndësi. Zgjedhjet ishin një hap para, të lira,transparente e të ndershme.
Zgjedhjet i fitoi partia e re “Shpresa e Shqipërisë”. Vonë në mbrëmje, kur u bë
i njohur rezultati ,rruga u mbush me makina, me flamurë dhe ushtima e
borive, që s’kishin pushim. Birra u
derdh lumë.
* *
*
Kaluan
ditë, kaloi muaji. Për fillimin e punës dhe punimeve në kantier, askush nuk po bëhej i gjallë.
Thoshin se deputeti nuk kishte gjetur financimet e nevojshme, por Banush
Beqollari i mbante me shpresë. Prit e prit dhe ata e humbën durimin. Ditën që
Bujar Toçi po mbante në Kuvendin e Shqipërisë një fjalim të rëndësishëm, të
revoltuarit që e kuptuan se i kishin mashtruar, shkuan në kantjer dhe i vunë
zjarrin barrakes. Askush nuk i ndaloj. U dogjën ca bishta veglash dhe ca
karroca dore. Në vend të barrakes mbeti një grusht thëngjijsh e hiri. Në
njoftimin e shtypit u tha se të lënduar
nuk pati. Aq e pati dhe ajo protestë.
5
Qyteti,
që e kishte kujtesën të shkurtër, kur e pa se edhe pas zgjedhjeve asgjë e re
nuk po ndodhte, ra sërish në plogështinë dhe përgjumjen e ditëve të nxehta. Në
fillim të shtatorit, deputeti Toçi u shfaq me një shpurë përcjellsish të
zhurmshëm dhe si era me shi i ra tejembanë rrethit të tij elektoral. Hodhi
poshtë thashethemnajën për falimentimin financiar dhe deklaroi se projektet që
kishte premtuar, do ti bënte realitet. Burri burrë dhe fjala fjalë! Kaq
mjaftonte për të rifituar besimin e humbur.
Si fitues
i zgjedhjeve, i takonte të ndante plaçkën. Të parin takoi Banush Beqollarin.
Biseda u bë me gotën e uiskit përpara. Sallonin e berberit, do t’a kthenin në
zyrë dhe seli të partisë. Për këtë Banushit do t’i jepej një qera mujore, që
ishte më e madhe se fitimet. Për ndihmesën personale dhe përkushtimin e rrëfyer
për fitoren e zgjedhjeve, Banushi ishte emëruar drejtor i “Entit Rajonal të
Pasurive Natyrore dhe Mjedisit.
- Mos më
thuaj që nuk e bën dot! Nuk janë më të mirë nga ti ata që u bënë ministra! Ke
diplomë ti Banush?
-Jo.
Vetëm maturën e gjimnazit të natës.
- Shko
dhe blije atë paçavure diplomë, që t’u mbyllim gojën llapaqenve. Nga puna do të
fillosh menjëherë. Entin do ta kthesh në çerdhe të partisë. Pushoi të gjithë
ata që janë në punë. Pa mëdyshje, pa keqardhje, pa mëshirë! Merr të rinj e të
reja anëtarë të partisë. Detyra e tyre parësore është forcimi, fuqizimi dhe
shpërndarja e partisë deri në cepin me të largët. Punët e tjera janë sa për sy
e faqe! E more vesh? Për t’u hedhur hi syve njerëzisë, bëji pranimet me
konkurs. Do fitojnë vetëm ata që do ti. Të tjerëve bëju nga ato pyetje, që nuk
i di as vetë, sa të mos dinë nga të
venë. Kështu birçe.
-Mirë,por
do të kemi llafe!
-Mos e ça
trapin nga llafet. Ç’do çudi tre ditë e ka,të katërtën harrohet. Kur isha
ekonomist në kantierin e sharrave,e di si më thoshte i ndjeri babai yt,Safeti?
”Këtij mileti bëji nënën që të të thotë baba!”
* *
*
Enti
ishte i vendosur në një vilë të tipit alpin në të dalë të qytetit,në një
çeltirë mbi të cilën fillonte pylli i lisave. Zyrat ishin gjysmë të plaçkitura,
por ngrehina mbahej mirë. Paraqitjen e drejtorit të ri para personelit, e bëri
Zv/prefekti, që sapo ishte emëruar. Si pa dëshirë tha pak fjalë.
Heshtje,habi,pastaj një urim pa zemër e nëpër dhëmbë, që Banushit nuk i
shpëtoi. Banushi doli me të për një
kafe. Kur u kthye, pa që nëpunsit hynë nëpër zyra dhe ra një heshtje e
shurdhër. Atij ju kujtua e thëna : “Kur hyn macja në shtëpi, minjtë fshihen
vrimave.” Banushi e mori në dorëzim zyrën e drejtorit pa proces-verbal. Në
kasafortë s’kishte asgjë, ndërsa në rafte ishin ca dosje të verdhëreme , të
pluhurosura dhe ca shishe pijesh të boshatisura. Tryeza e rëndë, me dru
gështenje, ishte vendosur pranë dritares dhe kryq me të gjendej një tryezë e
gjate dhe ca karrige druri të sakatuara dhe anash murit, një divan i rjepur.
Banushi i pakënaqur, u ul në krye të vendit. Puna e parë do të caktonte shefin
e administratës dhe do të shpallte konkurimin për vendet e punës. Dy vende
kërkonin profesionistë: Inxhinieri i pyjeve dhe ai i gjeologjise. Ju kujtua
Ymer Pelivani, inxhinieri i pyjeve që kishte punuar në kantierin e sharrave me
të ndjerin baba. Vërtet ishte i hurit dhe litarit, por besonte se punët e
partisë do t’i bënte mirë. Për pasuritë minerale,do të mbante gjeologun, që
ishte në prag të pensionit. Ai as ngrohte, as ftohte. Ishte i bindur dhe nuk i
prishte punë.
Banushi
la të kuptohej se do të bëhej një reformë e thellë administrative dhe dha
porosi që të vendosej në qytet një afishe për vendet e punës. Personelin e zunë ethet. Konkuruesit
duhej të paraqisnin dosjet personale. Nuk kaloi veçse pak kohë dhe vërshuan
kërkesat, Tryeza e punës u mbush me një pirg dosjesh dhe u shpall data e
konkursit. Oborri u mbush me të rinj e të reja, me burra dhe gra, që kishin
ardhur të provonin aftësitë dhe fatin. Banushi porositi Ymerin që të përgatiste
një paketë pyetjesh për testim, me pyetje të vështira, nga ato që edhe mund të
mos i dinte vetë.
Të parën
thirri Sofien, shefen e administratës në detyrë. Grua në moshë,si e tharë në
tym, e veshur me të zeza, nga që i kishte vdekur i shoqi, Nga tërë qënia e saj
pikonte pikëllim, mërzi e trishtim. Dukej shumë e vrarë nga jeta.
-Sofie,
ke qënë komuniste?
-Ashtu
ishte koha, si për mua si për babanë tënd,të ndjerin Safet.
Banushit
i dogji përgjigja.
-Po këta
që ikën, si të mbajtën në punë?
-Djemtë
hynë në partinë e tyre. Edhe unë hoqa dorë nga
partia socialiste.
-Sofie,
babai im u qëndroi besnik pikpamjeve të tij dhe nuk e drodhi si ti.
-Po të
dëshironi, unë antarësohem edhe në partinë tuaj. Pluralizmi na lejon të
zgjedhim.
-Nuk kemi
vend për ata që ndërrojnë njëqind flamurë. Më dukesh shumë e lodhur. Ka ardhur
koha të çlodhesh. Kam vendosur të dalësh në asistencë. Më duhen njerëz të rinj.
-Por,zoti
Banush, edhe për shtatë muaj unë dal në pension. Mos ma bëni këtë.
-S’ka
por. Kjo bisedë mbyllet me kaq. Shko! Ke nevojë
të çlodhesh. Ditën e mirë Sofie.
Thirri
Sandrin. Ai hyri në zyrë , hapi krahët dhe u turr të përqafonte Banushin:
-Banush
Beqollari,mor artist, të polli gjeli!
Banushi
nuk u ngrit nga vendi, u mvrejt dhe i
preu vrullin. Pastaj i foli rëndë -rëndë:
-Sandri!
Të kam thirrur që, po ta ka qejfi, të jesh shef i administratës. Veç dëgjomë
mirë dhe vere vath në vesh: Që sot e tutje, në këtë zyrë s’ka më miqësi. Unë
për ty jam zoti Banush, drejtori, kurse ti për mua je Aleksandri, shefi i
administratës. Kështu sot e mot! U kuptuam?
-Si
urdhëron, zoti Drejtor!
-Para se
të fillosh nga puna, dua të me përgjigjesh disa pyetjeve që vënë në provë
mençurinë tënde. E para,sa bëjnë tre edhe dy?
-Po tallesh
me mua? Këtë e di edhe një fëmijë. Pesë bëjnë
-Nuk e
gjete. Përgjigja do të ishte: Sa e doni ju
zoti drejtor?
-E dyta,
a gabon drejtori?
-Epo,njeri
është edhe drejtori,edhe gabon.
-Nuk e
gjete. Përgjigja duhet të ishte: Drejtori ,nuk gabon. Ai gjithmonë ka të
drejtë!
-Pa hidh
një sy në oborr! Çfarë sheh?
-Plot
pisllëqe dhe një makinë fuoristradë ngjyrë të përhime.
-E kujt
është ajo makinë?
-E entit
për nevojat e shërbimit.
-Edhe
këtë s’e gjete. Makina është e drejtorit. Në ndenjësen e saj nuk duhet të ulet
tjetër bythë! Ti nuk e kapërceve testin e zgjuarsisë,por nga pyetjet i more
vesh detyrat e tua. Tani ikë dhe fillo nga puna. E para, më bëj gati makinën. Nesër e dua në punë!
Sandri u
çudit. Ky nuk ishte Banushi, berberi ku rruhej e qethej. Pa shiko se ç’bën
karrikia! Në koridor u këmbye me Dianën, vajzën e noterit, të nisur e stolisur.
Kishte ardhur edhe ajo të kërkonte fatin e saj.
Kur hyri
Diana, Banushi nuk e dha veten nga bukuria e saj verbuese, por nuk mundi të
përmbante një buzqeshje, që i erdhi vetiu se brendshmi. Zyra që binte era myk u
ermirua nga parfumi i saj delikat e femëror. E gjatë, bjonde me sy të kaltër si
pika uji, minifundi i linte t’i dukeshin këmbët e bukura, ndërsa poshtë
dekoltesë së hapur të bluzës së trëndafiltë,
dukeshin gjinjtë si të mermetë . Kur u ul në divan dhe po hidhte këmbën
mbi këmbë, iu dukën breçkat e kuqe. Banushit iu tha gryka dhe i shkuan mornica.
Kur e pa se drejtori s’ua shqiste sytë gjokseve, në vënd që ta ngrinte bluzën,
e uli edhe më posht dhe i dhuroi një buzëqeshje nga ato që të rrëzojnë vdekur
për tokë! Kjo pikë femre e fitonte konkursin edhe pa pyetje. Ai nuk kish ndër
mend ta linte t’i fluturonte kjo zoçkë. Do ta mbante në paradhomën e zyrës. I
bëri ca pyetje sa për të shkuar radhën: Për arsimin, a dinte të punonte në
kompjuter etj. Ajo u përgjegj me zë nazik e melodioz, duke buzëqeshur tërë
hijeshi , se do të bënte gjithçka që ai do t’i kërkonte!
-Po
gjuhët e huaja? Se në entin tonë do të na vijnë edhe të huaj.
-Italishten
e thaj,anglishten e qaj. Kam edhe dokumentat, por po të dyshojë, zoti drejtor mund ta provojë.
Banushi,
që u zu ngusht nga dinakëria e saj,i tha se s’ishte nevoja. E besonte.
-Mirë,zonjush
Diana. Nesër do të fillosh nga puna në paradhomë si sekretarja ime. Bëji të
fala babait.
Diana
lozonjare e falnderoi dhe para se të
delte, qëndroi te dera gjysmë e hapur, dhe e vështroi me atë buzëqeshjen
rrezëllitëse. Iku dhe la pas vetes amzën e saj tepër femërore. Banushi frymoi
thellë. Bukuria ishte çelsi, që i hapte të gjitha dyert. Lumë kush e kishte!
Erdhën të
tjerë, që konkuronin për vendet e inspektorëve të mjedisit,të pyjeve dhe
minierave. Banushi thirri në komision për kompetencë edhe të dy inxhinierët, që
bënin pyetje teknike, administrative dhe ligjore. Kur Banushit nuk i pëlqente kandidati,
bente pyetje nga ato të listës, për të
provuar zgjuarsinë: Kur bie shi, breshër,
borë dhe pse? Nga mbushet dhe nga hahet hëna dhe sa ditë duhen që ajo të
jetë e plotë? Pse dielli është gjithmonë
i zjarrtë? Pse maces së egër në pyll i ndrijnë sytë natën? Si kthehen në orë e
në masë shprehjet popullore : “Një vrap pele” dhe “Një hosten diell? Ç’farë
ndodh të nesërmen kur horizonti në perëndim është i kuq? Ç’është ajo kafshë, që
ngado shkon e ka shtëpinë me vete? Sa herë në vit pjell lepurushja dhe sa të
vegjël pjell në çdo lindje? Si dallohet lisi nga dushku, pisha nga rrobulli dhe
arneni? Ata që pyeteshin, të zënë në befasi, përgjigjeshin si mundnin, por thoshin se edhe nuk e dinin përgjigjen.
Më në
fund, intervistimet mbaruan. Banushi mori listën dhe me ngjyrë blu nënvizoi ata që do të merrte në punë,
anëtarë të rekomanduar dhe aktivistë të partisë “Shpresa e Shqipërisë” dhe me
të kuqe, ata që nuk “kishin fituar”. Diana bëri listën dhe e vari në stendën e shpalljeve në koridorin e
katit të parë.
Që të mos
dëgjonte ankesat dhe të sharat e atyre, që iknin apo që nuk kishin fituar,
shkoi për disa dit në Tiranë, që t’i raportonte deputetit Bujar Toçi për punën
e mirë që kishte bërë. Drejtori i ri ishte i kënaqur: Kishte një karrike
drejtori, një makinë fuoristradë dhe një
vashë të bukur në paradhomë, që premtonte shumë. Mbeteshin paratë,por edhe ato
do të vinin me projektet dhe tenderat.
* *
*
Kaluan
muaj. Qyteti sërish përjetonte qetsinë dhe përgjumjen e tij. Koha rridhte
bashkë me ujët e lumit dhe derdhej në detin e harresës. Punët në ”Entin Rajonal
të Pasurive Natyrore dhe Mjedisit” shkonin si jo më mire. Personeli i ri u
tregua në lartësinë e detyrës: Në pyje sëpata, sharra dhe zjarret bënin
kërrdinë, galeritë e minierave po shëmbeshin, mali i plehrave sa vinte rritej
dhe nga djegia e tyre qytetarëve u zihej fryma. Ato që tepronin i merrte lumi
dhe i përcillte në det.
Në
raportin vjetor të dikasterit të varësisë, Banush Beqollari përmendej si
drejtues shembullor dhe mori shpërblim
në fundviti dy rroga mujore.
Partia
“Shpresa e Shqipërisë” u fuqizua dhe u bë forca e parë politike në rreth.
Thoshin se Banush Beqollari, në zgjedhjet e ardhëshme, do të ishte kandidati
për deputet, ndërsa Bujar Toçi priste që të merrte një portofol ministri në
kabinetin, që pritej të zgjerohej.
Kështu u
mbyll ai vit,por jo çudirat, që vazhduan edhe pas tij.
Tiranë,1997-2013