Kulturë
Poezi nga Qazim Shehu
E merkure, 23.01.2013, 08:44 PM
QAZIM SHEHU
ADEM JASHARIT
Prej Teje duket se vjen çdo gjë,
Vjen dielli, ndërrohet ditënata,
Ecin lumenjtë atje ku ishin gjithnjë,
Në marrëveshje me shtërngatën.
Gurët e palatuar të padurimit tënd,
Ngrihen në një kështjellë ajri,
Dhe fijet e barit si mjekër legjendash,
Afrojnë pamje të zjarrta.
Tani Ti s`je më, kjo s`na ka mpakur,
Guximin që na dhe një ditë,
Të afruar si mjellmë e përgjakur,
Si nisje për theroritë.
Por Ti je në këtë Rrafsh,
Përmasat e të cilit janë tek Ti,
Drita jote sa herë bie errësirë,
Ndizet me një kumt të ri.
Për të na kujtuar fytyrën Tënde,
Imazhin e trëndafiltë,
Kosovën si strrall i përkundur,
Në duart e stuhisë.
Për të na kujtuar kur s`kishim ditur,
Që Ti ishe me ne,
Si ajri që përditë thithim,
Si psherëtimat përvëluse,
Të Lirisë mbi dhe…
LARTËSITË
Lartësitë e mbjella nga një gojë,
Mbesin të synuara nga një peng,
Si kokrra e qershisë që nuk e hamë,
Brishtësi luleje në gjemb.
Lartësitë gjithnjë na i afrojnë,
Me një tym besimi këndellës,
Moralistët që i shenjtërojmë,
Kryetarë qofshin, apo udhëheqës.
Dhe shpejt ndërrojmë grafikët e shpirtit,
Shkallët e ëndrrave,
Duhmat e aromave të idhta,
Dhe patjetër,
Bagazhet e brengave.
Sepse duhen kapur lartësitë,
Ato duhen blerë me çdo çmim,
Në mos një rrëpirë,
Një kodër me erë.
Ose: në humnerë…
INDE KUJTIMESH
Si një kordë që mbillet në ngjyrë,
Po vjen vjeshta,
Hukamën e ngrohtë të mbrëmjeve verore,
Thjeshton
Në ngjyra më të thjeshta.
Sa bëj të zë një mall të përflakur,
Në një ind kujtimi pa kthim,
Ia beh shtërngata si Spartaku,
Duke tundur shpatën me vringëllim.
Tani mullarët një nga një,
Më përafrojnë një pikëllim,
Diçka si peng,
Diçka si dëshirim.
Për çka më iku në verë,
E s`munda ta kap në përqafim,
Kjo vjeshtë ma fshikullon me erë,
Me këngë e vajtim.
Për çka? Ajo turfullon paprerë,
Në zemërimin sendërtues,
Në mbrëmjet e gjata me erë,
Imazhit të pyjeve si rebus…
GJARPËRINJTË
Kam dashur gjithnjë të më kujtoni,
Të trishtën që shëtit pa u penguar,
Në zemër të plazmës së pasionit,
Ku ngjizet vezë e helmit turbulluar.
Po ju aq helm nuk keni,
Sa i duhet qytetërimit modern,
Të tërbuar nga kjo, në ferra fishkëlleni,
Melodi ironike plot helm..
MESDITË
Mesditë, orë shtatzanë e mëngjesit,
Përhumbur dalldisjes së tepërt,
Duke mbledhur padashur mbetjet,
E brengave.
Për t`i hedhur në kosh të mbrëmjes,
Në freskun e mesnatës, sigurisht,
Kur mëngjesi tjetër si të reja,
I stolis…
LUMEJ TË VENDLINDJES
Lumej të vendlindjes vrapojnë,
Duke përcjellë kohën,
Me një hënë misterioze gjithnjë,
Që u rri përmbi.
Dikur rridhja bashkë me to,
Drejt të panjohurit mall,
Shelgjet si kitarë e verbër,
Tundnin flokët e gjatë.
Dhe rrapat me gjethet në ijë,
Me freskun e tyre gazmonin,
Kur lumenjtë shfrynin plagë malesh,
Dëshira të vrara bleronin.
Ata më ndoqën pas,
Si fashë drite në kurth,
Ujërat fluturuese në gaz,
Shkrinin floririn e diellit në fushë.
Dhe s`mund t`u shpëtoj as sot,
Përndjekjes së tyre mallore,
Folezave të ëmbla të heshtjes,
Valës si kunadhe qumështore.
Kur sytë më panë ujëra të tjera,
Në udhë të botës së paanë,
Po ato lumenj mbeten të përhershëm,
Se ç`kanë lumejtë e vendlindjes, se ç`kanë…
HYRJE E BEFTË
Si zog i gabuar nga stuhia,
Ti hyre në klubin tonë,
Vajzë e bukur me flokë të stërpikur,
Nga vesa e rrallë në Tiranë.
Po ç`deshe tek të murrmit përralltarë,
Në tym duhani si kapele,
Kur u zgjua duke të parë,
Si të kapur pas një brenge.
Si zog i gabuar në vështrime të gabuara,
Bën të shkurtosh kohën e trishtë,
Në vështrime si vorbulla të trishtuara,
Apo si pellgje të pistë.
Si shenjën e rrahjes që gruaja s`e heq,
Për të hequr vështrimet duhet kohë,
Si njolla që s`tretet krejt,
E në u tretë dikush ta thotë…
YLBERI
Me një hark të stërmadh u shfaq ai,
Duke fshehur nisjen në ardhje,
Mbështeti mbi lumë buzët e tij,
Sikur donte t`i pinte plagët.
Ylberi…
PËRNDJEKJE
Lauresha doli prej këngës e hyri,
Në qiellin e gabuar të ëndrrës,
Zogu magjepës rendi për një kumt,
Të dhembjes.
Tani e shikoj si ikën dhe shket,
Ndjekur pas nga mendimi im,
Të gjejë nga ndjekja e nxehtë,
Qetësim…
MBËRRITJE
Mund të arrija tek ti nëse kohë pas kohe,
Do kisha kuptuar piketat e rrugës që s`u bë,
Tani i terrosur më dhemb mosmbërritja,
E cila s`dihet si do qe po të mos ishe ti.
Ti e mbërritur nga lumturia e përskuqur,
Nga dielli i përkujdesjes së mbërdhirë,
Se mendjen tek tjetri gjithnjë pate,
I cili duke të braktisur të pati mbërrirë…
BARI
Bari i krijoi legjionet e pafundme,
Dhe u rreshtua në pranverë,
Herë duke sulmuar drejt ujërave,
Mbi shkëmbej si mjekër cjapi në erë.
Mori aromën e diellit vesën e pasmesnatës,
Ngjyrat e shpresës mbi supe,
Dhe u nis në betejën e gjatë,
Të pushtojë kthinat e shpirtit të humbur.