Kulturë
Baki Ymeri: Frymëmarrje poetike shqiptare
E diele, 20.01.2013, 08:57 PM
FRYMËMARRJE POETIKE SHQIPTARE
(Apo: Rrënjët e
krenarisë shqiptare nën kurorën e Diellit)
Nga Baki Ymeri
Duke u
nisur nga realiteti se patrimoni i pasur letrar duhet njohur, kurse shkrimtarët
që kontribuojnë në krijimin e tij duhet të vijnë gjithnjë e më shpesh në
mjedisin e lexuesve, po vazhdojmë serinë e takimeve me krijuesit tanë të sotëm,
duke e përmbushur kështusoj një nga atributet më të rëndësishme, atë të
promovimit të shkrimtarëve, për të nxjerrë në evidencë personalitete që
meritojnë të njihen me dashamirët e panumërt të letërsisë. Të rastis shpesh
kohëve të fundit të lexosh libra, kryesisht me poezi, ku forca e fjalës
shprehëse/emocionale e autorëve depërton brenda teje, dhe ti si lexues, dehshëm
tërhiqesh nga tematika e zgjedhur, nga trajtimi me profesionalizëm i temës, nga
magjia e figuracionit artistik, thekson Flutura Dervishi në një shkrim të saj.
I këtillë na duket edhe libri i Ali M. Lajçit (Merrja pak etje, Prishtinë,
2012), që frymëmerr me etjen shqiptare për kulturë, kur, “Në pip të pipëtimës
së lisit/ i klorofilti gjeth/ luan me puhinë/ duke u puthur me diellin.”
Kosova ka
krijues të mrekullueshëm, të cilët nëqoftëse nuk kanë vlera të larta letrare si
pasojë e moshës, kanë moral, dinjitet, integritet dhe karakter. Por ç’të bëjmë
me “karakterin” e njërit prej tyre (anëtar i LSHK), që ia ka zhvatur 1.700 euro
një krijuesi nga diaspora duke e lënë me gishtin në gojë, pa ia botuar librin,
apo duke ia botuar shkel/e/shko nja 3-4 ekzemplarë pa kurrfarë kriteriumesh?
Ali M. Laçi ka vlera dhe ka karakter. Në vargjet e tij defilojnë netët
kosovare, biografia e Atdheut, etja e fjalëve dhe rrënjët e krenarisë shqiptare
nën kurorën e Diellit. Janë frymëmarrje të mirëfillta poetike që tingëllojnë
për hijeshi edhe në gjuhë të huaja. Fjala e tij ka forcë, vargu ka frymëmarrje,
dhe mendimi ka peshë. “Me frymë rebele/ kemi rrënuar sarajet prej kashte/
kolonë pas kolone vinin/ sjellësit e absurdit/ babai ia kishte vu gjoksin
bjeshkës.”
Figuracioni
artistik dhe optimizmi i autorit meriton të respektohet. Edhepse Kosova gjëmon
nga varfëria më keq se në kohën e Titos, me do pensione shkrimtarësh prej 80
eurosh, autori i kësaj vepre ta përkujton qëndresën, durimin dhe shëndetin
mendor të indianëve me 500 milionë të varfër. “Me hapa rebel/ kemi marrë në sy
rrugët/ edhe ta thyenim qafën/ në akullin mbi Tokën Kosovë.”. Mençuria të
ndihmon të jetosh edhe kur të mungon çdo gjë. Herëpashere, ajo ndërlidhet me
vrrullin e shqiptarit për mbijetesë, shpresa dhe imagjinatë. E cituam më lart
dhe meriton ta ricitojmë këtë diskurs poetik, konform sintagmës latine
“Repetitio est matere studiorum”: “Babai ia kishte vu gjoksin bjeshkës/ nëna ia
kishte vu Hënës/ shaminë e shapuar mbi kokë// Unë i numëroja kolonat/ që vinin
njëra pas tjetrës/ duke menduar në forcën time/ n’ rrënimin e absurdit të tyre/
babai ia kishte vu gjoksin bjeshkës!”
Mençuria ta edukon stabilitetin emocional dhe ta përforcon
personalitetin. Para nesh faniten bjeshkët dhe netët e Kosovës me frymëzim
muzash, kur: “Zëri e zemra u bënë kitarë/ Këngë u bë Frymëzimi im// Rrënjët e
këngës të thella janë/ Nga gjethi marrin frymë Kosove.”
Poezia është perandoria e shpirtit
Ali M.
Laçin e kemi njohur nëpërmjet Skënder R. Hoxhës, emri i të cilit tashmë është i
njohur para opinionit të një vendi ku njeriu lind poet. Stabiliteti emocional e
zgjat jetën më shumë se terapitë e shtrenjta. Terapia e fjalëve të Lajçit është
e mirëseardhur për çdo kend dhe çdo kund. Fama ndryshket po qe se nuk e farkon
me punë për çdo ditë. Vetëm i integruar në idealet e tij, njeriu mund të
shijojë ujin e gjallë të pavdekësisë. Për autorin e këtij libri, poezia është
identitet, përmbajtje e formë, eksponim i humanitetit, vizion i inkorporimit të
vlerave personale në univers. Kombin e bëjnë poetët dhe Atdheu të cilit i
mungojnë poetët, i mungon bukuria, ndërsa popullit të atij Atdheu i mungon
dhembja. Kështu shprehen veteranët e lirikës shqiptare, ndërsa ne kemi të
drejtë ta konsiderojmë edhe Ali M. Lajçin veteran i fjalës, dëshmitar i
heshtjes dhe veteran i dhembjes. “Heshtja u lind dhunshëm n’ baltishtë / Frymë
kishte, zë vetëm lumi Drin// Frymëzime, Tokëjona po digjet flakë/ Timbër
nostalgjik Ylli mbi Adriatik”.
Sipas Hegelit, “objekti që i
korrespondon poezisë, është perandoria e pakufishme e shpirtit”, fakt sipas të
cilit poezia ka qenë dhe ende është “mësuesja universale, gjithmonë dhe
gjithandej prezente e gjeniut njerëzor”. Për dikend tjetër, “poezia, në të
vërtetë është diçka hyjnore” (Shelley), ndërsa sipas Novalis, poezia është
“heroina e filozofisë”, duke e ngritur kështusoj në “rangun e principeve”, për
të konkluzionuar përfundimisht si një poet i vërtetë, se “Filozofia është
teoria e poezisë, edhepse ajo nuk na demonstron se poezia është gjithçka”.
Është apo s’është “gjithçka”, kjo mbetet për t’u parë, sepse bota pa poezi
shëmbëllen me një luftë pa heronj, me një dasmë pa dasmorë, apo me një xhami pa
mëkatarë. Pse? Sepse kisha është e shenjtë dhe mbetet e shenjtë, edhepse në të
hyjnë shumë mëkatarë, por mu për këtë është krijuar, që mëkatarët që hyjnë
atje, të bëjnë antena për komunikim me Zotin. E këtillë na duket edhe poezia,
kënga e shpirtit dhe mirëqenie shpirtërore, një komunikim hyjnor mes tokës dhe
qiellit. “Kosova sot ka zogj/ si në epikën e saj”, shkruan autori dhe shton me
fjalë të tjera se poeti është zog, dhe se zogut i ndihet zëri larg, “Duke
derdhur anatemën/ Nga amfora e fjalës.”
Krahasimi
i poetit me një qenie që fluturon, imagjinata e bujshme dhe figurat stilistike
e bëjnë të veten: ”Ai tha për poetin/ Lum nëna që e rriti bilbilin.// Poeti
tha: Lum populli/ Që gjirit të vet nxori trimin.// E kështu vetja pas tjetrit/
Vjen me zogjtë e njerëzisë.” Edhepse mbetet edhe shumë për të shkruar,
përfundimisht mund të themi se Ali M. Laçi (pronar i një poezie specifike),
është një ëndërrimtar në brigjet e përjetësisë, falë talentit të tij krijues,
përkushtimit, indvidualitetit dhe rrugës kreative në universin letrar shqiptar.