E shtune, 26.07.2025, 06:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Sefaj: Poezi e një ironie të sofistikuar

E diele, 20.01.2013, 04:32 PM


Poezi e një ironie të sofistikuar

Nga Ilir Sefaj

Viti 1990 dhe ngjarjet që do të zhvillohen në të dhe vitet që pasojnë pas tij përgjatë dekadës së fundit të shek. XX, do të jenë të ngulitura thellë në memorien e njeriut tonë. Arsyet janë të shumta...Pas një periudhe pothuajse gjysmëshekullore nën diktaturë, populli shqiptar po fillonte të ndjente shkëndijat e para të një lirie të ëndërruar me vite, po fillonte të ushqente shpresat për ditë të mira, ditë këto që sipas intuitës së tyre do të vinin së bashku me demokracinë e shumëpritur.

Gjithsesi, çdo prurje e re, çdo tentativë për të vepruar dhe për t’u dukur ndryshe në raport me të shkuarën, rëndom shoqërohet me ngjarje e situata paradoksale, kësaj të vërtete historike të dëshmuar jo rrallë dhe të mbështetur në shumë shembuj konkret sigurisht se nuk do të mund t’i shpëtojë as edhe njeriu ynë, i cili i gjendur përballë situatash të reja të panjohura më parë për të, shpeshherë vihet në situata komike, e jo më rrallë tragjikomike por edhe kontradiktore.

Andaj është evidente se këto e rrethana të ngjashme do të bëhen frymëzim për poet, shkrimtarë dhe artistë të interesimeve dhe të profileve të ndryshme. Domosdo se kjo gjendje e cila di të jetë edhe e neveritshme nuk pati se si të mos ngjallë kërshërinë edhe të poetit nga Devolli, Dritëro Agollit, i cili qysh në fillim të karrierës së tij si shkrimtar kërkonte një poezi “më konkrete, më tokësore, më realiste”. Pra, poeti do t’i qëndrojë besnik këtij konstatimi edhe tani kur kërkohet të vihet në pah situata e re e krijuar në periudhën e tranzicionit e cila u shoqërua me kontradikta nga më të ndryshmet.

Kjo periudhë paradoksale e mbushur me lloj-lloj paragjykimesh e mistifikimesh është pasqyruar mjaft bukur në poezinë O vend im me çudira, ku përmes një ironie thumbuese e tejet të sofistikuar, poeti ka dhënë njeriun tipik shqiptar, botën e tij shpirtërore, kapacitetin e intelektit dhe imazhin e tij, fotografinë e pastër të këtij njeriu në periudhën e tranzicionit:

 

O vend im i bekuar – blu xhinsa dhe gunë,

Në trup kushtetutën, në mendje kanunë.

 

O vend i bekuar me Miss-Albania,

Me gotën me viski, me kokën me thërria.

 

O vend i bekuar, copëtuar në dy copa,

Me dele tek sërbi, me lesh nga Evropa...

 

Në këtë poezi ku shquhet figura e kontrastit, dhe në të cilën në masë të konsiderueshme dominon një dozë e theksuar e humorit të zi, janë vënë përballë njëra-tjetrës dy realitetet shqiptare, dy mentalitete kontradiktore që vinë si rezultat i rrethanave nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit XX, ku reflektohet periudha më se gjysmëshekullore e mbajtjes së shqiptarëve në një kuti shkrepësesh ( nëse parafrazojmë romanin Jetë në një kuti shkrepësesh të Fatos Kongolit) në kohën e diktaturës komuniste dhe periudha e tranzicionit e cila rëndom shoqërohet me mospërputhje idesh e mentalitetesh, karakteristikë e së cilës është mosbalancimi.

Zëri autentik i Agollit është përherë aty ku e kërkon koha dhe nevoja, poezia e tij karakteristikë e së cilës është thjeshtësia, në të shumtën lind spontanisht ashtu në ecje, duke soditur natyrën, ngase siç edhe thotë poeti me fjalorin e tij gjithnjë konkret e të drejtpërdrejt: “poezia e madhe nuk shkruhet me këmbë në legen” për të vazhduar se “motivet janë vajza lozonjare të cilave duhet shkuar pas” përndryshe “ato të lë për fare, të lënë, fluturojnë!”. Ky poet, si asnjë tjetër para tij, ka arritura që me mjaft sukses ta zotërojë artin e vështirë të të bërit vargje të lehta (Bualoi), por sigurisht se këto vargje janë krasitur me mjaft kujdes në laboratorin e poetit tonë dhe vetëm pas një punë të mundimshme e cila shoqërohet jo rrallë edhe me net pa gjumë, kanë arritur të plasohen në nivelin të cilit edhe i takojnë.

 

Vargje që thumbojnë situata, por që nuk banalizojnë ide!

 

Agolli është ndër ata poet që gjithnjë ka fotografuar pamje reale të një mjedisi konkret, ai ka dhënë me ngjyrat e saja të vërteta; përsiatjet, mentalitetin, botën shpirtërore të njeriut tonë në kohë e hapësira të ndryshme. Agolli me penën e tij ka shpalosur në kontinuitet idetë e vizionet e njeriut tonë përgjatë ekzistencës së tij si komb, andaj ky krijues jo rastësisht është quajtur poet i Tokës, ngase në veprat e tij parakalojnë një galeri e tërë personazhesh e situatash që lidhen me njeriun dhe tokën e poetit.

Ky krijues shquhet për humorin e tij karakteristik të mbushur me plot situata komike, por jo rrallë ky humor është më së paku humor nëse trajtohet si i tillë, ngase poeti shpeshherë ka ditur të jetë më i sinqerti kur lexuesit i është drejtuar pikërisht përmes humorit.

Agolli ka ditur që shpeshherë të thumbojë situata përmes vargut të tij, megjithatë mision i vargut të tij, i artit të tij në përgjithësi nuk ka qenë asnjëherë banalizimi i ideve, qofshin ato objektivisht të realizueshme ose krejtësisht utopike. Në poezinë Fushë- Kosovë poeti ka dhënë artistikisht paaftësinë e klasës politike të kohës, për të bërë diçka konkrete për vendin, pra politikës utopiste “paqësore” e pasive i kundërvihet me një ton të theksuar ironie:

 

Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova,

Unë e çliroja i pari, mua lavdia më ndriste të parit

 

***

T’i qeshte Kosovës vetëm nga vjershat liria dhe fati,

Unë do e bëja me vargjet kërdinë e hatanë...

 

Fjalimeve bombastike të mbushura përplot idealizma nga të cilat rëndom nuk pritet asgjë konkrete, autori i kundërvihet përmes vargut të tij, andaj poeti kërkon punë e angazhime e jo fjalime boshe, ngase liria dhe e drejta e kujtdo nuk fitohet vetëm duke idealizuar, por duke vepruar e punuar konkretisht.

Poezia Fushë-Kosovë dhe një cikël i tërë vjershash kushtuar Kosovës gjenden brenda kopertinave të librit Vjen njeriu i çuditshëm”. Është interesante se si poeti vjershat kushtuar Kosovës dhe njeriut të saj e nis pikërisht me poezinë Fushë – Kosovë, kjo ndodh, meqë përmes kësaj poezie direkt ose tërthorazi vihet në pah tallja e poetit me besëtytnitë mitike të fqinjit tonë Serbisë e cila këtë toponim e konsideron si tokë të shenjtë serbe, përderisa dokumentet e kohës flasin krejtësisht të kundërtën.

U tha edhe më lart se Agolli është poet i cili me vëmendje të posaçme ka përcjellë në kontinuitet rrjedhën e ngjarjeve historike në hapësirën shqiptare, dhe me penën e tij ka dhënë artistikisht bindjet e tij në raport me ecejaket e njeriut tonë në kohë e rrethana të ndryshme. Si do qoftë, sikurse edhe shumë poetë të tjerë të letërsisë sonë, as edhe ky krijues nuk i ka shpëtuar krijimit të poezisë e cila në dijet teorike njihet si poezi e rastit, të cilën do komentuar në raport me kontekstin dhe faktikisht kjo qasje sigurisht se përfaqëson vetëm një mënyrë leximi. Të tillë pra, të rastit, mbase do e konsideronim poezinë Pikëllimi i Ismail Qemalit ku poeti në njërën ose tjetrën mënyrë përligj veprimet vandale të grupeve të caktuara të cilat e patën vënë buzë gremine Shqipërinë edhe ashtu të lodhur nga diktatura komuniste.

Pra, përmes figurës historike të Ismail Qemalit, poeti ironizon “dhunën” që ushtronte pushteti ndaj “kryengritësve vlonjatë të cilët ishin ngritur kundër padrejtësive shoqërore për një demokraci të drejtë” dhe kjo “dhunë” sikur pikëllon plakun mjekërbardhë të Vlorës:

 

Ecën plak i Vlorës nëpër hënë

Zverdhur mjekra, zverdhur vrer këmisha:

“Djemtë e mi ç’mëkat të keq të bënë,

Ç’ke me djemtë e mi, Sali Berisha”

 

Përmes këtyre vargjeve të cilat në raste të caktuara mund të perceptohen edhe si alegorike, poeti si qenie e brishtë që është, vetëdijshëm ose pa të vihet në mbrojte ”të të çmendurit”, ani pse në kohën kur “Shqipëria ishte çmendur” (lajtmotiv ky në poezinë e Agollit) ishte krejtësisht utopike përpjekja për glorifikimin e njërit dhe përjashtimin e tjetrit.

Në vitin e rëndë 1997 Shqipëria dhe populli i saj përjetonte ditët më të vështira që nga lufta e Dytë Botërore. Në këtë situatë anarkie ku çdo gjë kishte marrë tatëpjetën ku jetohej sot për nesër si i thonë asaj fjalës, poeti rri zgjuar, mediton, kësaj herë jo duke udhëtuar, por i topitur e i lodhur nga marrëzitë e njeriut të tij dhe në Fletorkën e mesnatës zbraz tërë atë mllef që ishte mbledhur në shpirtin e tij. Andaj jo rastësisht thuhet se poeti është “vetëdije e zgjuar” e një kombi. Është kjo koha kur më shumë se asnjëherë tjetër njeriut tonë, i përshtatej dilema hamletiane “të rrosh a të mos rrosh”:

 

Sot veç për sot po jetojmë, or vëlla,

Nesër ç’do ndodhë as e dimë!

Duhet të marr dhe për nervat diçka,

Sillem dhe s’gjej farmacinë.

 

Agolli është ndër ata poet që ironizon dhe denoncon pa ekuivokë veprimet e shthurura të njeriut tonë, ai me penën e tij vë në pah artistikisht të metat e këtij njeriu, ai bisedon njëjtë e pa tendencë, herë-herë dhimbshëm e herë-herë krenarë si me vetën ashtu edhe me aleatet dhe kundërshtarët e së mirës dhe humanitetit.

Shqipëria e ’97-ës në memorien e njeriut tonë kujtohet si një periudhë tejet e rëndë dhe e vështirë, pasojat e së cilës populli shqiptar i vuajti dhe vazhdon t’i vuajë edhe sot e kësaj dite, ajo ishte kohë hutimi e përhumbjeje:

 

Mbrëmjeve mendjen duke vrarë

Miku im më thotë:

“S’e marr vesh kush  është i marrë

Ne, a zuzka botë?

 

Përmes këtyre vargjeve autori përqesh veprimet e marra të njeriut tonë dhe njëkohësisht ironizon qëndrimin krejtësisht indiferent të Botës Zuskë, (zuskë- e përdalë) e cila vetëm vëzhgon dhe i bën sehir këtij oguri përballë së cilës gjendej njeriu ynë.

Gjithsesi, Agolli është poet që lavdëron e godet hapur (shih Dalan Shapllo për Llazar Siliqin), dhe ky fakt sikur përligj epitetet që i janë dhënë këtij kolosi të letërsisë shqiptare.

Përfundimisht, kur kihet parasysh se arti poetik i Agollit dhe jo vetëm, shquhet për frazeologjinë e pasur, të mbrujtur me terme nga gjuha e popullit, pra gjuha e komunikimit është e thjeshtë dhe pa komplikime për lexuesin (i cili e percepton njëjtë dhe drejtë mesazhin që plason autori përmes vargut të tij), qoftë edhe nëse ky lexues është krejtësisht semantik, pastaj kur janë evidente shprehja e pasur gjuhësore dhe mesazhet universale që përçon vargu i tij, epiteti i Poetit të Tokës dedikuar këtij autori nuk është i rastësishëm, sikurse nuk do të ishte i rastësishëm edhe epiteti, Poet i Poetëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx