E marte, 06.05.2025, 02:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Balad? p?r let?rsin? shqipe

E shtune, 19.01.2013, 09:48 AM


BALADË PËR LETËRSINË SHQIPE

Nga Qazim Shehu

Me shokun tim Tonin Ndrec Perkali, gjithnje ndjehem ne pragun e një ngjarje të re.Sa herë e takoj , kam ndjesinë se diçka do dalë jashtë rutinës që ndodh kur  gjendem me njerëz të cilët s`më thonë ndonjë të re, ose më përgojojnë thash e theme tavolinash mbledhur me një kujdes të tepëruar, ashtu siç mbledhin pastrueset e bashkisë gjethet e vjeshtës. Me një kujdes tëvrushulluar që rritet nga rrjedha e takimit e cila merr tutje çaste të volitshme ose jo, ai më tregon takime, biseda mbi qeveritare, dëshmorë e heronj të harruar, destinacione të ditura të të paudhëve, e të gjitha këto i mbështjell brenda mllefit të vet, çka e sendërton një turrje pothuajse instiktive drejt diçkaje madhështore dhe të përkorë.Më ka marrë malli për të ,ndërsa ndodhem para bibliotekës kombëtare, ku kalojnë njerëz të rëndësishëm, poetë, shkrimtarë, historianë, herë grupe grupe e herë veç e veç.Të gjithë të mëdhenj e të rëndësishëm, të gatshëm të presin çdo lëvdatë  me delikatesën e artistëve të përvuajtur në një mallëngjim delirant, po kurrë ata nuk japin ndonjë vlerësim, sepse  në Tiranë poetët nuk i lexojnë prozatorët dhe e kundërta, madje shkrimtarët në përgjithësi nuk e lexojnë njëri tjetrin , ndonëse në përurime librash flasin për njëri tjetrin  sikur të ishin lexuesit më të thekur. Kjo shihet edhe në reçensat që bëjnë, ku fjalët e përgjithshme dhe epitetet gëlojnë me tepri.Ç`të bëjsh, ky është dubëlstandarti i dhimbshëm i krijuesit të së bukurës dhe i servirjes së saj para lexuesit që është arratisur në botën virtuale të internetit. Jam i mbushur me këto mendime sfilitëse kur  para meje shfaqet përkthyesi i frëngjishtes, poeti i plakur që ka shkruar një mal me libra ,Ndue Gjingjoni. Më duhet ta falenderoj për një libër të përkthyer ,një libër jastëku , leximi i disahershëm i të cilit më dha një kënaqësi të jashtëzakonshme.  Ia shpreh konsideratën time gjithë mirësi, sepse e meriton.Veç Ndue Gjingjoni  me modesti ma kthen se s`ka bërë asgjë, veç një vërë në ujë, në këtë kohë abrashe, akush nuk e ka mendjen nga letërsia, madje ajo shihet si bezdi dhe shkrimtarët si të rrjedhur. Sot më tepër kanë vlerë koncertet festive, festivalet e miseve, fjalët e politikanëve, reklamat e sallamit dhe debatet televizive ku analistët bëhen specialistë kaq të rëndësishëm  sa njerëzit turren pas ndonjë libri të tyre sikur në libra të tillë të gjenin kuptimin e botës pas njëqind vitesh.Dua t`i them se letërsia e mirë nuk e zotëron çastin  aq sa duhet ta zotërojë, sepse zemreku i kohës së saj lëviz ngadalë në qiej të padukshëm të një përjetësie  të pakuptueshme.Por, ndjej në fjalët e tij një keqardhje të thellë, frushull ankthi që vjen nga bota e një njeriu të ditur, që ndoshta librin e tij e ka botuar me kacidhet e fundit të pensionit të vet.Kur papritur vjen Tonini,i cili duke shtrirë krahun e vet energjik, e rrok në një përqafim Nduen duke iu rrëmbushur gjithë krenari e zjarr:-O sa mirë që të takova, o i madh, sa kohë u bënë pa u parë, për ju kam shkruar një baladë të mrekullueshme, të cilën do ta botoj dhe ke për të parë se do marrë namë..Përkthyesi ngriti kokën dhe e vështroi me dashamirësi Toninin, po befas u murrëtye. –Baladë, kur e paske shkruar?-Qe, besa burrit, para dy orësh të kam pasë ndërmend, do ta lexojsh?-Ore zotëri, mos pandeh që unë kam vdekur që shkruan baladë për mua, ose ma mire, prit të vdes një herë dhe pastaj shkruaj balada sa të duash…-tha Ndue Gjingjoni dhe iku me nxitim i fyer..Nuk më pëlqeu ikja e tij, po më vonë e gjykova  se ai pati të drejtë.Tonini pyeti:Kush ështëky?Ia thashë emrin.-Iha…ç`qenkam marru, pse nuk është poeti Nikë Përleka ky?-Jo, i thashë, është përkthyesi Ndue Gjingjoni…-Tani, jam i dënuar, tha Tonini, ku e do kafen…-Ç`kafeflamosura, thashë-më mbeti peng që iku ashtu, e kam mik.Po Tonini më tërhoqi krahun me vërtik ,pa denjur të bindet  në një çast vetreflektues për nxitimin e tij pa takt.Kaluam në anën tjetër të rrugës,dhe po merrnim tutje në këmbë.Tonini si gjithnjë flet për projektet e veta, për shkrimet nëpër gazeta që trondisin botën, për baladat e veta të famshme, ai nuk është si shkrimtari Sefer Lefteri i cili deklaroka se paska shkruar tetëdhjetë drama  duke ia kaluar edhe Isenit, dhe kurrë s`kishte shkruar një baladë.Dhe aty për aty e thur një kinse baladë:Sefer Lefteri mizë mbi dhe,/ti baladat ku i ke/ asnjë s`shkruan për be,/se je pupël nëpër re…” I them se Sefer Lefteri vërtet nuk shkruan balada , po dramat e tij kanë bërë namin, siç kishte deklaruar një kritik i njohur, dramat e Sefer Lefteri kishin bërë një kthesë rrënjësore në fushën e dramatikës, ndonëse ishin   të panjohura për lexuesin.-Ku i ka dramat-, thërret, i- ka në kokën e vet, ose i sheh në ëndërrr, Isenin se kanë arritur burra ma të mirë……-Jo Isenit, them unë, po Ibsenit…--Ibsen thashë, asht ai dramaturgu danez, po, kuptohet, desha të të ngatërroj -  ma ktheu..Nuk mund ta zgjasja më këtë trill të tij, sepse vrulli i fjalëve  po t`i ftohej nga arsyetimi, nuk do e kishte atë poetikë çliruese.Veç më duhet ta rikëshilloj edhe pse këtë vrull e pëlqej:-Mos e pastro kaq shumë gurmazin e zërit- i them prapë pa e zgjatur  në përgjigjen e tij, nuk bën ,jemi në ambient publik, në rrugë, ti je baladist, njerëzit më mirë duhet të lexojnë se të dëgjojnë…Tonini nuk do t`ia dijë për këshillat e mia dhe sikur të mos na dilte para poeti Aleks Kuka, ai do ta ngrinte edhe më shkundullimën e zërit , po, për çudi, e uli atë aq përfundësisht sikur poeti Aleks të mos ishte poet, po xhandar i Zogut.Poeti Aleks ishte  një njeri serioz dhe kurrë nuk e lëshonte fjalën në pluhur për të ngritur re tymi të kota.Nuk e kuptova nga i erdh kjo ndalesë vrulli Toninit, i cili në çastet e marrisë frymëzuese shfrynte gjithë delir sikur bota ,kohrat të kalonin me indiferencë para baladave të tij dhe s`i vinte re. .Aleksi dukej gjysmë i pirë, kjo shihej nga një përskuqje e lehtë e mollzave dhe nga një shkrumb i lehtë në cep të buzëve.E njihja mirë dhe ishte vërtet një poet i dëgjuar në kohën e tij, rezistent në kohën e sotme.Ndue Gjingjoni ia kishte përkthyer një tufë poezi në frëngjisht, të cilat qenë botuar në një revistë prestigjoze franceze.Kisha një respekt të paluhatur ndaj tij, përveç faktit që pinte dhe kishte punuar në një revistë të atëkohshme që mua s`më kish pëlqyer ndonjëherë.Po këto s`kishin rëndësi, rëndësi kishte fakti, që ai ishte një autoritet i poezisë.Kohët e fundit merrej me studimin e poezisë së Martin Camajt  duke u bërë një camist i spikatur në korin e camistëve të tjerë.Nga veshja kishte mbetur i varfër,si çdo poet i mirë që nuk e përfill pasurinë, sepse poetëve të vërtetë u mjafton lavdia dhe përjetësia.Ai pasi na pyeti çfarë kishim shkruar, a po botonim ndonjë gjë të hajrit, na zgjati dorën, po Tonini nguli këmbë:-Jo, pa e pirë një kafe prej meje nuk ban me ikë, aty, të lexoj edhe baladën që kam shkruar për ty…Poeti Aleks nënqeshi, dhe unë kujtova se do i kthente përgjigjen e Ndue Gjingjonit, po ai nuk e bëri këtë, siç dukej ai e njihte prej kohësh Toninin.Pranoi me një shqetësim të lehtë dhe u kthye mbrapsht.Gjetëm një lokal të përshtatshëm u ulëm në një tavolinë dhe Tonini thirrri kamarierin.-Bjeri, mikut tim një dopio dhe një kafe, tha duke u drejtuar nga Aleksi, ndërsa ne të dyve po ashtu.Kujtova se do bënte gabim po ai nuk shkelte në dërrasë të kalbur.Ishte një sprovues i madh i tavolinës dhe rregullave të burrnisë.E, sa mirë që të takova, ç`qe ky kësmet, mërmëriste Tonini, sa më ke ndihmuar dikur. Unë bija shkrime nga provinca dhe ky burrë m`i botonte, eh, hallall m`i paç gjithë ato balada…Aleksi buzëqeshte, e thoshte se në jetën e tij nuk kishte njohur njeri më korrekt se Tonini, ai kishte ndihmuar shumë njerëz, po burrë si Tonini s`kishte.Aleksi e thau dopion e parë ndërsa unë me Toninin e kishim shpikur gjer më gjysmë.Erdhi dopio e dytë dhe një meze e sajuar , nuk më kujtohet tani.Unë refuzova çdo lloj pije. Alkolin kisha kohë që e pija me masë.-Por ti Tonin ke vuajtur atëhere tmerrësisht nga çensorët, nga letrat anonime, e ku ta di unë, megjithatë unë nuk merrja parasysh asgjë.Sepse sot botojnë, shkruajnë, silazh e krrunde e gazetat e shtëpitë botuese botojnë..Po atëhere s`kish mundësi, ato ishin të pakta dhe kontrolli i rreptë…Shikoja fytyrën e tij që ishte skuqur plotësisht, rakia ia terratiste trurin dhe fjalët i nxirrte me një ndërprerje solemne, çka e sjell vet vrulli dehës i rakisë që vërshon nëpër damarë.-Balada ti s`ke shkruar atëhere, po fejtone, poezi satirike…I shkruaja, eh, ishte e vështirë t`i botoje.-Balada ka shkruar Gëte, po të tuat janë me të vërtetë origjinale.Nuk e kuptova përqasjen pa lidhje të Aleksit.Bëra një tentativë kuptuese po atë e ndërpreu dopio e tretë.Mezeja u freskua.-Ndërsa satira jote vjen pas Çajupit dhe Fishtës…Tentativa shuhej  dhimbshëm në fundin e një mundësie të paktë arsyetuese….-Unë mund të them se thumbi i satirës sate i ka shpuar gjithnjë të paaftët në egon e mosrealizimit….Dukej sikur poeti Aleks mezi e kishte pritur këtë çast për të thurur këtë tiradë ku lavdia e tavolinës është më e madhja lavdi në botë.-Falemnderit, mërmëriste Tonini,shokët të lartësojnë,shokët të hijeshojnë.Jo, jo ti duhet të më dëgjosh mua, mos kujto se të tjerët shkruajnë ndonjë gjë të madhe, ngrije kokën lart për këtë.Edhe Kadare këtë kohë po bluan po me misrin e dikurshëm.Pija i kishte mbyllur Aleksit çdo cak kthjelltësie-Ti je poet dhe baladat e tua po shkëlqejnë, përkthyesi Ndue Gjingjoni për turp ta ketë që nuk i përkthen ato në frëngjisht, sa për vete, unë do t`i përkthej në rusisht… Vija re Toninin, lëvdatat e Aleksit e kishin çakorduar, një valë kënaqësie ia kishte skuqur veshët si lafshë gjeli.Nëse të lavdëronte poeti Aleks kjo duhej besuar, sepse ai ishte një nga emrat e mirë të poezisë, ndërsa unë po mendoja se në çfarë loje donte ta fuste Toninin,e nuk e kuptoja pse ai duhej ta shpërdoronte kaq shumë gjykimin e tij. Rjedha e tavolinës nuk më linte ta vazhdoja më tutje arsyetimin tim.Dopio e katër u vu para poetit Aleks Kuka, i cili në ato çaste kishte ngritur zërin në një panegjirizëm triumfues , ai po e tralliste fantazinë e vet për të gjetur mundësi krahasimesh  në pika të larta referimi, për baladistin e famshëm Tonin Ndrec Perkalin, por ndoshta i lodhur në këtë stërmundim që ia jepte pija dhe mirënjohja, ai preferoi ta zeronte veten para tij, për të lartësuar baladistin e famshëm.-Tonin, thirri ai me të madhe,ti je poet, unë nuk jam poet, unë , ne ,jemi zero para teje…Për t`u treguar modest, Tonini ia kthente:-Shoket të lartësojnë…, shokët të hijeshojnë.Por edhe për ta bërë të vërtetë pohimin ai shtonte fjalën falem nderit, ndërsa unë  sërish fillova të vrisja mendjen se ç`nevojë kishte poeti Aleks që ishte dikush , të fliste me një superlativë kaq të pamerituar, por këtu u këput fija e arsyetimit sepse erdhën tri dopio të freskëta…Kur mbaroi gjithçka, Tonini më kërkoi disa para borxh ,sepse shuma kishte shkuar goxha dhe kamarieri ndoshta qe ngatërruar rrugës….Më vonë i thashë se çfarë duhej ai shpenzim i kotë,aq më tepër që poeti Aleks ishte i pirë dhe  gjithçka shkonte kot, po Tonini ma ktheu:-Poeti Aleks është i vetmi që më vlerëson, jo si mendjemadhi Ndue…Ti ke për të parë se çfarë do t`i punoj atij dramaturgut spurdhjak që shkruan se ka krijuar tetëdhjetë drama, ai nuk e di që unë kam shkruar tetëqind balada, e për këtë s`e thotë një gjysmë fjale…Ndërsa poeti Aleks është çfarë burri që s`e ban nana. Sa herë ta takoj ai meriton një kafe të fortë…Pas një kohe lexova në gazetë një shkrim të poetit Aleks Kuka për baladistin e famshëm  ,me një titull domethënës :”Tonin Ndrec Perkali , Fishta i kohëve moderne…”I shkreti, Tonin , mendova, sa para borxh mund të ketë marrrë dhe menjëherë më dogji xhepi im për paratë e pakthyera, por gjeta një farë ngushëllimi, sepse edhe vetë kisha pirë atë ditë…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx