BALADË PËR LETËRSINË SHQIPE
Nga Qazim Shehu
Me shokun
tim Tonin Ndrec Perkali, gjithnje ndjehem ne pragun e një ngjarje të re.Sa herë
e takoj , kam ndjesinë se diçka do dalë jashtë rutinës që ndodh kur gjendem me njerëz të cilët s`më thonë ndonjë
të re, ose më përgojojnë thash e theme tavolinash mbledhur me një kujdes të
tepëruar, ashtu siç mbledhin pastrueset e bashkisë gjethet e vjeshtës. Me një
kujdes tëvrushulluar që rritet nga rrjedha e takimit e cila merr tutje çaste të
volitshme ose jo, ai më tregon takime, biseda mbi qeveritare, dëshmorë e heronj
të harruar, destinacione të ditura të të paudhëve, e të gjitha këto i
mbështjell brenda mllefit të vet, çka e sendërton një turrje pothuajse
instiktive drejt diçkaje madhështore dhe të përkorë.Më ka marrë malli për të
,ndërsa ndodhem para bibliotekës kombëtare, ku kalojnë njerëz të rëndësishëm,
poetë, shkrimtarë, historianë, herë grupe grupe e herë veç e veç.Të gjithë të
mëdhenj e të rëndësishëm, të gatshëm të presin çdo lëvdatë me delikatesën e artistëve të përvuajtur në
një mallëngjim delirant, po kurrë ata nuk japin ndonjë vlerësim, sepse në Tiranë poetët nuk i lexojnë prozatorët dhe
e kundërta, madje shkrimtarët në përgjithësi nuk e lexojnë njëri tjetrin , ndonëse
në përurime librash flasin për njëri tjetrin
sikur të ishin lexuesit më të thekur. Kjo shihet edhe në reçensat që
bëjnë, ku fjalët e përgjithshme dhe epitetet gëlojnë me tepri.Ç`të bëjsh, ky
është dubëlstandarti i dhimbshëm i krijuesit të së bukurës dhe i servirjes së
saj para lexuesit që është arratisur në botën virtuale të internetit. Jam i
mbushur me këto mendime sfilitëse kur
para meje shfaqet përkthyesi i frëngjishtes, poeti i plakur që ka
shkruar një mal me libra ,Ndue Gjingjoni. Më duhet ta falenderoj për një libër
të përkthyer ,një libër jastëku , leximi i disahershëm i të cilit më dha një
kënaqësi të jashtëzakonshme. Ia shpreh
konsideratën time gjithë mirësi, sepse e meriton.Veç Ndue Gjingjoni me modesti ma kthen se s`ka bërë asgjë, veç
një vërë në ujë, në këtë kohë abrashe, akush nuk e ka mendjen nga letërsia,
madje ajo shihet si bezdi dhe shkrimtarët si të rrjedhur. Sot më tepër kanë
vlerë koncertet festive, festivalet e miseve, fjalët e politikanëve, reklamat e
sallamit dhe debatet televizive ku analistët bëhen specialistë kaq të
rëndësishëm sa njerëzit turren pas
ndonjë libri të tyre sikur në libra të tillë të gjenin kuptimin e botës pas
njëqind vitesh.Dua t`i them se letërsia e mirë nuk e zotëron çastin aq sa duhet ta zotërojë, sepse zemreku i
kohës së saj lëviz ngadalë në qiej të padukshëm të një përjetësie të pakuptueshme.Por, ndjej në fjalët e tij
një keqardhje të thellë, frushull ankthi që vjen nga bota e një njeriu të
ditur, që ndoshta librin e tij e ka botuar me kacidhet e fundit të pensionit të
vet.Kur papritur vjen Tonini,i cili duke shtrirë krahun e vet energjik, e rrok
në një përqafim Nduen duke iu rrëmbushur gjithë krenari e zjarr:-O sa mirë që
të takova, o i madh, sa kohë u bënë pa u parë, për ju kam shkruar një baladë të
mrekullueshme, të cilën do ta botoj dhe ke për të parë se do marrë
namë..Përkthyesi ngriti kokën dhe e vështroi me dashamirësi Toninin, po befas u
murrëtye. –Baladë, kur e paske shkruar?-Qe, besa burrit, para dy orësh të kam
pasë ndërmend, do ta lexojsh?-Ore zotëri, mos pandeh që unë kam
vdekur që shkruan baladë për mua, ose ma mire, prit të vdes një herë dhe pastaj
shkruaj balada sa të duash…-tha Ndue Gjingjoni dhe iku me nxitim i fyer..Nuk më
pëlqeu ikja e tij, po më vonë e gjykova
se ai pati të drejtë.Tonini pyeti:Kush ështëky?Ia thashë
emrin.-Iha…ç`qenkam marru, pse nuk është poeti Nikë Përleka ky?-Jo, i thashë,
është përkthyesi Ndue Gjingjoni…-Tani, jam i dënuar, tha Tonini, ku e do
kafen…-Ç`kafeflamosura, thashë-më mbeti peng që iku ashtu, e kam mik.Po Tonini
më tërhoqi krahun me vërtik ,pa denjur të bindet në një çast vetreflektues për nxitimin e tij
pa takt.Kaluam në anën tjetër të rrugës,dhe po merrnim tutje në këmbë.Tonini si
gjithnjë flet për projektet e veta, për shkrimet nëpër gazeta që trondisin
botën, për baladat e veta të famshme, ai nuk është si shkrimtari Sefer Lefteri
i cili deklaroka se paska shkruar tetëdhjetë drama duke ia kaluar edhe Isenit, dhe kurrë
s`kishte shkruar një baladë.Dhe aty për aty e thur një kinse baladë:Sefer
Lefteri mizë mbi dhe,/ti baladat ku i ke/ asnjë s`shkruan për be,/se je pupël
nëpër re…” I them se Sefer Lefteri vërtet nuk shkruan balada , po dramat e tij
kanë bërë namin, siç kishte deklaruar një kritik i njohur, dramat e Sefer
Lefteri kishin bërë një kthesë rrënjësore në fushën e dramatikës, ndonëse
ishin të panjohura për lexuesin.-Ku i
ka dramat-, thërret, i- ka në kokën e vet, ose i sheh në ëndërrr, Isenin se
kanë arritur burra ma të mirë……-Jo Isenit, them unë, po Ibsenit…--Ibsen thashë,
asht ai dramaturgu danez, po, kuptohet, desha të të ngatërroj - ma ktheu..Nuk mund ta zgjasja më këtë trill
të tij, sepse vrulli i fjalëve po t`i
ftohej nga arsyetimi, nuk do e kishte atë poetikë çliruese.Veç më duhet ta
rikëshilloj edhe pse këtë vrull e pëlqej:-Mos e pastro kaq shumë gurmazin e
zërit- i them prapë pa e zgjatur në
përgjigjen e tij, nuk bën ,jemi në ambient publik, në rrugë, ti je baladist,
njerëzit më mirë duhet të lexojnë se të dëgjojnë…Tonini nuk do t`ia dijë për
këshillat e mia dhe sikur të mos na dilte para poeti Aleks Kuka, ai do ta
ngrinte edhe më shkundullimën e zërit , po, për çudi, e uli atë aq
përfundësisht sikur poeti Aleks të mos ishte poet, po xhandar i Zogut.Poeti
Aleks ishte një njeri serioz dhe kurrë
nuk e lëshonte fjalën në pluhur për të ngritur re tymi të kota.Nuk e kuptova
nga i erdh kjo ndalesë vrulli Toninit, i cili në çastet e marrisë frymëzuese
shfrynte gjithë delir sikur bota ,kohrat të kalonin me indiferencë para
baladave të tij dhe s`i vinte re. .Aleksi dukej gjysmë i pirë, kjo shihej nga
një përskuqje e lehtë e mollzave dhe nga një shkrumb i lehtë në cep të buzëve.E
njihja mirë dhe ishte vërtet një poet i dëgjuar në kohën e tij, rezistent në
kohën e sotme.Ndue Gjingjoni ia kishte përkthyer një tufë poezi në frëngjisht,
të cilat qenë botuar në një revistë prestigjoze franceze.Kisha një respekt të
paluhatur ndaj tij, përveç faktit që pinte dhe kishte punuar në një revistë të
atëkohshme që mua s`më kish pëlqyer ndonjëherë.Po këto s`kishin rëndësi,
rëndësi kishte fakti, që ai ishte një autoritet i poezisë.Kohët e fundit merrej
me studimin e poezisë së Martin Camajt
duke u bërë një camist i spikatur në korin e camistëve të tjerë.Nga
veshja kishte mbetur i varfër,si çdo poet i mirë që nuk e përfill pasurinë,
sepse poetëve të vërtetë u mjafton lavdia dhe përjetësia.Ai pasi na pyeti çfarë
kishim shkruar, a po botonim ndonjë gjë të hajrit, na zgjati dorën, po Tonini
nguli këmbë:-Jo, pa e pirë një kafe prej meje nuk ban me ikë, aty, të lexoj
edhe baladën që kam shkruar për ty…Poeti Aleks nënqeshi, dhe unë kujtova se do
i kthente përgjigjen e Ndue Gjingjonit, po ai nuk e bëri këtë, siç dukej ai e
njihte prej kohësh Toninin.Pranoi me një shqetësim të lehtë dhe u kthye
mbrapsht.Gjetëm një lokal të përshtatshëm u ulëm në një tavolinë dhe Tonini
thirrri kamarierin.-Bjeri, mikut tim një dopio dhe një kafe, tha duke u
drejtuar nga Aleksi, ndërsa ne të dyve po ashtu.Kujtova se do bënte gabim po ai
nuk shkelte në dërrasë të kalbur.Ishte një sprovues i madh i tavolinës dhe
rregullave të burrnisë.E, sa mirë që të takova, ç`qe ky kësmet, mërmëriste
Tonini, sa më ke ndihmuar dikur. Unë bija shkrime nga provinca dhe ky burrë m`i
botonte, eh, hallall m`i paç gjithë ato balada…Aleksi buzëqeshte, e thoshte se
në jetën e tij nuk kishte njohur njeri më korrekt se Tonini, ai kishte ndihmuar
shumë njerëz, po burrë si Tonini s`kishte.Aleksi e thau dopion e parë ndërsa
unë me Toninin e kishim shpikur gjer më gjysmë.Erdhi dopio e dytë dhe një meze
e sajuar , nuk më kujtohet tani.Unë refuzova çdo lloj pije. Alkolin kisha kohë
që e pija me masë.-Por ti Tonin ke vuajtur atëhere tmerrësisht nga çensorët,
nga letrat anonime, e ku ta di unë, megjithatë unë nuk merrja parasysh
asgjë.Sepse sot botojnë, shkruajnë, silazh e krrunde e gazetat e shtëpitë
botuese botojnë..Po atëhere s`kish mundësi, ato ishin të pakta dhe kontrolli i
rreptë…Shikoja fytyrën e tij që ishte skuqur plotësisht, rakia ia terratiste
trurin dhe fjalët i nxirrte me një ndërprerje solemne, çka e sjell vet vrulli
dehës i rakisë që vërshon nëpër damarë.-Balada ti s`ke shkruar atëhere, po
fejtone, poezi satirike…I shkruaja, eh, ishte e vështirë t`i botoje.-Balada ka
shkruar Gëte, po të tuat janë me të vërtetë origjinale.Nuk e kuptova përqasjen
pa lidhje të Aleksit.Bëra një tentativë kuptuese po atë e ndërpreu dopio e tretë.Mezeja
u freskua.-Ndërsa satira jote vjen pas Çajupit dhe Fishtës…Tentativa
shuhej dhimbshëm në fundin e një
mundësie të paktë arsyetuese….-Unë mund të them se thumbi i satirës sate i ka
shpuar gjithnjë të paaftët në egon e mosrealizimit….Dukej sikur poeti Aleks
mezi e kishte pritur këtë çast për të thurur këtë tiradë ku lavdia e tavolinës
është më e madhja lavdi në botë.-Falemnderit, mërmëriste Tonini,shokët të
lartësojnë,shokët të hijeshojnë.Jo, jo ti duhet të më dëgjosh mua, mos kujto se
të tjerët shkruajnë ndonjë gjë të madhe, ngrije kokën lart për këtë.Edhe Kadare
këtë kohë po bluan po me misrin e dikurshëm.Pija i kishte mbyllur Aleksit çdo
cak kthjelltësie-Ti je poet dhe baladat e tua po shkëlqejnë, përkthyesi Ndue
Gjingjoni për turp ta ketë që nuk i përkthen ato në frëngjisht, sa për vete,
unë do t`i përkthej në rusisht… Vija re Toninin, lëvdatat e Aleksit e kishin
çakorduar, një valë kënaqësie ia kishte skuqur veshët si lafshë gjeli.Nëse të
lavdëronte poeti Aleks kjo duhej besuar, sepse ai ishte një nga emrat e mirë të
poezisë, ndërsa unë po mendoja se në çfarë loje donte ta fuste Toninin,e nuk e
kuptoja pse ai duhej ta shpërdoronte kaq shumë gjykimin e tij. Rjedha e
tavolinës nuk më linte ta vazhdoja më tutje arsyetimin tim.Dopio e katër u vu
para poetit Aleks Kuka, i cili në ato çaste kishte ngritur zërin në një
panegjirizëm triumfues , ai po e tralliste fantazinë e vet për të gjetur
mundësi krahasimesh në pika të larta
referimi, për baladistin e famshëm Tonin Ndrec Perkalin, por ndoshta i lodhur
në këtë stërmundim që ia jepte pija dhe mirënjohja, ai preferoi ta zeronte
veten para tij, për të lartësuar baladistin e famshëm.-Tonin, thirri ai me të
madhe,ti je poet, unë nuk jam poet, unë , ne ,jemi zero para teje…Për t`u
treguar modest, Tonini ia kthente:-Shoket të lartësojnë…, shokët të
hijeshojnë.Por edhe për ta bërë të vërtetë pohimin ai shtonte fjalën falem
nderit, ndërsa unë sërish fillova të
vrisja mendjen se ç`nevojë kishte poeti Aleks që ishte dikush , të fliste me
një superlativë kaq të pamerituar, por këtu u këput fija e arsyetimit sepse
erdhën tri dopio të freskëta…Kur mbaroi gjithçka, Tonini më kërkoi disa para
borxh ,sepse shuma kishte shkuar goxha dhe kamarieri ndoshta qe ngatërruar
rrugës….Më vonë i thashë se çfarë duhej ai shpenzim i kotë,aq më tepër që poeti
Aleks ishte i pirë dhe gjithçka shkonte
kot, po Tonini ma ktheu:-Poeti Aleks është i vetmi që më vlerëson, jo si
mendjemadhi Ndue…Ti ke për të parë se çfarë do t`i punoj atij dramaturgut spurdhjak
që shkruan se ka krijuar tetëdhjetë drama, ai nuk e di që unë kam shkruar
tetëqind balada, e për këtë s`e thotë një gjysmë fjale…Ndërsa poeti Aleks është
çfarë burri që s`e ban nana. Sa herë ta takoj ai meriton një kafe të fortë…Pas
një kohe lexova në gazetë një shkrim të poetit Aleks Kuka për baladistin e
famshëm ,me një titull domethënës
:”Tonin Ndrec Perkali , Fishta i kohëve moderne…”I shkreti, Tonin , mendova, sa
para borxh mund të ketë marrrë dhe menjëherë më dogji xhepi im për paratë e
pakthyera, por gjeta një farë ngushëllimi, sepse edhe vetë kisha pirë atë ditë…