Kulturë
Baki Ymeri: Zaplluzha mbi flatrat e imagjinatës
E shtune, 19.01.2013, 09:21 AM
Adem Zaplluzha mbi flatrat e
imagjinatës
(Sonte çdo gjë i përngjan lotëve, Fahri Fazliu, Kastriot, 2012)
Nga Baki Ymeri
Poezia
sipas Kantit është është arti për të prezantuar një lojë të lirë të imagjinatës
si një aktivitet të intelektit. Duke shfletuar 77 veprat e Adem Zaplluzhës, nuk
mund ta anashkalojmë këtë konstatim, sepse imagjinata e tejkalon përvojën dhe
parimet e njohjes, ndërsa aplikimi i saj në praktikë, krijon vlera që e
pasurojnë thesarin e kulturës kombëtare. Vrapi i ditëve, koha e kuajve dhe
zogjtë e mjegullave. Sonte çdo gjë dënes, sipas autorit, vetëm një qen i
vetmuar dëgjohet, ndërsa ne jemi “fëmijë të ëndrrave”, duke parashtruar pyetjen
“Mbas cilit yll vrapuan ditët?”
Akush nuk
shkruan pas shpresën për të qenë i lexuar, as baci Adem, madje. Libri i tij më
i ri strukturohet në dy cikle: Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve, dhe, Si një
hukamë prej mjegullave. Ajo që i mungon autorit, janë mjegullat e mendimeve,
sepse ai nuk ka mjegulla, por ka imagjinatë, vitalitet dhe energji për t’i
ofruar lexuesit surpriza pas surprizash. E nesërmja, sipas tij, apo sipas
Migjenit të dikurshëm, “ndoshta do të gdhijë”, e ne “do të bëhemi zogj prej
mjegullave/ ku t’i gjejmë honet e përgjumura”, sepse “po na ikën kjo
kohë”. Poeti respekton etikën poetike të
gjeneratës së tij, madje edhe të gjeneratave më të reja. Kjo mund të vërehet
edhe në bazë të disa titujve të poezive të tij, si: “Dhe ndodhi ashtu siç
mendonte poeti”, “Flenë edhe trarët e tymosura”, “Sa pak jetuam me duart që
vetmojnë”, “Dhe prej atyre që janë fëmijë zvarranikësh”, “Nën qepallat e
mjegullave”, “Shikimet na mbetën tej urës”, kur “Ju të gjithë jeni pas meje”.
Edhepse i
përket një gjenerate krijuesish të vjetër, pa u bërë viktimë e kompromiseve,
autori i përmbys principet e lirikës shabloniste të realizmit socialist, duke
respektuar parimet e një gjenerate që kalon nga komunizmi në kapitalizëm. Mbi
supet e kësaj gjenerate mbështetet ana aktive e letërsisë së sotme shqipe. Nga
etika dhe poetika e saj, varet ardhmëria letërsisë kombëtare, jo vetëm te
shqiptarët. Kosova në këtë aspekt, shkëlqen përmes lirikës nacionale me vlera
universale të Sali Bashotës dhe gjeneratës së tij. Për të mos anashkaluar
subjektin, po kalojmë te baci Adem me lirikat e engjëjve të tij, “pranë
murishtave te plepat”, kur “atë natë qante edhe mali me vaje gjethesh”, kur “do
t’i pyesim edhe zogjtë”, në “çaheshin kokrrat e pluhurit ndër çati”, “nëpër
rrugicat e ngushta të mendjes”, kur “nga befasia u dehën të gjitha gjethet”. Mund
të thotë kush se nuk ka frymëzim në kontekstin e këtyre vargjeve?
Ndërmjet
poezisë së parë (Sonte çdo gjë dënes) dhe asaj të fundit (Nëpër plasat e mureve
fshiheshin merimangat), defilon etika poetike e një lënde të mbrujtur me ironi
(kur në pasqyrën e mendjes binte një shi i zi), ndjeshmëri (kur në zemrën time
strukej një grusht me re), tekstualizëm dhe postmodernizëm. Adem Zaplluzha nuk
është një poet vlerash të mëdha universale, siç është Sali Bashota, apo vlerash
të mëdha nacionale, siç është Ali Podrimja, por ai noton mes universales dhe
nacionales me vargje që mbeten në kujtesë, sepse ai shëmbëllen me një fëmijë që
dëneste, kur “qante edhe loti i gurit”,
kur “qanin rrapet” dhe “lot gjethesh derdhej udhëve”. Dhe “Kështu kjo ditë/
Zbriti nga kapela e ime”, duke cijatur “me zogjtë e fëmijërisë”.
Çdo gjë
buzëqesh dhe qan në lirikën e tij, madje edhe lisat që dënesin për duart e
thyera të degëve, kur “Shirat bëhen lot nusesh/ Kur dalin nga gjerdeku/ Ëndrrat
e merimangave”, në këtë natë të trishtë, madje edhe era “që mërmërit pa
pushuar”, kur “Nëpër të çarat e kujtesës/ Përbirohen shqetsimet”. Derisa në
vargjet e Bashotës dhe Podrimjes shndërrisin fushat dhe bjeshkët e letërsisë
shqipe me një dritë të mençur, në platformën poetike të Adem Zaplluzhës defilon
Kosova me një melankoli të veçantë, ku nostalgjia “Tinëzisht i shkund pemët”,
kur “Diku në një bahçe/ Si kujtimet bien mollët” dhe “ Era si një hije e pa
ngjyrë/ Depërton tej portretit të pasteleve/ Dhe s’lë asnjë shenjë në horizont/
Vetëm lehjet e kontrolluara të qenve/ Ngjiten mureve si gozhda fjalësh”. Nuk ka
hije ta teprojmë me vargje të cituara, sepse kritika e mirëfilltë kërkon
analizë të tekstit poetik, por na ka hije ta përfundojmë këtë shkrim me këto
vargje, ku ne i presim me padurim: “Pritjet e shkundura/ Te portat e fundme të
qytetit” kur “Dalin nuset me pajën e fshehur/ E dhëndurët/ Kurrsesi nuk kthehen
nga luftërat”.