Kulturë
Xhemail Peci: Kthimi i Zef Serembes
E diele, 20.01.2013, 10:04 AM
KTHIMI I ZEF SEREMBES
Ekskluzive nga Xhemail Peci
Zef Serembe, sa lirik është po aq edhe Poet Tragjik. Këngëtari i rrembave të dashurisë, e i thelpinjve të hollë të saj, shkruante duke u prirur nga një frymëzim hyjnor, sepse siç e thoshte vetë ‘Lutja dhe Mëshira janë Zana të Natyrshme’. Pafajësia e Pagëzimit dhe Pafajësia e Frymëzimit për Zef Seremben janë Një. E megjithatë, Serembe shkruante në shtratin e prehrit të vdekjes! Dashuria e tij është fatale, frymëzimi i tij është sa i papërsëritshëm, po aq edhe tragjik. Megjithatë, Zef Serembe priret të vihet pas frymëzimit në të cilin zemra i pikon gjak, priret pra ta pijë deri në fund kupën e fatit farmak.
Arbëria dhe Arbëresha janë Dy Dashuritë e Tij të Mëdha. Arbëresha – Më të Bukurës në Strigari. Serembe gjakon për Lirinë e të parës dhe ëndrron për Dashurinë e së dytës. Arbëria i ndezë mall prej Poeti që e di mirë se s’ka liri pa pasur Atdhe, kurse Dashuria ia përvëlon zemrën, sepse duke e pasur të parën përtej brigjeve dhe larg arritjes e përmbushjes së ëndrrës për ta parë të lirë, të paktën shpresonte ta kishte të dytën!
As Arbëria e as Arbëresha nuk ia përmbushin ëndrrën, ndonëse që të dyja e Frymëzojnë njëlloj.
Sermebe është Paridi i Letrave Shqipe. Ai është Poeti i Parë i Frymëzimit Tragjik të Një Dashurie të Pafajshme dhe të Përmasave të Pafundshme. Ai është Poeti që për dallim nga Bardi i lashtë i epeve klasike, Mbishkrimin ‘Më të Bukurës’ ia falë një Arbëresheje, Emrin e të cilës as nuk e tha e as nuk na e la!
Pinjoll i denjë i një kombi të lashtë heroik, por të pafat, sa edhe vetë Poeti, Zef Serembe siç shkruante ‘Të shquarve dhe të nderuarve Mr. Kornelius e Mr. Arturus Vanderbilt’, më 25 shkurt 1885 nga Nju Jorku, kishte një gjakim të veçantë në diellin e tij krijues: ‘duke pasë rifituar gjakftohtësinë dhe qetësinë shpirtërore të viteve të para, në mes të shkëlqimeve të kënaqshme dhe melankolike të perëndimit të diellit, do të mundja t’i përqafoj meloditë e muzës së virgjër shqiptaro – greke me akordet e lira dhe sublime të bardit anglez’…
Ky është portreti i Arbëreshës së Tij,
i Asaj që Ai na e la si ‘Më të bukurës në Strigari’: ‘Dhe Zemra ty mjaft të
dëshironte,/Dhe gjak pikonte, se nuk të takonte/…O mollë e ëmbël që në degëz
rri,/O gozhdë ari që më shpon në gji/…Përse më bën të qaj me ngashërime?’.
Serembe dashuron
Të krehur mirë, flokët vë si rreth
Gërshetin që shkëlqne krejt në të zi.
Dhe balli lëshon rreze dritë, shkrep
Si grykë e detit agut plot freski.
Të zinj plot me mendim, me amll të
thellë
I ndrijnë sytë si hëna mbi pellg
E në mes faqesh i qesh hunda e hollë
Ka buzët si korale, faqet mollë,
Në alabastër derdhur dorë e zverk
Kur buzëqesh të ngre lart gjer në
qiell.
Më bukur mund ta ketë përshkruar
portretin e një femre, ndoshta vetëm Rapsodi i Dukagjinit, kur pat klithur për
Tanushën: E unë, Tanushën e kam pa! Gjë ma t’bukur s’sheh Dielli në këtë tokë!
Më bukur, Serembe është shprehur
ndoshta vetëm për Elena Gjikën:
Oh, do vë me timen dorë,
(Me qiellin do merrem vesh)
Yje, yje një kurorë,
Për mbi ballë moj perendeshë! ...
Të hapur zemrën ta sillja ndër duar (Serenatë), vazhdonte Knagjelat e Mallit të Zemrës së Tij, Gjeniu i Lirikës Shqiptare Zef Serembe, me Shpirtin herë në Kangjela e herë në Sonete, Pararendësi i Lasgush Poradeit: Princit të Poezisë Shqipe e Këngëtarit Finok të Dashurisë.
Zef Sermebe është Poeti i Dorëshkrimeve të Humbura, është Poeti i Arbërisë e cila ia kujton se ‘ne të huaj jemi te ky dhe’, është Poeti i Dashurisë së Plagosur.
Tundimet e shpirtit të tij nuk kanë të
sosur: ‘Me gjak e lagur një shami të vjen,/ Me të kam lidhur plagën që
sfilit/…Ti, që të desha më
Ai është Këngëtari i Dashuruar, i cili, siç i shkruante Rinisë italiane, shpresonte të arrinte të bëhej: ‘zot i hyjnisë në shprehjen e tij të trefishtë, të së Vërtetës, të së Bukurës dhe të së Mirës’. Serembe është Poeti që lëshon thirrjen: ‘Por le të kujtohet çka ka thënë Grossi i ynë i ëmbël për letërsinë: “Është një bimëszë e butë, e hijeshme dhe e ndjeshme, që don flladin dhe vetminë, që të mund të zë rrënjë e të përparojë, nuk dëshiron trokëllima dhe keqtrajtime’.
E megjithatë, fati nuk ia ka lejuar një
paqe të tillë frymëzimi, sepse Poeti e ka shprehur klithjen e shpirtit të tij
të hollë lirik: ‘e dashuria ish gjeniu im’ (Atij që desh nga unë varg
spontan). E sërish shfaqet Porteti mbi të cilin binin një lum lutjesh e një
lum lotësh, një grusht pëllumbash në ndërri motesh (Një vajzë të panjohur
refugjate):
Lule e hijshme, mbirë në tokën time,
qielli vetëtin në ballin tënd të pastër
e zemra më rreh fort sa here më hedh
vështrime
e gjoksi im gufon si flaka në një
vatër.
Ec ëmbla flakë e dashurisë së fshehtë
Zbuloje ballin dhe zemrën e zbulo
Nga Buenos Aires, në shkurt të vitit
1897, Sermebe kujtonte me mallëngjim e me një stil të papërsëritshëm lirik:
‘Gjithë trojet e vendit tim janë hijeshuar me ullinj të lulëzuar, të fuqishëm
dhe madhështorë, që i bëjnë çuditërisht piktoreske dhe magjepëse ato vise
vetmitare të lindjes sime, të ngazëllyera prej buzëqeshjeve të vetëtimta dhe
nanuritëse të deti Jon’. Ai është Poeti që e do Lirinë, por edhe Lavdinë e
Atdheut të Tij (të shprehur në vjershën Fantazi):
Otoman po ndrit në diell.
Qielli ftohet, errësohet
Nga një dhimbje mjaft e thellë.
Rrjedh e skuq
Nga kaq plagë e hordhi,
Robëria e pllakosi
Këtë vend me Perëndi.
Nëpër qiell të Arbërisë?
Kush Flamurin e përndriti
Të Skënderit të Lirisë?
Zef Serembe është Orfeu që e kërkonte
Euridikën e tij qoftë edhe në botën e nëndheshme (Ushtari i kthyer):
Veshi rrobat më mortore
Vuri velin e trishtimit,
Theu ai harpën gazmore,
Heshtën këngët e gëzimit…
Bukuroshja, shpirtfisnike,
E shkëputur nga kërcelli,
Porsi luleja u fishk,
Vdiq, u shua si ylberi…
Zambakbardha në fytyrë,
E lëmuar – cipë molle,
Ndrin e gjitha si pasqyrë,
Shtatebrishtë prej mënjolle…
Në kupolat e kështjellës
Pikturoi i frymëzuar
Sytë blu të virgjëreshës,
Nën një ball të mrekulluar…
Vargjet e Zef Serembes janë copa
mermeri në të cilat ai e shpalosi dashurinë dhe përgjërimin për ate që e donte:
‘Të dua si agimin e prarur (Një vashëze); ‘Qerpikut ngriu loti i
përvëluar’ (Një zotërie kalabrez);
‘o ti e humburës parajsë Molla më e
mirë!
…
Ballët e qëndisur me rreze dielli,
te dritarja jote unë më s’e pashë,
as buzën me atë fytyrë, së cilës i
qeshte qielli,
se të errta m’i mbuluan nga tërë anët
shumë re.
(Këngë lumturie)
Po një dhembje e thellë dashurie nuk
kishte se si të ishte një Këngë ‘lumturie’, prandaj në vjershën Këngë
dashurie, lutjet bëhet edhe më subtile:
S’qe bukuria që më rrëmbeu,
jo begatia që më gënjeu,
po jotja zemër mendtë m’i ktheu,
më ngriu gjakun, shpirtin më vodhi…
yll i ndezur mos më harro.
Kujtomë te dita, kur vete e vjen,
kur rri, kur bredh e kur punon,
kujtomë te nata, kur ule e fle,
se unë të vi në ëndërr, të më thuash
diçka;
e në se vërtet ti më dashuron,
kujtomë ngaherë e mos më harro.
…
ti rri në paqe, unë në rrufera,
ti rri në gaze, unë në psherrëtimë,
…
Altar në zemër unë të ngrita,
dhe në u rrënoftë, gjendem në Ferr
Dashuria e Zef Serembes është një Këngë
trishtimi, në të cilën Ai klithë:
O ballëqëndisura me rreze dielli
Dashuria e Zef Serembes është Gjakim
dhe Frymëzim Romantik, që mëton të ngre Altar për Dashurinë, ndonëse Platonike
(Këngë Dashurie):
S’qe bukuria që mend m’i shqeu,
As begatia që më rrëmbeu,
po zemra jote dhe mall i vale,
gjakun e ngrirë endezi zjarr.
dhe njëherë të lutem mos më harro.
Por psherrëtimat e thella të shpirtit
të tij nuk janë vetëm për Dashurinë. Edhe për Arbërinë, Ai kishte ndiesitë më
të holla:
Pasi e desha tokën amëtare
Dhe zemra fërgëlloi për Italinë,
Kam qarë nga gëzimi, kur kam pare
Në Romë zot të vetes njerëzinë.
(Një zotërie kalabrez)
Në letrën drejtuar Dhimitër Kamardës, më 30 gusht 1871, Serembe në vargjet e tij projektonte të ardhmen e Shqipërisë: ‘Se kur të fryjë veriu dhe ta shkundë Shqipërinë, kështu që përsëri do ta shihte veten Zonjë (dhe jo më skllave) në ditën e re të lumtur (të kërkesës dhe të revolucionit liberal dhe kombëtar të të gjithë popujve). Pra përkundër jetës e cila i ngjante me një ‘det gjithë helme’, përkundër jetës në mjerim dhe varfëri (‘Shita pallto e mantel për të jetuar gjatë udhës…familjen e gjeta të shterruar të hollash nga shkaku i mungesës së bukës së këtij viti’), Zef Serembe Shqipërinë e donte: Zonjë!
Zef Serembe është Poeti i Madh Lirik, i
cili e ka parandier fundin e tij: ‘Do të zhdukem si meteor’! Ai është Poeti që
si rrallëkush e shprehu me aq qartësi shprehjeje dhe me po aq dlirësi shpirti,
vuajtjen për dashurinë e plagosur (vjersha “Virgjëreshës Shën Mëri”):
I grisa gjunjët edhe gjuhën e thajta
sytë nga lotët që derdha m’u thane,
ma therën shpirtin, zemërën ma vranë,
e se keq e më keq pë ditë vajta.
Dita më helmon, kurse nata më vret.
Pa dyshim se pyetja që shtrohet është kjo: Ku ishte Ajo që ia shkaktonte gjithë ato vuajtje, që nuk ia ndiente gjithë ato lutje, që ia këpuse gjithë ata lot? Përgjigjen na e jep vetë Poeti:
‘…I xixëllojshin sytë dhe qeshja që të rrëmben i rrëshqet prej goje; i shkrepën floku dhe i ndriçon balli si qielli i zbukuruar me yje…’ dhe më tej një shpalosje tjetër e kujtesës së gjallë:
‘Pa papritur pashë një vashë drite: ishte e purpurt si trëndafili dhe dashuria i rrinte afër. Ajo vinte duke ndjellur një rosë dhe duke i thënë Papare!
Shpirti më rilindi, dhe një flakë m’u ngjall në kraharor…Ndoqa gjurmët e saj, që dukej si hënë e ndritshme, edhe e pashë në buzë të thoshte: Papare! I pashë gojën prej së cilës i dilte mjaltë, sytë që shuanin yjet dhe ballin e mendueshëm që errësonte qiellin.
Shpërndava mendimet e mia të trishtueshme, harrova brengat: u vura të qesh e jeta më ngjau e bukur’.
Zef Serembe e ka dashur jetën dhe se
një jeta i ngjante e bukur vetëm kur ‘Ajo’ ishte pjesë e jetës dhe e
frymëzimeve të tij, por, siç e ka thënë me vargjet e tij: ‘Aspak s’iu ëmbëlsua
fati i hidhur’, sepse: ‘Përballë të ligut fat, nuk vlen qëndresa’, dhe se: ‘As
Zoti i mëshirës nuk ka mëshirë’. Një rreth vicioz, një çark i mbyllur, kahdo
furtunë e fatit të pafat! Duro zemër, gjakun ma qëlloi fati! Kështu do klithe
Sheherezadja në 1001 Netë. Duro zemër, e duro! Sa duroi, mali me
borë! Kështu do të klithte Jeronim De Rada.
Në mes Arbërisë dhe Arbëreshës, Zef Serembe ka Dhembjen, Mallin dhe Përgjërimin e Përjetshëm. Në ballin e soneteve të tij të papërsëritshme, Ai vuri Ballin e Më të Bukurës në Strigari. Poeti Strigariot e qau me lot! Iu lut Qiellit e Tokës, drurit dhe gurit!Ajo kishte emigruar bashkë me familjen në Brazil, për kafshatën e gojës, për shkak të varfërisë, e Serembe për të ishte gati të shkonte edhe në skaj të botës. Lotët si lum e lutjet si lule bien mbi zemrën e saj.
Zef Serembe, me ndihmën e Elena Gjikës, hyri edhe në oborrin perandorak të Brazilit, por aty u ndesh me Mbretërinë e Djallit, e Ai gjakonte Mbretërinë e Dashurisë dhe ate të Artit.
Ironia e fatit e deshti që dorëshkrimet t’i humbnin në Francë, por edhe gjetiu. Zjarri i Dashurisë e çoi drejt Çmendisë: Ai vajti pas Asaj, edhe në Amerikë, edhe në Argjentinë, e edhe në Brazil. Në Nju Jork, në Buenos – Aires dhe në San – Paolo.
Gjeniu i Lirikës Shqipe, u shua në një Çmendinë të San Paolos: 31 dhjetori i vitit 1901. Një krizë nervore, pastaj Çmendia! Ai ishte Poeti që Dashurinë e kishte ushqyer si Nositi zogjtë e vet me gjakun e tij, dhe se Ai ishte Poeti që kishte ikur, ashtu siç kishte parandier: Me qiellin do merrem vesh!
Vetmi Kozmike, ku s’ishte askush tjetër, pos: Ai dhe Ajo!
Në qoftë se për Shqipërinë, Ai do klithte: ‘Në shpirt të Arbrit gjëma prap gjëmon’, për Më të Bukurës në Strigari, Ai do Klithte: O BALLËQËNDISURA ME RREZE DIELLI. Por ky nuk është epitafi për Zef Seremben! Një Dashurie të tillë, asgjë nuk do t’i rrinte më bukur se mbishkrimi nga Një zemër në gur (tek romani i Viktor Ygosë Të Mjerët):
Ah sikur të isha bashkë në një varr, e të kisha qoftë edhe vetëm pranë gishtit tënd të vogël të dorës sate – dorën time , kjo do t’i mjaftonte Amshimit!
Asgjë më bukur se kjo klithje (sa patetike po aq edhe sentimentale) e heronjve të romanit të Ygosë, nuk do t’i shkronte për shtati Përmasave të një Dashurie Serembiane.
Por në filokserën e çmendurisë së Dashurisë së Zef Serembes ka diçka tepër të veçantë. Poeti Arbëresh ka kaluar në Buenos Airesin e Borhesit, për të cilin është thënë se arti është ajo çka pa Borhesi kur u verbua. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Dashurinë e Serembes: Dashuria është Ajo që pa Serembe kur u Çmend!
Zef Serembe është edhe Poeti Kryengritës. Ai është Poeti që i prinë Kryengritjes së Engjëjve. ‘Një lëvizje e çuditshme drite’ në sytë e tij, bëhet pika orientuese e gjithë kësaj. Ai nuk e kishte ‘luksin’ që do ta ketë pasardhësi i tij lirik Lasgush Poradeci, i cili për dallim nga Zef Serembe, do të vente pas ‘hollandezes leshverdhë’ nga Aeoporti i Tiranës e ngado që shkonte Ajo, udhëtim ky me aeroplan që u shndërrua në Vallen e Yjeve.
Zef Serembe është Poeti i Parë i Letrave Shqipe që Çmendet pas Dashurisë. Ai nuk bën vetëvrasje, dhe se siç thoshte Lsgushi, letërsia shqipe është ndoshta e vetmja ku nuk ka vetëvrasje poetësh a shkrimtarësh. Ka vuajtje, burgje, atentate ndaj poetëve dhe shkrimtarëve, por nuk vetëvrasje.
Zef Serembe është Poeti, të cilin si lexuesit, ashtu edhe kritikët, e pyesin ende: Kush ishte Ajo? Të paktën, nuk na e the: si quhej, si e kishte emrin?! Serembe ndoshta do të kishte lënë një përgjigje sikur të mos e kishte parandier fundin e tij. Ai çmendet sepse çmendet edhe zëri i dhembjes. Çmendet sepse çmendet edhe shiu i shpirtit në dashurinë e pafat. Por tek Serembe ka diçka që nuk e gjejmë as tek poetët e mëdhenj. Dante tha për Beatriçen: O gjaku im, o hir i Zotit, kujt sit ty, i qenë hapur dy herë Portat e Qiellit, dikue me aq mbushëllim?! Petrarka, shkroi për Laurën se: Dielli shoi yjet, e Ajo shoi Diellin! Për dyzet vjet Laura e sfidoi Dashurinë e Poetit, dhe se për dyzet vjet, Petrarka nuk ia tha asnjë fjalë që nuk do t’ia duronte letra. Franc Presherni, poeti romantik slloven e mjeshtër sonetesh, thuhet se në Portretin e Julia Primicovës e përfytyroi Slloveninë e Përparuar!...
Zef Serembe shkoi më larg se të gjithë! Ai nuk besonte se Ajo nuk ishte më në këtë botë. Ai s’e donte për zemrën sa e donte për shpirtin. Ai nuk besonte se Ajo s’ishte më, sepse Ai e donte ate me gjithë shpirtin dhe me zjarrin e pasionin e tij krijues, e donte: Përjetësisht sa dhe Pafajësisht. Prandaj, Zef Serembe çmendet, jo vetëm pse nuk realizohet dashuria e tij, jo vetëm pse Më e Bukura që ish në Strigari e bëri zemrën gur, por pikërisht pse përpara lumit të lotëve që dalin nga dy dritat e syve të tij gjithë shkëlqim, ai sheh një pamje ndoshta nga më të pamundurat qoftë edhe për t’u imagjinuar: janë pikat e shiut që ngjajnë me lotët e zemrës së Poetit, prandaj përballë një dhembjeje të tillë dhe përgjërimi të pafund, në filokserën e çmendurisë, Ai sheh se si Engjëjt zbresin dhe ngjiten Qiellit (me të cilin Ai merret vesh) duke përdorur lotët si litarë! Dhe për më tepër se kaq, Zef Serembe Çmendet më së shumti, kur projekton, kur përfytyron, kur imagjinon në ekstazën e mendjes e cila veç e kishte kryer Misionin e Parathënë që në Ballin e Soneteve të vinte Ballin e Saj (e ku pa dyshim vetëm Hëna e kishte fronin), kur projekton pra se edhe pas tre mijë vjetësh, e edhe pas viteve që maten me yjet, Ai ishte Kryengritësi i Parë që i Printe Kryengritjes së Engjëjve:
MË TË BUKURËS NË STRIGARI, AI IA KISHTE FALUR EPITETIN QË HOMERI E SHPALOSI TEK MITI GREK. AJO NUK I NDJEU LOTËT E TIJ, POR ISHIN ENGJËJT ATA, QË PËR HIR TË LOTËVE QË POETIN E ÇUAN NË ÇMENDI, E NDJENË DASHURINË E POETIT, DHE SËRISH PËR SHKAK TË TIJ, PËR SHKAK SE AI E DESHTI ATE AQ SHUMË DHE AQ PAFAJSHËM, ATA PRANUAN QË TË NDËSHKOHESHIN VETË DUKE QËNDRUAR TEK PORTAT E PARAJSËS, POR JO QË MË E BUKURA QË ISH NË STRIGARI TË MBETEJ JASHTË! NDRYSHE, ZEF SEREMBE NUK DO TË MUND TA REALIZONTE KURRË DASHURINË E TIJ!!!
Kjo ishte pika ku Zef Serembe e përjetoi Tragjedinë e Tij, si dhe Çmendinë e Tij, dhe se Kthimi i Tij ishte i Pashmangshëm! Konstatntini qe kthyer për të sjellur Doruntinën. Zef Serembe po kthehej për ta takuar sërish Më të Bukurën në Strigari! Ai e dinte se kthimi do të ndodhte, herët a vonë. Se a do të kthehej si Kalorës i Letrave a si Kalorës i Plagosur i Dashurisë, kishte pak rëndësi. Se a do të kthehej nga Amerika, nga Argjentina, nga Brazili, nga Deti Jon, apo se a do të kthehej në Tiranë a në Prishtinë, se a do ta takonte tek Ura e Psherrëtimave, se a do ta pranonte apo do ta sfidonte Ajo sërish, se a do ta lente t’i përgjërohej e t’i lutej qoftë edhe vetëm një herë, gjithashtu kishte pak rëndësi.
Megjithatë, për dallim nga epi grek, Ai kishte vënë të njëjtin mbishkrim ‘Më të Bukurës’, por dallimi ishte edhe më i thellë. Pa dyshim që kishte më shumë vuajtje, por nuk kishte gjak. E Përjetshmja që kishte Projektuar Serembe, mbante edhe Mbishkrimin ‘Më të Dashurës’, e që Hapjen e Portave të Syve të Saj, e krahasonte me Portat e Parajsës… Duke Përshpëritur Përgjërimin e Përjetshëm ‘Të Dua me Shpirt’ (pika tjetër pse Serembe - Çmendet, meqë i thonë se Ajo – Dashuria nuk është më dhe se praktikisht Ai nuk mund t’ia thotë ate që e ndjente e për të cilën i lutej me shi shpirti), Sermebe po çmendej sërish!
Ndryshonte vetëm koha. Frymëzimi ishte po Ai. Klithja po ajo: Ndonëse më pandehnin të çmendur dhe ndoshta po aq edhe të harruar, jam kthyer në rrugëtimin e largët, të gjatë, sa edhe të mundimshëm. Pavarësisht se nuk kam as bust dhe as përmendore, jam kthyer: që t’ua them Emrin e Saj! Ua thashë se do të ikja si meteor, dhe se po kthehem në heshtje, pa bujë dhe pa zhurmë, sepse unë nuk u kam kërkuar kurrë asgjë, kurse ju më kërkonit gjithmonë Emrin e Saj!
Një Emër me Zemër Dielli! ...