E premte, 03.05.2024, 07:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Thani Naqo: Me këpucë ushtarake

E hene, 21.01.2013, 07:31 PM


ME KËPUCË USHTARAKE, QË NGA KOHA E PERANDORISË KOMUNISTE, NUK SHKOHET NË VJENË?

Nga Thani Naqo

Kjo ndodhi asokohe kur refugjatët filluan të sjellin pako me rroba për njerëzit e tyre në fshat dhe “eja – më thoshin – zgjidh e mer çfarë të duash.” Por çfarë të zgjidhja nga ato rroba evropiane, amerikane e kineze, kur asnjë kostum, xhakavento, bluzë e këmishë, nuk bënin për trupin tim. Njëlloj edhe këpucët; por unë pranoja çizmat dhe mushamatë që dërgonte nga Kanadaja, djali i tjetër i Simo Babjenit. “Ti, unë dhe kryetarët e Partive Politike jemi më këmbëmëdhenjtë e Shqipërisë” – bënte të njëjtën shaka Simo Babjeni kur dëbora e parë i vinte qeleshen Malit të Thatë. Në pako ai fuste edhe kapele, kapele që kishe qejf t’i shikoje dhe t’i vërtisje nëpër gishta; me lloj – lloj figurash e të qëndisura me gërmat e gjuhëve të botës; por ato nuk më bënin. Kokën nuk e kam të madhe, i ngjava nënesë, por kapelet nuk mund të qëndronin mbi tumbën e flokëve të mia. Rrobat, që pata blerë para dhjetë vjetëve, tek ky dyqan, i Modës Evropiane dhe më kushtuan 27 krerë dhi, u tretën sikur të kishin qenë prej letre. Këpucët atlete, të markës Alpine dhe një palë të tjera, pa qafë, por edhe ato me pesë yje të stampura, më patën kushtuar dy kokë dhi. Kur u ktheva në fshat shuajt u qenë shkolitur. I pata lyer me ngjitës, i shtrëngova paq me morsetë, por shuajt u ç’ngjitën përsëri edhe se u shkova dy tegela me spango të lyer me dyllë. “Dyqanet e Shqipërisë u mbushën me plehrat e kapitalizmit” – tha Simo Babjeni kur më pa që flaka këpucët atlete në lumë. Në mbrëmjen e asaj dite ai më dhuroi një palë këpucë ushtarake, me qafë. “Janë nga perandoria komuniste, nga koha e Stalinit. Numër 45- së – shtoi Simo Babjeni – Po t’i lyesh me dhjamë derri, ose me dhjamë dosbale, me këto këpucë shkon e kthehesh këmbazi nga këtu në Moskë dhe përsëri ato të mbeten në këmbë edhe për pesëdhjetë vjet të tjera.”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora