Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Koha e çudirave (Novelë)

| E shtune, 26.01.2013, 10:57 AM |


KOHA E ÇUDIRAVE

Novelë

Nga Resmi Osmani

1

Qyteti i vogël gjendej në luginë,përmes i shkonte rruga ,më tej rridhte lumi.Në të dy anët lartoheshin kodrat dhe pas tyre malet e pyllëzuar. Pas mbylljes së kantiereve të sharrave dhe minierës,njerëzia mbetën pa punë.Djemtë e rinj kuturisnin dhe shkonin në shtetin fqinj. Pasi fitonin ca para,i kapte fshesa dhe  ktheheshin në qytet. Luanin në lojërat e fatit dhe zdërhalleshin me zuskat dhe kur u mbaroheshin paratë,merrnin një trastë me plaçka dhe duke kaluar mal më mal e shteg më shteg, hidheshin sërish andej nga i kishin zbuar.Në qytet u shtuan zyrat noteriale dhe të avokatisë, ngaqë kishte shumë gjyqe për pronat, furrat e bukës, bar-kafetë, lokalet me lojërat e fatit, bilardot, floktoret dhe parukeritë, ndërsa në këmbësoret lulëzonte tregtia e farave të lulediellit, kungullit , çimçakizeve, kokoshkave  dhe gështenjave të pjekura në mangalle me prush. U shtua dhe një agjenci funerale me emrin “Parajsa”. Të gjithë, të ngeshëm,  brenin fara, përtypeshin dhe ceflat i pështynin ku të mundnin, aq sa pastrueset e komunales nuk arrinin t’i fshinin. Pas hapjes së depove të armëve që u dogjën mijëra fishekë gjuanin qiellin si ta kishin inatin me zotin. Tymi i barotit qe aq i shumtë, sa një  mjegull e dendur mbushi luginën dhe era nuk arrinte ta shtynte. Njerëzisë i lotonin sytë dhe nuk u ndahej kolla. Krismat e prishën përgjumjen, ndërsa shkrehja e fishekëve gjurmëlënës e bënte natën ditë . Vlera e armëve ra shumë. Një “Kallashnikov” këmbehej me dy pula të pjekura apo me një palë pantallona xhinse. Pasi armët u dolën qejfit, qyteti ra në plogështi. Ditën treste ushqimet dhe miellin e grabitur nga depot e rezervave të shtetit, ndërsa natën, për shkak të mungesës së dritave, flinte në gjumë letargik. Klloçiste vezët e kotësisë dhe mërzisë nga ku çelnin zogj të ngordhur e pa pupla.

E vetmja ngjarje e ditës ishte kalimi i autobusëve të linjës, që i shoqëronin ca djelmosha mjekroshë e të armatosur. Pasagjerët qëndronin sa për të ngrënë shpejt e shpejt ndonjë pilaf me qofte dhe pastaj nga restoranti i vogël buzë lumit, lajmet dhe thashethemet rridhnin si uji dhe mernin dhenë në gjithë qytetin.

2

Nuk ishte e thënë që përgjumja, plogështia dhe moskokëçarja të vazhdonin gjatë. Në dukje nuk qe ndonjë çudi, por nga mënyra si rrodhën ngjarjet, ajo u kthye në çudi. Në qytet u shfaq një i huaj. Pamja dhe dukja e tij u veshën me mister. Askush nuk e njihte, askush nuk e kishte parë të zbriste nga autobusët e linjës, ndoshta ngaqë të djeshmen dita ishte me llohë e mjegull. U faneps si të kishte rënë nga qielli. Ai u pa të dilte nga shtëpia e vejushes bukuroshe Kristina, që i  kishte dhënë një dhomë me qera. Vinte shtatlartë, fytyrën ia mbulonte mjekra e gjatë, korb e zezë, që e bënte fytyrën t’i dukej pak e zbehtë, flokët e gjata, të krehura me kujdes, i kishte të lidhura me fjongo si bisht kali, në qafë një zinxhir I trashë floriri dhe në vesh, një vath me gur diamanti. I veshur me xhakavento dhe pantallona të ngushta xhins, në brez kishte të ngjeshur një rrip lëkure të stolisur me pafka dhe një togëz të madhe. Çizmet e tij ishin model i paparë, të kafejta ,  me majë të zgjatur,  qëndizma tegelësh të verdhë dhe në thembra, me mamuze metalike kalorësish. Në të ecur i jepte rëndësi vetes dhe linte pas  amzën e një parfumi të fortë. Njerëzia mbanin këmbët dhe e shihnin me habi.

Mjekërziu, se kështu do ta quante gjithë qyteti, hyrjen e parë e bëri te kafja më luksoze, ku porositi veç kafes edhe një pije të fortë. Kur pagoi, la t’i dukej në portofol shuku i madh i kartmonedhave. Nuk foli me asnjeri. Kafen e shoqëroi me një puro të trashë, që e tymoste me shije të madhe. Edhe pse e shihnin me kërshëri, askush nuk i foli një fjalë, por edhe ai s’i foli askujt. Kur hyri në bilardo, përshëndeti me kokë, u afrua te tavolina e lojtarëve dhe nisi të sodiste lojën. Kur loja mbaroi, ai tha:

-Kush dëshiron të luajë kundra meje?

Zëri vinte si i çjerrë, i lodhur, por edhe disi mospërfillës.

Kokoroshët e qytetit, që ishin të ngeshëm dhe që e mbanin stekën gjithë ditën në dorë për të shtyrë kohën ,e pranuan sfidën. I pari u afrua Bakja i Ishes.

-Me sa duar?

-Me tre, por unë nuk luaj xhaba, tha Mjekërziu duke nxjerë  tri kartmonedha njëmijëlekshe  dhe i vuri në cep të tryezës.

Bakja zgurdulloi sytë dhe nisi të kruajë xhepat.

-Nuk më ndodhen aq lekë, tha ai .

-Sa ke?

-Njëmijë.

-Mirë.Janë pak. Luajmë me aq.

Bënë provën e spondit. Gurët i çau Mjekërziu. Lyeu me shkumës majën e stekës, shtriu dorën e stolisur me unaza të arta, tereziti stekën e pastaj u dëgjua krisma e thatë e goditjes. Bilat u hapërdanë si të hallakatura, duke u përplasur me njera -tjetrën.  Në gropa ranë bilat e para. pastaj, lojtari pa e lëshuar stekën nga dora, mori radhazi numrat e mëdhenj.Bënte karambole të hatashëm!

Kur i erdhi radha Bakes, që i dridheshin duart nga emocioni, mezi mori tri bila. Në dorën e dytë, dinaku Mjekërziu, bëri ca goditje të pasakta. Bakja mori zemër dhe e fitoi atë dorë. Dora e tretë ishte katastrofë. Të pranishmit që po ndiqnin lojën, si të ishin në një shfaqie,  duartrokitën.

Të nxitur nga sedra,të gjithë birbot e zuzarët, që e mbanin veten për mjeshtra, hynë në garë kush e kush ta mundte i pari të huajin. Ai nganjëherë linte ndonjerin që të fitonte, për të nxitur të tjerët, por në fund, djelmoshat të dëshpëruar e të mërzitur, dolën nga bilardua me xhepa të boshatisur.

Djali që shërbente te restauranti ” Manjifik” tha se i huaji kishte ngrënë një drekë të pasur, si të ishte mbret , me verë të shtrenjtë, e kishte mbyllur me kafe dhe konjak”Napoleon” dhe se atij i kishte lënë një bakshish të mirë. Nga ajo tryezë kishin fituar aq sa ishte gjithë xhirua në ditët e tjera!

Lojtarët e tryezës së gjelber, në kazino, u gjetën para befasisë. I huaji kishte fat të çuditshëm, bënte bllofe dhe fitonte me lehtësi. Ndërsa kundërshtarët dridheshin nga ethet e kumarit, atij s’i luante asnjë muskul në fytyrë.Ai u hidhte një shikim përbuzës  mes  tymit të puros dhe hidhte letrën e radhës që ishte fituesja.

Kaluan ditë. I huaji s’kishte niet të largohej nga qyteti. Ai mbeti në qendër të vemendjes dhe u bë strumbullari i thashethemeve. Thoshin se ai kishte zgjatur mjekrën dhe flokët pas një zhgënjimi në dashuri. Kishte dashur marrëzisht “Mis pranvera 1996”, por ajo e kishte braktisur. Në shënjë dëshpërimi ai nuk u dha as pas alkolit apo drogës, por rriti mjekrën dhe flokët. Të tjerë thanë se ai po përgatitej për të marrë pjesë në konkursin”Mjekra më e gjatë” në Lokarno të Zvicrës, ku do të përfaqësonte Shqipërinë. Thoshin e ç’nuk thoshin, sa ai u vesh me një vel misteri. Të rinjtë e qytetit nisën ta imitojnë,  duke u munduar kush e kush t’i ngjante më shumë. Ai u kthye në idhullin e të rinjve. Shëmbëlltyrë e të riut të kohës, moskokëçarës, që dinte të fitonte e të shpenzonte. Ata lëshuan mjekrat, i nxinë me bojë, zgjatën flokët, veshën çizme, ngjeshën në brez rripa të gjerë dhe silleshin si mospërfillës e përbuzës ndaj kujtdo. Kauboj të vërtetë!

Vejusha, bukuroshja Kristina, kur fliste me të rejat dhe nuset për Mjekërziun, perëndonte sytë tërë lezet dhe disi enigmatike,  seç u tha ca fjalë që atyre u pikuan në shpirt dhe u ngritën mendjen. Vashat shkurtuan fundet për të lënë t’u dukeshin këmbët e bukura, zgjeruan dekoltetë që të rrëfenin hiret  dhe mundoheshin, që me sjellje nazike, si ca kotele të llastuara dhe me gjuhën e ojnat e trupit, t’i binin në sy të huajit. Nuk kishin mjekra, por ama kishin flokë dhe  flokët i lanë tu zgjateshin dhe i lidhën”Bishtkali”.

Pasi  i ardhuri u zbrazi xhepat njerëzisë në bilardo  ,lojërat e fatit dhe kazinotë rekrutoi ushtarët e tij. Në disa pjesë të qytetit u dukën ca djem  që luanin me tre letra bixhozi lojën “fiton -s’fiton” Vendi i pëlqyer ishin stacioni i autobusëve dhe tregu. Ata mblidhnin “Kullesat” e lekëve që kishin tepruar. “Kjo fiton ,kjo s’fiton” dhe letrat lëvizeshin me shpejtësi marramendëse duke u zbuluar e mbuluar dhe vendoseshin bri njera tjetrës. Rreth tyre kishte grumbuj njerëzish. Si fillim, afrohej një person( I porositur prej tyre) dhe vendoste një kartmonedhë njëmijë lekëshe. Ai fitonte dhe një monedhë tjetër. Të pranishmit shqyenin sytë dhe fillonin t’u hanin duart. Gracka ishte ngritur me marifet. Ata nuk mund ti shmangeshin ngasjes për të fituar ca para qyl. Djemtë ftonin klientët të provonin fatin. Nuk ishin të pakët ata që kuturisnin, kush e provonte delte buzëfshirë. Habiteshin sesi kishte ndodhur, ku kishin gabuar dhe largoheshin të zhgënjyer. Djemtë,në përfundim të ditës,shkonin te padroni dhe i jepnin pjesën e fitimit.

Festa nuk zgjati shumë. Pakënaqësia e parë erdhi nga berberët dhe parukieret. Pragun e tyre s’e kalonte askush, veç ndonjë plaku të sosur. Për të shtyrë ditën brenin fara, mbllaçitnin çimçakiz dhe mprehnin brisqet dhe gërshërët. Parukieret mbetën pa klientelë. Moda “Bisht kali” nuk kishte nevojë për krëhër e gërshërë. Stina e dasmave,për të zbukuruar nuset, ishte ende larg. Ata që kishin humbur lekët në kumar dhe lojërat e bilardos,e ndjenë veten si peshku pa ujë dhe u hipi zemërimi e inati. Lekët në qarkullim u pakësuan shumë. Nga një punonjës i bankës u mor vesh se Mjekërziu kishte hapur një llogari rrjedhëse dhe depozita i shtohej nga dita në ditë. Në lokalet e lojrave të fatit shkonin vetëm ca pabuksa. Në të dy diskot e qytetit pjesëmarrja thuajse u katandis në hiç. Të rinjtë, që u vardiseshin vajzave, kur e panë se ato s’ua shtinin më sytë, i kapi  xhelozia.

*     *      *

Të trokiturat në derë ishin të parreshtura, por Samantës së përgjumur I dukeshin si të largëta, si në një ëndërr. Kur u zgjua plotësisht, kuptoi se ishte dera e shtëpisë,që ajo veç bravës,për siguri i kishte vënë edhe shulin. Pa orën. Ishte mesnatë. Veshi rroben e shtëpisë, ngjeshi brezin dhe u afrua. Para se ta hapte, që të sigurohej pyeti kush ishte. Që jashtë erdhi përgjigja e Bakes. Ajo e hapi derën. Bakja nuk ishte vetëm. Samanta bëri sikur nuk e njihte mikun, që ishte një kokë më I lartë se Bakja dhe e pyeti të shoqin:

-Po ky miku?

-Ashtu është një punë. Do bujtij tek ne sonte.

-Nuk ka emër ky,ë? - Dhe ajo zuri me trup derën që të mos i linte të hynin brenda.

- Hapu të hyjmë.Mos u çudit. E quajnë Mjekërzi. Mjekërzi Mjekërziu. Kështu thotë se e quajnë, askush nuk ja di emrin e vërtetë. Është kalimthi në qytetin tonë.

Bakja dukej i zgërlaqur e i shkalafitur, i merreshin këmbët si  të ishte i dehur dhe fjalët mezi i dilnin. Ishte bërë për tu mishëruar. Përndryshe, miku dukej në formë dhe i sigurtë. E shihte të zonjën e shtëpisë me ca sy të paturpshëm, aty ku fillonte e ndara e gjokseve të bëshëm, sa ajo u ndje ligsht dhe i mbuloi.

Deshi t’i pyeste nëse kishin ngrënë, por s’ishte koha dhe po të donin, nuk kish ç’tu jepte.

-Po hele, hele, ajo puna që më the ç’ishte,?- Pyeti të shoqin që rrinte kryeulur dhe s’i ngrinte sytë.

U bë heshtje. Ajo priti më kot një përgjigje.

-Si e ke hallin, mos të kanë ikur fjalët dhe je vuvosur?!- Gati ju hakërrye të shoqit, e sigurtë se ai kishte punuar ndonjë rreng.

-Më mirë ta thotë zotria, - tha ai zëshuar dhe e pa Mjekërziun me lutje që ta nxirte nga ai siklet.

Prapë pllakosi heshtja, një heshtje shtypse, e rëndë si plumb.

Miku e pa që ishte e kotë ta zgjaste dhe kaloi drejt e te thelpi i çështjes:

-Zonjë,- tha ai me zërin prej basi, - ne sapo vijmë nga kazinoja, pasi përfunduam një lojë bixhozi. Bakes iu mbaruan lekët, por i zënë nga ethet e kumarit, nuk u tërhoq nga loja. Vuri peng shtëpinë, unë për kundravlerë, vura tridhjet mijë dollarë. Më ranë katër asa dhe e fitova lojën. Prapë Bakja nuk u tërhoq. La peng gruan, me një fjalë, ty! I thashë të mos e bënte, se ti nuk je plaçkë, as pronë private, por i verbuar nga ethet e lojës dhe me besim se do t’I kthehej fati, nuk më dëgjoi. Sërish bëra një flosh dhe e fitova atë dorë.

Mjekërziu heshti që të shihte efektin e lajmit të kobshëm. Asaj i kishte ikur gjaku nga fytyra, u zbardh si gëlqere  e u zverdh si meit. Sytë i lëshonin një dritë të keqe të verdhë, goja iu shtrembërua pastaj e zuri  gulçi dhe një kollë e keqe.

-Ti je grua e zgjuar dhe e kupton,  që nga ky çast, shtëpia dhe e zonja e saj janë prona ime, - i tha, si të mos bëhesh fjalë për të,- Qëllove me fat, se nuk keni fëmijë dhe unë jam beqar! Se ç’burrw jam, ke për ta parë!

- Kurrën e kurrës! Ta di që të vdes. - Ajo filloi të shkulte flokët  t’i binte kokës dhe të sillej rrotull si e marrë.

-Bake, Bake faqeziu, ndyrësirë, more burrë muti  edhe këtë  ma bëre ? Folë! Më thuaj që nuk është e vërtetë!

Kishte aq mllef, zemërim, neveri, maraz në shpirtin që po i sfilitej, sa nuk mundi të fliste më tej.

-E bëra që u bëfsha lëmsh e më ngrëntë një mortje!-tha Bakja.

Zëri dukej sikur dilte nga fundi i një pusi të thellë.

Samantës i hipi tërbimi. Sytë i shkëndijonin, nga goja i dilte shkumë, u turr si  ulkonjë:

-Bij bushtrash, kriminelë të pashpirt, horra të papërgjegjshëm, përjashta! shpejt përjashta, mos t’u shoh me sy. Shkoni gjetkë e bëni ato poshtërsitë tuaja prej kumarxhinjsh dhe shisni nënat tuaja. Pandehët se gjetët një grua dhe mund të bëni ç’të doni me të? Jo mor zuzarë e lapërdharë , ju rren mendja! Dhe filloi t’i shtynte me sa forcë që kishte, për t’i nxjerrë përjashta.

Bakja nuk e kundërshtoi, por vuri duart në kokë për tu mbrojtur, se mos ajo e qëllonte. Kur arritën te veranda, ajo i dha një të shtyrë të fortë, atë s’e mbajtën këmbët dhe  u rrokullis rrokapjekthi  duke bërë kollotumba nëpër shkallë deri te kalldrëmi i rrugicës së obnorrit. Lëshoi një klithje të mprehtë dhe nisi të rënkojë dhimbshëm.

Samanta u kthye Brenda. Mjekërziu e priste qetësisht, si të mos kishte ndodhur gjë.

-Po ti? Akoma s’e ke thyer qafën!

Nuk kishte forcë ta nxirte përjashta  dhe i erdhi keq që s’kishte një telefon të lajmëronte policinë,por i shkoi ndër mend se policia ishte kot fare. Gjiton s’kishin afër.Si t’ia bënte? Asaj nuk kishte se kush ti dilte për zot.

-Qetësohu,- i tha ai- Unë jam në shtëpinë time. Rrezikova me tridhjet mijë dollarë,fati qe me mua. Po të kishte fituar Bakja, ju me aqë para, mund të shkonit të rronit në çdo shtet të Europës, fjala vjen në Zvicër apo Montekarlo, ku ka kazino të hatashme  dhe ti, do të ishe një zonjë e madhe. Këtë çast e tepërta këtu je ti, por nejse, edhe ti je pjesë e shtëpisë dhe dua që të rrish me mua. Nuk e dija që ishe kaq e bukur dhe seksi! Ke për të parë që do t’ia kalojmë mirë. Pastaj shkoi te dera. E  kyçi.  Çelësin e hoqi nga brava dhe e futi në xhep.

Samanta e ndjeu veten si të zënë në kurth, si të mbyllur në kafaz, fillikate me këtë të panjohur, të hurit e të litarit. Si një flakë e beftë, mendjen ia ndriçoi një mendim: hyri në kuzhinë dhe rrëmbeu me vrull sëpatën, që çanin drutë.   Kur doli prej andej, Mjekërziut i shtiu frikën pamja e saj e egërsuar, me sy të çakërritur, si të përgjakur dhe nga gjithë ai vrull që kishte marrë dhe për çdo rast, u tërhoq prapa tryezës së madhe të bukës.

-Atë tjetrin e vrava, por do të vras dhe ty. Do të  të vras. Do të të vras si një qen. Do t’a çaj si kungull atë kokë dreqi,   ku rrinë gjithë prapësitë e botës!

E kishte rrokur bishtin e sëpatës vrastare me të dy dyart dhe e kishte ngritur gati për ta goditu, por nuk e arrinte dot. I ndodhur kundruall saj, u ndje në rrezik. Mjekërziut i shkoi në mendje se në këtë qytet druvarësh, nuk dinin të vrisnin me tjetër gjë, por me sëpatë, sikur njeriu të ishte një dru pylli! Ç’barbari! Po mendohej si të fitonte kohë.

-Zonjë, mos u ngut. Prit të merremi vesh. Për të vdekur është e lehtë, për të jetuar dhe gëzuar jetën,është e zorshme. Po qe e thënë se duhet të vdes nga dora e një gruaje të bukur, u bëftë. Bukuria është njëfar ngushëllimi. Ende s’ta di emrin.  Ma thuaj, që të mos iki nga kjo botë, pa e ditur se kush ma mori jetën.

Asaj i bëri përshtypje mënyra sesi ai fliste. Edhe nën kërcënimin e jetës, mbetej kavalier!

-Samanta. Kjo është vrasësja jote!

-Sa emër i bukur i një gruaje po kaq të bukur! Ky emër nuk i shkon një vrasëseje, është emër ëngjëlli. Ëngjëjt nuk vrasin . Edhe gratë e bukura nuk vrasin, ato janë lindur për dashuri!

Samanta u step. Ishte e dyta herë që ai e quante grua shumë të bukur.

Duke thënë këto, ai lëvizi me kujdes, doli në cep të tryezës  dhe iu afrua   me hapa të vegjël duke e parë drejt e në sy. Ajo dukej e hutuar, vështrimi i itj i thellë drejt e në sy, sikur e hipnotizoi. Ai zgjati dorën ngadalë dhe kapi bishtin e sëpatës.

-Ma jep mua, s’është për ty. Ato duar delikate janë bërë për të ledhatuar dhe jo për të lënduar.

Për çudi, pa bëzajtur ajo i hoqi duart.  Mjekërziu, hapi dritaren dhe e flaku sëpatën në oborr. Kur ra u dëgjua tingulli i saj metalik. Kishte goditur një gur.

Samanta u ul në divan. E kapi një krizë histerie dhe nisi të qajë me dënesa, lotët i shkonin çurk, burimi i tyre s’kish të shterrur. Mjekërziu dinak, këtë çast kishte pritur. Shkoi në frigoriferin e vogël dhe i solli një gotë ujë të ftohtë. Ajo e piu dhe u duk sikur po qetësohej. Ai, me majat e gishtave nisi t’i fshijë lotët: rreth syve, në faqet e zbehta dhe në gushë. Ajo pati një ndijesi përkëdhelije, gishtat e tij ishin të lehtë, të ngrohtë dhe delikatë si gjishta fëmije. Pastaj ai i mori dorën në të vetën dhe nisi t’ia fërkojë, lehtë,butë, ëmbël, pastaj u erdhi radha supeve, duart e tij ishin si duar magjistari, sillnin prehje dhe çlirim nga ankthi. Ajo ngriti kokën dhe e pa. Ai e ndjeu instiktivisht atë turbullim dhe pështjellim ndjenjash të saj dhe e kapi fluturim atë buzëqeshjen e sapodukshme në çipat e buzëve. Aroma e veçantë e lëkurës dhe e trupit të gruas e trallisi. E rroku lehtë nga beli  me të majtën dhe me dorën tjetër afroi kokën e saj dhe e puthi në buzët e mishta e paksa të hapura: ngadalë, lehtë, butësisht dhe plot ëmbëlsi. Ajo bëri sikur do ta shtynte, por nuk e kundërshtoi, fërgëlloi së thelli nga shpirti i trazuar dhe ndjeu një zjarrmi që së brendshmi po i pushtonte rropullitë dhe gjithë qënien. Mjekërziu e dinte se fjalët ishin të tepërta, të padobishme. Vlente vetëm veprimi. E mori para duarve, si të ishte një kukull dhe e shtriu në krevatin e dhomës së gjumit, pastaj ngadalë e me kujdes e zveshi. Trupi i saj  lakuriq, me bardhësi verbuese dhe forma të përsosura e mrekulloi. Ajo mbylli sytë, por nuk bëri përpjekje të mbulohej. Priste të ndodhte mrekullia. Edhe ai u zvesh dhe u shtri bri saj…….

Pas atij kapërthimi të vrullshëm e të egër,ata po preheshin. Samanta ndjente në supin e saj lakuriq peshën e kokës së tij dhe frymëmarrjen e ngrohtë që i fshikte faqen. Ajo e pushtoi, në supe ai ndjeu gërvishjen e thonjve , ndërsa sytë e saj ishin lutës.

-Prapë- tha ajo, dua prapë - dhe iu turr vrullshëm dhe si e babëzitur, me rënkime dhe ofshama e mbuloi me të puthura.

Në derë u ndjenë të trokitura.

-Dikush po troket, -tha ai.

-Është Bakja,- tha ajo,- Le të agullijë si qen i rrahur, të hiqet zvarrë  dhe  të grryejë me thonj pragun e derës, ka shumë për të paguar, po ti mos u tërhiq, mos e ndërpre, vazhdoje, të lutem, o Zot është kaq bukur!

Bakja, arriti ta shkallmonte derën dhe hyri Brenda. Ata nuk ishin në holl, as në kuzhinë. U drejtua për në dhomën e gjumit. Çalonte se kishte ndrydhur kyçin e këmbës së majtë,shpatulla e djathtë ishte si e vdekur ngaqë I kishte dalë nga vendi, ndjente një dhimbje therëse e të padurueshme në brinjë. Me siguri brinja ishte thyer. Duke çaluar,më shumë duke u zvarrisur sesa duke ecur,hyri në dhomën e gjumit. I pa të çveshur, të shtrirë e të kapërthyer në shtratin e tij bashkëshortor. Goja iu tha, me ajërin e dhomës iu duk sikur  në mushkëri thithi një helm që i mpiu mendjen dhe trupin e i shpeshtoi të rrahurat e zemrës, që dukej sikur do t’i dilte nga gjoksi.

Ata, të hutuar, erdhën në vete, u stepën dhe të turpëruar nga lakuriqësia e tyre, u mbuluan me çarçaf.

-Bushtër,lavire,rrospie,putanë, shkërdhatë e përdalë, - nuk po gjente më fjalë të tjera të ndyra e  fyese, - Si guxove në shtratin tim! Ai u turr t’i godiste, por se mbanin as këmbët dhe krahun e djathtë se ngrinte dot. Ishte e kotë. Tashmë ishte një i gjymtuar. I la të shtrirë në krevat dhe shkoi në holl dhe u ul në kolltukun tek. Vuri kokën në dorë dhe u shkreh në lot të hidhur. Aty e gjetën Samanta dhe mjekërziu. E shoqja i pruri një gotë ujë. Ai ia shtyu dorën, gota, që ra në shesh u thye dhe ujët u derdh.

-Shporru! Si guxon! Si ma bëre këtë?

-Kërkoje fajin tek vetja – i tha ajo- ti më shite, aq ishte. Tashmë i përkas tjetër kujt dhe ai është në të drejtën e tij, ndërsa ti, nuk ke asnjë të drejtë mbi mua. More vesh? Ma ke nxirë jetën. Më ke shkatrruar.  Pale, sot e mora vesh se edhe si burrë, ke qënë kot fare!

Kjo nuk durohej. Cinike dhe hakmarrëse, e kishte fyer në ndjenjën e tij si burrë, dilte se asnjë herë se kishte kënaqur në shtrat dhe ajo kishte mbetur e dëshiruar! Gënjente, me siguri gënjente për ta poshtëruar! Ndjeu një therje në shpirt dhe se desh më veten. Pa me urrejtje Mjekërziun, që rrinte e sodiste këtë dramë familjare, që e kishte shkaktur vetë me veset dhe mendjelehtësinë e tij. Mjekërziu ishte një mallkim. Ai duhej vrarë,por tani s’ishte i zoti ta bënte.

Po gdhinte. Nga dritaret nisi të depërtojë mugëtira. Mjekërziu duhet të merrte një vendim dhe të shmangte një skandal, që do t’i prishte shumë punë.

-Dëgjomëni të dy,- u tha ai, Harrojeni këtë që ndodhi. Ti, zonja Samanta u tregove shumë e dashur me mua dhe më dhurove çaste vërtet të lumtura. Je grua me klas. Për hatrin dhe hiret e tua, unë heq dorë nga e drejta ime e fituar. Zere se nuk ka ndodhur, quajeni një ëndërr të keqe.  Por kam një kërkesë:  Askush nuk duhet ta dijë këtë që ndodhi këtë natë këtu. Është në të mirën tuaj. Çoje Baken në spital. Ai u rrëzua nga shkallët se ishte i dehur . Bashkë, as jemi parë e as jemi njohur! Jetoni siç keni jetuar. Mirë?

Zbriti shkallët shpejt dhe doli në rrugë. Bënte freskët. Në majëmalet kishte nisur të binte drita,ndërsa lugina ishte zhytur në një mjegull qumështore . Çatitë e shtëpive dhe pemët e larta anës lumit,dukeshin sikur vozisnin të shtyra nga era. Nxitoi i zhytur në mjegullën e dendur, kishte kohë të merrte një sy gjumë, në shtratin e ngrohtë të vejushes së bukur Kristina, që me siguri e priste e merakosur.

Nëpër qytet u përhapën fjalë, por askush nuk dinte gjë të saktë se ç’farë kishte ndodhur. Bakja doli nga spitali duke çaluar dhe u mbyll brenda, ndërsa Samanta, e bukur dhe e respektuar, shkonte rregullisht në shkollë, ku e prisnin nxënësit e saj.

*      *     *

Ishte koha,bile kishte kaluar,që kësaj meseleje t’i jepej fund. Por si?

Me nismën e Banushit të Beqollarëve, pronarit të sallonit “Krehëri i artë”,  për të mbrojtur interesat u krijua sindikata e “Berberëve dhe parukiereve”. E keqja kërcënuese e kishte emrin Mjekërzi. Një grup të rinjsh me në krye Sotirin, të birin e dhjakut të Shënkollit, që u ishin boshatisur xhepat, thanë që ta zinin në ndonjë qoshe dhe ti jepnin një dru sa t’a bënin të vdekur, dhe t’ia merrnin me dhunë gjithë paratë që u kishte zgrepur, por, puna u ngatërrua kur erdhi puna e ndarjes së parave. Banushi e kundërshtoi këtë propozim.

- Dhuna është shenjë  egërsie dhe barbarie- tha ai- Duhet gjetur një mënyrë më e civilizuar.

-Cila qenka?

-Ta hedhim në gjyq e ta kalbim në burg. Mund të gjenden plot akuza për ta paditur.

-Po sikur ta marrë vesh dhe të na lerë pendët!

Banushi u mendua.

-I themi prokurorit që pas padisë, ta mbajë me arrest shtëpie. E kemi tonin dhe do ta bëjë, ca më shumë ngaqë ai s’e sheh dot me sy atë plehrën që kur i është vardisur së bijës!

Sindikata, me ndihmën e zyrës avokatore ”Simoni dhe Bijtë”, bëri aktpadinë: “Rrënim direkt dhe indirekt të ekonomisë së berberëve dhe parukiereve”. Gjykata vendosi si masë paraprake moslargimin e Mjekërziut nga qyteti dhe që të mos vazhdonte të bënte më zullume, e vuri në arrest shtëpie deri në një vendim të ri.

Data dhe ora e gjykimit, që pritej me kërshëri, u bë e ditur me afishe, por edhe nga Dullë Tellalli, që me daulle në qafë  i ra lart e poshtë qytetit, rrugicë më rrugicë për të shpallur me zë të lartë, aq sa u ngjirr  këtë ngjarje të pazakontë.

Të gjithë prisnin me padurim dhe donin të dinin sesi ndihej Mjekërziu nga kjo mynxyrë që i kanosej. Vejusha, Kristina, që dilte për të psonisur harxhet e ditës dhe porositë e tij, u tha grarisë dhe kureshtarëve se atij nuk ia bënte syri bef, ishte në formë të hatashme, me humor shpotitës, tallej me policët që e mbikqyrnin dhe se kjo ngjarje po e zbaviste ca si  shumë .

*      *       *

Gjyqi u bë në sallën e vogël të gjykatës. Për të zënë një vend u bë sherr, por pastaj vunë një qendër zëri dhe njerëzia u dystuan në shesh për të dëgjuar këtë gjyq të paparë. Trupi gjykues,me toga të zeza, me gajtanë dhe xhufka të verdha, hijerëndë, i vetëdijshëm për rëndësinë e detyrës dhe fuqisë që i jepte ligji, zuri vend. I padituri dhe avokati i tij ishin në një tryezë në të majtë, përfaqësuesit e padisë dhe dëshmitarët në rreshtin e parë. Gjykatësi çeli seancën dhe e ftoi të pandehurin të ngrihej në këmbë për pyetjet rutinë.

-Emri juaj, i pandehur?

-Mjekërzi.

-Mos nuk e dëgjova mirë?

-E dëgjuat shumë mirë.

-Mbiemri?

-Mjekërziu.

-Atësia?

-Askushi.

-Mëmësia?

-Askushe.

-Zonjush Lidia, shkruani se i pandehuri deklaron se është doç, iu drejtua gjykatësi  sekretares së seancës.

-Po më fyeni, zoti gjykatës. Gjuha jonë e bukur ka plot fjalë të tjera për të dhënë të njëjtin përcaktim. Fjala vjen, fëmijë jashtë martese. Atë fjalë merreni prapa,-protestoi  mjekërziu.

-Vendlindja dhe datëlindja?

-Kasollja e Shero Lames,data nuk dihet. Muaji maj,viti 1952.

-Arsimi?

-Universiteti i Rrogozhinës. Shenja e horoskopit “Demi”.Shtatlartësia 176 cm. Numri i këmbës 42!

-Vendbanimi?

-Midis tokës dhe qiellit. Përkohësisht në këtë qytet të shpifur e të përgjumur.

-Prej nga keni ardhur?

-Nga Kashta e Kumtrit.

-Zonjushe Lidia, shkruani se i pandehuri deklaron se është Alien!

-Profesioni?

-Gjuetar.

-Arma që përdorni, me leje apo pa leje?

-Mënçuria. Dhuratë e natyrës ,që nuk kërkon leje.

-Çfarë gjuani?

-Xhepat e burrave dhe zemrat e grave!

Salla gumzhiu, u dëgjuan të shara dhe hungërima. Ishin gati ta shqyenin, por policët e pranishëm vunë rregull.

- Qetësi, se përndryshe do ta pezulloj séancen,- tha gjykatsi dhe trokiti fort çekanin e drunjtë.

Pas paraqitjes së aktpadisë “Rrënim direkt dhe indirekt të ekonomisë së berberëve dhe parukiereve”, që u shoqërua me llogari të imtësishme të fitimit të munguar, ngaqë të rinjtë e të rejat, burrat dhe gratë rritën mjekrat dhe flokët, duke lënë pa punë këtë veprimtari të ekonomisë së qytetit. U paraqitën dhe shumat e të hollave të fituara në kumar dhe lojrat e fatit, që vërtetoheshin nga dëshmitarët dhe llogaria bankare. Mjekërziu u kishte hequr kafshatën e bukës nga goja qindra familjeve! Ishte bërë shkak, që të përhapej epidemia e kumarit dhe e veseve të tjera.

U erdhi radha dëshmitarëve. E para dëshmoi Maria, gruaja e dhjakut të kishës së Shënkollit. E thatë si shkarpë, e zbehtë dhe e rrudhur, me ca sy të frikur, ajo si me gjysmëzëri  dëshmoi se ishte e para që e kishte parë të quajturin Mjekërzi, ditën e parë që kishte ardhur në qytet.

-Më kujtohet mire. Ishte mëngjesi i ditës së martë, dita e trembëdhjetë e muait. Po dilja për të pastruar kishën, kur ç’të shoh! Nga shtëpia e zonjës Kristina,  doli si hije një njeri me të zeza dhe i mbuluar nga mjekra dhe flokët. Në atë çast, rrugën ia preu një mace e zezë. Kur u këmbyem, ndjeva frikë  dhe në trup më shkuan të ngjethura. Dita e martë, që është ters dhe macja e zezë, më bënë si të kisha hasur qoftëlargun. Bëra kryqin dhe thashë tri herë lutjen “Ati ynë”. Gjithë ajo ditë më shkoi ters e me prapësira. Ai i ngjan Satanait dhe them se të keqen dhe ligësinë e ka te mjekra, tha dhe u ul në vendin e saj pranë dhjakut.

Ishin pa numër dëshmitarët e tjerë që folën e folën, sesi ai i kishte hipnotizuar me magji dhe u kishte boshatisur xhepat si pakuptuar. Të përfshirë nga ethet e kumarit kishin lënë peng shtëpitë, kurse një person, që nuk po ia përmendim emrin, për respekt ndaj së shoqes, që është zonjë e nderuar, pas shtëpisë,  kishte dashur të linte peng gruan! Kur ajo e mori vesh, e rrëzoi nga shkallët dhe ditëziu ka  thyer dy brinjë, prandaj edhe nuk ka ardhur të dëshmojë. Emri su përmend, por ata e dinin për cilin bëhej fjalë.

Kur u duk se dëshmitë kishin mbaruar, para trupit gjykues, u paraqit një burrac i shpifur, me sy si rruaza e tërë gjallëri.

-Asllan Shahiti, - u paraqit ai, -I shoqërisë civile, nga “Shoqata e Dëshmitarëve të Pavarur”.

Kryetari bëri të habiturin dhe vështroi kolegët.

-Besoj,- vazhdoi burraci- duhet të keni dijeni për shoqatën  tonë të pavarur e jo fitimprurëse. Po të dëshironi ju paraqes dokumentat përkatëse të miratimit, që kanë firmën e Ministrit të Drejtësisë dhe vulën e asaj ministrie. Shoqata jonë  është publike dhe palë në gjykimin e shumë çështjeve me rëndësi të parëndësishme. Sulmojmë opozitën për të mbrojtur pozitën, për të konfirmuar pavarsinë e varësisë. Shoqata jonë ka me qindra dosje, pirgje e male të tëra, me skeda e regjistra fantastikë, me receta e formula të gatshme për gjithë çështjet penale e civile, të gjetura nga praktika gjyqsore ndërkombëtare e vendase, që nga e drejta romake, kanuni I Lek Dukagjinit e deri te kodi ynë civil, për të dënuar të pafajshmit dhe shfajësuar të fajshmit! Lere, lere se ç’kemi.

Salla gumzhiu. Gratë kukuriseshin mbyturazi.

-Zoti Shahiti, të më falni për kërshërinë. Mbiemri është I familjes, apo e përdorni për nevoja shërbimi? –pyeti kryetari dhe buzëqeshi hidhur.

-Familjar, zoti kryetar, posi, e kemi trashëgim qyshkur nga koha e Baba Qemos. Denbabaden, brez pas brezi, nga kohë që s’mbahen mend, kemi qënë dëshmitarë, por u desh koha e bekuar e demokracisë, që ne të njihemi ligjërisht dhe ta shfaqim këtë talent familjar, për të ndihmuar të dobëtit që të fitojnë të fortët!

-Dëshmitari Shahiti, presim dponimet tuaja.

-Zoti kryetar, zotrinj gjykatës, të respektuar të pranishëm. Ne jemi thelluar për rastin që gjykohet, në dukurinë e mjekërmbajtjes, dobitë dhe dëmet. Në dosjet tona, gjenden fakte të shumta që rrëfejnë se mbajtja e mjekrës, ka krijuar probleme, melodrama dhe tragjedi të rënda. Mjekra e kuqe, i dha mbiemrin të famshmit Barbarosa;  mënyra sesi e krihte dhe e mbante mjekrën kajzeri Vilhelm, krijoi modën e mjekrës alla Vilhelm. Por ajo që lidhet me historinë tone i takon mustaqeve të Çelos. I përmenduri Çelo, hyri në histori jo për bëmat e tij, por për mustaqet! Një degë mustaqeje e kishte të zezë e një të verdhë! Kur asqerët e taborrit të tij, u kallzuan për këtë një taborri tjetër, ata nuk i besuan dhe plasi katrahura. U zunë e u grinë me palla , jataganë e syngji sa gjaku vajti në gju të kalit! E pse? Për mustaqet e Çelos! Në Enciklopedinë Britanike, sheiku saudit Said Kalifa al Mansur…

-Mjaft,zotri, mjaft,bjeri shkurt! Sipas akuzës që dëgjove, është fajtor Mjekërziu?

-Zoti kryetar, ne nuk biem në këto leqe e gracka që ngre gjykata, jo mor zotri,jo! Ne paraqesim fakte, vetëm fakte. Përfundimet nxirrini ju. Për ne ky leshi I fytyrës, mjekra, ka krijuar dhe krijon pështjellime shoqërore.

-Kaq?- Pyeti  kryetari  ironik.

-Jo. Ky gjyq I nderuar, duhet të ketë durim të na dëgjojë e pastaj të vendosë.    Agjentët tanë kanë qëmtuar nga opinionet dhe thashethemet, disa tregues me të vërtet interesantë. Bëhet pyetja: Përse mjekërziu rriti mjekrën? Hë? Ia keni bërë vetes këtë pyetje!?

Ra heshtje.

Asllan Shahiti u krekos, nxorri përpara gjoksin e ngushtë, vuri duart në bel, i dha kokës prapa dhe pa pritur përgjigje , zbrazi bataren e fjalëve:

-Sipas të dhënave, të mbledhura nga agjentët tanë në terren, pikërisht këtu në qytetin tuaj, na rezulton se ai është viktimë e dashurisë, kësaj ndjenje të bukur, madhështore por edhe fatkeqe e sfilitëse, që çan gurin e dërrmon burrin! Personin që po gjykoni, dashuria e pafat për miss pranvera 1995 e zhyti në dëshpërim të thellë dhe ai, për tu ngushëlluar, nuk u dha as pas pijes as pas  drogës, por thjesht, zgjati mjekrën. Ka edhe më: I vetëquajturi Mjekërziu, gjithnjë sipas skedimeve të agjentëve të sipërthënë, gatitesh për të marrë pjesë në “Konkursin Ndërkombëtar të Mjekërgjatëve” në Lokarno të Zvicrës. Ky  gjest sa vetiak është edhe  patriotik e kombëtar dhe duhet përshëndetur.

Kryetari deshi ta ndërpriste, por Shahiti kundërshtoi me forcë:

-Zoti kryetar, e nderuar juri, publik i respektuar! Ligji themelor “Për të Drejtat dhe Liritë”, Karta e Helsinkit, Kopenhagenit dhe e OKB-së, më lejojnë pa asnjë pengesë, që të parashtroj këtu pikpamjet e shoqatës që përfaqësoj. Desha të ve në dukje këtu, fakte që nuk u paraqitën: se i  vetëquajturi Mjekërzi, ka nxjerrë rregullisht tre here në ditë shetitje mjekrën e tij në bulevard, e ka çuar atë për të vallëzuar  në disko, e ka ekspozuar në vitrina dhe sfilata,  etj. Janë këto veprime, që kanë nxitur dhe përhapur, ashtu si virusi i gripit, epideminë e mjekërmbajtjes dhe çuan gati në rrënim berberët dhe parukieret, duke krijuar kësisoj probleme të mprehta sociale. Ai e ktheu mjekrën e vet  gati në një kult. Në objekt fizik dhe juridik!

Pas kësaj ligjërate, ai heshti dhe mori një pamje si të përvuajtur, sikur bashkë me fjalët ta  kishte braktisur edhe fryma.

-Unë ngulmoj për një përgjigje nga ana e zotrisë Shahiti: Eshtë apo jo fajtor personi që po gjykojmë?

Burraci u rigjallërua.

-E nderuar juri. Ne hodhëm në peshoren e drejtësisë fakte, opinione thënëse e kundërthënëse. E mira dhe e keqja, ëngjëlli dhe djalli, siç ka thënë një filozof, janë brenda shpirtit te i gjalli. U takon juve mbi bazën e shkronjës dhe frymës së ligjit që t’i ndani.  Të gjeni të mirën te e keqja dhe të keqen te e mira, pafajsinë te fajtori dhe fajësinë te i pafajshmi! Ju faleminderit,- dhe ai u ul në vendin e vet me madhështinë e një mbreti.

Pas gjithë këtij lumi akuzash e opininesh, pasi u këshillua me avokatin e tij, i erdhi radha  Mjekërziut që të mbrohej. Të pranishmit pane, se ai ishte çuditërisht i qetë. Ndër të tjera , ai tha:

-Pyetjes dhe akuzës për fajësi, po i përgjigjem: Aspak të nderuar zotërinj të trupit gjykues. Ju s’më ngjallni pikë respekti, por as frikë, se jeni duke shkelur me të dy këmbët dhe të dy duart në mënyrë flagrante dhe arrogante të drejtat dhe liritë e njeriut. Si papagallë, përsërisni përmenç ca broçkulla të kodit penal, që s’bindin as fëmijët. Si e kuptoni ju demokracinë? Sesi i mbaj flokët dhe mjekrën kjo është thjesht çështje private , çështje  gustoje, pjesë e lirisë sime. Ç’ju kruhet juve me to? Por nuk u ve faj, jeni tepër të paditur që ta kuptoni kaq gjë. Nëse të tjerët këtë e pëlqejnë dhe e imitojnë, kjo është e drejtë e tyre për të përqafuar të renë. Përsa u takon bizneseve të mia, dua t’u bëj të ditur një të vërtetë të njohur që së lashti: Bota është e guximtarëve dhe fitimtarëve. Unë jam njeri veprues dhe i lirë në atë që bëj dhe nuk rri të kalbem nga plogështia, siç kalben banorët e ketij qyteti të humbur provincial. Unë e mbërthej jetën për fyti dhe s’e lë të më mbërthejë ajo mua. E drejtoj siç dua dhe nuk e lë të më drejtojë ajo. Lufta ime bëhet sheshit. Nuk fshihem nëpër vrima dhe skuta.  Më së shumti fitoj, por edhe humbas, por gjithmonë me kundërshtarë që dëshirojnë dhe guxojnë të ndeshen. Që ata humbin dhe u boshatisen xhepat, nuk është problemi  im. Është në saje të guximit, aftësisë dhe shkathtësisë sime, por edhe fatit dhe rastit të tyre të keq. Ja sheshi, ja mejdani. Ja Mjekërzi kapedani. Guxoni dhe urdhëroni. Pa gënjeshtra, pa hile, pa mashtrime, pa dhunë, butësisht, me buzëqeshje, urtë e butë. Thoni që fitimet e mia janë të paligjshme. Gaboheni zotrinj. Kam luajtur me paratë e mia në bilardo, në kazino, në lojëra fati, kurdoherë  në lokale të liçensuara. Kam ngrënë e pirë në restaurant dhe zonjës Kristina i kam paguar me bujari këstet e qerasë dhe i kam plotësuar dëshirat që ka shprehur. Gjithsa përmenda,  jetojnë me këto biznese dhe i paguajnë taksat bashkisë.

U duk se fjala e lodhi, piu me etje disa gllënjka uji, pastaj vijoi:

-Më akuzoni si mashtrues grash! Ja tek janë zonjat e nderuara. Ka kush ankesë për  mua? Cilën kam shtënë në ngasje, cilën kam mashtruar?

Vajzat dhe gratë mërmërinë, por pastaj ra heshtja.  Ankese nuk kishte.

-E, pra siç e shihni, nuk ka ankesa. Por është e vërtetë se ato që më kanë njohur në lidhje intime më kanë dashur, fort bile. Dhe përse duhet ta duan femrat një mashkull ? Ju duhet ta dini zoti gjykatës se jeni vetë burrë. Ca më shumë duhet ta dijë zonjusha sekretare!

Njerëzia u kukurisën, ndersa zonjat, gjasme  të turpëruara ulën kryet. Zonjusha Lidia u bë paparune në fytyrë. “Mbylljani gojën këtij lapërdhari”, iu lut gjykatësit.

-Mjaft!-klithi gjykatësi-Po cënoni moralin publik dhe po fyeni zonjat e nderuara! A e di se ç’të bëj për këtë?

-?

-Meqënse nuk e di po, ta them: Ti fus të dy këmbët në një këpucë, të shkul dhëmballën e shëndoshë me darë kuajsh!

-Faleminderit, z.gjykatës. Universitetit të Rrogozhinës, ku jam diplomuar, do t’i propozoj që në fakultetin juridik të përfshijë edhe lëndët speciale për këpucar dhe dentist. Por le të kthehemi te çështja. Fitimet e mia,- vijoi ai, - janë të tatueshme e fare të pastra, më të pastra se ato të zotrinjve me imunitet. Më ndjeni, por gjuhën nuk e kam aq të shkathët sa duart dhe nuk jam i zoti në llafollogji , por gjithsa thashë janë të vërteta, të sinqerta, të qarta si drita. Si fund pazar, kërkoj pafajsinë dhe një dëmshpërblim  dhjetë milionë lekë për dëmtim të imazhit tim publik. Kaq kisha.

Avokati mbrojtës, që e quajti klientin e tij njeri të kohës dhe modern, viktimë virtuale e një zhgani injorantësh, hodhi poshtë akuzën qesharake dhe kërkoi menjëherë pafajsinë.

Pastaj i erdhi radha prokurorit të mbante pretencën. I fryrë, duke i dhënë shumë rëndësi vetes, me zë basi dhe të folur të ngadaltë, në zbatim të parimit të tij ”Gjeje fajin edhe atje ku nuk është”, e mbështeti fjalën e tij  në nenet 126, 234. 63 dhe 405 të kodit penal.  Para sallës, ai foli me frymëzim dhe dituri të thellë për mjekrën:

- Ky lesh i fytyrës që quhet mjekër, që nga mjekra e Adamit, gjatë mijëvjeçarëve e deri sot ka qënë objekt kulti, nderimi por edhe i krijimit të problemeve. Shumë prej tyre i solli këtu zoti Shahiti. Do të përmend ndonjë që ai nuk e tha. Mjekra ka qënë dhe është edhe objekt religjoz. Myslymanët betohen për mjekrën e Pejgamberit ,kurse komunistët për mjekrën e Marksit. Të gjithë klerikët mbajnë mjekër. Për mjekrën janë krijuar të shara nga më të çuditshmet, si fjala vjen të dhj…. mjekrën. Mjekra është trajtuar edhe në folklor, fjala vjen kënga : “More prift ,mjekër shtupë, as ma jep atë çupë”! Në rastin që po gjykohet, -përfundoi ai,- mjekra është përdorur  si mjet qëllimkeq, pikënisje e mashtrimit publik, rrënimit ekonomik, përvetësimit të pasurisë të të tjerëve, ngashnjimit të seksit të dobët dhe përhapjes së shembullit të keq te të rinjtë.

Për arsyet e mësipërme, e shpalli fajtor të pandehurin  dhe kërkoi dënim me dy vjet burg dhe një gjobë prej një milion lekë.

Para se trupi gjykues të jepte vendimin, avokati mbrojtës gjeti rastin dhe pak mënjanë i dha krytarit një zarf të hollë. Kryetari e priste këtë gjest, por zarfi s’ia mbushi synë. “Janë valutë e fortë, me prerje qindëshe”, - i mërmëriti avokati.

Kryetari bëri edhe një pyetje të fundit:

-I pandehur,e keni ushtruar këtë zeje në qytet tjetër,ë?

-Jo. Nuk pata mundësi. Ka nja tre muaj që kam ardhur nga emigracioni. Ky ishte stacioni i parë.

-Në cilin vend keni qënë?

-Më mirë më pyesni në cilin nuk kam qënë!

Pas marrjes së zarfit, kjo përgjigje iu desh kryetarit për, të vërtetuar se i pandehuri  nuk ishte përsëritës.

Trupi gjykues u tërhoq të merrte vendimin. U vonuan shumë, sa të pranishmit në pritje humbën durimin dhe shpeshtuan brejtjen e farave të kumgullit dhe lulediellit. Trupi gjykues nuk e kishte të lehtë. Krehën kodin penal, kërkuan dënimet, por akuza për mashtrim apo përvetësim nuk vërtetohej, nuk kishte asnjë rast që ai të ishte grindur, të kishte prishur qetsinë publike, nuk kishte armëmbajtje pa leje. Në kërkesën e tij për dënim prokurori ja kish futur kot, si gjithmonë. Më në fund zgjidhja u gjet.

-Çohuni në këmbë! Trupi gjykues do të japë vendimin-njoftoi ftuesi i gjyqit.

Kryetari i trupit gjykues, pasi bëri një shëtitje në nenet e shumta të Kodit Penal  për padinë e palës ”Sindikata e Berberëve dhe Parukiereve” kundër qytetarit të pandehur Mjekërzi  Mjekërziu , dha vendimin:

-Qytetarit Mjekërzi Mjekërziu, si dënim për trazirat psiqike dhe shqetsimet e krijuara, t’i rruhet mjekra dhe t’i qethen flokët publikisht, të dëbohet nga qyteti dhe t’i ndalohet për një afat pesëvjeçar rikthimi. Vendimi është i formës së prerë dhe i paapelueshëm!

Pastaj, si për ta vulosur vendimin, goditi me çekiçin e drunjtë pllakën dhe e deklaroi  seancën të mbyllur.

Zbatimi i vendimit u bë të nesërmen në fushën sportive të lojrave me dorë, që ishte buzë lumit. U ngrit një podium dhe mbi të Banushi, beriberi, kryetari i sindikatës, vendosi fronin dhe pajisjet e tij, ndër to edhe një tabaka që gjindja të hidhte ndonjë lek si darovë. Për berihaj dhe gallatë, u shkulën i madh e i vogël. Për sehir kishte sosur edhe qeni i Lipe Kallajxhiut, që e shoqëronte korin me të lehura. Me këtë rast, nga qyteti fqinj erdhi edhe një korrespondent dhe kameraman  për ta filmuar këtë ngjarje, që do të bënte lajmin e ditës.

U gjet edhe një orkestrinë popullore. Klarinetisti Belul Gërneta, do luante pjesën “Berberi që rruan mbret’në”, ndërsa lamashët e qytetit kishin marrë legena teneqeje, gjyma, kazanë e sahanë bakri dhe kishin formuar një orkestër më vete.

Mjekërziun e prunë të shoqëruar dhe e ulën në fron. Banushi i hodhi mbi supe dhe përpara çarçafët e bardhë. Ushtoi gërneta dhe orkestra nisi këngën aq të njohur”Berberi që rruan Mbretin”, në krah tjetër ushtonte zallahia e legenëve dhe gjymave, tringëllima e sahanëve që mbanin ritmin dhe kënga e repistit Reiz, që përsëriste refrenin ”Berberi,berberi,berberi”. Jehona e zallahisë kthehej nga shpati i kodrave dhe përhapej në tërë luginën.

Nën ritmin e muzikës, një grup të rinjsh nisën një valle rrethore, duke e vënë në mes berberin dhe “Mbretin”, ndërsa kameramani nuk linte t’i shpëtonte asnjë detaj.

Banushi nuk ngutej. E shihte sesi e ndiqnin qindra sy, por për të përmbushur hakmarrjen e tij, donte të shijonte prerjen e çdo qimeje të mjekrës dhe çdo fije të flokut. Kur i erdhi radha rruarjes së mjekrës, viktima ngriti dorën dhe vikati:

-Ndal mor xhahil! Ke marrë urdhër të më rruash apo të më rjepish lëkurën?

Banushi qëllimisht nuk ia zbuti mirë mjekrën me shkumë, që t’i dhimbte, por pas protestës ia zbuti mirë e mirë me ujë të ngrohtë e me shkumë. Kur mbaroi, e disinfektoi me livando, e pudrosi, i shkundi qimet me furçë, hoqi dhe shkundi çarçafët dhe më tepër për forcë zakoni professional i tha:

-Meshëndet!- megjithëse donte t’I thoshte plaç!

Mjekërziu pa mjekër, ngjante fare kot, si gjel i shpupluar, i shfytyruar dhe koka i kishte dalë si kungull. Në fytyrën lakuriqe spikasnin vetullat e trasha e të zeza dhe dy sytë e zinj, që xixëllonin nga mllefi.

Dy policë e shoqëruan deri te stacioni i autobusëve. Prapa i ndiqte turma e sehirxhinjve që hidhte romuze, si të ndiqte një qen të tërbuar. E hipën në të parin autobus që kaloi dhe e përcollën deri në qytetin fqinj.

*    *    *

Mjekërziu i pamjekër e i paflokë, iku që t’i rriste ato dhe të fillonte sërish gjuetinë. Qyteti ra në qetësi e plogështi, me ëndrra të mërzitshme, vejusha Kristina u trishtua për vetminë e saj, zuskat qanë me ngashërim, berberët dhe parukieret iu kthyen punës dhe lumi që kishte vërshuar u kthye në shtratin e tij.

Si çdo çudi, edhe kjo,ditën e katërt u harrua.

3

Nuk qe e thënë, që qyteti të mbetej në qetësi për shumë kohë, të brente pa gajle farat e lulediellit dhe të mbllaçiste çimçakiz. Një ngjarje tjetër tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, por kësaj here nuk ishte ndonjë i huaj, por një banor i respektuar i atij qyteti: Safet Beqollari, ish drejtor I kantierit të sharrave, babai i Banushit dhe i  një familje të madhe, me pesë djem, me nuse nipër e mbesa.

Safeti, që kishte shkelur në të shtatëdhjetat, kishte kohë që kishte rënë në dëshpërim. I mësuar të komandonte, tani s’e dëgjonin as fëmijët e tij. E ndjente veten pa pushtet e pa fuqi. Katër djem ishin hedhur për të punuar në Greqi. Në shtëpi kishte mbetur i madhi, por edhe ai si pemë pa kokrra. Nuset harbonin frelëshuara dhe grindeshin. Ishin kail t’i jepnin flokët në dorë njera-tjetrës. Shtëpia dhe prokopia kishin marrë tatëpjetën. Pak lekë. Varfëri e madhe. Vuajtje e madhe.Mërzi e madhe. Eshtrat ia brente si qen reumatizma. Pas vdekjes së të shoqes, të shkretës Merjeme, i kishte rënë atij barra për të ushqyer atë familje të madhe. Djemtë nga kurbeti herë dërgonin ndonjë lek e herë jo.Banushi me atë briskun e berberit mezi ushqente të tijët. E kishte kapluar mërzia dhe atij i dukej se rronte kot, fare kot. Ditët gdhiheshin e ngryseshin njësoj, të zymta e të mërzitshme, pa gëzim, pa një lajm të mirë, zi e më zi. Këtë ja thoshte kujtdo që takohej:

-Ç‘kemi  Safet?

-Ç’të kemi,ja  gjallë, rroj kot,fare kot. Sa i rëndoj tokës.

-Mos u mërzit.Ka edhe më keq! Ruaj mentë e kokës. Lutu të lesh fëmijët prapa, që zoti të mos të të lëndojë.

- Fjalë goje. Si të mos mërzitem? Ndaj kësaj jete, vdekjen bjere tëhu. Pse jetë është kjo? Më ka vënë midis dy mokrave dhe më bluan përditë. E shkreta grua, Merjemja rahmet pastë, shpëtoi që u shua. Hallet dhe andrallat mi la mua. Edhe ajo nuk duronte të jetonte kot! Zoti e dëgjoi dhe e mori!

Një natë, teksa flinte, ende pa e zënë mirë gjumi, iu shfaq si nëpër mjegull një hije që mori trajtë e formë njeriu. Ishte i lehtë, qëndronte pezull, në shpatulla kishte dy krahë si të pëllumbit. Iu ul në anë të shtratit dhe i tha: “Mos u tremb! Jam Xhibrili, ëngjëlli i Zotit që merr shpirtrat. Ti do të vdesësh. Zoti do të dërgojë te të afërmit e tu që kanë ikur”.  Dhe pastaj iku,  siç kishte ardhur, i pështjellë në mjegullën e bardhë. Safeti, ujë në djersë e me të gulçuar u zgjua. U ngrit dhe piu ujë, por nuk e mblodhi dot veten. Sado u përpoq të flinte, sa e pikaste gjumi, shihte të njëjtën ëndërr.

Të nesërmen, pasi piu kafen, thirri të birin  e madh, Banushin.

-Dëgjo mor bir.

-Më thuaj baba.

-Unë do të vdes.

Banushi, që u zu papandehur, u çudit nga pamja e tij. Fytyra I kishte ngrirë si maskë dhe sytë të kallkanosur  e me një ndriçim të ftohtë akull, i ishin ngulur zbrazëtirës.

-Baba, ti nuk je mirë. Njeriu nuk vdes se do vetë, vdes kur i vjen koha apo shkaku, por nuk dihet as radha, as mosha as koha se kur. Je sëmurë nga streset, duhet të shkosh te mjeku.

-Stresi i leshit! Mbrëmë m’u shfaq ëngjëlli i Zotit, Xhibrili, disa herë dhe më tha se unë jam shënjuar për të vdekur.

-Ti nuk je as besimtar baba, si i beson një ëndrre? Leri tani këto dhe hajde zbresim poshtë në qytet, të të jap një të rruar taze, të pish një kafe të fortë dhe shko bëj një dorë letra me shokët.

-Ik,ti,ik bir, se unë do mbodhisem ca. T’I thashë këto që të mos u vijë e papritur e të gjendeni të papërgatitur. Dërgoju fjalë edhe vëllezërve në Greqi. Kurt ë shuhem,lajmëroni fisin,miqësinë dhe shoqërinë që të më përcjellin. Dua të mi bëni të gjitha nderet dhe të më përcillni siç më takon: Varrimin, të shtatat, të dyzetat, të mos lini njeri pa kafe,  pa raki , apo pa ulur në drekën e mortit. Varrin do të ma bëni pranë nënës, të shkretës Merjeme.- Zëri i dilte i shuar,i zvargur,si më të qarë, si të përcillte xhenazen e tij. - Nuk dua mbi varr fjalime hipokrite: Vdis pa të të dua! Shahin efendiu të më përcjellë me fjalën e shenjtë të Zotit! Bir i babës, bëjini këto dhe do t’u le uratën, bekimin tim që të keni mbrothësi në jetë.

Kur iku i biri, ai thirri nuset, nipërit dhe mbesat dhe u tha të njëjtat fjalë. Nipërit dhe mbesat u tronditën, më të vegjlit edhe qanë. Nuseve nuk u pëlqeu hiç çereja e vjerrit dhe thanë me vete se babaziu kishte shkalluar. Zot na ruaj nga mendtë e kokës! Edhe kjo na duhej!

Kur zbriti në qytet, mori udhën drejt xhamisë. Ishte e premte dhe besimtarët sapo kishin falur vaktin. Hoxha, Shahin Efendiu, që nuk e kishte në radhën e besimtarëve, u çudit nga vizita e tij e papritur.

-Zotri Safet, mirë se të pruri Zoti në vakt të shënjtë të Xhumasë. Qoftë për mirë!

-Mirë se të gjeta, Shahin efendi! Kam ardhur të më shkoqitësh një ëndërr të çuditshme që kam parë mbrëmë. Nuk është ëndërr dosido nga ato që shohim rëndom.

-Pa ta dëgjojmë!

-Në gjumë, m’u shfaq Xhibrili si ëngjëll me krahë pëllumbi dhe më tha : ”Ti do të vdesish dhe do të shkosh pranë të afërmve të tu që kanë ikur.”

-Ishe në gjumë apo zgjuar?

-Nuk e kuptova, por ishte si një përhumbje.

Shahin efendiu u mendua, ndërkohë numëronte kokrrat e qelibarta të tespijeve dhe pas një heshtjeje mistike, i tha:

-Kjo që jetojmë, është bota e rreme dhe ne jemi mysafirë kalimtarë. Nga dheu jemi ngjizur e te dheu do të kthehemi. E përjetshme është bota e përtejme. Vdekjen e kemi borxh. Por ty që të është shfaqur Xhibrili, të janë hapur portat e xhenetit. I lumi ti. Edhe Pejgamberit, që paqja e Zotit qoftë me të, Xhibrili i zbriti Kuranin e madhërishëm. Që të kesh paqe në shpirt, falu dhe lutu, me mëndjen te Zoti i tërëfuqishëm, mirëbërës  dhe mëshirues. U bëftë vullnrti i Tij!

Kur iku nga Xhamia, Safetin këmbët e shpunë vetiu në varreza. Rojes, kur e pa, iu duk se iu faneps një fantazmë. Ai shkoi te varri i së shoqes, i pastroi barërat, i fshiu fotografinë dhe i foli  i mallëngjyer, me zë të ulët e të ngashëryer,  i tha që ta priste,  se së shpejti ai do të vinte aty pranë saj.Kur e mblodhi veten,  i tha rojes së varrezës se e donte vendin e varrit pranë së shoqes, të ndjerës Merjeme.

-Po ta le amanet për së gjalli- dhe i zgjati një kartmonedhë me prerje të madhe.

-Ishalla paç e dhënç përherë e për të mira. Ty t’u shtoftë ymri e qofsh jetëgjatë, zotëri Safet, po vëndi yt aty do të jetë.

Kaluan ditë, kaluan javë e muaj, por vdekja nuk po vinte. Në shtëpi mbyllej në dhomën e tij dhe nuk donte që t’i fliste njeri. Kur rastiste që e pyesnin për gjësendi ai u përgjigjej: ”Mua mos më vini në hesap,zermëni  të vdekur”

Shahin efendiu, u tha besimtarëve se Safet Beqollarin e kishte shënjuar vdekja. Ai dukej se e kishte të shkruar në ballë, por ajo nuk do të ishte një vdekje dosido, por e shenjtëruar, se e kishte paralajmëruar ëngjëlli i Zotit. Ky pohim mori dhenë dhe kur Safeti delte në qytet, gjithmonë i vetmuar, askush nuk i afrohej, askush nuk i fliste, e shihnin si të ishte një fantazmë, kishin për të një nderim mistik, si për një njeri, që gëzonte  për së gjalli dashurinë dhe mëshirën e Zotit.

Safeti priste vdekjen, por ajo nuk po dukej. Vdisnin të tjerë, që nuk e dëshironin. Atëherë ai i dha karar t’i jepte vetë fund jetës. Për të vdekur se për të vdekur! “Rroj kot,-mendonte ai,-mua më janë sosur ditët. Ç’bëri një më shumë apo një më pak. Po iki me plot pengje, por nuk kam as moshë, as takat të ndreq prapësitë e kësaj jete në këtë kohë të çmendur e të çuditëshme!” Pakësoi ushqimin, nuk i hahej. U dobësua, sytë si të pajetë i hynë thellë në zgavra. Nga ato,  që i ndodheshin, hoqi mënjanë aq shpenzime sa duheshin për varrimin, që të mos u bëhej barrë djemve. Shkoi te noteri dhe bëri ndarjen e pasurisë: Shtëpinë dhe truallin e oborrit. Nuk deshi që djemtë të haheshin si qentë për ndarjen e saj. Pas kësaj, u qetësua dhe priste ëngjëllin e vdekjes,  që të vinte e t’i merrte shpirtin. Ai po vonohej.

Përditë vdisnin njerëz. Shihte në televizor kronikat e zeza me lloj e lloj vrasjesh, e vdekjesh që nuk t’i merrte mendja : me sëpatë, me vetëvarje, me armë, me helm, shtypje nga makina, nga treni, mbytje në det ,liqene e lumenj, helmime nga pickimi i gjarprit dhe merimangës së zezë. Hedhje nga kati i pestë apo nga lartësia e vinçit. Shkaqet ishin nga më të ndryshmet: sherre për pronat, xhelozi dhe tradhti bashkëshortore, për borxhe dhe grabitje, mërzi nga jeta e padurueshme, apo ngaqë u kishte ikur fiqiri! Kishte ardhur koha të zgjidhte, një vdekje të menjëhershme, pa vuajtje, pa mundim. Kështu i gjallë,si i vdekur e i pakallur, po bëhej gazi I botës. Por si? Kë të pyeste? U kujtua. Ata kishin një mik shtëpie, që kishte punuar në policinë kriminale. Ishte pensionist. Me siguri ai do t’i jepte një mendim.

Miku, kur e dëgjoi, megjithëse kërkesa iu duk e çuditshme, i tha se po t’i hiqte shpenzimet e udhës, do shkonte në Tiranë dhe ta gjente në arkiva atë që i kërkohej: ”Manualin e vrasjeve dhe të vetëvrasjeve”. Safeti pranoi dhe i dha shpenzimet e rrugës. Priti me padurim sa ai të kthehej. Miku i dërgoj lajm se e priste te biblioteka e qytetit. Atje nuk shkonte më njeri për të lexuar dhe ishte fare qetë. Ashtu e bënë.

-Pa na thuaj, çfarë gjete?

-Janë të shumta dhe të ndryshme mënyrat sesi njeriu mund t’ia marrë shpirtin vetes. Kam të regjistruara këtu në bllok mbi njëqind mënyra: Të lyhesh me benzinë dhe t’i japësh flakën vetes; të varesh me litar në trarin e shtëpise apo në degën e një peme; të shtrihesh mbi shinat e hekurudhës dhe të shkojë treni përsipër; me plumb në gojë apo në ballë me revolver, apo kallash;duke u hedhur nga ura në lumë; të vetëmbytesh në det apo liqen, duke gëlltitur thëngjij të ndezur; duke kapërdirë xhama të shtypur apo gozhdë të vogla; helmim me fostoksinë apo arsenik dhe bar miu, që gjenden me shumicë në farmacitë bujqësore; duke u hedhur nga shkëmbi në greminë; me hedhje që nga ballkoni i katit të pestë; të ngrish natën përjashta nga bora e akulli, apo të të shqyejnë ujqërit e uritur në pyll; me thikë drejt e në zemër; të rrish prapa mushkës xanxare dhe të marësh një shkelm në kokë, si Rexha; të presësh me sëpatë një ah apo lis dhe të rrish ndën të, që të të shtypë, kur rrëzohet; të hidhesh nga aeroplani dhe të mos hapësh parashutën(por kjo s’është për ty); të shtrihesh në vaskën e banjës me ujë të ngrohtë,të presësh damarët dhe ta lesh gjakun të rrjedhë,është vdekje e ngadaltë dhe pa dhimbje; në dhomë të mbyllur nga mangalli I qymyrit apo bombola e gazit,vdekje e rehatshme……Ka plot të tjera, por mençuria është të zgjedhësh vdekje të menjëhershme dhe të sigurtë, se shumë nga këto mënyra mund të të lënë edhe sakat e pastaj të mbetesh në jatak pafundësisht!

-Mjaft se na çudite,-i tha Safeti,- të mbaja për të mençur,por paske qenë fare fyçkë,tuhaf dhe i lajthitur. E shoh që më paskan vajtur dëm pagesa dhe harxhet e rrugës,- tha dhe u ngrit e iku i zhgënjyer dhe i zemëruar. Tjetër gjë priste.

Në kërkim të mënyrës së vdekjes, që ende nuk po e gjente, ai vijoi të shetiste i vetmuar dhe bariste i menduar anës lumit, por edhe  nëpër qytet, si t’i përkiste një bote tjetër. I hollë e i gjatë, me borsalinën e zezë rrasur deri te veshët, pamje zbehtë, ai tërhiqte vëmendjen e atyre, që e njihnin. Ata nuk kuptonin nëse para tyre ishte i gjalli apo fantazma e tij. Që të siguroheshin e përshëndesnin: “Ç’kemi Safet?” Dhe merrnin të njëjtën përgjigje: “Ç’të kemi, ja,rroj kot. Pres të më marrë vdekja!” Banushi që e ndjente veten në zor të madh  e që po bëheshin gazi i botës, që babaj të mos  bënte ndonjë të  pabërë, i vuri prapa një nga djemtë e tij, që i rrinte gjyshit prapa si hije.

*     *      *

Mëngjesin e të premtes, kalimtarët ndalnin këmbët te shpalljet në shtyllat e elektrikut dhe te tabela e lajmërimeve të agjensisë funerale “Parajsa”,  që bënin të ditur nga familja Beqollari “Vdekjen e fort të dashurit, babait tonë Safet Beqollari, vjeç shtatëdhjetë. Varrimi bëhet duke u nisur nga shtëpia në ora 17.oo.”

Më në fund! Por si kishte vdekur? Fare papritur, duke ngrënë bukë me fiq e djathë, pa nxjerrë zë. E gjetën përmbys mbi tryezë. Hëngri bukë e fiq dhe vdiq! Kështu e dha lajmin edhe televizioni lokal dhe ato qendrore. Shahin Efendiu, që do të përcillte të ndjerin për në banesën e fundit, u tha të pranishmve se ai kishte patur një vdekje të lumnueshme, pasi fiku ishte pema e dashur nga zoti. Në Kuranin e Shenjtë, në surenë “El Tinë”, Zoti betohej: “Pasha fikun, ullirin dhe kuajt e shpejtë të Arabisë!” Ai kishte dhënë shpirt pa vuajtje, ditën e shenjtë të Xhumasë. Me siguri shpirti i tij do të prehej në Xhenet.

 

 

4

Pas stinës së të korrurave, i erdhi radha stinës elektorale dhe partitë politike u turrën në fushatën e vjeljes së votave. Qyteti e hodhi tej plogështinë dhe u gjallërua papritur. Nga kryeqyteti vërshuan drejtuesit e partive, të shoqatave dhe agjitatorët me makina të reja, të bukura e të stolisura me stemat e partive. Kafet dhe restaurantet u mbushën cit dhe leku po rridhte lumë. Ballinat e ndërtesave dhe dyqaneve u mbushën me flamurë, me të gjithë ngjyrat e ylberit: Blu,rozë,të kuq,të gjelbër,të verdhë, me shpallje e pllakate. Më vonë u afishuan listat e zgjedhësve, ku mes të gjallëve ishin dhe ca të vdekur, ndër ta edhe i ndjeri Safet Beqollari, që thirrej për të votuar nga bota tjetër. Kishte shumë të regjistruar nga dy herë, numri I votuesve ishte më i madh se ai i banorëve, por punë e madhe!

Banush Beqollari vendosi t’i hynte politikës. Me briskun e berberit nuk jetohej. Nga sa shihte ai, lopa e politikës, kishte qumësht për këdo, që dinte ta milte. Ai u caktua kryetar rajonal i partisë “Shpresa e Shqipërisë”, që drejtohej nga i riu i talentuar e me ambicje politike Bujar Toçi, që ishte pasuruar shumë nga tregtia e “Miellit” dhe tani, pas pasurisë, synonte politikën, emrin dhe famën. Për ta ndihmuar Banushin, erdhi nga qendra profesori i mirnjohur Asllan Bregu, që i shkruante fjalimet. Drejtuesit lokalë të partive, i ranë shkurt takimeve në qytet: Do të organizonin një takim elektoral të përbashkët , ku kandidatët për deputetë të secilës forcë  politike, si në një garë, do të paraqisnin programin dhe platformën e tyre. Pas ballafaqimit elektorati do të dëgjonte, do të pyeste dhe pastaj, sipas pëlqimeve dhe bindjeve, le të vendoste me vullnet të lirë për kë do të votonte.Kurse militantët do të brohorisnin e thërrisnin sa të ngjirreshin. U tha, u bë!

Kandidatët për deputetë, erdhen një ditë para dhe nga rrugë të ndryshme: I partisë së “Kaltër”zbriti nga qielli. Helikopteri i vogël zukati si brumbull dhe u ul me rrapëllimë në fushën e sportit, duke ngrituir një shtjellë të madhe pluhuri. E pritën me brohoritje dhe lule. I partisë së “Gjelbër” kishte udhëtuar me mushkë  nëpër malësi dhe zbriti i lodhur e i dërrmuar. I “Krenarisë Kombëtare” udhëtoi me një furgon-frigorifer të mbushur me pula të therura, dhuratë për përkrahësit e partisë. Kandidati I “Shpresës” mbrriti me një makinë “Lançia” fringo të re, që xixëllonte. I partisë “Rozë” me një autobus electoral, të nisur e stolisur me flamurë e banderola.

Pasi u takuan me mbështetësit dhe hëngrën darkat e pasura, u kthyen për të bujtur në hotel “Rex”. Ata, duke zbatuar parimin “Kundërshtarë, por vëllezër” bënë biseda të këndshme. Hotelxhiu, tha se nata kishte kaluar fort e qetë. Aty ndaj të gdhirë, njeri nga shoqëruesit, kishte zbritur poshtë dhe kishte marrë gjithë akullin, që gjendej në frigorifer.

Drejtuesit e seksioneve lokale të partive, që erdhën për t’u uruar mëngjesin personaliteteve, u rehatuan në kolltuqet e hollit dhe rrufitën  me nge kafet, që u shijuan shumë. I pari zbriti shkallët Bujar Toçi, shend e verë, shpotitës  e i shëndoshë si kokrra e mollës. Kandidatët që zbritën pas tij, kishin në fytyrë e rreth syve ca blana  mavi e bërdunglla, ndërsa  kandidati i partisë së “Kaltër” kishte fashuar dorën. Tha se kur ishte ngritur natën, se banja ishte në kat të parë, ishte rrëzuar në shkallë, se ishte terr, nga që ishin prerë  dritat, por kishin fjetur mire.

*        *        *

Mitingu do të mbahej jashtë, në natyrë, te çesma e “Dervish Rexhepit”, që hidhte ujë nga tre sylinjarë, nën hijen e rrapit të madh, ku cicëronin qindra zogj, në sheshin e blertë, që nxinte qindra njerëz. U vendos një tryezë e gjatë, e mbuluar me beze, sipas ngjyrave të flamurëve të partive pjesëmarrëse. Dukej sikur mbi të kishte rënë ylberi. Gjindja ishte ndarë  tufa-tufa, sipas pëlqimeve dhe përkatësive partiake. Militantët brohorisnin. Entusiazëm i madh, pritej gallatë, sehir dhe  një shfaqje, që qyteti kishte kohë pa e parë. Gazetarët e gazetave të varura e të pavarura,  gëlonin gjithandej të dalldisur, kamerat e televizioneve s’pushonin së xhiruari këto pamje, që do t’i bëheshin të njohura gjithë vendit. Për radhën se kush do të fliste, u hodh short. Të parit i qeshi fati kandidatit të partisë së “Kaltër”. Kur ai u ngrit, përkrahësit shpërthyen në duartrokitje dhe thirrje të forta, aq sa zogjtë u ngritën fluturim nga kurora e rrapit dhe jehona u përcoll në luginë. Kandidati, politikan i regjur, buzëqeshi, i përshëndeti me dorën e lidhur dhe priti që ata të qetësoheshin.

-Zonja dhe zotrinj! Miq e dashamirë, qytetarë të nderuar! Jam shumë i prekur nga pritja juaj, jashtëzakonisht i prekur nga besimi që keni treguar dhe tregoni për forcën time politike, luftëtaren për demokracinë e vërtetë, që është partia e qytetarit dhe për qytetarin. Votoni programin tonë, votoni për personin tim pasi unë u premtoj, me fjalë nderi, por dhe ju siguroj se do t’i ndryshojmë pamjen këtij vendi. Ashtu de! Ku e lamë? Ah po,te ndryshimet e mëdha. Ujë  dhe drita,njëzet e katër orë në njëzet e katër, dymbëdhjetë  muaj në dymbëdhjetë! Punë, mirëqënie, liri e demokraci për të tërë. Ashtu de. Hë,ku e lamë? Ah po, te rrugët. Do ti shtrojmë e zgjerojmë, të varfërit do ti thonë def varfërisë . Partia ime do vendosë rregull, rend e qetësi, do t’u pritet rruga banditizmit dhe aventurierëve të kallëpit Mjekërziu. Fund grabitjeve dhe akteve të dhunshme! Ashtu de.Ku e lamë, po te armët. Ne do t’i mbledhim armët, popullata do ti dorzojë ato vullnetarisht, në mos ligji dhe vetëm ligji do të jetë I pamëshirshëm.

Kur folësi ishte duke thënë ato fjalë, dikush nga turma shkrehu një breshëri automatiku, që ushtoi si rrufe në të kthjellët. Kandidati, me një shkathtësi të çuditshme, hyri dhe u fsheh nën tryezë. Plasën të qeshurat dhe të thirrurat:  “Hya,hya”.U bë tollovi e madhe,qeshnin me lot. Bujar Toçi e ndihmoi të delte nga nëntryeza. Ishte dyllë i verdhë dhe dridhej.

-Mbaje veten o trim. Këta i shkrehin armët për qejf e berihaj.

Një përkrahës i partisë ” Shpresa e Shqipërisë” i tha Bujarit:

-Pa shikoje, o Bujar se mos zotria është lagur, që t’i sjellim një palë ndrresa të reja!

Folësi që ende s’e kishte mbledhur veten, e konsideroi  atë një atentat komunist dhe kështu do t’ia raportonte edhe qendrës dhe medias.

-E di se kam ardhur në një miting elektoral- tha ai-Dhe jo në një poligon qitje. Nuk kam sepse të vazhdoj më tej. Elektorati im e mori mesazhin!

Drejtuesi i takimit i ftoi të bënin pyetje dhe diskutime për kandidatin e “Kaltër”.

-Me leje?- tha duke u ngritur një tjetër, ishte Cufe Zavalli.

Me hapa të ngadalta, duke zvarritur opingat e llastikta,  çapiti drejt tryezës. Qëndroi  ballas, pastaj mori një shishe ujë dhe e rrëkëlleu ngadalë të gjithën.

-Të bëftë mirë o Cufe! Tashti  thuaje  ç’farë ke për të thënë.

-Kaq.Thashë ta provoja një herë këtë ujin e fabrikës, se nuk kasha pirë ndonjë herë.

-Si t’u duk?

-I mirë, po si me gjemba,të cimbiste gjuhën.-tha Cufja dhe shkoi  u ul në vendin e tij.

Pas Cufes u ngrit Lake Llullaja, çakër qejf dhe gjysmë i dehur.

-E kam një pyetje, për atë bilbilin që ligjëroi. Sa për ujin, ne kemi me tepricë e të mos qederoset. A ka mundësi, që bashkë me tubat e ujit të shtojë dhe një tub tjetër, ku të rrjedhë rakija ballkazani, siç del nga llullaja, njëzet e katër orë? Të ketë edhe një tub nga ku të rrjedhë qumështi për kalamanët! Po e bëri këtë, hallall.  Ka votën time dhe gjithë pijetarëve të qytetit dhe krahinës. Sa për dritën, s’na prish punë se gota e gjen buzën edhe në terr.

Plasën të qeshurat. Kandidati mbeti në mëdyshje,po bëhej qesharak. E mblodhi veten dhe me pamje të zëmëruar, iu drejtua turmës:

-Besoj që zotria nuk u përfaqëson juve. Bashkë me rakinë ka pirë dhe mendjen. Ne s’kemi të tepërt që t’i japim atij.

Përgjigja erdhi flakë për flakë:

-Ta gëzosh për jetë e mot,se me atë mendjen tënde unë s’vete dot as në hale. Më mjafton e më tepron kjo që kam!

U ngrit Sotiri. Kishte dhe ai një pyetje, që e mundonte prej kohësh. Priti sa ra qetësia dhe pyeti:

-Dua të di qëndrimin personal, por edhe të partisë së tij për ato bizbiqet dhe dylberët.

I pyeturi ngrit supat. Nuk kishte kuptuar përse bëhej fjalë.

-Bizbiqet-qartësoi Sotiri- Janë ca çupa që nuk u pëlqen “rrushi”, por “petulla”. Dylberët thonë që janë ata që shkojnë mashkull me mashkull, i quajnë edhe bytharë…Thonë që Evropi u del krah dhe i do shumë, se gjoja  kjo bën pjesë te të drejtat dhe liritë e njeriut!

-E kuptova. E ke fjalën për lezbiket dhe homoseksualët. Ky problem ende tek ne nuk është shtruar për zgjidhje, pret. Pse, ju keni ndonjë problem këtu, në qytetin tuaj?

-Kështu sheshit, nuk kemi, se nuk guxojnë nga që ne do tu turrim qentë, por ku mund ta dish! Thonë që në Tiranë kanë dalë sheshit.

I erdhi radha partisë së “Krenarisë Kombëtare”. Ai kishte vënë në kokë një qylaf të bardhë me një shqiponjë dykrenare. Sapo u bë gati të fliste, u dëgjua një këngë këndezi, pastaj kakarisje e pulave dhe përsëri këndezi. Ishin hatërmbeturit, që nga pulat e sjella nuk u ra në pjesë, sepse ato i morën vetëm simpatizantët e asaj partie. Me gjithë ndërhyrjet, qetësia nuk u vendos, megjithatë, folësi kokëfortë,i inatosur dhe i hakërryer, pasi lëshoi një lumë të sharash për komunistët, lexoi ato që kishte të shkruara.

Edhe për të pati një pyetje.

-Ç’farë ndryshimi dhe ngjashmërie kishte midis dhelprave dhe partisë së “Krenarisë Kombëtare? Pse i pëlqenin aq shumë pulat?

Në vend të përgjigjes, ai mori një të sharë.

Kur po fliste kandidati i partisë së gjelbër, për energjinë e bardhë,ngrohjen globale,shkretëtizimin e vendit, mbrojtjen e pyjeve, të kafshëve dhe shpendëve që po shfaroseshin, se nga erdhi një lukuni qensh, që ndiqnin një bushtër. Kur dëgjuan zallahinë e gjindjes ata filluan të lehnin me të madhe e tërsëllimë. U ngrit Bujar Toçi dhe u tha partizanëve të vet:

-Zbojini këta dreq qen! Boll kemi këta zagarë këtu në tryezë, të cilët kanë një orë që po lehin!

Të tjerët protestuan, por Bujari tregoi grushtet dhe dhëmbët. Ata çuditërisht u tulatën. Kujtuan goditjet që kishin marrë gjat natës.

Sfidanti i parties”Rozë”,ndër të tjera tha: “Nga kaosi ne do të nxjerrim rregullin,nga errësira dritën, nga varfëria pasurinë, nga padrejtësia drejtësinë, nga papunësia punësimin, nga padituria diturinë….” Militantët që perkrahnin atë parti ishin aq të shumtë , sa thirrjet me “Urra” dhe “Fitore,fitore” ishin aq të forta, sa zëri i folësit nuk dëgjohej. Atëhere ai tha:”Volks popoli,volks dei ” dhe u ul i lumturuar.

Më në fund i erdhi radha e shumëpritur, kryetarit të “Shpresës së Shqipërisë”.

-Më njihni mua?-pyeti ai.

Përgjigja qe një” Pooo” e zgjatur dhe e fuqishme.

-Unë jam biri juaj. Jam rritur në këta pyje dhe male. Që trembëdhjetë vjeç jam ndeshur me ujkun dhe ariun,por asnjëherë nuk kam thënë se e kam shitur lëkurën e ariut pa e vrarë atë. I shihni këta biçimër, që janë krah meje? Këta e shesin lëkurën e ariut para se ta vrasin! S’janë  gjë tjetër veçse ca zagarë të vegjël, që lehin avazin, që u kanë mësuar  sa herë padronët u hedhin ndonjë kockë. Janë ca shkërdhata pa nder e burrëri. I shikoni si janë handakosur?  Mbrëmë natën u rrahën e u grinë , sa mezi arrita t’i ndaja. E si mund tu besoni këtyre me gjithë ato dëngla-mënglat për liritë të drejtat,pronën, diellin,shiun, erën  e pordhi kali në derë të hanit? U gënjejnë, gënjejnë si derri. Ata nuk përgjigjen për ato që thonë, se s’janë askushi! Unë nuk jam si ata. Jam kryetar partie dhe bir i këtij vendi. Dëgjoni tani se çfarë do t’u them: Këto ditë,bleva kantierin e sharrave dhe do ta ve në punë. Këtu,poshtë,në qytet do të ngre depot e vjetërimit të drurit dhe fabrikën e mobiljeve. Do prodhoj për nevojat e vendit dhe eksport. Kam gati një kontratë me një firmë angleze. Do punësoj as më shumë e as më pak, por dyqind punëtorë. Do punësoheni e do ti thoni def varfërisë.  Ky jam unë, Bujar Toçi,kryetar I partisë “Shpresa e Shqipërisë”, që sjell shpresë të vërtete për qytetin tim. Votoni për mua, votoni partinë time se ajo është partia juaj.

Pati brohoritje e duartrokitje të stuhishme. Bujar Toçin e ngritën,  e hodhën dhe e pritën me hopa-hopa. Pas kësaj mitingu u mbyll, por fushata do të vazhdonte deri në ditën e zgjedhjeve. Partive të tjera u erdhën përforcime nga Tirana, agjitatorë të kualifikuar dhe shumë material propogandistik. Ndërkohë ndodhi e pangjara: Shtabit elektoral të “Partisë së kaltër”’ i zuri pritë një bandë me maska. U morën makinat dhe u shkrehën një batare plumbash mbi kokë. I urdhëruan, që po ta donin kokën, të zhdukeshin një orë e më parë andej nga kishin ardhur. Pas denoncimit, panë ç’panë, u kthyen në Tiranë dhe Bujar Toçi mbeti  thuajse pa rivalë, sepse ata të partisë “Rozë” i kishte aleatë.

Bujar Toçi, që e ndihmonte Banush Beqollari, ua hodhi të gjithëve. Dy javë para zgjedhjeve, në qytet u vunë afishe me lajmërime për t’u punësuar në kantierin e sharrave dhe ndërtimin e fabrikës së mobiljeve. Në një fushëtirë në të dalë të qytetit, buldozerët filluan të dystonin sheshin e ndërtimit. U ngrit një barake si fillim kantieri dhe topografët nisën piketimin e kontureve të veprës së re.

Ata që u regjistruan morën një paradhënie. Ky po,që ishte kandidat për të qenë.

Zgjedhjet, u zhvilluan të qeta. Pati në mbrëmje ca kuti të thyera, shkëmbime grushtesh e të sharash, ca zarfe që ua dhanë nën tryezë komisionerëve, por këto ishin gjëra pa rëndësi. Zgjedhjet ishin një hap para, të lira,transparente e të ndershme. Zgjedhjet i fitoi partia e re “Shpresa e Shqipërisë”. Vonë në mbrëmje, kur u bë i njohur rezultati ,rruga u mbush me makina, me flamurë dhe ushtima e borive,  që s’kishin pushim. Birra u derdh lumë.

*      *     *

Kaluan ditë, kaloi muaji. Për fillimin e punës dhe punimeve  në kantier, askush nuk po bëhej i gjallë. Thoshin se deputeti nuk kishte gjetur financimet e nevojshme, por Banush Beqollari i mbante me shpresë. Prit e prit dhe ata e humbën durimin. Ditën që Bujar Toçi po mbante në Kuvendin e Shqipërisë një fjalim të rëndësishëm, të revoltuarit që e kuptuan se i kishin mashtruar, shkuan në kantjer dhe i vunë zjarrin barrakes. Askush nuk i ndaloj. U dogjën ca bishta veglash dhe ca karroca dore. Në vend të barrakes mbeti një grusht thëngjijsh e hiri. Në njoftimin e shtypit u tha se  të lënduar nuk pati. Aq e pati dhe ajo protestë.

5

Qyteti, që e kishte kujtesën të shkurtër, kur e pa se edhe pas zgjedhjeve asgjë e re nuk po ndodhte, ra sërish në plogështinë dhe përgjumjen e ditëve të nxehta. Në fillim të shtatorit, deputeti Toçi u shfaq me një shpurë përcjellsish të zhurmshëm dhe si era me shi i ra tejembanë rrethit të tij elektoral. Hodhi poshtë thashethemnajën për falimentimin financiar dhe deklaroi se projektet që kishte premtuar, do ti bënte realitet. Burri burrë dhe fjala fjalë! Kaq mjaftonte për të rifituar besimin e humbur.

Si fitues i zgjedhjeve, i takonte të ndante plaçkën. Të parin takoi Banush Beqollarin. Biseda u bë me gotën e uiskit përpara. Sallonin e berberit, do t’a kthenin në zyrë dhe seli të partisë. Për këtë Banushit do t’i jepej një qera mujore, që ishte më e madhe se fitimet. Për ndihmesën personale dhe përkushtimin e rrëfyer për fitoren e zgjedhjeve, Banushi ishte emëruar drejtor i “Entit Rajonal të Pasurive Natyrore dhe Mjedisit.

- Mos më thuaj që nuk e bën dot! Nuk janë më të mirë nga ti ata që u bënë ministra! Ke diplomë ti Banush?

-Jo. Vetëm maturën e gjimnazit të natës.

- Shko dhe blije atë paçavure diplomë, që t’u mbyllim gojën llapaqenve. Nga puna do të fillosh menjëherë. Entin do ta kthesh në çerdhe të partisë. Pushoi të gjithë ata që janë në punë. Pa mëdyshje, pa keqardhje, pa mëshirë! Merr të rinj e të reja anëtarë të partisë. Detyra e tyre parësore është forcimi, fuqizimi dhe shpërndarja e partisë deri në cepin me të largët. Punët e tjera janë sa për sy e faqe! E more vesh? Për t’u hedhur hi syve njerëzisë, bëji pranimet me konkurs. Do fitojnë vetëm ata që do ti. Të tjerëve bëju nga ato pyetje, që nuk i di as vetë,  sa të mos dinë nga të venë. Kështu birçe.

-Mirë,por do të kemi llafe!

-Mos e ça trapin nga llafet. Ç’do çudi tre ditë e ka,të katërtën harrohet. Kur isha ekonomist në kantierin e sharrave,e di si më thoshte i ndjeri babai yt,Safeti? ”Këtij mileti bëji nënën që të të thotë baba!”

*    *    *

Enti ishte i vendosur në një vilë të tipit alpin në të dalë të qytetit,në një çeltirë mbi të cilën fillonte pylli i lisave. Zyrat ishin gjysmë të plaçkitura, por ngrehina mbahej mirë. Paraqitjen e drejtorit të ri para personelit, e bëri Zv/prefekti, që sapo ishte emëruar. Si pa dëshirë tha pak fjalë. Heshtje,habi,pastaj një urim pa zemër e nëpër dhëmbë, që Banushit nuk i shpëtoi.  Banushi doli me të për një kafe. Kur u kthye, pa që nëpunsit hynë nëpër zyra dhe ra një heshtje e shurdhër. Atij ju kujtua e thëna : “Kur hyn macja në shtëpi, minjtë fshihen vrimave.” Banushi e mori në dorëzim zyrën e drejtorit pa proces-verbal. Në kasafortë s’kishte asgjë, ndërsa në rafte ishin ca dosje të verdhëreme , të pluhurosura dhe ca shishe pijesh të boshatisura. Tryeza e rëndë, me dru gështenje, ishte vendosur pranë dritares dhe kryq me të gjendej një tryezë e gjate dhe ca karrige druri të sakatuara dhe anash murit, një divan i rjepur. Banushi i pakënaqur, u ul në krye të vendit. Puna e parë do të caktonte shefin e administratës dhe do të shpallte konkurimin për vendet e punës. Dy vende kërkonin profesionistë: Inxhinieri i pyjeve dhe ai i gjeologjise. Ju kujtua Ymer Pelivani, inxhinieri i pyjeve që kishte punuar në kantierin e sharrave me të ndjerin baba. Vërtet ishte i hurit dhe litarit, por besonte se punët e partisë do t’i bënte mirë. Për pasuritë minerale,do të mbante gjeologun, që ishte në prag të pensionit. Ai as ngrohte, as ftohte. Ishte i bindur dhe nuk i prishte punë.

Banushi la të kuptohej se do të bëhej një reformë e thellë administrative dhe dha porosi që të vendosej në qytet një afishe për vendet  e punës. Personelin e zunë ethet. Konkuruesit duhej të paraqisnin dosjet personale. Nuk kaloi veçse pak kohë dhe vërshuan kërkesat, Tryeza e punës u mbush me një pirg dosjesh dhe u shpall data e konkursit. Oborri u mbush me të rinj e të reja, me burra dhe gra, që kishin ardhur të provonin aftësitë dhe fatin. Banushi porositi Ymerin që të përgatiste një paketë pyetjesh për testim, me pyetje të vështira, nga ato që edhe mund të mos i dinte vetë.

Të parën thirri Sofien, shefen e administratës në detyrë. Grua në moshë,si e tharë në tym, e veshur me të zeza, nga që i kishte vdekur i shoqi, Nga tërë qënia e saj pikonte pikëllim, mërzi e trishtim. Dukej shumë e vrarë nga jeta.

-Sofie, ke qënë komuniste?

-Ashtu ishte koha, si për mua si për babanë tënd,të ndjerin Safet.

Banushit i dogji përgjigja.

-Po këta që ikën, si të mbajtën në punë?

-Djemtë hynë në partinë e tyre. Edhe unë hoqa dorë nga  partia socialiste.

-Sofie, babai im u qëndroi besnik pikpamjeve të tij dhe nuk e drodhi si ti.

-Po të dëshironi, unë antarësohem edhe në partinë tuaj. Pluralizmi na lejon të zgjedhim.

-Nuk kemi vend për ata që ndërrojnë njëqind flamurë. Më dukesh shumë e lodhur. Ka ardhur koha të çlodhesh. Kam vendosur të dalësh në asistencë. Më duhen njerëz të rinj.

-Por,zoti Banush, edhe për shtatë muaj unë dal në pension. Mos ma bëni këtë.

-S’ka por. Kjo bisedë mbyllet me kaq. Shko! Ke nevojë  të çlodhesh. Ditën e mirë Sofie.

Thirri Sandrin. Ai hyri në zyrë , hapi krahët dhe u turr të përqafonte Banushin:

-Banush Beqollari,mor artist, të polli gjeli!

Banushi nuk u ngrit nga  vendi, u mvrejt dhe i preu vrullin. Pastaj i foli rëndë -rëndë:

-Sandri! Të kam thirrur që, po ta ka qejfi, të jesh shef i administratës. Veç dëgjomë mirë dhe vere vath në vesh: Që sot e tutje, në këtë zyrë s’ka më miqësi. Unë për ty jam zoti Banush, drejtori, kurse ti për mua je Aleksandri, shefi i administratës. Kështu sot e mot! U kuptuam?

-Si urdhëron, zoti Drejtor!

-Para se të fillosh nga puna, dua të me përgjigjesh disa pyetjeve që vënë në provë mençurinë tënde. E para,sa bëjnë tre edhe dy?

-Po tallesh me mua? Këtë e di edhe një fëmijë. Pesë bëjnë

-Nuk e gjete. Përgjigja do të ishte: Sa e doni ju  zoti drejtor?

-E dyta, a gabon drejtori?

-Epo,njeri është edhe drejtori,edhe gabon.

-Nuk e gjete. Përgjigja duhet të ishte: Drejtori ,nuk gabon. Ai gjithmonë ka të drejtë!

-Pa hidh një sy në oborr!  Çfarë sheh?

-Plot pisllëqe dhe një makinë fuoristradë ngjyrë të përhime.

-E kujt është ajo makinë?

-E entit për nevojat e shërbimit.

-Edhe këtë s’e gjete. Makina është e drejtorit. Në ndenjësen e saj nuk duhet të ulet tjetër bythë! Ti nuk e kapërceve testin e zgjuarsisë,por nga pyetjet i more vesh detyrat e tua. Tani ikë dhe fillo nga puna. E para,  më bëj gati makinën. Nesër e dua në punë!

Sandri u çudit. Ky nuk ishte Banushi, berberi ku rruhej e qethej. Pa shiko se ç’bën karrikia! Në koridor u këmbye me Dianën, vajzën e noterit, të nisur e stolisur. Kishte ardhur edhe ajo të kërkonte fatin e saj.

Kur hyri Diana, Banushi nuk e dha veten nga bukuria e saj verbuese, por nuk mundi të përmbante një buzqeshje, që i erdhi vetiu se brendshmi. Zyra që binte era myk u ermirua nga parfumi i saj delikat e femëror. E gjatë, bjonde me sy të kaltër si pika uji, minifundi i linte t’i dukeshin këmbët e bukura, ndërsa poshtë dekoltesë së hapur të bluzës së trëndafiltë,  dukeshin gjinjtë si të mermetë . Kur u ul në divan dhe po hidhte këmbën mbi këmbë, iu dukën breçkat e kuqe. Banushit iu tha gryka dhe i shkuan mornica. Kur e pa se drejtori s’ua shqiste sytë gjokseve, në vënd që ta ngrinte bluzën, e uli edhe më posht dhe i dhuroi një buzëqeshje nga ato që të rrëzojnë vdekur për tokë! Kjo pikë femre e fitonte konkursin edhe pa pyetje. Ai nuk kish ndër mend ta linte t’i fluturonte kjo zoçkë. Do ta mbante në paradhomën e zyrës. I bëri ca pyetje sa për të shkuar radhën: Për arsimin, a dinte të punonte në kompjuter etj. Ajo u përgjegj me zë nazik e melodioz, duke buzëqeshur tërë hijeshi , se do të bënte gjithçka që ai do t’i kërkonte!

-Po gjuhët e huaja? Se në entin tonë do të na vijnë edhe të huaj.

-Italishten e thaj,anglishten e qaj. Kam edhe dokumentat, por po  të dyshojë, zoti drejtor mund ta provojë.

Banushi, që u zu ngusht nga dinakëria e saj,i tha se s’ishte nevoja. E besonte.

-Mirë,zonjush Diana. Nesër do të fillosh nga puna në paradhomë si sekretarja ime. Bëji të fala babait.

Diana lozonjare e falnderoi dhe  para se të delte, qëndroi te dera gjysmë e hapur, dhe e vështroi me atë buzëqeshjen rrezëllitëse. Iku dhe la pas vetes amzën e saj tepër femërore. Banushi frymoi thellë. Bukuria ishte çelsi, që i hapte të gjitha dyert. Lumë kush e kishte!

Erdhën të tjerë, që konkuronin për vendet e inspektorëve të mjedisit,të pyjeve dhe minierave. Banushi thirri në komision për kompetencë edhe të dy inxhinierët, që bënin pyetje teknike, administrative dhe ligjore. Kur Banushit nuk i pëlqente kandidati, bente pyetje  nga ato të listës, për të provuar zgjuarsinë: Kur bie shi, breshër,  borë dhe pse? Nga mbushet dhe nga hahet hëna dhe sa ditë duhen që ajo të jetë e plotë? Pse  dielli është gjithmonë i zjarrtë? Pse maces së egër në pyll i ndrijnë sytë natën? Si kthehen në orë e në masë shprehjet popullore : “Një vrap pele” dhe “Një hosten diell? Ç’farë ndodh të nesërmen kur horizonti në perëndim është i kuq? Ç’është ajo kafshë, që ngado shkon e ka shtëpinë me vete? Sa herë në vit pjell lepurushja dhe sa të vegjël pjell në çdo lindje? Si dallohet lisi nga dushku, pisha nga rrobulli dhe arneni? Ata që pyeteshin, të zënë në befasi, përgjigjeshin si mundnin,  por thoshin se edhe nuk e dinin përgjigjen.

Më në fund, intervistimet mbaruan. Banushi mori listën dhe me ngjyrë blu   nënvizoi ata që do të merrte në punë, anëtarë të rekomanduar dhe aktivistë të partisë “Shpresa e Shqipërisë” dhe me të kuqe, ata që nuk “kishin fituar”. Diana bëri listën dhe e  vari në stendën e shpalljeve në koridorin e katit të parë.

Që të mos dëgjonte ankesat dhe të sharat e atyre, që iknin apo që nuk kishin fituar, shkoi për disa dit në Tiranë, që t’i raportonte deputetit Bujar Toçi për punën e mirë që kishte bërë. Drejtori i ri ishte i kënaqur: Kishte një karrike drejtori, një makinë fuoristradë dhe  një vashë të bukur në paradhomë, që premtonte shumë. Mbeteshin paratë,por edhe ato do të vinin me projektet dhe tenderat.

*     *     *

Kaluan muaj. Qyteti sërish përjetonte qetsinë dhe përgjumjen e tij. Koha rridhte bashkë me ujët e lumit dhe derdhej në detin e harresës. Punët në ”Entin Rajonal të Pasurive Natyrore dhe Mjedisit” shkonin si jo më mire. Personeli i ri u tregua në lartësinë e detyrës: Në pyje sëpata, sharra dhe zjarret bënin kërrdinë, galeritë e minierave po shëmbeshin, mali i plehrave sa vinte rritej dhe nga djegia e tyre qytetarëve u zihej fryma. Ato që tepronin i merrte lumi dhe i përcillte në det.

Në raportin vjetor të dikasterit të varësisë, Banush Beqollari përmendej si drejtues shembullor dhe mori shpërblim  në fundviti dy rroga mujore.

Partia “Shpresa e Shqipërisë” u fuqizua dhe u bë forca e parë politike në rreth. Thoshin se Banush Beqollari, në zgjedhjet e ardhëshme, do të ishte kandidati për deputet, ndërsa Bujar Toçi priste që të merrte një portofol ministri në kabinetin, që pritej të zgjerohej.

Kështu u mbyll ai vit,por jo çudirat, që vazhduan edhe pas tij.

Tiranë,1997-2013