Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Etjen për ta shuar...
E shtune, 26.01.2013, 10:00 AM
Sejdi BERISHA:
ETJEN PËR TA SHUAR...
Ik nga unë
O, varg i këngës
Mos më ngacmo
Me thërrmitë e jetës
Se mjaftë më ke vjelë
Si qershizat në qershor
Edhe si mollët lalçe në fund të verës
Mjaftë më ke përmalluar
Me gjethin e verdhë
Edhe me beharin në pranverë
Të lutëm
Ik nga unë
Se jam lodhur me zërin tënd
Me frymën dhe me flakën e stinëve
Që peshë e qojnë zjarrin tim...
Të lutëm
Ik nga unë...
Më premto
Se do të ikësh
E, ku do të shkosh
Që dot s’mund pa Ty
Po, ik more rob i shpirtit tim
E unë lak i përthurur në Ty
Ik shko kah të duash
Shëtit nëpër kohëra
Shko në Pejë e në Prizren
Edhe në Shkup e Preshevë
Në Janinë e tek Molla e Kuqe
Në Plavë e Guci
Edhe në Çamëri
Shko në dreq të mallkuar...
...
Nuk gjeta fjalë as lutje
Për t’i dhënë përgjigje tjetër vargut tim
Prapë i thash
Rri, rri këtu me mua
E së bashku edhe më tutje të udhëtojmë
Të shkojmë tek një lapidar
Që, nuk është më...
Apo është duke shëtitur
Në tokën plotë ngjyrë të kuqe
Të bisedojmë atje me njëri-tjetrin
Unë për çmendinë e gjakut tim
E Ti për ndrydhjen e zërit tënd
Dhe bashkërisht
Të këndojmë apo ta vajtojmë
Zemërimin dhe etjen në rrugëtim
Njëherë kam pas thënë
Them edhe tash:
Kërkoj kripën
Etjen për ta shuar...
Sa mirë, o vargu im
Kështu sërish jemi bashkë
Si dy miq dhe armiq
Duke kalëruar tokën
Si mushkën me barrë të betejave
Ah, moj kënga ime
Po ç’më bëre Ti...
Dhe...
Nëse ndonjëherë vendos
Me frymën tënde të më ngrohësh
Të lutëm
Më mbështjell me ngjyrën e bardhë
Por, sipër mos harro
Më stolis me ngjyrën bojëgjake
Se ajo është e njeriut dhe e tokës sime
(Gjilan, e enjte 24 janar 2013)
(Kjo poezi u lexua në Orën e Madhe Letrare në manifestimin “Flaka e Janarit-2013” në Gjilan, më 24 janar 2013/15:00)