Kulturë
Timo Mërkuri: Të flasësh për “Artin Jonian”…
E diele, 24.06.2012, 06:24 PM
Të flasësh
për “Artin Jonian”…*
…në librin “Joni Poetik” të Fatmir Terziut
Nga Timo Mërkuri
Në kohën
kur ne, një grup relativisht i vogël krijuesisht sarandiotë nisëm të shkruanim
e të flisnim me njeri tjetrin për “Artin
Jonian”, nuk e dinim se diku larg, ishte një mik i yni që po na dëgjonte me vëmëndje.
Edhe sikur dikush të na e thoshte këtë gjë, ne përsëri nuk do ta besonim, sepse
ne nuk flisnim për të na dëgjuar të tjerët. Ne flisnim për veten tonë, për
shkrimet tona, për artin tonë.
-Ne nuk
themelonim teori dhe shkolla, ne ishim dhe
jemi vetë nxënës që mësojmë, zbulojmë dhe pasqyrojmë artistikisht ditë për ditë botën e madhe magjike të Artit
Jonian.
Sepse, ta
themi e ta dimë, nuk e krijuam ne Artin Jonian, ndonëse kemi folur me tingëllimën
joniane, e ngjashme me zhaurrimën e valëve
në breg dhe e pa krahasueshme me asnjë tjetër në botë.
-Ne nuk
jemi deti Jon, ne jemi bijtë e tij të ritur pranë brigjeve jonike që ju mirëpresim
edhe juve, miq të dashur, duke ju dëshmuar
bukurinë dhe shënjtërinë e viseve tona.
-Në këto
vënde pra, ne një grup i vogël krijuesish, nisëm të flisnim për Artin Jonian,
si për një botë apo qytetërim arti që nuk ishte pjellë e fantazisë sonë, por llogjikisht dhe detyrimisht ka egzistuar, sepse reliket e saj rrezëllijnë aty këtu. Pak a shumë siç fliste
me vete Ugolini për egzistencën e qytetit të Butrintit, para se ta zbulonte atë.
-Dhe
ndoshta duhet të theksojmë faktin se këto
biseda nisën të shpeshtohen mes nesh,
pikërisht në kohën e pregatitjes për botim, pas një heshtjeje mbi 30 vjeçare,
nga poeti Agim Mato, të librit të tij “Jashtë Eklispsit”. U shpeshtuan kur poeti Andrea Zarballa formatoi librin e tij
poetik “Mos e vështro fundin e detit” për tu ngritur me intensitet më të madh
te projekt libri “Fundo” , përsëri i poetit Agim Mato. Dhe kjo ndodhi, sepse te
këto vëllime poetike janë të mishëruar më së miri ato pretendime dhe mendime që
kemi ne për Artin Jonian. Kjo ishte dhe arsyeja që, një analizë të librit poetik “Jashtë Eklipsit” e bëmë pikërisht nga këndvështrimi që kemi ne
për këtë art. Po kështu projektonim që edhe
librat e tjerë ti analizonim pikërisht nga ky këndvështrim.
Dhe nuk e
dinim që, ndërkohë një mik i yni, diku larg, projektonte pistën teorike të idesë
sonë.
- Ne,
pra, flisnim për vete dhe një mik i largët, po na dëgjonte me vëmëndje.I
mirte fjalët tona, vargjet tona, shkrimet dhe mendimet tona, shpesh herë pa
lidhje me njeri tjetrin, i studionte me skrupulozitet dijetari dhe me to
formatonte një mozaik teorik, aqë të bukur, sa që edhe ne habitemi me finesën e
tij dhe mbi të gjitha, me bukurinë e madhështinë e një bote reale, që ne e kujtonim
të copëzuar a të humbur.
Një mozaik
të bukur, në formën e një libri me emrin
e magjishëm “Joni Poetik”, pjesë e të cilit është padyshin edhe artikulli i
mrekullueshëm “Përse Joni Poetik”.
-Aty pamë
të analizuara dhe argumentuara shkencërisht ato që ne pretendonim si botë dhe hapësira të Artit Jonian.
-Aty pamë të argumentuara teorikisht, se teritoret e Artit Jonian nuk
kufizohet në brigjet e detit Jon. Arti Jonian është si një oqean. Dhe oqeanet
nuk dallohen nga brigjet që lagin, por nga hapësirat e pamata që mbulojnë. Dhe
kufijtë shtetërorë e humbasin kuptimin e tyre nën këtë oqean. Por ne gjithsesi e kemi fjalën për teritore dhe
hapësira poetike dhe jo gjeografike.
-Aty pamë
se nuk jemi vetëm ne, një grusht krijuesish saranditë që flasim dhe shkruajmë për Artin Jonian. Ne jemi shumë, ndonëse fizikisht larg njeri
tjetrit. Nuk jemi vetëm ne poetët sarandiotë, antarë të Klubit të Krijuesve
Jonianë, por janë edhe këngëtarë , historianë, shkrimtarë e poetë nga rrethe të ndryshme, të cilët kanë ardhur
mes nesh edhe nëpërmjet analizave në këtë libër. Dhe unë do kërkoja lejen tuaj
të shtoja dhe piktorët, skulptorët e muzikantët vlonjatë e sarndiotë dhe për tu
bindur për këtë unë do tju ftoja të vizitonim sëbashku Ekspozitën e Artit këtu
në Sarandë për të parë sa shumë dritë e kaltërsi, pra jetë dhe shpresë jete ka
në ato krijime të botës joniane. Por edhe poetë grekë, qipriotë, italianë etj, kanë emrin dhe veprën e tyre në këtë botë
të Artit Jonian.
-Por ajo
që ka më shumë rëndësi është se ky libër
i mikut tonë Fatmir Terziu na dha kurajon ta themi me zë të lartë faktin se ne,
krijuesit saranditë, nuk ju njohim dhe nuk ju vlerësojmë juve, miq të nderuar,
të pranishëm ose jo, nga ajo letra e ngjyrosur që quhet pasaportë. Ne ju njohim
nga zemra juaj e derdhur nëpër vargje e
shkrime, dhe jinni ashtu siç e ndjejmë ne, sivëllezërit e simotrat tona.
Me këtë status
ju kemi ftuar në këtë Manifestim Poetik
dhe në këtë promovim libri, ku
ju urojmë “mirëseardhjen “ me dorë në zemër, për
tju përcjellur me zemër në dorë. Me këtë status të shënjtëruar ju ka pritur
Joni dhe Saranda.
Është vërtet
i shënjtë deti Jon dhe qyteti ynë. Shikoni
pak. Jo larg prej këtej, në ujrat e Jonit e ka patur selinë e tij Poseidoni. Pak
më lart, te kodra ku është kalaja e Lëkurësit, ka qënë tempulli i Diellit dhe
te ajo kodra aty përballë, ku tashmë janë ndërtuar pallate, aty pra ka qënë tempulli
i Afërditës. Ato kodra në veriperëndim të qytetit janë të Hermesit , pak më tejë,
në jug të qytetit kanë ecur shënjtorë e
profetë, që nga Shën Terini e Shën Spiridhoni e gjer te Abaz Aliu.
Dhe mbi të
gjitha, ky qytet është dyzetë herë i shënjtëruar, dhe ska pranuar asnjë emër tjetër për veten e vetë,
emër që është përpjekur tja imponojë politika vendase apo ajo e pushtuesve.
Prandaj
ju themi, miqtë e mi, që edhe po tju stërpiken flokët nga ndonjë stërkalë vale,
mereni këtë si një ripagëzim në një vend të shenjtë.
Sepse
edhe vetë Krishti, nga Gjon Pagëzori, me ujë u pagëzua, në lumin Jordan.
Mos vallë
u zgjata shumë, se që skam dalur nga tema, këtë e di vetë.
Por unë,
duke përfituar nga durimi dhe mirësia juaj, në emër të Klubit të Krijuesve
Jonianë të qytetit të Sarandës, por dhe në emrin tim veçanërisht, do ta
falnderoja z Fatmir Terziu për këtë dhuratë të bukur që u bëri krijuesve të shoqatës sonë, dhuratë e
cila realisht nuk është vetëm për ne, por është për të gjithë ju, miq të nderuar,
për të gjithë lexuesit dhe krijuesit që duan të
jetojnë, të krijojnë dhe të njohin botën e madhe të Artit Jonian.
Faleminderit
Fatmir Terziu.
Faleminderit të gjithë të pranishmëve.
* Fjala e
mbajtur në promovimin e librit “Joni Poetik” të Fatmir Terziut në Sarandë, më datën
23.06.2012 gjatë zhvillimit të Manifestimit
Poetik “Trirema Jonike”.