E premte, 26.04.2024, 10:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Tahir Bezhani

E marte, 11.12.2012, 08:01 PM


Tahir Bezhani:

 

PSE NUK QAJ?!..

Nuk di pse nuk del loti
Kur shpirti përpëlitet në vaji
Në këtë zhurmë të shurdhër
Pse kënga hesht,
Kur zjarri kall
Akullin e zemrës së mërdhirë
E pse nuk pëlcet vaji
Nga kjo mërzi e zezë
Nuk di,nuk di!.....

Kur qielli ç’fryhet
Stuhitë pushojnë
Loti  rehatohet
Në urëzat e djegura
Psherëtimë e kohës
Motmotarja ime
Komplot i heshtjes.....

20.shtator,2012
Gjakovë


MALL I  HESHTUR

Rrugëtimeve të gjata
Tymosë malli
Kujtimet  e rrjepura
Shkrihen në përlotje
Sytë shkëndija shkrepin
Dredhje  mustaqesh të azdisura
Tymnajë kohe ,
Qeleshe e bardhë mbi kokë
Si rreze dielli në maje bjeshke

Jehon  kënga luginave
Shpirti dehet me bukuri....

Këngët  rrëshqasin përmallshëm
Këmishës me hoka gjaku tjerrë
Në rripin e tirqve me gajtan
Ngjeshën armët-  relikte
Zhurmojnë rafteve në oda.

Sa i nxehtë,
Malli i varur në gozhdë heshtje....

Gjakovë,
02.06.2012


TROKITJE  NATE

Vjeshtë e vonë,
Natë e shëmtuar sonte,
Fërfëllizë,shi,ushtimë,
Vetëtimë,bubullimë.
Çdo gjë dridhet
Në kullën time.
Dhe parvazet fishkëllejnë
Dritat fiken
E unë i vetmuar,
Ndiej trokitjet  e heshtura
Kandilit ia rriti dritën
Asgjë nuk diktohet!
Në rafte gjërat e varura lëvizin
Varë në dhomë,
Arma përkundet pa e prekur
E frika  endet  trupit
Lartë-poshtë dhe anasjelltas!
Kandilit prapë ia rris dritën
Për t’i gjetur të pa ftuarit
Në gjirin e armës mbështillem
Natën vetmitare i shpresuar
Derisa dielli futet në dhomën time
E ëndrrat  treten  tej maleve...

04.10.2012
Gjakovë


NË DHOMË PA GJURMË...

Padiktueshëm  do hyj
Në dhomën Tënde
Çdo gjë për të vjedhur
Në dollapët  sekret,
Nuk do lë  gjurmë
Ama asnjë gjurmë
Nga gishtërinjtë e rjepur
Hijeve të natës...

Fshehurazi do futem
Në dhomën  Tënde
Do i vjedh të gjitha  letrat
Shkruar me gjakun e zemrës
Dashurinë e ngujuar
Më çelësin magjik....

Asnjë gjurmë për dëshmi
Nuk do mbetët
Pos  lotit që puthë faqet
E shkrumbi buzëve kujtim
Në ecje të shikimit përvëlues
Për lamtumirën e natës
Pa asnjë dëshmi,
Ama,pa asnjë dëshmi...

Gjakovë
15.qershor,2012



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora