Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Tingëllima e sertë e vargut
E marte, 11.12.2012, 08:00 PM
Analizë libri
NDIJIMI
DHE TINGËLLIMA E SERTË E VARGUT-KËTO HIEROGLIFE SHPIRTI...!
(Qazim D. Shehu: “Syri i ditës”, poezi-botoi TOENA, Tiranë-2012)
Nga Sejdi BERISHA
Shkrimtari,
Qazim D. Shehu, i cili deri me tash ka botuar njëmbëdhjetë vëllime me poezi dhe
katër vepra me tregime, sikur i takon një krahu të rrallë krijuesish, i cili me
vete e prej vetvetes bartë në seri trakullimën e jetës, e cila, si gjithnjë,
është e gatshme të mos e respektojë as më të voglin rregull, apo edhe as
ëndrrën e njeriut. Për këtë arsye, edhe vargu dhe poezia e kanë ndijimin dhe
tingëllimën e sertë, por plotë mall, urti e dashuri. Kjo, ngase, konsideroj se
edhe autori i këtij libri kështu mendon, se, vetëm me virtyte dhe madhështi
luftohet dhembja, edhe pse, ajo nganjëherë duket, dhe është e ëmbël dhe e
preferuar! Të gjitha këto “hieroglife” shpirti, poeti dhe prozatori, Qazim D.
Shehu i mbërthen në librin me poezi, “Syri i ditës”. Dhe, pikërisht fillon me
dashuri, i cili fuqishëm krijon klithmë por të heshtur: “Do të mbart si një baladë
që/S’kam ku e vendos,/Mos të lëndoj njeri/Si ushtari që shokun e vet e mbart/Të
plagosur nëpër shi...”. Dhe, fillimi i librit tash i ngjanë amës së lumit, i
cili kujdesshëm dhe rrjedhshëm e përcjellë ujin nëpër damarët e jetës dhe të
tokës.
Kështu, edhe mallin dhe etjen e vetë gjatë jetës, autori e bartë bindshëm dhe fuqishëm, sepse, mirë e ditka “Se kënga s’ka mëshirë”, e cila çdokënd fare e dërmon. Por, të gjitha këto “vuajtje dhe kënaqësi”, autorit i shkojnë për shtati, sepse, kështu jetës i këndon më mirë, dhe po ashtu, rrugëtimin e stolisë më mirë. Ndoshta, edhe për këtë arsye, të nëntëdhjetë e katër poezitë e “mbërthyera” në këtë libër, nuk i sistemon në njësi ciklike, por, lirshëm i lë të shtrihen edhe në libër edhe në mendjen dhe përjetimin e lexuesit.
Fuqia e këndimit poetik dhe jeta si pikturë e veçantë dhembjeje dhe lumturie
Nëse
poezitë e Q. D. Shehut i lexojmë veçmas dhe si të tilla edhe i analizojmë,
atëherë, lexuesi krijon bindjen se poeti ka dëshirë të “përbirohet” për birë të
gjilpërës, vetëm e vetëm për ta bërë jetën pikturë të veçantë të shpirtit dhe
të zemrës, në të cilën e ndrydhë dhe shtrydhë jetën, vuajtjet, kënaqësitë dhe
gëzimet e botës, edhe atëherë kur fëmijët e rrugës duken “si zogj të vrarë”!
Kështu, duke kënduar për vetveten por edhe për “theqafjet” e jetës, poeti
sertshëm merr rrugën edhe nëpër thinja, të cilat nuk i takojnë vetëm njeriut të
një kohe dhe as të një periudhe e të një vendi. Këtë këndim e hasim tek shumë
poezi, duke filluar nga “Një plakë”, “Kulla”, “Kosova”, “Etje” etj. Prandaj,
mesazhi i vargut tek vepra “Syri i ditës”, nuk është thjeshtë vetëm mesazh, por
ai shtrohet, apo i ngjanë hartës mbase edhe librit të historisë, dhe kështu, jo
vetëm se zgjon dhe shton kërshërinë e opinionit lexues, por provokon kohën për
ta vënë në shumë peshoja. Kjo do të thotë, se ai, as nuk këndon dhe as nuk
vargëzon kot, kur thekson: “...Po kulla e gjyshit/Më tepër se ngrehina
ime/Ndrit/Ajo nuk luajti kurrë”. Është ky një provokim për studim filozofik por
edhe për analizë historike, dhe atë pikërisht pse kanë ardhur kohët moderne, të
cilat, nganjëherë stërkeqin mendjen e njeriut, dhe jo gjithherë, ato kohëra
ngritin pallate drite e madhështie.
“Edhe pse
kudo njëjtë është toka/...Seç ka kjo tokë e Kosovës/E mallkuar për të qenë e
bukur/Me kodra si shkallë amfiteatri...”! Me qëllim i theksova këto vargje për
të vënë në spikamë komentin e lexuesit për rrugëtimet dhe për periudhat kohore,
nëpër të cilat ka marrë plagë të rënda dhe të hidhura toka dhe atdheu, dhe
asnjëherë nuk i janë gjunjëzuar helmeve të tilla. Por, as nuk i kanë përqafuar
dramat dhe tragjeditë që ua kanë projektuar dhe luajtur si në amfiteatër, por
edhe në skena të tjera. Andaj, vargu dhe përgjithësisht poezia e Qazim D.
Shehut, nëse e shprushim dhe analizojmë në mënyrë të mëvetësishme, ajo ka zë
karakteristik, që i ngjanë edhe apelit, edhe këshillës, por edhe dhembjes, e
cila vetëm sa forcon e madhështon, e që, katërcepërisht i ngjanë “syrit të
ditës” mbase edhe të kohës.
Ndoshta,
edhe për këtë arsye, këndin e qetësisë, autori e gjen, por, çuditërisht e
zgjedh edhe duke i mbëltyer si fidanët, vargjet e mrekullisë. E që, në këtë
kontekst, ai i pëlqen edhe vargjet e Naimit dhe të Lasgushit: “...Në fund
liqeni, qetësi gjet,/Përmes yjeve por si prushi/Dogji qetësinë e vetë”! Përmes
këtij këndimi, poeti sikur edhe e kërkon, por edhe ia arrin ta gjejë “formulën”
e qetësisë: “...Se s’më lë kjo botë e madhe/Mos të shkruaj poezi”!... Me vargun
e vet, autori i librit i bën pelegrinazh tokës së parehatshme, duke prekur me
shpirt çdo gjë; Shkumbinin, fshatin, dritaren e vetmuar-simbol i dritës dhe i
territ përnjëherë. Gjithashtu, ai, sikur ka dëshirë që çdo udhëtari të vonë, që
ka humbur rrugën, të ia joshë dëshirën dhe vullnetin për mikpritje, për
dashamirësi, që askush të mos digjet në “perandorinë” e errësirës, por bile, së
paku me shikim ta shijojë lumturinë.
Mirëpo, jo rrallë, vetmia bëhet mik i poetit, sepse, si duket, ajo i shkon për shtati për t’iu vardisur edhe më bindshëm vargut, i cili, edhe ai, shpeshherë e shpie zgavrave të qetësisë dhe të heshtjes, të cilat, tek njeriu zgjojnë ankth, sepse, ato fshehin por edhe kanë fshehur “dosjet” e ditarëve të pashkruar, të cilët, sikur të zbuloheshin, do t’i “çmendnin” dhe do t’i begatonin në të njëjtën kohë sirtarët e arkivave me marritë e vetë njeriut. Natyra dhe begatia e saj, janë thjeshtë inspirim, por janë edhe një forcë e pasqyrë, të cilat, bashkë ia shfletojnë jetën, ndijimin por edhe atë brendinë, që kurrë nuk dihet se çfarë përmban dhe çfarë thotë me ato almiset e veta. Këtë mund ta vërejmë, kur autori ligjëron përmes pritjes, vjeshtës, plepit, përmes hijes së vetmisë, etj. Dhe kështu, ai, i tëri, sikur mbi thasë mbushur me lule dhe gjemba, shtrihet mbi ditët, që i duken mjegull mbi humnera!
“Kacafytja” me muzat, se a është e tërë ajo që këndohet përjetim shpirti, apo inat e zemërim për rrjedhën e kohës...
Andaj, si
t’i zbërthesh atëherë vargjet dhe poezitë e kësaj vepre, të cilat ta detyrojnë
mendimin për ta vënë gishtin në tëmth, e të përqendrohesh njerëzisht, nëse
mundesh, për ta flakur nebulozën mbi jetën dhe njeriun, e cila, në të njëjtën
kohë shkakton pezëm, hidhërim, por edhe hapë çështje dhe provokon për t’u
“kacafytur” nganjëherë edhe me muzat, se a është e tërë ajo që këndohet
përjetim shpirti, apo inat e zemërim për rrjedhën e kohës, nganjëherë pa asnjë
shkronjë në letër e pa asnjë mendim në kokë. Kurse, dihet se kështu njeriut të
këtij nënqielli, jo rrallë i kanë ikur gjërat nga dora, i kanë humbur “tapitë”,
i janë shlyer dasmat dhe vdekjet, të
cilat tash nevojiten për të bërë mur të shëndosh historie e jete. Po kështu, të
tjerët gjërat edhe t’i kanë shtrembëruar, të cilat nuk mund t’i drejtosh dot,
edhe nëse ato i aktualizon dhe i “skuqë” e i bën si hekurin kur farkëtari
dëshiron t’i japë formën e kërkuar. Për ta mposhtur tërë këtë “humbje” njeriu,
poeti i këndon edhe Gjergj Fishtës: “Atje ku grimcë e dheut frymon/Fjalë e tij
ndez/Në trojet tona ku gjëmon/E mallkimi këlthet”.
Kjo është
ajo, kur fjala e mendimi përjetësohen në dokument. Prandaj, autori, tërthorazi
na bën me dije aktualitetin dhe pavdekësinë e veprës së Gjergj Fishtës, dhe
atë, tamam si rrëfim mitik, që përcjellët dhe madhështohet gjithnjë e më shumë
brez pas brezi, sepse, “Syri i ditës” është kujdestar dhe i pamëshirë, që
ndërgjegjshëm të rrëfejë për çdo gjë që sheh, që e vëren. Kështu që, me vargun
e vetë, Q. D. Shehu, sikur shndërrohet në një regjistrues të dhembjes dhe të
krenarisë, e përmes tyre, edhe të historisë. Ai, prajshëm vargëzon, por
“rreptë” i kthen kohërat në ndijim shpirtëror, e më pastaj, edhe në temë
debati, bile edhe qortimi: “Në rrugën Pejë-Gjakovë/Lisa, arra, mana/Fshatra
shtrirë përtej/Skena ku u luajt drama”(Poezia: “Në rrugën Pejë-Gjakovë”).
“Syri i
ditës”, i ngjanë edhe kompozicionit të një treni, i cili bartë dhe transporton
jetën e jo mall as material ndërtimor, e cila jetë, nëse poezitë shfletohen
fletë për fletë, ndoshta do t’i hidhnin dritë çdo gjëje që e ka bezdisur kohën,
njeriun, historinë e tij dhe jo vetëm të tij, në të cilat gjëra, në të shumtën
e rasteve, individi ka qenë vetëm spektator pa sy, pa gjuhë dhe as pa zë, por
që këto “tmerre”, autori tani na i sjellë të riparuara me fuqinë dhe me
mesazhin e vargut dhe të metaforës: ...Pyjet.../Tundin duart e gjata/Të kapin
yjet e fikur/Në shpresa të vakta” (Poezia: “Në Rugovë”). Ose: “Tani, anë a kënd
Kosovës/Ngrihen/Buste për heronjtë/Por liria/S’është përrallë...”!
Padyshim
se poeti ka një pikë të nxehtë në shpirt dhe në ndërgjegje për çdo gjë e ecën
përpara, që e ngritë, e zbrit, e trazon dhe e tradhton, dhe se ai gjithnjë
gjeneron zërin e arsyes dhe të dëlirësisë. Andaj, ai, përveç shumë këndimeve me
“syrin e ditës”, është i kujdesshëm, i butë por vullkan për ta ndritur e
praruar çdo gjë që është e mundur. Këtë na e dëshmon edhe kur ligjëron:
“...Poetët digjen për të tjerët/T’i ngrohin ata më shumë”!
Në “Syri
i ditës”, shumë poezi e krijojnë ngrohtësinë e fuqishme, mu si ngjyrat në
pikturën me temë idile apo edhe të
peizazhit të harlisur pas bukurive të natyrës dhe të njeriut në te, mbase edhe
të femrës dhe të bukurisë së saj, , si për shembull tek poezitë: “Në qytetin e
rinisë”, “Gruaja violinë”, “Ura”, “Fusha” e kështu me radhë. Bile, elementin
“dashuri”, autori, atë e sfidon me mbetje në hije, me car përvëlues e në çfarë
jo tjetër. Por, dashuria ka magjinë të cilën dot ende askush nuk e shpenzuar së
studiuari dhe as së analizuari deri në fund. Prandaj, poeti, me arsye tralliset
pas ngrohtësisë së saj përcëlluese: “Sytë e tu/Shtjellë e dashurisë
sime/Fiksuar çuditërisht aty/Sikur në botë mos kishte/Asnjë sy”(Poezia: “Sytë e
tu”).
Dhe, në
këtë rast, poezia i ngjanë ujit dhe njeriut të etur. Për këtë, s’di se kah t’ia
mbajë koha për ta kënaqur vetveten me mëkatet dhe me gabimet e njeriut gjithnjë
të etur nëpër ditë, orë, minuta, çaste mbase edhe periudha. Por, shkrimtari, në
fund të fundit, di të kthehet prapa, në kohërat që tash krijojnë edhe histori,
edhe nostalgji por edhe rrëfime të cilave edhe nuk mund t’u besohet
përfundimisht. Një kthim i tillë, poetin, vargun dhe ndijimin e tij shpirtëror
i madhështon dhe i bën të pëlqyer, si ushqim shpirti, i cili edhe i ngjanë
“bashkimit” të kohërave por edhe të
njerëzve për ta kënaqur amanetin e ecjeve dhe të rrugëtimit me shekuj të
kombit: “Në rrugët me baltë ku ecja dikur/As e mendoja asfaltin/Bulevardet e
gjëra me aromë/Ngasje parfumesh të mardhur/...Në ato rrugë takoja pak njerëz/Pak vajza të dashura/Të gjithë i desha
thjeshtë/Si dielli që është duke ardhur...”!
Andaj,
mesazhi dhe metafora s’duan koment, ashtu siç nuk do as “Syri i ditës” i Qazim
D. Shehut, që bashkërisht janë vlerë e cila padyshim se begaton cilësitë
letrare por edhe ato shpirtërore dhe kulturore kombëtare.